• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA-VOTA E EMIGRANTIT “PËRRALLË NGA E KALUARA”

February 1, 2017 by dgreca

– Në vend të “Ministrisë së Diasporës bëri “Samitin e Diasporës” !!!

– Shteti shqiptar, ndonëse e premtoi me “betim elektoral”, nuk krijoi Ministrinë e Diasporës, ministri që do të kishte nën kujdes një të tretën e popullsisë së Republikës së Shqipërisë në mërgim, ministri që shteti më i ri në botë, Kosova,e ka./

1 kioska e shtypit

NGA ABDURRAHIM ASHIKU/Po vijnë zgjedhjet kuvendare, katër muaj e 18 ditë kanë mbet…..Ka kohë që nuk flitet për votimin e emigrantëve… Do kohë më parë, në gojën e politikanëve të të gjitha ngjyrave artikuloheshin nota deri në shkallën më të lartë të pentagramit për “Votën e emigrantëve”, madje edhe për “Votën e diasporës” (!)
Është një refren i një kënge me iso e çifteli i dëgjuar dhe i përsëritur tash një çerek shekulli, një zë që as ka ra në veshë të hapur e as ka bërë hap përpara.
Politikës shqiptare nuk i intereson vota e emigrantëve, madje mund të them se i tremb për humbje karrigeje.
Politika shqiptare e ka parë mërgimtarin shqiptarë si lopë goja e së cilës ushqehet larg nëpër botë e gjinjtë rrjedhin qumësht në kovën e tyre. Mërgimtarët shqiptarë  në një punë tejet të lodhshme, pa dinjitet njerëzor, pa identitet civil, të harruar nga shteti, kanë mëkëmbur vendin me një përkushtim të jashtëzakonshëm atdhetar. Nuk ka gurë apo tullë në vendlindje lidhur me llaç që të mos ketë pika djerse dhe gjaku të punës së emigrantëve shqiptarë anë e kënd botës. Shteti të vetmin shqetësim për mërgimtarët në këtë çerek shekulli ka pas postimin e parave, alias remitancave, shumë e cila ka ardhur vazhdimisht në rënie derisa tash përbën shqetësim jo të vogël për rritjen e ekonomisë shqiptare.
Shteti nuk ka qenë dhe nuk është në gjendje që minimalisht në fillim të viteve shkollore tu dërgojë mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe në mërgatë thjesht abetare e jo më të njohë zyrtarisht me ligj gjuhën shqipe në mërgatë, ti regjistrojë mësueset vullnetare në amzën e Ministrisë së Arsimit, madje edhe ti paguajë për punën që bëjnë.
E gjitha kjo një detyrim kushtetues.
Shteti shqiptar, ndonëse e premtoi me “betim elektoral”, nuk krijoi Ministrinë e Diasporës, ministri që do të kishte nën kujdes një të tretën e popullsisë së Republikës së Shqipërisë në mërgim, ministri që shteti më i ri në botë, Kosova, tashmë, që në ditën e parë të krijimit, jo  thjesht e ka, por ka bërë që mërgata kosovare ta ndjejë veten më ngrohtë se sa mërgata shqiptare në akull me shtetin e vet.
Në vend të “Ministrisë së Diasporës bëri “Samitin e Diasporës” !!!
Politikanët shqiptarë, dikur, çdo natë zinin ekranet e vegjël satelitorë me një buzëqeshje të shtirur për “votën e emigrantëve” (!)
Madje, në shërbim të fjalës së tyre jepnin edhe ndonjë variant votimi “me zarfe” kostoja e të cilëve të mërdhin (!)
Dhe ndodhi pardje që heshtja të “prishet”. Evropa me zë e figurë përcolli thirrjen në adresë të shtetit shqiptarë për votimin e emigrantëve. Madje dha edhe një shifër, 2 milionë emigrantë shpërndarë në të pesë kontinentet duhet të votojnë, duhet të thonë fjalën e tyre për demokracinë, për të ardhmen e vendit të tyre…
Por shtrohet pyetja: Ku janë shqiptarët mbi 18 vjeç, të regjistruar në gjendjen civile shqiptare si banorë e njëkohësisht si votues në listat zgjedhore?
Askush nuk mund të japë jo adresë të saktë por as adresë në hava.
Një vit më parë ministri Tahiri deklaronte:
Ka një rëndësi thelbësore ky pr/ligj, pasi i jep mundësi qeverisë të njihet realisht me numrin e emigrantëve, të njihet me vendndodhjet e tyre, si edhe me problematikat që ata kanë, duke na dhënë mundësi të hartojmë politika edhe për to. Regjistri për shqiptarët që jetojnë jashtë është një hap konkret për të garantuar të drejtën e votës për ta. Ligji hedh bazat për të gjithë gamën e shërbimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe hapin e parë për garantimin e së drejtës së votës.
Në dhjetor 2015 kryeministri Rama deklaronte: “ Me këtë projektligj ne i hapim rrugë pas 25 vjetësh, si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda por edhe jashtë, për ta trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësirën ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij.
Më
19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Në ligj thuhet: Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji…
”.
I botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” parashikonte që brenda 6 muajve nga sot të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë.
Se si duhet të regjistrohen shqiptarët në emigracion akoma nuk është e qartë. Në fakt, ligji i jep Këshillit të Ministrave 30 ditë afat nga hyrja në fuqi që të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa “autoriteteve përgjegjëse” u jepen 90 ditë nga hyrja në fuqi, që “të njoftojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për detyrimin e vetë deklarimit të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse”.
Në prill 2016 ministri Tahiri do tu deklaronte emigrantëve shqiptarë në Athinë  “Janë bërë shumë premtime për votën e emigrantëve nga politika, por nuk është bërë asgjë deri më sot. Ne po ndërtojmë një shtet në Shqipëri për tu shërbyer qytetarëve.”
Tash jemi në shkurt 2017, një vit pas miratimit të ligjit. Kanë kaluar 10 muaj nga dalja e ligjit në gazetën zyrtare dhe 6 muaj nga afati i deklaruar më 9 mars 2016… që brenda 6 muajve nga sot të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë.
Asnjë fjalë e shkruar në faqet zyrtare të Kryeministrisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme, faqeve të shtypit të shkruar dhe atij elektronik nuk gjendet për fushatën e regjistrimit të adresave të emigrantëve. ASNJË FJALË!
Për të qenë i sigurt pyeta në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë. Përgjigja më erdhi e prerë. As ka filluar regjistrimi dhe as ka ardhur ndonjë udhëzim për zbatimin e ligjit 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Pyes të gjithë “skuadrën politike” që flet e pëllet për “votën e emigrantit” se si mund të votojë një emigrant shqiptar kur ai nuk ka asnjë adresë ?
Për mua, emigrant në vitin e 21-të, votimi i emigrantëve nuk është gjë tjetër veçse një “përrallë nga e kaluara” nga përrallat qeveritare lëshuar në adresë të mërgimtarëve gjatë këtyre 26 vjetëve.
Mund të më thotë ndokush ndonjë fjalë më të përshtatshme?

Abdurahim Ashiku

Athinë, 1 shkurt 2017

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, nga e kaluara, VOTA E EMIGRANTIT “PËRRALLË

Çfarë po bën Obama sot ?

February 1, 2017 by dgreca

President Barack Obama, with daughters Sasha, center, and Malia, pays for his purchase the the local bookstore Politics and Prose in northwest Washington, Saturday, Nov. 30, 2013. (AP Photo/Manuel Balce Ceneta)

Çfarë po bën ky, Obama.?….ju siguroj. Eshtë duke bërë pazar. Thjesht si qytetarët e tij/

1-ilir

Nga Ilir Levonja/Ky është një hall i madh shqiptar se, çfarë në fakt është duke bërë Obama momentalisht. President nuk është më. A është mërzitur? A po mendon të kthehet prapë në politikë? Ndofta për inat të Trampit, që aq faqe botës ia fshiu projektin e sigurimeve shëndetësore të tipit socialist. Nga ana tjetër është një mllef total me këtë Trapin që po na bën pazar me Moskën. Dhe u ka mbyllur rrugën pazareve të biznesit nga Siria e luftës. Po tallet me meksikanët duke ua plasur në sy se do jenë vetë ata që do paguajnë ndërtimin e murit të madh.

Që ne europinët po e krahasojmë në masë me murin e Berlinit.

Çfarë po bën ky, Obama. Ose në përgjithësi çfarë bën një president në Amerikë. Por edhe në shumë vende perëndimore që ndërtojnë demokracinë. Një president i larguar që bëhet ish president.

Unë nuk po i futem botës mbarë, por të paktën për këtë këtu, ju siguroj. Eshtë duke bërë pazar. Thjesht si qytetarët e tij.

Për aq sa dha. Çfarë ishte e mirë, e respektojnë. Ia heqin kapelen.

Për çfarë nuk bëri mirë. E mori përgjigjen, jo vetëm nga kushtetuta e vendit. E cila nuk e lejon të garojë pambarimisht. Por edhe tek humbja e ish ndihmëses së tij, dhe konkurentja e Trampit për zgjedhjet presidenciale Hilari Klinton.

Nga ky moment është një figurë si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara. Një djalë afrikanoamerikan, i cili u ngrit e fitoi në masë të gjerë falë ofertave programore që i bëri popullit të tij. Një mik i madh i cili ndihmoi me aq sa mundi shokun dhe zëvendësin e tij, me para nga xhepi, për kurimin e djalittë sëmurë.

Nuk e bëri me fonde dikasteresh që pastaj të rrihte gjoksin para kamerave.

Fitoi, qeverisi dhe iku.

Sot është një qytetar amerikan. Që si sezon taksash që është, do i nënshtrohet një më një se sa ka marrë, sa ka paguar dhe sa i kanë mbetur nga viti që shkoi.

Dhe nuk ndodh kështu vetëm me Obamën.

Të njëjtën gjë janë duke bërë edhe ata që ishin përpara tij.

Dhe kur vjen puna që kombi kërkon t’i shohi bashkë. Ata dalin në krah të njëri-tjetrit. Ish burra shteti që erdhën, dhanë dhe ikën.

Po ne shqiptarët, kaq kurioz të dimë se çfarë është duke bërë aktualisht Obama. A e kemi pyetur ndonjëherë veten se çfarë janë duke bërë këta…, të përjetshmit, ish burat e shtetit tonë.?.

Asnjëherë!

Sepse ne nuk kemi ish-a.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çfarë po bën, Ilir Levonja, Obama sot

Kosovë-Serbi, në Bruksel sot takimi i dytë i presidentëve dhe kryeministrave

February 1, 2017 by dgreca

1 Bruksel

-Nga Kosova, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Isa Mustafa, e nga Serbia Presidenti Tomislav Nikoliç e Kryeministri Aleksandar Vuçiç, do të ulen sot sërish së bashku në tryezën e dialogut të ftuar e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht do zhvillojë takime të veçanta me delegacionet/

PRISHTINË, 1 Shkurt 2017-Behlul Jashari/ Në dialogun Kosovë-Serbi, të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, realizimi i marrëveshjeve në vazhdimësi të dhënies fund të situatave tensionuese e retorikave do jetë në fokus të raundit të dytë të takimeve të nivelit më të lartë, të presidentëve dhe kryeministrave, sot në Bruksel, një javë pas të parit në 24 janar, që pasonte 30 raundet kryeministrore, të nisura në 19 tetor 2012, e së fundi të munguara plot një vit pas të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar.

Nga Kosova, Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Isa Mustafa, e nga Serbia Presidenti Tomislav Nikoliç e Kryeministri Aleksandar Vuçiç, do të ulen sot sërish së bashku në tryezën e dialogut të ftuar e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtëme e Politika të Sigurisë dhe Nënpresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht do zhvillojë takime të veçanta me delegacionet.

“Ky takim është vazhdim i atij të 24 janarit, ku të dy palët u dakorduan të lënë prapa tensionet dhe të përqendrohen në punë përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, theksohet në njoftimin nga zyra e Mogherinit. Përfaqësuesja e Lartë dhe Nënpresidentja Mogherini, shtohet më tej, pret me padurim vazhdimin e diskutimeve për çështje me rëndësi dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe që ta çojnë përpara dialogun.“Progresi drejt BE-së është i lidhur për të dyja, për Serbinë dhe Kosovën, përbrenda dialogut”, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogerinit.Takimi i 24 janarit 2017, ku në fokus ishte dhënia fund situatave tensionuese, u mbajt ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të pasuara edhe me retorika e të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.

Në zhvillimet pas takimit në mbrëmjen e së martës së javes së kaluar në Bruksel, në Prishtinë dhe Beograd deklaratat ishin të matura e nuk kishte retorika.

Të shtunën e 28 janarit, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan një bisedë telefonike.“U pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka  bërë të ditur Thaçi.Ndërkohë, ndodhi edhe një zhvillim i shmangies së tensioneve të mundëshme: Nga autoritetet e Prishtinës nuk u rrënua muri në veri të Mitrovicës edhe pse dje ishte dita e fundit e afatit të përcaktuar me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës ndërsa u tha se vetë serbët lokalë do e rrënojnë dhe për këtë po bisedohet. Një zhvillim tjetër është se, treni provokues që shkaktoi tensione me nisjen nga Serbia drejt Mitrovicës së Veriut, sipas një njoftimi të mbrëmshëm nga Beogradi, nuk do qarkollojë në relacionin drejt Merdares, vendkalimit kufitar me Kosovën, me nisje prej sot siç ishte paralajmëruar më herët, por në një relacion tjetër – drejt Vërshacit (qytet në krahinën e Vojvodinës, në Serbi).

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.Deri tani, në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, takimi ne bruksel

KOSOVË – KRIME, OSE SHPIKJA E NJË “UJDIE”

January 31, 2017 by dgreca

1 Islam-Lauka-300x225

Nga Dr. Islam LAUKA*/Pas valës së trampomanisë që përfshiu Serbinë dhe parashikimeve se, në kuadrin e afrimit Tramp-Putin, Presidenti i ri amerikan do t’ia sillte Beogradit Kosovën në tepsi, shpërtheu një tjetër valë, ajo e dyshimit dhe e frikës se mos kurban i “ujdisë” ruso-amerikane bëhet Serbia, duke këmbyer njohjen, nga Washingtoni, të aneksimit rus të Krimesë, me njohjen, nga Moska, të pavarësisë së Kosovës.

 Frika dhe dyshimet serbe pompuan një valë entuziazmi naiv tek një numër analistësh në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët shpërthyen me artikuj dhe opinione, në shtypin e shkruar dhe emisione televizive, duke u vënë në garë me njëri tjetrin se cili do ta formulonte më bukur “zbulimin” bombastik se Presidenti rus, Vladimir Putin, do ta njohë Kosovën.

Të dy palët e “ekspertizës”, shqiptare dhe serbe, nuk e morën fare mundimin për të bërë nje analizë që mund të çonte tek përfundimi i tyre për njohjen e Kosovës, por iu referuan një shkrimi të publicistes britanike, Meri Dezhevski, në të cilin ajo shprehu idenë se pjesë e marrëveshjes-paketë midis Presidentit Putin dhe Presidentit Tramp mund të ishte këmbimi i njohjes së aneksimit të Krimesë me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Siç e pranon edhe vete Dezhevski në nje intervistë në radion “Europa e Lirë’, ideja e hedhur rreth këtij këmbimi, ishte, më shume, një hamendësim i saj. Për fat të keq, një hamendësim i pabazuar, me një përfundim të paargumentuar.Analiza kritike e marrëdhënieve ndërkombëtare, në përgjithësi dhe e politikës së jasthme, në veçanti, në nivel individual, shtetëror dhe sistemor, marrja në konsideratë e bashkëveprimit dhe bashkëndikimit të ndërsjellë aktorë-struktura, si dhe e kontekstit në të cilin zbatohen vendimet e aktorëve në fushën e politikës se jashtme, ofrojnë një numër elementësh që, ose nuk njihen, ose injorohen për arsye te caktuara nga Dezhevski dhe mbështetësit e hamendësimit të saj mbi këmbimin Kosovë – Krime. 

Së pari, pas aneksimit të saj, Krimeja nuk përbën më interes parësor për Putinin. Për të, ai është një problem i mbyllur, një herë e përgjithmonë. Natyrisht, ai do të mirëpriste njohjen e saj nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar, si pjesë të Federatës Ruse, por ajo nuk është një çështje jetike për Kremlinin. Më shumë është një çështje prestigji dhe kredibiliteti. Për Moskën, konsiderohen  parësore problemet e hapura që lidhen, siç shprehet ajo, me sigurinë kombëtare të Rusisë, si: afrimi i strukturave të NATO-s pranë kufinjve të saj; ndërhyrja perëndimore në hapësirat ish-sovjetike (Ukrainë, Gjeorgji); prishja e ekuilibrit strategjik ,etj. Në këtë kuptim, për “paketën e ujdisë”, me Trampin, Putini ka çështje më të “nxehta” se Krimeja.

E njejta gjë mund të thuhet edhe për Trampin. Edhe ai ka çështje më të rëndësishme se Kosova për “paketën e ujdisë” me Putinin : lufta kundër ISIS-it; përmbajtja e Kinës; rregullimi i krizës në Lindjen e Afërt; (c)armatimi bërthamor, etj. E vërteta është se, jo vetëm Kosova, por as Ballkani, nuk është përmendur gjatë fushatës elektorale të Trampit dhe as në javën e parë të tij si President i SHBA. 

Pavarësisht rangimit, relativisht të ulët, të Krimesë dhe Kosovës në shkallën e përparësive ruse dhe amerikane, Putini duket të jetë më i interesuar për njohjen, nga Amerika, të aneksimit të Krimesë, se sa Trampi për njohjen, nga Kremlini, të pavarësisë së Kosovës. Edhe i fituari i kësaj ujdie, me gjasë do të ishte Putini, sepse do të këmbente njohjen e aneksimit me forcë ushtarake të Krimesë, me njohjen e pavarësisë së Kosovës, si e drejtë e vetëvendosjes të popullit të saj. Ai do t’i gëzohej këtij akti, si iu kishte gëzuar Hitleri njohjes, nga perëndimorët, në vitin 1938, të aneksimit prej tij të Krahinës Sudete, deri athëre, pjesë e ligjshme, e pranuar ndërkombëtarisht, e Çekosllavakisë. Sot, aneksimi me dhunë është një akt i dënueshem në të gjitha dokumentet ndërkombëtare. Po të zbresim në terrenin konkret, lidhur me aneksimin e Krimesë, ka një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, miratuar më 27 mars 2014, e cila e klasifikon Rusinë si agresore dhe e shpall të paligjshme përfshirjen e nje pjese te territorit ukrainas në Federatën Ruse. Ndërkohë, sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

 Së dyti, vendimmarrja në politikën e jashtme në SHBA është një gjë dhe ajo në Rusi, diçka krejt tjetër. Në rastin e parë, Presidenti ka rolin e vet, por thelbësor është edhe roli i  Kongresit. Presidenti nuk është krejt i lirë në vendimmarrje edhe për shkak të kufizimeve kushtetuese. Ndërkohë, kur ka çështje të diskutueshme, ndërhyn Gjykata e Lartë. Nuk është pa ndikim edhe mendimi i ekspertizës, përfshirë mendimin e asaj që ka zgjedhur dhe po emëron Presidenti Tramp. Sekretari i ri i Shtetit, Reks Tillerson, këto ditë, e krahasoi veprimin e Pekinit, lidhur me ishujt në Detin e Kinës Jugore, me aneksimin e Krimesë,nga Rusia, veprim që, sipas tij, nuk do të njihet kurrë nga qeveria amerikane. Njohja hipotetike, nga ana e Trampit,  e aneksimit të Krimesë, do të haste në kundërshtimin e administratës së tij, të Partisë Republikane dhe të Kongresit. Partia Republikane e ka kritikuar vazhdimisht Obamën për politikë të butë ndaj Putinit dhe kapitullim para tij. Por, a do të kishte kapitullim më të madh se sa njohja e aneksimit të Krimesë? Në të dy Dhomat e Kongresit, aktualisht, mbizotëruese është fryma kundër Putinit. Një vendim i njëanshëm i Presidentit Tramp, vetëm sa do t’i hidhte benzinë këtij zjarri. Nuk ka dyshim se legjitimimi i agresionit të një vendi si Rusia, kundër fqinjit të vet, Ukrainës, do të ishte një armë e re në duart e kundërshtarëve, jo të paktë, të Trampit. 

 Nisur nga sa më sipër, duket e dyshimtë që presidenti Tramp t’i hyjë një aventure të tillë të rrezikshmë edhe për postin e tij, si njohja e aneksimit të Krimesë.

Për Putinin, si udhëheqës autoritar, këto probleme nuk ekzistojnë. Vendimet e tij janë ligj për Dumën, për gjykatat, si dhe për administratën. Nuk do të përbënte problem as “sakrifikimi” i Serbisë”, pavarësisht se Beogradi ushqen të tjera iluzione. Putinin e vënë në lëvizje interesat personale dhe ato të fuqisë së madhe, jo serbofilia dhe sllavofilia.

Së treti, pasojat e një “ujdie” të tillë, jo për shkak të njohjes nga Rusia të pavarësisë së Kosovës, por të njohjes nga SHBA të aneksimit të Krimesë, do të ishin fatale për sigurinë dhe stabilitetin në Europë dhe në botë. Në një zhvillim të tillë, do ngrihej një numër pyetjesh: pas Krimesë, a do të njihej pavarësia e Abhazisë dhe e Osetisë së Jugut, të dyja të shpallura si shtete të pavarura me ndihmën e tankeve ruse? A do të njihej sovraniteti i Pekinit mbi ishujt artificialë në detin e Kinës Jugore? Dhe më tej, cili do të ishte hapi i radhës i Putinit, për aneksimin e territorit të një fqinji tjetër? Cili do të ishte qëndrimi i fuqive të tjera ndaj “ujdisë”  ruso-amerikane? Pa folur për Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Japoninë, që janë hapur kundër këtij akti, për arsye parimore e ligjore, njohja e aneksimit të Krimesë, kundërshtohet edhe nga aleatët e Moskës në Organizatën e Shangait, apo në BRIKS si Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut, veç arsyeve parimore, edhe nisur nga interesat e tyre të brendshme. Edhe logjika më elementare nuk do ta pranonte që, për hir të rregullimit të marrëdhënieve me Putinin, Trampi të vendoste të hidhte ne erë gjithe rendin nderkombetar,të ndërtuar pas vitit 1945, duke i rezervuar vetes në histori, nje vënd si të Cemberlenit. 

Në qoftë se mbahen parasysh elementët e mësipërm, vështirë të arrihet në përfundimin se do të ketë një ujdi midis Trampit dhe Putinit për këtë çështje. Më shumë gjasë ka që administrata e re amerikane të vazhdojë të mos e njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia. Për 50 vjet, SHBA, pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet, nuk e njohën aneksimin e republikave ballktike nga Bashkimi Sovjetik. E njejta praktikë mund të ndiqet edhe në rastin e Krimesë. “Lëshimi” i Trampit në kontekstin e përmirësimit të marrëdhënieve me Putinin, mund të jetë mosngritja e saj si problem në marrëdhëniet dy a shumëpalëshe, pra, të  heshtet rreth Krimesë. 

Sa i takon Kosovës, zhvillimet e fundit nuk flasin për ndonjë pajtim të Moskës për njohjen e pavarësisë së saj. Përkundrazi, Agjensia Kosovare e Inteligjenës, keto ditë, bëri publike një listë të agjentëve rusë që veprojnë në Serbi dhe në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se në Veri të Kosovës janë të pranishëm kontigjentë rusë që po merren me përgatitjen e njësive paramilitare serbe. Nuk besoj se me këto “lojëra klandestine” dhe teknologji politike të pista, Moska po përgatit njohjen e pavarësisë së Kosovës. Analistë seriozë flasin për rrezikun dhe kërcënimin rus në Kosovë. Putini është mjeshtër për krijimin e “fakteve” në terren,psh,ne Veri te Kosoves dhe pastaj daljen e tij si paqebërës, natyrisht, në kushtet ruse. Siç dihet, Kosova ka arritur deri ketu ku eshte sot,shtet i pavarur dhe sovran,jo duke zbatuar kushtet ruse,por duke mos i përfillur ato.  

Për shqiptarët, kërcënimi rus ka qenë dhe mbetet real. Në etapën e tanishme, ai është bërë edhe më i mprehtë dhe, në gjykimin tim, përbën kërcënimin numër një për shtetin e Kosovës dhe, për pasojë, edhe për kombin shqiptar. Kërcënimit të një niveli të tillë, duhet t’i përgjigjemi me politika dhe masa të të njejtit nivel, në plan shtetëror dhe kombëtar, natyrisht, në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë, nëqoftëse edhe ata, në kundershtim me çfarë është folur, kohët e fundit, për një farë tërheqjeje nga udhëheqja globale për të kaluar në neoizolacionizëm, i përgjigjen dëshirës dhe vullnetit tonë për të bashkëpunuar me ta.  Deklaratat e Sekretarit të ri të Mbrojtjes,  Xhejms Mettis, për vazhdimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë, aq sa të jetë e nevojshme, apo theksimi i rëndësisë së NATO-s në takimin Tramp-Mej, gjithsesi janë inkurajuese. Me kusht që edhe ne të bëjmë punën tonë, më mirë, më me përkushtim dhe kryesorja, më me mend se sa deri tani.

____________

*Doktor i shkencave politike, ish ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë, president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, E NJË “UJDIE”, KOSOVË – KRIME, OSE SHPIKJA

Fundi i Filozofisë apo Fundi i Teorisë – Richard Rorty

January 31, 2017 by dgreca

1-Blerta-HaxhiajNga Blerta Haxhiaj /Interesi në filozofi zana-fillën e ka te Habia sepse edhe pyetja Pse e ka një se-pse …Pa brirë je mbret! Pa brirë je pasha! Pa brirë është dhe moda! Duke teorizuar postmodernen pashmangshmërisht inkurajojmë sulmet ndaj postmodernes, siç janë sulmet e Lyotard dhe Foucault mbi teoritë moderne për qasjet e saj karakteristike totalitare dhe thelbësore (Steven Best and Douglas Kellner). Argumenti është ironik qëkurse falsiteti e njëjëson apo ndryshon ‘traditën moderne’ dhe qëkur teoricienët postmodern sikurse janë Foucault dhe Baudrillard janë të përgjithësuar si çdo mendimtar modern. Loytard kërkon justifikimin e teorisë me lojërat gjuhës duke e lokalizuar e argumenton se asnjë kriter universal është i mundur për të vendosur në një terren të së vërtetës objektive apo të vlerave universale. Për Foucault justifikimi zë në grackë iluzionet metafizike sikurse është e Vërteta dhe vetëm shqetësimi i kritikave filozofike çmonton mënyrat e vjetra të të menduarit. Një sulm i traditave ekzistuese dhe institucioneve ekzistuese, për tu hapur ndaj horizonteve të reja dhe eksperiencave për një liri më të madhe individuale. Ajo që është në qënder është rezultat dhe nësë ky rezultat sjell një liri më të madhe ku prespektivat teorike janë të justifikuara, aty ku diskursi teorik nuk shikohet si i saktë apo i gabuar por si efikas duke prodhuar efekte pozitive.

Rorty e sulmon meta-teorinë-refleksionin mbi statusin e teorive në vete, e cila merret me justifikime epistemologjike dhe normative të prepozicioneve dhe vlerave ku teoria e cila kritikon në tre mënyra të ndryshme duke dhënë tezen e ‘fundi i filozofisë’. Rorty (filozofia analitike) bëhet në një renegat dhe braktis dogmën profesionale ku filozofia ‘është mbretëresha e shkencës(?!)’, apo themelimin e së Vërtetës përmes kërkesave të vlerave të vërtetësisë. Ai referon se filozofia nuk ka një dije të veçante të së vërtetës sepse si çdo fenomen kulturor është përmes asaj fenomenit linguistik. Për Rorty-n gjuha është një kosntruksion poetik që krijon botën, jo një pasqyrë që e reflekton realitetin dhe aty ka më pak predispozita apo të vërteta neutrale që baraktisin kontigjencat e krijimit historik. Aty nuk ka një pikë arkimediane rrethore për një teori të vendosur, gjuha mund vetëm të na japë një ‘përshkrim’ të botës. Përçapja e parë në sulmin e Rorty-t është mbi idenë se kjo teori mund të sigurojë bazamente objektive për dijen dhe etikën, duke qënë e lidhur me të vërtetën universale, maskat e së Reales nuk mund të jenë të njohura. Tentativa e dytë e Rorty-t tregon se aty nuk ka të vërteta universale apo objektive, nuk ka një gjuhë neutrale si arbitër atëherë teoria nuk ka pushtet për të gjykuar përmes gjuhes apo përshkrimeve. Një sipërmarje që e transformon teorinë në meta-teori atëherë kur kushtet e argumentit në vetë bëhen mjaftueshëm problematik. Qëkur Rorty e mohon se teoricienët saktësisht mund te kritikojnë, kundërshtojnë apo ‘dekonstruktojnë’ atëherë nuk ka as mirë, keq, apo saktë. Teoria zëvendësohet më ironinë, ai që paralajmërohet nga kontigjenca e paeliminueshme e vetes dhe diskursit, pranimi i limiteve të reja, ai që ironizon mundet vetëm ta ripërshkruajë teorinë e vjetër në gjuhë të re dhe të ofrojë përshkrime të reja për vetëvetën dhe të tjerët. Ne adoptojmë vlera dhe ideologji mbi emotiven se sa mbi terrene racionale, çdo fjalor është i ndjekur nga një tjetër dhe aty nuk ka një fjalor përfundimtar më një tjetër që mund të arbitrojë frazat normative dhe epistemologjike. Metoda është të ri-përshkruajë shumë gjëra të reja në rrugë të reja derisa individi të krijojë një përmbajtje të sjelljes linguistike e cila pret që gjeneratat e reja ta adoptojnë atë. Ky lloj të bërit filozofi punon pragmatikisht duke thënë se ‘tento të mendosh në këtë mënyrë’ apo ‘tento të injorosh në përgjithësi çeshtjet tradicionale duke zëvendësuar atë me të reja dhe mundësisht duke ngritur pyetje të reja’. Rorty e mohon termin që i mvishet ‘relativist’ mirëpo ai është realativist në sensin që dikush që nuk mund të demonstrojë një pikëpamje nuk është më i vërtetë se sa dikusht tjetër që mund ta demonstroje. Ai shkon drejt përshkrimeve që celebrojnë kontigjencën, ironinë, solidaritetin dhe vlerat liberale por deklaron se dikush nuk mund të argumentoje për përshkrime të reja. Duke e shfronësuar filozofinë Rorty proklamon se literatura është më shumë së sa një mënyrë e pushtetshme e interpretimit të botës dhe ofron përshkrime që janë të domosdoshme për vetë-krijimin dhe progresin social. Trillimi zë vend në teori, mirëpo Rorty ka shkruar filozofi dhe jo trillim, këtu është sulmi i tretë i autorit, teoricienët duhet të braktisin të gjitha qëndrimet për të kritikuar radikalisht institucionet sociale, mirëpo kritika nuk ka fuqi të Rorty dhe një përshktim është aq i mirë sa një tjetër, por teoria në këtë nivel nënkupton së ka qëllim që në mënyrë klasikë është e përshkruar të Republika e Platonit, për të zhytur publikun dhe shqetësimet provate, për të bashkuar çështjet private për përfeksionim sëbashku më drejtësinë sociale. Autori udhëheqet edhe nga përgjithësimi së tradita dhe bindja janë forca të fuqishme se sa arsyeja në konstruktin social të jetës duke mbajtur ngjitësin social sëbashku. Këtu janë pikëpamjet filozofikë mbi tema siç është natyra e vetes apo kuptimi i jetës se mire që janë irrelevantë ndaj politikës siç janë argumentet për ekzistencën e Zotit. Duke u mundur të rivitalizoje vlerat liberale pa ndjenjat e domosdoshmërisë për të mbrojtur ato mbi nivelin filozofik, ajo çka është e domosdoshme është një lloj i intelektualit analog i virtytit civik, tolerance, ironia dhe kujdesi që sferat e kulturës të pluskojnë pa qënë të shqëtësuara shumë për terrenin e përbashkët, unifikimi i tyre. Qëkur filozofia arrin të sigurojë një themel për konceptin e filozofisë ajo duhet të braktiset dhe të zëvendësohet me një përshkrim poetik dhe narrativ historik duke marrë një hap gjigand drejt Foucault, Rorty referon se jo vetëm filozofia siguron themelet për politikë, ajo nuk luan rol politikë apo diçka të ngjashme. Kundrejtë këtij sulmi mbi fundamentalizmin Foucault përdore teorinë si një armë për luftën politikë. Për Rorty-n filozofia nuk ka rol as politik as publik, ,(prandaj zvetnohet roli i saj në kurrikulat shkollore dhe universitare) duke rivitalizuar dallimin klasik liberal mes publikës dhe privates Rorty paraqet se filozofia duhet të rezervohet për një jetë private, aty ku mund të behet ironike në maksimunin e saj ndërkohe që traditat politike dhe morale duhet të qeverisin jetën publike. Edhe Derrida një i arrirë në ironi supreme insiston se entitetet dekonstruktiviste politike përmbushën dhe bëhen publike paraqesin një varg problemesh. Kundër fundamentalizmit, është e mundshme teoria për të kosntruktuar një terren jo-arbitrar për akses vlerave dhe fakteve konkuruese. Këto terrene nuk janë metafizike apo historike, ato janë gjetur brendave kritereve të logjikës dhe argumentimit që janë të arsyeshme dhe të shpërndara te vlerat sociale të asaj demokracie liberale. Nuk e gjejme arbitrare së racizmi është i gabuar apo kritikat se racizmi, seksizmi janë përshkrime të mira me të cilat duhet të pajtohemi. Një e tillë duhet të konstituohet më një komponent të fortë racional, për të luajtur lojën e gjuhës në një argument demokratik. Interesi në filozofi rrallë është një ekzaminim i tezës pro dhe bashkë saj, argumentimi është i vështire jo gjithmonë shumë seksi, sidomos në mëndjen e një estetiku të padurueshëm që kërkon vetëm bukurinë, rininë.

Duke qënë një hap larg Baudrillard vete-proklamimi si ‘intelektual terrorist’ që preferon thjeshtë të hedhe në erë idetë me fraza josubstanciale, me ekzagjerime jashtë kontekstit në vend që të prese evaluimin e të vërtetës apo falsitetit. Me Loytard-in Rorty kërkon sa më shumë përshkrime të reja të vetës dhë të botës. Kjo ka vlere të asaj që vjen por përfaqëson një fetishizëm të së resë mbi shqëtësimin për të vërtetën dhe drejtësinë, aty ka vetëm pika të diskontiunitetit dhe dije në drejtime të copëzuara.. fundamentalizmi, racionalizmi dhe narracioni progresivist i teorise përëndimore mund të ri-përshkruhet në mënyre edhe më të mirë që të jenë vegla më efektive për analiza historike dhe kritike sociale. Personalja nuk është më politike, çështja nuk duhet të bëhet teorike qëkur të gjitha orientimet filozofike, kritike apo politike janë teorike deri në fundin e përmbledhjes që shërben si guidë në mendim dhe veprim. Plogështia potenciale e afrimit jo-teorik është e dukshme aty ku fara jo-teorike të shumë studimeve kulturore manifestohen në media, kulture si interes duke injoruar funksionet ekonomike dhe ideologjike. Teoria është e domosdoshme për shtrirjen e asaj që bota nuk është e kompletuar dhe transparente ndaj ndërgjegjjes. Rorty kishte të drejtë se narracioni në mënyrë të fuqishme mund të ndriçojë konditat të jetës më shumë dhe më konkrete duke iluminuar metodat më shumë se sa teoria. Të dyjat narracioni dhe teoria, kuptimi i tyre, i prespektivave të ndryshme, postmodernia i sulmon ato mbi teori pjesërisht dhe me parcela të misogonisë bashkëkohore. Vlera pozitive e kritikave pragmatike e teorisë është të ri-kujtojë se si duhet mirëmbajtur një lidhje të ngushtë mes teorisë dhe praktikës për të shmangur një analizë abstraktë dhe të mos zhytet në mëta-teori që bëhet e fiksuar më justifikimin e teorise përmbi aplikimin e saj. (Habermas). Kritika pragmatike na ndihmon të mirëmbajmë teorinë nga ajo që mund të bëhet ezoterike, e specializuar në diskurset të manipuluara dhe të kuptuara vetëm nga një kateder e ekspertëve akademik. Roli i teorisë është të sigurojë ‘armët’ për një kritikë sociale dhe ndryshore për të ndriçuar burimin e jo-lumturisë së njeriut dhe të kontribuoje në emancipimin e njeriut. Më Rorty-n ne nuk besojmë se teoricieni duhet të kërkojë të ndërtojë një urë përfektë mes publikut dhe privates, për hir të veprimit dhe zgjedhjes mbi pjesën e individuales gjithmonë e cila kërkon atë rendin në një shoqëri të lire. Roli i teoricienit është të ndihmojë, analizoje kushtet e mirëqënies të njeriut, lirinë, të pyesë nëse ato janë të përmbushura. Në kemi intelektuale publik si specialiste në mendimin kritik që mund të angazhojnë aftësitë e tyre për të paraqitur abuzimet e publikes, në rend për të ndihmuar për të rikonstruktuar shoqërinë, politikën në mënyrë sa më demokratike. Mediat elektronike, teknologjitë e reja kanë krijuar sfera të reja publike dhe raste të reja për këta intelektuale që të shfaqin aftësitë e tyre të kritikës dhe argumentimit. Teoria (besojme) se mund të sigurojë hartat shoqërore dhe narracionin historik e cila përkohësisht mund të kontekstualizohet në kohërat e sotme. Narracionet historike mund të kontekstualizojnë të tashmen duke e identifikuar të tashmen dhe të kaluarën, që ka konstitualizuar të tashmen dhe se si e tashmja hapet ndaj nesh me alternativa ndaj së ardhmes. Në formën e saj të gjenealogjia e Foucault, narracionet historike tregojnë trajektore të përkohshme të kuptimit të eksperiencave dhe ngjarjeve, lëvizjeve politike apo forcave që konstituojnë subjektet.  Kundër postmodernes është tendenca që të bëjë të rastësishme historinë si një seri e shkëputur e ngjarjeve, narracionet historike duhet të kapin dy anët ate të vazhdueshmërisë dhe diskontiunitetit duke analizuar se si kontinuiteti e mbushë zhvillimin dinamik. Udhëtimi drejt postmodernes nga hedh neve brenda një botë të re duke na bërë eksplorues pa busull, hartat që janë provizore, në këtë botë të re të postmodernes kultura dhe shoqëria paraqesin një interes të mjaftueshëm duke bërë ndryshime. Aty paraqiten format e fuqisë tërë globale të tekno-kapitalizmit. Si një levizje e re sociale ajo premton shumë në ndryshimet dhe transformimet e saj në të tashmen e demokracisë sociale. Kështu që si me brirë apo pa brirë filozofia qëndron e ‘palëkundur’ nga froni i saj.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 593
  • 594
  • 595
  • 596
  • 597
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT