-MSA-ja, në thelb, shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës. Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së”, theksoi kryeministri Isa Mustafa./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Kosova shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm, tha kryeministri Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp sot pasdite në Prishtinë, pas kthimit nga Strasburgu, ku ka nënshkruar dje Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“MSA-ja për Kosovën, në thelb, shënon një fillim të fuqishëm të evropianizimit të gjithanshëm të Kosovës. Ky proces do të realizohet duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së”, u shpreh kryeministri Mustafa.
Ai shtoi se elementet më të rëndësishme të MSA-së kanë të bëjnë me relacionet kontraktuale, relacionet tregtare, me asistencën financiare, me bashkëpunim rajonal dhe relacionet e mira fqinjësore.
“Të gjitha këto janë të përmbajtura në Marrëveshje dhe se në ditët në vijim do të shpjegohen dhe sqarohen para qytetarëve ku edhe do të shpalosen përfitimet që Kosova do t’i ketë me këtë Marrëveshje, në rrugën e saj të pandalshme të integrimit në BE”, u shpreh Mustafa.
Kryeministri Mustafa ritheksoi se nënshkrimi i MSA-së, të martën në Strasburg, është ndër ditët më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.
“Kjo Marrëveshje, është rezultat i punës dhe angazhimit të qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Kosovës. Por, më meritorët për këtë të arritur, janë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë dëshmuar përkushtim dhe mbështetje të pa rezervë për rrugën integruese evropiane, duke përqafuar dhe promovuar vlerat evropiane”, u shpreh ai.
Pra, vijoi Mustafa, kjo Marrëveshje është në përputhje të plotë me vullnetin dhe konsensusin gjithënacional dhe politik që e ka karakterizuar shoqërinë kosovare, sa i takon proceseve integruese euroatlantike.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, tha se kjo është Marrëveshja e parë e rëndësishme në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. “Është kontrata e parë formale në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por është edhe hapi më i rëndësishëm, krucial, mund të themi lirisht, në raportet e Bashkimit Evropian me Kosovën”, u shpreh ai.
Sot, vijoi Thaçi, “Kosova ka arritur në nivel, mund të them të barabartë, me vendet tjera të rajonit, qoftë me Shqipërinë, Bosnjën, Maqedoninë, me Malin e Zi, apo edhe me Serbinë, sepse jemi futur në rrugë zyrtare të integrimit në Bashkim Evropian dhe ajo që është më e rëndësishme është se edhe Bashkimi Evropian e mbështet Kosovën në mënyrë unike, pra, të gjitha vendet që janë pjesë e Bashkimit Evropian”.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së djeshme, sipas zëvendëskryeministrit Thaçi, është në shërbim të perspektivës së sigurt evropiane të Republikës së Kosovës dhe është mesazhi më i mirë që Kosova po futet në familjen evropiane.
Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu u shpreh se, “në të njëjtën kohë, Kosova do të vazhdojë, që në kuadër të konsolidimit të shtetit, të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, të anëtarësohet edhe në organizata tjera ndërkombëtare, dhe se do të punohet maksimalisht në Kosovë,për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, është një e arritur e madhe historike. “Kjo Marrëveshje, ka një rëndësi të jashtëzakonshme sepse është nënshkruar në një moment delikat, në një moment të vështirë. Duke ditur se Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, kemi arritur të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, me ç’rast Kosova është futur në marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Mendoj se kjo është një gjë e madhe dhe askush nuk duhet as të mendoj që ta zhvlerësojë”, theksoi ai.
“Ne si qeveri, por edhe si Ministri e Integrimit Evropian, që kur kemi filluar këtë mandat, kemi vënë dy objektiva kryesore para vetes: arritjen e kësaj Marrëveshje dhe kjo ndodhi dje, dhe objektivi tjetër pritet të ndodhë shumë shpejt, dhe të jeni të sigurt, e kjo është liberalizimi i vizave”, tha Çollaku.
REFLEKTIM MBI VIZITËN E AMBASADORIT AMERIKAN
NË BURGUN E SPAÇIT/
Fjala është për një vizitë simbolike por tepër domethënse që ambasadori amerikan në Shqipëri, Z. Donald Lu bëri të martën në burgun famëkeq të Spaçit. Menjëherë sa e pashë në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, më bëri një përshtypje të jashtzakonshme dhe nuk mund u durova dhe e shpërndava menjëherë ndër kolegët, dashamirët dhe miqtë e mi. Ë bëra këtë sepse mu duk si një lajm i mirë, për një gjest human dhe fisnik të një diplomati amerikan, që meritonte të shpërndahej. Z. Lu që në vitin e parë të mandatit vendosi të vizitonte këtë javë, njërën prej gërmadhave më të këqia të komunizmit shqiptar dhe më gjërë për të cilën ai duhet të falenderohet.
Vizita e ambasadorit Lu në burgun e Spaçit, është me rëndësi simbolike, po se po, por edhe me rëndësi praktike, sepse për një ambasador të ri është me rëndësi që jo vetëm të kuptohet politika e sotëme tepër e ndërlikuar e Shqipërisë, por edhe e kaluara e saj e errët komuniste, jo aq e largët. Është me rëndësi që diplomatë të huaj të vizitojnë burgjet dhe qendra të tjera të përqëndrimit të regjimit enverist. Por është e doemosdoshme që edhe autoritetet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar të vizitojnë burgjet dhe kampet e regjimit komunist anë e mbanë Shqipërisë, siç është ai Spaçit, të cilin Ambasadorit Lu, e cilësoi si një “dëshmi e brutalitetit njerëzor”. Ndonëse faktet tregojnë ndryshe, gjatë këtyre 25 viteve të fundit, qeveri dhe udhëheqës politikë të gjitha ngjyrave kanë thënë dhe thonë se është bërë maksimumi për ish të përndjekurit politikë. Unë do të thosha se “të bërat” morale, të cilat kanë munguar gjatë një çerek shekulli të kaluar, janë më të rëndësishme se të “bërat” materiale. Besoj se vizita e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare shqiptare në këto gërmadha të errëta të komunizmit do të ishte një hap i parë moral drejtë pranimit se ideologjia komuniste e ish-regjimit ishte drejtë për drejtë përgjegjëse për krime kundër njerëzimit. Një gjë e tillë është e doemosdoshme siç ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Europës, gjë që ndoshta do të kontribonte më në fund, drejtë një debati të ndershëm dhe të sinqert mbi trashëgiminë komuniste në trojet shqiptare. Një trashëgimi fizike dhe morale kjo, që do a s’do Tirana zyrtare, është dhe do të mbetet pjesë e historisë dhe këto burgje do të shërbejnë si një kujtesë e një plage të pashëruar, derisa të zhduken nga kujtesa dhe nga vitet që kalojnë.
Ambasadori Lu, si asnjë ambasador tjetër amerikan e kupton mirë historinë e këtyre burgjeve të tmerrit komunist, pasi siç rrëfehet edhe vet, ai ka një histori familjare për të treguar. Stërgjyshja e tij, tha ai në deklaratën pas vizitës në Spaç, ka vdekur në një burg komunist në Kinë. “Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë”, shkruan ambasadori Lu. “Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”, shprehet përfaqsuesi amerikan në Tiranë, pas vizitës në burgun e Spaçit.
Vizita, që bëri të martën në burgun e Spaçit Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ishte pa dyshim plot simbolizëm dhe me rëndësi publike, dhe duket si një mesazh edhe ndaj autoriteteve shqiptare se ka ardhur koha të përballen me të kaluarën e historisë së tyre të gjysëm shekullit të kaluar. Në lidhje me këtë, e rëndësishëme ishte porosia e tij, “Për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit”, duke nxitur, “Të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”. A mund të imagjinohet një deklaratë e tillë nga ndonjëri prej autoriteteve të sotëme shqiptare?
Fjalët e ambasadorit amerikan janë një porosi miqësore por edhe një sfidë për politikën, për edukatorët dhe për shkollat e vendit — nga përfaqsuesi i një vendi historikisht mik i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar. Përfaqsuesi amerikan tërhoqi vëmendjen dhe nënvijoi nevojën e përballimit me historinë dhe me të kaluarën komuniste në Shqipëri, duke cituar aktivisten e të drejtave civile, poeteshën dhe autoren Maya Angelou, fjalët e së cilës janë të gdhendura në një pllakatë në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajo, nuk ka pse të përjetohet sërish.”
Nëse historia përballohet me kurajo! Kjo është pyetja. Cili politikan, përfaqsues të pozitës dhe opozitës shqiptare gjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri, ka treguar kurajo morale dhe politike për të vizituar deri më sot burgun e Spaçit, ndonjë burg tjetër ose kamp përqendrimi, si një përpjekje për tu njohur dhe për tu përballur me atë histori, për veten dhe të tjerët. Cila do të jetë shkolla e parë që do t’i përgjigjet sugjerimit të ambasadorit amerikan dhe të organizojë një vizitë të nxënsve të shkollave fillore në këto gërmadha të territ komunist, me qëllim siç tha ai, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.” Ambasadori amerikan me qëllim të mirë shtoi se “Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”, duke nënkuptuar se kjo histori është “treguar” tanimë. Fati i keq është se gjeneratës të cilës i referohet ambasadori, nuk i është treguar ende kjo histori ashtu siç duhet dhe në përmasat që duhet t’i mësohet. Por sado qëllim mirë është përfaqsuesi amerikan në porositë e tija, kjo është në radhë të parë detyrë dhe përgjegjësi e autoriteteve politike shqiptare dhe e sistemit arsimor të vendit. Fatkqesisht, duket se e kundërta po ndodhë, ndërkohë që vihen re tendenca dhe përpjekje – si në asnjë vend tjetër ish-komunist – për rihabilitimin e diktatorit të regjimit komunist madje edhe në raste festash kombëtare ku marrin pjesë edhe udhëheqsit më të lartë të vendit, pa kundërshtuar dukuri të tilla, duke i pranuar si të radhës.
Duket se politikanët shqiptarë e gjejnë më të arsyeshme dhe më pak të dëmshme për karierat e tyre politike, tolerancën ndaj diktatorit, se sa kujtimin e viktimave të tija, si ato të burgut të Spaçit! Është me rëndësi që ambasadori amerikan vizitoi burgun e Spaçit, por megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mund të pajisë autoritetet e shtetit dhe të qeverisë shqiptare me një ndërgjegje morale dhe pollitike që është e nevojshme për tu përballur me krimet e komunizmit në vendin e tyre.
Ka ardhur koha që udhëheqsit e sotëm politikë shqiptarë të pranojnë zyrtarisht këtë kapitull të zi të historisë moderne shqiptare gjatë së cilës u vranë dhe ku vdiqën të izoluar me mijëra bashkatdhetarë të tyre të pafajshëm, gjatë pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist. Kështu kanë bërë shumë shtete ish-komuniste, tani anëtare të Bashkimit Europian. Rruga e Shqipërisë drejtë Bashkimit Europian –nëqoftse me të vërtetë Tirana zyrtare është serioze për tu bërë pjesë e klubit të vendeve europiane me të cilat ndanë gjeografinë dhe kulturën – do të jetë e vështirë, nëqoftse krimet e komunizmit në Shqipëri nuk vlerësohen dhe gjykohen nga pikpamja ligjore, morale, politike dhe historike, ashtu siç kërkohet nga konventa dhe deklarata të ndryshme europiane.
Nëqoftse Spaçi nuk vizitohet me qëllim për të mos harruar kurrë atë histori, atëherë të pakën të vizitohen këto ish-kampe për kuriozitet, për t’u njohur me rrethanat e asaj përvoje tragjike të shumë bashkatdhetarve të vet, të cilët kanë patur fatin të dalin të gjallë së andejmi. Edhe këta janë shqiptarë dhe pjesë e të njëjtit komb! Mungesa e kujtimit të vrarëve dhe të gjallëve dhe e krimeve kundër tyre, siç ka thënë mbijetuesi i holokaustit, Elie Wisel, do të ishte baraz me persekutimin dhe vrasjen e tyre për së dyti. Të mbijetuarit e burgut të Spaçit dhe burgjeve të tjera, përfshirë ata të kampeve të përqëndrimit, kanë shumë për të thënë mbi përvojën e tyre të tmershme, nepërmjet testamenteve, kujtimeve dhe librave të ndryshëm që janë shkruar, por për arsye të moshës ata mbeten të pakët në numër dhe po zhduken dalngadalë. Dhe me zhdukjen e tyre, harrohet edhe historia, krimet e komunizmit, si dhe vrasjet dhe vuajtjet e viktimave të asaj tiranie, gjë që sipas nobelistit Elie Wiesel, do të ishte një vrasje e dytë e tyre.
Besoj se kjo ishte edhe arsyeja që ambasadori amerikan Donald Lu bëri thirrje shqiptarëve në përgjithësi dhe brezit të ri në veçanti, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.”
Shtypi- MSA “çarmatos” opozitën
Kosovë-shtypi: Opozita nuk do ta bllokojë ratifikimin e MSA-së/
-Tituj të tjerë: “Çollaku: MSA, më e rëndësishmja pas Pavarësisë”, “Hapet ‘dera’ e BE-së”, “Kosova më në fund përjeton një gëzim europian!”, “Mustafa: Kosova tani partner i Bashkimit Europian”, “Vuloset rruga e Kosovës për në BE”/
PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Subjektet politike opozitare do ta pezullojnë bllokadën e punës së Kuvendit kur në rend dite të vihet aprovimi i Ligjit me të cilin ratifikohet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim (MSA), e firmosur të martën në Strasbourg nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian. As qeveria nuk do ta vonojë shumë procedimin për ratifikim, paralajmëron sot shtypi në Prishtinë.
Me kryetitullin “Opozita nuk do ta bllokojë ratifikimin e MSA-së”, Koha Ditore shkruan se, në sesionin vjeshtor janë përmbyllur vetëm dy seanca plenare, me gjithë shumë tentativave që janë bërë. Edhe ato janë zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme – njëra nën zhurmën e filikaçave dhe tjetra në bufe të Kuvendit. Që nga fillimi i këtij sesioni opozita ka kushtëzuar zhbllokimin me tërheqjen e nënshkrimit nga ana e qeverisë në Marrëveshjen për parimet mbi bazën e të cilave do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si dhe nga Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Nga të tria subjektet politike opozitare, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është deklaruar qartë se do ta lejojë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Në anën tjetër, në lëvizjen “Vetëvendosje”, subjekt ky kryesor opozitar, kanë thënë të jetë herët tash të jepet një përgjigje në lidhje me pozicionimin për ratifikimin e MSA-së.
“MSA ‘çarmatos’ opozitën”, është titulli te Zëri. Sipas kësaj gazete, ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim për herë të parë, pas shumë seancave të ndërprera, pritet ta “çarmatosë” opozitën dhe me flamur të bardhë ta kthejë në Kuvendin e Kosovës. Nënshkrimi i MSA-së ditën e djeshme me BE-në duke vënë kështu marrëdhënie kontraktuale me Evropën, shihet si e mirë e madhe edhe për opozitën. Megjithëse, ata hezitojnë për ta pranuar me “plot gojën” votën për këtë marrëveshje, opozita ka garantuar se të paktën bllokime nuk do të ketë. Madje, AAK-ja ka përshëndetur edhe publikisht nënshkrimin e MSA-së. Edhe nga analistët “kundërshtimi” i opozitës nuk mendohet të ndodhë. Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka urdhëruar Kuvendin që të bëjë ratifikimin sa më të shpejtë të këtij procesi edhe pse kjo çështje nuk do të jetë pikë e rendit të ditës të hënën në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, apel në drejtim të opozitës pas nënshkrimit të Marrëveshjes, për të ulur armët dhe për të filluar dialogun, kanë dërguar edhe zyra e BE-së në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të BE-së të cilat tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës, shkruan gazeta.
Ndërsa, kryetitulli te gazeta Zëri është “Çollaku: MSA, më e rëndësishmja pas Pavarësisë”, ku theksohet se, “ministri Bekim Çollaku thotë se nënshkrimi i MSA-së është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën që nga Shpallja e Pavarësisë. Sipas tij, kjo Marrëveshje e njeh qartë territorin e Kosovës”. “Hapet ‘dera’ e BE-së”, është poashtu titull qendror i ballinës.
“Kosova më në fund përjeton një gëzim europian!”, është editoriali i gazetës Bota Sot, e cila në kryetitull thekson “Mustafa: Kosova tani partner i Bashkimit Europian” dhe “Një hap më afër Europës. Nënshkruhet MSA-ja”. Gazeta Epoka e Re ka kryetitull “Vuloset rruga e Kosovës për në BE”.
Në Kuvendin e Kosovës nuk është renditur në axhendë ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar pas kohës së mbajtjes dje të mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u përcaktua rendi i ditës për seancën vijuese, por pritet të jetë së shpejti.
Seanca e radhës e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet të hënën, në 2 nëntor. Kështu ka vendosur dje Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, por jo edhe të opozitës.
Në seancën plenare të së hënës, në të cilën përsëri paralajmërohen bllokime nga opozita, ligjvënësit kosovarë pritet të shqyrtojnë një varg projektligjesh, raportesh e rekomandimesh.
Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk kishte arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës, të vezëve e shisheve të ujit, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë, madje deri në banalitet, derisa jashtë Kuvendit në shesh kishte edhe protesta./b.j/
Kush fiton apo humb nga trazirat në Mal të Zi?!
Presidenti dhe kryeministri i Malit të Zi, Fillip Vujanoviq dhe Millo Gjukanoviq, nuk kanë asnjë dyshim se protestat e dhunshme, të shtunën në Podgoricë, kanë treguar se qëllim i opozitës është të përmbysë rendin kushtetues dhe të ndryshojë në mënyrë të dhunshme qeverinë.
Disa mijëra protestues, nën ombrellën e Frontit Demokratik opozitar, kanë kërkuar dorëheqjen e Gjukanoviqit dhe formimin e një qeverie të përkohshme.
Tensionet shpërthyen pasi protestuesit bënë përpjekje të thyenin kordonin policor përreth ndërtesës së parlamentit.
Gjukanoviq, i cili është në pushtet qysh në vitin 1991, ka akuzuar opozitën se bën përpjekje të parandalojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shprehur bindjen se Rusia qëndron prapa protestave.
Mali i Zi është vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe pret ftesën këtë vit për t’iu bashkuar NATO-s. Mali i Zi po ashtu duhet të mbajë zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.
Por, qeveritë perëndimore dhe grupet për të drejtat e njeriut mbeten të shqetësuara për nivelin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, i cili ka marrë hov gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e 90’ta.
Kritikët po ashtu thonë se shteti prej 680,000 banorësh udhëhiqet nga një elitë politike, kryesisht e pandryshuar, që 20 vjet.
Opozita thotë se qëllim të përbashkët ka organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, sidomos pas aferës “Snimak”.
Kjo aferë ka të bëjë me publikimin e audio-incizimeve nga një mbledhje e partisë së Gjukanoviqit, në të cilat dyshohet se flitet për përdorimin e burimeve shtetërore për përfitime partiake dhe për punësime në baza partiake.
Derisa Fronti Demokratik paralajmëron vazhdimin e luftës politike, shtrohet pyetja se kush fiton apo humb nga trazirat në Mal të Zi?!
Momçillo Radulloviq, kryetar i OJQ-së Lëvizja Evropiane në Mal të Zi, thotë se pas protestave të dhunshme të shtunën, të gjithë kanë dalë ngapak humbës në demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë.
Por, sipas tij, nuk ka dyshim se kryeministri Gjukanoviq ka arritur të tregojë imazhin që i konvenon Malit të Zi, në prag të ftesës së dhjetorit për anëtarësim në NATO.
“Gjukanoviq dhe strukturat qeverisëse kanë arritur atë që është shumë e rëndësishme në këtë moment, për ta dhe për të gjithë ne. Mali i Zi është treguar si vend i insititucioneve të sigurta që reagojnë në kohë dhe i strukturave politike që përfundimisht janë të angazhuara për anëtarësim në NATO”, thotë Radulloviq.
Bozhena Jellushiq, nga Lëvizja qytetare Ura në Mal të Zi, është optimiste se do të ketë dialog politik mes palëve, si mënyra e vetme për dalje nga kriza politike dhe institucionale.
“E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të mos e hedhim në erë energjinë e lëshuar, ndërsa pakënaqësinë e akumuluar ta artikulojmë në mënyrë konstruktive, në mënyrë pro-evropiane, e cila respekton të drejtat dhe vlerat e njeriut”, thotë Jellushiq.
Mali i Zi, i cili ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, ka një komunitet të fuqishëm serb, i cili tradicionalisht ka anuar kah Rusia, e cila kundërshton ashpër zgjerimin në lindje të NATO-s. (v.tela)
Mali i Zi është në kufi me Shqipërinë dhe Kosovën
Nga Fahri XHARRA/
Kosova nuk e ka kryer detyrën në zbardhjen e krimit shtetëror serb dhe tash po injoron veten. Opinioni botëror, siç konstaton Ismail Kadare, pikërisht ai që kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim që të kryhej dëshmia shqiptare kundër krimit, por ajo vonoi, edhe sot nuk është realizuar, sepse vetë Kosova ka rënë në kurthin e armikut pushtues, në kurthin e harresës dhe të inkriminimit të vetvetes. Inteligjencia e saj, akademikët, historianët, jo vetëm nuk kanë kryer detyrën, por përkundrazi, kanë pranuar edhe mënjanimin publik nga arena e ngjarjeve politike dhe kombëtare!( D.G.)
Nga Mali i Zi na vijnë lajme jo të mira; nga Mali i Zi na vjen një si “ bombë “ kundër një qetësie të rrejshme në Ballkan. Lajmet janë shqetësuese. Kush po i organizon protestat e dhunshme në Podgoricë dhe ku është qëllimi ? Premieri Mile Gjukanoviq i cilësonte turbullirat e së shtunës si një tentim destabilizimi të vendit , i cili e pret anëtarësimin në NATO , dhe se qëllimi është edhe më i thellë, kërkesa për anulimin e rezultateve të referendumit të pavarësisë së Malit të Zi, më 2006.
Se kush qëndron pas këtyre ngjarjeve, pushtetarët janë të kujdesshëm kur flasin duke thënë që Beogradi zyrtar nuk angazhohet kundër Malit të Zi, por “ janë disa rryma nacionaliste të ish presidentit jugosllav Vojisllav Koshtunica.” Ec e mere vesh !
E kisha cituar Kryeredaktorin e Gazetës”Dielli” (SHBA ) “ Personazhet e rebelimit duket se vuajnë ca nga mllefi, ca nga padurimi, por ca edhe nga harresa. Ka ndodhë ajo që konstatonte shkrimtari Kadare tek ”Mbi Krimin në Ballkan”. Është harruar e djeshmja, nuk u zbardhën krimet, nuk u vunë para drejtësisë kriminelët. U harrua pushtuesi. Krimi mbeti i pandëshkuar. Kosova nuk arriti të bëjë transparencën e krimit dhe ai, krimi dhe kriminelët mbetën të pandëshkuar deri në fund. Tani krimi është në sulm. Serbët po përfitojnë. Beogradi po fërkon duart duke i tundur gishtin Amerikës dhe Europës: Ju thamë, ata(shqiptarët) nuk dinë të bëjnë shtet….Mos e pranoni Kosovën në UNESCO se kosovarët po shkatërrojnë Parlamentin e tyre, e jo të ruajnë kishat tona!…”
Mali i Zi është në kufi të parë me Kosovën e Shqipërinë, kurse të dy shtetet shqiptare të trazuara politikisht dhe ekonomikisht nuk janë në gjendje që të “rrudhen” pak në agresivitetin e tyre të brendshëm.
John Kerry, Sekretari amerikan i Shtetit, ka lëshuar një paralajmërim të zymtë se Kosova është një nga vendet evropiane që janë në vijën e zjarrit, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë (shkruan në “Zëri “) Edhe pse këtë mesazh e mbajti kur ai u shfaq përpara nën-komitetit të Senatit të SHBA në shkurt të vitit 2015, mund ose nuk mund të jetë e vërtetë, Rusia prapë se prapë mbetet shumë e përfshirë në Ballkanin Perëndimor në nivelet, politik dhe operacional.
Mali i Zi i turbulluar, arsyet referendum i pavarësisë dhe hyerja e saj në NATO dhe e dimë fort mirë se Konflikti në Kosovë ishte dhe është një çështje që ndan bashkësinë ndërkombëtare, pavarësisht progresin e padyshimtë që prej ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008.
Pozicioni i Rusisë mbi Kosovën mbetet i pandryshuar, kërkon gjithashtu të bllokojë politikisht, çdo progres të Kosovës në fazat ndërkombëtare dhe rajonale, nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe nëpërmjet Serbisë.
E gjithsesi ne harrojmë që : “Në vitin 2010, Rusia ndërtoi bazën më të madhe ushtarake jashtë Rusisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Kjo bazë ushtarake, në Nish në juglindje të Serbisë, u themelua si një bazë humanitare nga e cila avionët rus do të veprojnë në kohë të fatkeqësive natyrore. Ajo ka kapacitet për të ndërmarrë mbikëqyrje dhe spiunazh në bazën ushtarake amerikane në Rumani, si dhe të akomodojë forcat ruse në vendosjen eventuale të bashkëpunimit me njësitë speciale të ushtrisë serbe në Nish, (transmeton “Zëri”. )
Të shtojmë se “Duke koordinuar me dy brigada të tjera në Rashkë dhe Vranjë në Serbi, ku secila brigadë ka 11 batalione të forcave të kombinuara të cilat janë tashmë në kufi me Kosovën, tregon se sa kapacitet të rëndësishme ka ky bashkëpunim. Në fakt, stërvitjet e përbashkëta ushtarake tashmë kanë ndodhur në komunën Ruma, në formën e një stërvitje të përbashkët anti-terroriste. Ekspertizat ushtarake pohojnë se ka më shumë se arsye se ajo “humanitare” prapa bazës së Nishit vetëm 100 km nga kufiri i Kosovës. “
Ngjarjet në Podgoricë presidenti i cilëson “ si jo kërcënim për stabilitetin e vendit ,i cili e pret anëtarësimin në NATO “, por sipas shtypit malazias, protestat do të vazhdojnë.
Ne si i cilësojmë ngjarjet tona?
Mali i Zi nuk është largë, çdo gjë është e mundur.
Fahri Xharra, 26.10.15 Gjakovë
- « Previous Page
- 1
- …
- 738
- 739
- 740
- 741
- 742
- …
- 975
- Next Page »