• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DREJTËSIA SHQIPTARE

December 1, 2015 by dgreca

Shkruan: FRANK SHKRELI/

Ish Drejtor i Divizionit te Euro-Azise ne Zerin e Amerikes/

Media të ndryshme kanë botuar lajmin për dekorimin e 1000 ish-funksionarëve të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë –ku përfshihen ish-prokurorë, gjykatës të regjimit enverist, si dhe ish-agjentë të Sigurimit të shtetit — me “Medaljen e Mirënjohjes”.  Thuhet se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ua kishte akorduar këtyre këtë mirënjohje vitin që kaloi, ndonëse nuk jepet ndonjë shpjegim se pse lista u njoftua vetëm ditët e fundit.

Duke lexuar një lajm të tillë, njeriu është i detyruar të pyes veten mos shoh endërra me sy hapur.  Një rast i tillë nuk mund të gjëndet në asnjë vend të botës, sidomos kur të merret parasyshë fakti se shteti shqiptar ka dekoruar edhe disa prej viktimave të këtyre ish-zyrtarëve komunistë të dekoruar nga qeveria shqiptare në vitin 2015.  Me ketë masë, qeveria shqiptare barazon viktimat me kriminelët të cilët janë nga ata që urdhëruan dhe kryen vrasje, torturuan, burgosen dhe në përgjithësi ndërmorën disa prej krimeve më të shëmtuara të shekullit të kaluar — jo kundër armiqëve të kombit shqiptar — por kundër vëllëzërve dhe motrave të tyre shqiptare, vetëm e vetëm se ata nuk ishin dakort me një ideologji të huaj sllavo-aziatike,që iu imponua kombit shqiptar pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore.  Nga të dekoruarit janë disa të cilët gjatë 45 viteve të regjimit komunist ishin pjesëmarrës në fushata spastrimesh, torturimesh dhe zhdukjesh fizike të kundërshtarve të pafajshëm të regjimit.”Të gjithë bashkvuajtës, të gjithë bashkfajtorë”,   barazim i viktimës me vrasësit.

Vërtetë se regjimi komunist, ashtu si në mbarë Europën lindore, ishte një tragjedi edhe në historinë moderne shqiptare.  Por,këta nuk po na lënë ta harrojmë atë histori edhe pot ë duam. Njoftimi nga qeveria shqiptare për dekorimin e disa prej këtyre që dihet se ishin pjesëmarrës në krimet, të cilat mund të konsiderohen si ndër më të shëmtuarat në historinë e njerëzimit, është edhe më tragjik për faktin se tani në këtë periudhë të historisë për kombin shqiptar, kur Shqipëria dhe Kosova po përpiqen t’i bashkohen Europës duke premtuar që të adaptojnë ligjet dhe normat shoqërore, vlerave të botësperëndimore duke u larguar sa më shumë nga e kaluara e saj komuniste është një shenjë ogurzezë për një të ardhme më të mirë në radhët e vendeve të përparuara.  Dekorimi i sigurimsave, i gjykatësve dhe i prokurorëve të regjimit komunist, të cilët kanë dënuar me vdekje, me burg dhe internim të mbrendshëm mijëra shqiptarë të pafajshëm, nuk ka të bëjë aspak me vlerat europiane as me vlerat dhe moralin dhe as me vlerat e shqiptarit në përgjithësi.  Fatkeqsisht, tregon se shumë pak ka ndryshuar mentatiteti I kësaj klase politike të rritur e të edukuar nën regjimin komunist, regjim që konsideronte se jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë përballë pushtetit, e sidomos jeta e kundërshtarit, hiç e hiç.  

Për më tepër, dekorimi i këtyre ish-zyrtrëve komunistë është një shuplakë dhe ironi mizore dhe torturuese ndaj të përndjekurve shqiptarë të atij sistemi, të cilët ende janë gjallë, dhe njëkohsisht ky vendim nga ana e qeverisë përbën një vrasje të dytë edhe të atyre që vdiqën dhe u torturuan nga regjimi komunist, në duartë e disa zyrtarëve dhe sigurimsave tani të dekoruar — në shënjë falënderimi — për “punën e mire” që kanë bërë,në burgjet dhe kampet  komuniste të përqendrimit, anë e mbanë Shqipërisë.  Qeveria shqiptare, nepërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, me shpërndarjen e këtyre dekoratave ish-zyrtarëve dhe ish agjentëve të Sigurimit famkeq të regjimit të Enver Hoxhës, nuk ka bërë asgjë më pak se sa një shkelje brutale të drejtësisë ndaj atyre të shkretëve, që këta zyrtarë me vendimet e tyre, i kanë pushkatuar, i kanë abuzuar dhe i kanë dhunuar të drejtat e tyre bazë të njeriut. 

Dekorimet janë edhe një nepërkëmbje fyese e të drejtave të njeriut të të përndjekurve të atij regjimi, të cilët për fat janë gjallë e të cilët kanë mbijetuar ferrin e burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit. Shumë prej tyre kanë vdekur gjatë këtyre 25-viteve ose kanë marrë rrugën e gurbetit ose sillen duar kryq e të papunë, në varfëri të skajshme anë e mbanë Shqipërisë – të pa dekoruar dhe të panjohur.  Një gjë e tillë nuk ka bërë vaki në asnjë vend të botës ish- komuniste dhe me sa di unë as në ndonjë vend tjetër që pretendon se është në rrugën e demokracisë dhe që dëshiron të përqafojë vlerat dhe normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të përcaktuara qartë nëDeklaratën Universale të të drejtave të njeriut, në të cilën thuhet se, “njohja e dinjitetit njerëzor dhe e të drejtave të barabarta për të gjithë antarët e familjes njerëzore, është baza e lirisë, drejtësisë dhe e paqës në botë.”  Ndërsa theksohet se “shkelja dhe urrejtja ndaj të drejtave të njeriut kanë përfunduar në akte barbare të cilat kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzimit”. Të tilla ishin edhe aktet e regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet, sidomos kundërshtarëve të tijtë pafajshëm — barbare dhe jo njerëzore.  Vendimi nga qeveria shqiptare për dekorimin e disa personave, të cilët gjatë karjerës së tyre kanë kryer këto barbarizma, me të vërtetë duhet të tronditin edhe ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve. 

Çfarë qeverie është kjo e cila dekoron kriminelët e ish-regjimit komunist dhe e cila, drejtë për drejtë ose tërthorazi, me këtë vendim dënon edhe njëherë viktimat e gjalla dhe të vdekura të atij regjimi, duke falënderuar ata që ndërmorrën ato krime të shqiptarit kundër shqiptarit?  Si mund të merret me mend se kjo qeveri është serioze mbi ato që i premton popullit shqiptar dhe për të cilat u deklaron miqëve ndërkombëtarë  në lidhje me reformat që thotë se do të ndërmarrë ose është duke ndërmarrë në drejtësi dhe në gjykata, kur shpërndanë mirënjohje dhe falenderime për kriminlët?  Mungesa e drejtësisë në Shqipëri, tha kohët e fundit ambasadorja çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova është arsyeja që vendi po humbë shumë investime dhe shkaku se shumica e të rinjve shqiptarë dëshirojnë të jetojnë diku tjetër se sa në vendin e tyre. Ambasadorja çeke në Tiranë, është cituar të ketë thënë se nëse nuk miratohet sa më shpejt reforma në drejtësi, që të largojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, nuk është bërë asgjë në Shqipëri. Në vend të që largojnë nga detyra, këta i dekorojnë!

Shqipëria nuk mund të zhvillojë një demokraci të mirëfilltë, sepse demokracia e vërtetë nevojitë, jo dekorimin e ish-zyrtarëve dhe ish-sigurimsave, por kërkon si kusht paraprak, që personat të cilët kanë mbajtur gjallë regjimin komunist për pothuaj gjysëm shekulli, të largohen  më në fund nga  detyrat e larta të qeverisë dhe të shtetit, ashtu që me largimin e tyre të perëndojë njëherë e mirë edhe politika e atij regjimi, trashëgimia e së cilës ndihet dhe shihet edhe sot kudo në shoqërinë shqiptare, e sidomos në qarqet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, përfshirë edhe parlamentin. 

Por shpresa nuk humbet kurrë për ndryshime të mirëfillta në Shqipëri. Andaj në këtë periudhë demokracie të brishtë, kush janë ata burra e gra të guximshëm(e) që të përballen trimërisht dhe drejtë për drejtë me të kaluarën komuniste të Shqipërisë dhe njëkohësisht të marrin përgjegjësinë për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre dhe për mbarë kombin shqiptar?  

Kjo gjeneratë politikanësh anë e mbanë trojeve shqiptare ka një përgjegjësi të madhe mbi krahët e vet, ndoshta më të madhe se ndonjë herë tjetër në historinë e kombit shqiptar, për arsye të mundësive që u paraqiten shqiptarëve në këtë moment të historisë.   “E ardhëmja”, ka thënë ish Senatori amerikan Robert Kennedy, “nuk u përket atyre të cilët janë të kënaqur me gjëndjen e sotme, ose që janë indiferentë ndaj problemeve të përbashkëta dhe të cilët kanë frikë përballë ideve dhe idealeve të reja dhe projekteve të guximshme.”  E ardhmja, ka thënë Kennedy, “u përket atyre të cilët mishërojnë vizionin, arsyen dhe guximin për një angazhim personal ndaj idealeve të mëdha të shoqërisë.E ardhmja jonë mund të duket si tepër e largët dhe e parealizueshme në krahasim me vizionin që kemi, por e ardhmja jonë nuk është krejtësisht jashtë kontrollit tonë….Është puna e duarve tona, e harmonizuar me arsyen dhe parimet, ajo që do vendosë fatin tonë”. Ish senatori amerikan sugjeron se drejtë realizimit të këtij objektivi nuk duhet harruar se “ata që jetojnë me ne dhe pranë nesh, janë vëllëzërit tanë, të cilët ndajnë me ne të njëjtin fat të një jete të shkurtë në këtë planet.Se edhe ata kërkojnë siç kërkojmë ne – dmth.asgjë tjetër, përveç mundësisë dhe të drejtës për të kaluar një jetë të kënaqshme dhe të qëllimt.”  Për të realizuar këtë objektiv shoqëror, ka nënvijuar Robert Kennedy, “Ne duhet të njohim dhe të pranojmë barazinë e plotë njerëzore të popullit tonë, pikëspari para Perëndisë, edhe para ligjit por edhe në këshillat dhe në administratën shtetërore.”

Në të njëjtin fjalim, Robert Kennedy është shprehur se ai ishte një, “kundërshtar i vendosur i komunizmit sepse ai sistem ngre lartë shtetin mbi të drejtat e individit dhe të familjes, por edhe sepse në atë sistem nuk ekziston liria e fjalës, e protestës, e fesë dhe as liria e shtypit, karakteristika këto të një shteti totalitar.  Komunizmi nuk kundërshtohet duke imituar diktaturën e tij, por duke ruajtur gjithmonë dhe duke shtuar liritë e individit në vendin tonë dhe kudo në botë… por edhe duke mbështetur drejtësi të barabart për të gjithë. ”

Demokracia e vërtetë, liritë bazë të njeriut dhe të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët  para ligjit, pa marrë parasyshë ndryshimet midis tyre, qofshin ato politike, ideogjike, fetare ose krahinore, nuk realizohen dhe as nuk sigurohen  me punën e ish-zyrtarëve të komunizmit enverist të cilët në jetë dhe me punën e tyre zyrtare gjithnjë imitojnë diktaturën.  Në mendimin tim modest, sido që ta merrësh, dekorimi i 1000 ish-zyrtarëve komunistë, është një akt i pa-pranueshëm dhe ogurzi për një shoqëri që me fjalë pretendon se dëshiron integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike, por nga ana tjetër dekoron ish zyrtarë të komunizmit dhe injoron thirrjet e miqëve ndërkombëtarë dhe të popullit të vet për reforma rrënjësore në drejtësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Drejtesia Shqiptare, Frank shkreli

JA PSE U DEKORUE SHYQYRI ÇOKU: 41 VJET QË E KA SHKYE PER GJYMTYRËSH…

November 30, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

(Don Mikel Beltoja 17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974)

Edhe kjo veper kriminale ka ngja në burgjet e Enver Hoxhës në Shkoder! Me kenë se Don Mikel Beltoja ishte Klerik Katolik Shqiptar, Kuvendi Popullor i Shqipnisë nuk e sheh t’ arsyeshme me diskutue dekoratat e diktatorëve terrorist. Krimet e komunizmit,… mund të diskutohen kur “Shqipnia të hyjë në Europë”, po Gjenocidi që asht ushtrue kunder Klerit Katolik Shqiptar jo! Né pikrisht per ato tmerre jemi pranue edhe në “Konferencen Islamike” me 2 Dhjetor 1992. Me çka mburrej Ramiz Alia? Don Mikel Beltoja ka lé në fshatin Beltojë të Shkodres, me daten 17 Prill 1935, nga Prindët Gjergj e Prenda Beltoja. Nen kujdesin e Imz. Ernesto Çobës u pergatitë per me u ba meshtar në filozofi dhe teologji. U shugurue me daten 8 dhjetor 1961 në Shkoder. Ishte famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, e ma vonë në Barbullush. U arrestue me daten 19 Prill 1973, pranë familjes së vet në Beltojë. U dënue 7 vjet në gjykaten e Shkodres me 6 Gusht 1973, dhe u ridenue “me vdekje” me 4 Shtator 1973.

            Vëprimi i tij fetar mbas mbylljes së Kishave, trimnia në predikimin e Ungjillit, lufta kundër ateizmit dhe komunizmit enverian, e rreshtojnë me Martirët e Atdheut.

            ***

Për kohën që ishte i dënuem me vdekje, flet kjo letër e bashkvujtëses zonja Laura Keçi:

“Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi ishte: Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë me priftin që sonte… dhe, më futën në një birucë aty afër tij.Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku prist vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët mbasi nga djegëja e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohëm, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…

Njëditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e Tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja, kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne…

E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin e komandantin që ishte me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekuni që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime e, që shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe… mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli, ju jeni si të vdekun para Tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dëshmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të Tij Don Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenjën e fuqisë së Zotit këtu, që na jep né forcë për me përballue torturat tueja…

            Përgjegja e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue…

Kur pashë gjunjëzimin e tyne mora edhe njëherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e Tij, ju e torturoni dhe Ai lutët për shpirtin tuej të kacafytun me djallin…Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?… Hë… pse nuk keni forcë me na mposhtë? Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej? Veç, një virrëm qeni ndigjova: Dil jashtë… jashtë!… Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht por e kënaqun… fjeta pak…

            Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i Predikonjësit të Ungjillit. Don Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të Tij: Mos torturoni vëllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirëshëm sa ka me i falë gjynahet tueja… Mos kini turp me ju drejtue Nanës së Tij, Virgjinës Mari, Ajo asht Nana e gjithë njerëzimit, asht edhe Nana e juej… Pendohuni!..Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se edhe ata që nuk kanë lanë gja pa ba mbi kristjanët dhe besimtarët e Zotit, edhe ata kanë dyert e hapuna tek Zemra e Nanës Mari, tregoni se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet që kanë ba sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue… Tregoni atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet Shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni  zi nanat, motrat e gratë Shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë… I thoni damave të tyne mos u kënaqni me vrasjët  e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni tue vra Shqiptarë! Shkatrruet Atdheun! 

            Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e Tij për me e zgjue nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme.

Erdhi një kohë që zani i Tij ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjum. Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me i ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpër gjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme…Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!..

            Ai vuante pandërpremje e bashkë me Té edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…por gjithmonë zharg…

            Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmerr i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen.

Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmerr i vërtetë….isha e lame në djersë… Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.

Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!…Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!”

Zani i Tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve…edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i Tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku!

Ai iku në Mbretni të Qiellës…

            Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin, mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin N. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se Ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

            Atëherë, dhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë: 1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2. Ku i merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmerre vuejtjesh?- Gjithmonë e njajta përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët… Vetëm Ai e forconte Até dhe mue…Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet  e mija!

Shkodër, 15 shtator 2000      Bashkëvuejtësja e Tij,  Laura  Keçi  d.v.”

            Nga shkrimi i z. Gjergj Kola, në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, kam shkëputë pak rreshta për me plotësue portretin e Martirit Don Mikel Beltoja, i cili asht arrestue pse ka thanë: “Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia e njerëzve asht e përkohëshme… Bashkë me bukën e përditëshme duhet t’i jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.” Kjo ishte “agjitacioni e propaganda”, për të cilat dënohej Don Mikeli…”

            Nga një deshmi e një personi që asht kenë i pranishem kur asht nxjerrë nga dega e mbrendshme e Shkodres kam veçue këte thanje: “Don Mikel Beltojen kur ka shkue terroristi Shyqyri Qoku me e marrë per me e pushkatue, e ka gjetë tue ba lutjen e fundit nder gjunjë…Bashkë me kriminelët tjerë e kanë kapë dhe e kanë shkye per gjymtyrësh, ashtu të vdekun e kanë nisë per Tiranë. Ai ka dalë i shkymë nga Dega e Shkodres… Atë ditë asht kenë data 10 Shkurt 1974.” (Dëshmi gojore nga NP, 1992)

            Shpesh, pyes veten: “Cilit shekull i perkasin terroristët Enver Hoxha e pasuesit e tij barbarë, që vazhdojnë me kenë ‘heronjë’, vetem, pse vrisnin e shkynin Klerikë Katolik Shqiptar e Atdhetarë të nderuem? Si mundet me u heshtë perballë këtij Gjenocidi?!”…

            Melbourne, 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, Mikel Beltoja, pse u dekorua, Shyqyri Qoku

Modeli autoritar i shtetit në festën e pavarësisë së shqiptarëve

November 30, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi /Më 28 nëntor të këtij viti, pra ditën e pavarësisë së shqiptarëve, Kosova e thelloi ndarjen politike dhe krijoi kushtet për një krizë pa kthim. Themeluesi i Vetëvendosjes dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prangos nga ana e policisë së shtetit në zyrat e partisë që ai themeloi, pas një daljeje publike në manifestimin e 28 nëntorit. Prangat iu vunë edhe 95 aktivistëve të tjerë të Vetëvendosjes. Por shumica dërmuese prej tyre tashmë janë të lirë, përveç zotit Kurti, për të cilin masa e arrestiti është caktuar për 30 ditë. Policia bëri gjithashtu kontroll në zyrat e partisë dhe tha se aty u gjetën mjete, me të cilat ka operuar Vetëvendosja në Kuvend, si gazlotsjellës, sprajt, maska, e të tjera si këto. E njëjta kishte ndodhur në Shqipëri më 28 nëntor të vitit 2000, kur politika urdhëroi policinë e Tropojës të qëllonte kundër gjimnazistëve në protestë në këtë qytet dhe vrau një protestues e plagosi disa të rinj. Më pas, në orën 01.30 të natës policia ndali në kryeqytet kreun e opozitës, e rrethoi atë dhe e shoqëroi për në zyrat e drejtorisë së policisë së Tiranës. Sigurisht kushtet e rrethanat ndryshojnë. Por të bën përshtypje fakti se si guxon politika të përdorë 28 nëntorin për të ndëshkuar opozitën?! Prej këtij rasti dhe prej rastit të Kada Bujupit qeveria e Kosovës ka dëshmuar se nuk dëshiron ta zgjidhë konfliktin përmes dialogut dhe kompromisit. Eshtë e vërtetë se Albin Kurti dhe deputetët e tjerë kanë shkelur ligjin kur përdorën gazin lotsjellës në parlament. Eshtë gjithashtu e vërtetë se Vetëvendosja dhe partitë e tjera opozitare e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës me veprimet që bëjnë në parlament. Eshtë po ashtu e vërtetë se edhe mos pranimi në UNESKO, veç fajeve dhe përgjegjësive të diplomacisë shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, është pasojë gjithashtu i këtij imazhi që përhapi opozita e Kosovës nëpër botë. Por një imazh akoma më të keq përhap qeveria e Kosovës, korrupsioni qeveritar dhe ai në drejtësi, tarafi dhe nepotizmi, favoret në tendera dhe në përdorimin e fondeve publike. A duhet që më parë se Albin Kurti të ishin në qeli të gjithë hajdutët e Kosovës?! Sigurisht që po. Atëherë më e pakta është se arrestimi i Albin Kurtit e Kada Bujupit është zbatim selektiv i ligjit në Kosovë. Mund të thuhet se në rastin e korrupsionit qeveritar “mungojnë provat”. Gjithmonë mungojnë provat, kur ato i administrojnë vetë hajdutët e kriminelët. Prandaj kjo nuk është arësye për të justifikuar kapjen e shtetit nga njerëz që punojnë për xhepin. Një shtet, një polici, një prokurori, një gjykatë, të cilat të gjitha së bashku ose veç e veç zbatojnë ligjin në mënyrë selektive, ky shtet nuk konsiderohet as shtet ligjor, as shtet i së drejtës. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë shtete të kësaj kategorie, kanë ndërtuar piramidën e ushtrimit politik e selektiv të së drejtës. Kjo është arësyeja pse arrestimi i Albin Kurtit do ta thellojë krizën politike në vend. Albin Kurti dhe veprimet e tij nuk po gjenin përkrahje te qytetarët, sepsë askush nuk dëshiron të bëhet kurban i politikës. Qytetarët e Kosovës e kuptuan se kauza e opozitës nuk ishte e qartë dhe sidomos metodat e saj të dhunës ishin jo demokratike. Ky ishte lajmi më i mirë gjatë javëve e muajve të fundit në Kosovë, sepse nga pjesmarrja dhe mbështetja e qytetarëve varet drejtësia e kauzave politike. Ndërkohë ishte lajm i mirë edhe për shkak se qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen e të mos e lejojnë veten të keqpërdoren nga politika. Por nuk është me vend që mospërkrahjen e publikut qeveria ta shfrytëzojë si të drejtë të saj në vendimet që ajo merr e të dhunojë opozitën. Ndërsa arrestimi i 28 nëntorit ka mundësi që ta përkeqësojë këtë tregues, të rrisë mbështetjen e qytetarëve ndaj Vetëvendosjes, sepse ata nuk mund të pajtohen me dhunën e shtetit, aq më tepër në një ditë të shënuar kombëtare siç ishte dita e shpalljes së pavarësisë. Në një farë mënyre ky akt do ta shndërrojë zotin Kurti në një hero, duke i dhënë atij një vend të pamerituar në historinë tonë kombëtare. Aq më tepër në një vend e në një rajon kur heronjtë i thërrasin në skenë simbolikat dhe jo aktet që ata bëjnë për atdheun e për kombin. Qeveria e Mustafës dhe Hashim Thaçit me aktin e 28 nëntorit kanë përgatitur dështimin e plotë të qeverisjes së tyre. Nga frika, apo nga përceptimi se ata e kanë të drejtën në anën e tyre, këtë do ta provojë koha. Por se e drejta qëndron në anën e qeverisë, kjo nuk më rezolton e saktë, pasiqë kësaj qeevrie i ka munguar transparenca me qytetarët e saj sa i përket vendimeve që ajo ka marrë për nënshkrimin e marrëveshjes së Asosacionit serb dhe vijës kufitare me Malin e Zi. Askush nuk është i qartë se çfarë përfaqësojnë konkretisht këto dy marrëveshje dhe me ose pa qëllim, këtë nuk e ka qartësuar as vetë opozita, e cila i kundërshton ato me retorikë patriotike. Kjo është arësyeja pse qeveria tashmë është e dështuar plotësisht dhe sa më shpejt të japë dorëheqjen e ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, aq më mirë është për Kosovën dhe banorët e saj. Por le të presupozojmë se policia dhe prokuroria e Kosovës me arrestimet e tyre po zbatojnë ligjin. Po sikur pas këtyre dy deputetëve që gjenden prapa hekurave të përdorin gazlotsjellës në parlament deputetë të tjerë të opozitës, a do të thotë kjo se të gjithë deputetët e opozitës do të arrestohen?! A ka llogari politike në këtë aksion politik të qeverisë? Si mundet ajo që të burgosë të gjithë opozitën?! Ku ka ndodhur që pushteti të sillet kësisoj ndaj demokracisë, përveçse në vendet tipike diktatoriale e autoritare? Atëherë duhet të shkojmë te pasoja tjetër. Nëse burgoset opozita, çfarë sistemi ka ndërmend të aplikojë qeveria Thaçi-Mustafa?! Një sistem diktatorial apo autoritar të tipit rus?! Nëse ndodh kjo, lind pyetja se sa i sinqertë është konstatimi i zotit Thaçi se “prania ruse në rajon është rrezik për popujt ballkanikë”?! Apo kur bëhet fjalë për korrupsion, krim, veprim selektiv të ligjit na pëlqen modeli rus, kur bëhet fjalë për sigurinë dhe sovranitetin na pëlqen të mbështetemi te Perendimi, SHBA-të dhe BE!!! Ky konflikt konceptesh, pretendimesh, modelesh, përcaktimesh, sjelljesh duhet të marrë fund. Por nuk besoj se këtij konflikti e këtij modeli i japin fund udhëheqës politikë e shtetërorë të korruptuar e të lidhur me interesa oligarkike, ashtu siç nuk besoj se Albin Kurti dhe disa bashkëpunëtorë të tij, për shkak të qëndrimeve ideologjike të tyre, mund të sjellin ndonjë zhvillim të ri në politikën dhe qeverisjen e Kosovës, nëse ata marrin një ditë pushtetin. Sjellja arrogante në opozitë shumëfishohet me marrjen e pushtetit. Këtë po na e dëshmon përditë shembulli i Edi Ramës në Shqipëri. Kjo është arësyeja pse diplomacia shqiptare hesht në rastin e zhvillimeve në Kosovë, një heshtje e dubluar nga heshtja e Beogradit, e cila të vë në dyshim se mos midis dy kryeqyteteve ballkanike ka një marrëveshje të heshtur për heshtjen. Për të korrigjuar atë që mund të korrigjohet besoj se është në integritetin e parlamentit të votojë amnisti për të gjithë ata që kanë shkelë ligjin gjatë protestave kundër marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi dhe të miratojë njëkohësisht një program bashkëpunimi politik për të çuar deri në fund transparencën dhe rishikimin e të gjitha vendimeve përkatëse. Pozita dhe opozita do të duhet të angazhojnë ekspertët e tyre më të mirë për të sqaruar eten dhe publikun rreth këtyre marrëveshjeve. Më pas do të duhej të shihej mundësia e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, si zgjidhje përfundimtare për ta vënë vendin në binarët e një shteti normal. Ndërkaq do të ishte mirë që partitë politike në pushtet ose në opozitë të përcaktoheshin qartë dhe prerë në interes të shtetindërtimit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale e sovranitetit të vendit, duke përcaktuar si ëlëmentë themelorë të reformave drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe transparencën e bashkëpunimin politik. Shkurt, nuk është e mjaftueshme ta duam SHBA-në dhe BE-në vetëm me fjalë e retorikë, por me vepra dhe qëndrime rigoroze demokratike në respekt të lirisë së qytetarëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, i shtetit në festën e pavarësisë, Modeli autoritar, se shqiptareve

MENDIMET EKUMENIKE TE IMZOT NOLIT JANË AKTUALE DHE ORIENTUESE EDHE SOT

November 30, 2015 by dgreca

Prof. Dr. Thanas L. GJIKA/*
Populli shqiptar në kohën kur po fillonte lëvizjen kombëtare të Rilindjes, pra në prag të Lidhjes së Prizrenit, nga ana fetare ishte i ndarë në katër besime të ndryshme: 30 % ishin të krishterë (orthodoksë ose katolikë) dhe 70 % muhamedanë (sunitë ose bektashinj). Edhe pse midis shqiptarëve të këtyre besimeve nuk ishte shkaktuar ndonjë luftë fetare, për shkak të tolerancës fetare që e karakterizonte si popull, përsëri ndarja në katër besime fetare ishte nje pengesë për procesin e bashkimit kombëtar dhe për pjesëmarrjen në lëvizjen çlirimtare antiosmane. Tek shqiptarët ekzistonte dhe një e keqe tjetër, që e kishte burimin tek klerikët e lartë të huaj. Dhespotlerët, peshkopët dhe myftinjtë krahas punës fetare kryenin dhe propaganda politike në favor të qarqeve që i kishin dërguar. Kjo përzjerje e fesë me politikën e thellonte ndarjen e përçarjen e popullit shqiptar. 
Myftinjtë përpiqeshin t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve muhamedanë se ata ishin një popull me gjak osman i krijuar nga përzjerja e shqiptarëve me turqit e ardhur nga Anadolli dhe Stambolli. Sipas tyre shqiptarët muhamedanë për nga besimi dhe gjaku ishin vëllezër me turqit osmanllinj, kurse shqiptarët orthodoksë nuk kishin lidhje me ta sepse ishin grekë. Nga ana tjetër, dhespotlerët, misionarë të propagandës grekomadhe, përpiqeshin t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve të krishterë orthodoksë se ata ishin grekë që kishin humbur gjuhën greke dhe kishin mësuar gjuhën shqipe nën presionin e shqiptarëve muhamedanë, të cilët këta dhespotlerë i quanin turq. 
Për të mënjanuar përçarjen që sillnin ndarja fetare dhe propagandat e huaja, rilindësit tanë filluan nga puna sqaruese për të bindur shqiptarët e të katër besimeve se ata duhej ta donin njëri tjetrin si vëllezër pavarësisht nga ndryshimet fetare dhe të mos dëgjonin propagandat e huaja. Ata duhej të ishin krenarë që ishin pasardhës së Gjergj Kastiotit Skënderbeut dhe të kryengritësve të mëvonshëm. Të ishin krenarë për faktin se e kishin ruajtur identitetin e tyre kombëtar përmes ruajtjes së gjuhës së tyre të veçantë, ruajtjes së karakterit trimëror, të zakoneve të mira, të këngëve e valleve të bukura, të folklorit të pasur, etj. Rilindësit u përpoqën t’i ndërgjegjësonin shqiptarët, se po të bashkoheshin, do ta fitonin përsëri lirinë e humbur dhe do të shkonin drejt zhvillimit si kombet e tjerë të lirë të Europës. 
* * *
Në vitin 1880 u formulua për të parën herë mendimi për krijimin e unitetit fetar e kombëtar të shqiptarëve. Politikani dhe poeti shkodran Pashko Vasa, në poemthin SHQIPNI MOJ E MJERA SHQIPNI, lëshoi thirrjen:
Mos shikoni kisha e xhamia,
Feja e shqiptarit asht shqiptaria!
Mirëpo, pavarësisht nga synimi shumë i mirë që kishte kjo thirrje, ajo nuk dha rezultatin që shpresohej. Fjala shqiptaria duke qenë një fjalë e re intelektualiste, u kuptua vetëm prej njerëzve të shkolluar, të cilët përbënin një pakicë.
Atdhetari Gjerasim Qiriazi, pasi ishte pagëzuar si i krishter protestant evangjelist në Manastir, qyteti ku ishte lindur e rritur, shkoi në vitin 1892 në qytetin e Korçës ku hapi në ambjentet e Shkollës Shqipe të Vajzave të parën kishë protestante ungjillore (evangjeliste)1. Ai mendonte se bashkimi kombëtar i popullit shqiptar mund të realizohej duke u pagëzuar të gjithë në fenë e re protestante evangjeliste. 
Një rrugë tjetër sugjeroi djaloshi 21-vjeçar Faik bej Konica më 1895 duke upagëzuar si i krishter katolik me emrin Faik Domenik Konica. Këtë veprim ai e bëri mbasi kishte kryer disa shkolla katolike si Seminarin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, Seminarin Gallata Saraj në Stamboll dhe gjimnazin e kollegjin e lartë në Dijon (Dizhon) të Francës. Gjatë jetës së tij në të tilla ambjente katolike ai kishte vënë re se mendësia e besimtarëve katolikë shquhej në krahasim me mendësinë e besimtarëve muhamedanë, për më tepër respekt ndaj njerëzve, për tolerancë, pastërti morale dhe trupore, për më shumë dashuri ndaj punës, etj. Për këto arsye ai mendoi se populli shqiptar për të fituar pavarësinë dhe për të krijuar një shtet të lirë sa më të ngjashëm me shtetet europiane, duhej të kthehej në fenë e të parëve, pra në krishtërim. Emri i tij Faik Domenik Konica është i dëshmuar në disa letra dërguar Nikolla Naços në Bukuresht në vitet 1895-1897, të cilat ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit të Republikës së Shqipërisë2. Po ashtu dhe në dokumentet e regjistrimit në Univeritetin Harvard, ai eshte regjistruar si shqiptar katolik.
Për të marrë vendimin e pagëzimit të tij si i krishter katolik, mendojmë se Konica ishte ndikuar edhe nga leximi i veprës Historia e jetes dhe e veprave te Gjergj Kastiotit Skënderbeut princit të Epirotëve shkruar prej Marin Barletit në latinisht, ku tregohej pagëzimi i Skënderbeut dhe i shumë trimave të tij si katolik. Gjatë viteve të pushtimit osmanët kishin arritur të kthenin në fenë muhamedane mjat arbërorë. Edhe Gjergj Kastriotin sulltani e detyroi të kthehej në muhamedan dhe i dha emrin Iskander-beg (Skënderbej). Ndërsa në fund të vitit 1444, mbasi mori Krujën, Skënderbeu u pagëzua me vullnetin e tij si katolik, duke rimarrë emrin e fëmijërisë Gjergj. Ky pagëzim i tij ishte një veprim më tepër diplomatik për të treguar se shteti i tij do të orientohej drejt Europës katolike dhe jo drejt Ballkanit orthodoks, për të lidhur aleancat e nevojshme për luftën e tij kundër Perandorisë Osmane.
Mirëpo shqiptarët e besimit muhamedan të fundit të shekullit XIX-të, kur u kërkoi Faik Konica që ta ndërronin besimin fetar, nuk mundën ta banin këtë pap, sepse nuk e kishin formimin e tij kulturor dhe sepse ishin familjarizuar me fenë e pushtuesit duke jetuar si muhamedanë për disa ose për shumë breza. Muhamedanizmi i tyre ishte i ndryshëm nga ai i Gjergj Kastiotit Skënderbeu, i cili kishte jetuar në këtë fe vetëm disa vjet. Muhamedanët shqiptarë në fund të shekullit XIX-të ishin të familjarizuar me fenë e pushtuesit dhe zakonet e saj të jetesës. Të parët e tyre në saje të përqafimit të kësaj feje ishin privilegjuar prej pushtuesve, ishin bërë pronarë tokash, kishin marrë nëpunësira dhe tituj, ishin përjashtuar prej disa taksave që paguanin shqiptarët e krishterë, nuk i shpinin djemtë ushtarë si të krishterët, por i shpinin nëpër shkolla për të marrë grada e pozita ushtarake, etj. Me një politikë të tillë pushtuesit osmanë kishin arritur që t’i ndanin këta shqiptarë prej shqiptarëve të krishterë. Për më keq akoma, shqiptarët muahamedanë, që përbënin shumicën e popullit, ndjeheshin krenarë e kapadainj ndaj bashkëkombasve të tyre të krishterë. Shumë prej tyre i përçmonin shqiptarët e krishterë, sikur ishin inferiorë ndaj tyre. Shqiptarët muhamedanë, ashtu si vetë pushtuesit, i quanin shqiptarët e krishterë me fjalë përbuzëse pis arnaut, raja e kaur i derrit, në vend që t’i vlerësonin si bashkatdhetarë të përvuajtur që e kishin ruajtur më të pastër se ata origjinalitetin kombëtar. Me pak fjalë, thirrja e Konicës për t’u kthyer në fenë e krishterë, shqiptarëve muhamedanë u tingëlloi si fyerje, si ulje në rang shoqëror.
Në vitin 1909 u krjijua në qytetin e Korçës Shoqëria Lidhja Orthodokse e cila i dërgoi një thirrje Patrikanës së Stambollit, të formuluar prej atdhetarit Mihal Grameno, për të lejuar përdorimin e gjuhës shqipe në kishat orthodokse të popullit shqiptar3. Duke qenë se Partikana e hodhi poshtë këtë kërkesë, disa anëtarë të kësaj shoqërie u përpoqën të gjenin një rrugë të re për të shpëtuar besimtarët orthodoksë shqiptarë nga presionet përçarëse antishqiptare të dhespotlerëve gekë. Ata kërkuan që të krishterët orthodoksë të ktheheshin në unitë, një sekt fetar orthodoks që nuk njihte vartësinë prej Patrikut të Stambollit por prej Papës së Romës. Kjo rrugë sipas tyre do t’i afronte shqiptarët e krishterë orthodoksë me vëllezërit e tyre katolikë dhe do t’i mbronte nga propaganda antishqiptare e Patrikanës së Stambollit. Një rrugë të tillë kishin ndjekur më parë arbëreshët e Italisë dhe e kishin fituar mbrojtjen e Papës nga presionet greqizuese të Patrikanës së Stambollit.
Për qëndrimin ndaj besimeve fetare gjatë Rilindjes nuk qëndroi pa u shprehur dhe poeti i shquar Naim Frashëri. Me poemën e tij Qerbelaja botuar më 1898, ai la të kuptohej se bashkimi kombëtar i popullit shqiptar mund të arrihej duke u kthyer të gjithë shqiptarët muhamedanë në bektashinj. Ky sekt i muhamedanizmit ishte tolerant ndaj të krishterëve dhe shihej si një sekt fetar shqiptar, sepse ishte përqafuar kryesisht prej reparteve të jeniçerëve, ku kishte shumë shqiptarë.
Të gjitha mendimet e shprehura prej rilindësve tanë për të realizuar bashkimin kombëtar të popullit shqiptar me anë të ndërrimit të besimit fetar, nuk u pranuan prej masave popullor, pra nuk patën sukses. 
Për nderin e shqiptarëve të Amerikës, personi që i dha zgjidhjen më të mirë këtij problemi, ishte emigranti i ardhur në SHBA prej diasporës shqiptare të Thrakës Lindore, Theofan Stilian Noli. 
Gjatë bisedave që ai kishte bërë me shqiptarë muhamedanë kishte vënë re se shumica e tyre, ndonëse ishin të cekët në njohuritë fetare, e mbronin me fanatizëm besimin e tyre fetar. Pra ai kuptoi se për këta shqiptarë ishte e papranueshme idea e pagëzimit në fenë e krishtere të stërgjyshërve. Për këtë arsye, në mars të vitit 1908, sapo u shugurua prift orthodoks, ky djalosh i pjekur parakohe, hartoi një thirrje drejtuar gjithë shqiptarëve të cilën e botoi në gazetën Kombi me titullin Kombit Shqiptar!4.
Ky shkrim i Nolit kishte dhe ka karakter programatik lidhur me problemin e qendrimit ndaj besimeve fetare dhe ndaj bashkimit kombëtar të popullit tonë. Si njohës i mendësisë fetare të shqiptarëve, Noli jep konkluzionin e vet lidhur me qëndrimin e bashkatdhetarëve të tij ndaj propozimeve për ndryshimin e besimeve fetare:
U muar vesh më së fundi, që është më lehtë të bësh pesë mbrekullira me njërën dorë dhe gjashtë mbrekullira me tjatrën, sesa t’u ndryshosh fenë pesë shqiptarëve në këtë kohë.5
Pasi shpreh mendimin e tij se besimet fetare në vetvete nuk janë të këqia, por të këqia i kanë bërë klerikët e huaj dhe disa klerikë shqiptarë që u shkojnë pas si vegla qorre, duke helmuar fenë me propaganda shoviniste, Noli kalon te thelbi i problemit dhe formulon mendimin e tij të guximshëm:
Na duheshin dhe na duhen priftërinj e peshkopë si dhe hoxhallarë e myftinj shqiptarë të vërtetë. Jo vegla politike të huaja, po meshëtarë prej çdo feje që t’i kenë me të vërtetë frikë Perëndisë dhe të përhapin me drejtësi e me zell urdhërimet e Tij dhe vetëm urdhërimet e Tij, që t’i japin popullit të kuptojë që njeriu munt të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe i pëlqen, po s’mund të zgjedhë një tjatër kombësi dhe ta luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtori”.6
Pastaj jep këshillën e tij në formë urdhëruese:
Të mos ndryshojmë gjë prej gjëje; vetëm të krejmë [krijojmë] krerë fetarë me ndërgjegje [atdhetare]. Kjo është më e mira udhë për të prurë bashkimin, se programi i ndryshimeve të rea në fetë do të jetë prishja jonë e përgjithshme.7
Në mbyllje të shkrimit Noli sqaron se ai kishte filluar nga puna për të përkthyer veprat e liturgjisë së shenjtë në gjuhën shqipe, sepse vetëm duke dëgjuar mësimet fetare në gjuhën amëtare do të forcohej ndërgjegja fetare e popullit. Ky sqarim vlente edhe për klerikët e besimeve të tjera fetare për të përkthyer edhe ata veprat e shenjta në gjuhën shqipe, në mënyrë që edhe besimtarët e tyre të formonin bindje fetare më solide, larg propagandave të huaja antishqiptare.
Pikërisht këto mendime të Fan Nolit e mbyllën diskutimin e këtij problemi. Faik Konica e pranoi këtë thirrje si udhërrëfyese. Disa muaj më vonë, ai hartoi artikullin Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë, ku mbasi solli mendime nga opinionistë europianë për shkatërrimin e shpejtë të Perandorisë Osmane, u kërkoi shqiptarëve muhamedanë që të bashkoheshin me shqiptarët e krishterë dhe të mos e quanin kurrë më veten turq, por vetëm shqiptarë muhamedanë:
Të kthyerit tuaj në fée të vjetër do të sillte me një herë bashkimin e kombit. Po këtë e thom [vetëm] se bie fjala, se e di që s’bëhet dhe s’duhet bërë. Mbetet islamismi. Mbajeni këtë besë, po duke larguar të ligën politikë që sjell, e cila është që i huaji nuk e ndan Turkun nga Shqipëtari muhamedan.
Një shkronjëtor politik i njohur më thosh një ditë: “Evropa nuk do ta kish dhënë Vranjën te Sërbia dhe Ulqinin te Mali i Zi, sikur të kish kuptuar që ka një komb shqipëtar të ndryshmë nga kombi i Turkut”.8
Konica e përkrahu edhe mendimin tjetër të Nolit, mendimin për përkthimin e veprave liturgjike në gjuhën shqipe si rruga më e mirë për forcimin e besimit fetar dhe për krijimin e Kishës Shqiptare Orthodokse Autoqefale. Për këtë arsye Konica theksoi nevojën e madhe që kishin edhe institucionet e fesë myslimane të popullit shqiptar për të predikuar në gjuhën amëtare dhe për t’u shkëputur nga vartësia e Sheh-ul-Islamit dhe të krijonin një synod muhamedan me disa kanune fetare sipas zakoneve të kombit tonë. Kurse bektashinjtë nga ana e tyre duhej të reformoheshin, të organizoheshin më mirë, të hiqnin dorë nga alkolizmi dhe të krijonin një seminar për të përgatitur kuadrin e vet, dervishët.
Si përfundim themi se mendimet ekumenike të At Fan Nolit për të mos kërkuar ndryshimin e besimeve fetare të popullit, por për të përgatitur klerikët e të gjitha besimeve me ide të njëjta atdhetare dhe për të përkthyer literaturën fetare në gjuhën shqipe, ishin dhe janë udhërrëfyese për shqiptarët kudo ku jetojnë. Karakteri i tyre udhërrëfyes u duk në faktin se ato u përqafuan nga gjithë shqiptarët e asaj kohe, madje dhe nga Faik Konica, i cili më parë ishte shprehur ndryshe, por duke qenë i kulturuar, u tërhoq me mençuri dhe propagandoi mendimet e priftit të ri orthodoks, At Fan Nolit.
Themi se këto mendime ekumenike të Nolit janë aktuale dhe orientuese edhe sot për shqiptarët, mbasi po të ishin zbatuar pas vitit 1991, kur filloi rimëkëmbja e institucioneve fetare dhe ushtrimi i besimit fetar në Shqipëri, do të kishim një gjendje të shëndoshë në të katër besimet fetare. Do të kishim një gjendje të shëndoshë fetare dhe nuk do të kishim klerikë të huaj, të cilët nuk predikojnë në shqip dhe më keq akoma u kanë hapur rrugën disa sekteve fetare fondamentalistë, aq të rrezikshëm për të ardhmen e popullit tonë. Nuk do të ishim ndërtuarndërtesa kultesh me projekte të sjella nga vendet e huaja, por do të kishim ndërtuar xhami dhe kisha të reja të ngjashme me ndërtesat tona të kultit të cilat ishin krijuar gjatë traditës qindra vjeçare. Nuk do të buçisnin disa herë në ditë altoparlantët në xhamitë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me fraza në arabisht, por në gjuhën shqipe, në gjuhën që e kupton populli. Po ashtu nuk do të kishte ndodhur as ai vërshim i mjaft shqiptarëve të Shqipërisë për të këmbyer kombësinë shqiptare me kombësinë greke pa e pasur gjuhën greke gjuhë nëne dhe pa pasur asnjë lidhje gjaku me popullin grek. 
Pra mëkëmbja dhe rimëkëmbja e institucioneve dhe e besimeve fetare midis shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë e Maqedoni, ka nevojë të mbështetet edhe sot në mësimet noliane për t’i shpëtuar besimet fetare nga shtrembërimet që po ndodhin nën presionet e emisarëve të huaj.
1Dr. Femi Cakolli. Biografia e Gjerasim Qiriazit (1858-1894), Botim i Shoqërisë Biblike, 2008.
2. Arkivi Qndror i Shtetit, Tiranë. Fondi Faik Konica. Dosja Korrespondenca.
3Shoqëria Lidhja Orthodokse. Të naltit Shenjtërisë së Tij Patrikut Ekumenik Joakimit III-të, Gazeta Lidhja Orthodokse, Korçë, 1909, 2/15 tetor, f.1.
4Meshëtar i përunjët për ndriçim Fan S. Noli. Kombit Shqiptar, Kombi, Boston, 27 mars, 1908, nr. 80, f. 1. Citimet prej këtij artikulli i kemi marrë nga botimi: Fan S. Noli VEPRA 2 Publicistika (1905-1925). Botim i ASH të RPSSH, Tiranë 1987, f.146-149.
5Po aty, f. 147-148.
6Po aty, f. 148.
7Po aty.
8Faik Konitza. Rreziku i afërm i shqptarëve muhamedanë. Shkruar në vapor Princesse Clementine nga Doveri në Ostende, 1908, Albania, London 1909 vol. 12.(*Kumtese e mbajtur ne Simpoziumin e organizuar nga Biblioteka Noliane prane Kishes se Shen Gjergjit me 22 Nentor 2015)

Filed Under: Analiza Tagged With: Kumtese, Mendimet ekumenike, Prof. Dr. Thanas L.Gjika, te Imzot Nolit

28 Nëntori… NË SHEKULLIN E PËRGJAKJEVE

November 27, 2015 by dgreca

Nga Eugen SHEHU/

Mjaftonte një datë historike që politikanë dhe analistë shqiptarë,brenda dhe jashtë shtetit amë dhe në trevat e tjera etnike shqiptare së paku tani që kemi shkelur në mileniumin e tretë përrkundër diplomacive të mbrapshta shqiptarët po hakërojnë pa përkdhelur politikat ditore drejt Bashkimit Kombëtar.Ky akt shihet tanimë jo si një thirrje folklorite ose si një „ngritje kryeje“ ndaj gjeopolitikës rajonale,por besueshëm si një sfidë e thirrur nga thellësia e kohës që kemi kaluar.Shtete dhe kombe shum më të zhvilluara se sa ne,me një traditë të thekshme nacionaliste,ende sot nuk u shkëputën dot prirjeve të tyre nacionale,duke dëshmuar realitete të tyre të nxehta në këtë pikpamje.Madje jo vetëm në gadishlluin ballkanik por edhe në Europën e „moderuar“ ,asgjë s’i ka zbrapsur ata në rrugën e tyre për t’iu bashkuar sipas parimeve të kahershme tejet natyrale në të drejtën universale të unitetit të kombit e për më tepër,sa më këmbëngulës kanë qenë në qëndrimet e tyre emotive,aq më shpejt dhe më shumë iu ka buzëqeshur fati i tyre kolektiv.Por në një analizë gjakftohtë,mendoj së në të shumtën e rasteve,është më mirë t’iu rikthehemi fakteve,ti rikthehemi historisë sonë, e cila ndonëse dëshmohet përmes ngjarjeve të dhimbshme e tragjike,gjithsesi na flet me gjuhën e vet realiste.Përmes këtyre analizave ndriqohen edhe ulje ngritjet shpirtërore të Nacionalizmit Shqiptar.

PARALELE NË HISTORINË E DY SHEKUJVE MË PARË

Nëse në shekujt 17 dhe 18 kish një lëvizje të paramenduar dhe një veprim konstantë të Perandorisë Ruse,për të zbarkuar në brigjet e Mesdheut në betejën e Prutit, në vitin 1912-të kjo dëshirë po rindërtohej plotësisht.Në aspektin ushtarak kjo betejë nuk është analizuar asnjëherë si arritje e artit ushtarak rus,përkundër taktikave të dala kohe të armatës osmane.Thyerja e ushtrisë osmane ishte ndërkaq njëherit dhe thirje e rusëve të përparonin politikisht,ushtarakisht dhe diplomatikisht drejt realizimit të ëndrave cariste.Gjeostrategjinë e dy Perandorive të Mëdha, tanimë e përcaktonin fatet e betejave të tjera ku miti osman sa vinte dhe harrohej në hapsirat e teatrit të ri ushtarak.

Edhe në gadishullin ballkanik të kësaj periudhe,sizmika Nacionaliste parandjente lëvizje të fuqishme. Populli shqiptar i gjendur për ballë rreziqeve të kafshimeve më të thella nga fqinjët serbosllav e grek kishte filluar të kuptonte realisht rrezikun e gjeografisë së tyre, përderisa Rusia Cariste mbështeste në „en bloc“ satelitet e saja të besimit të krishterë në Ballakan me gjdo mjet kundër „popujve islam“, përkundrazi politika Ruse  territoret e popujve musliman i shihte si një mundësi reale për të kënaqur orekset shoveniste të vendeve ballkanike të krishtera.

Pa dashur të ndalemi në imtësitë në gjeografinë e kësaj lëvizjeje antimuslimane,po sjellim në këta rreshta shembullin e tokave shqiptare në Malin e Zi.Cari i atëhershëm i Rusisë Pjetri i Madh,nisi të tundë nëpër kacelaritë europiane,kërkesën e vojvodëve të Malit të Zi, për coptimin e trojeve shqiptare, ndonëse Perendoria Osmane e dinte mirë se kujt i përkisnin ato troje ajo u tregua e gatshme të hynte në pazare me Rusinë,duke parë se ushtria Osmane sa vinte dhe dobësohej,ndaj ushtrisë dhe diplomacisë Ruse.Me shkëputjen e dhimbshme të trojeve shqiptare dhuruar Malit të Zi dhe rrënien në dakordësi që pjesa tjetër e trojeve shqiptare t’i aneksoheshin Serbisë,në shiqim të parë u duk se situata do të normalizohej,por ndodhi e kundërta. Rusia po punonte ndërkaq për krijimin e një Bullgarie shum më të madhe, të cilët deri atëherë skishin pasë kurrfar lidhjeje me Bullgarinë,në kufijtë e së cilës u futën me forcën e rreprezaljeve masive,mjaftë toka edhe të muslimanëve të cilët asgjë si bashkonte me Bullgarinë.Është interesante të potencojmë në këtë rast se kanë qenë disa pashallarë shqiptarë të cilët i kërkuan ndihmë Rusisë në lidhje me operacionet e përbashkëta kundër Perandorisë Osmane,por në çdo rast këto thirje binin në vesh të shurdhër.Rusia në strategjinë e vet ishte e vendosur që jo vetëm të mos bashkëpunonte me pashallarët kusliman të Ballkanit,por në të kundërt të bënte pazare në tryeza të coptimit të gjeografisë „mes të mëdhenjëve“ për vilajetet shqiptare.Ideja e ringjalljes Bizantine tanimë kish uzurpuar gjithë makinën ushtarake edhe në ngjarjet pasuese. Konjukturat e reja në Ballkan,zgjuan në një farë mënyre nacionalizmin disi e fjetur tek pashallarët shqiptarë.Së fundmi këta po e kuptonin se ndryshe nga Serbia,Bullgaria,Greqia apo Mali i Zi,nuk do të kishin asnjëherë ndihmën Ruse.Përkundrazi duhej të ndiqnin përspektivat e lëvizjeve të tyre për pavarsi kurdoherë në dritën e zhvillimit mëmëdhetar e patriotik e luftarak të kombit shqiptar,madje jo vetëm Pashallarët,por edhe burra të shquar të kombit,hodhën sytë nga ideja e bashkimit të tyre,kundruall Rusisë nga njëra anë dhe anga ana tjetër kundra hijenave sllavoortodokse e greke për rreth.Në historiografinë shqiptare është bërë e njohur një letër që Silahdar Poda i drejtonte Ismail bej Vlorës (Gjyshit të Ismail Qemalit) në vitin 1828-të dhe ku kërkon midis të tjerave, shuarrjen e mërrive dhe ngjizjen e një  aleance, dhe shembulli ma domethënës u regjistrua më vitin 1847-të kur bejlerë dhe burra të shquar nga Jugu i shtetit shqiptar (mallakstëre dhe berat) u bashkuan në një komandë të vetme.

Gjdo ditë e më shumë në vetëdijen shqiptare po zinte vend mendimi i urtë se pamvarsisht lëvizjeve politike të kohës dhe pamvarsisht brenda gjeo strategjisë ballkanike fati i kombit duhej të merrej në dorë prej burrave më të shquar të kombit shqiptar.Këto shk¨üendija të nacionalizmit shqiptar do të ndizeshin sidomos në Lidhjen Shqiptare të Prizërenit,e cila u shëndrua në një ngjarje për historinë e kombit tonë.Aspektet politike dhe ushtarake të kësaj Lidhjeje mbarëkombëtare,bënë që Fuqitë e M¨dha të kohës,të kthenin sytë dhe vëmendjen e tyre drejt kombit shqiptarë,ndërsa këto zhvillime, brenda mendimit shqiptar, i dhanë krahë jo vetëm formacionave luftarake që po kristalizoheshin por edhe ideve për pavarsi të plotë.Në këtë kontest mendimtarët e shquar shqiptarë,si mbrenda apo jashtë territorit shqiptarë u përpoqën me çdo mjet të bindin kacelaritë evropiane se pamvarsisht zhvillimeve fetare në asnjë rast vendbaimet shqiptare nuk mund të konsideroheshin si sllave apo greke.E shoh me vend të sjell këtu një pasash të memorandumit që Shkodranët i dërgonin më 13.qershor.1878, Kongresit të Berlinit,ku midis të tjerave në këtë memeorandum thuhej „Feja e shqiptarëve mund të ketë lëvizur nga ortodoksia tek islami dhe nga ky tek katoliçizmi.Po qofshin musliman,ortodoks apo katolikë,shqiptarët nuk e kanë mohuar atdheun e tyre dhe duke qëndruar me këmbëngulje besnike,krenarisë për preardhjen e tyre kanë mbetur kudo kurdoherë vetëm shqiptarë të mirrë“.

Shkalla e ndërgjegjes kombëtare u ngrit së tepërmi në vitet që erdhën më pas.Nacionalizmi ynë u zgjua sidomos përmes rrugëve diturie të arësimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe.Plejada e shquar e burrave të Shqipërisë Etnike,të cilët ngarendën në fushat e ngjarjeve të pandarë nën idenë „me pushkë  e penë për mëmëdhenë“e pasuruan strukturën shqpirtërore të nacionalizmit duke u prirur drejt pavarësisë së trojeve Etnike.Është tejet e rëndësishme të theksojmë se Nacionalizmi ynë duke preku deri nevojat jetsore të atdhut tonë.Në kundërshtim me nacionalshovenizmat ekspansionist sllavo-grek të cilat kishin shpallur botërisht konceptet e tyre përmes “Meg„liidesë” dhe „Naçertanies“,nacionalizmi shqiptar u përmbahej plotësisht aspiratave të kombit dhe krenarisë tonë për të jetuar të lirë dhe të pamvarur në trojet tona stërgjyshërore.

SIMBOLIKA E 28 NËNTORIT TË VITIT 1912

 Jemi mësuar ta identifikojmë këtë ditë,me valvitjen e flamurit kombëtar në Vlorën e bekueme.Ashtu si në një pjesë teatrale,rekuizita viret në funksion të ideve kryesore që vlen të zbulohen edhe në këtë rast epika folklorike bashkëudhëton kurdoherë nën valvitjen e flamurit kuq e zi.Natyrisht ne duhet të krenohemi si komb shqiptar me 28 nëntorin e vitit 1912-të.Por kjo nuk mjafton,duhet të reflektojmë në njëmbëdhjet deceniet e pushtimit sllav e grek.Sidoqoftë,për shum ngjarje të trishtuara erdhën pas këtej të viti 1912-të,shteti i porsalindur u godit qysh në djep.Programet shovene të grekërve,bullgarëve dhe serbëve,që i kishin të studiura me kohë objektivat e tyre përkundër trojeve tona,ata tashmë jo vetëm në rastin diplomatik por dhe ate ushtarak vërsuleshin drejt trojeve etnike shqiptare.Nëse sjellim ndërmend sadopak dimrin e viteve 1912-1913 do të kujtojmë jo pa trishtim se forcat ushtarake serbe kishin pushtuar Shkodrën,Dibrën,Matin,Tiranën dhe Durrësin,ndërsa ato Bullgare viset shqiptare lindore, e ndërsa në jug ligjin e bënin forcat e erta zjarvënëse të hordhive andarte greke,madje këta duke inkurajuar edhe disa shqiptarë „grekofon“ kishin nisur dhe me sulme për marrjen e Himarës me origjinë autoktone shqiptare.

Parë në këtë aspekt ndonëse flamuri kuq e zi u ngrit në Vlorën tonë,ai askurrënuk u identifikua me mëvetsimin e të gjitha trojeve shqiptare në një komb dhe në një shtet të vetin.Madje rrethanat tona historike për fatin tonë të keq,nuk e lejuan diçka të tillë edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore,ku errërat e nacionalizmit të përgjakur nisin të fryjnë në të gjitha vendet ku flitej gjuha jonë amtare ku me të drejtë pretendohej për bashim të viseve shqiptare.Historiografia shqiptare ka prodhuar  takime katërcipërisht se ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ku interesat e hapura dhe të fshehta të fuqive europiane,transmetuan dhunë të pashembullt tek njëra-tjetra duke ndihmuar së tepërmi në shijen e ndjenjës kombëtare tonën.Veçanërisht në vitet  1941-1944 me rritjen e forcës dhe të pranisë Gjermane në ballkan shqiptarët e kuptuan se mund të bashkoheshin fizikisht dhe shpirtërisht përmes një qëndrimi luajal reciprok me gjermanët por edhe më gjërë. Për shqiptarët e atyre viseve do të mbeten të gdhendura në kujtesë çelja e shkollave shqipe si në Maqedoninë Shqiptare po ashtu në Kosovë,në Mal të Zi, dhe deri në Prevezë të Camerisë.Shteti amë do të dërgonte në këto vise etnikisht të pastra shqiptare,jo vetëm mësues të mësimit të gjuhës shqipe por edhe një plejadë burrash të shquar si juristë,historianë dhe gjuhtarë,të cilët u pëpoqën me gjdo mënyrë e mjet përr ngritjen e vetëdijes nacionale e atdhetare në kuadër të bashkimit të trojeve ashtu siç na i kish lënë Zoti i Madh.Në sjellim ndërmend se në mjaft shkolla e komuna të këtyre viseve valvitej krenar flamuri ynë kombëtar kuq e zi,nëse nuk harojmë se administratat vendore në këto „Toka të Liueme Shqyptare“ u mbushën me ajkën e djemëve dhe burrave që Punonin për Shqipërinë Etnike,atëherë mund të themi me plot gojën se nacionalizmi shqiptar ishte në lartësinë e misionit të vet të shenjtë..Por pas kësaj filluan të frrynin errërat në gjostrategjinë ballkanike e ma gjërë në kahje të ndryshëm,dëshmuan një veç të tjerave një represion të pashembullt ndaj frymës sonë kombëtare të përbashkët.Fitorja e sëmundjes kanceroze,komunizmiz, hapi plagë të mëdha në pjesë më të madhe të Europës.Kujtojmë të gjithë se si kënga „Internacionale do të jetë bota e re“ përfshiu horizonte të tërë,duke risjellë një makth makabër në shpirtin dhe ëndrën e miliona nacionalistëve.Por nëse serbët e grekët përqafonin idetë e tyre si fiolozofi që buronte nga „proletariati“,shqiptarët shum pak kishin nevojë të përfaqsonin këtë murtajë ardhur nga karpatet Urale në viset shqiptare, e megjithatë një pjesë shqiptare në shtetin amë jo vetëm që e pranoi e zhvilloi dhe kultivoi këtë mësim dhe përvojë perverse,por në të shumtën e rasteve përdorin edhe si kërbaç për të goditur sa herë të donte ndjenjat e kulluara nacionaliste shqiptare.

Është e dhimbshme të kujtosh se si komunistët internacionalistë shqiptarë,u suallën me dy nga grupimet kryesore nacionalistë „Ballin Kombëtar“ dhe „Legalitetin“. Burgosjet ,torturat, shpifjet, etiketimet e deri tek pushkatimet makabër,shoqëruan për gati gjysëm shekulli me radhë që jo vetëm nacionalistët me emër shqiptarë por vuajtën të zitë e ullirit dhe vetë familjet e tyre dhe farefisi.Një goditje e tillë e përpiktë me një gjakëftohtësi deri në genin më të largët e shqiptarëve ndaj shqiptarëve vetëm për arsye ideologjike ka qenë padyshim një nga aktet tragjike të kohrave që lamë pas.Është gjithashtu e dhimbshme të kujtosh se sa i turpshëm ishte bashkëpunimi i komunistëve shqiptare me OZN-ën jugosllave për kapjen dhe eleminimin fizik të udhëheqësve të lëvizjeve nacionaliste shqiptare si në Kosovë në maqedoninë Shqiptare,ku veçmas atdhetarëve nga rradhët e ONDSH-së,siç është po ashtu e trishtueshme kur të mendojmë se bijtë më të mirë të Camërisë martire si ajka e Nacionalzmit shqiptar, u vranë dhe u prenë nëpër burgje që u pasuan dhe me shpërngulje masive,vetëm e vetëm për shkak të konjukturave internacionaliste shqiptaro-greke.Por për hir të së vërtetës duhet thënë se kombi shqiptar,në të gjitha trevat e tij në vitet edhe të  diktaturës së egër komuniste si në shtetin amë ashtu dhe nën sundimin komunist serbosllav,përsëri dualën kuadro që mbanin në fshehtësi flakën e nacionalizmit shqiptar.Sipas mendimit tim ka qenë pikërisht këto die dhe mendime të davaritur nëpër mjerrgullat gjysëmshekullore të cilët u rizgjuan edhe për orët kthesave të rënda të përgjakjeve mes shqiptarëve për lir dhe serbosllavëve për pushtim.Shpërthimi i këtij Nacionalizmi të natyrshëm sikurse sinjalizonte Europën e bashkuar sikurse shqiptarët tashme kish bërë zgjedhejn e horizontit të tyre për bashim të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

RRUGA NGA MUND TË ECIM DREJT BASHKIMIT KOMBËTAR

 Një nga politiokologët modernë që e sheh kombin „si një grup të atij lloji që ka të drejtën për të ndërtuar shtet“ është sot P.Elibert.Sipas tij në mënyrë më të natyrshme,kombi është një bashkësi njerëzish,grupimi i të cilëve është arritur në mënyrë natyrore përgjatë shekujve.A nuk ka ndodhur kështu edhe me ne shqiptarët ? Dyndja Romake,bizantine dhe ato sllave nuk mundën të ç’bënin kombin tonë më i vjetri i gadishullit ballaknik.Me histori që peshon dhe klith,me përgjakje të pa fshirë në një shekull,nuk mund të flitet „si histori e përbashkët si një grup vlerash të njerëzve dhe humanizmi të përbashët“ arroganca dhe brutaliteti ekspansionist sllavo grek,qartasi si prerje me thikë bën ndarjen mes kombit tonë dhe kombeve ardhacakë e pushtues.

Qoftë Traktati i Shën Shtefanit,qoftë Konferenca e Londrës e viti 1913,ndaluan pikërisht kontimuitetin natyrorë dhe gjenetik tonë duke e coptuar kombin sipas babëzisë së interesave dhe orkesve sllavo-greke.Dhe pikërisht kjo arroganë europiane nga shekulli i kaluar nuk duhet lejuar në përsëritje të shfaqet në horizontin  e mendimit tonë nacional.Ndonëse nacionalizmi shqiptar u godit keqazi në disa momente kruciale të historisë,ndryshimet etnike strukturore u prirën drejt një vëmendje nga shteti amë nga një frymë e re Nacionalizmi e Patriotizmi shqiptar të rrishfaqur haptazi i ardhur dhe duke u pasuruar me element të rinj dhe duke kultivuar në vetëdijen shqiptare tiparet më të shëndosha të një nacionalizmi bashkëkohor por i ngurtë.Ndryshe nga orekset shovene slllavo-greke të fqinjëve të shqiptarëvet,një bashkim kombëtar sam a të natyrshëm dhe në përputhje me të drejtat e gjitha konventave ndërkombëtare të aprovua nga vetë karta e O.K.B-së,është alternativa e ngurtë për të drejtën e shqqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.E në këtë kontekste unë bashkohem me shumë kolegë të mij të cilët kanë po idenë e një strategjie të përbashkët dhe të menduar mirë në kontekst,ku sfida dhe nuk është aq e lehtë.Shtresëzimet e qëndrimeve të ngjarjeve me plot gabime,të miteve etnike e fetare dhe përpjekjeve për rrëzimin e tyre kanë gjurmat diko nga fshehtësive të pushtusve,ne duhet me gjakftohtësi e maturi të studiojmë e analizojmë për gjdo copëz historie që na e kanë pështjellur pushtuesit sllavo-grek dhe krimet komuniste në gjsmëne dy të shekullit të XX-të. Tani që na u desht gati një shekull i përgjakjeve lumturisht na u kthye vrullshëm në agjendat ditore kërrkesat që fuqishëm po artikulohen për bashkim kombëtar dhe Shqipëri Etnike.Kjo jo se nuk ishte quar në mend ndonjëherë më parë,por pikërisht sot koha na e servon si një çështje që mund ta zgjidhim,duke mos u kapur pas nxitimit, gj¨q që zakonisht e bëjmë,por le të detajojmë lëvizjet brenda hapësirës kohore që parashohim mundësinë e këtij bashkimi të pashmagshëm jetik.

Togfajëshin „komb i copëtuar në pesë shtete“ gjithkush nga ne e artikulon me dhimbje,por ky asht ai realiteti i hidhur që na e lanë peshqesh“ndërkombëtarët“ që bilesh duhet të themi edhe si një realitet i zymtë.Unë do të them vetëm këtë se kombet e dala nga kolonializimi dhe pushtimi sado që të jetë ai, deninitivisht e kanë të drejtën referumdare për tu bashkuar në një trupë të vetme,nga shkaku se vetë terant „kolonizuese“ dhe „pushtuese“ janë terma që paraqesin mos vullnetn e kombit dhe atdheut të tyre,kjo nxit revoltat e deri tak përpjekjet me armë për çlirimin e tyre nacional,mbase kjo tashmë pjesërisht u realizua me Republikën e Kosovës si një çlirim definitiv nga pushtuesit serb,edhe në Maqedoninë Shqiptare duhet trasuar dhe mbështetur rruga vetë përcaktimit dhe ngritjes të vetëdijes kombëtare paralelisht me formulim të qartë të një projekti afat mesëm e afat gjatë si projekt kombëtar shqiptar.Kjo për faktin se po të vesh emënuesin e përbashkët do të dali se qëndrimi i përbashkët i liderëve politik sllavomaqedonas ka qënë dhe mbetet devocioni ndaj etnisësllavomaqedonase në çdo rast dhe me çdo çmim.Për këtë soj gjallese,shqiptarët mbeten gjakatarë të dorës së fundit dhe këtë e dëshmojnë qëndrimet dhe paranojat që jo rrallë kanë degraduar në krime të pashembullta ndaj nesh,ku çuditërisht përballë kësaj tablloje të shëmtuar të racizmit shtetëror sllavomaqedonas,klasa politike e Tiranës jo vetëm nuk reagon siç duhet por edhe në të shumtën e rasteve me deklarata shterpe duke shfaqur si „prirje europiane“,madje edhe më liberal se vetë Europianët kur pjesë e një kombi terrorizohet e përgjaket sa herë që shfaqen afera korruptive e spiumazhes të qfardollloi. Me kte rast dhe shumë qytetarë të Maqedonisë Shqiptare shtron dhe pyetjen se e kanë të vështirë të perceptojnë se realisht cila forcë politike e tyre,natyrisht dhe sinqerisht është e angazhuar në të drejtat e lirisë dhe perspektivës së tyre kombëtar.Dhe vetëvetiu është e kuptueshme se bara bie mbi shtetin amë,Shqipërinë.Edhe aty politika jo rrallë ka gabuar,edhe duke i rrëshqitur duarsh jo vetëm interesi Kombëtar Shqiptar por edhe forcimin dhe institucionalizimin e një Nacionalizmi Etnik, ku për hirë të së vërtetës të djathtët në këtë aspekt kanë qenë më të vëmendshëm.Është e vërtetë se kë kohrat e dy qeverisjeve politike është shmangur influenca serbe në mesin e ekonomisë së tregut,por nuk janë përmbajtur euforia dhe investimet greke në Shqipëri,ku rreth 60% e bakave janë në duart e grekërve,teleofinia celulare po kaq,madje bizneset në jugun e shtetit amë zhvillohen sipas orekseve grekësh,e kjo shpesh i ka hapur rrugë që Athina të ndërhyjë përmes interferencave të ekonomisë së tregut edhe në politikbërjen e shqiptarëve,Për’çka se së fundmi shohim një distancim në relacionet me grekun,por që ndërkohë u bien borrive të përafrimit me shtetin serb,ku shqiptarët e jashtëm të shqipërisë Londineze e konsiderojnë si një akt të pa paranueshëm dhe të paprecedan në historinë e kombeve me freski luftërash e betejesh për egzistencë.Vërtetë „Rruga e Kombit“ autostrada Durrës-Kukës dhe së fundmi edhe ajo Kukës –Prishtinë i bashkuan fizikisht shqiptarët,por qeveritë si ajo e Tiranës si ajo e Prishtinës përveçse marrëveshjeve në letër ende nuk kanë një strategji të përbashkët për lëvrimin e lirë të mallrave dhe të kapaciteteve të shumtë natyrorë,ushqimorë, e blektorial etj. Vazhdojnë lojërat abuzive njëra me tjetrën mes Tiranës e Prishtinës duke mos marrur e duke mos dhanun energji elektrike nga njëra-tjetra,por që të varren nga Beogradi apo kompani të tjera të huaja. Dhe çuditërisht të gjitha institucionet zyrtare shqiptare lidhin ende sot kontrata milionëshe , në vitme kompani të huaja,por harrojnë shkëmbimet tregëtare me Kosovës e Shqipërisë,kjo listë e keqpërdorimit të kapitaleve dhe resurseve natyrale kombëtare i shëndron në antikombëtar shtetarët e sotëm si të Tiranës ashtu dhe të Prishtinës,por edhe ky fakt nuk duhet të na bëjë pesimist,tek e mbramja,kujtesa kolektive shënon dhe në kalkulimet e saj,dhe le të shpresojmë në të mirë.

Ne shqiptarët të ndarë në pesë shtete por edhe të tjerët,në Europë dhe përtej Atllantikut duhet të kthejmë vështrimin e plotë në rrugët që na bashkojnë.Abetarje e bashkuar duhet të bjerë në duart e gjdo voglushi shqiptar për të rruajtur e forcur gjuhën e dashur shqipe nga fëmijët dhe nipërit tanë në kontinuitet.Gjuha si element relevant i çdo kombi,do të mund të mbajë të bashkuar këta breza që jo për faj të tyre,u detyruan të merrnin rrugët e pakthimta të mërgatës.Abetarja është shumdomethënëse për kombin tonë,por në kontinuitet por vetëm kjo nuk mjafton,gjithë universitetet dhe akademitë shqiptare duke unifikuar,madje në shumtën e rasteve duhet edhe gjuha e fortë dhe e mprehtë e historisë përmes Historianëve,meqë politika mbetet memece,pranë horizontit të paskajshëm të historisë.Të shkruajmë Historinë jo për ta vendosur nëpër raftet e bibliotekave tona,por si një dëshmi e asaj se çfar ndodhi,si u pushtuan trojet tona,si u egersuan nacionalshoveniszmat paranojake të fqinjë pushtues të shqiptarëvet por dhe duhet të spjegohemi se cili ishte reagimi i Nacionalizmit tonë i lindur si kundërpërgjigje  të  nacionalizmave të tjerë.

Duhet bërë qartë politikës shqiptare dhe të evitojmë se cilat pasuri kemi akoma në rujtjen shtetërore dhe kombëtare,për t’i thënë „ndal“ gllabërimit nga ana  e të huajve dhe për t’i menaxhuar vetë si komb,mbi bazën e interesave dhe principeve të ekonomisë së tregut,por jo si mall pa Zot.Duhet bërë të qartë se Toka asht e shtetit dhe nuk shitet por jepet me qira në shfrytëzim por përsëri është toka e shtetit,kështu mund të evitojmë rponën kombëtare,siç bën gjdo shtet në perëndim.E pra për të evituar djallëzitë e (Shën Shtefanit dhe Londrës 1913) serbit r grekut ne duhet të ngrejmë lartë zërin dhe në rafshin akademik dhe ate juridik që asnjë pëllëmbë toke nuk mund tu shitet të huajve përveçse shqiptarëve, toka jshqiptare është e rëndë dhe peshon histori dhimbjesh,trishtimesh e vuajtjes, gjysh pas gjysh për të ardhur tek në në këtë milenieum.

Së fundmi të kujtojmë se Nacionalizmi Shqiptar aq shumë i thirrur në këto situata eci përbri historisë së kombit tonë duke qenë gjithmonë mbrenda shtratit të vet si ai lumi i qetë,pa dashur të kapërcejë shtratin e brigjet për të shkruar faqe historie të dhunshme.Ky Nacionalizëm në të vërtetë na ka dhënë miq të vyer,të cilët i kemi pasur dhe do ti kemi në krah gjithmonë pasi që edhe ata vetë ti kuptojnë realitetet shqiptare,se si madje do të vepronin po të vëheshin në vendin tonë,ani se përgjigjeja e kësaj puetje kurë sështë dhënë,mbase dhe sjan pyetur.Ndaj të menjanojmë imoponimin servil politik,të ruajm dinjitetit dhe krenarinë tonë historike,dhe të fuqizojmë zërën e bashkimit tonë kombëtar dhe në territore si njihet nën emrin Shqipëria Etnike dhe të institucionalizojmë platformën e Nacionalizmit të ndershëm Shqiptar.

Bern-Zvicër

Filed Under: Analiza Tagged With: 28 Nëntori… NË SHEKULLIN, E PËRGJAKJEVE, Eugjen Shheu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 723
  • 724
  • 725
  • 726
  • 727
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT