• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një vrimë e çmendur po çmend një vend

December 25, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Mund të bëhet një analogji fare e thjesht me disa vargje nga Dritëro Agolli. ”Në vendin tim, në vendin tënd/ një kokë e çmendur po çmend një vend” … Analogji me vrimën e këtyre ditëve. Thjesht thuajeni për qejf. Një kor pa fund bubuzhelash nate. ”Në vendin tim e në vendin tënd/ Një vrimë e çmendur po çmend një vend.” Po thuajeni. Kënaquni. Vazhdoni më tej…, ”Në vendin tim e në vendin tënd/ e shpojnë lakrën i fusin mend./Në vendin tim në vendin tend/ Ty të kërruhet tjetrit i dhëmb”.
Një analogji krahasuese, si përshpirtje. Eshtë eksituese kur bërtet në kor.
1)Një burrë, po burrë ama. Nga ata të shtetit shqiptar…, para do kohësh. E zunë gafil në mes të Tiranës duke ndjekur një vrimë. Me makinë luksoze. I përgjërohej. I lutej të kthehej. Të shkonte me ‘të. Po vrima nuk ia vari. U bë gazi i botës i ziu.Tashmë për inatin e asaj vrime. I vërsulet poezisë. Çfarë nuk thotë. Vë në diskutim ekzistencën e poezisë. Prirjen që herë vjen musht i ambël, fllad vere, cigmë dimri. Dhe herë vulgaritet shtresash. Apo intimiteti. Por çështja nuk është vulgariteti, por gjëndja.
Burri i shtetit shqiptar për vrimën e ndoqi atë femër. Për vrimën iu përgjërua. Për çfarë e ndjekim tjetër një femër. Nëse e mendojmë femrën pa atë, vrimën tmerronjëse. Atëherë jemi për t’u mishëruar. Bëjmë sikur, pasi nuk ndjehemi të dashuruar. Nuk ka dashuri pa atë vrimën. Ka, bëjmë sikur. Dhe mjerë fati që na ka rënë për pjesë.
Megjithatë burri shqiptar, demi, kau i atravuar me makina luksoze, që ndoqi një vrimë. I ka pshurrur në kokë hazdizjes që e bëri gazi i botës. Atij në fakt që ishte dhe qënia e gjallë brenda tij. Njeriu i vërtetë. I është kthyer poezisë me një batalion fyerjesh. Dhe shumë nga ne…, e duartrokasim. Çfarë paradoksi.
2)Florentino Arisës një indio nga karaibet. Iu desh një jetë e tërë që të arrinte tek dashuria e tij e madhe. Ajo quhej Fermina Dasa. Gjithë jetë shkriu. Deri sa kapi mbrëmjen e mbrame kur në një deltë lumi mënjanoi jahtin e tij. Diku nën një hënë të kulluar. Diku mes Amazonias dhe shuguritjes së bulkthit. Dihatjes së botës së nxehtë. Kur e ndaloi në rrugë. Dhe shprehu dashurinë Ferminës. Nuk ishte veç një djalosh me xhepa të zbrazët. I varfër, por i fort. Fermina nuk e pranoi. Atëhere ai u pasurua. Iu desh më shumë se pesëdhjetëvite. Iu desh koha në mes dhe vitet që rridhnin si ujët e lumit. Në fakt Fermina nuk e pranoi për çështë të kamjes. Apo varfërisë. Por ishte shkruar ashtu. Ashtu e degdisi Zoti atë dashuri. Megjithatë, rendi për t’u bashkuar erdhi. Ai shkoi natën vonë në dhomën e saj. Ajo e priste me derën hapur. Fikën dritat për të mos parë rrudhat e trupave të tyre. Dhe i thanë kapitenit që të mos e ndalonte më kurrë dhe askund jahtin dashurisë. Pra fundi nuk ishte asgjë tjetër, vrima. E shenjta dhe prostituta. Ashtu si vet poezia e jetës tonë.
3) Nga viti 2000, bagazhin e makinës time e gjeje gjithmonë me libra. Aty rrëmonte shpesh një burrë po prej shteti. Dikur më kërkoi një libër. I thashë me humor se nuk ka çmim për atë. Hodhi njëqind mijë lekë dhe e mori. Bëhej fjalë për vëllimin poetik ”Hukamat e Venusit”. Një krisje e bukur portike, e bardit, poetit plak…, Pano Taçi. Një libër plot dalldira të çmendura nga imagjinata njerëzore rreth seksologjisë. Kur ia thashë poetit, nuk u habit. Madje isha unë që bëra habi. Ai më tha i menduar se që nga 1997-ta, kur e kishte nxjerrur për herë të parë. Ai libër ashtu ishte shitur. Doras, dhe dhjetëfish. Për çfarë bënte fjalë tjetër, për vrimën. Për atë që na djeg dorën. Por që ne nuk përtojmë të digjemi.
4)Kurrë më parë se në këto tri ditë. Ditët e mëdha të Krishtit. Në këto njëzet e pesë vite demokraci. Nuk është hedhur kaq shumë gur mbi poezinë. Kaq shumë gur mbi një poete me emrin Rita Petro. Kaq shumë gur mbi një Çmim, që në një farë mënyre, në kulturën shqiptare është meritokraci e shoqërisë. Ose shkërdhatokraci e quan Dritëro Agolli. Por nganjëherë varet se cili mik ta jep atë çmim. Kësaj radhe i qëlloi Edi Ramës. Dhe Ritës iu vërsulën për së pari kritizerët demokratë. Ata që heshtën kur Berisha lavdëroi Ledi Gagën. Një vrimë absurde e botës moderne. Për së dyti, inatçorët e Ramës, nga krahu i majtë. Ata që pasi u kënaqën kur panë cullak në plazhet e Francës. E bën kryeministër me një milion vota. E mbasandaj të thjeshtit që ndjekin flamurtarët. E më fatkeqit në këtë versje llumi, edhe militantët e fjalës. Sidomos ata që shkruajnë, jo se u ka thënë gjenia brenda vetes. Por etja për të marrë çmime. Ata që ngrysen, gdhihen, ecin, shkruajnë me mendjen vetëm tek çmimet. E kësisoj bash në ditët e Zotit, poezia, Shën Maria apo Shën Prostituta do goditej me gur. E natyrisht përmes saj edhe autorja.
5)Në fakt askush nuk e kupton që ajo çfarë shkrua poeti, nuk i përket poetit. Por ne. Nuk i përket jetës së poetit. Por tonës. Banaliteti që u duket disave, nuk vjen nga poeti. Por nga ne. Herezia seksuale, që shohin disa të tjerë, nuk vjen nga poeti. Por nga ne. Merita e poetit qëndron në ekzistencën sociale si individ që shikon dhe guxon më shumë. Në kuptimine të padukshmes, ndjeshmërisë dhe tabuve. Tenton dhe eksperimenton. Sjell atë që nga njëra anë ne paradoksalisht përgjërohemi. Dhe nga ana tjetër harbutërisht të shënojmë me gisht, të dhjesim në kokë. Të bëjmë nishan krahasues, ose simbol të të sharit. Aq sa tjetrit të dridhet syri, kur të shohi se si pranveron një lëkurë gruaje me pak bimza hepimesh aty-këtu. Ky devijimi që i bëjnë jetës inatçorët, dështakët, burrecët. Duke na mbajtur historikisht në paradoksin midis asaj që është dhe asaj që quhet llafe. Në një farë mënyre, të gjithë burrat janë pamja e zagarëve në kohën e ndërzimit të buqeve. Por s’ke çfarë i bën, kur të bie për pjesë gjëma e mëkatit. Që nuk është asgjë tjetër, jeta jonë po patradoksale.
6)Tani diçka për ata që i njohin vetëm një anë poezisë. Që hera-herës postojnë strofa nga autorë të huaj. Ka autorë në botë që veç pamjes estetikisht të pastër nga morali. I janë kthyer edhe mizerjes. Ia janë kthyer edhe bordurave të shalëve. Edhe tragjedive nga oborret aristokrate apo ato në kasollet fatkeqe të bujkut. Sepse poezia në përgjithësi me gjërat e jetës merret. Përshembull amerikani me prejardhje gjermane Çarls Bukovksi është një shembull i tillë. Princi i jetës rurale, i mizerjes. Kështu e thërrasin. Nuk ka vetëm fjalë të zbuluara lentesh, por edhe të zhveshura. Nuk ka vetëm ndjesi sipërfaqësore për lëkurën, gjirin e gruas, barkun etj. Por edhe për zorrët në ‘të. Problemi apo banaliteti nuk qëndron në faktin se çfarë shikon dhe sjell poeti. Por në atë se sa të përgatiru jemi ne. Të dëgjojmë një suitë muzikore të tillë. Dhe rruga është e hapur. Nuk të pëlqen, vazhdo si një udhëtar. Mbylli sytë. Mos harxho as frymë. Dhe as pështymë. Pasi nuk janë gjëra të poetit, por të jetës. Janë rrobat e trupit që ne ia dimë përmendësh gjymtyrët.
7)Në poetikën tonë (…me kaq pak histori. Edhe pse jemi një komb i lashtë…) janë një aradhë e bukur zërash femëror që sjellin virtualitet detajesh ndryshe. Por pak janë…, ca lule aty-këtu. Kjo poetikë mbahet aty-këtu si rrobat në gozhdë. Tek emrat e tyre. Një nga këto gozhdë është edhe Rita Petro. Them kanë tentuar ndryshe, për natyrën tonë si shqiptarë. Ose për kulturën tonë ca mashkullore në kuptimin që gjoja mbahet vetëm prej burrash zamani. Në fakt jemi një grafomani orientale. Poezi që kanë hapur sipare. Dhe që bukur një gozhdë tjetër diku në Kosovë, me emrin Flora Brovina. E ka cilësuar, grarinë, si ”bimë e zë për tokën e tharë”. Që duhet të kuptojmë tokën mashkullore orientale. Përshembull në fillim të viteve 90-të. Poezia e babait të dashuruar e Rita Petros, apo ”pesë fustanet”, janë tregues të qartë të prurjes ndryshe.
Të fakteve gjysmë të zbulura, të thëna dhe të pa thëna.
Por kjo është jeta jonë. Me ato që edhe pse ekzistojnë, ne na duken blasfemi. Na duken vulgaritet.
Dhe me që jemi në ditëlindjen e të madhit Zot. Ta gjuaj me gurë muzën ai që ka këtë kurajo të jetuari. ”Të duash të rrëfehesh/ Para njerëzve të tu më të dashur/ Pa pritur çastin e vdekjes/ E t’u thuash – Baba, ka shumë kohë që të kam tradhtuar!/ – Burrë, ka ca kohë që të kam tradhtuar!/- I dashur, ka që dje që të kam tradhtuar!” Janë vargje të Ritës, që guxon në kompleksitetin tonë paradaksol. Thjesht dhe vetëm për të na treguar. Këta që jemi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, një vend, Një vrimë e çmendur, po çmend

MITET QË MËSOJNË!

December 25, 2015 by dgreca

(Mbi një kauzë të djegur dhe “ndërgjegjen e dhjamosur”)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
1.”Kur Krezi të kalojë lumin Halis, do të shkatërrohet një mbretëri”. Kjo kje përgjigja që i dhanë priftërinjtë e Delfit kërkesës për profeci, nga sovrani i Lidisë se si do të ftillohej e përfundonte beteja me persët flokëgjatë. Dhe ai u gëzua shumë e mori krahë. Por do të deshpërohej thellë më pas. Nuk ishte e armikut, por mbretëria e tij që do të shkatërrohej!
Shenjat e kryepriftëreshës që shkumonte si e goditur hënëmarrokshëm tek jepte mesazhin fatthënës, interpretët i përçonin dinakërisht në mënyrë sugjestive: që ashtu të dilte prorë fjala e saj…Ç’ishte rëndësore, prandaj, e parathënmja do të realizohej plotësisht dhe orakulli do vijonte të mbështillej me hirin e mistershëm…
Do t’më kujtohej kjo dromcë antike, kur gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi këtij dimri shtjellën e saj mjegullore të gjahut politik. Isaja e Hashimi, përmes ndërmjetëses së tyre të bindur, i dërguan asaj lutjen për zbardhjen e së drejtës së ndërdyshuar mbi Entitetin serbian të veriut, të negociuar e firmosur me entusiazëm ngadhnjyes në Bruksel. Dhe Kushtetuesja, posi koncili dinak priftëror, u tha dykuptimshëm: me tu bërë e ditur kjo profeci-vendim, një kauzë do të nisë e digjet.
Por, vallë, cila? Ata, të tronditur e bashkuar si kurrë rreth bëmës së përbashkët, presin ankthshëm të digjet e armiqëve (se, pos tyre, nuk kanë armik tjetër!). Veçse, me gjasë, aritmetika kalkuluese nuk do dalë lehtësisht e saktë. As intonacioni i lojës taktike nuk do të ketë tingëllimin e bindshmërisë. Të gjitha zgjidhjet duhet të venë drejt së kundërtes: të thyhet e bëhet pluhur kauza e tyre e poshtër: afeksioni patogjen për të tregtuar toka e të drejta shqiptare..

2.
Lëndëshkelja kushtetuese dhe autorët e saj, janë të ndryshëm. Të tillë do të jenë, natyrisht, dhe shkalla e fajsisë apo konsekuencat penalizuese të saj.

Kushtetuta mund të shkelet për një ndriçim udhësh kur s’ka nëvojë, për një të drejtë ndihmash sociale (si ndodhi me një procedim të Karlsruhes, pas ankesë-sqarimit të një voglusheje), pastaj, tutje, për shamitë a barkcullakimin e vajzave. E të tjera. Po kjo instancë që foli këto ditë, pat rrëzuar dy Presidentë: Pacollin dhe Sejdiun për cënime pasojash krejtësisht më të vogla për ecjen e vështirë të Republikës së re. Madje, do t’bëheshin shkas për një provë të mundshme trollëzimi të kulturës demokratike. Mirëpo rrëzimi i Isasë e Hashimit është ndryshe. Është ultësisht madhor. I ulët për krimin dhe madhor për refuzimin: deshën ta rietablojnë fshehtas Sërbinë e humbur në Kosovë! Atë që kishte fituar djemëria e përgjakur dhe aleatët atllantikë në një orë të dhuruar historie, do ta dorëzonin vetë, shtruar e qetësisht, – në tavolinën e blertë!
Kisha shkruar më herët, duke bërë pyetjen logjike se si do pozicionohej dyshja mëkatare nëse Kushtetuesja do të verdiktonte ndryshe? Me ndjesi e kuptim shteti, apo? Pritmëria e tillë do t’ishte në kufijtë e absurdit. Koncepti i tyre është një miksurë tragjike e otomanizmit (kur sundojnë klanet e familjeve të mëdha), bolshevizmit (kur fuzionohet parti-shteti) dhe mafiokratizmit (kur krimi pushtetohet e bën ligjin mbi gjithçka)… Rezultoi, pra, pikërisht makthi i paralajmëruar: ata deklaruan ngutshëm e cinikisht se jemi legalistë dhe, që këtej, njohim pa hezitim vendimet e epërme konstitucionale!
Ç’ironi! Po vepra e krimit? Faji i pakonsumuar dhe dënimi i tij?
Ndaj, rrjedhimisht, gjyqi që duhet tu bëhët atyre, nuk mjafton të jetë vetëm moral. Apo veç politik. Gjyqi i tyre duhet të jetë ose penal ose popullor! Në shoqëritë vërtetësisht të lira, ky është epilogu i dramës. Ndryshe, e keqja përpetuohet pambarimisht si një ndëshkim i shkruar nga erinitë. Pas hashimisëve të tashëm, do të vinin hashimisët e rinovuar t’një kohe të dytë dhe, kështu, në rreth të mbyllur e paprerë, derisa subatanca e fundme e shtetit të bie si një ngrehë balte, që shkërmoqet nga era dhe shiu..!
3.Gurra e referencave është vërshuese për ata që, së paku, kanë dhuntinë e vullnetit për dije…
E do t’përthithin nektarin e saj nga urtakët, e, poaq, nga demoniakët, që kanë lënë pas dhe shkolla mendimesh e moralesh kontradiktore…
“Fjala duhet të rrezatojë dashuri në komunitet”, thotë, fjala vjen, Libri i vjetër.
Kurse Adolfi gjakbërë, madje dhe ai, aniqë në kulm cinizmi të rrallë, pohonte se “e drejta e qytetarit rrëzon të drejtën e shtetit”.
Ndërkaq, frëngjët, midis këtyre dy kohëve e gjasëve, patën përligjur qyshkur kryengritjen kundër qeverisë, kur ajo do t’merrte n’për këmbë interesat popullorë.
Por kur kasta e denigrantëve, mjerisht, nuk mëson dot dhe në vend të dashurisë – përhap urrejtje dhe, pastaj, në vend të së drejtës së qytetarit – është e drejta e shtetit që shkallmon atë përtokë, ç’i mbetet tjetër një kombi të organizuar? Gjithësesi frymëzimi i ligjshëm që përcaktonte qytetnia e atdheut të Marsejezës, e atyre “që kanë mall për revolucione” : përmbysja me çdo mjet e çmim i zogorisë që kall e bën hí ardhmërinë!..
Si do ta kap sensi kolektiv këtë mesazh të epokës? Kur të heqësh dorë nga lufta, ke hequr dorë nga jeta e madhe..Dhe asgjë, do të pohonte Niçe në vend të përgjigjes, nuk është aq pak objekt i zilisë sonë sa kopeja morale dhe lumturia e dhjamosur e ndërgjegjes së qetë…
Njëmend, a nuk fton ky mot ngjarjesh të mëdha trazim kundërshti e jetë të madhe?…
Berlin, dimër 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: mitet qe mesojne, Rexhep Kasuma

Mos-harresa, parakusht për pastrimin e memorjes historike dhe aktuale

December 25, 2015 by dgreca

*Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë/
*Prof. Dr. Nusret PLLANA, Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884-1999, botimi i gjashtë i plotësuar, Arkivi Shetëror i Kosovës, 2015/
Nga Prof.dr.Don Lush GJERGJI/
Përgëzoj Autorin Prof. Dr. Nusret Pllaën dhe Arkivin Shtetëror të Kosovës, si dhe bashkëpunëtorët recensentë dhe përkthyesit për punën e madhe dhe meritore të kësaj monografie, e cila dëshmon tmerrin dhe ferrin që kemi pësuar dhe mbijetuar me dekada dhe shekuj. Kjo, në një anë paraqet, dokumenton dhe dëshmon fuqinë e së keqes, frytet e urrjtejes, punë dhe dëshirën për asgjësim dhe shkatëriim të një populli që ka një “faj” të madh dhe të pafalshëm: “Jemi gjallë dhe jemi Shqiptarë”, prandaj duhet t’na asgjësojnë me çdo mjet, mënyrë dhe kohë.
Ana tjetër është “mrekullia e mbijetesës sonë”, e cila s’ka shpjegim tjetër përpos këtij: Zoti nuk e deshi zhdukjen tonë, populli qëndronte, pësonte, vuante, vdiste, masakrohej, por ishte i motivuar dhe me plotë vullnet për jetë, atdhedashuri, vëllazëri gjithëshqiptare. Pra, ndihma e Zotit, aty – këtu edhe e popujve miq, vëllazëria jonë ishte më e madhe dhe vendimtare për mbijetesën tonë.
Në këto dy “binarë” apo peshojë duhet ta masim këtë libër – testament, që na mundëson dhe dhuron Prof. Dr. Nuser Pllana, si qortim dhe klithje e së kaluares, si përcaktim që ne kurrë dhe me askënd mos të sillemi keq, si “Terrori i Sebisë Pushtuese..”, por ta përkujtojmë, nderojmë dhe çmojmë këtë histori dhe martirizim që është mbjellë dhe shkruar me shumë lotë, djersë dhe gjak, për ne dhe brezet pas nesh.
Kjo tokë e bekuar arbërore, në gjiun e saj ruan lashtësinë, autoktoninë, martirizimin, flijimin, dhurimin, atdhedashurinë, martirët e lashtë dhe të afërt, nga Shën Flori dhe Lauri dardan, nga Ulpiana historike, deri te martirët anonim dhe pa varr të fëmijëve, grave, pleqve, plakave, luftëtarëve për Liri dhe Pavarësi, në krye me Adem Jashin dhe shumë të tjerë, për Paqe dhe Pajtim, për bashkëjetesë dhe përparim njerëzor, kombëtar dhe gjithënjerëzor.
Për mua ishte dhe është vështirë shikimi i këtyre pamjeve rrënqethëse dhe tronditëse, leximi dhe meditimi i këtyre fakteve, e jo më përjetimi, përkujtimi, gjallërimi i tyre në mendjen dhe zemrën tonë. Ky kujtim na përndjek dhe shtron këso pyetje dhe qortime: Ne bëmë gjithça për ju, për mbijetesën tonë dhe tuajen, deri te asgjësimi, dëbimi, dhunimi, masakrimi, deri edhe tretja e gjurmëve tona, eshtrave tanë, pa varre, emra, shënime, vizitorë… E ju, a i dini dhe përkujtoni së paku këto ngjarje, apo na keni harruar dhe përjashtuar? Kjo do të ishte vrasja jonë e dytë, nga ju, pasardhësit tanë, më e rëndë se e para!
Shi për këtë urtia jonë popullore thotë: “Mos na nemshin të parët dhe varret tona”, sot po i them unë vetvetes dhe juve, populli ynë shqiptar!
Gjatë këtij promovimi, thënë të vërtetën, jam i hutuar dhe i shqetësuar shumë, sidomos për mospërfilljen tonë të jetës dhe flijimeve të tyre, për mungesën e njohurive, moskujdesin, harresën, deri te injorimi i gjithë këtyre ngjarjeve dhe personave, duke u nisur prej fëmijëve të vegjël, të pambrojtur dhe të pafajshëm, deri te gratë, pleqtë, plakat tona, mos të flasim për luftëtarët tanë në krye me legjendën Adem Jashari dhe flijimtarëve tjerë në stilin e tij.
Në kokën dhe ne zemrën time “bluajnë dhe vlojnë” disa mendime dhe përjetime, shqyrtime dhe përsiatje të pashmangshme.
• Populli thotë: “I meçmi shkruan, i marri mban në mend”, që për ne mund të thuhet jo vetëm për të kaluaren tonë, por edhe për të tashmen e afërt dhe bashkëkohore.
• “Pa histori nuk ka as ardhmëri”, sepse ka ndodhur vetëm ajo që është shënuar, siç tha dikush në stilin cinik dhe ironik, apo si thotë fjala e urtë latine: “Verba volant. scripta manent” që domethënë: “Fjalët fluturojnë, shkrimet qëndrojnë”.
• Kush nuk e njeh historinë të shkruar me djersë, lot dhe gjak, për mua është ‘analfabet’ i rëndë, sepse i shkel dhe poshtërson flijimet e të parëve, prandaj, në një mënyrë mund të themi se është “kriminel” dhe “bashkëkriminel” me ata që na kanë vrarë, dhunuar, djegur dhe përjashtuar, janë munduar të na shfarosin nga faqja e dheut, deri edhe na i kanë tretur varret, eshtrat, gjurmët në trojet tona iliro-arbërore. Mungesa e njohjeve sa më të sakta të këtyre ngjarjeve, është po ashtu edhe mungesë e nderimit dhe falënderimit ndaj të parëve tanë martirë, ndaj së kaluares tonë të përgjakshme dhe të lavdishme, ndaj djepit dhe rrënjëve tona të lashta burimore arbërore, martire, pa të cilat s’ka të tashme dhe të ardhme.
• Prof. Dr. Nusret Pllana është munduar që ta “mbulojë” disi këtë zbrazëti dhe mangësi jetësore, duke bërë atë që është detyrë e institucioneve tona shtetërore dhe kulturore. Mos të harrojmë se mungesa e nderimit dhe falënderimit ndaj vuajtjes, flijimit, dhurimit, gjakut të të parëve , është “vetëvrasje shpirtërore dhe morale” e një populli, siç po ndodhë shpesh me ne sot dhe këtu, të robëruar dhe kufizuar, mos të them të vërbuar, pa pamje historike, perspektivë dhe ardhmëri.
• Përfundimi im dhe ynë do të ishte ky, si një lloj betimi dhe përcaktimi jetësor: “Mos u harroftë dhe mos u përsëritë kurrë më ndër ne dhe askund në botë!”
Ky vëllim “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1884 – 1999”, botimi i gjashtë i plotësuar, është një faktologji e pamohueshme, me fjalë, me të dhëna, me emra, mbi të gjitha me fotografi rrënqethëse dhe tmerruese, që doemos prekin mendjen, trondisin zemrën, mjegullojnë arsyen dhe shtrojnë shumë pyetje pa ndonjë përgjigje. E vetmja përgjigje për ne është kjo: kush udhëhiqet nga e keqja, jeton vetëm për të bërë keq, tejkalon çdo kufi dhe shndërrohet në çmenduri dhe fatkeqësi për ne dhe për të tjerët. Dhe e keqja, sado që duket e fortë dhe, sunduese, është gjithmonë më e dobtë se e mira, e drejta, e vërteta, jeta dhe dashuria. Shi për këtë ne jemi të përcaktuar për vlera dhe virtyte dhe në asnjë mënyrë nuk e pranojmë logjikën dhe sfidat për të keqe, urrejtje, hakmarrje. Mos-harresa dhe kujtimi është parakusht për pastrimin e memorjes historike dhe aktuale.
Prishtinë, 23 dhjetor 3015 Prof.dr.Don Lush GJERGJI

Filed Under: Analiza Tagged With: don Lush Gjergji, mos-harresa, parakusht

Vox audita perit, littera scripta manet*

December 23, 2015 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/
Në këtë çerek shekulli, shqiptarët kanë bërë progres në shumë fusha, më kryesorja, janë të lirë si kurrë më parë… Gjëja që kanë mbetur në vendnumëro është psikologjia! Megjithëse kafazi i hekurt i komunizmit u shkri, gjykimi dhe veprimi duket i njëjtë. Duke lexuar gjithë këto ditë për 25 Vjetorin e rrëzimit të komunizmit të vjetër, konstatoj se, sinqeriteti dhe e vërteta na mungon, ose e fshehim për qëllime të vogla. Shumë nga të njohurit e mi erdhën në këtë 25 vjetor me kujtimet e veta, kujtime dhe pse disa i sjellin në formën e tyre, vlejnë si dëshmi të një këndvështrimi historik dhe si një përpjekje për të sjellur diçka ndryshe me ato që dimë dhe jemi mësuar…
Deri këtu ne shohim përpjekjet për të mos harruar. Por, kur ne shohim se si disa kanë dëshirë për t’u bërë faktor vetëm me një ditë demonstratë, apo me një aparencë ca ditore në një zyrë, me ndonjë shkrim të cunguar që nuk i shërben askuj, biles dhe atij që e shkruan… Këtu kemi problem… një problem të madh! Latinët shpreheshin: “Vox audita perit, littera scripta manent”, që do të thotë, “Fjalët e thëna vdesin, por fjalët e shkruara mbesin”.
Kohë më parë, kam qenë zyrtar në PD Shkodër. Pas ngjarjes së 2 Prillit, po mblidhja dokumentacionin e nevojshëm për ngjarjen (të cilat më pas Ali Spahia i paraqiste në parlament), më erdhi një person i quajtur F.GJ. Në dorë mbante një plumb pistolete Makarov (pistoletë që mbahej nga zyrtarët e lartë të PP-së, apo oficerët e lartë të sigurimit), dhe ai nis e tregon historinë plumbit: “Isha duke kaluar tek Komiteti Ekzekutiv, kur plumbi u përplas në qoshen e trotuarit, e mora për ta mbajtur si dëshmi për të treguar që kriminelët e PP-se, gjuanin në rrezen që përfshin dy godinat, midis KPP-së dhe KE”. E falenderova për kujdesin… Kaloi ca kohë kur e shoh përsëri personin në fjalë. Ai erdhi tek zyra me disa të tjerë dhe u drejtua nga shokët e tij, por me sy nga unë: “ Alfonsi, e din se me 2 Prill, sigurimi i shtetit ka qenë duke më ekzekutuar! Biles, plumbin që më ka shpuar pantallonat u përplas në qoshen e trotuarit dhe unë ia kam sjellur Alfonsit për dokument, apo jo Alfons?” E shikova me habi dhe nuk po u besoja veshëve. Ai kërkonte që sajesën e tij ta bëja të njohur në shtypin e kohës. E shikova personin e njëjtë, por me një dëshmi krejt të ndryshme nga version i parë, tek “shkumbëzonte” kundër komunizmit dhe vrasësve që përpak i “morën” jetën heroit të gjorë… U çova në këmbë, e mora më vete dhe i tregova se versionin e parë e kisha shkruar në ditar, kurse të dytin nuk do ta shkruaja për arsye se i binte ndesh të parit… Ai u skuq dhe u largua sëbashku me miqtë e tij për mos u takuar me të për një kohë të gjatë. Pas disa vitesh e takova, por biseda e plumbit “vrasës” nuk u zu më në gojë… Sikur ta shkruaja një gjë të tillë do më rëndonte në ndërgjegje terë jetën. Kësisoj gënjeshtrash dhe spekullime kanë ndodhur jo rrallë herë, jo vetëm me mua, por dhe me disa shokë të mi… Rasti në fjalë ndodhte shpesh me emigrantët që kërkonin për të fituar azil politik në perëndim. Unë nuk kam parë asgjë të keqe për t’i ndihmuar, po aty për aty krijohej një vetëgënjeshtër, duke krijuar heroin e pa qenë… Pikërisht këto “heronj”, prej lapsit të papërgjegjshëm krijuan armatën fallso të heronjve që rrëzuan komunizmin. Në hapjen e Kishës apo Xhamisë apo në demonstrata shoh emra që kërkojnë të bëhen lidera, pa i njohur askush. Biles ata, pa iu skuqur fytyra, na tregojnë ne dëshmitarëve të gjallë se kush ka qenë apo kush nuk ka qenë në këto lëvizje. Fatmirësisht dhe fatkeqësisht nuk kam munguar asnjë sekond në ngjarjet historike dhe dramatike që ka kaluar Shqipëria, që nga viti 1990 deri në vitin 2000, dhe i njoh ato ngjarje si drejtues dhe pjesëmarrës dhe jo nga zyrat apo telefon i prishur… E kam thënë dhe herë tjetër, nuk merrem me kalimtarët, por me përbërësit faktorë, të cilët në momente të caktuara kanë punuar për demokraci…
Në ato ditë të vështira jam takuar me Tefalin Malshytin, Mond Bushatin, Shenasi Ramën. Me Tefalin Malshytin jemi takuar para Kafes së Madhe dhe i kam sugjeruar se ato duheshin t’i ndërronin kërkesat nga ekonomike në politike, nëse dëshëronin përkrahjen e gjerë të njerëzve. Këtu kisha parasysh frymën dhe qëllimin e protestave të 14 Janarit dhe 16 Qershorit, në të cilat shkodranët demonstruan qartazi dhe në masë kundër komunizmit. I shqetësuar ia përmenda dhe Kolec Ndojës, që ishte mik i imi që përpara lëvizjes. Koleci, Mond Bushati dhe Tefalini ishin ndër studentët më aktivë në ngritjen e Degës së PD-së Shkodër. Shenasiun, Arben Likën, Arben Ibron, Arben Okajn dhe Arben Brocin, i takova gjatë atyre ditëve. Shenasiu dhe Tefalini vinin në cilësinë e të deleguarve nga Tirana, ndërsa një pjesë e të tjerëve, megjithëse vazhdonin intensivisht angazhimin e tyre në lëvizjen studentore në Tiranë, u bënë pjesë e qenësishme e strukturave të degës së Shkodrës. Siç kam thënë dhe më parë, Shenasiu gëzonte një nivel kulturor më të lartë se të tjerët dhe ideologjikisht ishte më i qarti ndër studentët që kam takuar. Tani, pas 25 vitesh, përvoja na ka pasuruar të gjithëve në fushën e koncepteve mbi demokracinë, ndaj dhe është e natyrshme që të ndjejmë keqardhje që idealet e ëndërruara dhe të shprehura me aq pasion në fillim të nëntëdhjetës janë ende larg finalizimit, dhe këtë besoj se e ndjejmë të gjithë, por ky fakt s’ka pse të na pengojë të shprehim respektin, mirënjohjen dhe vlerësimin ndaj gjithsecilit që ka kontribuar në lëvizjen demokratike, një lëvizje e ndryshimeve të mëdha historike. Lista është sigurisht shumë e gjatë. Megjithatë, siç u shpreha më lart, kryesorja u bë! Mendimet dhe këndvështrimet janë të ndryshme dhe duhen pranuar si të tilla, por jo gënjeshtrat dhe fyerjet.
Para pak ditësh, lexova intervistën e Izet Haxhisë, me të cilin kemi ndarë momente delikate në historinë e demokracisë… ndjeva një krisje të brendshme që më ndodh rrallë! Njeriu në çfarëdo situate që të jetë, duhet të gjejë më të mirën e mundshme, dhe jo më të mundshmen e keqe. Kemi qenë bashkë disa herë dhe e respektoj kontributin e tij, por nuk ndaj të njëjtën pikpamje për Azemin dhe Berishën… Kontributi i Azemit dhe i Berishës është kontribut që nuk mund ta zvogëlojë as Izeti, as Alfonsi apo Aleksandër Meksi. E pranoj se janë bërë gabime trashanike, por këto gabime nuk kanë ardhur si pasojë e atyre të këqijave të stisura që ne i veshim njëri-tjetrit, por kanë ardhur si pasojë e padijes dhe UNIT shqiptar, që askush dhe asnjë komb tjetër nuk e ka më të madh se ne! Në ato ditë të vështira mund të ishim vrarë të gjithë ne! Mundësia ishte që të ndodhte dhe tek ne si në Timisoara të Rumanisë… Sigurisht, atëherë shpirti ynë do të gjykonte prej së larti pa gabuar, kurse tani që jemi në tokë gabojmë gjithë ditën! “O Tempora! O Mores!”, do të thoshte Cicero.
Dikush shkruan kundër Shenasi Ramës, që për mua, është ndër ato heronj që meriton respekt. Unë e di historinë e tij më mirë se askush tjetër lidhur me akuzat që i bëhen… Ne kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe jemi kuptuar. Unë kam qenë mik i Lukë Velaj, por dhe miku i Shenasiut… E njoh historinë jo me të thënë, por me dokumente.
Po a mund të mbesë njeriu tërë jetën peng i një gabimi fëminor 17 vjeçar? Vetëm një shoqëri me kufizime intelektuale dhe shpirtërore mund të dënojë një fëmijë 17 vjeçar për tërë jetën… Ne e quajmë komunizmin Rus më të egrin në planet, por mendësia jonë ua kalon Rusëve. Aleksandër Matrasov, një jetim dhe pse më parë kish qenë në koloni u bë heroi i popujve të Bashkimit Sovjetik, pikërisht se i vuri gjoksin bunkerit gjerman për të shpëtuar shokët. Dhe Shenasiu me shokët e vet i vunë gjoksin bunkerit të rregjimit të komunizmit dhe pse nuk u vranë atëherë, ne kërkojmë t’i vrasim sot!
Balta kundër Jozefina Topallit, ka të njëjtën përmbajtje, por me një ndryshim, se nga ato që fliten nuk ka asgjë të vertëtë, por vetëm stisje, por ja që pseudo-media e hap lajmin gënjeshtër si gripi kinez… Fini, siç e quanim dikur vajzën model. Ajo vinte nga një familje e persekutuar, gjithnjë në ndihmë të demokracisë së brishtë, me një personalitet të pavarur që i thoshte mendimet e hapura dhe të pastra. Shpesh herë ajo kritikonte për gjërat që nuk i pëlqenin, biles kishte një “anti-pati” për Berishën. Por, kur unë e prezantova me Berishën tek Universiteti Luigj Gurakuqi, ajo jo vetëm që ndyshoi mendim, por kishte dëshirë që të takohej përsëri me të… Kemi biseduar për Jozefinën me dy miqtë e mi, Pjetër Arbnori dhe Ali Spahia, para se ajo të afrohej në drejtimin e PD-së. Jozefina, megjithëse nuk qe entuziaste në fillim të propozimit për deputete, e mori veten shpejt, falë dhe këshillave të Pjetër Arbnorit. Ajo u bë lidere duke pranuar dhe mungesat që sjell fillimi… Kur u votua për zv/Kryetare Parlamenti, ajo mori dhe votat e socialistëve, biles, ata shqetësoheshin kur nuk e shihnin në podium “Vajzën tënë”… Pas vitit 97, ajo së bashku me Azemin thyen “bllokadën” e rebelimit komunist në Jug, duke rifituar territorin e pushtuar nga dhuna e bandave… Dikush e quan “Zonja e Hekurt”… Ajo s’ka asgjë të hekurt se, nuk është një qënie mekanike që kur zë ndryshk duhet pastruar dhe grasatuar. Sigurisht, pas disa viteve zëri i saj u bë më i thekur, dhe kjo sillte edhe zili edhe çudi, se nuk përkonte, me bukurinë dhe feminitetin e saj. Por, a mundet të mbijetojë një kanarinë blu me korbat e parlamentit shqiptar, pa u bërë shqiponjë?! Kurrësesi! Çfarë ndodhi atëherë? Korbat u sulën që ta përçudnonin zonjën blu! E quajtën spiune… biles, ata kishin kohë që i kishin vënë pseudonimin “Dezinjatorja!” Thanë e ç’nuk thanë për zonjën e nderuar, sikur ata të mos kishin motra, nëna apo kushërira. Zonja blu, hapi krahët dhe thonjtë e u bë shqiponjë!
Vitet e lirisë sonë nuk u përdhosën nga Jozefinat dhe gratë e parlamentit nga të dy krahët, por nga kripto-komunistët që tashmë dëshërojnë të na kthejnë në të shkuarën, se tek e shkuara gjejnë frymëzimin e sotëm. Ata mendojnë se grate janë garniturë dhe jo faktor jetik … Vitet tona të lirisë, nuk i përdhosin nervat e momentit që shkarkohen si rrufe në shkretëtirë, por papërgjegjësia e etiketimeve të turpshme dhe inkoherenca që I gdhendi në shkronja! Palo-politikanët tanë nuk e kuptojnë që një ligj i keq që aprovohet dhe printohet dëmton të ardhmen. Kushtetuta Amerikane, u ndërtua në bazë të 28 Principeve të Lirisë, të cilat, burrat e mençëm i gdhendën në shkronja duke e përsosur ndër vite. Po principet tona ku janë?! Historiani, politikani, apo gazetari–gënjeshtar, kur stis keq një histori, një ligj, një lajm, dëmton të tashmen, por më tepër mund të vrasë qorrazi dhe të ardhmen!
Akt i turpshëm, loja e dekorimeve! Njësoj krimineli me viktimën?! Kjo tregon se sa të pasinqertë dhe sa të lexueshëm bëhen palo-politikanët shqiptarë…
Trashëgimtarët nisen nga tradicioni dhe jo nga arsyeja. Errësira e të shkuarës reflektohet në të tashmen dhe në të ardhmen e pasigurtë… Çërmimi i eshtrave të mikut tim, At Zef Pëllumbi, nuk është rastësi, por tregon ironinë therëse se demokracia nuk vjen prej tradicionit të keq, por prej qytetarisë brilante pa ngarkesat e së shkuarës… Të persekutuarit duhen gjithnjë të falin, kurse persekutorët gjithnjë të tallen! Unë mendoj se domatet dhe vezët janë shumë pak për njerëz të tillë të sakriligjeve!
Siç shihet, kërkohet që të gjithë heronjtë e demokracisë të degradohen në forma të ndryshme, të sajohet dhe të shkruhet për ta sa më zi. Të ngrihen kurthe të dyfishta, siç është puna e dekorimeve për të krijuar dualizëm… Kush është më i mirë, ky me shumë medalje e dekorata apo ky me veladon?! Vocrrakë të tillë të “qosheve të dikurshme” kacavirren pas letrave për të bërë plaçkë, për të mbijetuar, për të ngrënë bukë turpi duke krijuar histori të rremë dhe heronj të rremë, ashtu siç bëri dhe një mik i imi, shkrimtar nga Shkodra … Më keq akoma, kur “Fabulisti” komunist, me cingaren e përgjakur në veshin e viktimes, na tregon se cilët janë letrarët dhe shkrimtarët e “vërtetë”… dhe për çudi, “Shkrimtarët Njujorkez” brohorasin:“urraaa ”!!! Kaq idiotë ka kjo tokë, sa duhen dy botë për t’i mbuluar!
Kjo është vorbulla jonë, lufta e regresit, kundër progresit! Komunisti i thekur, kundër demokratit liberal! Paarsyeja, kundër arsyes! Pseudo-shkenca , kundër shkencës! Gënjeshtra, kundër faktit! Rasti i Sami Rrepishtit, është flagrant… Profesor Rrepishti, shkruan të drejtën dhe është shumë i saktë, por ja që del zografisësi i PP-së, e na tregon “faktet” e Debatikut, po a ka turp më të madh se ky? Rrenacakët kanë kaluar shkallën e parë të demagogjisë në unisfere. Ata mendojnë se duke mbajtur ngrohtë vemjet e së shkuarës, tregojnë “unitetin” që u duhet për të mundur kundërshtarin imagjinar!
Nëse komunizmi dhe mendësia e tillë të ndrydh dhe të zë frymën, demokracia ka oportunitetin e frymëmarrjes që nëpërmjet lirisë të bësh zgjedhjen tënde. Demokracia të jep mundësinë dhe për t’i korrigjuar gjërat… Por, siç shihet, së pari kemi nevojë të vetëkorrigjohemi, pastaj ta përdorim pendën… Tolstoy shkruan: “Everyone thinks of changing, but no one thinks of changing himself”. Pra, le të ndryshojmë. Ta përdorim pendën në ndihmë të së vërtetës pa rënduar viktimat dhe pa glorifikuar viktimbërësit. Ta përdorim për të bërë ligje që i qëndrojnë kohës dhe i shërbejnë popullit. Ta përdorim pendën për të gëzuar zemra dhe jo për të hidhëruar shpirtëra. Të ruajmë gjithçka të mirë që është arritur, paçka se e ka bërë ky apo ai, ky subjekt apo ai subjekt. Ilaritetin t’a lemë mënjanë! Është i vështirë ndryshimi por zgjidhje tjetër s’ka! Procesi i ndryshimit do t’i shërbejë paqes dhe zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë sonë. Madhështia e njeriut qendron jo në formën e tij të ngurtë prej shkëmbi, por në brumin e përdheshëm, ku jeton energjia suprime dhe shpirti i lirë që pret të çlirohet nga trupi i vdekshëm!

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, litterascripta manent!, Vox audita perit

NUK KUPTOJNË, A PO NUK DUAN TË KUPTOJNË!

December 22, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ende nuk e kuptojnë!
Njoftohet se Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Izrael ditët e fundit, vizitoi edhe Muzeun e Holokaustit. Duket se Kryeministri shqiptar kishte mbetur i emocionuar nga ato që kishte parë në atë muze. Po kush nuk do të mbetej i emocionuar nga ekspozita e krimeve të tilla kundër njerëzimit dhe e gjenocidit që Hitleri dhe regjimi i tij kanë bërë kundër hebrenjve në Gjermani dhe anë e mbanë Europës, gjatë Luftës së Dytë Botërore? Z. Rama, ashtu i emociounar çoi mendjen tek Tirana– duke bërë krahasim të muzeut izraelit me ndërtimin e bunkerit pranë Ministrisë së Mbrendshme — citohet të jetë shprehur, se “Çfarë mësimi i paçmuar për çdo indidvid dhe popull”, ishte vizita për të në Muzeun e Holokaustit në Izarel. “Për mënyrën se si duhet mbajtë gjallë kujtesën e vuajtjeve që nuk duhen përsëritur kurrë.”Me këtë rast ai kritikoi ashpër ata që kundërshtuan ndërtimin e bunkerit në Tiranë, të cilin sidomos shtresa e të përndjekurve e konsideroi si një simbol i regjimit komunist.”Është për të venë duartë në kokë nga trishtimi e zemërimi bashkë”, se si mund të kundërshtohet një simbol i tillë i komunizmit, qëllimi i të cilit është “për të kuptuar më mirë të shkuarën e vendit tonë”, është shprehur udhëheqsi shqiptar gjatë vizitës në Izrael.
25 vitet e fundit të tranzicionit shqiptar, — se deri kur do quhet tranzicion veç një Zot e di — Izraelin e kanë vizituar edhe të tjerë zyrtarë të lartë shqiptarë, por siç duket asnjë prej tyre nuk ka nxjerrur ndonjë mësim për nga mënyra se si populli izraelit kujton gjenocidin dhe krimet kundër tij dhe as se si kjo mënyrë mund të përdorej edhe në Shqipëri për të kujtuar vrasjet, persekutimet, burgosjet dhe internimet në masë të kundërshtarve të regjimit enverist. Zyrtarë të ndryshëm shqiptarë gjatë viteve kanë vizituar edhe Muzeun e Holokaustit në Washington dhe kanë bërë deklarata të tilla emocionuese. Çdo shtet ish-komunist, në një mënyrë ose në një tjetër, ështëpërballur me të kaluarën e tij komuniste, duke i kujtuar viktimat e atij regjimi. Shqipëria është vendi që ka bërë më pak, ose aspak në këtë drejtim — lere më në krahasim me Izrelin pasi ky është një rast i veçant – por edhe në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Europës, Tirana zyrtare tash 25 vjetë — me përjashtim të ndonjë keste dëmshpërblimi që u është dhënë ish-të dënuarve nga komunizmi– ka berë pak ose aspak për t’u përballur me të kaluarën komuniste, as në mëyrë konkrete dhe as nga pikëpamja historike.
Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë — të tanishëm dhe të këtyre 25 viteve të fundit –nëqoftse jeni serioz për përballimin me atë histori dhe nëse jeni të sinqertë për të kujtuar viktimat e komunizmit me qëllim që ajo histori të mos përsëritet më, duhet të bëni diçka më shumë se ç’është bërë deri tani, dhe jo vetëm me fjalë dhe jo vetëm duke vizituar muzetë e të tjerëve, përfshirë edhe atë të Holokaustit, qoftë në Izrael apo Washington.
Ja gjëndemi para festave të fund vitit dhe një viti të ri, Vitit 20016. Pse të mos jetë ky viti i një reflektimi në nivel kombëtar në lidhje me këtë çështje. Më në fund kjo është një stinë reflektimi se si mund të bëhen gjërat më mirë. Janë disa gjëra që mund të bëhen më mirë dhe mund të ishin bërë në të kaluarën pa asnjë shpenzim të madh, por që nevojitin kurajo morale dhe vendosmëri njerëzore, por edhe ndjenja patriotike.
Cili udhëheqës shqiptar deri më sot ka vizituar ndonjë prej qëndrave të përsekutimit dhe të internimit të mijëra shqiptarve nga regjimi enverist. A nevojitet vizita e Ambasadorit amerikan në Spaç për t’i bindur zyrtarët shqiptarë se një gjë e tillë është detyrim njerëzor, moral dhe patriotik karshi bashkatdhetarve të tyre të pafajshëm të cilët e kanë pësuar shumë keq për pothuaj 50-vjetë — atyre që u ekzekutuan dhe atyre të cilët u persekutuandhe vdiqën në duartë e xhelatëve anë e mbanë kampeve te regjimit komunist, në të gjitha anët e Shqipërisë? Për më tepër, çfarëmesazhi u jep shqiptarëve dhe botës një qeveri që dekoron pikërisht dhunuesit e këtyre viktimave, të gjallë e të vdekur?Kush kujtohetme këtë rast, xhelati si përfaqsues i asaj të kaluare të tmershme, apo viktima e atij sistemi?
I kushton gjë Kuvendit të Shqipërisë të caktojë një ditë në vitdedikuar kujtimit të viktimave të komunizmit, ashtu siç kanë bërë shumë vende të tjera ish-komuniste, por edhe BashkimiEuropian dhe Këshilli i Europës, me rezoluta të ndryshme gjatë viteve?Ku qëndron puna e komisioneve të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë që gjoja u formuan për të bërë hetime mbi krimet e komunizmit?
Shqipëria ka nevojë të kujtojë viktimat e komunizmit në mënyrën e vet, por ka nevojë gjithashtuedhe për një muze të madh të krimeve të komunizmit, prap ashtu siç kanë vepruar shumë vende të tjera.Një muze, ashtu si ai në Izrael, nga i cili me të drejtë është impresionuar Kryeministri shqiptar, me fjalimet dhe të gjitha krimet e Hitlerit, të bërat dhe të pa bërat, ashtu që asgjë të mos i iki historisë.Edhe Shqipëria duhet të ndërtojë një muze të tillë, me të gjitha fjalimet edhe krimet e Enver Hoxhës dhe bashkpuntorëve të tij ndaj kundërshtarve dhe viktimave të atij regjimi. Duhet të dokumentohet çdo minutë e jetës së atij regjimi në një muze të tillë, por jo të vendoset publikisht në shënjë nderimi portreti i Enver Hoxhës në raste përkujtimesh kombëtare, ku janë të pranishëm udhëheqsit më të lartë të qeverisë dhe të shtetit e të cilit janë venë re duke u përkulur para tij.
Kryeministri Rama shpreh habinë se pse kundërshtohet ndërtimi i një bunkeri në Tiranë duke u shprehur se e ndjenë vetën të trishtuar dhe të zemëruar nga kundërshtimi i tyre ndaj atij monumenti.A e pyesin vetën udhëheqsit shqiptarë se si e ndjejnë veten viktimat e gjalla të regjimit komunist, kur shohin portretet e diktatorit Enver Hoxha — jo në në muze – por një paradë zyrtare me rastin e festave kombëtare. Duke marrë parasyshë vuajtjet e tyre, është kjo shtresë e shoqërisë shqiptare sot, e cila me të drejtë dhe bazuar në eksperiencën e saj të vuajtjevedhe të diskriminimeve,ajo qëme të vërtetë e ndjenë veten,jo vetëm të trishtuar dhe tëzemëruar, por edhe tëfrikësuar dhe gjithnjë të përjashtuar nga jeta dhe politika e vendit.
Duhet të kuptohet më në fund se përballimi i Tiranës zyrtare me të kaluarën komuniste është tepër i rëndësishëm dhe urgjent.Vazhdimi i politikës së këtyre 25 viteve të fundit në lidhje me krimet e regjimit komunist, vetëm tregon mungesën e moralit politik dhe shoqëror të klasës politike të çerek shekullit të kaluar, të një politike të dështuar për të tashmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar. Duke besuar për një trajtim më me dinjitet dhe më të denjë nga autoritetet shqiptare për këtë shtresë të përndjekurish që janë ende gjallë e të cilët kanë mbijetuar kampet komuniste, duhet shpresuar — ndoshta kundër shpresës — se së shpejti do të dokumentohet brutaliteti çnjerëzor i sistemit komunist në Shqipëri, ashtu siç ka dokumentuar Izraeli krimet e nazizmit në Muzeun e Holokaustit, të cilin posa e vizitoi Kryeministri shqiptar dhe siç kanë bërë shumë vende të tjera europiane. Me vullnet të përbashkët të të gjitha forcave politike mund të bëhet një gjë e tillë — për tu përballuar më në fund me atë të kaluar trishtuese dhe për të kujtuar pra viktimat e komunizmit, që po harrohen me qëllim, me kalimin e kohës. Kjo është shpresa dhe urimi për festat e fund vitit!
Por fatkeqsisht –nëqoftse historia është mësuesja –duke u bazuar në përvojën e këtyre 25 viteve të ashtuquajtur post-komunizëm në Shqipëri, shpresat janë të paka se një përballim i tillë zyrtar me të kaluarën komuniste, pothuaj gjysëm shekullore dhe me krimet e atij sistemi do të ndodhë shpejt. Është shumë vështirë të merret me mend se një gjë e tillë mund të realizohet nga ata që ndërtuan bunkerin, por as nga ata që ivunë zjarrin, pasi të dy palët kanë pasur kohë të mjaftueshme për tu përballur me të kaluarën komuniste, por gjithmonëe kanë lënë pas dore për mungesë vullneti të mirë por edhe përmungesë morale dhe mos vendosmërie politike, për tu përballuar me atë histori.

Filed Under: Analiza Tagged With: A PO, Frank shkreli, NUK DUAN, NUK KUPTOJNË, TË KUPTOJNË!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 712
  • 713
  • 714
  • 715
  • 716
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT