• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Identiteti fetar dhe kombëtar i shqiptarëve ortodoksë së Rekës së Epërme

April 27, 2015 by dgreca

Shkruan:Doktorant Dorian Koçi/
Kandidat i Shkencave Historike/
Vilajeti i Manastirit, një nga katër vilajetet që përfshinte popullsi shqiptare në provincën osmane të Rumelisë, është parë gjithnjë si një territor ku identetitet nacionale kanë qenë më të zbehta, krahasuar me vetpërcaktimin dhe identitetet fetare të popullsive që banonin në të. Si një nga krahinat më të hershme të pushtuara nga osmanët dhe ku në fakt ka pasur një proces kolonizimi me popullsi turke më të lartë se në territoret e tjera , sistemi osman i mileteve duket se kishte zënë mirë rrënjë dhe në fund të shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX, popullsia e këtyre anëve e kishte më të vështirë përqafimin e nacionalizmit që synonte formimin e identiteteve kombëtare përkundrejt një identiteti osman që imponohej nga lart. Zakonisht kur studiohet kjo periudhë e historisë shqiptare të elementit shqiptar, uniformiteti fetar i Vilajetit të Manastirit studiohet njëlloj si vilajeti i Prishtinës, ku predominonte me pak përjashtime një lloj uniformiteti mysliman suni. Kjo gjë ndodh për shkak lidhjeve të mëvonshme të territoreve të banuara nga shqiptarë në ish mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe më vonë në Ish Jugosllavi si një tërësi gjeografike, ndërsa në fakt popullsia shqiptare e Vilajetit të Manastirit reflektonte një larmi tjetër identitesh fetare të ngjashme me vilajetin e Janinës, ku ishin të pranishëm edhe komuniteti bektashi në Tetovë dhe rrethinat e saj dhe komuniteti ortodoks në malësinë e Rekës. Përthyerja e këtyre identiteve dhe shkrirja e tyre në identitet kombëtar gjatë fundshekullit të XIX dhe fillim të shekulit të XX përbën një rast studimor të ngjashëm si dhe në territoret shqiptare ku nacionalizmi veproi dhe operoi nëpërmjet të njëjtave mjeteve, ndaj ai nuk mund të merret i shkëputur nga shqiptarizmi edhe pse panosmanizmi pati eksponentë të rëndësishëm nga këto territore.
Identiteti fetar ka luajtur një rol shumë të madh në krijimin e identiteteve kombëtare në Ballkan përgjatë shekullit të XIX. Ai së bashku me nacionalizmin është shfaqur si një nga farkëtuesit kryesorë të identiteteve kombëtarë duke ndihmuar në këtë farë mënyre drejtë për së drejti në formimin e shteteve kombëtarë. Ky kontribut i përbashkët i tyre ka sjellë shpesh herë një konfuzion në rolin e tyre duke identifikuar shpesh herë me njëri-tjetrin por dhe në disa raste duke bërë një dallim të qartë midis tyre. Qasja metodologjike afron një mundësi më shumë për të dalluar qartë midis tyre dhe rolin specifik që luajnë në krijimin e kombit. Në literaturën dhe studimet moderne ekzistojnë dy pikëpamje të kundërta mbi marrëdhëniet e nacionalizmit me besimin fetar, të cilat i shikojnë ato si alternativa të njëra-tjetrës ose të lidhura shumë ngushtë organikisht mes tyre.
Pikëpamja e parë konsiston në faktin sesi krijimi i publikut të masave lexuese të një gjuhe-një rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetit e Krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidariteteve të tjerë, ndërsa pikëpamja e dytë sugjeron idenë se besimi fetar luajti një rol kryesor në formimin e kombeve modernë. Studiuesi Miroslav Hroach e njohu nevojën për lidhjet gjuhësore ose fetare duke bërë të mundur një nivel më të lartë komunikimi brenda grupit dhe përtej tij, në formimin e një kombi modern. Ai argumentoi se identiteti kombëtar ishte më i fortë kur ai mbështetej nga institucione kishtare dhe shënonte në shumë raste rolin e klerikëve në formimin e grupeve patriotike në Evropë.
Gjithsesi kjo gjë nuk mund të thuhet përsa i përket krijimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilët duke u përkitur shpirtërisht tre feve të ndryshme nuk mund të krijonin një identitet kombëtar të bazuar në këtë faktor. Situata fetare në Shqipëri në prag të zgjimit kombëtar ishte pothuajse shumë e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera ballkanike apo dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore që analizojnë këta autorë. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga territoret e para të rajonit në të cilin Kristianizmi ishte predikuar dhe përhapur por në të njëjtën kohë vendi dhe territori ku influencat e Romës dhe Kostandinopojës si qendra perandorake ishin përplasur, Shqipëria pak a shumë përfaqësonte këtë konflikt jo vetëm në aspektin politik dhe kulturor por dhe në aspektin fetar. Si rrjedhojë, dy dogmat kryesore të Kristianizmit, Ortodoksia dhe Katolicizmi praktikoheshin dhe ishin besime fetare dominante por dhe në konflikt të hapur në Shqipëri përpara pushtimit otoman në shekullin e XV.
Maqedonia ishte një nga rajonet e para të Ballkanit që u islamizua dhe një rol kryesor në këtë proces luajti dhe pozita shumë e favorshme gjeografike, të qenët në mes të rrugëve dhe luginave që bënin të mundur depërtimin osman drejt Serbisë dhe Austrisë. Si është pranuar gjerësisht, pas dështimit për të ngritur një flotë të fuqishme krahasuar me fuqitë e tjera detare europoane, osmanët e përqëndruan strategjinë e tyre në avancimin tokësor duke ngritur fushata të përvitshme dhe të kushtueshme që drithëronin oborret mbretërore së Europës Qendrore. Duke iu drejtuar në veçanti Islamit në qytetet maqedonase, John Thirkelli ka vënë në dukje se gjatë shekujve XV-XVI, feja në Maqedoni, me qendrën e vet në Shkup( e sidomos në një numër të caktuar qytetesh) përbënte një “marsh ushtarak”, nga i cili nisi konvertimi i Serbisë bashkë me Bosnjën. Gjithësesi edhe pse në rastin e popullsisë shqiptare në Maqedoni niveli i islamizmit të kësaj popullsie krahasuar me popullsitë e rajoneve të tjera shqiptare ishte më i lartë , ashtu si kudo gjetkë në Ballkan nuk pati një uniformitet të njëtrajshëm fetar. Një rast tipik interesant në këtë drejtim mbetet popullsia e Rekës së Epërme, popullsi shqiptare që i përkiste besimit ortodoks dhe që mbetet rasti i vetëm deri më tash i njohur në veri të Shqipërisë që arriti të mbante në të njëjtën kohë identitetin e vet fetar por që edhe përmes një përfaqësuesi të shquar të saj si Josif Bagëri (1868-1915) u përfshi qoftë edhe pjesërisht në lëvizjen kombëtare.
Po kështu edhe brenda popullsisë së islamizuar shqiptare nuk kishte një uniformitet suni-që ishte dhe dogma fetare zyrtare e Perendorisë, por kishte dhe një komunitet të fuqishëm bektashi të përqendruar rreth Tetovës dhe që merrte pjesë në jetën politike të Maqedonisë dhe të lidhjeve të saj me qendrën perandorake. Urdhri i dervishëve bektashi ashtu si gjerësisht edhe në territore të tjera shqiptare predikonin dhe praktikonin urdhrat e ceremonitë e shumta të lidhura me ta. Meqë kishte mjaft ngjashmëri ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit, ata nuk kishin ndonjë vështirësi të madhe që t’i përshtasnin zakonet vendore me urdhërat e tyre. Kjo ndërmjetësi fetare e sektit Bektashi, shumë e veçantë në rastin shqiptar krijonte premisa që identitetet fetare të mos ishin të njëtrajshme por të përthyeshin dhe reflektonin dhe shqetësimet politike të kohës, në vitet e lindjes së nacionalizmit në Ballkan. Periudha nga viti 1804 deri më 1878, në gadishullin ballkanik është ajo e revoltave kombëtare dhe e formimit të shteteve të reja. Gjatë këtyre viteve Greqia, Serbia dhe Rumania do të fitonin pavarësinë, kurse Bullgaria do të bëhej autonome. Në këtë periudhë lind edhe një lëvizje kombëtare Shqiptare. Është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës, të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi aktivitetet revolucionare: së pari, formulimi dhe dhe pranimi në shkallë të gjerë të ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim; dhe së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore . Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë të shek XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropianoperëndimore: liberalizmi që buronte nga idetë e iluminizmit në shek e XVIII; dhe nacionalizmi. Përballë këtij realiteti të ri në Ballkan,fillimisht nën një zgjim kulturor dhe pastaj nën një zgjim politik të nxitur më së tepërmi edhe nga Kriza Lindore, shqiptarët reaguan duke sendërtuar format e para të një ndërgjegje kombëtare të avancuar që kërkonte një shtet shqiptar në rajon. Veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare u përpoqën ta shmangin ndërgjegjen fetare si një faktor bashkues drejt krijimit të identitetit kombëtar dhe i dhanë më shumë rëndësi kulturës shqiptare, ndjenjës së origjine të përbashkët dhe në mënyrë të veçantë gjuhës shqipe. Po kështu, elita kombëtare shqiptare nën shembullin e vendeve të tjera ballkanike që rrëmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të lavdishme rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kish zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman në gadishullin ballkanik. Përmes këtij procesi panshqiptar lëvizi edhe ideja kombëtare në Maqedoni dhe në popullsinë shqiptare që përbënte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së saj. Shqiptarët nuk mund të bënin dallim nga popujt e tjerë ballkanikë kur nisën zgjimin e tyre nacionalist. Prirja e natyrshme do të ishte ashtu si dhe te fqinjët e vet, një kundërvënie ndaj fesë zyrtare të pushtuesve-Islamit, diçka që hasi në vështirësi që në hapat e parë, sepse një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve kishin pranuar Islamin dhe nën influencën e shtetit teokratik osman e identifikonin veten shpesh herë si myslimanë dhe pastaj si shqiptarë. “Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin: domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur, popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.” Ishte kjo arsyeja që në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit identiteti fetar kish luajtur një rol të fuqishëm dhe frenues, ku nuk u arrit të avancohej apo shkohej më tej në kërkesat ndaj Portës së Lartë, sepse “forcat që sundonin në mbledhjen e Prizrenit ishin forca myslimane konservatore dhe nëpërmjet tyre Porta mund të ushtronte një ndikim për interesat të veta. Kjo shpjegon përse shqiptarët e Prizrenit luftonin në fillim, bashkë me boshnjakët myslimanë për një kauzë të përbashkët.” . Ky lloj dyzimi i elitës administrative shqiptare jo vetëm gjatë Lidhjes se Prizrenit por në vazhdimësi, për t’i quajtur të vetat interesat e perandorisë, do të pengonte dhe vononte rrugëtimin e shqiptarëve drejt pavarësisë.
Rasti i shqiptarëve të Rekës, kësaj krahine të përbërë nga 18 fshatra dhe të shtrirë në lindje të Dibrës, përtej maleve Korab, Velivar dhe Kërçin, në të dy anët e lumit Radikë , ishte i kundërt nga ai shqiptarëve myslimanë pasi në identitetin e tyre kombëtar e kërcënonte Kisha Kombëtare Serbe që në kuadër të politikave asimiluse të saj që përkrahnin politikat nacionaliste të shtetit serb, kërkonte t’i përfshinte banorët e saj brenda një identiteti kombëtar serb. Ashtu si sivëllëzërit e tyre ortodoksë në jug të Shqipërisë që kërcënoheshin me asimilim nga ithtarët e Patriakanës s Stambollit që bënte përpjekje të vazhdueshme për të helenizuar jugun e Shqipërisë, edhe banorët e Rekës së Epërme ishin nën kërcënimin serb që dëshironte që identitetin fetar ta shfrytëzonte për ti asimiluar. Jeta dhe kujtimet e aktivistit të njohur Josif Bagëri që mëson të shkruaj shqip në Sofie, dhe aty kthehet në një nga përhapësit i idesë kombëtare, është një dëshmi e peripecive identitare që kalonin banorët e kësaj zone. Ardhja e tij në vitin 1908 në Rekë , mënjëherë pas shpalljes së Hyrietit dhe përhapja e idesë kombëtare kishte vështirësi për shkak se propaganda serbe kishte zënë mirë vend. Si zakonisht në këto përpjekje asimiluese predominonte Kisha Ortodokse Serbe, hierarkët e së cilës e kishin braktisur ideologjinë e universalizmit të krishterë dhe kishin rënë nën influencën e nacionalizmit. Josif Bagëri do të haste në këtë vështirësi dhe për këtë arsye ai iu drejtua fshatarëve të vet, duke iu sqaruar se cili ishte qendrimi i dhespotit serb Varnava të Dibrës ndaj tyre. “Vendi në të cilin asht ngulur Varnava nuk asht i ngulun me serb; as me bullgarë, po me fjesht shqyptarë. Detyra e secilit shqyptar asht t’përpiqet për me udhon dormën këtynej propagandorëve qi të qirohet vendi perj egërsinavet të mveshuna me lëkurë delje, se këto nuk janë gjë tjetër , përveç se ulq rrëmbenjës”. Për herë të parë nëpërmjet kujtimeve të tij kemi edhe dokumentimin e hapjes së shkollës shqipe në këtë rajon, në fshatin e tij të lindjes Nistrovë, ku u bëri thirrje bashkëatdhetarëve t’i çojnë fëmijët për të mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip. Ai kishte sjellë me vete, 20 copë abetare dhe filloi tu jepte mësim 8-9 fëmijëve të parë që u mblodhën. Gjithësesi puna e nisur nga Bagëri që përdorte alfabetin e Stambollit në shkrimin e gjuhës shqipe, nuk është se ishte përpjekja e parë e banorëve të kësaj zone për të shkruar shqip, pasi në vend lëvronin e edhe tradita të vjetra të shkrimit të shqipes si ishte rasti i përdorimit të alfabetit cirilik të bullgarishtes që mesa duket kishte qenë një medium i përdorur nga popullsia , kryesisht nga ajo që ishte e emigruar në qendra të ndryshme të Ballkanit. Një dokument i arkivave austriake i referohet në fakt ortodoksëve shqiptarë të fshatit të Prodecit, në rajonin e Rekës së Sipërme(afër Dibrës), të vendosur në Stamboll. Këta të fundit në vitin 1911 kishin themeluar një shoqëri bamirësie dhe arsimore, statuti i së cilës, hartuar në shqip dhe në alfabetin cirilik bullgar, tregonte një vullnet për të botuar libra në shqip me këtë alfabet, për të hapur një shkollë në fshatin e tyre të origjinës dhe për të restauruar kishën e fshatit.
Fati i popullsisë së Rekës do të diskutohej dhe 5 vjet më vonë pasi Bagëri do të largohej nga Nistrova, në Konferencën e Londrës, ku përfaqësuesi diplomatik i Rusisë do kërkonte që Dibra të përfshihej në shtetin serb për shkak të traditave kishtare dhe fetare të popullsisë ortodokse të një pjese të vogël të qytetit. Gjakova dhe Dibra kërkoheshin për Serbinë( nga ana e përfaqësuesit rus Petrajev në Konferencën e Londrës-shënimi im) jo për karekterin sllav të popullsisë lokale që nuk mund të provohej, por sepse manastiri serb i Deçanit kishte prona të gjera tokësore në krahinën e Gjakovës, kurse Dibra ishte selia e dy peshkopëve ortodoksë dhe fare pranë saj ndodhej një manastir ortodoks ( i Shën Jovan Bigorit)
Si dihet pas traktivave të shumta midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë për caktimine kufijve veriorë së Shqipërsië, qyteti i Dibrës së Madhe dhe malsia e Rekës së Epërme mbeti brenda kufijve të Serbisë pavarësisht faktit se popullsia shqiptare ishte më e madhe në numër dhe predominonte gjithandej. Popullsia e Rekës së Epërme do të kishte fatin e popullsive të tjera ortodokse shqiptare në Greqi, të cilave identiteti fetar do tu merrej si faktor parësor për të përcaktuar dhe identitetin e tyre kombëtar. Kështu, nëqoftëse shqiptarët myslimanë të Maqedonisë do të kishin mundësi që të përdorinin gjuhën shqip në jetën e përditshme apo qoftë dhe të organizoheshin politikisht në radhët e “Xhemietit” , duke shfrytëzuar identitetin fetar në radhët e partisë islamike të themeluar në Maqedoni në dhjetor 1919, shqiptarët e krishterë të Rekës së Epërme do i nënshtroheshin një presioni për asilim të plotë dhe marrjen e identitetit sllav, përkundrejt atij shqiptar. Megjiatë pavarësisht një presioni të tillë dhe asimilimi të dhunshëm që ushtroi shteti serb pas përfshirjes së kësaj krahine brenda tij, identiteti i veçantë i shqiptarëve të Rekës vazhdonte të ishte problem për shtetin serb deri në vitet 30’dhe të shfaqej si shqiptar. Sipas të dhënave burimore që na servirin famullitarët e kishës katolike të Kosovës Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj Gashi, në Promemorien që i kanë dërguar më 5 maj të vitit 1930, Sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, zotit Erik Dramondit, duke u ndalur në dhunën e xhandarmërisë serbe ndaj ortodoksëve shqiptarë theksojnë: “Në disa vende, si në Rekë ku bashkërisht jetojnë shqiptarë të besimit ortodoksë me sllavët e të njëjtit besim dhe shqiptarët myslimanë, kjo diferencë qëndron në mbajtjen e kësulës në forma të ndryshme. Shqiptarët mbajnë “çeçe”, ndërsa serbët “kaçketë”. Për të mënjanuar këtë diferencë të dukshme, nënprefekti z. Sokolloviç ka nxjerrë një urdhëresë, me anën e së cilës ua ndalon shqiptarëve të mbajnë çeçe. Po kështu në prememorie nënvizohej se ishte e ndaluar edhe mësimi i fesë në gjuhën shqipe, duke përmendur faktin se shqiptarët ortodoksë të Rekës, që përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë së asaj krahine ishin të ndaluar të përdornin gjuhën amtare në kisha. Pra si shikohet në kuadër të politikave unifikuese për të siguruar kompaktësi etnike shteti serb nuk ushtronte dhunë vetëm ndaj shqiptarëve myslimanë në Maqedoni por edhe ndaj atyre të Rekës. Disa vite më vonë në një dokument të hartuar më 5 shkurt të vitit 1944, nga konsulli i atëhershëm shqiptar në Shkup, Hamit Kokalari dëshmohet ende prania e fortë shqiptare në këtë trevë. Ky i fundit i dorëzoi qeverisë shqiptare një projekt, i cili konsistonte në botimin e një Atlas-Albumi për Kosovën. Në të ai kishte përfshirë një sërë hartash etnografike, fotografi të qyteteve e katundeve shqiptare të mbarë krahinave, duke përfshirë edhe Rekën. Në projekt, diplomati shqiptar theksonte: “Të mos mbeten mangut edhe zonat ku gjendet popullsi shqiptare ortodokse si Reka e Gostivarit”. Duke u ndalur në vendbanimet shqiptare dhe veçanërisht në Rekën e Epërme, Kokalari rrëfen se: “Në shumë katunde që kam vizituar pleqtë dhe plakat flisnin një shqipe të kulluar”. Gjithashtu konsulli Hamit Kokalari tregon se shpesh ortodoksët shqiptarë i merrnin për serbë ose për bullgarë, prandaj gjenden fare pak ortodoksë në skajet veriore (në Kosovë e në Malin e Zi) si dhe në skajin lindor (në Maqedoninë Perëndimore).
Identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë një nga qelizat më të forta të shoqërive, që kanë aspiruar dhe janë krijuar si kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktuese për zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme. Në Shqipëri për shkak të ekzistencës së tre besimeve fetare, identiteti fetar u mënjanua nga zgjimi nacionalist i tyre, duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës kombëtare. Rasti i shqiptarëve të Maqedonisë, në një shtet multietnik është bash një rast i mirë që identitete të fjetura(si ka qenë rasti i shqiptarëvetë Rekës) apo intregaliste si ka qenë ai i shqiptarëve të islamizuar të përbashkohen në një identitet kombëtar duke ndjekur prirjet e zgjimit të tyre nacionalist, duke u munduar për të nxjerrë vlerat më të mira të tyre dhe jo të imitojnë apo krijojnë identitete të rrema që nuk i qendrojnë kohës.

Bibliografi:
1- Arben Puto. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Shtepia botuese 8 nëntori: Tiranë
2- Barbara Jelavich. Historia e Ballkanit, Tiranë, 1999, Përpjekja
3- Benedict Anderson, Imagined Communities(Reflections on the Origin and the Spread of Nationalism, London: Verso.7thEd,1996
4- Dr. Mesut idriz. Kovertimi dhe asimilimi I dhimmi-ve në Perandorinë Osmane. 2009, Shkup:Logos
5- Ferdinanto Salleo.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit
6- John Thirkell. Islamization in Macedonia as social process”, në Islam in Balkans, bot. I Jeninifer M.Scarce(Edinbourgh:Royal Scottish Museum,1979)
7- Marenglen Verli. Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare.Klean:Tiranë, 2014
8- Miroslav Hroch. The nature of the Nation in John A. Hall ed, The State of the Nation(Ernest Gallner and the theory of nationalism), Cambridge:CUP,1988
9- Nathalie Clayer. Ne fillimet e Nacionalizmit shqiptar. Perpjekja:2009, Tiranë
10- Peter Bartl. Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Tiranë Dituria,2006
11- Qerim Lita. Disa burime arkivore për Rekën e Epërme në Sabri Maxhuni-Novosela, Shqiptarët ortodoksë, pjesa e ndritshme dhe e dhimbshme e kombit shqiptar, Prishtinë 2013
12- Ruzhdi Mata. Josif Bagëri, 8 nëntori, Tiranë 1983
13- Stavro Skendi. The Albanian National Awakening 1878-1912. Princeton: Princeton University Press, 1967
14- Stavro Skendi . Zgjimi Kombëtar Shqiptar. Phoenix , Tiranë:2000

Filed Under: Analiza Tagged With: Dorian Koci, i shqiptareve ortodokse, Idnetiteti fetar, Kombetar, te Rekes

Helenizimi qё bёhet nga vet shqiptarёt, sukses i Janullatosit

April 26, 2015 by dgreca

Nga Sotir Mano/*
Kёto 3-4 javёt e fundit kur debati mbi Z. Janullatos si kryepeshkop ka sjellё argumenta pro dhe kundёr qёndrimit tё tij nё Shqipёri justifikimet qё erdhёn nga njerёzit afёr z. Janullatos, ishin tёrёsisht me tendencё pro qёndrimit kokёfortё qё nuk lejonin asnjё diskutim mbi kёtё çёshtje.
Zёdhёnsi Thoma Dhimo na sqaroi se Kryepeshkopi Janullatos nuk e bёn dot liturgjinё nё shqip se e ka tё vёshtirё qё tё flasё shqipe tё rrjedhёshme. Liturgjia qё ёshtё etapa mё e vёshtirё e interpretimit teologjik sipas filogrekёve duhet nga shqiptarёt nё kishё tё dёgjohet nё greqisht. Marrёzi, shqiptarёt kёtё kanё nevojё qё tё dёgjojnё nё gjuhёn e tyre pёrndryshe si mund t’a kuptojnё!. Ndёrsa mёsuesi teolog Thoma Çomёni nuk u muar fare me asnjё argument qё bazohej nё fakte.
Përpara besimtarëve në mbrëmjen e Pashkëve z. Janullatos bëri moral për dinjitetin dhe tekstualisht na tha: “Në ditën e gëzuar të Pashkës, kisha jonë na fton të ndërgjegjësohemi se dinjiteti është kryesisht çështje e brendshme, lidhet me bërthamën e personalitetit njerëzor”. Unë si besimtar ortodoks shqiptar u ndjeva tepër i cënuar në dinjitet kur dëgjova që të flasë për dinjitet tё ortodoksёve shqiptarё z. Janullatos, njeriu që e ka shpurë dinjitetin e shqiptarit në fund të këmbëve.
Tё gjithё artikull shkruesit nё mbёshtetje tё z. Janullatos, duke filluar nga profesora te zёdhёnsa, mёsues teolog, priftёrinj e jo priftёrinj, studjues jashtё e brenda vendit, numёrojnё gradat e z. Janullatos, konferencat ku na ka pёrfaqёsuar dhe numrin e kishave qё ka ndёrtuar. Duke iu referuar replikёs sё z. Thoma Çomёni ndiej tё nevojshme qё tё risjell disa argumenta e disa faktё qё ndodhin pёrditё me kishёn tonё dhe kryepeshkopin e saj.

Kuptimi i replikës zoti teolog është që të përgjigjesh një për një me argumenta të cilat u kundërvihen argumentave që parashtroja unë në shkrimet e mia. Ju z. Thoma mund të thoni plot teorira nga teologjia qiellore në një kohë që jeni shumë larg nga teologjia tokësore e besimtarëve. Unë mësues e edhe ju mësues por për fat të keq me atë “replikë hyjnore” më ringjallët 45 vitet e leksioneve me dokrrat e utopisё komuniste që mbanin instruktorët e Komitetit Qëndror të partisë. Shumë i varfër mu dukët nё gjykim, edhe pse kishit marrë përsipër një mision të pamundur. Kishit shkruar një replikë në “hava” pёr hyjnitё por që nuk thoshte asgjë për ato që po na ndodhin kёtu nё tokёn tonё, nё Shqipёri. Argumentave qё parashtroja unё juve z. Thoma u vinit anёs e anёs njёlloj si ajo macja qё i vjen anёs pjatёs me qull tё nxehtё e nuk e ngjyen dot gjuhёn gjёkundi.
Si mёsues teolog ju z. Thoma e dini qё nё shtёpinё e Zotit objektet flasin me gjuhёn e simboleve. Hyra nё katedralen nё Tiranё me ngazёllimin e Krishtit dhe kur ngrita kokёn lart vura re se ambjenti brenda dhe fasada jashtё dominohej nga ngjyra e bardhё dhe ngjyra blu. Gjithёçka e dekoruar nё ngjyra qё fokusohen te ngjyrat e flamurit grek. (Kushdo qё ёshtё i interesuar mund t’a verifikoj njё gjё tё tillё nё fotot nё internet). Nuk kishte gjurmё tё ngjyrёs sё kuqe, e njohur si e kuqja e Onufrit, tipike e objekteve fetare shqiptare nё shekuj. Megjithёse kishat ortodokse kanё ngjashmёri nё stil dhe ngjyra, te kjo katedrale nuk ka asnjё ngjyrё qё tё tё kujtojё kishat shqiptare nё shekuj. Pra nё Katedrale mbizotёron ngjyra e flamurit grek. Kёto piktura me blu e tё bardhё nё katedrale janё punuar me zell tё madh nga piktorё shqiptarё qё me siguri janё shpёrblyer mirё. Kjo do tё thotё qё duke shkuar nё kishё fёmijёt fillojnё e familjarizohen me kёto ngjyra, u ushqehet fantazia me kёto ngjyra tё flamurit grek, familjarizohen njerёzit me farmacitё greke ku bluja dhe e bardha mbizotёrojnё, me kopёshtet dhe spitalet qё janё ngritur nёn kujdesin e autoritetit tё kishёs sё z. Janullatos, ku tёrheqin vёmendjen simbole tё shtetit grek. Fillojnё e ndjehen shumё zakonshёm njerёzit nё kёto ambjente qё fillojnё t’u japin shqiptarёve ndjesinё sikur janё nё njё pjesё territori tё administruar nga shteti grek.
Mё thoni z. Thoma pёrse njё herё tё vetme nuk u bёn thirje z. Janullatos emigrantёve shqiptarё qё tё mos ndryshojnё emrat shqiptarё me emra grek? Me siguri edhe ju i keni dёgjuar mallkimet “tё ndёrrofsha emrin”, apo “t’u shoftё emri”. Kёto ndryshime emrash janё bёrё dhe janё bekuar nga kisha greke, kurse kisha “shqiptare” me z. Janullatos nё krye i ka bekuar me zell tё papёrmbajtur. Mund tё bёni ju z. Thoma ndonjё koment pёr kёtё heshtje qё mban Z. Janullatos ndaj imponimit sistemik qё autoritetet greke u bёjnё emigrantёve shqiptarёve pёr ndryshimin e emrave?

Nё interpretimin tuaj qiellor ju nuk thoshit asgjë për atë nëse i duhet konsideruar një mëkat z. Janullatos që asnjёherё nuk lutet me zë të lartë për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë apo për ndëshkimin e doktrinës së Vorioepirit.! Z. Thoma, ç’ishte ajo përrallisje për vitet e pafund që u dashkan për të përgatitur një prift shqiptar të aftë për të qënë kryepeshkop i Kishës Autoqefale shqiptare? Duke qënë mësues në shkollë fetare si mund të tentoni qё tё na trajtoni mё tepёr se naiv, si leshko, ne shqiptarёve sa të na e bëni kohëzgjatjen e studimeve teologjike për kryepeshkop të atillë sikur ajo shkollё teologjike nё Durrёs po na pёrgatitё Ajnshtajnёt shqiptarё? Ju e dini mirё se primati i kishёs greke Ieronimus II (Liapis) pas studimeve nё shkollёn e filozofisё dhe teologjisё nё Universitetin e Athinёs ka bёrё kualifikime pas universitare nё Austri e Gjermani dhe tёrё koha e studimeve tё mirёfillta si student e specializant nuk i ka marrё mё shumё se 13-14 vjet, po kaq sa z. Janullatos. Prandaj them unё qё ju pёrrallisni dokrra.
Zotit Janullatos i ka dalë boja fare në sytë e shqiptarëve ngaqë besimtarët e fyer në dinjitet e personalitet çfarë nuk i kanë thënë, mbarë e prapë. Zotit Janullatos duhej t’i kish mbetur pak sedër, duhej të mos e linte t’i thahej fare “bërthama e personalitetit të tij njerëzor”, por të gjente një moment të arsyeshëm e të largohej me nderime e me dinjitet. Po jua pёrsёris: njё mik permanent asnjёherё nuk ёshtё I mirёseardhur. Shqiptarët dijnë të jenë mirënjohës, por edhe dinjiteti i tyre i pёrçmuar e ka njё kufi.. Kjo vuajtje e madhe shpirtërore akumulon e akumulon shumë zemërim. Mirëpo z. Janullatos jo që jo, nuk e lëshon istikamin pa urdhër. Bashkohem me arsyetimin e Zotit Llazar Llazari që në shkrimin e tij të para pak ditëve me një urtësi gjykimi për t’u përgëzuar e cilësonte z. Janullatos si “një gjeneral tjetër gramafoni”. Tё tjerё e kanё quajtur me nofkёn “koloneli i Asfalisё” e tё tjerё “gjarpёri me syze”, etj. E kuptoni ju z. Thoma sesa përfund është katandisur figura e një kryepeshkopi? Nesër e më tej kushedi se çfarë nofkash të tjetra do i gjejnë.
Si teolog filogrek ju ftoj që të na shpjegoni ndonjë gjë konkretisht për qëndrimin e z. Janullatos ndaj luftës në Kosovë, për varret pa eshtra të ushtarëve grekë të ngulura nëpër territorin e Shqipërisë, për lapidarët e betejave hipotetike, për ngjarjet e pallatit të kulturës në Përmet, për injorimin e figurës së ndritur të Fan Nolit, etj, etj, etj. Shqiptarё ishin ata qё shkuan e takuan z. Janullatos nё Athinё dhe e ftuan qё tё vinte nё Shqipёri. Sali Berisha ishte ai qё e firmosi kurorёzimin e z. Janullatos kryepeshkop. Me paturpёsinё tipike dhe i ndёrgjegjshёm pёr kёtё vepёrim antishqiptar Berisha thёrriti nё zyrё Uran Butkёn qё sa pёr tё larё gojёn tё bёnin njё protestё butaforike nё kishё ditёn e kurorёzimit tё Janullatosit kryepeshkop. Si Berisha edhe Butka e dinin qё kjo protestё ishte si kofini pas tё vjelave, megjithatё e lanё gojёn. Makinacione tipike tё llojit Berisha poshtёruese pёr dinjitetin e shqiptarit.
Por ju z.Thoma nuk keni sesi t’i pёrjetoni kёto perceptime e ndjesira fyese. Mёsuesi juaj ёshtё z. Janullatos qё ua ka shpёlarё trurin dhe thyer personalitetin me helenizmin e tij kishёtar. Kjo ёshtё filozofia dhe misioni i z. Janullatos qё, helenizimin e shqiptarёve t’a bёjnё shqiptarёt vet me mendjet e helenizuara dhe me duart e tyre. Kёshtu u ngulet nё mendje dhe nё shpirt dhe nuk ka forcё e vullnet Zoti qё ua heq helenizmin pastaj nga zemra.
Ushtarёt grekё manifestojnё me hap rreshtor nё stadiumet e Athinёs duke kёnduar pёr çarje barqesh tё shqiptarёve, ndёrsa dinakёria greke e z. Janullatos nё qёndёr tё Tiranёs jo vetёm nuk i dёnon kёto thirrje por bёn punёn e saj pёr molepsejn e truve tё shqiptarёve. Ky fakt pёrbёn momentin mё kulmor tё aftёsive intelektuale tё z. Janullatos. Thoni si tё doni, por kёtё gjё ia njoh dhe vlerёsoj si aftёsi tё rrallё tё mendjes sё njё njeriu tё fesё. Kjo pёrbёn madhёshtinё e strategjisё sё z. Janullatos. Helenizimin e bёn jo me forcёn e ushtrisё greke. Pёrdor shqiptarёt pёr tё bёrё helenizimin e atyre vet. Kёsaj po ia arrin me sukses nga dita nё ditё. E vlerёsoj me notёn maksimale pёr pёrmbushjen shkёlqyeshёm tё kёtij misioni helenizues. Inatin ia kam po hakun ia jap.
Atё qё Turqia po e bёn prej vitesh pёr islamizimin e shqipёrisё atё po bёn z. Janullatos pёr helenizimin e shqiptarёve.
Prandaj nuk e durojnë dot më shqiptarët shpërfilljen e dinjitetit të tyre kombëtar nga një kryepeshkop i urdhëruar për të bërë sa më shumë që të thahet “bërthama e dinjitetit të personalitet” të besimtarëve ortodoksë shqiptarë. Kam jetuar kaq gjatë sa arrita të shikoj për të keqen e shpirtit tim se shumё shqiptarë të varfër e mbajnё kokën ulur nga varfёria. Me dinjitet tё poshtёruar nuk e ngrehin dot lart. Z. Thoma, një prej tyre jeni edhe ju. Si mësues më i vjetë se ju po ju sjell nё vёmendje një parim që dihet por që ju e keni humbur nё pёrsiatjet tuaja qiellore filogreke: Dinjiteti nuk negociohet. Pa dinjitet njeriu dёshmon qё nuk ka respekt pёr veten e vet. Mos prit pastaj qё tё tё respektojё tjetri. Kёshtu e kam mёsuar unё dinjitetin nё shkollё. Nuk kam dyshim se ju z. Thoma thellё thellё brenda shpirtit tuaj jeni edhe vet i ndёrgjegjёshёm se kjo qё propagandoni ёshtё demagogji nё favor tё helenizimit, mirёpo tё mirat materiale qё ju vijnё mё pas (populli thotё dhuratёs sё grekut mos ju gёzo) ua kanё zёnё sytё dhe mendjen ua kanё greqizuar dhe nuk keni se nga lёvizni, vetёm tё shёrbeni qorrazi.
Kёta shqiptarё qё janё vёnё kokё e kёmbё nё shёrbim tё z. Janullatos u drejtojnё nё shtyp e nё media kёshilla tё helmёta shqiptarёve, nё dukje me njё farё doze naiviteti: Mos u shqetsoni, mesha nё greqisht e z. Janullatos nuk e kёrcёnon Shqipёrinё. Vangjel Dulja, dhjaku i Janullatosit thotё nё anё tjetёr se mesha nё greqisht ёshtё pёr minoritarёt. Mesha greqisht bёhet nё qendёr tё Tiranё e kjo do tё thotё sipas dhjakut Dule se Tirana ёshtё minoritet grek. etj etj. Ja sesa lart ka shkuar pema e helmёt e greqizimit. Po qё mesha greqisht bie ndesh me ato kushte qё pёrbёjnё principe tё jetёs sё njё shteti normal sikurse i pёrmendёte Z. Moikom Zeqo, nuk pёrbёn poshtёrim tё dinjitetit tё shqiptarёve? Unё i pyes kёta shqiptarё nё shёrbim tё Janullatosit: po njё meshё shqip nё Athinё pёr emigrantёt shqiptarё (emёr ndёrruar – tё mallkuar) pёrse nuk lejohet?, pёrse privohen tё mjerёt pёr tё dёgjuar nё shqip fjalёn e Zotit? Mos prisni qё z. Janullatos tё japё shpjegime apo tё reagoj nё lidhje me kёto qё shkruaj unё dhe tё tjerё autorё shqiptarё. Pёr kёtё punё ai ka mashёn, shqiptarёt qё e mbjellin me duart e tyre helenizmin, kёshtu hidh gurin e fshih dorёn ёshtё mbjellё gjithmonё helenizmi nё shqipёri. Nuk jam i sigurtё nёse ka mbetur ndonjё OJQ e pa infiltruar nga helenizmi. Madje nuk jam i sigurtё as pёr Komitetin shqiptar tё Helsinki pёr tё drejtat e njeriut, mbasi asnjёherё nuk kam lexuar ndonjё protestё tё fuqishme tё tyre pёr cёnim tё tё drejtave kushtetuese tё shqiptarёve ortodoksё.
Disa herё personalitete tё jetёs kulturore shqiptare kanё reaguar fuqishёm ndaj kёtij poshtёrimi filogrek. Mё kujtohet thёnia e Z. Dritёro Agolli nё njё intervistё: Eshtrat m’i hidhni nё lumё se nuk dua qё tё m’i dhjesin grekёrit. I fuqishёm ka qёnё zёri i zotёrinjve Pёllumb Xhufi e Artur Zheji, tё cilёt kanё pёrgёzimet e ndjera tё shqiptarёve tё vёrtetё.
Prapё se prapё asnjё lёvizje nga Qeveria shqiptare. Asnjё iniciativё institucionale nga Parlamenti shqiptar ku si zёvendёs kryetar parlamenti qёndron dhjaku i Janullatosit Vangjel Dulja. Çfarё pret parlamenti shqiptar, shteti shqiptar, pёrse nuk veprojnё ndaj poshtёrimit tё dinjitetit dhe tё drejtave njerёzore tё shqiptarёve, apo presin qё tё fillojnё njёherё protestat dhe pastaj tё zgjohen nga letargjia helenizuese!!!.
Nga njё anё islamizmi ekstrem e turqizimi dhe mё anё tjetёr helenizmi i z. Janullatos me shёrbёtorёt e tij shqiptarё nё politikё dёshmojnё fatkeqёsinё se shteti shqiptar ёshtё me zemrek tё prishur.
*mёsues nё pension

Filed Under: Analiza Tagged With: Helenizmi, Janullatos, shqiptaret, Sotir Mano

Shqiptarët dhe vetëvrasja kolektive

April 26, 2015 by dgreca

Shkruan:Fahri XHARRA/
Kush ka qenë trim një herë?/
Aleksandr’ i Math i vjerë,/
Pirrua me shokë të tjerë/
në Shqipëri kanë lerë,/
Po nga të gjithë m’i zoti, -/
Skënderbeu Kastrioti. /
0 mbret i dashur, ku je?/
Ku je, more Skënderbe?/
Si duron ti nënë dhè?/
Nukë të vjen keq për ne?/
Në këtë kontekst ka nevojë që të ketë dhe një rishtjellim të së shkuarës sonë të largët pasi popullsia dhe territoret iliro-arbërore nuk kanë qenë thjesht spektatorë të kësaj trashëgimie kulturore të admirueshme por shpesh herë edhe aktorë dhe faktorë përcaktues në të .
Mendohet gjithnjë në mënyrë të gabuar se territoret mesdhetare shqiptare janë të vlefshme vetëm për historinë antike të rajonit si shesh betejash të luftërave civile romake apo dhe si një zgjatim i kulturës romake në anën tjetër të Adriatikut, ndërsa për vëzhguesit e dhe studiuesit është mëse e qartë që territoret mesdhetare shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol të madh edhe në mesjetën e hershme që krijon bazat e qytetërimit evropian.

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,….
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qenë
dhe varret që kanë vënë,

Fantazma e perthithjës sllave ështëe shumë e rëndeë. Si rrjedhojë e kësaj, do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mëndimit shqiptar, ideja se kombin do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftëe se nuk do të na mbronin osmanet. Me një fjalë , qenja e Shqiperisë i detyrohet dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Se sa i rrrejshem ka qenë kërcnimi i parë, ai i Europes, e tregoi në menyrë të bujshme fundi i mijëvjeqarit kur Europa do të bënte luftë pëer të mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallëka qenë ky i dyti, koha ëeshtëduke e treguar përherë e më fortë.
“Në përputhje me traditën që ekzistonte që më parë, të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin.
Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme.” Ky është vetëm një fragment i shkëputur nga një kronikë që përshkruan pushtimin e Shqipërisë.
Me ndihmën e Zotit, më të Lartit pushtuan
çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq
shumë pasuri të frymore e jofrymore, saqë
djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje
hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të
këndshme me tipare të tilla që mjaft që t’i shihje në
fytyrë që të të ikte mendja, shiteshin veç për vetëm
tre apo katërqind aspra.
…Arsyeja e kësaj fushate të dytë në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. …Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit… Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, – fap fap – i ekzekutonin…. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra… Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. …Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme.”
Shqiperia nuk ka qene dhe as eshte e padashur prej familjes se kombeve Europa nuk i frigohet nacionalizmit shqiptar
Zoti fliste Shqip! Duke lundruar ne Oqenin e Mileniumeve arrijmë në një të vërtetë të mohuar, të vjedhur, të mëshehur nga zilia historike e prejardhjes se të mëvonëshmëve dhe e cila ishte shpesh e rrezikshme për tu përmendur edhe nga vet trashëgimtarët e asaj të vërteteje. Që të kthehemi në trajtimin tonë të themi që gjuhët primitive ishin monosilabike ( një rrokëshe, një zëshe) dhe të cilat me kalimin e kohës dhe nevojave për komunikim janë bër shumërrokëshe duke e shtuar në rrënjën e fjalës një tingull tjetër që të flasin me fjalë shumë më të përbëra, po në të njetën mënyrë sikur një fëmi disa muajsh i cili e fillon belbimin e disa fjalëve një rrokëshe dhe në mënyrën e tij të thirrjës dhe pasthirrjës.
Për rimëkëmbjen e kombit, ajo që n’a pret është një pyetje e madhe, që deri tani ka mbetur pa përgjigje për mijvjecarë: ka vetëm një Forcë ( e pakrijuar, gjithmonë ekzistuese ) në botë apo dy forca kundërshtare dhe në luftë me njëra tjetrën? Janë e mira dhe e keqja, drita dhe erëesira, jeta dhe vdekja ?
Nga përgjigja jonë varet mënyra se si ne eksperimentojmë jetën, shëndetin fizik dhe atë shpirtëror, dhe mënyrën se si të pranojmë dashurinë apo të kundërtën, që është urrejtja, polaritetin, ndarja me të cilën bota kthehet në një terren lufte të ashpër
Vorbulla e historisë sonë gjithëshqiptare, ishte marramendëse. Askush nuk mendonte se nga ato përplasje centripetale drejt vrimës së zezë, do të shpëtonim. Furtunat nga ato më të fuqishmet u munduan të na zhbënin, dhe të na hidhnin në vrimën e moskthimit, duke na mohuar të kaluarën tonë, duke na çrrënjosur nga trungu ynë mijëravjeçar. Tjetërsimin tonë e kishin në përparësi; kush duke na shlyer dhe humbur historinë e kush duke na tjetërsuar në kombe të tjera me qëllim të caktuar që të harrojmë vehtën tonë dhe një ditë të na vjen turp me atë se çka ishim.
E vërteta është një lloj ujë i nxehtë që del nga toka, i cili shkrin dëborërat dhe
akujt që ka përqark, i bën për vete dhe shtohet duke shkuar dhe sado që mund të
ngrijë duke u ftohur ajri, pa kaluar shumë kohë prapë bëhet siç ka qenë (ujë i
rrjedhshëm).
“Meqenese jeta dhe siguria e secilit eshte e lidhur me fatin e te gjithe atyre qe,se bashku,formojne kombin,do te ma donte shpirti qe cdokush te sakrifikoje pese minuta ne njezet e kater ore dhe te hetoje nga thellesia e vetes se tij se c’sherbim ka bere per shoqerine dhe c’te mire mund t’i beje kesaj shoqerie qe e quajme komb.”
Literatura ; Ismail Kadare , Dorian Koci, Shpetim Hoxha , Andon Zako Çajupi .Sami Frasheri, Mid`hat Frasheri , Tursun Beu
Fahri Xharra,25.04.15
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Shqiptarët dhe, vetëvrasja kolektive

Demokracia shqiptare në 25 vjet: Sfida dhe mundësi

April 26, 2015 by dgreca

Nga: Dr. Elez Biberaj/*
Ju falënderoj nga zemra që më ftuat të marr pjesë në këtë konferencë të rëndësishme. Ju falenderoj gjithashtu për prezantimin bujar që më bëtë. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në shoqërinë e personaliteteve të njohura dhe të miqve e kolegëve. Për mua është nder i veçantë të jem këtu në një ngjarje të jashtëzakonshme – 25 vjetorin e tranzicionit të Shqipërisë nga një shtet diktatorial, njëpartiak, në një sistem demokratik shumëpartiak.
Është e natyrshme që njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit t’i hedhim një sy rrugëtimit demokratik të Shqipërisë për të parë sukseset dhe vështirësitë me të cilat ajo është përballur. Do të përpiqem të bëj një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë gjatë çerek shekullit të shkuar si dhe të flas për sfidat me të cilat ajo ndeshet tani dhe në të ardhmen e afërt për konsolidimin e plotë të demokracisë. Kjo analizë bëhet nga këndvështrimi i një vëzhguesi të jashtëm, por thellësisht të interesuar në përparimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Gjithmonë jam ndier jashtëzakonisht me fat dhe shumë mirënjohës për mundësinë që Zëri i Amerikës më ka dhënë për të ndjekur nga afër zhvillimet në atdheun tim. Zëri i Amerikës ka qenë i lidhur ngushtë me zhvillimet në Shqipëri, duke qenë një prani e vazhdueshme në periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore. Periudha më e paharruar e mbulimit nga Zëri i Amerikës të çështjeve shqiptare ka qenë ajo pas vdekjes së Enver Hoxhës, dhe më konkretisht ngjarjet dramatike të vitit 1990. Zëri i Amerikës iu kundërvu propogandës së regjimit duke thyer mitet e tij dhe duke theksuar se sundimi komunist i kishte shtypur aspiratat e shqiptarëve për të ndërtuar një vend modern, të bazuar në pluralizmin politik dhe ekonominë e tregut. Kështu, Zëri i Amerikës shërbeu si një forcë ndikuese e jashtme dhe një faktor ndryshimi, duke sfiduar me sukses monopolin e regjimit mbi lajmet dhe informacionin. Ai u bë një mbështetje për mendimin opozitar dhe nxitës i idealeve të një shoqërie të lirë, pluraliste dhe demokratike. Megjithatë, Zëri i Amerikës ishte vetëm një nga faktorët e shumtë të brendshëm e të jashtëm që së bashku kontribuan në rrëzimin e komunizmit.
Rënia e sistemit komunist të Shqipërisë çliroi një vrull demokratik dhe çoi në krijimin e një peizazhi politik të larmishëm dhe dinamik. Me mbështetjen e rëndësishme politike dhe financiare të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimi Evropian, Shqipëria hyri në rrugën e reformave të shpejta politike dhe social-ekonomike, siç ishin: rimëkëmbja e rendit kushtetues; ngritja e një sistemi të ri qeverisjeje, me tre degë të pavarura pushteti, krijimi i masave mbrojtëse për të drejtat dhe liritë themelore dhe reforma e gjyqësorit. Gjithashtu, Shqipëria e riintegroi veten në komunitetin ndërkombëtar, duke ndjekur një kurs të qartë pro-perëndimor dhe duke zhvilluar lidhje të ngushta politike dhe ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Një varg reformash të shpejta u pasua nga çrregullime shoqërore dhe nga një rënie e institucioneve në vitin 1997, që për pak sa nuk e ktheu Shqipërinë në një shtet të dështuar. Kriza solli si pasojë një fragmentim politik dhe një gërryerje dramatike të pushtetit shtetëror. Megjithatë, Shqipëria e mori veten nga kriza e skemave piramidale brenda një periudhe relativisht të shkurtër dhe vazhdoi programin e reformës, duke bërë përparim në shumë fronte. Ajo është tani anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rëndësia e saj në nivel rajonal është rritur ndjeshëm.
Shqipëria e ka kapërcyer tashmë fazën e tranzicionit. Njëzet e pesë vjet pas rënies së komunizmit, mendoj se përdorimi i termave “tranzicion” dhe “pas-komunist” është tashmë i debatueshëm dhe pa ndonjë vlerë analitike. Një vend, i cili ka mbajtur tetë zgjedhje parlamentare që nga viti 1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike, që është anëtar i plotë i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian, nuk mund të klasifikohet si “vend në tranzicion” ose si vend “pas-komunist.”
Pyetja është se çfarë lloji regjimi është krijuar në Shqipëri? A i kanë arritur shqiptarët plotësisht aspiratat e tyre demokratike? Dhe, a është sistemi i tanishëm apo niveli i tanishëm i demokracisë forma më e lartë e një rendi demokratik që mund të arrijnë shqiptarët?
Zhvillimet në Shqipëri gjatë çerek shekullit të fundit duhet të shihen brenda kontekstit më të gjerë rajonal, evropiano-lindor. Tranzicioni politik i Evropës Lindore ka krijuar disa lloje regjimesh: demokraci të plota, hibride dhe regjime autoritare. Vendet baltike, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si dhe dy ish-republikat jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, kanë pasur një tranzicion relativisht të shpejtë dhe të suksesshëm dhe kanë arritur në një masë të madhe konsolidimin e rendit të tyre demokratik.
Shqipëria, nga ana tjetër, ka mbetur dukshëm prapa, dhe kalimi i saj drejt demokracisë ka qenë i ngadalshëm dhe me më shumë sfida. Shqipëria është pjesë e një kategorie vendesh ish-komuniste, si Armenia, Bosnja, Gjeorgjia dhe Mali i Zi, që kanë deficite demokratike dhe mund të klasifikohen si “regjime hibride.” Mëgjithëse “regjimet hibride” qëndrojnë më lart në treguesit e demokracisë sesa regjimet “autoritare,” të tilla si Rusia apo republikat e tjera ish-sovjetike, ato karakterizohen nga struktura politike gjysmë-demokratike; nga zgjedhje që jo gjithmonë përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare për votimet e lira, transparente dhe të besueshme; nga mosmarrëveshje të zgjatura pas-zgjedhore; nga mungesa e sundimit të ligjit; nga një sistem qeverisjeje ku tre degët e pushtetit, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyësori nuk funksiojnë si duhet; nga korrupsioni i përhapur; nga një shoqëri e dobët civile dhe nga qeveri, që në masë të madhe nuk janë të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
Ritmi i ngadaltë i demokratizimit të Shqipërisë ka qenë pasojë faktorësh të lidhur me njëri-tjetrin, që shkojnë përtej natyrës totalitare të regjimit të Hoxhës dhe mungesës së një tradite demokratike. Ata përfshijnë një mori elementësh politikë, shoqërorë dhe ekonomikë. Këto pengesa, së bashku me dështimin e përgjithshëm të elitave politike për të thelluar institucionet demokratike, për të siguruar një qeverisje të efektshme dhe për të sjellë rritje më të madhe ekonomike, kanë rënduar ndjeshëm mbi demokracinë shqiptare.
Këtu nuk është as koha e as vendi për të hyrë në hollësi, por më lejoni të përmend vetëm disa faktorë që vazhdojnë ta pengojnë demokratizimin e Shqipërisë. Vazhdimësia në pushtet e elitës së vjetër ka ndikuar negativisht në përparimin demokratik të vendit. Shumë njerëz në poste drejtuese kanë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste që bënë një kalim të butë në sistemin pas-komunist. Këto elita në përgjithësi nuk shfaqën pikëpamje demokratike për natyrën e politikës. Ata e treguan veten si politikanë të dobët me prirjen për të mos e vlerësuar si duhet kompromisin në qeverisjen demokratike. Ndërsa premtonin se do t’u përmbaheshin idealeve demokratike, me të ardhur në pushtet udhëheqësit politikë bënin përpjekje për të kontrolluar të gjitha levat e pushtetit, për të imponuar kontroll mbi median e biznesin dhe për të përçarë e izoluar kundërshtarët e brendshëm si dhe opozitën. Elitat në Shqipëri kanë treguar prirjen e shkatërrimit të kundërshtarit, shpesh duke përdorur një retorikë tepër konfrontuese, akuzuese, populiste dhe arrogante. Pak prej udhëheqësve të lartë mund të shihen si model për pjesën tjetër të shoqërisë.
Politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe thellësisht jofunksionale. Në thelb, ajo ka degjeneruar në një luftë për pushtet midis dy partive më të mëdha politike të vendit, ndonëse ato nuk ofrojnë më alternativa të dallueshme nga njëra-tjetra. Ndryshimet kushtetuese dhe të kodit zgjedhor në vitet 2008-2009 sollën përqendrimin e pushtetit te krerët e partive, duke çuar në një degradim të rëndësishëm të demokracisë brenda partive. Udhëheqësit e partive kontrollojnë dhe përcaktojnë listën e kandidatëve, çka u dëshmua edhe në procesin e tanishëm të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të qershorit. Ata reklamojnë ose instalojnë në pozita të larta njerëz personalisht besnikë ndaj tyre. Anëtarët e parlamentit mbështesin fort pozitat e udhëheqësve të tyre dhe në të gjithë spektrin rrallë shikon politikanë që të marrin qendrime të pavarura.
Korrupsioni ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Pasuria dhe qasja ndaj pushtetit janë përqendruar në duart e një grupi të vogël, ndërsa pjesë të konsiderueshme të popullsisë ende jetojnë në varfëri. Kjo gjendje ka krijuar pakënaqësi të gjerë dhe është politikisht destabilizuese. Ekziston perceptimi i përhapur se të gjithë janë të korruptuar. Ky sigurisht është një thjeshtëzim i tepruar, por shpesh perceptimet mund të jenë po aq të rëndësishme sa realiteti.
Shkelja e ligjit si dukuri e përhapur është bërë pengesë mjaft serioze për qeverisjen e mirë dhe për një shpërndarje të drejtë të burimeve të vendit. Vetë institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit – zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, parlamenti, partitë politike, gjykatat, gjyqtarët, prokurorët dhe policia – e kanë minuar luftën kundër korrupsionit.
Megjithëse sfidat e tanishme nuk duhet të errësojnë përparimin që ka bërë Shqipëria në çerek shekullin e kaluar, realiteti dëshmon gjithnjë e më shumë se shqiptarët nuk janë të kënaqur me nivelin e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik që ka arritur vendi.
Pyetja tani është: a do të mbijetojë sistemi i tanishëm, apo do të evoluojë ai në një regjim më pak ose më shumë demokratik? Duke pasur parasysh sfidat e shumta të brendshme me të cilat përballet Shqipëria, prirjen globale dhe rajonale të rrëshqitjes së demokracisë dhe forcimin e alternatives autoritare, a ka të ngjarë që Shqipëria të shohë një përkeqësim në ecurinë e saj demokratike?
Në të ardhmen e afërt, shanset për një ndryshim të shpejtë dhe të madh politik duken të vogla. Duket qartë, dhe këtë e them me dhimbje, se elitat e tanishme nuk kanë gjasa ta ndryshojnë me themel kulturen politike, stilin e qeverisjes dhe mënyren se si e trajtojnë njeri tjetrin. Ato janë ngurosur në qëndrimet e tyre dhe politika në Shqipëri mbetet tepër informale dhe personale. Ritmi i demokratizimit përgjithësisht e ka humbur vrullin, duke çuar në një gjendje politike të sëmurë dhe në një përparim me hope të zhvillimit demokratik. Ndërsa në fazën fillestare ekzistonte vullneti politik dhe oreksi për reforma radikale, tani duket se ka një mungesë vullneti për të kaluar në një nivel më të lartë të reformave të thella. Nuk ka shenja se udhëheqësit shqiptarë janë duke kërkuar rrugë për të hequr dorë nga marrëdhëniet mbi bazë përçmimi midis koalicionit qeverisës dhe opozitës, për t’u angazhuar në një debat gjithëpërfshirës dhe për të arritur një konsensus kombëtar në çështjet kryesore, që do ta bënte më të lehtë realizimin e ndryshimeve politike të rëndësishme, thellimin e demokracisë dhe përmirësimin e qeverisjes.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 u panë gjerësisht si një ndryshim i rëndësishëm. Megjithatë, vendi rrëshqiti shpejt në stilin e vjetër të politikës konfliktuale. Bllokimi i tejzgjatur politik, rritja e ngadaltë ekonomike, shtimi i sfidave shoqërore dhe një seri skandalesh korrupsioni e kanë dëmtuar rëndë qeverisjen.
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar mjaft në procesin e demokratizimit të Shqipërisë. Por komuniteti ndërkombëtar po tregohet gjithnjë e më pak i prirur të përdorë levat e rëndësishme që ka për të ndikuar tek udhëheqja shqiptare, pasi siç duket ka krijuar bindjen se situata në Shqipëri ndryshon tepër ngadalë. Kjo përforcon mendimin se Bashkimi Evropian nuk ka gjasa ta pranojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, duke patur parasysh problemet e saj politike dhe institucionet e korruptuara.
Prandaj, ndryshimi i vërtetë do të duhet të arrihet nga brenda. Që të realizohen reforma radikale, do të ishte e nevojshme një shkundje në themel e sistemit të tanishëm. Por, megjithë pakënaqësitë në rritje ndaj gjendjes politike dhe ekonomike, nga poshtë vërehet pak trysni që do t’i detyronte politikanët shqiptarë të ndryshonin rrënjësisht kursin. Shoqëria civile është tepër e dobët për të ndërgjegjësuar elitat që ato të marrin masa serioze për t’i dhënë fund praktikës së dëmshme të kontenstimit të vazhdueshëm të zgjedhjeve, mosmarrëveshjeve të tejzgjatura dhe bojkoteve. Në të njëjtën kohë, edhe shoqëria në përgjithësi duket se i toleron politikat e gabuara të politikanëve, dritë-shkurtësinë e tyre, përplasjet jo parimore midis partisë në pushtet dhe opozitës, grykësinë dhe korrupsionin.
Nëse këto prirje negative vazhdojnë, më e mira që Shqipëria mund të presë në të ardhmen e afërt do të ishte një ecje e vështirë, herë pak më shpejt e herë pak më ngadalë. Por një status quo e tillë do të vononte integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të rëndonte problemet e brendshme dhe do të inkurajonte qeverisjen e keqe. Polarizimi përçarës dhe marrëdhëniet helmuese që karakterizojnë politikën shqiptare mund të çojnë në rrëshitjen prapa të demokracisë dhe në një humbje graduale të përparimit që ka bërë vendi. Korrupsioni i thellë, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit paraqesin një kërcënim qenësor për demokracinë në Shqipëri. Disa njerëz madje mund të joshen për t’i vënë në dyshim vlerat dhe normat demokratike dhe për t’i parë sistemet më pak demokratike apo autoritare si alternativa që funksionojnë.
Kjo na bën të shtrojmë disa pyetje provokative: A janë shqiptarët të aftë për të sfiduar me vepra tezën e përhapur se “ky vend nuk bëhet?” A e kanë shqiptarët aftësinë dhe vullnetin politik për të arritur një nivel më të lartë pjekurie demokratike dhe për të zbatuar reforma themelore që do ta shtynin vendin drejt një demokracie të plotë?
Megjithëse problemet me të cilat ndeshen sot shqiptarët janë mjaft serioze, ekzistojnë disa faktorë që, në një vështrim më afatgjatë – e theksoj: më afatgjatë – mund të nxisin një demokratizim të qëndrueshëm.
Shqiptarët nuk ka të ngjarë ta pranojnë vazhdimin e gjendjes së tanishme. Ekziston një pakënaqësi e përhapur ndaj statukuosë, sidomos mes të rinjve, e cila mund të çojë në kërkesa gjithnjë e në rritje për udhëheqës më të përgjegjshëm, të cilët të përqendrohen te respektimi i institucioneve dhe ligjeve, te zhvillimi ekonomik dhe që të kenë aftësinë të punojnë në të mirë të publikut.
Shqipëria ka një brez të ri dinamik dhe të edukuar, që priret të mendojë në një kontekst perëndimor e demokratik dhe që është gati të zerë pozita me ndikim në shoqëri. Dalja eventuale e një brezi të ri udhëheqësish politikë dhe ekonomikë është një faktor premtues. Si rrjedhojë e ndikimit të globalizimit, inovacionit teknologjik dhe studimeve jashtë vendit, shumë të rinj shqiptarë kanë ide të reja dhe një vizion të ri për të ardhmen e vendit. Gjithashtu, klasa e mesme në rritje me sipërmarrësit e saj inteligjentë dhe mjaft të motivuar, ka të ngjarë të kërkojë transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe nga ana e zyrtarëve dhe e politikanëve.
Ndonëse Shqipëria ka dëshmuar rritje ekonomike – këtë vit prodhimi i përgjithshëm bruto mund të rritet 3 për qind – ajo nuk ka përjetuar një zhvillim të rëndësishëm ekonomik. Hendeku mes atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen është mjaft i madh. Shumë qytetarë e ndjenë veten të papërfaqësuar, dhe pikërisht ata mund të kërkojnë të kenë një zë në të ardhmen e vendit dhe të ndikojnë në vendimet politike që lidhen me interesat e tyre jetike.
Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të shërbejë si një shtysë e fortë për të zbatuar reformat e nevojshme. Shqiptarët nuk mund ta humbasin një rast të tillë dhe elektorati nuk do t’i falte politikanët, në qoftë se ata e humbasin. Për shumicën e shqiptarëve, nuk ka alternativë tjetër në rrugën e tyre demokratike, evropiane.
Zhvillimet në Shqipëri janë me rëndësi dhe mund të kenë ndikim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ndërsa sistemi i tanishëm nuk ka gjasa të pranohet nga shqiptarët si caku përfundimtar i demokracisë, Shqipërisë do t’i duhet një korrigjim themelor i kursit për t’u bërë demokraci plotësisht e konsoliduar. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës të aftë dhe me vizion për ta çuar vendin përpara. Por që kjo të realizohet, udhëheqësit e saj duhet të marrin masa serioze për të çrrënjosur korrupsionin, për të krijuar besimin e publikut te shteti dhe institucionet e tij, për të siguruar qeverisjen e mirë, për të nxitur përgjegjshmërinë ndaj të gjithë qytetarëve dhe për të shtyrë përpara zhvillimin ekonomik, që do të çonte në rritje të mundësive dhe në një standard më të lartë jetese. Kjo është një detyrë e vështirë dhe këto objektiva nuk arrihen lehtë.
Shqipëria po përjeton një kohë sfidash dhe mundësish të veçanta. Për shqiptarët ka dy rrugë: ose të pranojnë gjendjen e tanishme dhe t’i nënshtrohen fatit, ose të kapin momentin, të shfrytëzojnë arritjet e rëndësishme të çerek shekullit të fundit, të rifitojnë vrullin demokratik, dhe ta kthejnë në realitet vizionin e tyre demokratik.
Ju faleminderit!
* Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë/
Zëri i Amerikës/ Fjala kryesore në Konferencën mbi 25 vjetorin e tranzicionit në Shqipëri
Universiteti Europian i Tiranës
Tiranë, 24 prill 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokracia shqiptare, Elez Biberaj, në 25 vjet:, Sfida dhe mundësi

JANKULOVSKA: HIQ DORE NGA SKENARET ANTISHQIPTARE

April 26, 2015 by dgreca

SHSHA -ja porositë Jankullovska mos u merrni me skenarët antishqiptare të Serbisë/
Shkruan: Skënder KARAÇICA/
SHSHA-ja në Çikago me indijatë po i përcjell ngjarjet politike dhe orët e kurdisura të regjimit sllavomaqedonas në Shkup që kanë të bëjnë me çështjen e popullit shqiptar në hapësirën e vet etnike,që për fatin e keq ka mbetur i pambrojtur dhe në margjinat e kohës përballë vetëdijes së paçliruar nga mendësia totalitare moniste dhe të ngarkuar me psikologjinë anarko-liberaliste.
Për shkak të përbuzjes së vazhdueshme të Jankullovska ndaj popullit shqiptar në Maqedoni,me hidhërim dëshmojmë se populli shqiptar nuk është ,,fis e as idianë,,por popull i lashtë që tash e një shekull me qendresë ka kundërshtuar shtypjet politike që ndër vite mori formën e një gjenocidi të hapur ,si dhe përpjekjet në fushën politike,të arsimit dhe të kulturës për të përblluar ndikimet asimiluese sllave në Ballkan,thekson zëshëm SHSHA në Çikago.
Duhet të ketë të qartë Jankullovska se populli shqiptar në hapësirën e vet etnike gjendet para projektimit të ardhmërisë kombëtare dhe me parimet e vlerave të lirisë e të demokracisë,ku shqiptarët si popull i lashtë,duan po aq sa kanë edhe të tjerët në Maqedoni,që deri tash nuk ka shenja të rrafsheve të reja të demokratizimit të marrëdhënieve ndëretnike me tiparet e sëndertimit të demokracië dhe të shkëputjes nga sistemi totalitar komunist dhe me skenarët e njohur antishqiptare të Serbisë.Në këto vija po qendron besnike Jankullovska dhe pa hezitim ka harrur se populli shqiptar është populli i dytë shumicë dhe nuk është rentierë në tokën e vet entike,rithkson për opionion SHSHA-ja.
Populli shqiptar,duhet të dijë jankullovska se është popull autotkon,që jeton me shekuj në trojet e veta dhe që ka vazhdimësi historike.Historia me burimet e lashtësisë që nga antikiteti e deri më sot ka dëshmuar se shqiptarët në Ballkan janë pasardhës të ilirëve,kurse ,,populli,,i Jankullovska kanë ardhur shumë shekuj më vonë në këtë gadishull.Po ia shpjegojmë se çfarë thotë udhëpërshkuesi anglez H.N.BRAILSFORT në librin e tij,,Maqedonia,racat e saj dhe ardhmëria e tyre,të botuar në Londër(1906)thekson:,,Një nga racat që jetojnë sot në Maqedoni,vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë,,.Për këtë rithkeson SHSHA-ja në Çikago,a mjafton më shumë për ty Jankullovska?

Problemi i çështjes së (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni,ka tendenca sikundër kjo e Jankullovska që të fusë zjarrin tek këmbet e veta ashtu si vepronin dikur qarqet nacionaliste serbe të dirigjuara nga Beogradi,që sollën deri tek shpërberja e Jugosllavisë që vetë e krijaun dhe vetë e shkatërruan.Mos të hezitojë Jankullovska se çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur në Maqedoni dhe tërë kolovajza politike po sillet me orën e kurdisur që sa më shumë propaganë antishqiptare dhe sa më shumë skenarë për të mashtruar botën demokratike dhe popujt liridashën në BE dhe SHBA,por kjo nuk do të pijë ujë Jankullovska!
Me sjelljet dhe avazin e vejtër të njohur për ne,thekson SHSHA-a në Çikago,nëse nuk zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni me trajtim të barazisë në të gjitha fushat e jetës dhe në të gjitha nivelet e organizimit dhe të funskionizimit të saj,pra konstituimi si subjekt i barabartë politik,me të drejtë sovrniteti si element shtetformues,atëherë po ia rikujtojmë Jankullovska se Maqedonia do të shpërbehet dhe do të ketë fatin e ish-Jugosllavisë,thot zëshëm në këtë deklaratë SHSHA.
*Skënder Karaçica
Executive Director
Albanian-American Association

Filed Under: Analiza Tagged With: antishqiptare, Jankulovska, Karacica Skender, skenaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 810
  • 811
  • 812
  • 813
  • 814
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT