• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontributi amerikan në historinë e shtetit shqiptar

December 23, 2016 by dgreca

KONTRIBUTI I SHBA NE PAVARESINE, ARSIMIN DHE ZHVILLIMET DEMOKRATIKE NE HISTORINE E SHTETIT SHQIPTAR/

NGA DOC. DR. ASTRIT MEMIA/

ABSTRAKTI/

Ne fillim te shekullit XX, Presidenti amerikan Vilson (Woodrow Wilson) ishte i pari udhëheqës i botës që shpalli solidaritetin e tij me kombet e vogla, duke mos perqafuar darvinizmin social si doktrinë, dhe duke u betuar se do te kishte një “zë” për Shqipërinë në Konferencën e Paqes që u mbajt në Paris në vitin 1919. Që nga ajo kohë, SHBA e ka zgjeruar mbështetjen e saj për Shqipërinë në fushën e arsimit dhe kulturës, duke filluar me institutin “Qiriazi” per gra dhe duke vazhduar deri në ditët tona. Lidhjet mes të dy vendeve vazhduan të forcohen pas Luftes se Pare Boterore, kur Ahmet Zogu arriti të nënshkruajë marrveshjen e “Kombit më të favorizuar” me SHBA.Gjatë Luftes se Dyte Boterore dhe pas saj, SHBA dhe MB dhanë ndihmën e tyre humanitare.Gjatë Luftës së Ftohtë, edhe pse qeveria komuniste shqiptare ndoqi një politikë vetë-izoluese, busulla e shqiptarëve vazhdoi të ishte gjithnjë e drejtuar drejt vlerave demokratike amerikane.Pas rënies së komunizmit, kur Shqipëria ishte një demokraci e brishtë e sapo-formuar, administratat e Bushit dhe Klintonit vendosën tullat e para për një sistem pluralist të shëndetshëm dhe të konsoliduar dhe tregun e lirë. Lidhjet ekonomike dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA u konsoliduan përmes ratifikimit të shumë marrëveshjeve që shtruan rrugën drejt investimeve të ndryshme.

Mbështetja aktuale e SHBA mund të kategorizohet në tre shporta:

“1) per te mbrojtur reformat kritike te domosdoshme per aderimin ne BE,

2) per te ndihmuar Shqiperine qe te behet nje aleate me e forte e NATO-s dhe partner rajonal, dhe

3) per te promovuar institucionet demokratike dhe reformat e tregut te lire.”

Koncepte kyçe: paqe e qëndrueshme, bashkë-ekzistence fetare dhe etnike

  1. Pro-amerikanizmi, kolonë e krenarisë, e identitetit dhe e imazhit shqiptar në botë

Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, rilindasit shqiptarë kishin bërë çmos dhe kishin arritur në një masë të madhe të ringjallnin identitetin e veçantë për të gjithë shqiptarët, një identitet të përbashkët, përmbi identitetin fetar dhe një identitet krejt i ndryshëm nga identiteti grek dhe sllav, që propagandohej nga klika të caktuara greke dhe sllave që synonin përvetësimin e tokave shqiptare.
Rilindasit arritën t’i bashkojnë shqiptarët përmes figurës së shquar të Skëndërbeut, një figurë e pranuar në të katër vilajetet shqiptare, dhe madje, edhe nga arbëreshët në Itali. Figura e Skëndërbeut ishte e pranuar nga të gjithë shqiptarët si simbol i kombit nga të gjitha përkatësitë fetare, myslimanët, katolikët dhe ortodoksët.
Nën frymëzimin e luftërave të Skëndërbeut shqiptarët përsëri arritën të fitojnë pavarësinë nga Otomanët, më 28 Nëntor, 1912.

1.1 Kontributi i SHBA në Konferencën e Londrës dhe Konferencën e Paqes në Paris

Në Konferencën famëkeqe te Londrës për shqiptarët ku u ndryshuan kufijtë e vendeve të Ballkanit, vendet europiane si Gjermania, Italia, Franca, madje edhe Anglia, ishin të gjitha pro-greke.
Ndërkohë, Rusia me pan-sllavizmin e saj të njohur kuptohet se ishte pro-sllave.
E vetmja përkrahje për shqiptarët erdhi vetëm si një përkrahje individuale, nga disa njohje që biznesmeni i fuqishëm Çarls Krejn (Charles Crane) kishte mes disa parlamentarëve anglezë. Çarls Krejn ishte sponsori kryesor i Presidentit amerikan Vilson, i ardhur në pushtet në 1912. Krejn ishte njohur me Shqipërinë përmes bamirëses angleze Edit Durham dhe përmes patriotëve shqiptarë Kristo dhe Sevasti Dakos. Kjo e fundit, kishte studiuar në një shkollë amerikane në Stamboll, pronar dhe president i të cilës ishte vetë zoti Çarls Krejn, dhe Dakot ishin takuar me të kur ai kishte ardhur për një vizitë në Shqipëri në vitin 1911.
Ndërkohë, përveç kësaj përkrahjeje të parlamentarëve anglezë që ishin miq të Çarls Krejn, shqiptarët kishin edhe përkrahjen e Austrisë, por ajo kishte ndikim të vogël në këtë konferencë për shkak se nuk ishte fuqi e madhe botërore. (?) Fuqi të mëdha botërore në këtë kohë ishin Anglia, Franca, Gjermania dhe Rusia.
Por austriakët e kërkonin me ngulm krijimin e një shteti shqiptar si kundërpeshë ndaj synimeve ekspansioniste serbe. Në këtë kohë Austria dhe Serbia ishin mjaft armiqësore ndaj njëra tjetrës. Serbia me ndihmën e madhe që merrte nga Rusia përbënte rrezik real edhe për Austrinë, jo vetëm për shqiptarët.
Kështu, me këmbënguljen e Austrisë dhe të miqve të Çarls Krejn, vendet europiane ranë dakord që të lejonin formimin e shtetit shqiptar, por në të njëjtën kohë, shumë territore shqiptare të katër vilajeteve shqiptare iu dhanë fqinjëve, grekëve dhe sllavëve.
Rezultati do të kishte qenë akoma më i keq dhe vetëm ndërhyrja në çastet e fundit i shpëtoi disa toka shqiptare nga aneksimi prej fqinjëve. Për shembull, Korça mbeti brenda Shqipërisë vetëm nga këmbëngulja e Çarls Krejn dhe Edit Durhamit në konferencë, përmes miqve të tyre. Greqia dhe sllavët morën afërsisht gjysmën e territoreve të katër vilajeteve shqiptare, të cilat nuk i kishin pasur dhe nuk i kishin pretenduar më parë, në kohën kur kishin fituar pavarësinë nga otomanët.
Siç dihet, Lufta e Parë Botërore, filloi në vitin 1914, një vit pas Konferencës së Londrës, dhe si pikënisje pati një incident mes Serbisë dhe Austrisë. Në kohën kur shpërtheu lufta, Amerika vendosi të mos përfshihej që në fillim.
Ndërkohë, edhe në vitin 1915, u bë një traktat i fshehtë në Londër. Mes të tjerash, ky traktat vendosi edhe coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë, gjë që pritej të ndodhte pas përfundimit të luftës.
Amerika u fut në luftë vetëm në vitin 1917.
Kur mbaroi ‘Lufta e Madhe’, Amerika ishte mes katër fuqive të mëdha që morën pjesë në Traktatin e Paqes në Paris të Francës.
Situata ishte kritike për Shqipërinë. Të gjitha fuqitë europiane kishin rënë dakord me njëri tjetrin për coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe e konsideronin këtë gjë si punë të mbaruar.
Copëtimi i Shqipërisë do të ishte i tmerrshëm. Greqia do të merrte të ashtuquajturin ‘Vorio-Epir’. Serbia do të merrte veriun deri në Durres. Italia kërkonte Vlorën dhe krahinat qëndrore.
Të gjithë delegatët e akredituar që kishin ardhur nga Shqipëria ishin blerë me flori nga europianët. Vetëm një kandidate e akredituar shqiptare, që kishte ardhur nga Amerika, e vetmja kandidate grua në Konferencën e Paqes, Parashqevi Qiriazi, motra e Sevasti Dakos, kryetares së Partisë Shqiptare në Amerikë nuk ishte blerë. Sigurisht, për shkak se ishte e vetme, Parashqevia nuk mund të bënte gjë të madhe vetë për mbrojtjen e Shqipërisë, por gjithësesi ajo pati disa merita. Ajo arriti të zbulojë se sa kritike ishte situata dhe se kandidatët shqiptarë ishin blerë dhe ajo reagoi menjëherë duke njoftuar motrën e saj, kryetaren e Partisë Shqiptare në Amerikë, Sevasti Dakon. Sevasti Dako dhe burri i saj Kristo Dako menjëherë njoftuan mikun e tyre Çarls Krejn. Si kryetare e Partisë Shqiptare në Amerikë, Sevastia i kishte shkruar edhe më parë Presidentit Vilson që ta shpëtonte Shqipërinë. Ja çfarë kishte shkruar ajo në letrat e saj.

Letra e parë
“Ne ju kërkojmë juve z. President Vilson dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha rivendosjen e pavarësisë sovrane të Shqipërisë dhe rivendosjen e unitetit kombëtar mbi bazën etnografike, duke përfshirë brenda kufijve të saj krahinën e Kosovës dhe Çamërisë, të cilat u shkëputën pa të drejtë nga Shqipëria nga Konferenca e Londrës më 1913. Ne protestojmë më forcë kundër dhënies së territoreve të vendit ndonjë shteti të Ballkamit. Ne me respekt kërkojmë që të caktohet një Komision Ndërkombëtar për të përllogaritur dhe kompensuar dëmet e Shqipërisë gjatë luftës ballkanike dhe botërore.”

Letra e dytë shkruar me 18 Janar, 1919
“Ne protestojmë me forcë kundër pretendimeve të padrejta të qeverisë greke, e cila, bazuar në supozime të gabuara, kërkon nën emrin e ashtuquajtur ‘Epir i Veriut’, të përfshijë Shqipërinë jugore brenda territorit grek. Në të njëjtën kohë, ne kërkojmë në emër të parimit të shenjtë të kombësisë që të rivendoset pavarësia dhe integriteti i Shqipërisë, duke përfshirë brenda kufijve të saj edhe Çamërinë dhe Kosovën, sepse këto krahina u shkëputën pa të drejtë nga Konferenca e Londrës.”

Letra e tretë
“Në emër të tetëdhjetë mijë shqiptarëve që banojnë në Amerikën e lirë dhe liri-dashëse, në emër të prezantimit të një kombi që nuk ka liri shprehjeje, ne vijmë para jush si një udhëheqës i madh në botë që mbështet parimet e mëdha dhe të shenjta, për të ndaluar ndërhyrjen e Qeverisë Italiane në Shqipëri. Ne ju kërkojmë që të shtroni një themel të drejtë për kombin tonë të shumë-vuajtur, në mënyrë që edhe ai, të gëzojë në këtë epokë të re të botës, pavarësi të plotë, pa asnjë protektorat, dhe brenda kufijve të vërtetë etnografikë dhe natyralë.”

Për shkak të këtyre letrave dhe ndërhyrjes personale edhe të Çarls Krejn, Presidenti Vilson bëri diçka që asnjë nga europianët nuk e imagjinonte. Ai vendosi ta mbrojë Shqipërinë megjithëse gjithë Europa kishte vendosur që ta coptonte, për të kënaqur interesat e vendeve fqinje. Presidenti Vilson e bëri këtë në një kohë kur Amerika nuk ishte akoma superfuqi e botës, sepse në atë kohë Anglia dhe Franca ishin më të fuqishme. Presidenti Vilson e mbrojti Shqipërinë deri në fund dhe ajo nuk u coptua më tej. Dhe kështu shqiptarët u bënë pro-amerikanë në identitetin e tyre.
Dhe Presidenti Vilson u be simboli kryesor i identitetit pro-amerikan të shqiptarëve.

Ky simbol eshte shume i rendesishem. Ai përfaqëson miqësinë e ngushtë të popullit shqiptar me Amerikën. Ai është faktori kryesor nxitës i pro-amerikanizmit shqiptar. Veprimi i Presidentit Vilson i dha mundësinë shqiptarëve që të shohin Amerikën si simbol i lirisë dhe drejtësisë dhe si mik i Shqipërisë. Dhe nëse më përpara mund të kishte pasur ndonjë dyshim, ajo që bëri Presidenti Vilson ndryshoi botëkuptimin e shqiptarëve. Shqiptarët u bënë kështu pra plotësisht pro-amerikanë.
Shqiptarët i kishin parë gjithnjë të huajt me një hije dyshimi, dhe jo pa të drejtë. Por më në fund, ata gjetën një aleat të jashtëm të fuqishëm, që ishte gati të mbronte të drejtat dhe liritë e tyre.
Presidenti Vilson e mbrojti Shqipërinë në një kohë kur në Europë sundonte filozofia e darvinizmit social, filozofi shkatërruese sipas të cilës, shtetet e vogla e të pafuqishme duheshin zhdukur nga shtetet e mëdha e të fuqishme. Por nëse do të lejohej një gjë e tillë, që shtetet e dobëta të zhdukeshin njëra pas tjetrës, kur do të ndalonte lufta. Gjithmonë do të kishte një shtet më të fortë dhe një shtet më të dobët. Shtetet do të zhdukeshin një e nga një.
Në një kohë të tillë pra Presidenti Vilson mori qëndrimin e drejtë për ta mbrojtur Shqipërinë. Ai vetë ka thënë këto fjalë:
“Unë jam kundër këtij qëndrimi të vjetëruar ku shtetet kërkojnë shpërblime si plaçkë lufte. Vendet e vogla nuk janë si një djathë që duhet të pritet feta-feta për përfitime politike, në kundërshtim me dëshirën dhe vullnetin e popullit të këtyre vendeve. Unë besoj në një botë ku vendet e vogla jetojnë përkrah vendeve të mëdha. Unë nuk besoj në darvinizmin social. Ne duhet të krijojmë një botë në të cilën të gjitha vendet, të vogla ose të mëdha, mbijetojnë dhe jetojnë në paqe si fqinjë të mirë.”
Pra, në fillim të shekullit XX, President i SHBA-ve Vilson shpalli parimin e mbrojtjes së popujve të vegjël dhe të solidaritetit me këto popuj për nxjerrjen e tyre nga apatia shekullore. Qëllimi i tij fisnik drejt paqes universale dhe te drejtes universale te vetvendosjes se popujve te vegjel, e bëri atë të mbrojë kombin shqiptar në Konferencën e Paqes më 1919. Vilson ishte shprehur në Amerikë se një “zë” do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë do ta përdor në të mirën e Shqipërisë. Vilsoni duke mbrojtur liritë kombëtare të popujve të Ballkanit në këtë Konferencë do të shprehej për Shqipërinë:”Qeveria amerikane është aq shumë kundër çdo vendimi që dëmton shqiptarët, për të kënaqur jugosllavët si do të kundërshtonte edhe çdo orvatje për të dëmtuar jugosllavët, në favor të Italisë.”

1.2 Një vështrim historik mbi kontributin e Sh.B.A në arsimin shqiptar

Krahas kësaj ndihmese me rëndësi historike për fatet e Shqipërisë, Amerika ka dhene nje kontribut te çmuar per Shqipërinë me asistence edhe në arsim dhe kulturë që në fillimet e Rilindjes shqiptare.
Në tetor të vitit 1891 Sevastia dhe Gjerasini Qiriazi të specializuara në shkollat amerikane hapën në Korçë shkollën e parë për vajza, ku mësoheshin këngë, vjersha, lojna përmendësh dhe ca nga këto luheshin në skenë.
Në shkurt të vitit 1919 arriti në Shqipëri njësia e parë e Kryqit të Kuq Amerikan (KKA), Misionar dhe kapiten ishte Caris Telford Erikson. Erikson erdhi në Shqipëri në vitin 1908-13 për herë të parë, si misionar dhe luajti një rol të rëndësishëm në jetën publike në Shqipëri. Ai ishte përfaqësuesi nderi në Konferencën e Paqes në Paris. Është i pari që hodhi idenë e themelimit të një Universiteti të madh për Ballkanin, të organizuar në Amerikë. Ky universitet do të kishte të gjitha degët e nevojshme për arsimimin e të rinjve ballkanas. Ky plan në thelb utopik, duke pasë parasysh kushtet politike në Ballkan, u bë realitet më vonë, në një formë shumë më të thjeshtë, nëpërmjet veprimtarisë arsimore të amerikanëve në Shqipëri.
Deri në fund të vitit 1920, KKA në Shqipëri organizoi tri shkolla në Tiranë, Elbasan dhe në Shkodër.
Në vitin 1921 ORKKA (Organizata e Rinisë së Kryqit të Kuq Amerikan) u angazhua për shkollën fillore dhe teknike të mesme në Tiranë. Ideja i përket Xhon I. Skalës, anëtar i ORKKA, kurse J.E.Kroli, drejtor i ORKKA bëri përzgjedhjen e nxënësve. Nga 62 nxënës, 11 ishin nga Shkodra, 6 nga Korça, 3 nga Elbasani, 10 nga Durrësi, 4 nga Berati, 8 nga Vlora, 9 nga Kosova, 11 nga Gjirokastra, zyrtarisht 43 myslimanë, 13 orthodhoks, 6 katolik. Shkolla Teknike u hap me 20. 07. 1921. Mësuesi i parë dhe drejtor ishte C.A.Holinshet, pastaj Xh.Majuer, inxhinier amerikan. Mësues shqiptar ishin Hysen Hivziu, inxhinier Li Cungu, i cli kishte mbaruar Robert Kolegjin në Stamboll. Nxënësit jetonin në konvikt dhe shpenzimet përballoheshin nga ORKKA, më vonë pas 1923 ndihmoi qeveria shqiptare. Gjatë viteve 1925-1926 rreth 150 nxënës vazhduan këtë shkollë.

Në fillim të vitit 1924 u propozua për themelimin e një kolegji shqiptaro-amerikan për bujqësinë, në përputhje me metodat shkencore të kohës. Degët kryesore do të ishin ekonomia dhe industria. Do të kishte dy ndërtesa, njëra për vajza dhe tjetra për djem. Pas shumë diskutimesh më 1924 u themelua në Kavajë shkolla bujqësore amerikane, shkolla për vajza u hap një vit më vonë po në Kavajë, me kërkesë të Presidentit Ahmet Zogu.
Në këtë kohë, suksesi i shkollës teknike e drejtuar nga Hari Fullsi u ngrit në majat më të larta. Sukses i shënuar ishte ngritja e ndërtesës së Ambasadës Amerikane në Tiranë, punimet e të cilës i drejtuan nxënës të kësaj shkolle. Në vitin 1928 në Shkollën Teknike të Tiranës u regjistruan 95 nxënës nga të cilët 5 erdhën nga Kosova, 2 nga Greqia, dhe 2 nga SHBA-të. Numri i nxënësve këtë vit arriti në 264. Kuadri mësim-dhënës përbëhej prej 19 vetësh, nga të cilët 14 ishin shqiptarë, 2 amerikan, 1 gjerman dhe 2 çekë.

Në Korçë shkolla e vajzave drejtohej nga çifti i misionarëve Kenedi. Shkolla Teknike në Tiranë, gjatë punës së saj 12 vjeçare nxori 176 nxënës nga të cilët 18 ishin nga Kosova, 22 nga Shkodra, 17 nga Tirana, 17 nga Vlora, 14 nga Berati, 34 nga Gjirokastra, 11 nga Durrësi dhe 5 nga Dibra. Profesorët e tyre ishin mësues, oficerë, nëpunës shtetërorë, funksionarë lokalë, agronom, mekanikë dhe të profesioneve të ndryshme.

Në fillim të shekullit të XX-të emigrantë shqiptarë në SHBA filluan të veprojnë si pionierë të rilindjes kulturore shqiptare: Petro Nini Luarasi mësues, si dhe intelektualët Sotir Peçi, Fan Noli, Faik Konica apo Kristo Dako. Në vitin 1906 Sotir Peci botoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Kombi” në të cilën dhanë kontributin e tyre intelektual Eftim Naçi, Vani Karameto, Vani Vangjeli. Më 15.02.1909 botohet gazeta “Dielli” nga shoqëria “Besa-Besë” në Boston, drejtuar nga Noli, i cili jetonte në Nju Jork që më 1906.
Për veprimtare intelektuale dhe atdhetare në këtë kohë u shqua Federata Pan-Shqiptare “Vatra” me Sekretar të Përgjithshëm Faik Konicën. Vetëm për 12 vjet në Amerikë u botuan 14 tituj gazetash të përditshme, javore dhe mujore, ku ndër më kryesoret ishte “Dielli” Nga viti 1880-1908 në botë u botuan 31 tituj gazetash shqiptare, nga të cilat në Belgjikë u botuan 3, në Bullgari 7, në Rumani 4, në Itali 7, në Angli 4 dhe në Austri, Jugosllavi, Greqi dhe Amerikë nga 1.

Amerika kontribuoi dhe ndihmoi arsimin, kulturën shqiptare dhe atë ballkanike në përgjithësi. Kryesisht në disa shkolla : Instituti Qiriazi për vajzat në Tiranë, shkolla Teknike në Tiranë, shkolla Shqiptaro-Amerikane Bujqësore dhe për Punë Shtëpiake në Kavajë. Në Maqedoni disa shkolla dhe ndër më të njohurat si ajo e Manastirit, kurse në Samakovë më 1861 u themelua një Institut amerikan . Aktiviteti i KKA, veçanërisht i ORKKA nëpërmjet shkollës Teknike në Tiranë, mbikëqyrës i së cilës që nominalisht deri në vitin 1933, duhet veçuar nga puna e njësive operative. Ndikimi i kësaj shkolle, metodat e mësimit dhe rezultatet që arriti bëjnë pjesë në tërësinë e aktiviteteve, të institucioneve fetare dhe arsimore amerikane në Ballkan, të cilat u përfaqësuan nga Robert Kolegji në Stamboll. Ky institucion arsimor ishte i rëndësishëm për Ballkanin, në atë kohë. Edhe gjatë këtyre viteve të tranzicionit, Amerika ka ndihmuar në trajnimin dhe profesionalizmin e të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë.
Edhe Presidenti Nikson (Richard Nixon) kishte kontribuar në arritjen e autonomisë së Kosovës, për Kushtetutën e vitit 1974 dhe krijimin e Universitetit të Prishtinës.

1.3 Fokus historik i marredhenieve bilaterale shqiptaro-amerikane

Barometri politik e vlerëson Shqipsërinë e shqiptarët si një ndër vendet e popujt më proamerikanë të globit. Shqiptari i parë që shkeli në tokën amerikane i përket vitit 1876. Ai u pasua nga një prift shqiptar, Prend Doçi në 1877. Fillimshekulli XX bëri që shqiptarët ta shikonin Shtetet e Bashkuara vendin e lirisë, progresit dhe shpresës. Është një histori marrëdhëniesh 137 vjeçare, ndërkohë që shqiptarët e “zbuluan” të fundit Amerikën. Por pas vitit 1900 një “lumë” shqiptarësh ju drejtuan Botës së Re.
Dallojmë tre etapa emigrimesh drejt Amerikës: nga fundi i shek XIX deri në 1920 me rikrijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Etapa tjetër është midis dy luftrave botërore dhe etapa e fundit është ajo e erës së re demokratike par renies se komunizmit. Është fakt i dokumentuar se, në vitin 1910 në Amerikë kanë lindur 2,312 fëmijë, nënat e të cilëve flisnin shqip.
Dy kolosë të shqiptarizmës si Faik Konica e Fan Noli u bënë urat e komunikimit shpirtëror të përafrimit më tej të kombeve amerikan e shqiptar.
Marrdheniet para-diplomatike mund te thuhet se filluan ne vitin 1914, me ambasadorin Xhorxh Fred Uilliams (George Fred Williams). Kur u krijua shteti shqiptar me Princ Vidin, ne Shqiperi nuk kishte perfaqesi diplometike amerikane, per shkak se SHBA ishte pak e angazhuar ne punet e Europes. Ne vitin 1914, qeveria amerikane I kerkoi ministrit fuqiplote te SHBA ne Greqi, te akredituar dhe ne Malin e Zi, z. Uilliams, qe te bente nje udhetim ne Shqiperi, per t’u njohur me gjendjen ne vend. Kjo ishte menyra qe perdorte SHBA dhe ne pergjithesi shtetet e medha kur pergatiteshin per te lidhur marredhenie diplomatike me nje shtet te sapokrijuar. Gjithashtu Ambassadori Williams kishte marre detyre nga qeveria e tij qe te ishte perkohesisht perfaqesuesi zyrtar ameriken ne Komisionin Nderkombetar te Kontrollit (KNK) per Shqiperine, me qender ne Durres. Pjesemarrja e Ambasadorit Uilliams ne KNK per Shqiperine ishte faktikisht pjesemarrja e pare e SHBA ne koncertin e fuqive europiane.Edhe pse Ambasadori Uilliams dha doreheqjen nga diplomacia, ai vazhdoi te punoje ne dobi te Shqiperise. Ne 1 Janar, 1919, ‘Vatra’ ku merrte pjese edhe Noli dhe Konica, organizoi nje miting te madh te shqiptareve te Amerikes ne Boston, per te protestuar kunder planeve per copetimin e Shqiperise ne konferencen e paqes qe do te mbahej pas LIB dhe ne kete rast, kunder planeve per copetimin e Shqiperise se Jugut. Oratori kryesor ne kete miting ishte Ambasadori Uilliams, dhe bashke me te folen edhe Fan Noli, Faik Konica, Koste Çekrezi dhe te tjere.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së u vendosën më 28 korrik 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë. Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara ka ardhur natyrshëm pas vetos që Presidenti amerikan Vilson (Woodrow Wilson) vuri në konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.
Presidenti pasardhës i Vilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922.
Amerikanët me në krye Vilsonin ishin dielli ngrohës i popujve të vegjël me platformën e tij me 14 pika në Versajë. Më 1919 amerikanët denoncuan në Konferencën e Paqes, projektin për coptimin e territoreve shqiptare për eleminimin nga harta e një vendi sovran. Antishqiptarizmi i frymëzuar nga kancelaritë europiane franko-ruse me satelitët e tyre, që ishin fqinjët tanë dështoi përpara Vilsonizmit.Amerikanët e parë që kanë ardhur në Evropë gjatë e pas Luftës së Parë Botërore, kanë depërtuar dhe në Shqipëri me misione të ndihmës mjekësore, teknike e arsimore etj. Makina e parë me flamur amerikan është e dokumentuar në Drashovicë dhe Kotë të Vlorës në Luftën e vitit 1920 (4 qershor deri 3 shtator 1920). Pas këtij viti (1920) ka një aktivitet amerikan të dendur në fushën ekonomike e kryesisht atë arsimore me disa shkolla amerikane të hapura në vitet 20-30-të. Shqipëria deri në vitin 1939 ishte një komb i preferuar për SHBA-në. Dhjetëra amerikanë erdhën në Shqipëri si diplomatë, biznesmenë, themelues shkollash, shkencëtarë ekspeditash, eksplorues të nëntokës, përfaqësues të kryqyt të kuq amerikan etj.
Në 1939, Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në vitin 1939 në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi strehim Zogut dhe familjes së tij, por u refuzua. Ambasada u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939 dhe Grant u largua më 27 shtator të vitit 1939. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane përfunduan për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939-1943) dhe më pas nga Gjermania (1943-1944) gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Aleatët në vitin 1942 e njohën luftën e shqiptarëve kundër fashizmit. Misionet aleatë Amerikan, Anglez e Rus mbritën në Shqipëri, si pjesë e koalicionit antifashist botëror. Misionet mbështetën sipas mundësuive luftën e shqiptarëve. Anglezët kishin misionet më të shumta dhe dhanë kontribut më të madh në Shqipëri. Ndërsa nga amerikanët Thomas Stefan ishte shqiptaro-amerikani që përfaqësonte aleatët amerikanë në LIIB.
Një avion ushtarak amerikan është rrëzuar në malet e Sheperit të Zagorisë gjatë LIIB. Ata ranë në emër të një kauze të madhe. Instancat shtetërore shqiptare duhet ta zbardhin plotësisht ngjarjen. Amerikanë e shqiptarë ishin në një front të përbashkët lufte. Çështja e të rënëve amerikanë ngeli pa u zgjidhur për ndërprerje brutalisht të marrëdhënieve në vitin 1946.

1.4 Lidhjet me Ameriken dhe Marrëveshjet e Nënshkruara ne Periudhen e Ahmet Zogut

Marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Amerikës nuk janë një realitet vetëm i post ‘90. Në vitin 1922, qeveria e mbretit Zog nënshkruante me përfaqësuesit e qeverisë amerikane marrëveshjen për statusin e Kombit më të Favorizuar.

Merita e Ahmet Zogut per krijimin e lidhjeve diplomatike dhe tregtare me SHBA-ne eshte e jashtezakonshme dhe e pamohueshme.
Ambicia egoiste e Presidentit Ahmet Zog në fillimet e pushtetit te tij (që më pas u shpall Mbreti Zog) ne krijimin e lidhjeve diplomatike dhe tregtare me SHBA-ne lidhej ngushtë me nevojat e vërteta të Shqiperise.
Ahmet Zogu nuk eshte pare si udheheqes i mire gjate kohes se komunizmit, por shume autore objektive e kane thene qartë se të gjithë udhëheqësit që do të kishin dalë nga ato rrethana do të ishin njësoj, në mos më keq. Dhe nuk ka dyshim se edhe Enver Hoxha kur erdhi në pushtet ishte njeqindfish me i keq.
Nënshkrimi i marrëveshjeve dhe traktateve mes dy vendeve ka filluar që me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në vitin 1922. Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara deri në vitin 1939 janë në fuqi. Nga këto marrëveshje është interesante vendosja e Statusit të Kombit më të Favorizuar, që në vitin 1922. Që më parë se të arrihej zyrtarisht njohja mes dy vendeve, komisioneri amerikan Maksuell Blejk shkëmbeu letra me ministrin e Punëve të Jashtme, Xhafer Upi, për të siguruar statusin e kombit më të favorizuar në mënyrë të dyanshme ndërmjet Shqipërisë dhe Amerikës. Kjo marrëveshje u nënshkrua në Tiranë në korrik 1922 dhe hyri në fuqi më 28 Korrik 1922. Ndërsa për qeverinë shqiptare, kjo marrëveshje hyri në fuqi më 28 Dhjetor 1925, pas votimit në Parlamentin shqiptar dhe firmosjes nga Presidenti i Republikës Ahmet Zogu po atë dhjetor. Në vijim u nënshkruan një sërë marrëveshjesh si “Marrëveshja mbi shkëmbimin e notave për heqjen e taksave për vizat e zakonshme” (1 Qershor 1926); “Marrëveshja monetare” (1 Korrik 1933); Traktati i Arbitrimit (12 Shkurt 1929); apo Traktati i Natyralizimit, që u nënshkrua në Tiranë më 5 Prill 1932, por hyri në fuqi më 22 Korrik 1935; apo Traktati i Ekstradimit (14 Nëntor 1935).
Sot, janë në fuqi rreth 24 traktate dhe marrëveshje midis Shqipërisë dhe SHBA-së në fusha të ndryshme.

  1. Prishja e marredhenieve mes Shqiperise dhe SHBA nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhes

Prishja e marrdhenieve mes Shqiperise dhe SHBA u be qellimisht nga diktatori Enver Hoxha, edhe pse anglo-amerikanet kishin bashkepunuar ngushte me te gjate LANÇ dhe kishte marre shume ndihma prej tyre (por nderkohe E.H. bente plane qe ne ate kohe te lidhej me Jugosllavet the Sovjetet dhe drejtohej prej tyre).
Lufta e Dytë Botërore ishte një luftë globale që u zhvillua nga 1939 e deri më 1945, që përfshiu shumicën e kombeve të botës, përfshirë edhe të gjitha fuqitë e mëdha të botës në atë kohë, që formuan dy grupe ushtarake kundërshtare: Aleatët dhe Boshti Qëndror. Shqiperia ishte pjese e Aleateve, pra bashke me SHBA, Bashkimin Sovjetik, Britanine e Madhe, Kinen, etj.
Pas luftes, diktatori komunist Enver Hoxha iu kundervu Mbretit Zog per lidhjet e tij me Ameriken dhe Mbreterine e Bashkuar: ‘I vetëquajturi mbret i shqiptarëve, Ahmet Zogu, që erdhi në fuqi me ndihmën e imperialistëve, ashtu si me shumë vende të tjera, edhe me Britaninë e Madhe e me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, luajti politikën e ‘portës së hapur’ dhe lidhi traktate e marrëveshje me to…. Ai u njohu këtyre shteteve statusin e ‘kombit më të favorizuar,’ gjë që lehtësonte shumë hyrjen e kapitalit të tyre në Shqipëri.’
Gjithashtu, diktatori Enver Hoxha kritikoi Zogun se u hapi dyert misionarëve, siç ishte Kenedi, filantropëve dhe edukatorëve (arsimtarëve) si Erikson dhe Herri Fulc, drejtor i Shkollës Teknike në Tiranë.
Gjate LANÇ, Anglo-Amerikanet derguan ushtarake te larte per te ndihmuar luften e popullit shqiptar. Enver Hoxha permend Bill Maklin, Gjeneralin Deivis, Majorin dhe Nen-Kolonelin Palmer ne librin e tij, njerez qe derguan ndihma, arme dhe municione me aeroplane lufte qe fluturonin ne nje situate teper te rrezikshme dhe pilote qe rrezikuan jeten e tyre per Shqiperine. Anglo-amerikanet gjithashtu kontrollonin detin e Shqiperise.
Pasi u arriti fitorja gjate luftes, Enver Hoxha u tregua mosmirenjohes harbut ndaj SHBA dhe Anglise qe e ndihmuan popullin shqiptar. Udheheqesi komunist u lidh me BS qe nuk kishte dhene asnje ndihme, siç e pranon edhe vete kete mungese ndihme, duke e justifikuar BS se ishte larg gjeografikisht, (nderkohe qe Amerika dhe Anglia ishin akoma me larg por ndihmuan).
Kur një organizatë ndërkombëtare, UNRRA (United Nations Relief and Rehabilitation Administration) u përpoq të sillte personel dhe ndihma edhe pas luftes, E.H. refuzoi.
Faji për këtë prishje të marrdhënieve ishte tërësisht i Enver Hoxhes, jo i amerikanëve.

2.1 Marrëveshjet Shqiperi-SHBA pas Luftës së Dytë Botërore

Pas Luftës së Dytë Botërore, njohja e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kushtëzua nga njohja e marrëveshjeve të firmosura me qeverinë shqiptare deri në vitin 1939. Plotësimi i këtij kushti nuk u arrit dhe marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u prishen. Ato rivendosën vetem ne 1991.

Gjithsesi, pas dëbimit të trupave okupuese gjermane dhe italiane, Shtetet e Bashkuara firmosën një marrëveshje me trupat ushtarake të Shqipërisë, duke u premtuar mjete për lehtësimin e situatës së pasluftës, përmes trupave ushtarake. Marrëveshja për Ndihmat Humanitare u nënshkrua në Tiranë, më 11 Prill 1945. Sipas marrëveshjes, qeveria amerikane dhe ajo angleze i ofruan ndihmë Shqipërisë përmes një organizate ushtarake “Military Liaison” – ML (Shqipëri), e cila kishte në përbërje oficerë amerikanë dhe britanikë, dhe mjete britanike. Si pjesë e marrëveshjes, këto ndihma humanitare do të lëvroheshin nga ML (Shqipëri) deri sa UNRRA të mund të kryente operacione të pavarura ndihme.

2.2 Rivendosja e marredhenieve diplomatike mes Shqiperise dhe SHBA pas 1990s

Amerikanët u bene sërish partnerë strategjikë të shqiptarëve pas renies se diktatures komuniste.
Në vitin 1991, qeveria shqiptare kërkoi lidhje më të ngushta me Perëndimin, në mënyrë për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe futjen e reformave demokratike. Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosen përfundimisht nga qeveria demokratike e Sali Berishes. Kristofer Hill dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e ish-kongresmenit me origjine shqiptare Jozef Dioguardi (Joseph DioGuardi) luajti nje rol kryesor ne ri-vendosjen e ketyre marrdhenieve. Kjo ri-vendosje e marrdhenieve diplomatike ndodhi me 15 mars 1991. William Rajerson ishte ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve. Tre muaj pas rihapjes së ambasadës më 21 qershor 1991 sekretari amerikan i shtetit James Baker do të vizitonte Tiranën, ku u prit madhërishëm e që ka ngelur në memorien e të dy kombeve.
Mbështetjen me te madhe ushtarake per kombin shqiptar e ka dhene Bill Klintonit për çlirimin përfundimtar të Kosovës në sulmet 78 ditore të mars-qershor 1999.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të shënonin nje kulm tjeter, me vizitën historike të Presidentit George W. Bush më 10 Qershor 2007, e para e një Presidenti amerikan në Shqipëri, dhe pritja nga qytetaret e Fushe-Krujes ka mbelur e pashlyeshme ne mendjen e shume shqiptarëve. (Pamjet e qytetarëve të Fushë-Krujës duke u shtyrë për të përqafuar Presidentin Bush, i cili përballë entuziazmit të qytetarëve theu rregullat e sigurisë, do të ktheheshin në lajmin kryesor të televizioneve amerikane dhe botërore.)

Marrëdhëniet me amerikanët janë marrëdhënie me një dimension kombëtar shqiptar në botë. Ndihma në demokratizimin e vendit tonë, por edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës i dedikohen më së shumti politikës amerikane dhe natyrisht marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara kane qene një partner i fortë për Shqipërinë në rrugën tonë drejt demokracisë, kapitalizimit të ekonomisë, dhe mundësive të reja me frymë perëndimore. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar e ratifikuar një sërë marrëveshjesh, dhe promovuar marrëdhëniet e mbrojtjes dhe ushtarake, Kartën e Adriatikut në integrimin euro-atlantik etj. Shtetet e Bashkuara mbështesin synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ashtu siç mbështeti dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Bukuresht (4 Prill 2008) dhe në Këln–Strasburg (3prill 2009).
Ish-Kryeministri Berisha ka thene se futja e Shqiperise ne NATO eshte “akti më historik, më solemn, më i rëndësishëm i gjithë historisë kombëtare që pas shpalljes së Pavarësisë“ dhe qe ne ate kohe shprehu mirenjohjen ne emer te popullit shqiptar: Një mirënjohje të jashtëzakonshme dua t’i shpreh sot qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti Xhorxh W. Bush. Ky mik i madh i kombit shqiptar, në qershor të vitit 2007 solli në Tiranë mesazhet e mëdha dhe historike të kombit të madh amerikan; Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti i tyre, i qëndruan plotësisht, deri në realizimin përfundimtar të këtyre dy projekteve, me të cilat shqiptarët, jo vetëm bëhen të lirë, por garantojnë njëherë e përgjithmonë lirinë e tyre.
Shqipëria ka kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale. Shqipëria ka mbështetur politikën amerikane për të zgjeruar numrin e vendeve që njohën Kosovën. Në kuadër të Kartës së Adriatikut, Shqipëria ka qenë shembull për aspirantet e reja të NATO. Ajo ka ofruar trupa ushtarake të kryesuara nga SHBA gjatë veprimeve në Afganistan dhe Irak, dhe ka mbështetur përpjekjet e SHBA kundër terrorizmit.
Pas rrëzimit të regjimit komunist, Tirana zyrtare është vizituar thuajse nga të gjithë Sekretarët amerikanë të shtetit, përveç Uoren Kristofer, te tille si Madalein Ollbrait, Kolin Pouell, Hillari Klinton.

  1. PERFUNDIME

Sot ne epoken e globalizmit, marredheniet e shkelqyera SHBA-Shqiperi vleresohen si kolone e paqes ne Ballkan dhe glob dhe per te qene model edhe ne te ardhmen, duhet te merren ne konsiderate keto sugjerime:
1. Kapaciteti i reagimit ndaj krizës rajonale: Disa vite më parë Shqipëria bëri përpjekje që të krijonte kapacitete të reagimit ndaj krizave mes vendeve të Adriatikut. Kjo nismë duhet të ringjallet në partneritet me SHBA, Bashkimin Evropian, NATO apo me të tre bashkë.
2. Adriatiku do të ishte më i sigurtë nëse do të përfitonte nga kapacitetet e ndërthurura shumëkombëshe për kërkim e shpëtim, për reagim ndaj rreziqeve mjedisore dhe në zbatimin e ligjit.
3. Siguria e energjisë duhet të plotësojë mbrojtjen dhe demokracinë, si një shtyllë kryesore në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri. Këto objektiva kryesorë duhet të përfshijnë nxitjen e investimeve amerikane në Shqipëri dhe garantimin që interesat e sigurisë së Shqipërisë të justifikohen në zhvillimin e infrastrukturës energjetike të Ballkanit.
4. Europa e plotësuar, prioriteti kyç i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri eshte një Evropë që është përnjëmend e integruar dhe ku mungojnë linjat ndarëse sepse keshtu ka për të qenë një Evropë më e qëndrueshme, më e sigurt dhe më e zonja për të punuar me Shtetet e Bashkuara, për t’ju përgjigjur sfidave globale të shekullit të XXI.
5. Sot ka ardhur koha qe ashtu si gjate LANÇ, qe te krijohet nje Zyre te Sherbimeve Strategjike, nje rrjet inteligjence ne Shqiperi si qender per Ballkanin.
6. Presidenti në detyrë i SHBA-ve Barak Obama u ndje mrekullisht i lumtur në ceremoninë më të rëndësishme dhe më të shenjtë për të gjithë shqiptarët, i cili u shpreh: “Jam krenar për Shqipërinë dhe Kroacinë…”. Kjo tradite inkurajimi duhet te ruhet.
7. Në botën moderne të diplomacisë së sotme Kombi Shqiptar duhet të zërë me emergjencë dhe me argumentim pozicionin optimal në ambientin ndërkombëtar, të ndryshojë vazhdimisht në linjën e proceseve integruese europiane dhe globaliste dhe të ndihmojë vendimmarrjen brenda dhe jashtë vendit tonë. Kuptimi i ri i pasurive strategjike të vendit, gjeopolitika, gjeoekonomia tradicionale duhet të ndryshojnë sipas shkallës së re të mendimit duke respektuar pjesën më të mirë të pasurisë së saj. Media vendase duhet të krijojnë një imazh të ri për Shqipërinë dhe kombin tonë, në vëmendjen e fqinjëve të Europës dhe në botën globalizuese. Këto imazhe shpikin skenarë të përshtatshme, implementojnë një teknikë të re të artikuluar mirë për të lidhë vendin në mënyrë rajonale dhe globale. Në hartën e memories së botës kombi ynë duhet të zërë një vend emocional në ambientin e identiteteve me ndikim në audiencën globale, unik per bashkejetesen dhe harmonine fetare dhe etnike.
8. Pas vendosjes së pavarësisë së Kosovës, media duhet të kthjellojë opinionin publik se me Shqipërinë marrëdhëniet natyrale ndërkufitare janë burim stabiliteti, liria dhe paqeje, integrimi. Integrimi mbarëshqiptar në rajon, duhet të përcillet si garanci stabiliteti dhe zhvillimi dhe jo si potencial rreziku për të tjerët. Pozicioni dhe qëndrimi ndaj statuseve politike të pavendosura në Ballkan mbetet një ndër obligimet dhe prioritetet e medies dhe diplomacisë shqiptare dhe diplomacise nderkombetare.
9. Një Maqedoni shumë etnike dhe demokratike duke ruajtur integritetin territorial dhe duke kundërshtuar çdo ide për ndryshim me forcë të kufijve të brendshëm apo të jashtëm, ndarja etnike artificiale shërben si opsion dhe opinion për të ardhmen e medies shqiptare. Komuniteti ndërkombëtar është bashkuar dhe i angazhuar dhe aktiv në një politikë jetëgjatë, shpresëdhënëse, pa truke propagandistike apo retorikë, port ë jetë një interes i vërtetë për paqen. Dialogu duhet të intensifikojë angazhimin politik mediatik.
10. Ne duhet të luftojmë kundër paragjykimeve për të cilat flet Lerri Volf në librin e tij të shkëlqyer “Inventing Eastern Evrope” (“Shpikja e Europës Lindore”- paragjykime që i atribuohen Volterot dhe Didëroit, dhe që mbahen akoma nga një pjesë e madhe e shumicës së heshtur të Europës Perëndimore- sikur ne jemi njerëz të prapambetur që jetojmë në mjerim dhe varfëri, të turbulluar nga urrejtjet e vjetra dhe të paaftë për të drejtuar një demokraci të begatë, një ekonomi tregu të rregullt dhe një kulturë të gjallë.
11. SHBA ka konceptin se Ballkani eshte “Europe e paperfunduar”. Le te bejme te gjitha perpjekjet atehere per ta ndertuar te plote Europen, bashke me Shqiperine, bashke me Ballkanin si pjese integrale e BE-se.

Bibliografia

-Haris Silaixhiç, Shqiperia dhe SHBA ne arkivat e Washingtonit
-Kristo Dako, Korrespondenca me Charles Crane.
-Kristo Dako, Kush jane Shqiptarët.
-Sevasti Dako, Ditar.
-Charles Crane, Korrespondenca me Kristo Dako-n.
-Understanding International Politics.
-Shpetim Lezi, Why President Wilson Saved Albania: USA-Albania Friendship
-Bashkepunimi Nderkombetar per Paqe, Siguri dhe Perparim ne Europen Juglindore
-Nato perballe Sfidave te Reja ndaj Paqes dhe Sigurimit Nderkombetar
-Sfidat e Reja te Sigurise te Bashkesise Euro-Atlantike nga Kendveshtrimi i Ballkanit Perendimor
– Hamdi Thaçi, Kosova “Demokraci Morale” apo Kosova “Serbi e Madhe”
-Astrit Memia, Njeriu dhe Natyra ne Globalizem
-Abdullah Kardjagdiu, Pese Vjet ne Shqiperi
-George W. Bush, Ne Emer te Lirise
-Jakob Philipp Fallmerayer, 1857: Das albanesische Element in Griechenland. Abt. 1: Über Ursprung und Altertum der Albanesen (The Albanian element in Greece. Pt. 1: On the origin and antiquity of the Albanians.) (Abhandlungen der Historischen Klasse der Bayerischen Akademie der Wissenschaften. Bd. 8, Abt. 2, pp. 417–87).
-1860-61: Das albanesische Element in Griechenland. Abt. 2 und 3: Was man über die Taten und Schicksale des albanesischen Volkes von seinem ersten Auftreten in der Geschichte bis zu seiner Unterjochung durch die Türken nach dem Tode Skander-Bergs mit Sicherheit wissen kann. (Pts. 2 and 3: What can be known with certainty about the deeds and fate of the Albanian people from their first appearance in history until their subjugation by the Turks after the death of Skanderberg.) (Abhandlungen der Historischen Klasse der Bayerischen Akademie der Wissenschaften. Bd. 8, Abt. 3, pp. 657–736 and Bd. 9, Abt. 1, pp. 3–110).
-Konferenca kombëtare “E DREJTA E INFORMIMIT E DREJTE THEMELORE E NJERIUT. Avokati i Popullit Ermir Dobiani
-E drejta e informimit (Mars 2007)Ilda Londo, Instituti Shqiptar i Medias
-“Transparenca e pronësisë së medias” Dr. Zef Preci, (Instituti Shqiptar I Medies Tiranë, 10 dhjetor 2004)
-“Të Drejtat e Njeriut”, reviste periodike, 2003, nr4-5,
-“Perla” 2001-2003,
-Media Shqiptare “99-2003 “Zhvillimet politike në Shqipëri”, 1920-1939.
-“Krizat Ndërkombëtare” J. Stevens,
-“Negociatat”, “Diplomacia shqiptare”, vëllimi I, II, III, Prof. Dr.L.Bashkurti,
-“E Drejta Europiane”, Dr. Iva Zajmi,
-Penale Ndërkombëtare” , J.Xhafa,
-Gazeta , Nr. 1,2, Hamit Boriçi,
-Manual për Gazetarët e Europës Qëndrore Lindore,
-“Komunizmi, kapitalizmi dhe Mass-Media”, Colin Sparks,
-NATO,-manual,
-Council of Europe, Strasbourg 12 december 2003

* Mbajtur në konferencen ndëkombetare në Tetovë, më 15.12.2016

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Kontributi amerikan, ne historine e shtetit, NGA DOC. DR. ASTRIT MEMIA

Më mire vonë se sa kurrë !

December 23, 2016 by dgreca

kabashi5

LAJMI I  AGJENCISË TELEGRAFIKE SHQIPTARE I CILI mbështet THËNJEN: Më mire vonë se sa kurrë !/

Shkruar nga : Mërgim Korça/

Një befasím i madh pozitiv dhe krejt’i papritur qé për mua leximi i lajmit të dhënë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare me datën 9 Dhjetor 2016 titulluar : Studiuesit shkencor të ALS, Edor Kabashit, i jepet   Çmimi Ndërkombëtar PG për Mjekësinë.E nga që e fillova me këtë përkufizim titullin e shkrimit rreth lajmit që përhapi ATSh-ja lidhur me dhënjen e këtij çmimi të lartë ndërkombëtar Dr.Edor Kabashi-t në Dublin, ku qé organizuar ceremonía në fjalë, me ç’rast shkencëtarit shqiptar iu dorëzua medalja e edicionit të VIII-të të këtij çmimi ndërkombëtar në kuadrin e  zhvillimit të punimeve të Simpoziumit të XXVI-të ndërkombëtár mbi sëmundjen e emërtuar “Skleroza Anësore Amiotrofike” (ALS) duhet edhe të shtoj se çmimi në fjalë iu dorëzua shkencëtarit shqiptar Dr.Edor Kabashit mbasi punimi i tij, si edhe frut i punës së ekipit shkencor që drejtohet nga po ai vetë pranë Institutit të Neuroshkencës q’e zhvillon veprimtarín’e tij në Paris, u përzgjodh ndërmjet 15 punimeve shkencore të kësaj fushe të caktuar ku, materiali i paraqitur prej këtij shkencëtari paraqit një zbulim të rëndësishëm sa u takon trajtimeve të reja lidhur me ALS-në.  Por gjthashtu nuk qëndrojmë dot pa ia theksuar lexuesit mirëdashës si edhe atdhetár shqiptár se, hapat e parë në këtë fushë skajshëm të koklavitur të gjenetikës nervore e kanë pikënisjen pikërisht tek zbulimi se keqformimi i tetë hallkave përbërëse të zinxhirit gjenetik nervor janë pikërisht shkaku i sëmundjes emërtuar Skleroza Anësore Amiotrofike (ALS) dhe ky zbulim i ka pasë qenë njohur pikërisht Dr.Edor Kabashit që në marsin e vitit 2008, (ku un’e kam pasë lexuar këtë informacion tek Revista Shkencore Neurologjike, natyre skajshëm autoritare, “Nature Genetics”).

Duhet theksuar se çmimi që iu dha shkencëtarit shqiptar në Dublin, nga Instituti Brazilian me emrin Gontijo Paulo, (P.G. Award), ësht’i njohur nga Komuniteti  Shkencor Ndërkombëtar si edhe nga partnerët e tij Aleanca Ndërkombëtar e ALS-së, Motor Neurone Desease Association, (MNDA) si edhe  nga Komuniteti Europian për Kërkime në fushën e ALS-së (ENCALS).         

                  Përgjatë kësaj vazhde dhe për hírin e së vërtetës, njoftime rreth vlerësimeve që i janë bërë Dr.Edor Kabashit në fushën shkencore botërore, janë përhapur herë pas here si pasoj’e ndonjë informacioni dhënë nga A.T.Sh.-ja ose edhe ndonjë shkrimi botuar nga individë të prekur thellë se si ky shkencëtar shqiptár vlerësohej ndërkombëtarisht, (në një kohë që vëndi i tij Shqipëría heshtëte).  Por e keqja e madhe qëndron në faktin se si institucioni i cili duhej që prej vitesh të shkuara të bëhej përçues i sukseseve të këtij shkencëtari me vlera botërore për të cilin dëndur e më dëndur kur shkruhet për të në shtypin shkencor cilësohet si “Shkencëtari Shqiptar, Dr. Edor Kabashi …”, pavarësisht në se vlerësimi i vinte fillimisht  nga institucione shkencore kanadeze e në vazhdim nga të Sh.B.A.-ve e doemos pastaj edhe nga Europa si edhe më gjerë si shtrirje, AKADEMIA E SHKENCAVE SHQIPTARE ka heshtur e  vazhdon e qëndron e heshtur ndaj informacionioneve rreth sukseseve të tij !  Këtë realitet, shumë të pakëndshëm sinqerisht që nuk di se si ta shpjegoj !  Dhe e keqja e madhe qëndron në faktin se Organizmat Shtetrore Ekzekutive Shqiptare, lidhur me fushën e shkencave në përgjithësí, burim zyrtár themelor informacioni nuk kanë se kë të kenë tjetër veç Akademisë së Shkencave Shqiptare !  Me që gjëndemi përpara kësaj gjëndjeje ku Akademia e Shkencave nuk pipëtin, detyrohemi të flasim né, thjeshtë simpatizantët e shkencëtarit shqiptar por ama, nga ana tjetër edhe të tejngopur përgjatë thuajse një gjysëm shekulli me … mendësínë skajshëm egoiste të sistemit diktatorial e cila vazhdon për plogëtí edhe sot të mos i vlerësojë  vlerat madhore kombëtare ! Natyrshëm lind pyetja :  PSE ? Sepse përgjatë periudhës diktatoriale vetëm diktatori si edhe partia e tij e kudogjëndur dhe e gjithëditur … kryesonin vlerat madhore kombëtare !    

Përgjatë kësaj vazhde nuk mund të kalohet në heshtje fakti se si  Institucionet Shkencore Ndërkombëtare nisur nga pikësynimi q’i kanë vënë vetes të shquajnë shkencëtarë deri 40-vjeçarë e që po arrijnë të kapin maja nga më të lartat arritjesh në kuadër botëror, ka vite që bashkatdhetarin tonë Dr.Edor Kabashin sa vjen e po e vlerësojnë lart e më lart !  Të shumtë në numur janë vlerësimet në fushën e ALS-së lidhur me gjetjet e ekipit shkencor hulumtues të kryesuar nga Dr.Edor Kabashi.  Sa për një shëmbull, porse shumë kuptimplotë, është fakti se si ky shkencëtar si udhëheqës shkencor në krye të një ekipi kompleks profesorësh si edhe hulumtuesish në fushën e Neuro – Gjenetikës të Universiteteve të Montrealit si edhe Sorbonës të Parisit, kanë zbuluar se malformacioni i tetë geneve të zinxhirit gjenetik, janë shkaktarët e sëmundjes ALS (Amyotrophic Lateral Sclerosis), e quajtur në vazhdim edhe sëmundja Lou Gehrig, (i cili ka qenë bejsballist-i  legjendar i Sh.B.A.-ve).  Me këtë rast nuk mundemi të mos e theksojmë se Lou Gehrig ndërroi jetë  pikërisht si pasoj’e sëmundjes ALS-së në moshën 38 vjeçare në vitin 1941 !  

Shkencëtarit shqiptar i është akorduar nga Instituti Kanadez i Kërkimeve  të  Shëndetit  në  vitin  2009  e gjithashtu edhe më  2011,  dy  herë  çmimi  i  lartë “ BRAIN STAR AWARD “, (titulli TRU YLL), sikurse Sh.B.A. i akorduan Dr. Edor Kabashi-t në vazhdim edhe  njerin nga  titujt  më  të  shquar  në  fushë  të  shkencave mjekësore të emërtuar    “ JERRY LEWIS AWARD “, (i cili për 40 vite radhazi ka qenë Kryetari i “Shoqatës Distrofísë Muskulare të Sh.B.A.-ve).

Nderim skajshëm i lartë si rezultat vlerësimi maksimal duhet të konsiderohet edhe fakti që me datën 24 Shtator të vitit 2010, kur në Paris u themelua Instituti Europian i Neuroshkencës, (të cilën ngjarje e nderoi vetë Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy me inaugurimin që i bëri këtij Instituti), ndërmjet 21 kandidatëve nga e gjithë bota, shkencëtari shqiptar Dr.Edor Kabashi u përzgjodh ta udhëheqë ekipin e shkencëtarëve që do t’i thellonte hulumtimet si edhe përkatësisht edhe zbulimet e ardhëshme eventuale rreth sëmundjes ALS e cila ka filluar e bëhet sa vjen edhe më problematike në shkallë botërore !  

Përgjatë kësaj rrjédhe, do t’ia tregoj lexuesit edhe një ngjarje të përjetuar nga unë në vetë të parë. Me që Presidenti i Shqipërisë kishte ardhur ato ditë për një vizitë në Michigan, un’i përgatita një letër të përbërë vetëm prej një faqeje, ku shkurtimisht i përshkruaja arritjet e Dr. Edor Kabashit në fushë botërore lidhur me ALS-në dhe se si Qeverítë shqiptare heshtnin, dhe ia dorëzova Ambasadorit tonë të asaj kohe pranë Sh.B.A.-ve i cili, nga an’e tij ia dhá dorazi Presidentit. Do që të pasnesërmen, nga që Presidenti deshi të bënte një takim me shqiptarë në njerën nga qëndrat fetare shqiptare, edhe unë u takova me të. Kur ma zgjati dorën dhe unë, për t’u paraqitur ia shqiptova mbiemrin tim, Presidenti nuk ma lëshoi dorën dhe iu drejtua Ambasadorit duke e pyetur, (që të sigurohej), në se unë isha personi që ia kisha drejtuar letrën e mbasi ai  ia pohoi, Presidenti më tha shprehimisht : Mos e kini fare merak Z. Korça, se mbasi e lexova dhe e mësova situatën, letrën tuaj në vënd që t’ia jepja sekretarit ia dhashë sime shoqeje ta fuste në çantën e saj e të ma japë sapo të arrijmë në Tiranë që ta kem parasysh !  Nga që nga ana shtetërore deri më sot kur kanë kaluar pak  por mbi gjashtë vite dhe  akoma nuk është marrë asnjë masë vlerësimi ndaj këtij shkencëtari i cili ka mbi dhjetë vite që po e nderon vëndin tonë në shkallë botërore, dy janë hipotezat që un’i konsideroj si më të mundëshmet :

  • Ose Presidentin e kanë pasë bindur se informacioni i dhënë Atij nga ana e ime nuk ishte i saktë por me ekzagjerime e pra i pavlerë.
  • Ose letra në fjalë  u arkivua nga që Presidenti kishte probleme shumë më të rëndësishëm të çastit për të ndjekur !  (Ndonëse jam disí i befasuar se si deri më sot nuk i është dhënë rasti Presidentit në fuqí ta ketë marrë atë informacion nga punonjësit e arkivit presidencial !)       

Mirëpo, sido që të jetë puna sa u takon personaliteteve zyrtare që nuk duhej ta kishin lënë në heshtje problemin e këtij TRURI YLL SHQIPTAR ky tru yll, nga ana e tij, nuk e ka lënë kohën t’i rrjedhë nëpër duar kot dhe krahas punës së tij si udhëheqës shkencor i ekipit të shkencëtarëve të Institutit Europian të Neuro – Shkencave të Paris-it, nga ana tjetër është shprehur :  “ … Unë do të kisha shumë dëshirë të bashkëpunonim si dhe të shkëmbenim përvojat tona me shkencëtarët në Shqipëri dhe shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen … Uroj gjithashtu që edhe politika e rikthimit të trurit në Atdhé të jetë e suksesëshme sepse jam i sigurtë se të dyja palët do të përfitonin.” Në këtë mes unë nuk kam se çfarë të shtoj veçse ta nënvizoj faktin se si Dr.Edor Kabashi nuk ka asgjë se ç’të kërkojë nga Atdhéu i tij. Ndërsa Shqipëria, vëndi i tij, do të nderohej në nivel botëror kur ai, krenar për prejardhjen e tij, e deklaron botërisht këtë fakt !  

E doemos përgjatë kësaj vázhde kohore, ndërsa vëndi i tij hesht,  shkencëtari shqiptar ka çelur shtigje të rinj !  Është pasoj’e punës së tij fakti që në punën shkencore lidhur me ALS-në, ai ka hequr dorë nga përdorimi i “kavieve”, (miushërve laboratorikë), dhe për gjetjet e tija ka filluar e përdor “ peshqit zebra “ tek të cilët në mënyrë shumë të përshpejtuar si edhe të afërt me symptomat tek njeriu, ka shkaktuar artificialisht neuro-degjenerimin që i shkakton njeriut sëmundja ALS e doemos, mbështetur në këto zbulime Dr. Edor Kabashi po qëmton edhe udhët eventuale të shërimit nga kjo sëmundjeje e cila ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në rang botëror.  

Do t’i mbyll këto radhë që i fillova duke marrë shkas nga ceremonía e zhvilluar në Dublin ku Dr.Edor Kabashit iu dha çmimi i parë si edhe dekorata respektive lidhur me veprimtarínë si edhe rezultatet e tij të derisotëm si shkencëtar në fushën e studimit të degjenerimeve të karakterit gjenetik neuro – motor të muskujve që shpijen në vdekjen e pacientit brënda një periudhe kohore prej një deri në pesë vite … ku ka dhjetramijëra pacientë an’e kënd botës q’e presin shpëtimin si pasoj’e sukseseve eventuale të këtij shkencëtari shqiptar !  

Këto radhë do t’i mbyllim me nëntitullin :

SADO QË HULUMTUES’I SHQUAR, POR EDHE DR. EDOR KABASHI I KA NDJENJAT E TIJA … SI ÇDO NJERI NORMAL !

Kujt’i është drejtuar pyetja se si i kujtonte ai mësuesit e tij, në moshë tashmë të shtyrë, dhe personi i pyetur jo që i kujtonte mësuesit e tij më të shquar, (daç për mir’e gjithashtu edhe për keq), por … fluturimthi mundohej t’u bënte atyre edhe një përzgjedhje … dalluese.

Shtojmë tashti moshën akoma të ré të Dr. Edor Kabashit dhe, lidhur me të edhe nivelin e intensitetit të ndjenjave që do t’i ngjalleshin atij po t’i drejtohej në mënyrë hipotetike pyetja q’e shtruam më lart, e pra ta mësojë lexuesi i këtyre radhëve se si ky shkencëtar’i shquar shqiptar, u përfshí nga një vorbull ndjenjash niveli tejet të fuqishëm kur në Dublin hyri në sallën e mbushur me mbi 1000 shkencëtarë të fushës studimit ALS-së nga e gjithë bota e ku ai do të paraqiste studimin e tij si rezultat i punës së tij si udhëheqës  i ekipit shkencor të Institutit Kërkimor pranë Universitetit të Sorbonës në Paris të vlerësuar me çmimin e parë të atij simpoziumi dhe … vështrimi q’i hedh sallës dallon në mes shkencëtarëve të tjerë, në rrjeshtin e parë edhe Profesorët nga Montreali i Kanadasë dhe ndër më të shquarit ndërkombëtarisht në fushën e Neuroshkencës, Dr. Heather Durham si edhe Dr. Pierre Drapeau.  E para, ka qenë udhëheqësja shkencore e shkencëtarit Kabashi për gradën e “Doktoraturës” (2001-2006) pranë Universitetit McGill, kurse i dyti, udhëheqësi shkencor i tij gjatë studimeve “Post-Doktorature” pranë Universitetit të Montrealit, (2007-2011).         

Në përfundim të paraqitjes nga Dr. Edor Kabashi, si edhe dorëzimit të çmimit dhe medaljes së artë nga Prof. Dr. Brian Dickie*, i gjithë auditori u ngrit në këmbë duke e duartrokitur dhe përgëzuar fituesin. U ngritën, doemos edhe shumë të prekur në ndjenjat e tyre, që të dy Profesorët e nderuar te tij. Ishte një çast i bukur për të gjithë pjesëmarrësit kur Dr. Edor Kabashi duke zbritur nga podiumi, në shënjë respekti të thellë u drejtua tek ata duke u përqafuar gjatë me secilin syresh!

Pikërisht ky çast i cili e shprehte respektin e ndërsjellë si edhe bashkëpunimin e sinqertë ndërmjet brezave të ndryshëm të shkencëtarëve  moshash të ndryshëme, u përshëndet me duartrokitje si edhe ovacione të gjata nga të gjithë pjesëmarrësit e Simpoziumit Ndërkombëtar të Neuroshkencës !

Natyrshëm lind pyetja :  A kishte mundësí që Shkencëtari ynë të mos prekej deri në përlotje nga ato ovacione ?!  

*Në vazhdim po ia sjellim lexuesit përkthimin e fjalës mbajtur nga Prof.Dr. Brian Dickie me rastin kur ky ia dorëzoi Dr. Edor Kabashit çmimin vlerësues si edhe medaljen.

 Çmimi IPG e njeh duke e vlerësuar                                      

                          talentin e ri kërkimor  

                                    (Përkthyer nga anglishtja).

   Mbajtur nga : Dr. Brian Dickie          

Unë besoj se cilësía e hulumtimeve në fushë të shkencave është po aq e vyer sa janë vlerat e vetë shkencëtarit q’i kryen ato, kjo edhe arësyeja përse Bashkësíja e MND-së i jep shumë rëndësí faktit të krijojë kushte për të tërhequr, stërvisë si edhe t’i mbajë pranë vetes më të shkëlqyerit si edhe më të mirët e hulumtuesve në Britanín’e Madhe si edhe në Irlandë e t’i zhvillojnë karrierat e tyre në fushën e kërkimeve të MND-së. Kjo radhitje duke filluar që nga “niveli fillestar” i bursave të studentëve PhD e deri tek bashkësíja e suksesëshme e hulumtuesve klinicist, (të subvencionuar bashkërisht me MRC-në), si edhe programi ynë më i fundit i bashkësísë jo klinike, u hapin shtigje të pashkelur hulumtuesve posaçërisht të shquar në një llojshmërí të gjerë etapash karriere. Kjo edhe njëra nga arësyet pse              “ Çmimi ndërkombëtar për mjekësinë Paulo Gontijo “   u paraqit në Hapjen e Simpoziumit, gjë e cila sipas meje është për një shquarje me ndriçim të posaçëm. Unë e kam patur privilegjin të shërbej në gjirin e Komitetit Ndërkombëtar të Vlerësimeve lidhur me dhënjen e çmimeve qëkur ky çmim qé i lidhur me Simpoziumin e vitit 2011, me pikësynim njohjen e punimeve me vlera të posaçme nga ana e hulumtuesve nën moshën dyzetvjeçare. Është një punë skajshëm e vështirë të përzgjedhësh fituesin, sepse cilësía e hulumtimeve jo vetëm që ësht’e standarteve të larta, por edhe vetë CV-të, (biografítë shkencore), të konkurrentëve janë pabesueshmërisht mbresëlënëse, ku shumë syresh janë edhe figura të njohura në fushë ndërkombëtare në botën e kërkimeve rreth MND-së.

Këtë vit çmimi iu dorëzua Dr. Edor Kabashi-t të Institutit ICM të Trurit edhe Kurrizit, të Paris-it, për hulumtimet e tija me zhvillime të reja modelesh laboratorike të MND me pikësynim identifikimin e mekanizmave të degjenerimit. Të kuptuarit e proceseve të ndërsjellë të cilët ndikojnë për keq sa i takon degjenerimit të neuroneve motorike, pavarësisht shkaqeve origjinale të sëmundshmërísë, do të krijojë mundësí të zhvillohen trajtime të tillë të cilët mundet të jenë të efektëshëm në të gjitha format e sëmundjes.

Për çdo vit fituesi i çmimit ftohet të bëjë një paraqitje lidhur me hulumtimet e kryer.  Dr.Kabashi e ka përqëndruar punën e ekipit të tij sa i takon zhvillimit të kulturave qelizore si edhe modeleve të peshkut zebra të cilët përmbajnë gene njerëzore shkaktues të MND-së. Duke përdorur të tilla qásje, ai ka qenë në gjëndje të vërtetojë se si një prishje e unitetit të një procesi qelizor i njohur si autofagí, është një pasoj’e zakonëshme e sëmundshmërísë. Një rastësí të çuditëshme paraqit fakti se si çmimi i ndérit që iu dhá Dr.Kabashi-t përkoi në të njajtin vit sikurse Çmimi Nobél për mjekësínë që iu akordua Profesorit Yoshinori Ohsumi sa i takon punës së tij madhore lidhur me mekanizmin e autofagísë.

Dr.Kabashi dhe ekipi i tij gjithashtu kanë provuar se si arësye të ndryshëme si edhe faktorë risku lidhur me MND, mundet të bashkëveprojnë dhe të shkaktojnë një goditje të dyfishtë sa i takon procesit të autofagísë, duke u bërë shkak për dëmtime akoma më të theksuara.“ Është vërtet një ndér’i madh të të akordohet ky vlerësim “, tha Dr.Kabashi. “Këta modele përtëritës të peshqëve zebra që né po zhvillojmë në laborator, po ia japin mundësínë ekipit tim të shquajë mekanizmat pathogjenë ndër sëmundjet motore të neuroneve, me një potencial të madh shques terapeutik strategjive për t’i ndaluar proceset neurodegjenerative, me pikësynim trajtimin në mënyrë të drejtë të ALS/MND-ve.(Botoi se pari Minerva)

   

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Çmimi Ndërkombëtar PG, Edor Kabashi, Mergim Korca, për Mjekësinë

Shqipëri: hyn në fuqi ligji i Vetting-ut hapet rruga përzbatimin e reformës në drejtësi

December 23, 2016 by dgreca

Në Shqipëri hyn në fuqi ligji i Vetting-ut dhe hapet rruga përzbatimin e reformës në drejtësi. Gjykata Kushtetuese vendosi të hedhë poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për ta shpallur ligjin antikushtetues/

Nga Ani Ruci/

Viti 2017, që do të mbrrijë pas disa ditësh , mund të hyjë në histori. Që javët e  tij të para pritet të fillojë zbatimi i Ligjit të Vetting-ut, motorit të Reformës të shumëpritur në Drejtësi. Ligji i ka gjasat që të bëhet funksional menjëherë pas vendimit të sapo marrë të Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar kërkesën e PD-së në opozitë për ta shpallur atë antikushtetues. Me shumicë votash- 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese votuan pro ligjit të Vetting-ut dhe 2 kundër. Gjykata. më e lartë në Shqipëri, la në fuqi ligjin që ajo pezulloi para 2 muajsh pas ankimit të PD-së, sipas së cilës ligji në fjalë cënonte të drejtat e njeriut dhe i mundësonte qeverisë kontrollin e sistemit të drejtësisë. Në marrjen e vendimit të saj Gjykata Kushtetuese pati mbështetjen e Komisionit të Venecias, trupës më të lartë këshillimore të Këshillit të Europës që dha opinion pozitiv për Ligjin e Vetting-ut.” Dispozitat e Ligjit të Vetting-ut  nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në tërësi  ky ligj është pozitiv. Ligji i Vetting-ut është  i nevojshëm për Shqiperinë”, vlerësoi ky komision në opinionin e tij. Por në vendimin e Gjykatës Kushtetuese pati ndikimin e vet edhe presioni në rritje i shoqërisë civile me peticione dhe thirrje të shumta për të mos u bërë pengesë në zbatimin e reformës duke e shpallur ligjin antikushtetues. Pa lënë menjëanë e rolin e apeleve këmbëngulëse të politikanëve të nivelit të lartë të vendeve të BE-së për ta filluar pa vonesë znbatimin e reformës, më i freskëti prej të cilëve, ai i Ministrit gjerman të Shtetit për Çështje Europiane,  Michael Roth, i cili vizitoi (19.12) Tiranën. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet historik nëse kihet parasysh edhe konflikti i intertesit që gjyqtarët e saj kanë me Ligjin e Vetting-ut, pasi edhe ata, siç këshillon Komisioni i Venecias, do t’i nënshtrohen skanerit të Vetting-ut për burimin e pasurive të tyre dhe pastërtisë së  figurës.

B-ja do ta mbështesë Shqipërinë

Reforma në Drejtësi është mbështetur fuqimisht që në fillimet e saj, rreth dy vjet më parë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Kjo mbështetje i ka dhënë konsensus ndërkombëtar kësaj reforme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e vlerësoi në përputhje me Kushtetutën Ligjin e Vetting-ut dhe e la atë në fuqi, u vlerësua dhe u përshëndet fuqimisht prej tyre. Në një deklaratë për mediat BE nxit autoritetet e Tiranës të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Komisioni Europian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi Vetingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”, theksohet në deklaratë. Ndërsa SHBA-ja në deklaratën e saj u bën thirrje “të gjitha partive politike dhe drejtuesve të Shqipërisë të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese , të punojnë me shpejtësi, për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë”theksohet në këtë deklaratë. Kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke shkruar në rrjetet Sociale, se “Ata (PD) e vonuan por nuk mundën ta ndalonin atë.  Tani ka ardhur koha të shohim zbatimin e ligjit të Vetting-ut”.

Çfarë pritet të sjellë Vetting-u?

Vetting-u synon që në Shqipëri të mos ketë më të paprekshëm, që dora e drejtësisë të kapë dhe të dënojë jo “peshq të vegjël” si deri më tani por “peshkaqenë” , pushtetarë dhe zyrtarë të lartë të korruptuar duke nisur kështu shembjen e cultures së pandëshkueshmërisë, pothuajse “të betonizuar ” gjatë viteve të tranzicionit.  Të 71 nenet e tij përcaktojnë qartë se si do të realizohet procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata do të kontrollohen për pasuritë e tyre, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. Gjithë procesi vendimmarrës në vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve do të mbikqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Sipas ligjit, gjetjet e vëzhguesve ndërkombetarë gjatë procesit të vlerësimit janë një provë thelbësore. Nëse këto gjetje refuzohen nga strukturat përkatëse që do të bëjnë vetting-un, atëhere ato detyrohen të japin me shkrim arësyet e vendimit të tyre për një gjyqtar apo prokuror, që përjashtohet nga sistemi i drejtësisë si i inkriminur apo i korruptuar apo që mbetet në sistem. Në muajt e parë të vitit 2017 do të shihet ecuria e zbatimittë ligjit të Vetting-ut, por duke pasur këmbët në tokë reformës në drejtesi do t’i duhen vite që të japë rezultatet e saj.

Ligji i Vetting-ut dhe negociatat e anëtarësimit me BE-në

Zbatimi i ligjit të Vetting-ut dhe rezultatete tij në muajt e pare të vitit 2017 përbëjnë kushtin kryesor nga BE-ja për Shqipëinë për hapjen e negociatavetë anëtarësimit. Nëse rezultatet janë positive dhe të prekshme atëherë Komisioni Europian pritet t’u sugjerojë vendeve anëtare të BE-së hapjen e negociatave. Në prag të vendimit të (22.12) të Gjykatës Kushtetuese , PD ështe ankimuar në këtë gjykatë për një ligj tjetër të paketës kushtetuese të Reformës në Drejtësi, të votuar edhe me votën e opozitës më 22 korrik 2016. Fjala është për organet e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. PD-ja i këkon Gjykatës Kushtetuese që të shpallë antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji,pikërisht ato që kanë të bëjnë me mënyrën sesi Parlamenti zgjedh 10 anëtarët e këtyre këshillave. Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të shqyrtojë aneksën e PD-së brenda 4 muajve. Burime nga kjo gjykatë thanë për DW se ankesa e re e PD-së nuk e bllokon zbatimin e Ligjit të Vetting-ut.(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: hyn në fuqi, ligji i Vetting-ut, shqiperi

ҪKA PAS MURIT?

December 23, 2016 by dgreca

Kosovë-Serbi, dialogu në udhëkryq, muri vë në pah vështirësitë e procesit/

1-kosove-serbi

-Ministrja e Dialogut Edita Tahiri theksoi se muri te ura në veri të Mitrovicës do të hiqet dhe se  nuk ka qenë pjesë e marrëveshjeve e as e bisedimeve në Bruksel, duke e cilësuar atë si provokim i radhës nga ana e Serbisë/

2-muri

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezën e diskutimit “Dialogu në udhëkryq: çka pas murit?”, që kishte për qëllim të adresonte të vërtetat mbi murin në Veri, pasojat që sjell në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe format se si mund të zgjidhet kjo situatë.Pjesë e këtij debati ishte Ministrja e Dialogut Edita Tahiri, deputetë të Kuvendit të Kosovës Blerta Deliu-Kodra dhe Sadri Ferati si dhe diplomatë e përfaqësues të shoqërisë civile.Në hapje të kësaj tryeze, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi faktin se mungesa e transparencës ka krijuar një paqartësi tek qytetarët si shqiptarë ashtu edhe serb në procesin e  dialogut, rreth marrëveshjeve të arritura dhe përmbajtjes së tyre si dhe rreth efekteve që do të sjellin në jetën e tyre. Kryeziu shtoi ndër të tjera se KDI-ja ka marrë iniciativën për të fuqizuar rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërsa Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ndau me të pranishmit impaktin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi në shpërbërjen e strukturave paralele ilegale serbe, në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin e vendit si dhe në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ajo theksoi se muri do të hiqet dhe se  nuk ka qenë pjesë e marrëveshjeve e as e bisedimeve në Bruksel, duke e cilësuar atë si provokim i radhës nga ana e Serbisë.
Deputetja nga radhët e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, theksoi se ndërtimi i murit ka qenë shqetësim i të gjithë spektrit politik në Kosovë si dhe ka rënduar klimën politike në vend.
Ajo shtoi se dialogu ka prodhuar edhe efekte pozitive dhe se rruga jonë e vetme si shtet është dialogimi.  Ajo tha se nuk është mirë që përderisa ne përpiqemi të dialogojmë atje të na ndodhin ngjarje të tilla të papritura. Deliu-Kodra shprehu përkushtimin e saj për të rritur kërkesën për transparencë në këtë proces.
Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati, ka thënë se ne nuk e dimë nëse muri ka qenë pjesë e diskutimeve në Bruksel por ka thënë se çështjes së ndërtimit të murit në Veri të Mitrovicës duhet t’i qasemi si institucione. Ai theksoi se nuk duhet të lejomë që një muri të na zhvendos nga agjendat e rregullta. Ferati shprehu shqetësimin e tij për mënyrën se si qytetarët shqiptarë jetojnë në Veri dhe ka theksuar nevojën për mbështetjen institucionale për përmirësimin e jetës së tyre duke lënë anash retorikat politike.
Gjithashtu Ferati u bëri thirrje përfaqësuesve serb që të jenë më aktiv dhe  të dëshmojnë që e dëshirojnë paqen dhe bashkëjetesën.
Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit të KDI-së që synon fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë si dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ky projekt financohet nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu në udhëkryq, Kosove-Serbi, muri

“KIRURGU” I RUGOVES: NEGOCIATORET E KUFIRIT ME MALIN E ZI KANE SHKELE KUSHTETUTEN

December 23, 2016 by dgreca

KLUBI  I INTELEKTUALËVE   RUGOVAS”KIRUG”/

demarkacioni 1

Prof dr Riza SMAKA/ Kryetar/Kryesia   e Klubit të Intelektualëve Rugovas “ KIRUG”, në takimin e punës të mbajtur në datën 22  dhjetor  2016, filluar nga ora 16:00, në Prishtinë,  e përberë nga Prof dr Riza Smaka, Prof dr Mujë Rugova, Prof dr Ali B. Muriqi,  Prof dr Shemsedin Dreshaj,Prof dr Hysen Lajqi, Prof dr Jeton Kelmendi ,Prof dr Zymer Neziri, Prof dr Muhamet Mala,Prof dr Azem Lajqi, pas  diskutimit, njëzerit miratoi këtë:

D E K L A R A T Ë /

Komisioni Shtetëror i Republikës së Kosovës për Demarkimin e Kufirit të Kosëvës me Malin e Zi ( Komisioni për Demarkacionin), gjatë  negociatave me  Komisionin për Demarkacionin e Malit të ZI, ka  shkaktuar  këto  dy gabime  të kundershtimshme me Kushtetutën   si dhe në dëmin e integritetit territorial të   Republikës së Kosovës , nga se në vend të  negocimit   të mbeshtetur në  vlerësimin e  faktorëve  esencialë  dhe primarë    natyrorë( të determinuar nga  konfiguracioni   i  terrenit  ,siç janë   majat,  kreshtat, qafat,  ujëndarjet e ujërëniet, vargmalet ), gjeografikë,   gjeostrategjikë, historikë,  etnikë të balansuar,   ekonomikë, pronësor -Uti Possidetis , ka praktikuar  dhe trajtuar   vetëm kadastin ( sic) ,ndryshe,  komponentë e karakterit sekondar, subsidiar e kompmenentar! si dhe,  në vend të  demarkacionit  kufitar Kosovar- Malazez sipas  delimitacionit të bërë në shkurtin e vitit 1945 , të pandryshuar asnjëherë ,   jashtë mandatit të caktuar nga Kuvendi, ka praktikuar   delimitacion të rinjë  e ,për të qenë edhe   më keq,   tepër të dëmshëm për integritetin territorial të  Republikës së Kosovës ! kjo nga se, të territorin e Kosovës  , panevojshem,  padrejtësisht dhe  arbitrarisht e ngushton për 82.3 km2!  Sikundër dihet e me asgjë nuk  mohohet,  Komisioni për Demarkacionin nuk ka pasë autorizim për   delimitacion kufitar  të rinjë  Kosovar- Malazez, por, përkundrazi , ka qenë i mandatuar nga Kuvendi i RK-së qe , në bazë delimitacionit  egzistues, të sanksionuar  juridikisht nga rendi juridik i  YU II nga  viti 1945 – 92, të  aplikojë  demarkacionin në terren!Kufinjët ndërmjet  republikave dhe krahinave autonome ( Kosova dhe  Vojvodina ishin krahina autonome me territore të sanksionuara sikundër edhe republikat – shtetet e YU II) nga viti 1945 – 92  ishin të karakterit  administrativ e , rrjedhimisht , edhe sipas Komisionit  Ndërkombëtar për Zgjidhjene  Krizës Politike të YU II “ Komisionit të   Badinterit” linjat e tyre janë  promovuar dhe sanksionuar në kufinjë shtetëror!

Në  këtë kontekst ,  vlenë të apostrofohet fakti  relevant se , sipas  rendit  juridik e  sistemit kushtetutar të YU II,  të Sërbisë  dhe  të Kosovës, kufinjët  administrativë të Kosovës sikundër edhe të  republikave tjera të YU II, kanë qenë të sanksionuar dhe  është lejuar  ndryshimi i tyre vetëm në saje të pelqimit të Kuvendit të Kosovës dhe të kuvendit të  republikës  fqinjë tjetër. Kufiri administrativ   kosovar – malazez ( 1945- 92) përkatësisht kufiri politik ( 1974- 92 e vijimisht deri sot) asnjëherë jo që nuk është ndryshuar pos as nuk ka qenë temë debatuese. Seandejmi ,  linja kufitare kosovare malazeze e delimituar në  vitin 1945 ( Qakorr, Usovishte, Mokna, Hajlë, Shtedim-Kullë)  apo shkurtimisht Qafë e Çakorrit, Qafë  e Diellit, Kullë , ishte dhe mbetët meritorisht e  delimituar dhe e njëjta nuk mund të ndryshohet pa pelqimin e  organeve legjislative të entiteteve politike në fjalë.

Komisioni për Demarkacionin , është dashtë   që eksklusivisht , sipas mandatit imperativ nga Kuvendi që të negociatojë me  komisionin homolog për precizimin, konkretizimin dhe materjalizimin e delimitacionit në fjalë kurdoherë në përshtatje me faktorët  esencialë  të sipërtheksuar dhe në përfillje me rektifikacione përkatësisht  koncesionime territoriale ekuivalente por kurrsesi qe të akceptojë zgjidhjen kadastrale sipa së cilës Kosova padrejtësisht e panevojshëm  reduktohet për hiq më pak se 82.3 km2!  Ndaj Marrëveshja   e atillë për Demarkacionin   Kosovar – Malazez ,edhe pse e parafuar edhe nga pala kosovare , gjithnje juridikisht e pa aplikueshme ,  sipas  bindjes e qendrimit të KIRUG-ut  ( sikundër  të pjesë-s së konsideruar të botës akademike, shoqërisë civile,  opozitës parlamentare e 210 000 qytetarëve peticionistë tok me qindra mia  protestues publikë) kurrsesi nuk duhet , jo  të ratifikohet ,por ,as të prezantohet për  ratifikim. Eventualisht, nëse Qeveria aktuale qe quditërisht është persistente për  ratifikimin e Marrëveshjes në fjalë , nëpërmjet  bashkëveprimit joparimor me Kryesinë e Kuvendit e prezanton për ratifikim të njëjtën, KIRG-u , apelon  në ndërgjegjën  shtetërore e kombëtare të  deputetëve të kësaj legjislature qe atë Marrëveshje ta refuzojnë ,pa hesitime, me indinjatë  !

Qeveria e Kosovës ,   edhe sipas funksioneve të përcaktuara me dispozitat e neneve 93 & 94 te Kushtetutës, do të duhej qe, përfundimsht dhe seriozisht të ndryshojë qendrimin e deritashëm për ratifikimin e pakusht të Marrëveshjes për Demarkacionin ashtu që , vendoshmërisht dhe energjetikisht të   angazhohet për  demarkacionin  kufitar të vendit tonë konform me delimitacionin e  kufinjëve administrativë të republikave e krahinave të   ex YU II ( 1945- 92)   përkatësisht të Kosovës dhe Malin e  Zi , i cili , rrjedhimisht, me dokumente   politike – juridike ndërkombëtare është   pranuar  dhe konfirmuar  për  linjë  kufitare ndershtetërore ( Komisioni i Badinterit, Rezoluta 1244-99 e KS të OKB-së, Propozimi i Ahtisarit për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës..)

KIRG-u, i gjykon të  quditshme  dhe iracionale  angazhimet  e kryeministrit Isa Mustafa, i cili ,edhe në kohë të fundit , në vend të pozicionimit për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit , gjithnjë angazhohet pro  ratifikikit të Marrëveshjes  për Demarkacionin,  të mbështetur, në vend në  faktorët   relevantë ,vetëm në  të dhënat kadastrale sekondare, subsidiare e suplementare dhe për aq problematike dhe të dëmshme për vendin tonë!

KIRG-u i gjykon për sjellje e veprime  negative  dhe aspak të pranueshme përpjekjet e pa legjitimuara politikisht dhe të pakualifikuara profesionalisht  të disa individëve , të  cilët , duke llogaritur në  funksione publike apo financiare  aktualisht  të volitshme ,të cilët  ,kryesisht , për hirë të favoreve pushtetare, agjitojnë dhe propagojnë pro ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin Kufitar Kosovar – Malazez  në verzionin e tashëm të  bazuar ( në vend në të dhënat primare :  gjeomorfologjike, gjeostrategjike, gjeopolitike,  etnike, pronësore, historike veçanërisht në të drejtën e fituar nga viti 1945 )  vetëm në faktorin kadastral, ndryshme të karakterit   sekondar eventualisht   subsidiar e komplementar !

KIRUG-u edhe në këtë rast  prononcohet për  demarkacion ndërkufitar të vendit tonë me Malin e Zi të bazuar në delimitacionin nga viti 1945 ( të cilin, koincidentalisht e kanë   disajnuar vetë malazezët  në krye me Millovan Gjillasin, Milladin Popoviqin,  Svetozar Vukmanoviq Tempo-n ,etj) i cili si i tillë figuron edhe në hartat zyrtare të Malit të Zi,  të  Sërbisë, të YU II, Kosovës , në tekstet  shkollore, universitare e shkencore , në enciklopeditë bashkëkohore të shteteve në fjalë si dhe të shteteve tjera.Poashtu,  KIRG-u , shtetin Malin e Zi e falënderon për pranimin e vendit tonë për shtet të pavaruar e  sovran  si dhe është i  përcaktuar për  kultivim të marrëdhënieve fqinjësore të mira e të qendrueshme ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

KIRG-u , nga shkaqe politike e pragmatike , duke e abstraktuar dimensionin e faktorin historik   para vitit 1945,   angazhohet dhe thekson se

  • kufiri Kosovar – Malazez duhet të sanksionohet në linjen Qafë e Çakorrit, Qafë e Diellit, Kullë, të   fiksuar dhe të sanksionuar  me delimitacionin e vitit 1945,
  • kufiri i tillë do të mbetej i pakontestuar dhe si i tillë i qendrueshëm dhe
  • do të krijojë parakushte të volitshme për kultivim të raporteve  shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, shkencore, sportive reciproke të  dobishme ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi!

 

Kryetari i KIRUG-ut

Prof dr Riza SMAKA

Prishtinë, 18  dhjetor 2016

 

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni. Kosove, I INTELEKTUALËVE, klubi, Mali i Zi, RUGOVAS"KIRUG"

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT