• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përgjakja në Paris, sprovë për sigurinë globale. Bota është në luftë

November 15, 2015 by dgreca

Nga Zaim Kuçi, ish-Atashe i Mbrojtjes në Paris/
Në Paris u zhvillua një luftë dhe jo një akt terrorist, këtu duhet të fillojë analiza e atyre “të mëdhenjëve” që sigurojnë botën për një kundërmësymje jo të vonuar, frontale dhe përcaktuese. Për këto tragjedi në Francë normalisht shtrohet pyetja përse terroristët zgjodhën përsëri Parisin? Në një kënd më të gjërë shikimi, ky akt terrorist ka gjerësinë dhe thellësinë e veprimit të dukshme, tashmë të realizuara, por dhe të padukshme (të mbartura) e të paralajmëruara haptazi në hapësirë dhe kohë të shkuar, pra nuk është një situatë e re për sigurinë globale, e afruar dhe e nxitur nga gjeopolitika e vet shteteve të keqmenaxhuar të viteve të fundit.)
Le të analizojmë disa nga shtysat përse Franca u bë target sulmi i terroristëve. A është Franca vërtet e kërcënuar? Po, në vlerësimin tim, në një përgjigje të shkurtër do të thosha se Parisi gjendet për terroristët si një vend i menduar, i duhur për një Show botëror për të demonstruar terrorin, panikun dhe forcën që ata mendojnë se e kanë kundër perëndimit. Në këtë përballje, tashmë të ardhur me urgjencë për zgjidhje, padyshim, vlerat njerëzore botërore do të zgjedhin po Parisin si fundi i tyre.
Çfarë ka ndodhur për francezët? Nuk janë kushtet ekonomike të këtij kontigjenti vrasës, as dhe zëmërimi i tyre nga pjesëmarrja ushtarake franceze e kudo ndodhur në vatrat ku ka luftë, që kanë filluar betejën kundër Parisit, por diversiteti i vlerave. Francezët janë vlerë por edhe i vlerësojnë ato. Vlera dhe antivlera pjellin gjithmonë konfliktualitet, kështu Franca them se vuan nga diferencat në kulturë me botën tjetër. Në vlerësim për sa më lart, situata e krijuar në Paris nuk është problem i brendshëm i francezëve francezë dhe atyre me origjinë myslimane (magrebine), ajo vjen jashtë dhe larg kufijve të Francës që kupton edhe vendet e Evropës dhe më gjerë janë të kërcënuar si dhe Parisi.Sot a nesër: kjo është për t’u vlerësuar. Terroristët kamikazë nuk janë të përzgjedhurit e botës së varfër islamike, ata janë më shumë banorë europian.
Cila forcë njerëzore përgatit qënien – kamikaze. Terroristët islamistë pretendojnë se luftojnë mbi baza teologjike duke vënë në divizën e tyre vargje nga Kurani dhe referime nga bëmat e Profetit, duke kryer operacione vrasëse me vulë islamike. Ne emër të traditës, etnicitetit, përplasjeve historike ata kanë ngritur në ideologji luftën ndaj “armiqve të islamit”, “të pafeve”, “ithtarëve” “tokës së shenjtë” etj. Çdo organizatë terroriste prodhon një mitologji të vetën legjitimizuese, duke stimuluar ndjenjën e krenarisë së të qenit pjesë e kësaj aristokracie dhe te bashkëndarjes së këtij kodi nderi. Ndaj është ky kod nderi që helmon përditë këta njerëz duke prodhuar shumë vetvrasës në emër…. të askujt.
Përballja e perëndimit. Mbetem në gjykimin se kuadri gjeopolitik na thotë se bota është në konfliktualitet të një natyre krejt ndryshe me çfarë ne jemi përgatitur deri më sot. Këtu duhet të ndalet e ardhmja për të parandaluar terrorin. Pas luftës së ftohtë strategjitë ushtarake hoqën dorë nga lufta frontale dhe u duk sikur njerëzimi nuk do të kishte më luftë. Por, 11 shtatori 2001 do të sillte një tjetër formë të bërjes së luftës duke ndërtuar një strategji për të përballuar një luftë asimetrike dhe shtetet luajtën me elementë asimetrikë, më pas invazioni ushtarak u zëvendësua me subversionin ushtarak dhe ndërkohë në sigurinë globale po individualizohen aktorë me peshë gjeopolitikë deri në rrezikun e një lufte botërore. Përdorimi i instrumenteve të subversionit kundër vlerave humane, shtrembërimi i misioneve fetare për interesa gjeostrategjike apo përdorimi i tyre për motive lufte është një kërcënim real dhe i komplikuar. Krizat, rreziqet dhe kërcënimet me karakter ekonomik në këtë pesëvjeçar janë burimi i zhvillimit të tyre. Papunësia në rritje, sidomos tek të rinjtë që janë « të lirë për rekrutim » për akt terrorist, pikërisht edhe këtu duhet të kërkohet zgjidhja e problemit.
Do të ishte viti 2014 ku turma a grupe islamikë, me mijëra luftëtarë, pretendojnë të kenë formëzuar një ekstrashtet (ISIS) me synim për të kapur pushtet politik dhe të bashkojë territore me popullsi myslimane. Në këtë situatë të krijuar bota realisht është e rrezikuar, aktet janë barbare, monstruoze; ato janë të pa fe, më shumë janë një mbeshtetje për një ideollogji. Duket se po kërkohet një 11 shtator tjetër. Për ngjarjet në fjalë, do të ishte çnjerëzore të shfajqësosh këtë akt barbar në emër të besimit fetar: Të vrasësh njerëz të pafajshëm në emër të Allahut është më tepër se akt terrorist, janë pushkatime me listë në dorë të qënieve njerëzore me diversitet besimesh dhe profesionesh, në qendra kulturore si në « Bataclan », në zyra letrash dhe me penë në dorë si« Charlie Hebdo » -…në emër të kujt? Vrasësit vranë në emër të islamit, por islami nuk predikon dhunën dhe aq më pak vrasjen.
A është feja një burim lufte ? Parimisht, jo, por historikisht botën e udhëheqin ideologjitë që padyshim sjellin diktatura, të cilat drejtojnë popujt drejt një lufte. Në interes të kësaj ideologjie « islame » dyshimet shkojnë për një lidhje rrjeti me grupet terroriste, të drejtuar në një shkallë hierkike apo dhe grupe të shkëputura, që luftojnë më shumë në interes të një situate të krijuar. Ankthi është prezent edhe për faktin e vijimit të akteve, më keq se kaq, ata sapo u përgëzuan në rrjetet sociale të ISIS. Pra në këtë kontekst, llogjikisht shoqëria franceze nuk është një shoqëri në luftë, pra Franca nuk duhet të jetë target apo bazë nisjeje për fillimin e një lufte, tashmë të hapur (të pjesës që ka dale në duel),të botës islamike për Europën dhe botën edhe pse Franca është prezente me trupa në gjitha vatrat e nxehta të luftës.
Franca përballë emigracionit. Për një analizë më të zgjeruar, Franca me kohë është një vend mikpritës për emigrantët, më shumë magrebine dhe ka shumë njerëz të besimit islam. Ajo ka pasur shumë koloni në vendet e kontinentit afrikan me besim islam, kohë kur Franca dhe Europa kishin uri për krahë pune. Ata jetojnë sigurisht në periferi të Parisit por do të thoja se infrastruktura në këto lagje ështe (të jetuar gjatë misionit) vërtet e plotësuar dhe në se e krahasojmë me vendet e origjinës të tyre eshtë krejt ndryshe, por dhe dukshëm me qytetet e tjera të Evropës.
Kultura franceze shkon edhe më tej. Francezet janë për një familje të hapur, pa paragjykime, ku myslimanët me shtetësi franceze janë të integruar plotësisht, ndaj ata sot janë ngritur fuqishëm kundër këtij akti edhe më shumë se të tjerët. Atyre nuk iu intereson kjo situatë e re destabilizuese e krijuar qoftë dhe si opinion për bashkëjetesë me francezët. Në Francë, janë tashmë qytetarë francezë në rreth 6 milion myslimane. Shtrohet pyetja, ky komunitet i fortë mysliman, sidomos i përqëndruar në Paris, në këtë situatë të re ekonomike globale, a përbën një problem për sigurinë e francezëve?
Franca vërtet është shtet social që mbledh taksat dhe rishpërndan pasurinë sidomos mes të varfërve nëpërmjet ndihmave sociale. Por këto ndihma janë edhe të pamjaftueshme. Për këtë gategori kërkohen vende pune, që aktualisht tregu i punës edhe në mbarë europën është në vështirësi.
A ka islamofobi në Francë ? Sipas meje nuk është një fenomen i dukshëm i shoqërisë franceze, por ndjeshmëria vjen si rezultat i situatave krizë që krijohen herë pas here në Francë. Francezët e ruajnë si të shënjtë slloganin e tyre të famshëm: -Barazi, Vëllazëri, Liri – kohë që për pjesën tjetër të botës ishte një ëndërr. Kështu, për francezët nuk është mbyllja e kufijve por kontrolli i rrepte I tyre. Franca përfaqëson dhe mbështet vlerat më demokratike të botës.Parisi është vendi i letrave dhe luan me to. Në Francë, sipas meje ka shumë kulte fetare, për vet natyrën e veçantë të praktikës, të riteve të tyre « dukej » sikur Parisi dominohej nga myslimanët… të jetosh në Francë është një shans i arritur. M’u dha rasti ta njoh këtë vend si student dhe diplomat, them se Franca është një perle e lirisë së mendimit, e të shprehurit, e tolerancës e mënyrës së jetesës. I ardhur nga një regjim ndryshe, sipas meje në Francë ka me bollëk liri, gjë e cila në globalizmin e sotëm keqpërdoret …
Por ka një problem, Franca eshte shtet laik që nuk lejon shfaqjen e simboleve fetare ne vende publike. Per shembull, percja eshte e ndaluar ne vende publike ( ne shkolle) ne France prej disa vitesh. Në momentin kur ligji kunder perçes doli ne France (ligj i cili nuk ekziston psh ne Angli, Gjermani apo ne SHBA) Franca u kritikua shume nga bota myslimane. Ajo ligjerisht nuk njeh influencen e feve ne jeten publike, por kjo është e drejta e zgjedhjes të popullit francez.
Në vije të parë për ngjarjet në Paris janë forcat e zbulimit dhe inteligjencia franceze. Normalisht shtrohet pyetja : në këtë situatë tronditëse, a ishin të papërgatitura këto forca? Pas çdo akti terrorist gjithmonë fillohet me vlerësimin për nivelin e zbulimit dhe inteligjenciës, si kanë funksionuar ato dhe, mirë apo keq, dyshimet fillojnë aty. Në këtë rast zbulimi, inteligjencia franceze, FBI dhe sistemi i rrjetëzuar rajonal, europianë dhe ai botëror nuk ishin në gjendje të zbulonin këto akte vrasëse. Fatkeqësisht, në historikun e akteve terroriste të bujshme, të kudo ndodhura në botë në dhjetëvjeçarët e fundit, edhe në shtete me forca e mjete të sofistikuara si në SHBA, Londër, Berlin, Moskë, Finlandë, Japoni e tjerë nuk është mundur të parashikohen këto veprime terroriste edhe pse në përmasa katastrofike, pasi ato zhvillohen ne gjirin e popullates dhe si të tilla mbeten misione teper të veshtira për organet e sigurise kombetare. Teorikisht, analistët vlerësojnë se krimi është gjithmonë kohë më parë zhvillimi se mjetet parandaluese kundër tij. Në analizën time, do të ishte mrekulli të parandalohej kjo tragjedi, përtej kritikës për aftësinë zbuluese të tyre. Gjithsesi nuk kemi të bëjmë me paaftësi zbuluese, por, tashmë ndodhemi në një mjedis të ri gjeostrategjik. Bota është në krizë dhe burimi i kësaj tragjedie kërkohet në formatin ndryshe, duhet një tjetër analizë dhe reflektim për t’u zhvilluar. Shumë konflikte të nisur në lindjen e mesme nuk u mbyllën. Ato mbetën gjatë plagë të hapura. Kështu ato prodhuan « armë helmuese » për perëndimin.
Përveç përdorimit të forcës, me të drejtë koha e ardhur shtron pyetje : a mund të ketë zgjidhje më të moderuar? Sipas meje këtu duhet kërkuar analiza për t’u riparë. Sigurisht, bota po sillet në një situatë të re të gjeopolitikës të saj që, arma më e fuqishme është gjuha e diplomacisë edhe pse kemi një armik të padukshëm, jo frontal. Edhe në një fushë betejë të përgjakshme, palët ndërluftuese kërkojnë « armë-pushim»; në rastin në fjalë armët më të forta mund të jenë –të negociuarit, kompromisi, tërheqja edhe për ato të besimit fetar. Qofshin “Rafalët”, « Mig-ët » dhe “F-të”, tanket dhe nëndetëset nukleare, nuk janë zgjidhje për terroristët, kërkohen armë të tjera më praktike dhe më efikase. Kështu shtetet me fuqi ushtarake të fuqishme duhet avash avash të heqin dorë nga armatimet marramendëse me avione, tanke dhe nendetëse nukleare, por të zhvillojnë kapacitete ushtarake paralizuese për të vepruar lehtësisht në të tilla akte terroriste : pra të parashikojnë situatën per ta parandaluar veprimin, që nënkupton rritjen e kapaciteteve të zbulimit kombëtar, rajonal dhe botëror, kjo duhet të bërë; këtu duhet përqëndruar dhe harxhuar.
Duket sikur bota sot përgatitet për të bërë luftën dhe jo për ta parandaluar atë. Në një shikim të përgjithshëm vlerësohet se, shumë e më shumë është investuar për bërjen e saj duke bërë harxhime marramendëse (ne rreth 1000 Mld $ në vit) për pajisje ushtarake të sofistikuara. Ajo që duhet ndryshuar në botën e sotme është kalimi nga përgatitja për bërjen e luftës në parandalimin e saj.
A ndjehet e kërcënuar RSH? Sigurisht që po. I cilësuar si vend islamik (të paktën kështu na trajton bota islamike) terreni shqiptar për ta lakmohet dhe favorizon zhvillimin e akteve të tilla: për më tepër jemi një vend që akoma kemi nevojë për konsolidimin e strukturave të shtetit. Ndoshta, përse jo dhe një rishikim të kulteve, të shoqatave me misione humanitare paqësore që hyjnë në vendin tonë. Ajo që mbetet siguri për vendin tonë është fakti që ne jemi vend i vogël dhe shumë shpejt, lehtësisht mund t’i paraprijmë këtyre akteve, që në origjinë të lindjes së tyre.
Kohes së terroristeve, botës i duhet nje tjetër doktrinë, ajo e konsolidimit të sistemit të shërbimit të inteligjencias ku rekrutimi i personelit duhet të jetë plotësisht me formim shtetformues dhe thellësisht profesionist ku të bëhen bashkë fushat që plotësojnë panoramën për sigurinë kombëtare. Përmirësimi i këtij sistemi ndoshta do të kërkojë dhe cënimin e privacisë të individit, kjo duhet të sakrifikohet. Këtij shërbimi i shtohet edhe modernizimi i forcave speciale më tepër se modernizimi i armëve nukleare. Për demostrim force, ata kanë edhe si objektiv goditjen e objekteve të mirësurvejuara/mbrojtura, të klasifikuara të rëndësisë së veçantë. Në këtë mjedis lufte, erdhi koha që çdo shtet veças në hapësirën territoriale të tij dhe në bashkërendim/bashkëveprim me fqinjët, të planëzoje forca dhe mjete për veprime më efektive parashikuese për të parandaluar dhe asgjesuar në origjinë të krijimit të tyre.
Aktorët e sigurisë botërore/kombëtare duhet t’i kushtojnë rëndësinë e duhur kësaj lufte: ndryshe terroristët do të jenë të parezistueshëm në përshkallëzimin e tyre planetar, duke krijuar dhe vepruar me forma dhe metoda nga më çnjerëzore; nesër, më të sofistikuar se sot…!
*Së fundmi, përballë kësaj llahtarie vrasëse, ndjej dhimbje për atë që ndodhi në Paris, shpreh solidaritetin tim dhe u shpreh miqve të mi francezë ngushëllimet për familjarët duke qenë shpirtërisht pranë tyre. Je ressens une grande douleur pour ce qui s’est passé en France. En ces moments, je suis, plus que jamais, à coté de mes amis français en leur exprimant mes profondes condoléances !

***
Nous sommes de tout notre cœur avec vous, la France!

Filed Under: Analiza Tagged With: pergjakja e Parisit, Zaim Kuci

Luftë civilizimesh-Shqiptarët në udhëkryq!

November 15, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
(Paris reconnaît le Kosovo )…La France reconnaît le Kosovo “comme un Etat souverain et indépendant”, écrit le président Nicolas Sarkozy dans une lettre adressée à son homologue kosovar Fatmir Sejdiu. La plupart des membres de l’Union européenne devraient faire de même LEXPRESS.fr 19/02/2008 )
“I reminded Russian President Dmitry Medvedev that when Europe recognized Kosovo, Russia condemned Europe’s decision. Russia should not then be surprised that we are condemning its decision now,” Sarkozy said. )
Me duhet të bëjë një porosi , qe te lexojmë edhe shtypin e jashtëm ku shkruhet për ne dhe të zgjedhim jo vetëm atë qe na ka ëndja sepse “Shqiptarët i janë nënshtruar zgjedhës turke dhe gjuha e tyre kombëtare ka qenë e ndaluar për 5 shekuj. Gjatë shekullit XX, ata përjetuan, njëra pas tjetrës, republikën, monarkinë, pushtimin hitleromusolinian, komunizmin stalinist dhe maoist – një nga më të këqijtë që ka ekzistuar ndonjëherë. Shqipëria është një vend me histori të gjatë dhe tradita; qoftë brenda vendit, qoftë me pushtuesit tanë apo me fqinjët që kanë dashur të sillen si të tillë, përballjet për pikëpamjet janë zgjidhur, për një kohë të gjatë, me armë dhe me kufoma të dergjura anëve të ndonjë lumi! ( Kadare )
Dhe tani të shpalosim se , për të mos harruar : Historia e Shqipërisë është e mbrujtur me aleanca të tradhtuara, me pashallarë me koka të prera, me kalorës mizorë, me masakra, me mesha. Çfarë thesari për një autor romanesh! Ndikimi i Perandorisë Otomane në Shqipëri është i pamatshëm, është një trashëgimi tragjike, groteske, burokratike, që atëherë totalitare, që ka rënduar mbi ndërgjegjet dhe ka ravijëzuar mentalitetet më fort se komunizmi. E dini, ka ende nostalgjikë për gjumin e thellë turk! Por, e vërtetë, është një rezervuar mitesh, heronjsh, tradhtarësh. Një thesar për letërsinë shqiptare që kumbon nga thirrjet dhe betimet për besnikëri ndaj Nënës Shqipëri, nga premtimet e ujitjes së saj me gjak, nga këngë të pasionuara ku ëndërrohet çlodhja mbi gjirin e saj. Por të gjitha këto himne të zjarrta, thjesht maskojnë realitetin: robërimin, diasporën, mërgimin. Kjo është e kaluara… Posi, vetëm me fjalë! Në shqip, numërojmë nga 2 në 5 në latinisht, më pas në turqisht, më pas në sllavisht, por shifra “1” thuhet njëlloj si para tre mijë vjetësh.
Si mund të jesh shqiptar? Është një vend që lindë njerëz heroiko-absurd .” Deputeti i parlamentit të Kosovë, e ka kritikuar ndërrimin e fotove të profilit duke e bërë hijezim flamurin e Francës, si formë përkrahje dhe solidarizimi pas asaj që ndodhi në Francë. Ai thotë se Kosova më shumë punë për të bërë ngase ne i kemi llom punët dhe mos ta harxhojmë energji produktive duke e lodhur veten me ndërrime fotosh. “ . Ose “Një botë hipokrite, e veshur nga skamja dhe servilizmi për mbijetesë, këtu përfshihet dhe Shqipëria. Por ne jemi akoma dhe më të veçant, sepse përdorim stilin e lëpirjes dhe të zvarritjes për asgjë. E njëjta gjë ndodhi dhe kësaj radhe, ku u solidarizuam të gjithë me Francën, por harruam, fëmijët që u mbytën brigjeve detare. Harruam qindra njerëz që janë vrarë gjatë rregjimit të Asadit. Harruam mijëra të tjerë që duke u arratisur kanë lënë kockat rrugëve, etj etj. “
Te mos harrojmë “ Është një përrallë që rrëfehet për të përkundur budallenjtë. Për ta
( Serbët ), Kosova është shpirti i pavdekshëm dhe origjina e Serbisë! Për ta, është lugthi ku filloi gjithçka dhe ku do të përfundojë gjithçka; është një kauzë e shenjtë, gjë që, sipas tyre, justifikon kryqëzatat dhe spastrimin etnik. Kosova qenka serbe jo vetëm prej varrezave, manastireve, fshatrave, por për më tepër, Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, qenka edhe ai serb! “
Kur lexojmë se çka shkruhet sot na shkon mendja se historia e re e shqiptarëve është duke u mbushur me fantazma, “ Më kanë vënë në dukje praninë e shpeshtë të disa motiveve në romanet e mi, shiu, i ftohti, bryma”, thotë Kadare , dhe vazhdon: “ E keni vënë re që nuk përkon plotësisht me klimën e Shqipërisë. “

“Shiu, i ftohti, bryma. “ kurrsesi të na largohen nga mendja edhe pse klima e jonë nuk është e tillë
Burimi :
– Kadare: Shqipëria e ngatërruar dhe e korruptuar ëndërron Europën, por …
– http://www.lefigaro.fr/ kosovo-la-lettre-de-sarkozy.php
– http://macedoniaonline.eu/content/view/3192/46/

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Luftë civilizimesh, në udhëkryq!, shqiptaret

Gjykimi i të gjykuarve të salvuar!

November 14, 2015 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/
Gjykimi vjen tek njeriu nga pjesa e ndërgjegjes së kulluar (Trurit) për të reflektuar dhe moderuar veprimet në dritë hijet e tranzicionit së udhës që kalon.
Shpesh herë ndërgjegjja nuk është në gjëndje të kundërveprojë ndaj vetvetes. Truri , një mister prej 100 bilion neuronesh , që sipas Ramon Cajal , neuronet nuk janë në vazhdim (duke përjashtuar fenomenin shpirt) , tregon se truri është shumë enigmatik. Funksionimi dhe përsosmëria e informacioneve dhe shpërndarja e tyre në kohë dhe hapësirë kalon nëpër hone të papërceptueshme , që për njeriun shpesh herë janë të ngatërruara, gjë që e bën dilemën e pranishme. Duke lexuar “ The World Book Encyclopedia -2001” , mëson se truri i njeriut varion prej 10 bilion deri ne 100 bilion neurone. Një përllogaritje e thjeshtë kupton sekretin e gjysmë hënës dhe hënës së plotë tek njeriu.Sipas shkencës , truri i njeriut peshon tre paund apo 1.35 kg dhe përmban 100 bilion neurone .Atëherë a mund të jetë e njëjta peshë specifike dhe hapësinore e trurit që përbëhet prej 10 bilion neuronesh me atë prej 100 bilion ?! ”The Scientific American Book of the Brain”, ,pranon po ashtu se truri i njeriut ka 100 bilion neurone… Dikur galaktikat , truri dhe zogjtë varionin në një shifër prej 100 bilion , çfarë të bënte të mendoje për një përsosmëri aritmetike të Krijuesit…,100 bilion galaktika, 100 bilion shpendë ,100 bilion neurone…Sikur të mos prishej ky lloj ekuilibri matematik, bota do ta kishte në dorë misterin e madh! Por ja që, Krijuesi në laboratorin e qendrës së universeve është i shumë-anshëm , dorëdhënës dhe i kursyer , subjektiv dhe objektiv, provokativ dhe tolerant. Sipas disa gjasave, në tefterin e Tij , njeriu është një bujk që mbledh ato çfarë mbjell. Pra , njeriu nuk gjykon në bazë të rregullit konfidencial Trashëgues …, por në bazë të korpit apo anti-korpit logjik që ndërton ai . Në këtë rast, njeriu paraqitet i lirë në gjykim dhe pseudo-gjykim, apo në bumerangun e vetë-krijuar!
Rastet e shumta të njeriut që përpiqet për të gjykuar dhe kontrolluar jetën e të tjerëve, përbën precedent të keq.Këtë e shohim më tepër në shtypin e kohës , lexojmë e ç’nuk lexojmë …Ditët e fundit lexova për një këngëtare të dënuar nga rregjimi komunist që kish shkruar një libër për jetën e saj. Aty ajo shkruan për torturat dhe për përdhunimet sistematike që kishte pësuar. Stuhia e librit të saj kaloi kontinentet.Xhelozia u përzie dhunshëm me injorancë dhe meskinitet.”Kritika” e kritikës –kritike nuk konfirmoi asgjë tjetër vetëm androcentrizmin ,varfërinë intelektuale dhe shpirtërore te disa kalemxhinjëve dhe bashkëvujtësve të autores…
Një këngëtar mashkull, i cili dhe ai qe dënuar nga diktatura komuniste e kundërshton bashkëvuajtësen deri aty , sa e quan gënjeshtare…Sigurisht mendimet janë të lira pa shkuar në gjykim publik, se nëse shkojnë aty, i lind e drejta çdo njeriu për të thënë mendimin e vet. Unë mendoj se, po ta kundërshtonte një grua e dënuar do të kishte kuptim gjykimi dhe do të zinte vend kritika, por gjykimi vjen nga një mashkull që mbase e ka përjetuar torturën, por jo dhunën seksuale…Habia më e madhe është kur ndonjë tjetër, përdhunimin e quan si turp i të përdhunuarit dhe jo krim të përdhunuesit!!! Jetojmë në kohën e paradokseve, ku kritikat bëhen në momentet e zgjidhjes se rrypit të pantallonave pa trokitur në portën e koshiencës. Nuk është turp për të denoncuar të vërtetën, qoftë dhe ajo më hidhura, turp është për ta manipuluar , ngjyrosur apo fshehur atë. Tony Gaskins Jr, thotë : “ The only people who are mad at you for speaking the truth are those people who are living a lie”
Mendoj se , Lexuesi duhet të ndjehet i fyer kur dikush gjykon viktimën dhe jo kriminelin e aq më pak me një togfjalësh turpi . Pa e kuptuar , gjykuesit vrasin për herë të dytë viktimën , jo me hekurin dhe plumbin e diktaturës , por me kamzhikun e fjalës së qëllimtë , gjoja superiore të maskulizmit, ku pas fshihen disa zakoneve barbare dhe egoizmi specifik i adrocentrizmit.

Si mund të gjykojë një mashkull , i cili nuk e njeh dhunën seksuale, nuk njeh vuajtjet dhe dhimbjet e një femre ?! Megalomania dhe mediokriteti i gjysmakëve (!) që kanë dëshirë të hiqen si heronj me heroizma aksidentale, vret! Muzikantë të pa muzikë, kopjacë e papagalë pa kompozuar asnjë rresht, por duke përsëritur të tjerët , shkrimtarucë kontraversal ?! Prej tyre nuk mund të presësh një gjykim lakonik…
Gjatë rregjimit diktatorial jo vetëm që ka pasur të tilla gjëra, siç shkruan këngëtarja A.Hisku (ajo mund të jetë konfuze dhe ka të drejtë…) , por manjakët e sëmurë të diktaturës , si merimanga kanë endur pëlhurën e shpifjes dhe të intrigës për ti dënuar dhe përdhunuar më vonë femrat e bukura në një mënyrë apo një tjetër.Ky ishte një ndër krimet më të shëmtuara të diktaturës …

Ka shumë raste ,siç shkruan dhe Anton Cefa, por unë sjell një rast të jetuar , mbase edhe më i rëndë se ai i zonjës që ka shkruar librin. Po, rasti i Aurorës (që e njoha ne spitalin e burgut), bukuroshe dhe trimëreshë që nuk u ra në dorë manjakëve të PP-së, derisa vdiq , është një evidencë e gjallë . Atë e përdhunuan të vdekur , sipas burimit të brendshëm të disa punonjësve të thjeshtë … Kjo ngjarje më bëri të shkruaja një roman rreth 400 faqesh, me titullin “Aurora”, ku ngjarjen e tmerrshme e zhvendosa në Francë …
Miku im , Dr. Kristo e lexoi punimin tim u shkreh në lot : “ Jam i lumtur që po vuaj unë ,se po të ishin vajzat e mia , mbase do pësonin fatin e personazhit tënd. Sikur të ndodhte kjo fatkeqësi në familjen time nuk do të dëshiroja të jetoja asnjë sekond më ” ! Dorëshkrimi roman u konfiskua nga autoritetet e sigurimit të shtetit dhe nuk e di çfarë u bë më me atë punim. Për nder të asaj femre nobël , unë i vura emrin bijës time të vetme, Aurora.
Gazetarët e sotëm , nuk e dinë sa femra kanë rënë viktima nën prehën e dhunës… Shumë femra që shkonin për të takuar të afërmit nëpër burgje kanë përfunduar prehë e urdhërave verbale të sigurimit…Operativët vështronin nga dritaret familjarët që vinin për të takuar të afërmit. Kur shikonin ndonjë bukuroshe , apo vajzën a gruan e ndonjë “armiku ” qëndrestar fillonin për t’i tjerrë pëlhurën e mortit…
Nuk është faji dhe turpi i një femre që përdhunohet, se femra është e brishtë dhe mashkulli i shformuar e mund lehtë trupin e saj , por faji ishte tek mekanizmi i dhunës së ligjëruar verbale , që zbriste nga piramida në bazë për qëllimin e thjeshtë : të godiste pikat më të dobëta të krenarisë së shqipëtarit nacionalist. Kjo piramidë bëri “njeriun e ri” që sot , kodi moral i shqiptarit të zvarritet rrugëve të Europës me turp… Trafiku i mishit të bardhë !

Eshtë për nder të të “gjykojë” persekutori jot , se ai ka mbijetuar me gjakun dhe sakrificat e tua , ai ka menduar për të të bërë viktimë , pa e kuptuar se ka krijuar një hero, në mos një martir!
Shumë e lehtë është të gjykojë një i panjohur , se ai nuk ka njohje , por mbledh mbeturinat e thashje e themeve të stisura nga përsekutorët e tu , të cilat jo vetëm nuk kanë cilësinë juridike dhe penale dhe nuk përbëjnë gjykim, përkundrazi , ata përbëjnë mëkat dhe krim. Sigurisht, gjykimi nuk përbën krim e mëkat për njërzit me 10 bilion neurone…
E shëmtuar është kur shpif e gjykon ai që të njeh , që njeh vuajtjen tënde , historinë e shpirtit binjak , fisnikërinë e qëndresës që përbëjnë kulmin e sakrificës në mohim !

Rasti tjetër , është i një shkrimtari , i cili vjen nga një familje intelektuale që me zell i shërbyen në tre breza komunizmit: në viktimizimin e kultures , shpirtit, arsyes, mirësisë, dashurisë, burrërisë dhe të rendësishmes, lirisë! Ai nga i gjykuar “gjykon” , dhe më keq se aq , gjykon një kolos të lirisë dhe përparimit! Ai e quan Lef Nosi-n një bashkëpunëtor të nazizmit?! Deri këtu kuptohet, se njerëz me paragjykime dhe prapagjykime nuk mund ta quajnë hero e themelues shteti një atdhetar e anti-komunist si Lef Nosi…
Shkrimtari B. Blushi , nuk goxon të pyes vetveten dhe familjen e tij, kush nga ata, farefisi i tij , apo sa shqipëtarë kanë kontribuar sa Lef Nosi për Shqipërinë?
A nuk na tregon ai , sa shqiptarë u vranë gjatë pushtimit Gjerman në Shqipëri , dhe sa shqiptarë u vranë dhe u persekutuan nga vetë komunistët shqipëtar gjatë regjimit totalitar në aleancë me Jugosllavinë, Rusinë dhe Kinen ?! Në politikën moderne flitet me shifra, fakte dhe shkencë, kurse në diktaturë flitet me demagogji dhe gjuhen e dhunes , e cila mbulon dhe cenon çdo aspekt të vlerës universale të lirisë .
Sot , Blushi është në politikë…, duke i bërë një pyetje të thjeshtë , jo për të provokuar patriotizmin e tij , por intuitën e tij prej “politikani”… Në rast rreziku për Shqipërinë , cilën aleancë do të preferonte ai , me Gjermaninë, Serbinë , Rusinë , Kinen apo Greqinë?
Të njëjtën pyetje i kanë bërë njeri-tjetrit dhe baballarët e kombit në ditët e vështira : “Me armiqtë shekullorë , apo me armikun kalimtar ”? Nëse ato i detyroi pushtimi dhe udhëkryqi i vendit që ndër dy të këqija të zgjedhnin të keqen më të vogël…çfarë i detyroj komunistët pas çlirimit ta çonin vendin në rrezik … herë tek një armik shekullor , herë tek kulçedra e kuqe e herë tek dhëmbët e dragonit të verdhë ?! Pse nuk denohet komunizmi në Shqipëri ?! Sikur të bëhej një gjë e tillë , pjesa dërmuese e gjykimeve dhe paçavuret të shkrojtura më parë dhe tani , do të krijonin koshin më të madh të plehrave në Europë…
Shekulli i ri , kërkon gjykime jo vertikale me kokë poshtë , por gjykime horizontale me mentalitet modern dhe kurrsesi si kazmë varrmihëse proletare, që dikur hapte varre dhe i sanksiononte ato si ligjin e së drejtës. Aq më pak për romancierët!
Romancier i mirë nuk është ai që vleren e gjykimit e mbështet në skematizimin e thatë dhe personazhin nga unikal e degradon në qëllim në vetvete, por qëllimin në vetvete e zhvesh dhe e kthen në një rast unikal për tu lexuar dhe studiuar që ti qëndrojë kohës dhe jo momentit.

Për njeriun negativ, gjykimi per të tjerët konsiston në të përditshmen e qëllimtë, kurse per njeriun pozitiv, qëllimi i gjykimit nuk përkon më të perditëshmen, por në rastësinë dhe momentin.

Albert Camus thote: “ People hasten to judge in order not to be judged themselves.”

Filed Under: Analiza Tagged With: alfons Grishaj, Gjykimi, i të gjykuarve të salvuar!

A është Evropa dhe Shqipëria e rrezikuar ?

November 14, 2015 by dgreca

A është e rrezikuar paqja nga ekstremizmi islamik?/
Nga Lek Gjoka/
Paqja asnjëhere nuk po arrin dot të vijë në planetin Tokë.Pranvera arabe në të vërtetë arriti të largojë disa diktatorë në Lindjen e e Mesme por Siria prej disa vitesh u përfshi jo në një luftë civile por në një konflikt botëror midis islamizmit ekstrem të cilet krijuan një Kalif, Shtetin Islamik të shtrirë midis Sirisë dhe Irakut dhe botës së qyteteruar.
Sot bota është e tronditur.Edhe në shtetet me demokratike të botës paqja dhe siguria nuk është më e sigurtë.Fajtorë për prishjen e kesaj balance paqeje është islamizmi ekstremist që ndryshe quhet xhihad.Rasti me i fundit shënohët në France me 13 Nentor 2015. Parisi u mbërthye nga terrori nga shtatë sulme në zemër të qytetit, ku kanë mbetur qindra persona të vdekur. Ka pasur të shtëna me armë brenda një restoranti, dy shpërthimi pranë stadiumit “Stade de France” kur po luhej ndeshja miqësore Francë-Gjermani dhe të shtëna në një sallë koncerti, ku terroristët mbajtën peng shumë persona për disa minuta deri në ndërhyrjen e forcave të sigurisë.Evropes se lire iu vra paqja.Pra nëj luftë e vertete ne mes një kryeqyteti evropian qe ka strehuar me mijëra myslimanë të ardhur nga zonat e luftës.
Perse Franca goditet kaq rënde për të dyten here?A kane ardhur me refugjatet e Lindjes se Mesme qindra islamike qe po terrorizonë Evropen?
Aleanca botërorë ndaj luftes kundër Kalifit islamik ISIS i ka friksuar shumë keto të fundit dhe iu kanë bërë thirrje gjithë njërezve të islamizuar të terrorizojnë botën e qytëruar me qëllim friksimin e tyrë.Rasti i Parsit sigurisht që do ta beje Aleancen Evropiane dhe botetore me të forte në luftë kundër ekstremizmit mysliman.
Me aktë të tilla terroriste bota e qytetëruar ka filluar ta kuptoje se nuk duhet pritur gjate e bere leshime ndaj radikaleve te myslimanizmit ekstrem ndaj po mbledh forcat që ta godase me force kete kete kolere të fillimit të shekullit te ri qe përfaqësohet nga shteti islamik por qe në fakt nuk kane asnjë lidhje me fenë e vërtetë islame.
Sigurisht rasti i ardhjes se ekstremistëve me valën e refugjateve te luftës eshte e pranueshme sepse eshte vështirë të dallosh ne pak kohe qindra e qindra mijëra njerëz se janë te pastër apor te përzier me terrorizmin.Ne të vertete Franca është shtëpia e miliona myslimanëve sepse ky shtet iu ka hapur dyert ndaj dhe rreziku është edhe me i madh se kudo tjetër ne Evrope.
Një pyetje e fuqishmë shtrohet në arenen ndërkombëtare.A është islamizmi ekstrem besim fetar i njerezimit ?

Përgjigjia është farë e thjeshte së asnjë besim fetar përfshi edhe myslimanizmin nuk është pro terrorit, vrasjeve por pro paqes, jetës dhe barazisë njerëzorë në planetin tokë.Fare qarte e tha edhe Papa Francesku ne viziten e tij ne Tiranë se asnje besim fetar nuk thote që të vrasesh dhe askush nuk mund të vrase në emer të fese.
Atëherë çfarë përfaqson islamizmi ekstrem xhihadist?
Islamizmi ekstrem është një ide terroriste ,tru shpërlarë që në emer të fese myslimanë po trondit në rradhe të pare vete fenë myslimanë pastaj tere njerëzimin.
Që janë të pa civivizuar e kanë treguar me veprat e tyrë terroristë, makabre dukë ekzekutuar me preje koke të viktimave te tyrë, dukë përdorur dhunë ekstreme ndaj femrava muslimanë , dukë i turtoruar dhe martuar me forcë me ushtaret e tij xhihadistë,duke i shitur dhe kthyer në skllave të shekullit XXI-të.
Perse jane tru shpërlarë myslimanet ekstremistë?

Mund të sjellim me qindra rastë por rasti me i thjeshtë është ne njërën nga luftërat që po bëhët në Kobani mes kurdeve dhe islamikeve te ISIS-it.vajzat luaneshe kurde janë veshur ushtare për të mbrojtur qytetin e tyre, nderin e tyre por pranija e tyrë i ka tmerruar ushtaret islamike të ISIS-it sepse sipas ideologjise se tyre islamike xhihadiste muslimani po të vriten nga një femer shkojnë në ferr !Fare thjeshte kjo tregon injorancen ekstreme të tyre, pra shpëlarjen e trurit
Si mund të largohën myslimanët nga ekstremizmi?

Farë thjeshte të distancohën shpirterisht dhe fizikisht ndaj ideve të eksremisteve, të mos e financojnë dhe drejtuesit fetare tiu shpjegojnë besimtareve dhe femijeve të tyre së islamizmi ekstren nuk është besim fetar i muslimave por një ideologji terroristë që po njollos edhe fene muslimanë.
A është Evropa dhe Shqipëria e rrezikuar ?
Rreziku është kudo i pranishëm jo vetëm me ardhjen e refugjateve por e keqja me e madhe në Shqipëri dhe Evrope mund te vij pas mbarimit dhe shurjes se Kalifit Islamik ku një pjese e kësaj ushtrie terroristë do të tentojnë të kthehen në vendet e origjines.Ardhja e tyrë me ide ekstremiste është një rrëzik kombëtar ndaj shpata e hekurt e ligjit duhet të veproje ndaj tyrë në të kundërt Evropa do të përfshihet nga dhuna, vrasjet e tru shpërlareve xhihadistë sikur eshte rasti me i fundit i Parisit që nuk janë kurrë një besim fetar i njerezve normalë.
Bota është pergaditur që ta luftoje në themele ekstremizmin islamik por nuk duhet të vonoje , me forcen e saj ta godasë mu ne zemer shtetin islamik të ISIS-it që ta shkaterroje përfundimisht në të kundert do të shtohen edhe me teper krimet e tmerrshme në kete shekull te ri.Të gjithe besimet fetare duhet të bashkohen së bashku , si dhe e gjithe bota edhe ajo e qytetëruar duhet të marre shembullin e Republikes së Shqipërisë për harmonine shekullore fetare , harmoni që e vleresoi me notat me të larta pozitive dhe Papa Francesku në viziten e tij ne Tiranë.Të gjithe jemi bijte e Zotit dhe jemi të përkohshëm në planatin Toke ndaj duhet që tiu leme brezave të ardhshem nje planet me Paqe dhe harmoni njerezore.
Jacksonville Florida
Nentor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: ekstremizmi islamik, Lek Gjoka, paqja

Ambasador thuaj ju

November 14, 2015 by dgreca

Ambasador…Ti u fole minatorëve të korrupsionit. Që rendin, ligjin, shtetin tend e duan thjesht për të pushuar.
Pasi Amerikën e ëndrrave e kanë aty…./
Nga Ilir Levonja/
Në një pasdite Tirane. Nga ato koferencat rutinë. Deri të mërzitshme. Një ambasador u drejtohet të korruptuarve duke u thënë se unë i di. I di se kush ata janë. I njoh etj. Ai flet atyre sikur ata të ishin përjashta. Kur i kishte përballë.
Megjithatë, respekte. Në fund të fundit revolucioni edhe pse term I nëpërdhosur. Për shkak të devijimit të individit. Për shkak të dhunës, viktimave. Të njëriut që ha njeriun. Tek ne ka filluar dhe suportuar nga të huajt. Por është tmerrësisht e vështirë. Pasi në atë shkretëtirë të pamatë.
Paraqitja jote është prej milingone. Dukesh tmerrësisht i vogël. Një krijesë e brishtë. E cila përpiqet të shtyjë një sferë gati miliona vjet më të madhe se vetja. Respekte që edhe na i thua troç,
Në shqip. Edhe pse e di që Edi Rama, nga bilardot e Lezhës, ku e qerasën me një kupon… ka ironizuar me të folurën tënde. Ai vdes t’u kujtojë të tjerëve se si i flasin gjuhët e huaja. Respekte se, duke qënë në Shqipëri u flet shqiptarëve shqip. Një prioritet intelektual, për t’u ndjerë më afër njerëzve. Më afër shpirtit të tyre. Gjë që nuk e bëjnë njerëzit e besimit. Rrasot e besimeve flasin për territore. Xhihad. Luftojnë me shtetin. Me të vdekurit. Ndajnë prona dhe forcojnë muret e avllive.
Shqipëria ka një mani të madhe ndaj botës. Sidomos Perëndimit. Këtë e verteton edhe rekordi në sportelet e Llotarisë. E vertetoi viti 2015. Regjistrimet në daljet doganore. Në të njëjtën kohë, ka dhe një mani që është privilegj, i auditorit të cilit ti i fole. Shkollimi i fëmijëve jashtë shtetit. Ka dhe një mani jetese, po këtej. Edhe pse burimin e arit e marrin aty. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar kaq vite demokraci. Kërkund se shikon shenja të Perëndimit. Të paktën të qytetarit. Të intelektualit as që çohet nëpër mend. Edhe pse tregojnë diploma, edhe pse flasin nga tre apo katër gjuhë të huaja. Prapë nuk i largohen dot koracës. Sojit unik të fërkimit të barkut. Vetëm në Shqipëri ndodh që reformat të quhen të vështira. Dhe nisin diskutimet. Të zjarrta. Plot sharje, akuza, fyerje. Vetëm në Shqipëri ndodh që reformat të zgjasin nga njëzet e pesë vjetë. Thua që ata diskutojnë nuk kanë asnjë lloj pushteti. Ata që diskutojnë nuk kanë asnjë lloj mundësie.
Diskutojnë sikur ndaluesit, antireformatorët, janë përjashta. Intelektuali flet, intelektuali dëgjon.
Dhe intelektualët vendosin. Kjo është elementare. Mirëpo jo aty. Sepse ne grupet, ”intelektualët” kemi paranojën e së ardhmes. Për shkak se e kemi bërë me ndërgjegje krimin. Ndaj puna e Shqipërisë është shtoj ujë e shto miell. Llurbë brumore.
Një intelektual e merr peng vendin e vet, sapo gjykon se është I pazëvendësueshëm. Sapo nuk jep dorëheqjen. Sapo pranon të riciklohet. Sapo i flet kundërshtarit, në faqe të njerëzve, me fjalorin më ntë ulët. Nuk ka burrë fisnik, nuk ka burrë të madh, nuk ka burrë të kombit…, kur nga goja e tij del pështymë, orgji, fyerje.
Respekte që ke mësuar shqip, që u flet shqip. Por thuaji ju. Mbase nga tejngopja ata bëjnë një marrëveshje. Të paktën nuk do ta dënojnë njëri­tjetrin. Ose ta dënojnë me verdiktim e tejngopjes në vilat e tyre përgjatë bregdetit. Të jetojnë e të tresin dhjamin. Të ulin ritmet e sheqerit dhe kolesterolit. Ose, ose, t’ia kërkojnë këtë pakt popullit. Mënyra se si ti flet shqip, ngjan nga ato që i thua gjërat cop. Hashiqare…, thuaja. Me siguri populli do i fali. Pasi ne kemi falur përjetësisht.
Çuditërisht dhe magjishëm, frymëzuesit e dhunës. Dhunuesit. Kapot. Kapobandat… Por asnjëherë nuk i kemi kërkuar ndjesë viktimave. Edhe pse ato janë nga gjiri ynë.
Eshtë një komb i tërë që ka një tuf intelektualësh që thonë unë. Njëri që tha ne, ne intelektualët, ne poetët, se poeti është fajtor për çdo krim që vën vendi i tij. Ne e vramë filanin. Atë e quajtën të çmendur. Të lajthitur. Tani mburren me ‘të. I kanë bërë dhe një shtatore të madhe buzë liqenit të Ohrit. E quajnë Lasgush. Një lloj Whitmani shqiptar.
A do ta dish se çfarë intelektualësh ka ai vend? Çfarë soji nga ata që i kishe përballë në sallë.
Shkoju si qytetar. Shkoju pa rruar, me ca rroba ndryshe. Pa Chevroletin e zi. I mbajnë sirtarët gjysmë hapur. Mbajnë dhe seriozitet syzash race. Shko në një Bashki, do të lënë tek dera shtatë orë. Do të kërkojnë të përtërish letrat shtatë here në vit. Duke të shikuar nga duart. Duke të thënë hajde nesër se ja këtu gati i kam. Do të shtrydhin, pastaj do të japin dhe ca shqelma nga pas. Që të jesh gati, i terosur, i lagur, i parruar për javën tjetër. Për pushtetin tjetër.
Ti u fole minatorëve të korrupsionit. Që rendin, ligjin, shtetin tend e duan thjesht për të pushuar.
Pasi Amerikën e ëndrrave e kanë aty.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ambasador thuaj ju, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 730
  • 731
  • 732
  • 733
  • 734
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT