• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pa gurë është më e bukur fitorja

October 8, 2015 by dgreca

* Shqiptaret duhet t’i luten Zotit t’i ruaje nga vetevetja/

*Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan…/

* Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim./

Nga Ilir Levonja/

Nëse nuk fitojmë sot me Serbinë, nuk është faji i ekipit. Biles përgatituni të mos u shkumosni duke i sharë. Eshtë faji i juaji. I këtij publiku apo populli që mbeti me brohorima entuziazmi. Aq sa duket sikur është forcë vullnetare e përjetshme. Më vjen keq që shprehem kështu. Unë jam pjesë e juaja. Por me keqardhje zbuloj se jemi më shumë se sa duhet. Më shumë se sa duhet për zhurmë, për fjalë patriotike, për dukshmëri, për të bërtitur etj. Dhe me sa duket, as që kemi për të vënë mend. Më shumë se sa duhet të dehur. Më shumë …

Nuk e di nga i gjejmë këto energji çoroditëse. Këto shfryma që një njeri i urtë i përmbledh me thelbin e mbrojtjes brenda psikologjisë tonë. Zot na ruaj? Por nëse të tjerët, ata jashtë sojit shqiptar.

I luten Zotit t’i ruaj nga gjithçka. Shqiptarët duhet t’i luten t’i ruaj nga vetvetja. Pra jemi më shumë se normalja. Jemi sa për t’u dukur. Sa për t’u treguar esnaf me fjalë, jo si burrat që pretendojmë se i kemi dhe se i respektojmë. Nuk jemi të tillë… Dhe për më tepër tani, në liri.

Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan. Përse? Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim.

Patriotizëm? Për Gorën, apo goranët…? Të cilët edhe aty ku janë sot, flasin akoma sllavisht. Dhe ndihen serbë, bullgarë apo maqedonas? Pra në mes të Shqipërisë. Kurse një i rritur në mes të Beogradit, vetëm pse ka emër mysliam, duhet të ndihet shqiptar. Ndryshe është tradhtar dhe Elbasani do e fërshëllejë?! Ndërkohë që kemi shqiptarë që çfarë nuk po bëjnë të ndihen deri kinezë. Mjaft që të ikin prej asaj Shqipërie.

Dhe nuk e di pse duhet të kënaqesh kaq me ekzaltim, deri frenetisht sikur do ringjallim gjithë çfarë kemi humbur nga politikat shfarosëse të Serbisë. Madje ngelëm duke kujtuar genocidet, barbaritë, luftrat nga mesjeta e këtëj. Se kush ka të drejtë, serbët apo shqiptarët? Dhe sepse atyre u pëlqen të mashtrojnë historinë në sytë e njerëzimit, ne duhet ta zhbëjmë atë. Njerëzimi e di më mirë nga ne historinë. Por si nga tradita, nga vitet që palosen, e keqja e vetvetes i ka mbajtur në barazpeshë anët e kandarit. Nuk ka qënë vetëm i huaji, por edhe me ne njëri­tjetrin. Ndaj sot na ka kapur marrëzia.

Ndaj jemi edhe kaq të shfrenuar. Na ngjan se na ka ardhur shanci në derë që ata njëmbëdhjetë njerëz në fushë t’i dërrmojnë deri sa të na kënaqet shpirti ynë prej vullnetari të përjetshëm. Pa e kuptuar aspak se po i përgjigjemi, vulgaritetit historik me të njëjtën monellë. Jo për liri, jo për lavdi, jo për patriotizëm por thjesht se kemi rënë në grackën e vulgarizmit. Sidomos, së pari studiot e Kosovës. Një vrull i shfrenuar, të gjorët viktima, lufta, liria, vatani. Autobuzi i ekipit serb me flamur shqiptar. Si u ka shpëtuar serbëve? Si u a hodhëm?! Gorani Miralem Sulejmani etj. Ai ambasadori atje, që refuzoi notën e protestës etj. Bravo, bravo i qoftë. Këto janë përralla.

Ideollogji. Pasi sa kohë që nuk respektoni njëri­tjetrin dhe mbetët duke u zënë me domate e tranguj në Kuvend. Nuk ka komb kështu. Por ka njerëz që për komb kanë dëshirën e shfrenuar. Së dyti, mjaft i ratë më qafë gjoksit dhe dëshmorëve të luftës. Kosovën e çliroi NATO dhe Amerika. Po, kështu është. Ata e çliruan. E çliruan por jo për të themeluar 57 parti, jo për të rrahur gjoksin, jo për t’u vulgarizuar si armiku i juaj, jo për tu ekzaltuar dhe bërë qiellin e Ballkanit të barbarizuar nga një lloj reshje benzine sikur kemi kapur dhe çliruar botën.

Së treti këta tipa që përgjërohen me drone e që politikanët tanë dritëshkurtër i publikojnë pamjet e tij me mjekërr talebani, për heroin e stërrët të fushës së zezë. Ja morën shpirtin së kuqes.

Shqiponjës, etj. Që nuk ngopen dhe i shtojnë dozat deri në histeri. Ballistin po e përmend edhe bota. Po, po…, por nuk ka përse të jetë e habitshme, që pas disa ditëve të na thuhet se e kanë pompuar qëllimisht me sponsorizim të serbëve. Ata qytetarë që mallkojnë një qeveri kur ndalon.

Dhe që janë gati të shkelin me mijra ligje vetëm e vetëm që ”patrioti” ballist, të dali e të ndezi qiellin e benzinë.

Së katërti, shqiptarët brenda shtetit të kafshuar amë. Që edhe pse kanë një grup të mrekullueshëm profesionistësh, duan si e si t’i bëjnë talebanë xhihadistë.

Webe, statute me patriotizëm. Poza pa fund politikanësh. Dhe e keni vënë re, që këta shtetarët tanë mbushen plot statute e foto, me lojtarë me emër, me këngëtarë e aktorë. Dhe policë apo ushtarakë të vrarë. Vetëm në adete e mysybete. Jo në të përditshmen. Statute të tilla…, Mbytini, vritini etj.

Një komb një atdhe. Edhe pse ia mbajmë njëri­tjetrit traun tek hunda. Jemi vëllezër, jemi shqiptarë.Kthjellohuni se, qytetarisë së një vendi të lashtë i ka ardhur koha të dëshmojë. Për prapësitë e historisë që mundet edhe jo, të të duan ndëshkimin prej Zotit. Por jo prej shqiptarëve.

E sotshmja është një ndeshje futbolli që duhet të justifikojë edhe drejtësinë europiane karshi burokracisë dhe marrëdhënieve mes tarafeve dhe miqve të interesit. Që çuditërisht mëshirohen deri në intelektualë të tipit Mishel Platini. Shqiptarët e kanë brohoritur, adhuruar, dashurar.

Por puna është se ai u bë pjesë e pikërisht, kësaj vulgarizme globale që vuan prej shekujsh edhe qytetaria në Ballkanin perëndimor. Jepuni serbëve ujë bujarisht dhe lërini të qetë djemtë tanë.

Jepuni serbëve mesazhe paqeje. Po ashtu dhe njerëzimit nëpër botë. Jo tipat e ballistave që vdesin të duken talebane. Jepuni lule, jepuni brohoritje dhe tregojuni se klasit të respektit i erdhi shanci në historinë ballkanase të tregohet prej lashtësisë shqiptare. Ajo ka kohë që ka triumfuar.

I druhem kësaj shfryme, kolektive. Qoftë e afërt dita kur edhe të ndërrojmë.

Filed Under: Analiza Tagged With: është më e bukur, Fitorja, Ilir Levonja, Pa gurë

SHPIRTI HUMAN I NJË FRATI GJERMAN NË SHQIPËRI DHE DËSHTIMI I SHTETIT

October 5, 2015 by dgreca

   Nga Frank Shkreli/

Media të ndryshme vizive dhe e shkruara në Shqipëri raportuan gjatë fund javës që kaloi një lajm, që për nga natyra dhe besueshmëria, ishte vështirë për të mos thënë e pamundur që të mos tërhiqte vëmendjen e lexuesit.  Ishte një lajm disi i jashtzakonshëm, sepse njoftohej për një prift gjerman, në të vërtetë për një frat të urdhërit të Shën Françeskut, i cili i shërben grigjës së tij në rrethin e Pukës duke u kujdesur për nevojat  shpirtërore të popullësisë së atyre anëve të varfëra e të izoluara të veriut, një zone kjo e shtypur për pothuaj 50-vjetë nga regjimi komunist dhe një krahinë e lënë pas dore dhe e harruar nga qeveritë e njëpasnjëshme post komuniste të 25 viteve të kaluara.

Fjala është për Fratin gjerman Andreas Walterman i cili siç duket, për të qenë sa më afër popullit që i shërben, ka mësuar dhe e flet shqipen rrjedhëshëm. Nuk besoj se frati gjerman kur erdhi në Shqipëri të kishte pasur në plan ndërtim rrugësh dhe urash. Por i dëshpëruar nga varfëria e skajshme dhe nga mos kokëçarja e shtetit për nevojat bazë dhe për sigurinë e qytetarëve të vet, sipas lajmeve, At Andreas bëri atë që nuk e kishte bërë shteti: ndërton rrugën dhe ngre urën në fshtatin Kavlina të Bashkisë së Pukës.

Banorët e zonës shprehën zemërimin e tyre mbi gjëndjen e përgjithshme në të cilën gjënden duke u shprehur për News 24 dhe duke u ankuar se “jetojnë si në mesjetë”, të izoluar dhe të harruar.   Siç duket, ura e vjetër e fshatit mbi lumin Fan ishte aq e rrezikshme për fshatarët, sa që detyroi At Andrean të bënte diçka në lidhje me atë situatë.  At Andreas veproi, sipas News 24, pasi kërkesat dhe lutjet e vendasve ndaj organeve të shtetit shqiptar për ndërtimin e një ure të re kishin rënë vazhdimisht në veshë të shurdhët.  Megjithëse të mospërfillur dhe të zhgënjyer nga shteti, News 24 raportoi se — falë ndërhyrjes së at Andreas — ata tani kanë urën e re dhe nuk do të detyrohen më të kalojnë lumin mbi urën e vjetër në këmbë me të sëmurët apo të vdekurit mbi shpinë.  News 24 raporton se tashti banorët  e zones nuk do të detyrohen të rrezikojnë më jetën, pasi “falë kontributeve të At Andreas Walterman   fshati ka tashti rrugën automobilistike dhe urën e re.” Media shqiptare ka përmendur edhe në të kaluarën kontributet dhe ndihmat e këtij frati gjerman për zonat më të izoluara të Shqipërisë së veriut të cilat në atë anë, janë të njohura tanimë.  “Ura e Kavlinës është gati”, u shpreh shqip ditën e inaugurimit të saj, frati gjerman. “Gjithashtu rruga në fshat është e hapur.  Qoftë rruga, qoftë ura të jenë si një damar i jetës për ju dhe për zhvilimin e fshatit Kavlinës dhe për dobinë e të gjithëve”, u tha të pranishëmve të zones, At Andrea.  Fshatarët nuk mund të përmbanin kënaqësinë dhe entuziazmin e tyre duke falenderuar At Andrean për këtë vepër të madhe për ta, ndërsa u shprehën se “më në fund edhe për ne tashti po shëndritë dielli”.  Ky në të vërtetë ndërtimi i rrugës dhe i urës duhej të ishte një projekt i shtetit dhe jo i një frati nga Gjermania!

News 24 raportoi se falë përkujdesjes dhe kontributit të At Andreas, fshati Kavlinas nuk do të jetë më i braktisur siç ishte deri tashti, megjithë realitetin e hidhur historik të kësaj zone të shtypur dhe nepërkëmbur.  Banorët e këtij fshati nuk do tu u trembën më ujrave të rrëmbyeshëm të lumit Fan.  Kjo, jo, falë përkujdesjes dhe investimeve të shtetit, por siç raporton edhe  korrespondenti i News 24,  Armir Mehaj,  falë “kontributit dhe shpirtit human të atij (At Andreas) që të varfërit e këtyre anëve i do më shumë se ata për të cilët fatkeqët e Veriut votojnë prej 20 vitesh.”

Ata për të cilët “Fatkeqët e Veriut votojnë prej 20-vtesh, janë bërë pjesë e një politike që nuk shikon as nuk e intereson gjë tjetër veç karriga, mbajta e karrigës me çdo kusht.  Politika, si industri kryesore në vend, është në dorë të një grupi, që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, para nja dy viteve në Munich të Gjermanisë,  i ka cilësuar si oligarkë, interesat e të cilëve i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik dhe të cilët kanë helmuar dhe kanë korruptuar klasën politike dhe njëkohsisht edhe median për interes të tyre ekonomik dhe politik. Fatkeqsisht, siç ka thënë At Zef Pllumi, “Shqiptari ende se ka kuptue se politika ashtë shërbim dhe jo fitim”.

 Dishepujt e urdhërit të Shën Françeskut, ose siç u referohen në Malësi si “Fretnit e maleve tona” — shqiptarë dhe të huaj — ata kanë një histori të gjatë në ato anë, në të vërtetë prej shekujsh — përkujdesjeje shpirtërore, materiale dhe kulturore ndaj zonave të Malësisë së Veriut, të cilat janë më të varfërat në Shqipëri.  Akti human i fratit gjerman që flet shqip, është një pasqyrim i mirë i veprimtarisë  fetare dhe i traditës atdhetare i françeskanëve shqiptarë — por edhe të huaj siç është At Andreas — në ato vise të harruara.   Për të mira dhe për të këqia, françeskanët nuk u ndanë kurrë nga ai popull, madje as në periudhat më të vështira të historisë shqiptare. Ata vuajtën me ta, festuan me ta, vajtuan me ta, madje edhe luftuan krah për krah në mbrojtje të trojeve të veta me malësorët e varfër por krenarë — që duket se janë përgjithmonë të lënë pas dore, pa marrë parasyshë regjimet dhe autoritetet qëndrore dhe vendore, përfshirë edhe periudhën post komuniste të 25 viteve fundit.

 Ndërtimi i rrugës dhe i urës në Kavlinë të Pukës është me të vërtetë një akt human,për faktin se është realizuar me kontributin e një prifti gjerman të urdhërit françeskan, të cilin fati e ka sjellur në ato krahina të varfëra.    Por ama njëkohësisht, ndërtimi i urës në Kavlinë të Pukës me ndihmën e një frati gjerman, duhet të shikohet edhe si një dështim i shtetit, i autoriteteve politike të vendit, i përfaqsuesve të atyre krahinave — detyra parimore e të cilëve është kujdesi, siguria dhe mirëqenja e shtetasve që ata përfaqësojnë.  As mos të flasim për vlerat  bazë universale dhe të drejtat e njeriut për popullin e këtyre krahinave të harruara — për dinjitetin njerëzor, për lirinë dhe demokracinë — të cilat të pakën në sipërfaqe duhet të sjellin njëfarë barazie në  zbatimin e ligjit. Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të kenë të njëjtat të drejta para ligjit!  Por fhstarët e Kavlinës së Pukës,  janë të kënaqur me pak:  me një urë të re që as ëndërr nuk e kishin parë, siç u shpreh njëri prej tyre, pasi tashti nuk do të detyrohen të mbartin në shpinë të sëmurët dhe të vdekurit mbi urën e vjetër që rrezikonte jetën e tyre. Më në fund edhe për ta “po shëndrit dielli”, falë kontributit dhe punës së një dishepulli të Shën Françeskut!

Filed Under: Analiza Tagged With: deshtimi i shtetit shqiptar, Frank shkreli, Frati Gjerma

HESHTJA E PAPËRLIGJUR

October 5, 2015 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Duke lexuar gazetën “Corriere della Sera” të datës 29 shtator, në faqen 44, në rubrikën “Lettere al Corriere”, të mbarështuar nga ish diplomati, studjuesi i historisë dhe politologu i njohur italian Sergio Romano, hasa një argument interesant të trajtuar, më së fundi, thjesht e qartë. Nuk kishte në të atë mjegullnajë që, shpesh, ngatërron fillin e arsyetimeve, duke i ardhur vërdallë një problemi, pa hyrë në thelbin e tij, që me shumë fjalë nuk thohet asgjë. Është kjo një karakteristikë e shumë politikanëve, kudo në botë, por jo rrallë edhe e gazetarëve apo analistëve vështirë të kuptueshëm.

Zakonisht Sergio Romano nuk parapëlqen t’u përgjigjet letrave “të vështira” të lexuesve por, kur e merr përsipër, ka meritën të jetë i sinqertë, duke mos e fshehur mendimin e tij, edhe se mund të jetë i pakicës n’opinion. Argumenti i letrave të dy lexuesve ishte vizita e fundit e Kreut të Vatikanit në Kubë dhe SHBA-ës.

“Kam kuptuar tërthorazi se në Kubë kanë shpënë në shesh ata të një mëndjeje, ndërsa të kundërtit janë lutur njerëzisht të qëndrojnë në shtëpi. Duket gati si ana tjetër e një medaljeje të çuditëshme. Komunistët që hymnizojnë Papën! Dhe pyes veten se përse pasardhësi i Shën Pjetrit nuk ka thënë : më sillni këtu kundërshtarët, mbasi ndoshta zëri i tyre është më i fortë se i imi! Çudí! Ndoshta globalizimi dhe mashtrimi mbretërojnë pa kufizim edhe në Vatikan.”   Firma e shkruesit

Kjo ishte letra e parë që ka një kah të prerë këndvështrimi e paraqet një lloj shqetësimi që shkon duke u shtuar. Është kjo arsyeja që edhe Romano e zgjedh për t’i u përgjigjur. Ja edhe letra tjetër, me një ndryshim të madh nga e para, qoftë si interpretim ngjarjesh, qoftë si mendësi e prirje arsyetimi politik.

“Nuk mund të mos jesh i kënaqur për heqjen e embargos Kubës, të zgjatur bukur shumë 52 vjet e për shkëmbimin e të burgosurvet të ndërsjelltë. Edhe vizita e Papës Françesku dhe takimi i tij me Fidel Kastron i anëshkrohen një kthese paqtuese. Kam vënë re se shumë mjete informacioni nuk kanë mbetur të kënaqur dhe do të kishin mëtuar më shumë nga kubanët. Do të donja që ju të flisnit për marrëveshjet e përfunduara dhe çfarë do të kishin dëshiruar më shumë kundërshtarët e kastristëve.”

              Firma e shkruesit

Ja edhe përgjigja e Sergio Romano-s

OBAMA, KASTRO, FRANCESCO  NJË PAKT TRIPALËSH

Të dashur lexues,

Kur  një gazetar e pyeti Papën se pse nuk priti disidentët në seline e Ambasadës papnore, Françesku u përgjigj se, në atë rrethanë nuk ishte qëllimi i tij të bënte pritje, madje as edhe të një Kryetari Shteti. Do t’i shihte disidentët, ndërmjet besimtarëve të tjerë, n’atë katedrale. Të përkthyera më qartë ato fjalë donin të thonin se Papa, gjatë udhëtimit të tij në Kubë, nuk do t’i jepte hapësirë opozitavet. Hipokrizí ? Oportunizëm ? Apo më thjesht realizëm ? Mbrapa rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-s dhe Kubës, ka një shkëmbim. Amerikanët, më së fundi, dalin nga një rrugë pa krye dhe mund të kthehen në Kubë me të gjitha levat politike dhe ekonomike që zotërojnë. Kisha, me gjasë, do të mundet të zgjerojë hapësirat e kufizuara dhe të kontrolluara që ka gëzuar në dhjetëvjetorët e shkuar. Regjimi zyrtarisht njihet si titullar i ligjshëm i pushtetit pra, i vetmi bashkëbisedues i besueshëm për këdo që kërkon të përballojë probleme që lidhen me t’ardhmen e ishullit. Shtetet e Bashkuara kanë një interes të dukshëm të nxisin ndonjë ndryshim thelbësor të regjimit kuban, por me vendosjen e marredhënieve, kanë treguar se nuk mëtojnë t’i detyrojnë vëllezërit Kastro për kohët dhe mënyrat e veprimit.

Nuk është një shkëmbim i keq. Askush në Perëndim dëshëron që kalesa të dalë nga duart e të marrë një prirje revolucionare. Është më mirë që regjimi i Kastros të shuhet për arsye regjistri të gjendjes civile. Disidentëve në këta çaste i leverdis të kenë durim. Të paduruarit nuk do të priteshin as në Uashington, as në Romë.”

Kjo është përgjigja sintetike e mbarështuesit të rubrikës së letrave të gazetës më të madhe italiane. Përgjigja është mjaft e qartë, madje tepër e saktë përsa i përket filozofive politike të dy fuqive të botës së sotme, njëra fetare e morale e tjetra, mbetur e vetme në majë të piramidës së fuqive ekonomike e ushtarake. Nëse Presidenti amerikan nuk paraqet ndonjë të papritur në këtë drejtim, Kryetari i Kishës katolike, me shfaqjen e një pragmatizmi të skajshëm, kryesisht në një drejtim, habit e lë për të dëshiruar.

Që Kuba të dalë nga izolimi ku e ka futur veten mbas dhjetëvjeçarësh eksportimi të teorive e praktikave komuniste në Amerikën Latine e n’Afrikë, është në dobi të saj, por edhe të botës me sa më pak përplasje. Që diktatura kubane të fitojë të drejtën e qytetarisë me nderime në Uashington e Vatikan, është një dukurì që, së paku, le në mëdyshje të gjithë ata që, në këta vite të gjata, nuk kanë miratuar metodat e praktikat e saj. Që ata që vuajnë ende përndjekjet politike në Kubën e vëllezërve Kastro  dhe posterave të Çè Guevarës, të bëjnë durim deri sa të vdesin të gjithë drejtuesit komunistë, pa asnjë shpresë, mbasi askush, as personalitetet më të larta e karizmatike të botës së lirisë, nuk duan të dijnë për ta, është një gjë shumë e hidhur. “Kjo është politika” më tha im bir, kur i dhashë të lexonte përgjigjen e Romanos. Do të shtonja se kjo lloj politike, që nuk mban parasysh dhunën policore mbi kundërshtarët në botkuptim, që nuk ka në ADN e saj kahun e së drejtës, që nuk ze në gojë viktimat e komunizmit të cilat, çuditërisht, mbeten jashtë çdo liste viktimash, për të thënë pak, është një krijesë e cunguar.

Është ajo politikë që ka shoqëruar lodrat tona fëminore, të reduktuara në një top lecke, që ka thyer ëndërrat tona për të studjuar, që na bëri të rriteshim jetimë, mbasi prindërit dergjeshin burgjeve dhe internimeve, që na kishte dënuar të ishim qytetarë të kategorisë së fundit në tokën në të cilën lindëm. Pakicat e flijuara në altarët e shumicave janë një dukuri e zakonëshme, sidomos në shekullin që shkoi. Me rënien e komunizmit,  trajtimi i atyre pjesëve të shoqërisë, të luftuara për vdekje prej tij, me indiferentizmin dhe heshtjen apo, së shumti, me një pasaportë të një të mërguari të thjeshtë, mbetet e vërteta e periudhës së kalesës në ish vëndet komuniste. Dyshimet e kohëve të para mbi vërtetësinë e ndryshimit sa i përket ish të përndjekurvet, u pasuan nga shfaqja e dukurive të hapura që dëshmonin se ata mbeteshin gjithmonë qytetarë të fundit. Përgjigja e Romanos ndihmon në shpjegimin e arsyeve të kësaj të vërtete sepse, siç thotë ai “askush në Perëndim don një prirje revolucionare”. Çuditërisht “prirjet revolucionare” u vishen atyre që kanë vuajtur gjithë jetën si “kundërevolucionarë”! Ndërsa revolucionarët e hershëm janë bërë paqësorë, afaristë, politikanë ithtarë të SHBA-s dhe Evropës, miq të thekur të imperialistëve të dikurshëm edhe se në raftet e tyre fshihen male kufomash. “Duket gati si ana tjetër e një medalje të çuditëshme” shkruan lexuesi.

Parimet bazë të shoqërive të lira, qoftë ata të liberalizmit iluminist, qoftë ata të doktrinës sociale të Kishës katolike, vihen në ngrirje, sepse “marrëveshjet” historike dhe “epokale” kërkojnë pjesën e tyre të flive. E provuam ne, shqiptarët, këtë lloj kompromisi katovician ramizist një çerek shekulli më parë. Po e provojnë sot kubanët të cilëve Obama i u blaton si një fitore historike, jo domosdoshmërinë e të persekutuarvet për t’u kthyer në një jetë normale me të gjitha të drejtat e tyre të shpërblimit moral e material, por një farë “shprese” që lidhet me gjendjen civile të “heronjve” të diktaturës….

Por nëse politika, në tërësi, nuk na befason më me veprimet e saj “të papërceptueshme” për mëndjet e zakonëshme, ngrirja e shpresave të të përndjekurve politikë në Kubë, nëpërmjet një “marrëveshjeje” që mban edhe vulën e Zëdhënësit të Krishtit në tokë, le një hidhësirë në gojë. I akuzuar nga ndonjë gazetar si “komunist” Papa Françesku hedh poshtë  etiketimin, duke vënë në dukje se ai zbaton gjithmonë vetëm doktrinën sociale të Kishës. Para klerit amerikan ai u shpreh : “ Zemra e Papës, e Zëvendësit të atij që mbi kryq  ka përqafuar gjithë njerëzimin, zgjerohet për t’i futur të gjithë.”

Ne nuk dijmë se çfarë ka biseduar kokë më kokë Papa me vëllezërit Kastro, por zyrtarisht ka heshtje për disidentët dhe të përndjekurit e diktaturës. Nga burime zyrtare, jo të shtypit mësohet se ndërhyrja e Papës ka sjellë lirimin e rreth tremijë te dënuarvet politikë. Urojmë që proçesi i filluar të shkojë përpara. Real politika kërkon që të kryhet në heshtje, sepse regjimi nuk dëshëron të pranojë hapur natyrën e tij. Shumë vite më parë kur Nënë Tereza shkoi në Kubë e i kërkoi qeveritarëve të saj lejen për të hapur shtëpi për të varfërit, ata i u përgjigjën se atje nuk kishte të vobekët. Ishte e njëjta përgjigje që mori misionarja shqiptare në atdheun e saj nga zonja Nexhmije.

Tani heshtja ndihmon regjimin të vazhdojë mashtrimet e tij të zakonshme e hedh një pluhur harrese mbi viktimat, të cilat meritojnë një rikthim, me të gjitha të drejtat në shoqërinë kubane. Prandaj është e rëndësishme të flitet, prandaj  ajo heshtje më duket e papërligjur, për më tepër kur e krahasoj me nderimin e dëshmuar haptas, një vit më parë, ndaj martirëve të kishës katolike shqiptare.  Nuk dua të pranoj në vetvete se pakti tripalësh, që shërben si titull i pergjigjes së Romanos, është një e vërtetë e dukëshme, sepse e kam të vështirë si besimtar katolik e si ish viktimë e diktaturës, të pranoj se ai pakt interesash hyn në doktrinën sociale të kishës.

Tetor 2015                                     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, HESHTJA E PAPËRLIGJUR

Lodhje nga llumi politik Shqiptar

October 4, 2015 by dgreca

Klasa politike shqiptare, me « metodat » e saja menaxhuese, apo më saktë me mungesën e tyre e ka lodhur popullin shqiptar, në planin ekonomik dhe moral. Me një « sy qorr » dhe një « vesh të shurdhër », kundrejt kritikave, fatkeqesisht sporadike ajo vazhdon të bëjë një gjë të tillë e pa tronditur. Gjithnje e me i madh eshte numri i njerezve që ndihen të neveritur nga llumi politik shqiptar./

Shkruan: Aurenc BEBJA/
Francë, 3 tetor/Një seri konstatimesh, edhe pse mund të mungojnë shumë të tjera, mjaftojnë për të bërë tabllonë e « keqtrajtimit » të popullit shqiptar dhe origjinën e lodhjes së tij…me premtimet politike të pambajtura [1] :- 300 000 vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës 2013 – 2017

– 95 % e popullsisë do të përfitojë ulje taksash

– 5 fish rritje të financimit për bujqësinë

– Shëndetësia, falas për të gjithë

me gjuhë e degraduar në Parlament [2] :

– akuza nga më të rëndat për njëri-tjetrin, por çuditërisht nuk ka asnjë arrestim…asnjë dënim

– një gjuhë shkëmbimi tepër e degraduar : e ke fajin ti, e kam fajin unë (si fëmijë kopshti), ti je horr, ndërsa ti je sorrë [3], ti je legen, ti merresh më këtë, ti shkon me atë

me lojën politike të dyfishtë [4] :

– kaloj djathtas, pastaj majtas, dhe anasjelltas

– krijoj parti të re dhe pastaj e shkrij partinë pasi ribashkohem me një tjetër parti

– braktis filan parti edhe pse më kanë zgjedhur me votë (d.m.th kam premtuar shumër gjëra elektoratit) për një parti tjetër

me një pozitë që sillet sikur është gjithmonë në opozitë, dhe me një opozitë që s’po ndërgjegjësohet e të ribashkohet për të bërë opozitë :

me mbijetesën në fshat :

– punimin e tokës si në mesjetë

– prodhimet bujqësorë që nuk u gjejnë dot treg

– rrugët që nuk mund të quhen rrugë

– faturat e çmimit të lartë të energjisë elektrike që nuk mund të paguajnë

– mungesa e ujit te pishëm që nuk e kanë në shtëpi

– mungesën e shërbimit shëndetësor

me jetesën në qytet :

– trafikun e dendur

– ndotja dhe smogu [5]

– mbeturinat

– mungesën e hapsirave të gjelbërta dhe e kendeve te lojrave per femije

– taksat, faturat

me aksidentet rrugore [6], mua krimin [7] dhe dhunën [8] në familje

me pritjen nëpër kampet gjermane pa shpresa [9] :

– sigurisht nuk u larguan me dhunë nga Shqipëria por u larguan nga varfëria

– u larguan pa e ditur mirë se çfarë i priste

– u larguan se u lodhën duke pritur

me ëndërrën europiane [10] :

– sa herë që kemi një shans për tu afruar në BE e djegim

– sillemi me arrogancë ndaj autoriteteve të BE-së, dhe dihet që duke vëzhguar sjelljet tona, na e mbyllin derën çdo herë, apo më mirë na e plasin në surrat

me imazhin e keq që kemi në Botë për arsye të veprimeve apo lidhjeve politiko – kriminale. Populli perëndimor, kur janë në dijeni se nga bie Shqipëria, na quajnë popull mafioz (drogë, prostitucion, vjedhje).

Si përfundim, sa do të mund të durojë populli shqiptar lodhjen e shkaktuar nga klasa politike ? A ka limite durimi i tij ? A do te ndryshojë klasa politike përpara se populli të humbë durimin? Kjo eshte tanime nje domosdoshmeri.(Kortezi: K L A R A  B U D A  P O S T)

REFERENCAT :

 [1] Gazeta Shekulli, 23 shkurt 2013 : « Programi i plotë elektoral, premtimet e PS-së ».

http://www.shekulli.com.al/p.php?id=17270

[2] Syri.net, 17 shtator 2015 : « Debatet sot në Kuvend ».

http://syri.net/index.php/2015/09/17/perplasje-te-forta-ne-kuvend-per-dekriminalizimin-berisha-dhe-rama-kembejne-njeri-tjetrin/

[3] Mapo, 2 tetor 2015 : « PS tkurret akoma, Balla fyen Topallin: Sorrë ».

http://www.mapo.al/2015/10/ps-tkurret-akoma-balla-fyen-topallin-sorre

[4] Mapo, 26 shtator 2015 : « Merkato politike, kush janë deputetët që kanë ndryshuar parti ».

http://www.mapo.al/2015/09/merkato-politike-kush-jane-deputetet-qe-kane-ndryshuar-parti

[5] Telegrafi.com, 17 janar 2015 : « Tirana mbulohet nga mjegulla dhe smogu (Foto) ».

http://www.telegrafi.com/lajme/tirana-mbulohet-nga-mjegulla-dhe-smogu-foto-78-13366.html

[6] Syri.net, 5 shtator 2015 : « Shifrat e frikshme të aksidenteve. BB: Shkalla e vdekshmërisë 10 herë më shumë se në BE ».

http://syri.net/index.php/2015/09/05/shifrat-e-frikshme-te-aksidenteve-bb-shkalla-e-vdekshmerise-10-here-me-shume-se-ne-be/

[7] Respublica.al, 20 Mund 2014 : « Krimi në familje, burri vrau gruan se i ktheu dorë, më pas vetëvritet ».

http://www.respublica.al/arkiv-lajme-t%C3%AB-p%C3%ABrdit%C3%ABsuara/krimi-n%C3%AB-familje-burri-vrau-gruan-se-i-ktheu-dor%C3%AB-m%C3%AB-pas-vet%C3%ABvritet

[8] Koha Jonë, 14 shtator 2015 : « Dhuna në familje, në 48 orë 7 urdhërmbrojtje ».

http://www.kohajone.com/index.php/aktualitet/dhuna-ne-familje-ne-48-ore-7-urdhermbrojtje

[9] Java News, 8 shtator 2015 : « Shuhen shpresat për azil në Gjermani, Shqipëria vend i sigurt origjine ».

http://www.javanews.al/shuhen-shpresat-per-azil-ne-gjermani-shqiperia-vend-i-sigurt-origjine/

[10] Tema, 14 Shtator 2015 : « Rama : Kur do antarsohemi në BE ? Pyesni Merkelin. Ka shumë paragjykime për Shqipërinë ».

http://www.gazetatema.net/web/2015/09/14/rama-kur-do-te-anetaresohemi-ne-be-pyesni-merkelin-ka-shume-paragjykime-per-shqiperine/

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Lodhje, nga llumi, politik Shqiptar

Çështje grupimesh

October 3, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Florida/

Në emër të egos, të më shkojë e imja. Ne sot nuk e besojmë me njëri­tjetrin. Nuk njohim dialogun dhe ndaj kudo ka dhunë. Lajme të natyrës bujë. Për rrjedhojë grupime. Gjysma e socialistëve janë tërësisht të heshtur. Të pa punë. Të qartë tashmë se sa të kapur janë nga LSI. Gjysma tjetër kujdeset për shëndetin e LSI­s, për dietën e Metës. Dhe luten në heshtje të mos u iki Ilir Meta.

Pasi milioni i votave, nuk është, nuk paska qënë aset i tyre tërësisht. Pavarsisht idealit, gangrena e interesit bluan si mola. Kështu ata ndihen të përdoruar. Të pushtuar. Kështu në qëndër të vëmendjes kanë përkujdesjen të mos i prishin qejfin Ilir Metës, se sa të ndreqin popullin. Pra sfidën që u ka caktuar koha. Ose një pjesë e tyre e kalojnë ditën të zbulojnë nëse ua ka futur apo jo LSI e qytetit ku jetojnë, emrin në të kuq? Dhe tregohen delikatisht të kujdesshëm. Nuk duan t’u prishin qejfin. Nëse ua prishin qejfin, ata nuk e kanë të vështirë të bëjnë aleancë me pëdëistët. Sapo e bën një të tillë në një provincë me emrin Përrenjas.

Nga ana tjetër edhe demokratët ndodhen të dyzuar dhe të pashpresë. Madje të ndarë. Njëri grup rend pas statuve të Berishës si opozitar i fortë. Dhe jetojnë me emocionet e së kaluarës. Duke u shprehur vazhdimisht me atë mendësinë, që, ai që më bëri mirë mua, është njësh. Ndërkohë mallkojnë veten pse Berisha i besoi partinë Bashës.

Ndërsa tjetri grup pas Bashës që po përpiqet të luaj me versionin që i irriton shqiptarët demokratë, apo dhe shqiptarët socialistë, një aleancë të mundshme PS dhe PD. Si fundi i botës. Kaktaklizëm e egos të më shkojë e imja. Me atë që çuditërisht po riciklon në postet drejtuese, humbësit. Dhe aludon me aleanca. Por as kjo nuk ka për të ndodhur.

Dhe grupimet vazhdojnë me LSI­n. Ata që më mire se kushdo tjetër, e dine që i bëjnë kot shantazhet me video seksi. Destabilizim kombëtar etj. Janë shashka. Por është strategji e tyre.

Kështu i forcojnë imazhin e dobësuar liderit të tyre. LSI i ka kapur në vend të keq të dya partitë. Sistemi zgjedhor shqiptar. Dhe ata prapë bëjnë shantazhe, me aleanca të Berishës apo çamët etj. Edhe pse e dine mire që në 2017, Meta do të jetë kryeministër i Shqipërisë.

Por thjesht, vesi i njerëzve që duan t’u shkojë e tyrja. Qoftë kjo edhe me dhunë. Madje nuk kursejnë as moçalorin e tyre. Atë që u hapi rrugën aleancave të pa konceptueshme në realitetin politik shqiptar, Dritan Priftin. Atë që u mësoi se si të votoheshin në masë me metodat e shpërblimit. Ndaj sot ata numërojnë jo pak por njëqind e shtadhjetëmijë vota. Vetëm strategjia e moçalorit. Strategjia që quhet zotësi shqiptare.

Dhe me që ra fjala tek moçali. Frymëzimin LSI e merr andej. Nga begatia e hapësirës së moçalit. Simulon me të madhe zhurme fermerët, fasonët. Madje shkojnë e bëjnë foto mes specave dhe shalqinjëve, domateve në sera, trangujve me shumicë. Buzë lagunës asaj breroreje të artë që deri dje e kishim gulagun e krenarisë të shfrytëzimit të njëriut prej njeriut. Dhe hambarin e Shqipërisë njekohësisht.

Dhe me që ra fjala tek moçali, moçalorët e mire. U kanë bërë vend malorëve të fasonistit. Jetojnë atje akoma dhe prej maleve mbajnë vetëm atë kënaqësinë e traditës. Punojnë me moçalorët, kanë krushqi, nipër e mbesa. Dhe i çmojnë. Mirëpo fasonistit i pëlqen akoma vesi i kohës se denigrimit krahinor.

Megjithatë Meta ka akoma video. Kanë 90% e lësëistave për njëri­tjetrin. Por e tillë është koha shqiptare. Koha e grupime që nuk kanë asgjë mangut nga ato të Sirisë së Bashar al Assad­it.

Ndaj dhe shqiptarët e tjerë vetëm ikin.Po i referohen së fundi edhe fatit në Llotarinë Amerikane. Eshtë muaji tetor, ditët për të fituar. Grupimi tjetër është shtypi, që mezi pret ndonjë statut fb. Të ndonjë personi publik. A ku di unë se çfarë tjetër… Të kënaqi lexuesit duke masakruar qoftë dhe një të pakët zë. Nga ato që përpiqet paksa…, butësisht, me delikatesë. Shumë femërore, prej diçkaje intelektuale, duke pranuar realitetin, atë që edhe të dështosh është po aq njerëzore sa të fitosh. Si është rasti konkret i një mjeke në Tiranë me emrin Anika Dokle. Shtypi kënaqet kur grupimet nxjerrin nga gjirizet e salcës së barkut, shfrymën me hudhra e raki, xaxiq, apo turshi…, të thesareve nga miniera e sharjeve. Nga ndjekësit e sojit një grupim më vete. Thjesht për inat. Pse të shkojë e saja dhe jo e imja, e jona e tyrja etj.

Dhe grupimi tjetër…,ai që i ka mbaruar të gjitha hallet…, ai më patrioti…, ai që po pret të shqyej Serbinë e shqyer më 8 tetor 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çështje grupimesh, Ilir Levonja, Ilir Meta, LSI, socialistet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 749
  • 750
  • 751
  • 752
  • 753
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT