• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Guri kilometrik i një ekonomije pa treg

May 16, 2015 by dgreca

Nga Marjana Bulku- New York/
Cfarë mundet ta shpëtojë jetën që rënkon në kushtet e një crregullimi të gjatë të ekonomisë, edukimit, sigurisë?
Kush do mundë ta shërojë politikën e sëmurë që duhet të orjentojë ,duhet të krijojë kushte që konceptet e mësipërme të zhvillohen?
Kur flasim kaq shumë për dosjet e të kaluarës a nuk do ishte mirë që të shqyrtonim këto të së tashmes, të përditshmërisë tonë ku individi shfaq karakterin ,atë që formësohet nga historia familjare por më shumë sesa kaq , nga veprat e tij .
Me një kujtesë normale mundemi ti hedhim një sy jo historisë së shkuar,por asaj që jetojmë aktualisht … Kur sistemi 50 -vjecar dështoi duke na lënë në varfëri shpirtrore e materiale ,me po kaq varfëri tentuam tregun, atë që planifikimi i centralizuar e kishte zvetënuar dhe shndërruar në një sistem të mbyllur ,shterpë. Dikush në ”liri” ndërtoi shtesa pallati që u ngjanin arnave , u pushtuan ato pak hapësira të gjelbërta që varfëria -rastësi kishta rezervuar për ne,të tjerë me fantazinë e burgosur ndërtuan lokale, hotele, motele… sa pak biblioteka, librari qendra komunitare e shërbimi në qytetet tona!
Të tjerë u larguan nga Shqipëria për të jetuar perëndimin e ëndërruar…
Ata që qëndruan ,ata që ndërtuan jo si uzurpatorë por si vizionarë duke hedhur gurët kilometrikë në kushtet e një ekonomije ku tregu dhe konkurenca e lirë pothuajse nuk ekzistojnë, janë pak, ndoshta shumë pak sepse liria pakufi e tjetrit e mbyt lirinë individuale ,atë që rregullin e konsideron LIRI. Me një shikim të vemendshëm e arsyetim të kthjellët gjithkush mundet ta bëjë këtë studim sipërfaqësor. Ta shohësh tjetrin si produkt i kontributeve të veta në kushtet kur individualizmi kolektiv dhe mobilizimi politik i masave fsheh vlerat reale, jo ato që të bëjnë nderi i qyteteve tona ( të tillë ka shumë),por ato qe u bëjnë vërtet NDER qyteteve me vyrtytshmëri ,punë dhe vlera.
Shteti garant, shteti spektator , jorregullator ,shteti partner, i manipuluar dhe manipulues…kur humb rolin e vet dhe tregun e shndërron vetëm në një imazh , gurin kilometrik-mirazh ,në një sistem ekonomik” të lirë ”thuajse utopi…janë panorama e pashpresë ku janë zhytur qytetet tona. Aty ku unë kërkoj të gjej lagjen e vjetër , atë historike të qytetit midis identitetit të humbur dhe uzurpimit fatal të cdo hapësire të lirë . Më kot kërkoj parqe të gjelbërta apo sado pak sipërfaqe ku fëmija të marrë ajër dhe argëtim…Kujtesa e fortë më con nëpër premtime të harruara me kinema , 3D,,,Por po, nëpër qytetet tona ka ideatorë, ka edhe nga ata që idetë i shndërruan në produkte pune dhe djerse me qëllim ndërtimin dhe përmirësimin e jetës, ka edhe nga ata që hodhën themelet e sipërmarrjes së lirë duke konkretizuar edukimin dhe profesionalizmin e ndertuar eksperienca që flasin,,, a do ti lëmë të flasim???? Qytetarët heshtin… Mediat inekzistente janë shndërruar në kronikanë festash apo ekstremitetesh ,opinioni publik thuajse nuk ekziston sepse në shoqëritë ku roli i lidershipit i atribohet vetëm kryetareve partiake publiku manipulohet,,, Lidershipi si definicion është ”MUNDESI INDIVIDUALE PER TE NDIKUAR ,MOTIVUAR TE TJERET PER TE KONTRIBUAR DREJT EFEKTSHMERISE DHE SUKSESIT TE ORGANIZATES APO GRUPIMIT KU ATA BEJNE PJESE”
A kemi të tillë në shoqërinë tonë ??? A kanë ato kapacitete dhe mundësi të ndikojnë në realitetin problematik shqiptar ?
Ne flasim për dosjet e së kaluarës për padrejtësi e dëme njerëzore , mirë bëjmë dhe pse nuk i faktojmë dot kurrë, por kujdes, m’u përpara syve tanë e tashmja vret njëlloj si dje…janë po ato akte dhunimi në sisteme kur të mohohej e drejta për të studjuar (jetike ) ndërsa sot ajo për të punuar ,(po aq jetike)me qëllim përqëndrimin e saj nëpër kupolat e regjimeve që nga të vjetra u meremetuan si qytetet tona pa dashuri, me babëzi.
E përsëri në fund të këtij casti meditimi që kurrë nuk mbaron më vjen pyetja fillestare, CFARE MUND TA SHPETOJE JETEN QE RENKON???????
Karakteri, historia familjare dhe veprat njerëzore ,,,sa tablo e gjërë për të studjuar individin,,,këtë kurban të totalitarizmit të të gjitha kohërave!

Filed Under: Analiza Tagged With: Guri kilometrik, i një ekonomije, Marjana Bulku, pa treg

NA ISHTE DIKURË BESA E SHQIPTARIT!


May 16, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
 Disa ditë më parë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani vizitoi kryeqytetin e shtetit të New  York-ut,  Albany,  ku ishte ftuar për të marrë pjesë në ceremonitë që u zhvilluan nga legjislatura e New Yorkut — ku tani bën pjesë edhe Shqiptaro-Amerikani Mark Gjonaj,  i cili ndihmoi në organizimin e këtij manifestimi prestigjoz — për të nderuar Besën e shqiptarëve dhe rolin që shqiptarët luajtën gjatë Luftës së dytë Botërore në shpëtimin e hebrejve gjatë asaj periudhe.   Presidenti Nishani, në rolin e tij të kryetarit të shtetit shqiptar mori pjesë në këto ceremoni që në të vërtetë e pasqyruan kombin shqiptar në dritën ma pozitive që është e mundur, falë rolit që kanë luajtur disa familje shqiptare në shpëtimin e hebrejve gjatë luftës së Dytë Botërore.  Me të drejtë dhe me krenari u tha se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë i cili kishte më shumë hebrenjë në mbarim të luftës se sa në fillim të luftës dhe kjo iu atribua faktit se shqiptarët jo vetëm mbrojtën hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por strehuan edhe të tjerë që po arratiseshin nga vendet e tjera europiane. Ishte ky me të vërtetë një moment krenarie për të gjithë shqiptarët, por sidomos për ne që jetojmë në Shtetet e Bashkuara, për faktin se vendi ynë i adaptuar e gjënë rastin dhe merr kurajon për të njohur këtë traditë morale me vlerë të shqiptarëve, që i ka dalluar ata gjatë shekujve — Besën e dhënë. 
  Besa e dhënë, nderi, dhe burrënia së bashku me mikpritjen janë veti morale që e kanë dalluar dikurë kombin shqiptar nga të tjerët.  Besa ishte e pandarë nga vetitë e tjera të shqiptarit: nderi e burrënia.  Kur thehej besa, humbej edhe nderi edhe burrëria.  Këto veti pra, ishin dikurë dëshmi e një superioriteti moral të shqiptarëve që i kishte dalluar ata ndër shekuj dhe i jepte nder kombit, si përballë miqëve ashtu dhe nga armiqtë.  Këto veti ishin parime të prera,  karakteristika në bazë të cilave jetojshin dhe zhvillonin aktivitetet gjyshërit dhe stërgjyshërit e shqiptarëve. 
  Ishte Besa, pikë së pari në Zotin, natyrisht secili në fenë e vetë.  Bazuar në traditën gojëdhanore, vetitë kombëtare si besa, së bashku me nderin dhe burrërinë i bashkonte shqiptarët me njëri tjetrin, pa marrë parasyshë dallimet.  Bazuar në këto parime, ata gjatë shekujve kishin gjetur një bashkjetesë të nderëshme me njëri tjetërin. 
 
Besa ndaj vetvetes dhe besa ndaj njëri tjetrit!  Megjithëse të varfër, besa, nderi dhe burrënia bënin që bashkjetesa dhe respekti për njëri tjetrin të lulëzonin megjithë rrethanat e vështira nën të cilat jetonin shqiptarët. Shërbenin që të vendoseshin dhe të ruheshin lidhjet dhe miqësitë midis tyre, pa marrë parasyshë ndryshimet politike, fetare ose krahinore.  Besa ishte besë, fjalë e dhënë e fjalë e mbajtur!   “Burri lidhet për fjalet, e kau për brinash”.  Dikur, por edhe sot ndër malet tona bëhet be, ”Për besë” dhe kur takoheshin dy burra përshëndesnin njëri tjetrin: “A je Burrë? Me fjalë të tjera, “A je burrë i besës?    
 
Pastaj na erdhi “progresi” i ideologjive të huaja, imponuar nga të huajt me qëllim për të ndryshuar njeriun shqiptar, me misionin që me çdo kusht duhej krijuar “njeriu i ri”. Në rend të parë duke hedhur poshtë dhe duke i përbuzur këto veti tradicionale autoktone të shqiptarëve, përfshirë Besën e dhënë — nevoja këto shpirtërore dhe morale të kombit, mbi të cilat ishte bazuar jeta dhe veprimtaria e shqiptarit, brez pas brezi.  Për një gjysëm shekulli ideologët komunistë i kanë cilësuar ato veti shekullore të shqiptarëve si të kalbura, të një shoqërie të prapambetur dhe sipas tyre, tradita këto të pa asnjë vlerë që nuk i shërbejnë përparimit mdoern dhe  të cilat kanë shkaktuar vetëm një fosilizim të jetës së kombit.
 
Mirëpo, ceremonitë në legjislaturën e New Yorkut dhe pjesmarrja e kryetarit të shtetit shqiptar, Bujar Nishanit në ato ceremoni këtë muaj, tregojnë se traditat që i kanë dalluar shqiptarët ndër shekuj, siç janë Besa, Nderi, Burrënia dhe Mikpritja, e bëjnë krenar kombin shqiptar, jo vetëm me veten e vet, por dhe para të tjerve të cilët i vlerësojnë këto veti njerëzore — vlera këto të cilat janë një trashëgimi stërgjyshore që siç u pa edhe nga ceremonitë në Albany, meritojnë të vlerësohen edhe nga bota e sotëme e qytetëruar perëndimore. 
 
Duke folur me një mik timin për nderin dhe respektin që ligjvensit e New Yorkut u bënë shqiptarëve që shpëtuan dhe strehuan hebrenjtë nga ndjekjet naziste gjatë luftës, ai më tha se megjith krenarinë që ndjejmë të gjithë nga njohja që iu bë shqiptarve në kryeqytetin e New Yorkut në Albany, ai shtoi se ka bindjen se e kemi shtrydhur mjaft këtë limon, siç u shpreh ai — duke iu referuar strehimit të hebrenjeve nga shqiptarët 70-vjetë më parë, në saje të besës së dhënë shqiptare — dhe se ka ardhur koha që t’i tregojmë botës se shqiptarët dhe prijsat e tyre politikë, të pasqyrojnë, sidomos në marrëdhënjet me njëri tjetrin se ata edhe sot janë bartës të denjë të kësaj tradite.

A ka njerëz të besës dhe fjalës së dhënë sot ndër shqiptarë? 
 
Unë jam dakort me mikun tim se strehimi i hebrejnëve nga shqiptarët gjatë Luftës së dytë Botërore, ndonëse një akt humanitar dhe heroic që ka tërhequr vëmendjen e botës dhe për të cilin të gjithë ne jemi krenarë — i takon historisë dhe pajtohem me mikun tim se ky limon nuk qet më lëngë dhe se duhet që shqiptarët, e në radhë të pare, udhëheqsit e sotëm politikë të kombit shqiptar, sidomos në marrëdhënjet me njëri tjetrin, ti tregojnë mbarë kombit dhe botës se ata dhe mbarë kombi shqiptar posedojnë ende karakteristikat e fisit të vjetër shqiptar — sidomos besën e nderin, por edhe burrëninë dhe mikpritjen — si baza themeltare të trashëgimisë brez pas brezi dhe në bazë të cilave përpiqen të zhvillojnë veprimtaritë e tyre.
 
Është e natyrshme që jemi krenarë për brezat e mëparshëm, për familjet shqiptare që shpëtuan hebrenjtë, vepra humanitare e të cilëve u njoh dhe u lavdërua nga legjislatorët e shtetit të New Yorkut.  Por ka ardhur koha që shqiptarët të mburren me veprat që kryejnë sot ata vetë, si individë dhe si shoqëri, në marrëdhënjet me njëri tjetrin dhe si grup në shoqëri dhe në marrëdhënjet me kombet e tjera, duke u bazuar në Besën tradicionale dhe në Nderin e shqiptarit –vlera këto të tradicionalizmit klasik të kombit, të cilat gjithmonë i kanë dalluar për mirë shqiptarët edhe në sytë e botës,  ashtu siç u shpreh gjatë ceremonive në Albany edhe fotgrafi i njohur dhe i mbijetuari i holokaustit nazist Norman Greshman, kur tha se  “Shqipëria, ka një eksport të shkëlqyer. Nuk është frut, as zarzavate. Quhet Besa”. 
  Dëshira e këtij shqiptari (tradicionalist) përtej oqeanit është që ashtu si dikurë, Besa dhe Nderi të jenë përsëri karakteristikë e krenarisë së kombit shqiptar, sidomos në marrëdhënjet e shqiptarëve me njëri tjetrin pa dallime politike, krahinore ose fetare. I takon këtij brezi që me veprimtarinë e tij ta dallojë kombin shqiptar nga të tjerët, duke përqafuar këto veti tradicionale dhe historike, në atë çerdhe  të përbashkët e quajtur Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pasi dëshiroj t’i shoh shqiptarët të lidhur Besa Besë me njëri tjetrin, me qëllim të realizimit të interesave kombëtare dhe si rrjedhim të jenë të nderuar dhe të respektuar nga të tjerët për Besë, Nder, Burrëni dhe Mikpritje, ashtu siç u nderuan në New York shqiptarët e shekullit të kaluar për një veprimtari humane para 70-vitesh, falë këtyre karakteristikave.

Filed Under: Analiza Tagged With: Besa e shqiptarit, Frank shkreli

Dera e mbyllur e BE nuk hapet me përralla nga lashtësia

May 15, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja-New York/
Ishte emri i Edi Ramës nën titullin “Dora e Evropës, dora e zemrës” arsyeja e vetme që më nxiti kërshërinë për të lexuar përmbajtjen e asaj që ishte botuar nën titullin e mësipërm. Kjo pasi në aspektin letrar ato që shkruan apo thotë kryeministri i Shqipërisë më japin një kënaqësi të vecantë. Gjithcka e shoqëruar me figura letrare të gjetura, me fraza të bukura e intriguese, produkt i fantazisë dhe imagjinatës së një artisti. Rama, në mënyrë të padiskutueshme është i paarritshëm nga politikanët e tjerë shqiptarë, kur vjen puna për të ambalazhuar produktin e tij politik kur e paraqet në publik, madje dhe artistikisht, mund ta radhis ndër autorët më të pëlqyer të letërsisë së sotme shqiptare. Nuk u zhgënjeva; edhe pse nuk ishte një shkrim i mirëfilltë por që të përdishmet, e kishin botuar si të ishte shkruar enkas për to, edhe pse në të vërtetë ishtë vëtëm një fjalim përshëndetës në një ceremoni të organizuar me rastin e “Ditës së Evropës” mund të them se nuk i linte gjë mangut një ese-je. Natyrisht edhe tek të pranishmit, e kam fjalën kryesisht për ata të huaj, ndërsa dëgjonin Ramën atje, në Butrintin antik, nuk ka si të mos i kenë rritur kuotat e vlerësimnit për Ramën, si publicist apo si mjeshtër i fjalës. Nga ana tjetër duke gjykuar nga përmbajtja e atyre që u tha Rama të ftuarve, por edhe nga rrethana të tjera duke filluar nga ato që mund të cilësohen si butaforike, fut këtu dhe vetë përzgjedhjen e Butrintit si vend për zhvillimin e kremtimit të ditës së Evropës, të cojnë në përfundimin se kryeministri i Shqipërisë kishte planifikuar ta shfrytëzonte “Ditën e Evropës” për t’i u ankuar evropianëve të akredituar në Shqipëri për moshapjen e dyerve të BE. Kjo dukej qartë në atë pjesë të fjalimit të Ramës ku i mëshohëej asaj që në lashtësi, territori i Shqipërisë së sotme, kishte pasë qenë teatër ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme për kontinentin. Rama, si një mjeshtër i publicitetit, për ta bërë më të efektshme ankesën e tij për lëninen jashtë Evropës të popullit shqiptar, kishte përzgjedhur atmosferën dhe mjedisin antik të Butrintit si skenë ku përfaqsuesit e vendeve të BE të dëgjonin recitimin e esesë ankesë të tij. Mirëpo, dyert e Evropës nuk hapen me fakte historike apo faktorë të tjerë që mund të lidhen me historinë e këtij apo atij vendi dhe Edi Rama besoj se e di shume mirë një gjë të tillë. Me shoë-n e tij në Butrint, ai mund të ketë rritur kuotat për veten e tij tek të huajt, por ndikimi që këta të venë “dorën në zemër” për t’i hapur derën Shqipërisë pa dyshim ka qenë zero. Nuk dihet ndonjë rast që ndonjë vend të jetë pranuar në BE falë historisë së tij të lashtë apo të “lavdishme”. Duke i u kthyer paksa historisë Shuman, Adenauer e De Gasperi që vunë themelet e Bashkimit Evropian fillimisht e nisën si një organizatë me karakter ekonomik. Jo më kot emërtimi fillestar ishte “Tregu i Përbashkët Evropian”ndonëse anëtarë të tij ishin vetëm gjashtë vende; Gjermania Perëndimore, Franca Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Italia, në kohën që më shumë vende ishin grupuar në atë që quhej “Zona e Tregtisë së Lirë”. Shumë vonë, vetëm pas rritjes së numrit të antarëve, krahas institucioneve të tjerë me karakter kontinental si “parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Tregu i Përbashkët Evropian do të kthehej në “Bashkim Evropian” duke u shndërruar në një organizëm politiko-ekonomik. Megjithatë , orientimi i aktivitetit tëi tij do të diktohej më së pari nga interesat ekonomike. Edhe kur filloi zgjerimi me shtete nga Evropa Lindore pas rënies së komunizmit vendet e para ishin Cekia, Polonia e Hungaria, të cilat kishin një ekonomi shumë më funksionale e të rregullt se Rumania apo Bullgaria. Si pasojë e krizës ekonomike që filloi nga fundi i dekadës së kaluar kërkesat me karakter ekonomik ndaj vëndeve që kërkojnë të bëhen pjesë e BE, janë forcuar së tepërmi, gjë që e bën edhe më të largët shpresën e këtyre të fundit. Vendet e BE tashmë, pas rastit të Greqisë, tregohen skrupulozë për të mos paguar faturat e Greqive të tjera që kërkojnë të hyjnë në familjen e tyre. Tani, duke u kthyer tek Shqipëria, politikanët shqiptarë vazhdimisht i mëshojnë faktit që “Shqipëria është pjesë e Evropës”, madje “kërthiza e Evropës” dhe jo periferia, sic u shpreh Rama në fjalimin e Butrintit. Por, duhet të kihet parasysh se nuk bëhet fjalë në aspektin gjeografik, por flitet për mënyrën si funksionon shteti, jetën politike, ekonominë etj, dhe këtu, shoqëria shqiptare është shumë më pranë vendeve të Azisë Qëndrore apo Afrikës së Veriut. Tashmë është bërë e qartë se celësi që mund të hapë derën e BE është i lidhur kryekëput me faktorë ekonomikë. Kjo duket dhe nga kushtet e vendosura për Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit, pavarësia dhe reforma në sistemin e drejtësisë, janë të lidhura ngushtë ekonominë. Kjo për faktin se si korrupsioni ashtu dhe një drejtësi jo funksionale shkatërrojnë rregullat e lojës në bazë të të cilave vepron tregu i lirë duke cënuar në radhë të parë konkurencën. Duke pasur parasysh realitetin shqiptar, jo Rama, por kushdo qoftë në pushtet e ka të vështirë t’u flasë të huajve për parametra, shifra, trende zhvillimi etj. Për më tepër, kur Brukseli e njeh gjendjen e Shqipërisë ndoshta më mirë se vetë politikanët shqiptarë. Ekonomia informale, papunësia , korrupsioni e krimi I organizuar që si emërues të përbashkët kanë rikthimin në përmasa të frikshme të synimit të shqiptarëve për të ikur në vende të tjera, janë në nivele të tilla, sa edhe të paktën pas një dekade tjetër Shqipëria besoj se do të jetë akoma duke trokitur në dyert e BE. Njësoj, edhe përpjekjet e autoriteteve për të penguar largimin e qytetarëve, tregojnë se qeveria e ndërgjegjshme senuk është në gjendje t’u sigurojë atyre një minimum jetese normale duke u ngjallur shpresën për një të ardhme më të mirë e gjen të udhës t’ u nxjerrë pengesa artificiale në pikat e kalimit kufitar apo duke u kërkuar vendeve të BE “të shkurtojnë procedurat” për të kthyer sa më shpejt azilkërkuesit shqiptarë. Vetëm, pasi të jetë ndalur në mënyrë të natyrshme ky eksod ekonomik zyrtarët shqiptarë mund të kenë të drejtën për t’u kërkuar evropianëve hapjën e dyerve të BE. Athere, edhe për Edi Ramën nuk do të lindë nevoja t’u lexojë të huajve esse a hartime që lidhen me lashtësinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dera e mbyllur e BE nuk hapet me, Gavrosh Levonja, nga lashtesia, Perralla

ISA BOLETINI I MITROVICËS NUK ËSHTË PA VENDLINDJE SI LEJ FENI I KINËS

May 15, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Ky 10 qershori 2015 i rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë më përkujtoi 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Tiranë kur pikërisht në kit’ datë kombëtare simbolike dyshja Hoxha-Shehu e rivarrosi për herë të pestë Naim Frashërin, poetin tonë kombëtar, nga lulishte pranë Kryministrisë (1950) në kodra të Liqenit Artificial të Tiranës.
Ç’ka është kjo përnguti turravrap Rama-Thaçi për rivarrimin e katërt të Isa Boletinit në Vlorën e Flamurit?! Cili po ia mban “ison” tjetrit për Isën e madh të kombit. A kena të bajmë me një kopjaci të modelit Hoxha-Shehu?! A thue çka ka Isa – kryeministri i sotëm i Kosovës që nuk po flet hala për Isën e Pavarësisë?! Nuk jena as në vit jubile të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po presim të 137-tin vjet. Qysh me ia ngjit emnin kësaj pune: Si dështim i politikës shqiptare të Prishtinës e Tiranës për çështjen e pambyllur të Mitrovicës së Veriut. Kemi dy “varre të hapura” në brigje të Ibrit: varri i Mitrovicës dhe varri i Isës. Ndoshta po e mbyllin të parin edhe prej trysnisë ndërkombëtare pansllave, etj. dhe po e lanë të hapun atë të Isa Boletinit tue e rivarrosë me ceremoni nacionaliste e festive në Vlorën e Ismail Qemalit?! Ndoshta kjo ka të bajnë dhe me fushatën elektorale në Shqipëri, ku H. Thaçi e ka ba mendjen shtrat topi për me iu gjend pranë E.Ramës, tue pasë në krah dhe Erdoganin, sikurse banë në zgjedhjet e kalueme në Kosovë. Kësaj ia nxori kryet vet Thaçi në konferencë për shtyp në Tiranë kur i ceku zgjedhjet e 21 qershorit 2015 ! A iu kujtohet elektoriada e Thaçit në Prizren? M’i përnget kjo e Ramës në Vlorë e Tiranë? Po, pse bre po bahet kështu me Isë Boletinin e Historisë?!
2.I pari varr i Isa Boletinit është ai i janarit 1916 në Podgoricë (Titogradi), tokë etnike shqiptare e Gentit e Teutës, tashti kryeqytet i Malit të Zi.
Në rreth dy dekada shqiptarët e vërtetë të gjakut e idealit të tij atdhetar i ranë në gjurmë reale varrit të tij dhe ia mbrrinë me ia tërhjekë më 15 nëntor 1989 eshtrat Isa Boletinit (vet i teti martir i lirisë) para se aty të ndërtohej një park i qytetit. Ato ndejtën do kohë në Prizren dhe i çuen në Mitrovicë ku i mbajtën të fshehuna në një thes e arkë në oborr të xhamisë të atyhit. E, ndoshta, ky klasifikohet si “rivarrimi i dytë”.
Në vitin 2004 Qeveria e Kosovës mori vendim me e varrosë Isën në vendlindjen e vet, tek kulla në Boletin, aty në kodrën e Sokolicës, bash në Mitrovicën e Veriut. Prapë, zyrtarisht u fol dhe për 28 nëntor 2014 po kurrgja sa ba.
Sotpërsot Isa Boletini i ka dy varre të hapuna shtetnisht: njani në Mitrovicë, në Boletinin e tij dhe tjetri po i hapet në Shqipëri, në Vlorën e tij.
Në Deçan, në trollin e geneve të breznive të tij, në Mitrovicën ku lindi më 15 janar 1864, gjithandej në Kosovë, dhe në Shqipëri, kudo, po ka kundërshti. Dikush thotë ta varrosim në Mitrovicë. Flitet për në Prishtinë. Ka zëra dhe për në Deçan. Dy qeveritë shqiptare janë për në Vlorë.
Përndryshe, mos u debatoni ndërveti. Rivarroseni Isa Boletinin në qytetin e Bac Bajram Currit. A e dini pse? Aty, tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në hyrje të qytetit, të ngritura më 1974 e ka një varr bosh, pa eshtrat e tij. Heroi i Popullit Isa Boletini, që është “varri i parë” i tij në Shqipërinë Londineze. Aty i ka dhe të afërmit e vet të gjakut e të luftës, me të cilët u vra në pritë malazeze në Podgoricë më 23 janar 1916 si Januz Boletini, Hajdar S. Radisheva, etj. Aty i ka aty dhe deçanasit e vet të origjinës: Sylejman Vokshi – Hero i Popullit, Asim Vokshi – Hero i Popullit… Aty i ka dhe heronjtë e popullit Mic Sokoli, Bajram Curri… Me propozim të rrethit të Tropojës, iu dha Isa Boletinit titulli i lartë “Hero i Popullit”, pasi ishte dëshmor i këtij rreth…, një pjesë të madhe të jetës së tij e ka kalue në Malësinë e Gjakovës, në mikpritje e në luftra me malësorët e saj, ndaj le të jenë aty dhe në kohë paqeje eshtrat e tij, tek varri i vet në Varrezat e dëshmorëve të Tropojës.
3.Në protokollin shtetëror për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit është paraparë një shetitije me eshtrat e tij në itenerar Boletin-Mitrovicë-Prishtinë-Prizren-Tiranë-Vlorë.
Kjo m’i përnget shetitjes me eshtrat e Car Llazarit të luftës në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë) 1389 me Sulltan Muratin e Parë të Perandorisë Otomane. Kësaj lufte serbët i kanë ngritë mit. Sot në Mitrovicë një shesh i madh ka emnin Car Llazar!
Në koft se do’ politika e Tiranës dhe ajo e Prishtinës le të bajnë nji “Shetitije Kombëtare Shqiptare” të eshtrave të Isa Boletinit, tue ia fillue nga Podgorica e varrimit 1916 e çvarrimit më 1989, nëpër treva të Malësisë së Madhe përtej kufinit me Malin e Zi dhe deri në Deçan e Junik…të shtetit të ri të Kosovës, dhe deri në Maqedoni (FYROM), në Shkupin e 1912-tës, dhe vetëm mbasandejna në Boletin-Mitrovicë-Prizren-Kukës-Tiranë-Lushnje-Vlorë.
4.Në një bisedë alpine më 1986 me Dritëro Agollin, ish antar i KQ të PPSH e kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e dveta për Lej Fenin kinez të rinisë time. Më kallxoi se kur ishte në Kinë i ra me shetitë gjithandej e kudo i folnin për Lej Fenin: këtu kreu kit’ akt, këndej udhëtoi me makinë, këtu…Jehonë. Memorialistikë. Memoriale. Një ditë po i thotë Kryetarit të Gazetarëve (ose Shkrimtarëve) të Kinës për me e çue në vendindjen e Lej Fenit. Ai e tërhoqi veçmas tue i pa të ditun se Lej Feni nuk ka vendlindje, as nuk ka ekzistuar në Kinë, atë e krijuam vetë, ai është heroi ynë, i duhej Kinës…
Ne, në vitet e komunizmit, dinim gjithçka për Lej Fenin – heroin imagjinar të Kinës, të “lindur” në vitin 1932 në një familje të varfër fshatare, që kishte jetën me veprimtari revolucionare, ditarin e tij, citatet e tij. Si ky: “8 nëntor 1960 …Oh, sa e emocionuar je ti o zemra ime. Sa e madhe je ti partia ime! Sa largpamës jeni Ju, Kryetari Mao Ce-Dun! Jetën e re, që kaloi ua kushtoj Juve Kryetari Mao! Ju më shpëtuat jetën kur ndodhesha në buzë të varrit, Ju më përtëritë jetën, më ushqyet, më veshët dhe më dërguat në shkollë…”.

Për Lej Fenin, frymëzuesin e Revolucionit Kulturor Kinez, thuhet se e dha jetën heroikisht nga një tra i madh që i ra në krye teksa po përpiqej ta shpëtonte kamionin që ia kishte dhanë partia e tij moniste e kryetarit Mao Ce Dun, u (ri)botue më 1964 një libër në shqip me mijëra kopje, i cili në vite të miqësisë me Kinën lexohej ma shumë se Bibla e Kurani sot, dinim ma shumë për jetën e veprat e tij se sa të fshatit, fisit e rrethit tonë, kishte popullaritet ma shumë se vet Isa Boletini, heroi ynë i përmasave ndër-kombëtare.

Tashti, në kit’ vit të demokracisë shqiptare, deshta me iu thanë dy qeverive shqiptare në Tiranë e Prishtinë: Isa Boletini nuk është hero imagjinar si Lej Feni. Krejt ndryshe nga Lej Feni i Kinës, ka vendlindje e vet, kullën e vet, trollin e vet. Ndaj duhet me i lanë “lejfenizmat” dhe ri-varroseni Isa Boletinin e Pavarësisë në Boletinin e tij, në Mitrovicën e Historisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Isa Boletini i mitrovices, Ramiz Lushaj

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT

May 15, 2015 by dgreca

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË ËSHTË KRIM KUNDËR NJERËZIMIT QË I ÇON IDEATORËT NË HAGË/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Tash Gruevski e ka kuptuar se çfarë i ka bërë vetes. Se nuk do të jetë si herët e tjera. Inskeno vrasje e akuzo shqiptarët. Edhe dorëheqja e treshes – e tre njerëzve më të afërt të Kryeministrit të Maqedonisë, e ministres të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe shefit të Shërbimeve Sekrete të Maqedonisë, Sasho Mijallkov, – nuk ka për ta shpëtuar Gruevskin nga Gjykata e Hagës nën akuzën për krime kundër njerëzimit. E kur Gruevski do të shkojë në Hagë, ai nuk do të pyesë më për të tjerët, sipas asaj të njohurës maksimë që e kanë si moto politikanët e Ballkanit, „après moi, le déluge“ se pas Gruevskit „u bëftë qameti“.
Së pari, dua të nënvizoj se shteti i Maqedonisë kreu një masakër, një krim shtetëror, sepse nuk bëri asnjë përpjekje për ta parandaluar konfrontimin dhe nuk njoftoi asnjë institucion ndërkombëtar me të cilët Republika e Maqedonisë mban kontakte permanente, që kur lindi si shtet më 1992, që janë NATO, BE, SHBA, OSBE, zyrat dhe zyrtarët e të cilëve janë në Shkup.
Tani kam përpara syve letrën informuese që Gruevski ua ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian, ku Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ka njoftuar ato për rrjedhën e aksionit të armatosur të së shtunës në Kumanovë, ku thuhet se „Maqedonia nuk ishte në përleshje ndëretnike, por në një operacion kundër grupit terrorist“. „Grup terrorist“, kështu e etiketon qeveria e Gruevskit dhe e Ali Ahmetit, për të larë duart për ato gërmadhe dhe jetë të humbura.
Por tash duart e shtetit të Maqedonisë janë të përgjakura me jetë njerëzish dhe për këtë krim përgjegjësit duhet të paguajnë, edhe për policët, edhe për shqiptarët.
Etiketimi i Gruevskit me “grup terrorist” bëhet për të fshehur një krim shtetëror terrorist, siç është vrasja e njerëzve të pafajshëm, deri sa kundër tyre nuk vërtetohet asnjë akuzë.
Sepse deri sa u krye i shtuquajturi konfrontim, qeveria e Maqedonisë nuk ka patur në evidence asnjë krim terrorist të atyre djemve e burrave. Tash rezultojnë të vrarë Komandantët UÇK-së dhe policët, që sipas Gruevskit u vranë nga Komandantëve të UÇK-së! Logjikë të tillë kriminale ka vetëm Koreja e Veriut që udhëhiqet nga një xhuxh-barbar si Kim Jong-uni.
Aktorët kryesorë politikë shqiptarë në Maqedoni kanë konfirmuar se ata prej një viti kanë patur informacione dhe kontakte me personat që sot rezultojnë të përfshirë në përplasjen, po përse Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij nuk kanë njoftuar SHBA dhe BE.
Po shteti i Maqedonisë vetë përse nuk mori masa parandaluese dhe përse e toleroi zbarkimin e një arsenali të vërtetë armatimi lufte në Lagjen e Trimave, përse nuk e ndali sjelljen e këtij arsenali nga burimi ose rrugës për të evituar një luftë me pasoja tragjike.
Ata njerëz të vrarë barbarisht të shtunën në mesnatë, siç pohon vetë Ali Ahmeti, kanë luftuar bashkë me të në konfliktin e 2001, që solli Marrëveshjen e Ohrit, e cila ka mbetur e paimplementuar dhe për këtë gjë ka përgjegjësi direkte vetë Ali Ahmeti, i cili prej 2001, pra për gati 15 vjet është në bashkëqeverisje me qeveritë e Maqedonisë. Duket sikur Marrëveshja e Ohrit u bë vetëm që Ali Ahmeti dhe klani apo partia e tij të përfitojnë privilegje, ndërsa shqiptarët e tjerë të vijojnë kalvarin e segregacionit dhe aparteidid antishqiptar.
Në letrën informuese dërguar shumë vonë shteteve të BE, të publikuar tek KD në Prishtinë thuhet se „Liderët kryesorë të këtij grupi, sipas Qeverisë maqedonase, janë: Muhamed Krasniqi, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Malisheva”; Mirsad Ndrecaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant NATO”; Sami Ukshini, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Sokoli”; Beg Rizaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Begu” dhe Demë Shehu, shtetas i Kosovës, i njohur si “Juniku”. Liderët, sipas letrës, figurojnë si themelues të strukturave paramilitare dhe kanë pasur tentativa të pasuksesshme për të siguruar mbështetje politike.“
Them shumë vonë, sepse kur qeveria e Maqedonisë ka dalë me konkluzione të tilla, se ka të bëjë me organizatorë strukturash paramilitare, e përse nuk i ka paraqitur me kohë këto prova tek partnerët strategjikë të Maqedonisë, që duhet të jenë BE, NATO, SHBA dhe OSBE?
Përse priti makineria ushtarake e shtetit të Maqedonisë të dërgojë blinda e tanke tek Lagjia e Trimave për të djegur e kthyer shtëpitë e civilëve në gërmadhë dhe nuk i neutralizoi ata njerëz duke i çuar në kohen e duhur përpara drejtësisë. Ose më mirë, kur ka patur prova kundër Komandantëve të UÇK-së si të përfshirë në grupe paramilitare përse nuk i paraqiti këto prova në NATO dhe përse nuk ua paraqiti qeverive përgjegjëse të Hashim Thaçit e Isa Mustafës?
Tani thuhet se Mirsad Ndrecaj, i njohur si “Komandant NATO” apo Beg Rizaj, i njohur “Komandant Begu” kanë patur lidhje me Ramush Haradinajn. Por ky fakt nuk përbën as krim dhe as terror, veç shpreh frikën e politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, që duan të përjetësojnë mbajtjen e pushtetit, duke eleminuar çdo kundërshtar që për ta përbën rrezik. Dhe këtu është tejkaluar çdo limit. Këtu ka arritur kulmi. Sepse sapo është ngritur sipari i riciklimit të krimeve politike, duke u kthyer në vitin 1998 e përtej kur krimet politike kanë mbetur ende të pazbardhura.
Si konkluzion, deri tani nuk ka asnjë provë që Mirsad Ndrecaj,“Komandant NATO” apo Beg Rizaj, “Komandant Bega” apo Komandantët e tjerë të vrarë, të jenë përfshirë në aktivitete terroriste, veç faktit se këta djem kanë luftuar në konfliktin e Maqedonisë më 2001 në krah të Ali Ahmetit për të çliruar Maqedoninë nga një regjim kriminal që i konsideronte shqiptarët si skllevër. Regjimi i Gruevskit bën të njëjtën gjë, edhe ai i konsideron shqiptarët të tepërt, „mish për top” dhe i djeg e i vret kur t’i shkrepet. Duke patur në krah për absurd kësaj here Ali Ahmetin.
Sepse, nëse shteti i Maqedonisë do të kishte prova kundër Komandantëve të UÇK-së, siç pretendon, këto prova do të duhej të ishin formuluar në akuza për hetim dhe asessi të përdoreshin që këta njerëz të eleminoheshin barbarisht pa gjyq me një skenar të përkryer permes terrorit shtetoror.
Unë do të hipotezoja se skenari ka qenë i tillë që të vriteshin nga shteti i Maqedonisë ata që janë vrarë, duke krijuar pastaj një tymnajë të madhe. Vrasja e policëve, që edhe ata janë viktimë, është pjesë e inskenimit por nuk është assesi kurrë akuzë për t’i shpallur terroristë ata që i vrau terrori i shtetit të Gruevskit dhe atyre që janë aleatë me të.
Komandantët e vrarë të UÇK-së, që Gruevski i akuzon të vderkur si terroristë, janë ata që do ta çojnë Gruevskin në Hagë si terrorist!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Hage, Krim, Kumanove, Vrasja e Koamndanteve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 813
  • 814
  • 815
  • 816
  • 817
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT