• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Beograd: “Ushtria dhe policia serbe – një grusht mjerim”

January 17, 2017 by dgreca

Provokimi me trenin ishte “budallallëk”, thuhet në Beograd. Mediat qeveritare thonë se vetëm politika e “urtë” e kryeministrit Vuçiq e ka evituar konfliktin e armatosur. Por të tjerët paralajmërojnë.

Vetë qeveria e ka kijuar krizën, sepse ajo është përgjegjëse për mbishkrimet dhe provokimet në trenin e nisur për Mitrovicë, thonë kundërshtarët e kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Ndërsa tani kryeministri po përpiqet të paraqitet si paqëbërës, me deklaratat se e ka evituar konfliktin. Por mbështetësit e Vuçiqit thonë se “konfliktin e ka evituar politika paqësore dhe nervat e fuqishme të Vuçiqit“. Politikani i Rusisë Unike, Sergej Zheleznjak pohon madje se “duke i falënderuar kësaj politike të Vuçiqit, është evituar konflikti i armatosur në zemër të Evropës”.

A mund zjarrvënësi të jetë zjarrfikës?

Mrendoj se e gjitha ajo që po ndodhë mes Beogradit dhe Prishtinës është vetëm një vazhdimësi logjike e politikës së qeverisë serbe, e cila ka lidhje me zgjedhjet që po afrohen, thotë për DW Dragan Popoviq, kryetar i Qendrës për politikë praktike në Beograd. “Kjo është një politikë e cila po e shfrytëzon Kosovën dhe të gjitha që lidhen me Kosovën për t’i dërguar mesazhe opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Varësisht nga nevojat, dërgohen mesazhe ashpërsuese apo nënshkruhet ndonjë marrëveshje. Ndaj edhe kjo është një krizë artificiale e krijuar qëllimisht, që dëshmon se ne nuk kemi nisur procesin serioz të normalizimit të raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve“.

Hauptsitz der Regierung in Serbien (DW/I. Petrovic)Qeveria serbe

Popoviq mendon se treni është përdorur për qëllime të brendshme dhe për të ngritur tensionet, sepse gazetat e Serbisë janë përplot me paralajmërime për konflikte dhe luftë. “Mediat qeveritare me ditë të tëra janë duke zhvilluar një fushatë jo normale, ku njerëzit përgatiten për njëfarë lufte dhe skenarë katastrofash. Ndaj edhe treni nuk mund të konsiderohet ndryshe por vetëm një budallallëk dhe provokim i panevojëshëm”

Kush ka fituar në Bruksel?

Kam përshtpjen se të dy palët po përpiqen të zhvendosin vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme në Kosovë apo Serbi, thotë për DW Filip Shvarm, redaktor përgjegjës në revistën “Vreme”. “Ata po përpiqen që Marrëveshjen e Brukselit ta paraqesin si fitore të tyre. Ndaj tani kemi një situatë kur secila anë përpiqet ta prezantojë si fitore për vete atë që është nënshkruar në Bruksel. Në Ballkan kemi pra oligarki të cilat përfitojnë nga ashpërsimi i gjendjes dhe ngritja e tensioneve“.

Pushteti në Serbi ka dëshmuar edhe në këtë rast se vet krijon probleme, ndërsa pastaj paraqitet si “shpëtimtar”.  Në këtë mënyrë përpiqet të përfitojë edhe mbështetjen e Perëndimit. “Qeveria e tanishme paraqitet si faktor stabiliteti dhe paqe në Ballkan. Në fund të fundit, që nuk është e vërtetë. Qeveria po e shfrytëzon këtë paraqitje jashtë vendit për të shkelur lirinë e mendimit dhe të mediave në Serbi si dhe për shkatërrimin e institucioneve. Qeveria e Aleksandar Vuçiqit po prodhon pa ndërprerë kriza dhe më pas përpiqet t’i zgjidhë ato. Vuçiqi pohon se e ka evituar lu

DW 60 Jahre Kosovo Krieg serbische Panzer 29.10.1998 (Joel Robine/AFP/GettyImages)

ftën, ndërsa vet ai e ka dërguar trenin“, pohon Popoviq.

Serbët viktima më e madhe

Filip Shvarm pohon se kjo lojë me armë dhe kërcënimet e Beogradit kanë një karakter ritual, sepse “Serbia nuk ka potencial dhe dëshirë për një luftë të re”. “Ushtria dhe policia janë një grusht mjerim. Por pushteti po përpiqet që në këtë vit zgjedhor të futet me legjitimime nacionale dhe të paraqitet si mbrojtës universal i interesave të serbëve, por edhe si liderë rajonalë“.

Ndaj Dragan Popoviq pohon se “humbësi më i madh i këtyre krizave është qytetari serb dhe në veçanti serbët e Kosovës. Ata do të jenë viktimat e para në qoftë se situata del jashtë kontrollit. Ata janë një monedhë e qeverisë për kusur. Qeveria serbe po vazhdon strategjinë e krijimit të tensioneve dhe frikës në prag të zgjedhjeve“.

Filed Under: Analiza Tagged With: - një grusht mjerim", Beograd: "Ushtria dhe policia serbe

A po e nxit Beogradi shpalljen e Asociacionit apo autonomisë serbe në veri Kosovës?

January 16, 2017 by dgreca

Në ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, Beogradi ka paralajmëruar se do t’i inkurajojë përfaqësuesit serb të Kosovës, që të shpallin njëanshëm themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Akti i shpalljes, do të bëhej në Mitrovicën veriore, atje ku Beogradi provoi të instalojë edhe një linjë ilegale hekurudhore që do të lidhte Serbinë me këtë pjesë të Kosovës, pa lejen dhe aprovimin e institucioneve të Kosovës.

Treni që tentoi të hynte në Mitrovicën veriore, nga Beogradi.

Treni që tentoi të hynte në Mitrovicën veriore, nga Beogradi.

Këto veprime të Beogradit, në Prishtinë po shihen jo vetëm si provokime dhe shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, por edhe si sinjal se pjesa veriore, e nxitur nga Beogradi, mund të ndërmarr hapa të njëanshëm për më shumë autonomi dhe thellimin e distancës në raport me institucionet qendrore në Prishtinë.

Duke iu referuar aktit të paralajmëruar të shpalljes së njënashme të Asociacionit, analisti politik, Imer Mushkolaj vlerëson se caktimi i datës 15 shkurt, nuk është i rastësishëm.

Ai përmend edhe zhvillime të ngjashme në Bosnjë e Hercegovinë ku serbët e atjeshëm, kanë ndërmarrë kohët e fundit vendime në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, duke provuar që të përafrohen sa më shumë me Serbinë.

Hapa përafërsisht të ngjashëm, ai thotë se po provojnë të ndërmarrin edhe serbët e Kosovës, sidomos ata në veri.

“Themelimi i njëanshëm i Asociacionit dhe jo themelimi i tij nga institucionet e Kosovës do të nënkuptonte që autonomia për serbët e Kosovës po realizohet dhe pastaj, fatkeqësisht, do të mund të presim edhe hapa tjerë që do të çonin në një ndarje faktike të kësaj pjese nga pjesa tjetër e Kosovës, respektivisht funksionim të pavarur të kësaj pjese në të gjitha segmentet”, tha Mushkolaj, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, analisti dhe publicisti, Belul Beqaj, mendon se serbët e Kosovës në bashkëpunim me Beogradin patjetër që do të ndërmarrin veprime të njëanshme, sidomos në veri, pasi që qëllimi i Qeverisë së Serbisë, sipas tij, nuk është normalizimi i raporteve, por tensionimi sa më madh e gjendjes në Kosovë.

“Mund ta shpallin në mënyrë të njëanshme, sepse qëllimi është që të bëhet një shkas për konflikt. Ne tërë kohën po flasim se si po shkon procesi drejt konfliktit dhe jo drejt normalizimit”. 

“Prandaj, nëse e kemi kuptuar drejt procesin ai po tregon se orientimi nuk është për të zgjidhur problemet por për të shkaktuar aq elemente të rrezikimit të situatës e cila do të ngrit tendosjen në raportet e ndërsjella pavarësisht se çfarë qëllime ka bashkësia ndërkombëtare”, tha Beqaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës, paralajmërimet e Beogradit për ndërmarrjen e hapave të njëanshëm për shpalljen e Asociacionit pa mbështetjen e Prishtinës zyrtare, shihen si tendenca për rikthimin e institucioneve paralele.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj i tha Radios Evropa e Lirë se vet qëllimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka qenë shuarja dhe jo formimi i organeve të reja paralele.

“Çfarëdo veprimi i njëanshëm do të konsiderohet vetëm një organizim paralel. Ne kemi struktura paralele ende dhe qëllimi kryesor i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë dhe është që të shuhen strukturat paralele. Pra, Asociacioni mund të themelohet vetëm me dekret të Qeverisë së Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit”, theksoi Gecaj.

Ndërkaq, analisti Ilir Ibrahimi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se Serbia ka hyrë në një proces dialogu me Kosovën për normalizim të raporteve dhe se ndërmarrja e veprimeve të njëanshme, do të kundërshtohej nga Brukseli dhe Uashingtoni.

“Marrja e një hapi në Beograd për të themeluar një institucion brenda Kosovës nuk do të pranohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky do të ishte një hap që do ta acaronte tutje Serbinë me Bashkimin Evropian. Ky besoj që është më tepër një lloj provokimi i Serbisë, sesa ndonjë gjë tjetër”, tha Ibrahimi.

Shuarja e organeve paralele që Serbia i ka ngritur në Kosovë dhe integrimi i serbëve në jetën institucionale në Kosovë, ishin ndër temat e para të ngritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por, kohët e fundit, autoritetet në Prishtinë thonë se Beogradi ka ndërruar tërësisht kursin politik, duke u përpjekur që t’i minojë të arriturat në këtë dialog dhe të kthej sërish politikën e organizimit paralel, institucional të serbëve brenda territorit të Kosovës.

Para se eventualisht, në Mitrovicën veriore, të shpallet njëanshëm Asociacioni serb, atje është ngritur dhe një muri, që për autoritetet në Prishtinë u kuptua muri ndarës mes jugut dhe veriut të Mitrovicës si dhe janë paralajmëruar zbatime të disa projekteve, pa miratimin dhe konsultimin me institucionet qendrore në Prishtinë.(Kortezi:Zijadin Gashi-RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Asociacioni i Komunave, Beogradi, ne veri

ARRESTMI I HARADINAJ, TRENI RUS DHE POLITIKA LUFTËNXITËSE E SERBISË

January 16, 2017 by dgreca

  Nga  Xhelal Zejneli/Pas kërkesës për arrestimin e Ramush Haradinajt, Serbia ndërmori një akt tjetër provokues ndaj Kosovës – e nisi në Mitrovicë trenin rus, me mbishkrime çetnikësh. Midis tyre, edhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi“.Lidhur me rastin e sipërthënë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq përdori fjalë militante, si: tank, armë, luftë, vrasje, do t’i mbrojmë serbët…

Serbia ndaj Kosovës ndjek luftë speciale, luftë psikologjike, politikë luftënxitëse, politikën e forcës, të kanosjes, politikë agresive, destruktive dhe destabilizuese. Krerët serbë përdorin diskurs luftarak.

Beogradi është kundër bisedimeve në Bruksel me Prishtinën. Serbët marrin pjesë në bisedime vetëm formalisht. Ata kanë për qëllim të simulojnë se janë kooperues dhe konstruktiv. Me pjesëmarrjen në bisedimet e Brukselit, serbët në të vërtetë e maskojnë politikën e tyre destruktive.

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes i mbyllën sytë para kërkesës së Beogradit që të krijohet në Kosovë bashkësia e komunave me shumicë serbe. Në fillim, kjo bashkësi do të ishte pa organe legjislative dhe ekzekutive. Por, shpejt pas themelimit të saj, serbët do të kërkonin edhe krijimin e organeve të sipërthëna. Menjëherë pas kësaj, serbët do të tentonin që këtë bashkësi, tanimë me organe legjislative dhe ekzekutive, ta shndërrojnë në entitet serb. Pasi ta krijonin entitetin serb, atëherë s’do ta kishin vështirë ta shkëpusin dhe t’ia bashkëngjesin Serbisë.

Nuk duhet harruar se Uashingtoni dhe Brukseli, sa kanë interesa strategjikë te shqiptarët, po aq kanë edhe te serbët. Një Serbi jashtë ndikimit rus, është interes i jashtëzakonshëm i Perëndimit.

Duket sikur midis Brukselit, në një anë dhe Beogradit, në anën tjetër, ekziston një marrëveshje e mjegullt për publikun: Të krijohet në Kosovë një bashkësi komunash me shumicë serbe, ndërsa Serbia, ushtarakisht të jetë neutrale ndaj NATO-së dhe Rusisë.

Me fjalë të tjera, Serbia të mos lidhet ushtarakisht me Rusinë, apo të mos lejojë vendosjen e ndonjë baze ushtarake ruse në territor të vet. Si kundërshpërblim, të krijohej në Kosovë një bashkësi komunash me shumicë serbe.

Beogradi i kanoset Perëndimit me rusët: Po qe se nuk i merrni parasysh interesat serbe në Kosovë, atëherë Serbia do të anojë nga Moska dhe do ta sjellë Rusinë në Ballkan.

Mbase edhe në çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, është implikuar faktori politik ndërkombëtar influent. Si duket, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes i thonë Podgoricës: Le të bëhet Mali i Zi anëtar i NATO-së, si kundërshpërblim, kufiri midis tij dhe Kosovës do të përcaktohej në dobi të malazezëve.

Hyrja e Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike është edhe interes i shqiptarëve, por jo në dëm të tokave shqiptare. Uashingtoni dhe Berlini duhet ta kenë parasysh faktin se një pjesë e trojeve etnike shqiptare, që nga Kongresi i Berlinit (1878) deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-13) i është falur Malit të Zi, si: Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Tuzi, Ulqini, Tivari, zona e Malësisë etj.

Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që paqja në Ballkan të ruhet në dëm të territoreve të tyre, si dikur gjatë historisë. Sot Serbia dhe Mali i Zi nuk duhet të shpërblehen me toka shqiptare, si dikur në Berlin, në Londër dhe në Paris.

Shqiptarët në rajon duhet të kenë parasysh dy gjëra:

– e para, mbështetjen e miqve ndërkombëtarë që e kanë pasur që nga viti 1991 e këndej, sot e kanë më pak;

– e dyta, Rusia, për dallim nga viti 1991 apo 1999, sot tregohet më e konsoliduar.

Mbështetja e miqve ndërkombëtarë të shqiptarëve është zbehur për arsye të caktuara, si për shembull:

– gjatë periudhës së pluralizmit politik, klasa politike shqiptare dhe shoqëria civile, nuk kanë treguar kapacitet të duhur për të ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik:

– segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare, me pikëpamjet e tyre orientale, paraqiten si antiperëndimorë apo edhe si antiamerikanë;

– individë apo grupe të caktuara shqiptare nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga Maqedonia, në kuadër të shtetit islamik, kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, në Siri apo në Irak.

Kleri islamik shqiptar duhet ta ketë parasysh faktin se çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje fetare, por është një kauzë kombëtare, e cila nuk mund të zgjidhet pa ShBA-në.

Qëndrimet proturke, proarabe apo edhe proiraniane të një pjese të klerit islamik shqiptar si dhe të segmenteve të caktuara të shoqërisë shqiptare, shkojnë në favor të faktorit antishqiptar në Ballkan, sidomos të Serbisë, Greqisë dhe të Moskës, të cilat, para perëndimorëve i denigrojnë shqiptarët si mbetje turke në gadishull, si përçues të interesit turk në rajon dhe si popull që funksionon me sistem oriental vlerash, në Evropën demokratike.

Nuk mbrohet kombi shqiptar, aq më pak interesat strategjikë të tij, duke sharrë dhe duke mohuar figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, duke sharrë dhe duke mohuar Nënë Terezën.

Interes strategjik i kombit shqiptar nuk është lidhja me Turqinë, me botën arabe apo me Teheranin. Shqiptarët në Ballkan, të rrethuar nga grabitqarët sllavo-bizantinë siç janë Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe sllavo-maqedonasit, nuk mund të mbrohen e as të zhvillohen pa ndihmën dhe pa mbështetjen e ShBA-së dhe të Gjermanisë.

Pa ndihmën dhe pa mbështetjen e Uashingtonit, Kosova nuk e ka lehtë të mbrohet nga agresioni serb, nga synimet ekspansioniste, hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë proruse.

Për ta zhvendosur vëmendjen e Uashingtonit dhe të Berlinit nga kriza e Ukrainës dhe e Sirisë, Moska është e interesuar që të hapen vatra të reja krize, sidomos një e tillë në Ballkan.

Në Kosovë janë të pranishëm edhe faktorët ndërkombëtarë. Provokimet e Beogradit në kufi paraqesin sfidë edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Shqiptarët ndjekin politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese në rajon. Serbia ndërkaq, e udhëhequr nga Nikoliqi, Vuçiqi dhe Daçiqi ndjekin politikë luftënxitëse. Beogradi fajëson Prishtinën për serbët e Kosovës. Ujku i thotë qengjit: Mos ma turbullo ujin!  

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ARRESTMI I HARADINAJ, TRENI RUS, Xhelal Zenjeli

PROVOKIMET SERBE NUK KANË TË NDALUR

January 16, 2017 by dgreca

Asllani-53

NGA ASLLAN BUSHATI/Treni i palicensuar serb, i nisur nga Beogradi për në Kosovë (Mitrovicë) më 14 Janar 2017, por që nuk arriti në destinacion për arsye se në Rashkë u këthye andej nga erdhi, më kujtoi një ngjarje   nga historia e luftrave. Shtabi i Përgjithëshëm  gjerman i kohës së Hitlerit, po bëntë një stërvitje komando-shtabi me idenë se si   mund të pushtohej Austria pa paralajmërim ,pa i shpallur luftë  dhe  pa bërë bujë në botë. Kjo gjë sipas tyre mund të bëhej duke nisur natën para agresionit , me avionet e linjave dhe  me automjete private, komandantët e njesive e reparteve ushtarake të veshur civilë,  por që në  valicet e tyre të kishin uniformat ushtarake të luftës dhe kodet sekret të drejtimit. Pas sistemimit të tyre në hotele të nisej me tren një divizion tankist dhe një i blinduar për ta rrethuar Vienën natën  dhe në orët e para të mëngjezit  pushtimi të bëhej fakt i kryer. Kur stërvitja komando-shtabi mbaroi,  oficerët shkuan në shtëpitë e tyre. Në këtë moment Hitleri urdhëroi që ky plan stërvitor të këthehej në plan luftarak dhe ashtu u bë. Të nesermen institucionet kryesore  qeveritare të Vienës u  gëdhinë të rrethuara nga tanket e autoblindat gjermane dhe pushtimi u bë fakt i kryer. Për të mos i dhënë shumë rëndësi këtij fakti,   “ Fyhreri “  mbajti  në qendër të Vienës një fjalim për zhvillimin e “demakracisë në botë”.

E  solla këtë  shembull  në fokus,si një paralele me trenin serb, por aspak për të fyer austriakët, për të cilët kam një respekt të pakufishëm  në cdo drejtim. Ata bënë gjithcka për krijimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, ashtu sic kanë bërë e bëjnë edhe për miqësinë që ata kanë  treguar e vazhdojnë  të  tregojnë në vijimsi për shqiptarët. Por shembullin e solla për të vënë në dukje se historia përsëritet në një formë a në një tjetër,në një kohë a hapsirë tjetër dhe kush i  neglizhon mesimet e saj  duke  vetfshirë  kujtesën,   është  në radhë të parë viktimë e vetvehtes.

Ka më shumë se një shekull që ne shqiptarët jemi në luftë me Serbinë dhe herë- herë  në paqe shumë të pjesëshme me të. Provokimet e saj nuk kanë të ndalur e të sosur dhe prapa cdo provokimi qëndron një makineri e tërë propagande se shqiptarët  janë të këqinj, të paemancipuar si komb, me prirje kriminale, terrorista  dhe se ajo në të gjitha rastet  është viktima. Kujtoni për një moment fjalimet e Cubrielovicit e të Milloshevicit për shqiptarët dhe hiqni pararele me ato të Nikoliqit, Vucicit dhe Dacicit.

Për kujtesë, po rendis katër ngjarje të kohëve të fundit që janë provokime të hapura të Serbisë si : Muri  ndarës në Mitrovicë, vizita dhe lutjet fetare të një peshkopi  ortodokës serb para universitetit, arrestimi i Zotit Ramush Haradinaj në Francë me urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia që në 2004-ën dhe nisja e trenit të palicensuar për në teritorin e Kosovës pa përfillur autoritetet  e Shtetit të Kosovës. Në pamje të parë këto ngjarje duket sikur  nuk kanë lidhje me njera-tjetrën ,por në brendi ata janë gatuar të gjitha  në guzhinën e shërbimit sekret dhe miratuar nga politikanët serb. Por para se të merremi me trenin serb , le ti  hedhim një shikimin  të shkurtër disa ceshtjeve të gjeo-strategjisë.

Përfundimi i Luftës së Ftohtë e gjeti  Bashkimin Sovjetik të shkërmoqur dhe Rusinë të humbur brenda shkërmoqjes. E ndodhur në një pozitë krejt të palakmueshme, Rusia u terhoq zvarrë deri sa me ndihmën e perendimit e rimori pak veten e mezi  u ngrit në këmbë, por pa ndonjë proptagonizëm të madh. Gjatë kësaj periudhe më shumë se cerek shekulli, nën rrogozë e me ndihmat e lehtësitë që asaj  ju ofruan  dhe me neglizhencën që perendimorët  treguan, ajo filloi të mendojë për rifitimin e staturës  së ish Bashkimit Sovjetik. Madje pas pushtimit të Krimesë dhe barabarizmit në luftimet në Siri vecanërisht në Alepo, kërkon rindarjen e zonave të influencës. Në kuadër të kësaj strategjie të re ajo kërkon  dobesimin ekonomik e zvogelimin e rolit amerikan ne bote,shpërbërjen ose zvogëlimin  deri maksimum të rolit të  NATO-s  në Europë dhe prezencën e Rusise   në Ballkan ( ose më saktë në  Gadishulli Ilirik) . Prezenca në këtë rajon, tashmë  është krejt e dukëshme në Serbi me ndihmat morale, material e financiare që i jep asaj,  me  instalimet ushtarake që bën, me  prezencën e skifterëve të shërbimit sekret ne udhëheqjen e bandave të drogës, prostitucionit, emigracionit etj. Po ashtu prezenca e saj tashmë është e dukëshme në Bosnje-Hercegovinë, në Maqedoni  e  në Mal të Zi , por reminishenca influence duken edhe në disa vende të NATO-s si  në  Greqi  , Bullgari e Turqi.

Një tjetër problem madhor, vecanërisht në Gadishullin Ilirik, është fakti se strategjia perendimore e mos njohjes së ndryshimit të kufijëve, ka rezultuar e dështuar duke prodhuar tensione të herë pas herëshme. Po të ishte menduar rirregullimi i shteteve sipas nocionit të kombeve: Hungaria do të kishte marrë pjesë e saj  nga Rumania(Vllahija) e Serbia (Vojvodina); Kroacia nga  Bosnje- Hercegovina; Serbia do të merrte republikën Serbskaja; Shqipëria do të merrte  Kosovën; Maqedonia do të shpërbëhej dhe ndahej midis Bullgarisë, Greqisë dhe Shqipërisë dhe mund të krijohej një federatë e vogël  Malazezo-Boshnjake.  Në gjykimin tim  kjo do të ishte zgjidhja më e drejtë, por meqë kjo nuk ekziston qoftë edhe si opsioni  më i pa përfilleshëm i zgjidhjeve të një plani  afatgjatë, le të këthehemi tek realiteti ekzistues. Ku  krahas Rusisë, rindarje të re të pasurisë botrore dhe të zonave të influencës po kërkojnë  edhe Kina,  Irani, Koreja, Indija dhe ndoshta edhe Brazili, Britania e Franca. Keto prirje për rindarje , shtoj këtu edhe problemin e rishikimit të programeve bërthamore e bëjnë situatën prag lufte.

Tani le të këthehemi tek treni  i pa licensuar serb, me ikonografi të skajëshme ekstremiste e ultra-nacionaliste, që deshi të hynte si triumfator në Shtetin e Pavarur të Kosovës  me tam-tame të mëdhaja, me parrulla  e thirrje shoviniste,  ku thuhej se Kosova është Serbi.  Tren që mbartëte një grup avanturieresh,udbashësh e paramilitarësh provokues  shoqëruar   me gazetar e njerëz të medias të karikuar në kulm e stolisur me kostume, banderola e flamurë të mbretërisë jugosllave.

Me këtë Serbia edhe një herë demostron  para opinionit botëror se nuk e njoh Kosovën, madje sic thuhej në banderolat brenda trenit (Kosova sipas saj  është Serbi). Pra ajo vazhdon të jetojë me vizionet e vteve 90-të, në një kohë që Kosova është nje realitet krejt tjeter, shtet i pavarur dhe luftën me Serbinë ajo e ka fituar. Ky është një provokim i hapur që i  bëhet Kosovës  në sytë e zyrtarëve të Brukselit dhe të të gjithë botës. Me këtë Serbia i coi në  zero nivelin e marrdhënieve Kosovë- Serbi të udhëhequra nga Brukseli. Me këto veprime të Serbisë dualën fiasko  gjithë  ecejakjet  e Edi Ramës me Vucicin  për të ashtu quajturën klimë  paqësore e bashkëpunuese me Serbinë nga një kënd shikimi i ri rajonal. Serbija nuk ka ndryshuar, ajo është një metastazë e kanserit rus në Gadishullin Ilirik.

Unë pajtohem dhe i përshëndes veprimet dhe qëndrimet e matura dhe burrërore të autoriteteve të Kosovës në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjeve të saj. Pershendes punën e strukturave të policisë e sigurisë  si dhe atë të medias.  Kosova ka shumë halle e problem të mëdha, të cilat me një veprimtari shumë të ulët provokuese të Serbisë u cvendosën duke dalë në plan të dytë, sepse në plan të parë tashmë  kanë dalë muri në Mitrovicë, provokimet e patriarkut serb para universitetit, arrestimi i Ish Kryeministrit Ramush Haradinaj, treni  Beograd- Mitrovicë etj. S’kemi c’bëjmë edhe me keto do të merremi. Por, unë mendoj se Kosova duhet të shikojë edhe  mundësinë e ndryshimit sa më parë që të jetë e mundur , të kodit telefonik “383” i cili i mundëson Serbisë të mbajë nën vëzhdim cdo bisedë telefonike të qytetarëve të Kosovës.

Lypset të jemi të vëmendëshëm  që  të mos biem në grackate provokimeve serbe. Ato do të shtohen në të ardhmen, (mos harroni se eshte prag lufte) ,por ne jemi në hapsirën tonë që na e kanë lënë të parët tanë, jemi në të drejtën tonë, jemi përkrah Amerikës dhe NATO-s, Amerika dhe NATO-ja janë  të pranishme fizikisht edhe në trojet tona. E ardhja është me ne, por na  duhet mencuri, durim, maturi e koshiencë për punët që duhet të bëjmë.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, nuk kanë, PROVOKIMET SERBE, TË NDALUR

Koha për të menduar strategjikisht

January 16, 2017 by dgreca

Dr.Islam Lauka

Nga Dr. Islam Lauka/

 Reagimi i kastës politike shqiptare ndaj zgjedhjes së Donald Trumpit si President i SHBA-ve, disa vlerësime për këtë cështje dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi/

Mbeten dhe pak ditë, që zoti Donald Trampi te shpallet President i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Para ketij momenti, kasta politike shqiptare ishte ne shumice trampofile. Gjatë fushatës zgjedhore, ajo u shfaq trampofobe. Jo për vlerat që përfaqësonte Hillari Klinton, por për shkak të bindjes, e cila në fund rezultoi të jetë e gabuar, se ish Zonja e Parë, do të hynte në Shtëpinë e Bardhë, si Presidente, nderkohe mbështjetja e kastës politike shqiptare ju dha pikërisht asaj.

Kjo mbështjetje vazhdoi si një proces në ngritje, gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Lavjerrësi politik shqiptar kapi ekstreme të tilla trampofobie e klintonofilie, sa që është e vështirë që ato të krahasohen me ndonjë vend tjetër. Në kulmin e trajektores trampofobe, u gjend Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në mungesë të korrektësisë elementare politike iu drejtua të Plotfuqishmit për të na shpëtuar nga satanai Tramp. Ishte po ai që, sapo u dha njoftimi i fitores së Trampit, u gjend në ekstremin tjetër të trajektores, si trampofil, me urime, të cilat, në thelb, mund të përmblidhen: “Ruaje Zot Trampin, engjëllin tonë!”.

Në qoftë se trampofobizmi ishte më shumë si një proces, trampofilia erdhi si një akt radikal, i menjëhershëm, jo si pasojë e ndryshimit të qendrimeve te Trampit, por si pasojë e ndryshimit të qendrimeve të kastës sonë politike. Ajo ndryshoi për shkak të ndryshimit të statusit të Donald Trampit, nga kandidat, në President të SHBA. Qëllimi i këtij ndryshimi të kastës politike është një dhe vetëm një: nëpërmjet lajkave ndaj Presidentit të ri, të sigurohet licensa e Uashingtonit për mandatin sundues të radhës në Shqipëri. Trampofilizimit të menjëhershëm nuk i shpëtoi as një pjesë e analistëve tanë, të cilët, në shkrimet e tyre konformiste u shprehën se fitorja e Trampit, nuk e ndryshon aspak mbështjetjen amerikane ndaj shqiptarëve dhe as aleancën e fortë shqiptaro-amerikane. Përkundrazi, sipas tyre, zgjedhja e tij e zhvillon dhe e forcon më tej këtë aleancë. Analiza politike të kësaj kategorie, të sipërfaqshme, të thjeshtëzuara, të shkëputura plotësisht nga realiteti, të pabazuara në teori shkencore, si rregull, arrijnë, afërsisht, në përfundime të tilla: “Shqipëria e ka të paguar faturën”, “Shqipëria e ka të firmosur një çek të bardhë”, apo “Ne qeverisim, bota na ndihmon”. Të zhytur në konformizmin që prodhon optimizëm bosh, se, gjoja, Shqipërinë na e bëkërkan të huajt, kjo specie analistësh, as nuk e vë ujin në zjarr, për të kërkuar ndonjë model tjetër zhvillimi, të ndryshëm nga ata që kemi provuar deri tani. Një grup tjetër analistësh, nga pozita trampofobe, të përziera me doza të caktuara neoliberale dhe postmoderne, e konsideron fitoren e Trampit si pjesë të një apokalipsi botëror, antiliberal dhe në qendër të tij sheh Shqipërinë e Kosovën si ndër viktimat më të mëdha të tij. Të zhytur në libertarizmin e tyre, të goditur nga zhvillimet e fundit, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, gjë që prodhon pesimizëm të thellë tek ta, libertaristët nuk dalin dot jashtë rolit të vajtorëve mbi xhenaze, natyrisht, pa arritur të japin qoftë edhe një ide, sado të thjeshtë, për t’u përballur me situatën e ndërlikuar, para së cilës, gjendemi sot. Analiza e kësaj situate, duhet të jetë kontekstuale, shumënivelëshe, shumëshkakësore dhe ndërdisiplinore, sepse ajo është pasojë e veprimit të një konfluence faktorësh. Mbi bazën e kësaj analize, qysh në fillim të këtij viti, kam shprehur rezervat dhe dyshimet e mia ndaj platforms zgjedhore të Donald Trampit në fushën e politikës së jashtme të SHBA. Në mënyrë të veçantë, kam kritikuar qëndrimet e tij, pro Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, si dhe qasjen e tij rreth marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës, që, në perceptimin tim, do të thotë, njohje e sferës së ndikimit rus në pjesë të caktuara të Europës. Ky ndryshim i qëndrimit amerikan ndaj Rusisë, do të kërcënonte drejtpërdrejt interesat e Shqipërise, Kosovës dhe shqiptarëve, në përgjithësi. Analistët trampofilë shqiptarë i vlerësojnë si pozitive qëndrimet e Trampit ndaj Rusisë, sepse, gjoja, ato përbëjnë një përpjekje për të ulur tensionet, pa e vrarë fare mendjen se përse u acaruan ato. Sikur nuk ishte Putini që, për herë të parë në historinë e Europës, pas viti 1945, i ndryshoi me dhunë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, duke aneksuar Krimenë. Bindja ime mbi rrezikshmërinë e qëndrimeve të Trampit, lidhur me Rusinë, gjatë fushatës zgjedhore, nuk ka ndryshuar. Zgjedhja e si President, vetëm sa e shton rrezikshmërinë e tyre, sepse ato mund të kthehen në politikë shtetërore. Natyrisht, deklaratat zgjedhore janë një gjë dhe politika shtetërore, diçka tjetër. Aq më tepër, në sistemin amerikan, ku ekzistojnë mekanizma efektivë të kufizimit të pushtetit të Presidentit, si Kushtetuta, Kongresi, Gjykata Supreme, pa folur për ndikimin në vendimmarrjen e politikës së jashtme të procesit organizativ dhe agjensive të specializuara qeveritare, por, sikur edhe vetëm një pjesë shumë e vogël e atyre deklaratave të kthehej në politikë shtetërore, do të mjaftonte për të arritur në përfundimin se, vërtet, jemi para një situate të re, krejtësisht të paqartë, me shumë të panjohura.
Shqiptarët nuk mund të ndalojnë SHBA të tërhiqen, qoftë edhe pjesërisht, nga politika botërore, për t’u perqëndruar më shumë në problemet e veta të brendshme. Platforma elektorale e politikës së jashtme të Trampit, shkurtimisht, mund të përmblidhet: Jo më siguri falas, jo më para në llogari të huaja! Do të ishte krejtësisht naive të besohet se Trampi do të braktisë shqiptarët, për shkak të deklaratave jo korrekte të Kryeministrit të tyre. Mundet që ai, siç ka qenë i zënë me fushatën, por edhe për shkak të margjinalitetit të artikuluesit të tyre, as nuk i ka dëgjuar ato. E vërteta është se, jo shqiptarët, por as Ballkani, nuk janë përmendur ndonjëherë gjatë gjithë fushtatës zgjedhore të Trampit. Dhe në rast se do të ketë njëfarë tërheqjeje të Amerikës nga Europa, nuk do të jetë për inat të këtij apo atij vendi e populli, aq më pak, të këtij apo atij politikani delirant, por sepse kështu ia do interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë moment historik, ashtu siç e percepton Presidenti Tramp këtë interes. Shqiptarët nuk mund të ndalojnë as proceset çintegruese në Europë që kanë filluar me Breksit-in dhe rrezikojnë të thellohen, vitin e ardhshëm, në rast se në zgjedhjet parlamentare ose presidenciale të një numri vendesh europiane, fitojnë forcat e ekstremit të djathtë dhe euroskeptikët. Ajo që mund të bëjnë shqiptarët, është që të ndërgjegjësohen se ndodhen para një situate komplekse. Me një Amerikë, potencialisht, në tërheqje nga politika botërore, në përgjithësi dhe nga Europa, në veçanti, me një BE të kapluar nga krizat që po vënë në pikpyetje identitetin dhe qenien e saj, ekziston rreziku i krijimit të një vakuumi sigurie në të gjithë kontinentin tonë, i cili, nuk mund të mos ketë pasoja të rënda për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Pretendenti nr 1 për të mbushur këtë vakuum është Rusia. Nuk janë pa bazë titujt e shtypit të ditëve të fundit, “Një fantazmë po sillet në Europën Qendrore dhe Juglindore…”.  Bëhet fjalë për fantazmën ruse. Çeshtja është se nuk kemi të bëjmë vetëm me fantazmën, por me fuqinë reale të Rusisë, e cila e konsideron Ballkanin si zonë të interesave të veta gjeopolitike dhe gjeostrategjike.Në këtë kontekst,ajo organizon puçe shtetërore, si në Mal të Zi, nxit destabilitetin në veriun e Kosovës, mbështet hapur regjime autoritare si ai i Gruevskit në Maqedoni, farkëton “vëllazërinë sllave” në Serbi dhe dërgon flotiljen e saj ushtarakë në Mesdhe, në përbërje të se cilës janë aeroplanmbajtësja “Admirali Kuznecov”, tre nëndetëse dhe një kryqëzor bërthamor. Sistemi i deritanishëm i aleancave të sigurisë dhe organizmave të tjerë rajonalë e ka mbajtur Rusinë jashtë Ballkanit dhe i ka mbrojtur shqiptarët nga kërcënimi i saj. Është në interesin tonë që ai sistem të ruhet, por në rast se plasaritjet që ka marrë, mund të çojnë në zhvendosje tektonike dhe ndryshim të paradigmës me të cilën jemi mësuar tash një çerek shekulli, mos duhet të dorëzohemi e të zëmë kujen? Vetëdijësimi për situatën e ndërlikuar në të cilën ndodhemi, duhet të na shtyjë drejt kërkimit të modeleve të tjera të zhvillimit, në përshtatje me rrethanat e reja, në një botë të trazuar, si kjo e sotmja. Shqiptarët njihen si “komb i vonuar”, në kuptimin që nuk e kanë kapur në kohë dinamikën e historisë dhe nuk u kanë paraprirë zhvillimeve që kanë prekur drejtpërdrejt interesat e tyre. Thënë më shkoqur, ne na ka munguar mendimi strategjik.
Të mendosh strategjikisht, sot, do të thotë që të mendosh në perspektivë afatgjatë, ku do të jetë Shqipëria në vitin 2050, apo 2100? Po Kosova? Po kombi shqiptar?

Të mendosh strategjikisht, do të thotë se çdo situatë, sado e vështirë të jetë, e ka një zgjidhje. Nëse mbyllet një derë, hapet një tjetër. Duhet të vetëdijësohemi për rolin dhe misionin tonë në hisen e botës që na takon dhe të ecim përpara. Shqiptarët në Ballkan sot janë një faktor me peshë. Ata nuk janë si në vitin 1878, 1912, apo 1990. Çfarëdo zhvillimi që të ndodhë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë atë të kthimit në rivalitetin gjeopolitik midis Fuqive të Mëdha, për të cilin, po flitet,shpesh e më shpesh, shqiptarët do të jenë të kërkuar si një ndër elementët thelbësorë të ekuilibrit të fuqisë rajonale, si dhe për mbajtjen jashtë Ballkanit, të Rusisë. Ballkani është një nyje nevralgjike që lidh Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore me Europën. Tërheqja potenciale e SHBA nga ky rajon, në rast se platforma elektorale e Donald Trampit kthehet në program qeveritar, jam i bindur se do të jetë e përkohshmë. Nuk janë ideologjitë, as interesat e çastit, por interesat e ndërsjellë afatgjatë, ato që i bashkojnë shqiptarët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç i bashkojnë me fuqitë e tjera, si Gjermaninë, Italinë, Turqinë etj. Të mendosh strategjikisht do të thotë të mendosh në mënyrë kritike, jo të shkosh gjithmonë pas berihasë. Duket se shqiptarët janë marrë shumë me ideologji e projekte ndërkombëtare, fillimisht me internacionalizmin proletar – komunizmin, tani me neoliberalizmin dhe globalizmin. Ka ardhur koha që edhe ne t’i kthehemi vetes sonë, jo për modë, se kështu po bëjnë edhe të tjerët, por sepse ky është interesi ynë strategjik, jetik për shqiptarët. Ideologjia jonë duhet të jetë ajo e interesave shtetërore dhe kombëtare. Në qoftë se nisemi nga kjo ideologji, gjykoj se skenari më i mirë në situatat e turbullta që po kalojmë, do të ishte ai që bazohet tek vizioni i rilindasve tanë, jo atyre të sajuar nga Edi Rama, por atyre të vërtetë, si Abdyl Frashëri dhe i baballarëve të kombit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Isë Boletini, për bashkim kombëtar. Jo se ky skenar është i lehtë dhe as se do t’i zgjidhte menjëherë të gjitha problemet. Ai është ndër më të vështirët dhe realizimi i tij do të hasë në kundërshtimin e shumë faktorëve, rajonalë e jashtërajonalë. Por, në masë të madhe, ai varet nga ne, nga puna jonë, nga ajo se sa jemi ne të përgjegjshëm dhe të vendosur. Është e drejta dhe detyra jonë që ta aktualizojmë atë, ta afatizojmë, ta përshtatim me kohën që jetojmë, t’i japim dinamikë dhe perspektivë historike, pra ta bëjmë të realizueshëm. Realizimi i tij do të zgjidhte një problem të madh – nga të gjymtuar, kombin tonë do ta kthente në një organizëm normal, i cili do të përfitonte aftësinë që ka çdo organizëm i shëndoshë për t’u ballafaqur me të gjitha sfidat që i dalin përpara. Sot për sot, fatkeqësisht, kombi ynë ballafaqohet me to si sakat.
Ky është skenari që propozoj unë,- përmbylljen e projektit të Rilindjes Kombëtare, në përshtatje me kushtet e reja që ofron situata e sotme. Të tjerët mund të ofrojnë skenarë të ndryshëm nga ky, por me të njejtin qëllim – t’i paraprijmë situatës, “në rast se”. Uroj që ajo të mos vijë, por “në rast se” vjen e kjo nuk është thjesht hipotetike dhe ne gjendemi të papërgatitur, atëherë ka rrezik që etiketimi “komb i vonuar’, të zëvendësohet me epitafin “komb i dështuar”.

_______________________
Dr.Islam Lauka është Ministër-Këshilltar në diplomaci, doktor i shkencave politike; sekretar i Parë dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasaden e Shqipërisë në Moskë (1991-‘96), drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë Rajonale dhe drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë (2005-‘09), ambasador i Shqipërisë në Kosovë (2009-‘14), dekan i Trupit Diplomatik në Prishtinë (2013-‘14), President i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (2003-‘16), drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike (2005-‘16), pedagog i diplomacisë e marrëdhënieve ndërkombëtare në UBT e “FAMA” në Prishtinë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, Koha për, strategjikisht, të menduar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 599
  • 600
  • 601
  • 602
  • 603
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT