• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shërbimi sekret i bllokut rusë fitimtar në betejën e Kumanovës!

May 24, 2015 by dgreca

Cili gazë do ngrohë Evropën? Gazi Rusë, apo Azerbajxhanas!/
Nga Ramiz Selimi/
Rusia dhe Turqia partnere në furnizimin e BE-s me gazin Rusë! Ky gaz ka një çmim më të lartë se sa ai Azerbajxhanas. Të gjithë treguesit thonë se lufta e Kumanovës ishte lufte e shërbimeve sekrete.
Maqedonia me sa duket evoluon në një vend të ri për luftën e energjisë mes SHBA-ve dhe Rusisë. Sipas të gjithë ekspertëve ekonomik dhe politik në Maqedoni fuqitë e mëdha po luftojnë për të fituar Tregun Energjetik me gaz. Për shkak të problemeve të pazgjidhura etnike në këto hapësira, këtë vend fuqitë e mëdha e shohin si çelës për depërtimin e gazit të tyre në Evropë.
Pushteti aktual në Maqedoni është luajal dhe thellë i lidhur me Rusinë. Jo vetëm për Kremlinin, por edhe për shumë vende tjera është e qartë se SHBA-ja dëshiron ta përmbysë qeverinë e tanishme në mënyrë që të krijojë një qeveri pro-perëndimore.
Turqia në këtë treg me gaz luan rrol të rëndësishëm, pasi ajo ka arritur marrëveshje me Rusinë, që gazi rusë përmes tubacionit të rrjedhës turke ta furnizojë Evropën. Prandaj Turqia është jashtëzakonisht e përmbajtur kur janë në pyetje problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Rusia me gazin e saj dhe Turqia me tubacionin e saj janë në anën e Gruevskit dhe ato duan që projekti i tyre të realizohet.
Në fakt, kryeministri Nikolla Gruevski është konsideruar politikan nacionalist dhe pro-rus i cili kryesisht mbështet ndërtimin e tubacionit turk në vendin e tij. Gazi Rusë është planifikuar të kalojë përmes Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë në Evropën Qendrore.
Por, Amerikanët duan medoemos ta pengojnë realizimin e këtij plani Rusë. SHBA-t dëshirojnë të ndërtojnë tubacionin e tyre të gazit që quhet Trans Adriatik (TAP), ku do të furnizonte Evropën me gaz nga Azerbajxhani. Atëherë SHBA-ja do të kishte një ndikim të madh kontrollues mbi furnizimet me gaz mbi tërë Evropën, sepse Azerbajxhani politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht konsiderohet si aleat i ngushtë SHBA-s dhe i cili bashkëpunon me NATO-n. Qëllimi përfundimtar i SHBA-ve është të largojë kompanitë ruse të energjisë nga tregu Evropianë.

Shërbimi sekret i bllokut rusë fitimtarë në betejën e Kumanovës!

Pasi qeveria aktuale nga Maqedonia është pro Ruse, SHBA-t dhe Perëndimi të vetmen shpresë për të bërë ndryshime në ketë shtet e kanë të Zaevi dhe Shqiptarët. Interesi i tyre është që Maqedonia të ndryshojë kurs për 180°! Grupi i luftëtarëve nga Kosova me përvojë luftarake ishin të vetmit që mund e destabilizonin Maqedoninë, pasi ata këtë e kanë vërtetuar në vitin 2001.
Amerikanët përmes njerëzve të tyre në Kosovë ishin të sigurt se çdo gjë e kanë ndër kontroll, por në realitet ata gabuan pasi partneri i tyre kosovarë, besonte se çdo gjë është si në vitin 2001. Shumë nga luftëtarët e 2001-s në Maqedoni kishin ndryshuar mendim dhe kurs, kurse luftëtarët e idealit nga Kosova nuk e kanë kalkuluar këtë mundësi.
Nuk është se grupi i armatosur i shqiptarëve në Kumanovë është organizuar në mënyrë spontane. Djemtë më të mirë nga luftërat e fundit, morën sinjale edhe nga shërbimet sekrete perëndimore, për një organizim të mundshëm kundër pushtetit të Gruevskit. Organizatori nga Kosova është treguar amator, të cilit i ka humbur rruga në oborr. Ai jo vetëm që nuk ka verifikuar kandidatët dhe situatën në Maqedoni, por më shumë ka qenë i interesuar për përfitime të cilës do formë të jenë ato, i dërgojë djemtë në vdekje të sigurt.
Njëkohësisht edhe shërbimet sekrete të bllokut Rusë, si shërbimi sekret i Maqedonisë dhe ai i Serbisë u aktivizuan 24 orë për të ju kundërvu qëllimeve amerikane dhe në anën tjetër për të përfituar nga ndonjë konflikt i mundshëm etnik në realizimin e qëllimeve të tyre territoriale. Ata u futen edhe me thellë duke depërtuar në radhët e luftëtarëve të vitit 2001. Sa do i mirë që të ketë qenë qëllimi i luftëtarëve kosovarë, shërbimi sekret i bllokut rusë doli fitimtarë nga beteja e Kumanovës. Së pari u eliminuan luftëtarët më të mirë të shqiptarëve, që është një humbje e madhe edhe në anën morale! Arritën që një pjesë të maqedonasve të pavendosur ta bëjnë për vete dhe kundër shqiptarëve e perëndimit, si dhe paraqiten Kosovën si de stabilizuese të rajonit, sidomos ky bllok rusë po i fryn shumë teorisë së “Shqipërisë së Madhe”. Pozitive nga këndi i shqiptarëve është se lufta e Kumanovës tregoj se sa e lehtë është të ndezët një luftë në Ballkan, në një vend ku nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe i tregoj qartë faktorit ndërkombëtar se marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: gazjelllsi, Kumanova, sherbimi sekret rus

Elhaida dhe fryma e entuziazmit

May 24, 2015 by dgreca

…Sukses është t’i thuash fituesit urime. Të pranosh fitoren e tjetrit. Jo ta paragjykosh. 
Ne jemi fitimtarë, por të entuziazmit. Dhe kësaj radhe më vjen keq që shorti të ra ty Elhaida. Sinqerisht më vjen keq./
Shkruan:Ilir Levonja/
Në gjithë këto ditë webi i Eurovisionit thuajse u bombardua nga entuziazmi i shqiptarëve. Kurse nga mbrëmë në darkë, sot e në vazhdim, britma ka një fytyrë. Kërkesa e llogarisë. Ku është vota ime? Politikë, jo festival. Euroracizëm etj.
1)Në fund vitin që iku Elhaida fitoi në festivalin tradicional të Shqipërisë. Me të mirat dhe të këqijat. Me historinë e minuseve dhe pluseve, ai është. Ai të çon në Eurovision song. Apo në festivalin e këngës europiane. Një festival që e organizon radiotelevizioni shqiptar. Ai që në një përthyerje gjinie, në historinë e Shqipërisë, i ngjan një gruaje që të gjithë i thërrasin kurvë. Dhe në një vit apo një tjetër martohen me ‘të. Ndofta me qëllimin e mire që t’ia heqin këtë nam. Por që shpejt kurvëzohen më keq se kjo grua e përçudnuar. Dhe a e dini pse. Sepse aty vlon vetëm tarafi i mikut. Dhe ne jemi kampionët e zëvendësimit të aftësisë me miqësinë. Me marifete të tilla.
Kështu mbaj mend se u përfol edhe atëhere. Kënga fituese. Elhaida vet… Kështu është përfolur çdo vit, fituesi aty. Pasi ne, për rrjedhojë të kësaj fryme, nuk mësuam kurrë të urojmë. Por forcuam përfoljen.
Madje nisur nga parajsa e kësaj fryme, pati edhe aq shumë insinuata, denigrime. Sa cilado qoftë arsyeja e tërheqjes së këngës fituese nga autori, për mospjesëmarrje në festivalin europian, është rezultat i kësaj zallamahie. 
Pra rrugëtimi i Elhaidës për në Europë nisi me një ekuivok të tipit shqiptar. Elhaida shkoi aty jo me këngën fituese, por një tjetër këngë. Edhe sikur kriteret të mos jenë cënuar aspak. Eshtë cënuar morali eterik i suksesit. Tradita apo historiku i një një institucioni të cilin veç ne shqiptarët dimë si ta shtypim, shtrydhim, përdorim, shesim, vjedhim, burgosim etj.
2)Në mes të kësaj fushate fyerjesh në murin e festivalit nuk mungon as Italia, Greqia etj. Votat e Maqedonisë po përfliten si të dyshimta. Gjithsesi. Vetëm ne shqiptarët nuk kemi të drejtë t’i vërsulemi me mosmirënjohje, të paktën Italisë. Nuk kemi përse habitemi nga zeroja e pikëve prej Italisë. Asesi Elhaida. Italia është vendi promotor i yni. Na dha skenën më prestigjoze të saj. Na dha suportin e vyer të emrave që janë koha e artë e kulturës së saj. Ne kurrë nuk e bëm këtë. Edhe pse duket sikur po japim shenja në festkëngësh si ai Klanit, X factor Albania. Prapë nuk kemi vullnetin e artistëve italianë. Do i themi bravo pjesëmarrësve, por fituesin do e nxjerrim nga vetja. Nga miku, nga miqësia. Ne jemi atdheu artistik i miqve. I institucioneve të miqve. Jo i adhuruesve, shikuesve, tregut etj. Ne dhe epokat, dhe zhanret artistike i shpikim për hatër të miqve. Jo të kohës, me kohën, apo të suksesit të një individi. Suksesi tek ne kalon nëpër egon miqësi.
Po kështu nuk ndodh në Itali. Ndaj dhe rezultati i pikëve qe zero.
3)Nga janari ne pamë të gjithë se si Elhaida, i preu entuziazmin e dy gishtave ish krytares së kuvendit, zonjës Topalli. Më pas deklaroi se unë jam këngëtare dhe nuk dua që politika të përzihet në suksesin tim. Shumë mire bëri. Megjithëse ia kaloi, frymës së politikës, entuziazmit elektoral politik shqiptar. Karshi realitetit të mjerë.
Si artiste, derisa krijuesi i këngës u tërhoq, duhej të ishte tërhequr edhe interpretuesja. Nuk e bëri. Veproi më keq se një politikane.
Kësisoj la veten të përdorej edhe nga sektorët politikë të pushtetit, bashkë me tepërtinë e përdorimit të frymës së nacionalizmit. Kur është koha e globalizmit.
4)Shqiptarëve. Me dashamirësi. Duhet të mësohemi se suksesi nuk është domosdoshmërisht vendi i pare. Eshtë edhe pjesëmarrja. Ndaj quhet festival. Pasi aty shkojnë më të mirët. Dhe midis më të mirëve nuk arrihet suksesi me entuziazëm. Me simbolet e Shqiponjës, me Shqipërinë e madhe. Me atë flamurin e zi si nga Pakistani. Që po ia marrim shpirtin edhe bacës Isa, edhe Ismailit duke e pretenduar si flamurin e Shqipërisë së madhe. Flamuri i ynë është thjesht i kuq. Dhe Shqipëria është Shqipëri atje ku gjithkush ndihet shqiptar. Nuk kapet suksesi me akuza për rracizëm ndaj atyre vendeve që u kemi thyer dyert. Që na kanë strehuar. Po na japin punë, edukim etj. 
Me platformat e miqësisë shqiptare. Të miqve virtualë në kafenetë pranë radiotelevizionit. Jo miqve artistikë të tipit sukses. Të atyre që mbushin stadiumet, Që ngren skena këngësh në sheshet e kryqyteteve të botës.
Jo në fushata elektorale etj.
Dhe e gjykuar më thjesht kënga nuk ishte ndonjë wow siç thonë edhe të rinjtë sot. Ishte thjesht një këngë e interpretuar normal. Nuk ishte një prurje wow. 
Sukses është t’i thuash fituesit urime. Të pranosh fitoren e tjetrit. Jo ta paragjykosh. 
Ne jemi fitimtarë, por të entuziazmit. Dhe kësaj radhe më vjen keq që shorti të ra ty Elhaida. Sinqerisht më vjen keq.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elhaida dhe fryma e, entuziazmit, Ilir Levonja

Pikniku i “udheheqesve” shqiptare

May 23, 2015 by dgreca

Nga Sadik Elshani/
Nuk kam ndermend ketu te analizoje ngjarjet e javes se fundit qe ndodhen ne “Lagjen e Trimave” ne Kumanove, sepse keto dite eshte shkruar mjaft ne shtypin shqiptar. Si ndodhen keto ngjarje, si dhe pse filluan, cila eshte arsyeja, kush qendron pas ketyre ngjarjeve, etj. Edhepse kaloi me shume se nje jave ende nuk kemi nje spjegim zyrtar per keto ngjarje. Pyetjet qe shtrova me lart dhe shume pyetje te tjera kerkojne pergjigje, hetime, analiza e shqyrtime serioze. Keto ishin ngjarje te renda, skena lufte ku mbeten te vrare mbi 20 qytetare, u shkaterruan shume shtepi, u terrerorizua dhe u tmerrua nje lagje e tere, nje qytet i tere. Por ne kete shkrim te shkurter do te perqendrohem te indiferentizmi, mosangazhimi, heshtja e udheheqesve te shqiptareve te Maqedonise dhe gjithe faktorit politik shqiptar. Gjate tere kohes kur po ndodhnin keto perleshje te ashpra, kur po rrezikohej jeta e qytetareve te pafajshem e te pambrojtur, udheheqesit e partive politike shqiptare nuk u pane dhe nuk u degjuan fare, thua se keto ngjarje tragjike po ndodhnin ne nje planet tjeter dhe jo ne nje lagje shqiptare. Kur ndodhin ngjarje kaq te renda me pasoja tragjike, udheheqesit e zgjedhur me voten e popullit duhet te qendrojne me popullin, te angazhohen qe konflikti te nderpritet, te mos demtohen, te mos vriten qytetaret e pafajshem. Ata jane zgjedhur per t’i prire popullit, per t’u ballafaquar me situata te veshtira dhe per te marre vendime te veshtira. Ne kete konflikt qe ndodhi ne Kumanove, udheheqesit e shqiptareve te Maqedonise deshtuan per t’i dale ne mbrojtje bashkatdhetareve te tyre – ata falimentuan, falimentoi ndergjegja e tyrte. Indiferenca, mosveprimi i tyre eshte per cdo kritike dhe eshte i papranueshem. Ngjarjet e diteve te fundit ne Kumanove, si dhe disa ngjarje te tjera me heret po tregojne qarte se shqiptaret e Maqedonise nuk kane udheheqes serioze. Keta udheheqes, si dhe gjithe shqiptaret e Maqedonise kane nje pervoje te gjate e te hidhur me forcat policore maqedonase – forca te cilat nuk kane respekt per jeten e njeriut, aq me pak per jeterat e shqiptareve, forca qe nuk i zgjedhin mjetet, por mezi presin rastin te ballafaqohen e te vrasin sa me shume shqiptare. Trekendeshi antishqiptar: Serbi – Rusi – Maqedoni, trekendeshi provokues e destabilizues i Ballkanit dhe tere Europes, eshte i angazhuar me tere mekanizmat e tyre dashakeqe e djallezore per te perkeqesuar poziten e shqiptareve, per t’i paraqitur shqiptaret si njerez te padenje per te qene pjese e familjes europiane. Here pas here ata do te mundohen te inskenojne skenare, konflikte te tilla si ky i fundit ne Kumanove. Edhe shqiptaret duhet te jene syhapur (vigjilent), te mos bien ne gracka e te behen viktima te inskenimeve te forcave te sigurimit te Maedonise. Konflikti i armatosur gjithmone duhet te jete opsioni i fundit, kur cdo gje tjeter ka deshtuar.
Deshtuan edhe udheheqesit e dy shteteve, dy qeverive shqiptare, Shqiperise dhe Kosoves. Gjate tere kohes sa zgjati konflikti ne Kumanove ata nuk u degjuan fare, nuk ben as perpjekjen me te vogel per te ndaluar konfliktin, duke bashkerenduar punet, veprimet me udheheqesit e shqiptareve te Maqedonise dhe duke kerkuar me vendosmeri nga qeveria maqedonase dhe faktori nderkombetar qe keto sulme te nderpriten menjehere dhe konflikti te zgjidhet me mjete paqesore. Asnjera qeveri nuk mbajti nje mbledhje te jashtezakonshme per te diskutuar e shqyrtuar kete gjendje te jashtezakonshme, gjendje lufte ne Kumanove. Shteti shqiptar, qeveria shqiptare nuk kane nje plan, program kombetar, platforme, strategji kombetare, prandaj edhe reagimet e tyre jane te plogeta dhe nuk kane kerrefare ndikimi te asnjera pale dhe as te faktori nderkombetar. Ministri i Puneve te Jashtme te Shqiperise, Z. Ditmir Bushati beri nje deklarate sa per sy e faqe, sa per ta lagur gojen, ndersa Kryeministri Rama nuk u deklarua fare, nuk doli me nje qendrim te vetin, por ne Facebook e percolli deklaraten e ministrit te tij. As pozita dhe as opozita nuk e pane te arsyeshme qe per nje cast ta nderpresin fushaten zgjedhore e te dalin se bashku ne nje tribune, te solidarizohen me vellezerit tane ne Maqedoni e t’i dergojne nje mesazh te prere e te forte qeveritareve shoviniste te Shkupit, se pa marre para sysh dallimet tona, kur vjen puna te interesat madhore te kombit tone, mireqernja e cdo shqiptari kudo qe ndodhet ne bote – ne jemi nje. T’i ndrpresin menjehere sulmet barbare, vrasjet e shqiptareve dhe shkaterrimin e shtepive, pronave te tyre.
Gjate tere kohes sa zgjati ky kionflikt, udheheqesit shqiptare nuk komunikuan me njeri – tjetrin, nuk i bashkerenduan veprimet e tyre dhe nuk ushtruan trysni ndaj qeverise maqedone qe konflikti te nderpritej menjehere. Nje takim i udheheqesve te shqiptareve te Maqedonise me Kryeministrin e Shqiperise, Kryetarin e Kuvendit te Shqiperise, Ministrin e Puneve te Jashtme te Shqiperise, ndodhi para ca ditesh ne Pogradec. Ishte ky nje takim i rastesishem, sepse qelloi qe Kryeministri i Shqiperise kishte shkuar ne Pogradec qe te beje fushate zgjedhore. Por edhe ky takim deshtoi, sepse nuk u bashkuan te gjithe rreth te njejtes tavoline, Zoti Menduh Thaci dhe Zoti Ali Ahmeti nuk u takuan me njeri – tjetrin. Ne fakt ky nuk ishte kurrefare takimi, sepse u zhvillua ne nje restorant buze liqenit te Ohrit/Pogradecit. Vertet ky nuk ishte nje takim pune per te biseduar rreth ketyre ngjarjeve te renda e tragjike, por me teper i ngjante nje pikniku. Te gjithe dukeshin te shliruar, te patrazuar, thua se nuk ka ndodhur asgje. Ajo qe ndodhi ne Kumanove nuk ishte piknik, por ishte nje ngjarje tragjike, ishte lufte ku mbeten te vrare 22 qytetare. Prandaj, nje ngjarje kaq e rende e meriton nje qasje serioze, nje angazhim, mobilizim serioz te te gjithe faktorit politike shqiptar dhe jo nje takim te nje atmosfere pikniku. Ne kete takim nuk u mor asnje vendim, nuk u be asnje deklarate lidhur me ato ngjarje qe ndodhen ne Kumanove. Ata ka qene dashte te takohen e te diskutonin me seriozitetin me te madh ne nje dhome-shtab, t’i bashkerendonin punet dhe te hartonin nje strategji te perbashket se si duhet vepruar ne situata te ngjashme, si duhet vepruar tani e tutje dhe ta mbajne pergjegjese qeverine maqedone e te kerkojne llogari per keto akte barbare e kriminale. Partite shqiptare ne Maqedoni jane te percara, bejne koalicione me partite maqedonase, por nuk bashkepunojne me njera – tjetren. Jo vetem qe kane mospajtime me njera – tjetren, por kane armiqesi me njera – tjetren. Kete plogeti, kete indiferentizem, keto percarje te tyre, populli i shkrete eshte duke i paguar me gjak. Kjo plogeti po mbizoteron ne gjithe skenen politike, ne tere hapesiren shqiptare nuk kemi udheheqes serioze qe te frymezojne, prijne dhe qe gezojne perkrahjen e popullit dhe te bashkesise nderkombetare – njerez qe ta mbushin syrin.
Philadelphia, 22 maj, 2015.
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: "udheheqesve" shqiptare, Pikniku i, Sadik Elshani

TRADHËTARËT E ATDHEUT “NUK KANË DOSJE”! JANË “HERONJ”

May 23, 2015 by dgreca

…NGA JOSIFI TEK JOSIFI,/
KËTU NISI, ATJE KRISI/
70 VJET NA SUNDOI PISI./.
HAPNI DOSJET: NË SHQIPNI, NGA VITI 1944 SUNDIMTARËT TANË…/
PRA, TRADHËTARËT E ATDHEUT “NUK KANË DOSJE”! JANË “HERONJ”…/
Nga Fritz RADOVANI/*
■Tradhëtari Enver Hoxha deklaron në vitin 1944, në Mbledhjen e Beratit: “Që nga krijimi i Partisë Komuniste dhe gjatë gjithë luftës, Partia dhe Komiteti Qendror ishin identifikuar vetëm me Miladin Popoviqin…”
■Mardhanjet e Enver Hoxhës me Dushan Mugoshen dhe Miladin Popoviqin, siç tregon edhe e “njohura” e tyne Nexhmije Hoxha, kishin të bajnë kryesisht per “drejtuesin” që do të vinte në krye të Partisë Komuniste Shqiptare. Problemi i ripushtimit të tokave tona të lira nga viti 1941, dhe varsia e plotë e Shqipnisë nga Jugosllavia komuniste, nuk mund të diskutoheshin fare, jo pse, ashtu u vendos në Jalta, po ashtu donte “druzhe” Tito.
■Ne themi se “Shqipëria është çliruar nga bijtë e saj…”, ndersa Enveri, në intervistat që ka dhanë në Jugosllavi me 30 qershor 1946, kur shkoi me u dekorue nga Tito “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, me 1 korrik 1946, ka thanë: “Është e pamundur të imagjinosh rezistencën e popullit të vogël shqiptar kundër armikut pa luftën e popujve jugosllavë”.
■Dokumenti ma i turpëshem i firmosun nga E. Hoxha në vitin 1946, në Konferencën e Paqës në Paris, as nuk zehet me gojë nga pseudohistorianët tanë, edhe pse Enveri e ka folë aq bukur në gjuhen frenge… Karriga e vet i dukej ma e bukur se Kosova…Para se të shkonte në Paris, ishte mysafir tek Josifi nr.1, dhe porsa mërrijti atje deklaroi: “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë”. Një kusht per mbajtjen e kolltukut!
■Asnjëherë në këta 70 vjetë nuk asht thanë as shkrue e verteta e Trojeve Shqiptare, që mbas 1944 mbeten jashta Hartës Shtetit Shqiptar, vetem pse tradhëtarëve Hoxhës dhe Alisë, historianët tanë i pluhnosnin dokumentat me “akuzat ndaj fqinjëve, kryesisht me pretendimet greke dhe qendrimin prosllav të disa shteteve europjane që në vitin 1913”.
■Edhe pse partizanët tanë vdisnin tue thirrë “Bijt’ e Stalinit jemi ne!”…Edhe pse nder shkolla virrej “Enver, Tito, Stalin!”, “Enveri ynë”, nuk kishte mërrijtë ende me perqafue dhe as me ia fshi mustakët “shokut Stalin” per surratin e vet deri në vitin 1947…
■Kur Tito shkoi në Krime per pushime tek Hrushovi në 1956, njëditë ky e pyeti Titon: “Kur Stalini ta dha Shqipninë, ti pse nuk e more?”, Tito ishte pergjegjë: “Do t’ ishte gabim i madh per ne. Njëditë kur Shqiptarët do të zgjohen me dalë në vete, po ta kishe marrë edhe Shqipninë, atëherë do të ikte Shqipnia e bashkë me te, do të më iknin edhe krahinat ma të mira të sajat, që unë i kam e i shfrytzoj edhe sot…” Hrushovi ishte qeshë!
■Qé, ja ku e keni kancerin shkatrrues të Shtetit dhe të Popullit Shqiptar!
Parimi komunist: “Shpif e shpif, se diça mbetë!”, “Përçai e sundo!”, “Mbillni urrejtje!”
Mbi këta parime u zhvilluen edhe takimet dhe bisedat e këtyne katilëve të pistë!
■HAPNI DOSJET: Nandor 1949 në Suhumi, BRSS. Ishte takimi i tretë i Josif Stalinit me Enver Hoxhën. Përkthen ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvahin…
■Enver Hoxha mbas prishjes së Stalinit me Titon tregon: “Gjatë këtij takimi shoku Stalin, si gjithmonë, fliste qetë, shtruar, pyeste e dëgjonte me shumë vëmendje, shfaqte mendimin e tij, na këshillonte, por gjithmonë në frymë të thellë shoqërore.
■– S’ ka receta se si duhet sjellur në këtë apo atë rast, se si duhet zgjidhur kjo apo ajo punë – përsëriste shpesh ai, sipas çështjëve të ndryshme që shtroja.
■Gjatë bisedës me Stalinin i vura në dukje qëndrimin e klerit, sidomos të atij katolik në Shqipëri, pozitën tonë në marrëdhënie me të dhe e pyeta se si e gjykonte qëndrimin tonë.
– Vatikani – më tha ndër tjera shoku Stalin – është një qendër reaksioni, vegël në shërbim të kapitalit e të reaksionit botëror, të cilët e mbështetin këtë organizatë ndërkombëtare diversioni e spiunazhi. Është fakt se shumë priftërinj katolikë e misionerë të Vatikanit janë spiunë të regjur në shkallë botërore.
Me anën e tyre imperializmi është përpjekur e përpiqet të realizojë qëllimet e tij.
■– Pastaj më tregoi se çfarë i kishte ndodhur një herë në Jaltë, me Ruzveltin, me kryetarin e kishës katolike amerikane etj.
Duke biseduar me Ruzveltin, me Çërçillin e të tjerë për probleme të luftës antihitleriane, ata i kishin thënë: “Të mos luftojmë më papën e Romës. Ç’ keni ju më të që e goditni?!”.
“Asgjë s’ kam më të”, u qe përgjigjur Stalini.
“Atëherë ta bëjmë papën aleat – kishin thënë – ta futim në koalicionin e aleatëve të mëdhenj”.
“Dakord – u kishte thënë Stalini – por aleanca antifashiste është aleancë për të zhdukur fashizmin e nazizmin. Kjo luftë sikundër e dini, zotërinj, bëhët me ushtarë, topa, mitraloza, tanke, avionë. Le të na thotë papa ose na thoni ju se ç’ ushtri, topa, mitraloza, tanke e të tjera ka papa për luftë dhe le të bëhët aleat. Aleat për llafe e temjan ne nuk kemi nevojë”.
Pas kësaj s’ e kishin zënë më në gojë çështjen e papës e të Vatikanit.
■– A ka pasur priftërinj katolikë në Shqipëri që kanë tradhtuar popullin? – më pyeti mandej shoku Stalin.
■– Po, i thashë. – Bile krerët e kishës katolike u bashkuan që në fillim me pushtuesit e huaj nazifashistë, u vunë kokë e këmbë në shërbim të tyre, bënë ç’ është e mundur të shkatrronin Luftën tonë Nacionalçlirimtare e të përjetësonin sundimin e huaj.
– Çfarë keni bërë ndaj tyre?
– Pas fitores, i thashë, i kapëm, i nxorëm në gjyqe dhe atje morën dënimin e merituar.
■– Mirë keni bërë, më tha.
*Ne 70 vjetorin e permbytjes se Shqiperise

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, Nga Josifi tek josifi, Tradhetaret heronj

Persekutimi komunist në shkencat albanologjike

May 22, 2015 by dgreca

Nga Kolec Topalli/
Lufta e klasave dhe persekutimi komunist veproi në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ato qenë shumë të ashpra sidomos ndër intelektualë që ishin shkolluar jashtë shteti e kishin kulturë perëndimore. Frika e regjimit komunist nga intelektualët demokratë që mund të mendonin ndryshe nga dogmat zyrtare, pati si pasojë përndjekjen e tyre, arrestimet, internimet, torturat e pushkatimet, që ndërprenë për një gjysmë shekulli lidhjet shpirtërore e kulturore të shqiptarëve me botën e qytetëruar perëndimore. Shembujt që vijojnë flasin qartë për këtë.
Bernardin Palaj e Donat Kurti i dhanë thesare kulture kombit tonë. I pari qe mitologu më i shquar shqiptar, i quajtur nga gjuhëtarja Desnickaja “njohësi më i mirë i maleve tona”, poet e prozator. I lauruar në Innsbruck të Austrisë, profesor i greqishtes e latinishtes në Liceun “Illyricum”, i burgosur më 1924 si kundërshtar i monarkisë, tërë jetën ia kushtoi albanologjisë. Pas njoftimit që kishte dhënë Shtjefën Gjeçovi më 1905 se “ndër malet tona fshihet një thesar i paçmueshëm i epikës shqiptare”, ai së bashku me Donat Kurtin gjurmuan e mblodhën, sistemuan e botuan qindra kangë kreshnikësh, të cilat i botuan në revistën “Hylli i Dritës”, që çmohej si më e mira në Ballkan. Dhe shpërblimi që mori për këtë punë vigane qe burgosja e tij më 1946, torturat më çnjerëzore derisa vdiq në burg në moshën 50 vjeçare. Një bashkëvuajtës i tij dëshmon: “E kishin lidhur duarsh me tel të ndryshkur te pisha në oborr ku qëndronte pezull, aty ku lidheshin të burgosurit pasi i rrihnin për vdekje. Pastaj e lanë të ngujuar nën shkallë në një vend të qelbur. E kjo zgjati për muaj e muaj, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanozi. E varrosën në fund të oborrit, por eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë. Vdiq i akuzuar si agjent i të huajve, ai që i kishte dhuruar kombit visaret e tij më të shtrenjta, të cilat nga dijetarët e huaj janë krahasuar me eposet më të mëdhenj të Europës, me “Iliadën” e grekëve, “Kangët e Rolandit” të francezëve dhe “Nibelungenin” e gjermanëve.
Donat Kurti qe mbledhës i zellshëm i folklorit, i quajtur Anderseni shqiptar. I lauruar në Universitetin “San Antonio” të Romës ku iu dha titulli “doktor i shkencave”, njohës i shkëlqyer i 7 gjuhëve të huaja, u vlerësua nga Norbert Jokli “ndër prozatorët më të mëdhenj shqiptarë”. Por edhe ky pati të njëjtin fat si bashkëpunëtori i tij. I burgosur që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, u dënua me vdekje, dënim që më vonë iu shndërrua në burgim të përjetshëm. Dhe kaloi 17 vjet në burgjet dhe kampet shfarosëse komuniste. Ironia e fatit deshi që ai të vdiste i harruar, i vetmuar e në heshtje të plotë, pikërisht në ditët kur në Tiranë mbahej një simpozium për ciklin e Kreshnikëve.
Një tjetër albanolog pati një fat edhe më të rëndë. Lazër Shantoja qe mbledhës folklori, publicist, kritik letrar, poet e prozator, përkthyes i talentuar i Gëtes, Shilerit e Hajnes. Por ai që për mbrojtje të demokracisë kishte provuar burgun që në vitet ’20, ai që bisedonte me ditë e me muaj me Faustin e Wilhelm Telin, e pësoi keq nga diktatura. I arrestuar në shkurt të vitit 1945 u torturua kaq shumë sa luste zotin ta shpëtonte me vdekjen e tij. Kur e pa për herë të fundit e ëma duke u zvarritur pas hekurave me këmbët të gangrenizuara, iu lut rojeve ta vrisnin, që të mos vuante më. Dhe e pushkatuan pas një gjyqi farsë që i dha dënimin me vdekje. I fundit që e pa trupin e tij të vrarë, dëshmon: “E kishin coptue. Ishte me kambë e me krahë të gjymtueme. Ia kishin pre me sharrë. Kofsha e djathtë ishte e ajun tej mase, sa dukej më e madhe se trupi, dhe dukeshin gjithkund gjurmë plagësh të bame me gjithfarë mjetesh. S’kishte mujtë me qindrue në kambë dhe e kishin pushkatue me një breshërimë plumbash brenda në varr. Gurë e dhé mbuluen trupin e tij të gjymtuem, për të mos u gjetur kurrë vorri i tij”. Vepra e tij, e shpërndarë në revista e gazeta të kohës, u botua në një vëllim me rreth 700 faqe, 60 vjet pas vdekjes së autorit. Duke u çmuar përtej kufijve të Shqipërisë, kam pasur rastin të jem i pranishëm në Romë para 4 vjetësh kur u përkujtua me nderim të veçantë në një konferencë shkencore, organizuar posaçërisht për të.
Një tjetër shkencëtar, intelektual-albanolog, që u vra nga diktatura në ditët e para të vendosjes së terrorit komunist, qe Nikollë Gazulli. Ai ka lënë Fjalorin më të mirë krahinor të fjalëve të rralla, me shpjegime e sqarime të shumëllojshme dhe me një pasqyrë të gjerë të parashtesave e prapashtesave të shqipes, që e bëjnë atë një thesar të paçmueshëm në fushë të leksikografisë. Qe nismëtar edhe në fushë të leksikografisë onomastike, duke botuar të parin “Fjalor onomastik” shqiptar në revistën “Hylli i Dritës”, ku trajtohen edhe probleme historike e etnografike. Nga informacionet që kemi, ai kishte mbledhur edhe 2000 fjalë të tjera, fati i të cilave nuk dihet. E me gjithë këto kontribute, emri i tij nuk u përmend asnjëherë në studimet albanologjike. Së shumti lejohej të citohej vetëm titulli i veprës me shkurtime, por kurrsesi autori i saj. E kjo ndodhte sepse ai u pushkatua pa gjyq në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. I rrethuar nga bandat komuniste, u vra si martir në një shpellë ku ishte strehuar për t’iu fshehur terrorit të kuq, një Bajram Curr i kohëve tona, i mbetur edhe ky pa varr, ai që në luftën për demokraci në vitet ’30 kishte vuajtur 4 vjet në burgun e Gjirokastrës dhe ishte liruar falë ndërhyrjes së Norbert Joklit, Gjergj Fishtës dhe Aleksandër Xhuvanit.
Mark Dushi qe një tjetër mbledhës i zellshëm i folklorit, i leksikut të rrallë, i toponimeve, të dhënave historike, mitologjike, legjendave etj. Ka lënë në dorëshkrim disa vepra, që ruhen në Arkivin e Shtetit dhe presin një dorë të kujdesshme t’i nxjerrë në dritë. Një monografi e tij, që u botua si vepër postume, “Tirana dhe rrethinat e saj”, përmban të dhëna dhe argumente arkeologjike, etnologjike, gjuhësore dhe etimologjike me interes shkencor për të njohur kryeqytetin dhe rrethinat e tij. Dhe shpërblimi i gjithë kësaj pune qe burgosja e tij nga diktatura, torturat mizore, dënimi me vdekje dhe pushkatimi në moshën 46 vjeçare.
Fate të njëjta patën edhe shumë dijetarë të tjerë, që për punën e tyre u shpërblyen me burgje, internime e persekutime të tjera. I tillë është rasti i tre orientalistëve të shquar: Mykerem Janina, Vexhi Buharaja dhe Tahir Dizdari, që të tre njohës shumë të mirë të gjuhëve perëndimore e lindore, të vjetra e të reja, filologë, përkthyes e transkriptues të shumë veprave me vlerë shkencore e letrare.
Mykerem Janina qe ndër specialistët më të mirë të osmanishtes, njohës i përkryer i dokumenteve historike dhe i paleografisë, përkthyes i “Defterit të Sanxhakut Shqiptar” të historianit turk Inalçik. Ai kishte nisur aktivitetin botues që në vitet ’30, por u burgos dy herë gjatë jetës së tij me akuzën stereotipe “për agjitacion e propagandë”. Kaloi rreth 15 vjet në burgje e internime. Në burgimin e dytë ishte afër moshës 80 vjeçare.
Vexhi Buharaja ka lënë një vëllim shumë të madh materialesh dokumentare osmane, që janë me rëndësi të dorës së parë për studimin e historisë së Shqipërisë. Duke i përkthyer në gjuhën shqipe, ai solli pranë nesh veprat e frashërlinjve, “Besën” e Samiut dhe “Ëndërrimet” e Naimit, si edhe disa kryevepra botërore të poetëve persianë. Por ky intelektual me potencial të madh shkencor, që punoi 10 vjet në Institutin e Historisë, u pushua nga puna në vitin 1975, për të kaluar vitet e pjekurisë më të madhe shkencore në vetmi të plotë larg çdo aktiviteti shkencor.
Tahir Dizdari është autor i fjalorit më të madh e më të mirë të orientalizmave në gjuhën shqipe, ku jepen shpjegime të shumta për huazimet turke, me argumente leksikore e gramatikore, etnologjike, letrare e etimologjike, dhe me krahasime me gjuhët e tjera të Gadishullit Ballkanik, gjë e bëjnë atë me vlera të paçmueshme jo vetëm për albanologjinë, por edhe për orientalistikën e ballkanologjinë. Por e gjithë kjo punë e stërmundimshme, për të cilën ai punoi gjithë jetën, nuk u botua sa qe gjallë autori, dhe pa dritën e diellit 33 vjet pas vdekjes së tij. E kjo për arsyen e thjeshtë se Tahir Dizdari ishte burgosur më 1951 si antikomunist, ai që për ndjenjat e tij patriotike e demokrate ishte internuar nga fashizmi në vitin 1939.
Fat të tillë patën edhe helenistët, latinistët dhe përkthyesit e tjerë, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin studiuar në shkolla perëndimore dhe nuk pajtoheshin me diktaturën. Guljelm Deda, që Orlandon e çmendur të Ludovico Ariostos e bëri të flasë shqip, kaloi një jetë të tërë në burgje e internime, ai që për 17 vjet punoi për të përkthyer 40 mijë vargje të rimuara në gjuhën shqipe. Edhe kur u lirua, për të nuk kishte punë tjetër veç të thyente gurë në malin e Taraboshit. Këtë fat pati edhe Mark Dema, përkthyesi i talentuar i “Eneidës” së Virgjilit; Veniamin Dashi, përkthyes i shumë veprave me karakter albanologjik nga studiuesit gjermanë. Edhe këta të shpërblyer me shumë vite burg dhe me anonimatin e përjetshëm. Mithat Araniti përktheu nga gjermanishtja vepra kapitale për albanologjinë. I tillë është Fjalori etimologjik i gjuhëve indoeuropiane me tre vëllime i etimologëve me përmasa botërore Alois Walde dhe Julius Pokorny, një kopje e të cilit gjendet në Muzeun e Durrësit. Dhe shpërblimi i kësaj pune qenë vitet e pafund të burgut e të internimit.
Një tjetër njohës i thellë e përkthyes i letërsisë klasike, Gjon Shllaku, shqipëroi kryevepra botërore: “Iliadën” e Homerit, veprat e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, “Gjeorgjikat” e Virgjilit dhe “Këngët e Rolandit” të eposit francez. Ka lënë në dorëshkrim “Fjalorin latinisht-shqip” dhe “Fjalorin greqisht shqip”. Për të gjitha këto, u shpërblye me burg disavjeçar. Nikollë Dakaj, përkthyes i talentuar, gjuhëtar, poet kritik letrar e folklorist, pasi kaloi disa vite në burgjet komuniste, u detyrua të fitonte bukën e gojës duke punuar në fabrikën e tullave, atje ku mes gropave të baltës mund të gjeje njerëzit më të kulturuar të kohës, sepse ky ishte vendi i caktuar nga diktatura për ata që kuvendonin me Homerin e Virgjilin, me Danten e Petrarkën, për ata që ishin shkolluar në perëndim dhe tentuan të ecnin kundër rrymës zyrtare.
Një tjetër përkthyes i talentuar, qe edhe Mark Harapi, që na dha në shqipe kryeveprën e Manzonit “Të fejuemit”, njëri nga intelektualët më të kulturuar të kohës, që kishte refuzuar të qëndronte për të dhënë mësim në Universitetin e Romës, vetëm që të kthehej në atdhe. Ai qe i pari që transkriptoi veprën e Bogdanit “Cuneus prophetarum” duke e pajisur me shumë komente e shënime gjuhësore. Dhe shpërblimi i kësaj pune qe dënimi me 20 vjet burgim, prej të cilave bëri 10 dhe pas këtyre edhe 5 vjet të tjera internim. Deri sa vdiq jetoi me lëmoshën e bamirësve të rrugicës ku banonte.
Këtë fat pati edhe klasiku i fundit i traditës së përkthimeve greko-latine, që u nda prej nesh para para pak ditësh. Pashko Gjeçi përktheu rreth 40 mijë vargje nga gjuhët klasike e moderne, duke na dhënë në një shqipe të dlirët e të pasur “Odisenë” e Homerit, “Faustin” e Gëtes, “Hamletin” e Shekspirit, “Andromakën” e Rasinit, poezitë e Leopardit e të Karduçit, dhe mbi të gjitha trilogjinë “Komedia Hyjnore”, së cilës i kushtoi 20 vjet të jetës së tij. Dhe si shpërblim, u burgos që në vitet e para të vendosjes së diktaturës, duke vuajtur për disa vjet në burgjet e tmerrshme komuniste dhe në kampet e shfarosjes, atje ku në hyrje mund të shkruhej si në portën e ferrit të Dantes: “Këndej kalohet në qytetin e mjerimit / Këndej kalohet në dhimbjen pa kufi / Këndej kalohet te njerëzit humbun shqimit / O ju që hyni mbrendë keni mbarue”. Dhe shumë që hynë në këto burgje, nuk dolën të gjallë, por vdiqën burgjeve të Burrelit e të Spaçit, ose kënetave të Maliqit e të Bedenit.
Nëpër burgjet e diktaturës kaloi një pjesë të mirë të jetës edhe përkthyesi i talentuar në gjuhën frënge, Isuf Vrioni. Ai që bëri për vete edhe vetë francezët me përkthimet e tij në një frëngjishte elegante, kaloi 16 vjet në burgje e kampe shfarosëse, dhe kur doli s’andejmi, la në burg emrin e tij, që nuk mund të shënohej në asnjë libër, revistë a gazetë. Ishte i dënuar i përjetshëm edhe kur doli nga burgu i vogël në burgun e madh. Ai mbeti anonim deri në vitet ’90.
Një shembull tjetër i këtij persekutimi është Frano Illia, ky Shtjefën Gjeçov i dytë, i cili pasionin e tij për të mbledhur doke, zakone, tradita e fjalë të rralla të shqipes, e pagoi me një kalvar të vërtetë vuajtjesh të pafund, sepse atëherë kur më 1967 dorëzoi për të botuar “Kanunin e Skenderbeut”, e thirrën, jo për t’i botuar veprën, por për t’i vënë prangat në duar dhe pas 7 muaj torturash në qelitë e Sigurimit të Shtetit, me një gjyq farsë, ku nuk munguan as duartrokitjet, e dënuan me vdekje, dënim që iu kthye në 25 vjet burgim, prej të cilave bëri 20 vjet.
Gjergj Fishtën, të madhin e letrave shqipe, të quajtur “Homeri shqiptar”, kryetarin e komisionit të hartimit të alfabetit, njërin nga themeluesit e “Komisisë Letrare”, e shpëtoi nga ferri komunist vdekja e parakohshme. Por ai s’mund të hidhej në harresë aq lehtë, sepse vepra e tij e botuar në të gjallë të poetit, njihej e deklamohej prej shqiptarëve nga Veriu në Jug. Ja përse ai ishte një rrezik potencial për diktaturën. Prandaj edhe i vdekur nuk i shpëtoi persekutimit mizor dhe hakmarrjes makabre komuniste: eshtrat e tij u zbuluan, u nxorën nga varri dhe u hodhën në lumin Drin. Në çdo vend të botës prehjet e fundit të poetëve kombëtarë ruhen me fanatizëm si relikte të shenjta e si vende nderimi e pelegrinazhi. Varri i Dantes ruhet në Ravena prej afro 700 vjetësh; varri i Shekspirit ruhet në Stratford prej 400 vjetësh. Edhe varri i De Radës ruhet në Maki të Kozencës prej më se një shekulli nga arbëreshët që patën fatin të mos e jetojnë ferrin komunist. Vetëm në Shqipërinë e diktaturës një poet kombëtar lihet pa varr. Qenka e thënë që të mëdhenjtë e këtij kombi të mos prehen të qetë pas vdekjes, por t’u nxirren eshtrat nga varri, nga të huajt për t’i shndërruar në hajmali; kurse nga vetë shqiptarët për t’i hedhur në lumë. Dhe atë që s’arritën t’ia bëjnë sa qe gjallë, e bënë me veprën e tij. Ajo ishte e ndaluar të lexohej, të komentohej, të mbahej në shtëpi. Njihen plot raste kur intelektualë të arrestuar janë akuzuar se kanë lexuar Fishtën, se kanë folur për të, se kanë fshehur “Lahutën” e shumë akuza të tjera të kësaj natyre. Shteti i diktaturës sllavo-komuniste nuk mund t’ia falte kurrë poetit të madh himnizimin e luftës që bënë shqiptarët “mos me nda tokat e Shqipnisë, për me ngopë klyshët e Rusisë”. Ndërsa si kryetar i komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes, ai nuk u përmend asnjëherë dhe për shkak të tij e të ndonjë anëtari tjetër të anatemuar, fotografia e komisionit të këtij kongresi nuk u bë e njohur asnjëherë gjatë 50 vjetëve.
Viktor Volaj, gjuhëtar leksikolog, profesor i gjuhës shqipe, latine e greke në gjimnazin “Illyricum” të Shkodrës, kaloi shumë vite nëpër kampe internimi. Ai qe komentatori e shpjeguesi më i mirë i veprave të Fishtës, për të cilat punoi shumë vite nën mbikqyrjen e poetit të madh. Ai qe edhe autor i sa veprave të tjera, që humbën në vitet e diktaturës pa mundur të shohin dritën e botimit. Prandaj ai u quajt “akademiku i madh pa vepra”. Me nxitjen e Xhuvanit e të Çabejt, ai kishte mbledhur e dorëzuar në Institutin e Gjuhësisë 1200 fjalë e shprehje të rralla shqipe si kontribut për “Fjalorin e madh të shqipes”, por emri i tij nuk përmendet askund.
Nikollë Mazreku, ky njohës i mirë i historisë, gjuhës e letërsisë, njëri nga latinistët më të shkëlqyer, ka lënë shumë dorëshkrime, ndër të cilët një vëllim për heroin kombëtar, Skëndërbeun. Ka mbledhur shumë fjalë të rralla, që i ka përdorur me mjeshtri në vargjet e tij poetike. Mbrojtës i flakët i racës dhe kulturës shqiptare, ai shkroi me pseudonimin Nikë Barcolla pamfletin e famshëm kundër skandalit të Cordignanos. Për të gjitha meritat e tij diktatura e shpërbleu me 25 vjet burg dhe 12 vjet në internim.
Në bankën e të akuzuarve u rreshtua edhe Marin Sirdani, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhanave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave “Skanderbegu mbas gojëdhanash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve” etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit. Vëllai i tij, Aleksandër Sirdani, një tjetër mbledhës e studiues i folklorit dhe i fjalës së rrallë shqipe, që ka lënë me mijëra faqe dorëshkrim, u torturua në mënyrat më çnjerëzore dhe trupin e tij të dërrmuar nga torturat e shëtitën nëpër Koplik për t’i futur tëmerrin qytetarëve. Pastaj e vranë duke ia shpuar trupin me cfurk deri sa e rrokullisën në një gropë të zezë.
Dijetarë të tjerë u lanë në heshtje, vepra e tyre nuk vlerësohej e nuk botohej. Këtë fat pati gjuhëtari i madh, që tërë jetën ia kushtoi albanologjisë, Selman Riza. Ai që ishte internuar në Ventotenë prej fashizmit për idetë e tij demokratike në mbrojtje të lirisë së vendit, ai që ishte internuar nga regjimi titist jugosllav për përpjekjet e tij për një Kosovë të lirë, ai që kishte ndërruar burgje e kampe internimi po aq sa edhe vende pune e banimi, u persekutua egërsisht nga diktatura komuniste e Tiranës: u dëbua nga Instituti i Gjuhësisë e u internua në Berat. Dhe ashtu siç u la në heshtje për vite me radhë vepra e tij e pabotuar, ashtu qe edhe dita e varrimit të këtij kolosi të albanologjisë.
Një fat të tillë pati edhe gjuhëtari Justin Rrota. Për autorin e sa studimeve në fushë të gjuhësisë, për dijetarin që solli në vendin tonë veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut, askush s’kujtohej nga zyrtarët e regjimit, prandaj vdekja e tij kaloi në heshtje, ashtu siç u la edhe vepra e tij, që bëri gjumin letargjik 50-vjeçar në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë, për t’u zgjuar e për të parë dritën e botimit vetëm pas shembjes së diktaturës dhe vendosjes së demokracisë.
Për 50 vjet me radhë u mbuluan me heshtje edhe emrat dhe veprat shkencore të personaliteteve më të shquar të diasporës: Martin Camaj, Namik Resuli, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, Mustafa Kruja, Tajar Zavalani, Zef Valentini e shumë albanologë të tjerë, emrat e të cilëve ishin bërë tabu në regjimin komunist.
Martin Camaj është albanolog ndër më të shquarit, për më tepër shkrimtar e poet ndër më të talentuarit. Në fushë të albanologjisë ka lënë një varg veprash për historinë e gjuhës shqipe, për gramatikën e dialektologjinë, për etimologjinë dhe të folmet arbëreshe, për tekstet e vjetra, folklorin e letërsinë. Ai qe shtyllë e emigracionit, që mbajti të gjallë studimin e gjuhës shqipe dhe traditën shqiptare në Itali, Gjermani e kudo që shkoi. E megjithëkëtë, nga regjimi totalitar mori epitetin “tradhëtar”, sepse mundi të shpëtonte nga ferri komunist e të dilte në botën e lirë, duke mbetur tërë jetën një shqiptar i vërtetë. Edhe pas vdekjes mbeti i tillë. Kam pasur rastin të vizitoj varrin e tij. Është më i thjeshti në varrezat e Lengriesës në Gjermani: një copë shkëmb i pagdhendur, që bashkëkombasit e tij e kishin sjellë nga malet e Dukagjinit për t’ia vënë te koka këtij shqiptari të madh, që vdiq në dhé të huaj pa mundur ta vizitonte qoftë edhe një herë të vetme atdheun e tij.
Një tjetër albanolog që mundi të shpëtonte nga Shqipëria e rrethuar me tela me gjemba e të dilte në botën e lirë, qe Arshi Pipa, studiues gjuhe e folklori, kritik letrar, estet, poet e përkthyes. I arrestuar menjëherë pas vendosjes së komunizmit, mundi të arratiset pas lirimit nga burgu. Profesor universiteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku emigroi, ai drejtoi disa revista shkencore e letrare dhe botoi disa libra e artikuj me vlerë për kulturën shqiptare; por emri i tij deri në vitet ’90 nuk mund të përmendej, dhe të gjitha botimet e tij mbetën të panjohura.
Namik Resuli qe filolog, gramatikan, historian i letërsisë, studiues i teksteve të vjetra, drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ai ka transkriptuar “Këngët e Milosaos” të De Radës dhe vepra të tjera të letërsisë së vjetër dhe arbëreshe. “Gramatika e shqipes” që hartoi, është ndër më të mirat në llojin e saj. Por punën e tij më të madhe ia kushtoi transkriptimit, komentimit dhe botimit të veprës më të hershme të shkruar në gjuhën shqipe, “Mesharit” të Buzukut, me të cilën punuan shumë dijetarë të vendeve të ndryshme për vite me radhë, madje, edhe pas botimit të saj 10 vjet më vonë nga Eqrem Çabej, vepra e të cilit mbeti e kyçur në depot e Institutit të Gjuhësisë, e cilësuar si “vepër me përmbajtje fetare”. Shembulli më i fundit për këtë është vepra me 800 faqe “Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku” e botuar më 2004 prej akademikut Wilfried Fiedler, i cili është mbështetur te botimi i Namik Resulit. E me gjithë këto vlera të mëdha për albanologjinë, emri i tij mbeti tabu, dhe vepra e tij qe dënuar për 50 vjet me shkronjën R, që do të thotë “rezervat”. Atij nuk iu lejua asnjëherë të shkelte në atdhe.
Një tjetër albanolog i shquar, vepra e të cilit nuk u vlerësua kurrë në regjimin totalitar, qe Zef Valentini, shqiptar nga shpirti e zemra, ndonëse jo nga kombësia. Ai qe historian, etnolog, gjuhëtar, profesor letërsie, bashkëpunëtor dhe drejtues revistash shkencore e letrare në Shqipëri e jashtë saj, anëtar i disa akademive. Njohës i shkelqyer i gjuhës shqipe, i historisë dhe etnologjisë, ai qe një mbrojtës i flakët i racës shqiptare dhe i vlerave kulturore të popullit tonë para botës së qytetëruar dhe një pikë referimi për studimet shqiptare. Edhe kur u largua nga Shqipëria, vijoi studimet dhe botimet në fushë të albanologjisë duke punuar në Universitetin e Palermos e duke drejtuar Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare. Punoi sa për një institut të tërë. Vepra e tij madhore “Acta Albaniae Veneta” përmban 27 vëllime me dokumente për historinë mesjetare të Shqipërisë. E ndërsa shkriu jetën për vendin tonë, asnjëherë gjatë 50 vjetëve diktaturë s’mundi të shkelte në të. Emri i tij ishte kthyer në tabu dhe askush s’mund t’i referohej. Dhe atë që regjimi komunist s’arriti t’ia bënte këtij dijetari, që u largua nga Shqipëria një vit para vendosjes së diktaturës, ia bëri veprës së tij, që qëndroi e burgosur për 50 vjet, e dënuar edhe kjo me shkronjën R.
Dhe në mbyllje të kësaj kumtese bëj pyetjen: “Cili ka qenë faji i të gjithë këtyre?”. Faji i tyre ka qenë i njëjtë me fajin tim kur diktatura komuniste në moshën 10 vjeçare, më 1949, më internuan në kampet shfarosëse me tela me gjemba, në Turan e në Bënçë të Tepelenës dhe në kështjellën e Ali Pashës në Porto-Palermo të Himarës. Faji i tyre ishte i njëjtë me fajin tim, kur më 1990, ndërsa isha mësues fshati larg familjes, sigurimi i shtetit emrin tim e kishte vënë në listat e zeza të vdekjes, të publikuara pas fitores së demokracisë.
Populli që harron historinë e vet, e dënon veten me përsëritjen e saj. Të mos e harrojmë tragjedinë kombëtare të 50 vjetëve komunizëm, të martirizimit, kryqëzimit dhe torturimit të një populli të tërë.

Filed Under: Analiza Tagged With: albanologjike, Kolec Topalli, Persekutimi komunist në shkencat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 808
  • 809
  • 810
  • 811
  • 812
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT