• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Progresioni LSI-Meta, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë?

October 24, 2016 by dgreca

1-goshi-ok1

Nga Gavrosh Levonja/

Nja dy muaj më parë, një gazetë gjermane parashikonte që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, partia e Ilir Metës do të shënonte një rritje të ndjeshme duke rezultuar partia e dytë, ndërkohë që vetë Ilir Meta do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Lidhur me një parashikim të tillë, nuk ka asgjë për t’u cuditur, po të analizohen zhvillimet e ketyre tre viteve në Shqipëri. Kryeministri aktual, Edi Rama, tashmë mund të konsiderohet njeriu i premtimeve të pambajtura dhe që, në kuadër të masavë represive kryesisht me karakter ekonomik, po i detyron shtetasit e tij të shtrëngojnë rripin edhe disa vrima që të përballojnë me stoicizëm të pashembëllt mbijetesën e tyre deri duke u larguar nga vendi. Shëndetsia falas për shumicën e popullsisë jo vetëm që i u largua edhe më shumë të bërit realitet, por kryeministri dhe partia e tij me tre P-të (partneriteti publik privat) një pjësë të mirë të fondeve të buxhetit të shëndetësisë i devijoi në xhepat e disa kompanive priate, të cilat nuk i lidhte asgjë me mjekësinë. Edhe disa ndryshime të ndërmarra në strukturat e shërbimeve shëndetësorë jo vetëm nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, po herë herë kanë ndikuar negativisht. Shembulli më skandaloz është ai i të ashtuquajturit “check-up”, ku, sipas njoftimeve të mediave, një pjesë e mirë e popullsisë nuk kanë preferuar ta bëjnë, ose nuk kanë pasur mundësinë, për të mos thënë që nuk e kanë idenë se cfarë është “check-up-i”. Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin për mbështetjen e shtresave në nevojë duke rritur fondet për këtë kategori njerzish sic janë pensionistët, të papunët dhe familjet që me të ardhurat e tyre nuk mund të përballojnë një jetesë në kufijtë minimalë. Ky ishte një mashtrim tjetër, për të justifikuar rritjen e taksave nëpërmjet zbatimit të taksës progresive. Edhe këtu jo vetëm nuk u shënua ndonjë përmirësim, po një numër i konsiderueshëm individësh e familjesh që përfitonin, u nxorrën jashtë skemave përkatëse. Në fushatën e vitit 2013 PS premtoi uljen e taksave për biznesin e vogël si dhe përjashtimin prej tyre të bizneseve të ardhurat e të cileve nuk e kalonin një cak të caktuar. Eksperienca trevjecare e administrimit “Rama” tregon të kundërtën; ishin pikërisht bizneset e vegjël ata që pësuan më shumë. Politikat fiskale që u zbatuan pas fillimit të punës së qeverisë rilindase të Ramës, më shumë se këdo goditën biznesin e vogël gjë që coi në falimentime e mbylljen e një numri të madh biznesesh të vegjël, shoqëruar kjo me shtimin e radhëve të të papunëve me ata që ishin punësuar në bizneset e falimentuar. Një tablo tragjikomike ishte kryqëzata  për kuponin tatimor, ku pre kryesore e policëve tatimorë u bënë fshatarët që zbrisnin në qytete për te shitur një tufë qepë e ca kokrra domate për të arritur kulmin me vënien nën pranga të një berberi i cili nuk i paskesh dhënë kuponin një klienti. Nuk mund të lihet në harresë dhe selektiviteti në shembjen e objekteve të cilësuar të paligjshëm dhe pse një pjesë ishin pajisuar me leje ndërtimi nga organet përkatëse. Nga ana tjetër gjithë vala e pakënaqësisë së krijuar është përplasur me murin e arrogancës, megallomanisë së një kryeministri fasadash e zbukurimesh. Pas gjithë këtyre, është mëse normale një tkurrje e “një milion shuplakave” të vitit 2013 ku një pjesë sigurisht vitin e ardhshëm do t’i kthehen në fytyrë Ramës dhe Rilindjes. Ndryshe qëndron puna përsa i përket përgjegjësive dhe faturës që mund t’i adresohet Ilir Metës dhe LSI-së. Meta, “me qetësi dhe dashuri” ka ditur që me një elegancë politike të admirueshme stë shprehet i rezervuar për masat me karakter jo popullor të partnerit të tij në qeverisje, pa rrezikuar rënien e qeverisë, por ama edhe për të orientuar votën e deputetëve të LSI kundër ndonjë projekti flagrant për kontroll institucionesh, të Ramës, duke i a bërë të qartë këtij se është totalisht në mëshirën e votave të LSI. Ajo që ndodhi me votimin e reformës në drejtësi ku Meta dhe LSI në disa momente, për ceshtje të debatuara ndodheshin më pranë opozitës, si dhe duke këmbëngulur në votimin me konsesnsus, gjë që dhe u bë realitet, falë kësaj këmbënguljeje i shtoi së tepërmi kreditet e kreut aktual të parlamentit, si figurë kryesorë e politikës shqiptare, i aftë për të zgjidhur cdo ngërc gjatë proceseve të rëndësishme, po nga ana tjetër, i tregoi elektoratit shqiptar se LSI refuzon qartazi të bëhet një instrument i realizimit të ambicieve të shfrenuara të kryeministrit Rama. Në këtë mënyrë, për të zhgënjyerit e shumtë nga rezultatet e Rilindjes është normale të orientohen drejt LSI, si një forcë politike që “mendon për fukaranë”, që nuk lë pas dore interesat e votuesve të thjeshtë, gjë për të cilën nuk heziton të dalë dhe publikisht e të votojë kundër cdo mase me karakter antipopullor. Shtoji këtyre dhe disa nga emrat e njohur që po braktisin anijen “Rilindja”, të cilët në mos i u bashkoheshin LSI nuk do të jenë më efektivë të PS. Rama sigurisht, i ndërgjegjshëm se është tërësisht në varësi të Metës dhe LSI, pavarësisht se përpiqet të krijojë përshtypjen se objekt i reformës në drejtësi do të jetë Berisha dhe ndonjë nga të tijtë, në të vërtetë mezi po pret të përgatisë gijotinën kundër Ilir Metës. Le të mos harrojmë se dhe 21 janari i famshëm, i inicuar nga Rama, kishte si target Ilir Metën, pas publikimit të videos komprometuese me Dritan Priftin. E njejta gjë mund te thuhet edhe për procesin kundër DIA-s ku i akuzuari kreyesor flitet se është njeri i Metës, në kohën që edhe dëshmitari kyc, është një ish-eksponent i LSI. Dhe nëse deri tani përsa i përket cështjeve të mësipërme, gjithcka është pezull, ndodh pasi edhe me një gjysëm hapi kundër Metës, Edi Rama e sheh veten të rrëzuar. Ndërkohë, në kampin opozitar, përballë stanjacionit që mbizotëron në PD, në radhë të parë si pasojë e mosdistancimit nga mëkatet dhe mëkatarët e pushtetit të saj tetëvjecar, por edhe riorganizimit formal pa kaluar në sitë përgjegjësit e disfatës së tre viteve më parë, do të jenë të shumtë ata demokratë, të cilët shpëtimin nga Rama e shohin duke i dhënë votën LSI. Konkretisht, një nga sloganet e preferuar të PD dhe liderit Basha është “Shqipëria më mirë pa Edi Ramën. Duke marrë në konsideratë të gjitha këto, them se gazeta gjermane e cituar në fillim të shkrimit ka një pasaktësi; LSI nuk do të jetë partia e dytë, po dicka më shumë, partia e parë. Edhë zërat nga LSI që flasin për një fushatë jashtë aleancave, për kryeministër të ardhshëm Ilir Metën janë totalisht të bazuara në një realtet që po bëhet dita ditës më i prekshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: Gavrosh Levonja, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë?, Progresioni LSI-Meta

Një samit i Ramës për Ramën

October 3, 2016 by dgreca

Samiti i planifikuar nga Rama do të jetë dhe një tullë në godinën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Të gjitha këto të cojnë në përfundimin se edhe samiti i diasporës do të jetë i barzvlefshëm me fasadat e pallateve dhe zbukurimet e tjera me ideator Ramën/

1-goshi-ok1

Nga Gavrosh Levonja/Nju Jork/ Për kontributin e diasporës në zhvillimin e vendit është folur që në fillimet e viteve 90-të. Herë pas here, përfaqsues të qeverive të ndryshme të Shqipërisënuk kanë munguar të bëjnë përpjekje për të angazhuar personalitete të njohur të diasporës, kryesisht nga bota e biznesit. por edhe figura nga qarqet intelektuale të saj pa përmendur individë që kanë lidhje me qarqet politike në vende të ndryshme ku nuk mungon dhe ndikimi mbi to.  Madje, presidenti Berisha i atyre viteve nuk mungoi të shprehej se “uronte qe presidenti i ardhshëm i Shqipërisë, të ishte një përfaqsues i diasporës. Mirëpo, qoftë nga mosnjohja në thellësi e diasporës, por edhe si pasojë e mënyrës si u zbatua ekonomia e tregut dhe demokracia në Shqipëri, kontributi i diasporës mund të thuhet se mbeti në përmasa minimale. Edhe ato c’ka u realizuan ishin më shumë fryt i nismave individuale të përfaqsuesve të diasporës se sa realizime të bazuar në plane e projekte të qeverive të radhës. Në një shikim të parë dhe nisma e kryeministrit të radhës, Edi Rama, për mbajtjen e një samiti të diasporës në Tiranë është për t’u vlerësuar, me shpresën se mund të shërbejë për ndreqjen gabimeve të mëparshme duke sjellë një ndryshim të dukshëm lidhur me angazhimin e shqiptarëve që jetojne jashtë, ku nuk mungojnë dhe ata që kanë pozita të lakmueshme në vendet ku jetojnë e punojnë. Por, duke u njohur me mënyrën e organizimit të këtij samiti, nuk ka si të mos lindin dyshime përsa i përket suksesit në raport me objektivin e tij. Së pari nga sa shkruhet për pjesëmarrjen del se cilido shqiptar që jeton jashtë mund të marrë pjesë në këtë samit, mjafton të aplikojë online në ëebsitin e krijuar posacërisht për këtrë samit. Për mendimin tim mjafton kjo që serioziteti i kësaj nisme të komprometohet, të paktën në aspektin e fondeve për logjistikën, ku cdo gjithcka është në varësi të numrit të pjesëmarrësve, pa hyrë në modalitetet e zhvillimit të punimeve të këtij samiti. Ajo që mësohet nga ëebsit-i është fjala që do të mbajaë vetë Rama e cila nuk mund të jetë tjetër vecse një reklamë për vetveten. Normalisht, qeveria me kohë duhej të kishte një pasqyrë të plotë të atyre individëve, shoqatave e organizatave të shqiptarëve, aktivitetin e tyre në vendet ku jetojnë e operojnë, cilat janë mundësitë e tyre për të kontribuar në të mirë të Shqipërisë, sa dhe si mund të ndikojnë këto në forcimin e lidhjeve e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve përkatëse e kështu me radhë.  Karakteri fakultativ i pjesëmarrjes në samitin e nëntorit të le të kuptosh se perfaqsuesit e qeverisë shqiptare ne vende ku jetojnë shqiptarë nuk kanë informacionin e nevojshëm rreth bashkëkombasve të tyre gjë që natyrisht është pasojë e lidhjeve të pamjaftueshme të tyre me grupet e komunitetit shqiptar. Më ka rastisur të marr pjesë në disa aktivitete në shtete të ndryshëm të SHBA dhe në asnjë prej tyre nuk kam parë njerëz nga përfaqsitë diplomatike të shtetit shqiptar. Kam përshtypjen se diplomatët e Shqipërisë, të paktën këtu, në SHBA, janë të ndikuar nga psikologjia e vetë Ramës lidhur me qëndrimin ndaj atyre që konsiderohen si “kundërshtarë” për të mos thënë “armiq”.  Pasojë e mungesë së informacionit është dhe tentativa e dështuar për të emëruar një person nga diaspora si konsull por që për arsye të cilat nuk janë bërë publike nuk i u dha agreementi nga autoritetet amerikane. Sigurisht, që ndër aplikantët duhet të jetë dhe Bilali i famshëm i cili I bëri një nder jo të vogël kryeministrit Rama katër vjet më parë duke kontribuar për foton me presidentin Obama, falë shndërrimit të Ramës në “Bilalicë”. Para se të hidhte në publik nismën për një samit mbarëkombëtar të diasporës, kryeministri duhej të kishte bërë një analizë të hollësishme të raporteve të shtetit shqiptar më bashkëkombasit që jetojnë në vende të tjera. Në këtë kuadër ai duhej të kishte para një bilanc me të dhëna të sakta sa biznese nga diaspora operojnë në Shqipëri dhe sa të tjerëve u është mbyllur dera, sa është përfshirë diapora në privatizimin e objekteve të ndryhme, prone publike apo shtetërore, sa janë të joshur shqiptarët e diasporës nga qeveria shqiptare që të braktisin punët e mira që kanë jashtë për t’u kthyer në Shqipëri, pa përmendur numrin e madh të atyre që mbarojnë shkollat jashtë dhe mund të kthehen për të punuar në atdhe. Vec kësaj nga informacioni që jepet në ëebsitin për samitin e diasporës të krijohët përshtypja se gjithcka është ekskluzivitet vetëm i kryeministrisë në kohën që nuk përmendet angazhimi i ndonjë institucioni tjetër shtetëror I cili mund të kontribuonte qoftë dhe modestisht në një sukses të mundshëm të këtij samiti. Në këtë kontekst as mund të bëhet fjalë edhe për një institucion si presidenca e cila nuk kishte as informacionin më minimal mbi samitin. Duke marrë në konsideratë dhe kohën kur është planifikuar mbajtja e samitit, në prag të përvjetorit të festës kombëtare ka shumë mundësi që ky aktivitet do të organizohet vetëm për qëllime propagandistike. Në këtë aspekt, duket se Rama synon ta reklamojë veten dhe si një lider panshqiptar. Ndërkaq nëpërmjet këtij samiti ndoshta i ka vënë vetes detyrë të “rilindë” dhe diasporën. Por, mbi të gjitha samiti i planifikuar nga Rama do të jetë dhe një tullë në godinën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Të gjitha këto të cojnë në përfundimin se edhe samiti i diasporës do të jetë i barzvlefshëm me fasadat e pallateve dhe zbukurimet e tjera me ideator Ramën

Filed Under: Opinion Tagged With: Gavrosh Levonja, për Ramën, Samiti i rames

Shqipëria, pronë private e Edi Ramës

August 14, 2016 by dgreca

1 stadiumi ok

Nga Gavrosh Levonja/

Ende dita nuk ka ague/

T’ndërtojmë na muzej n’Shqipni/

Me kuletë t’shpueme n’gji/

Se për tash muzeu do lane/

Kur ne jemi bark pa ngranë/

Këto vargje nga “Gomari i Babatasit” më vijnë nëpër mend sa herë që Edi Rama flet për të ashtuquajturën “Rilindje urbane” ose kur paralajmëron ndërtime apo shembje objektesh. Natyrisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ai paralajmëroi ndërtimin e një teatri të ri në kryeqytet. Jo vetëm kaq, po shpalli se do të ndërtohet mbi “rrënojat e Institutit të Hidrologjisë” diku në njërën nga rrugët që të cojnë në parkun e liqenit, madje bëri të njiohur dhe emrin e tij “Turbina”. Që nga mënyra, me të cilën publikut i bëhet i njohur ndërtimi i një objekti të rëndësishëm në kryeqytet cdo njeri normal arrin në përfundimin se në Shqipëri shteti nuk funksionon. Ashtu si të gjitha punët e projektet “Rama” as mund të bëht fjalë qoftë dhe për një minimum transparence. Normalisht, publiku duhej të ishte njohur prej kohësh me zhvillimet përsa i përket idesë së shndërrimit të godinës së institutit në fjalë në një teatër “modern”, duke filluar nga diskutimet në aspektin urbanistik, për të vazhduar më tej me fizibilitetin, sa e rëndon buxhetin e shtetit, kur dihet se ky nuk është në gjendje të plotësojë nevojat minimale të një pjese të popullsisë e mbi të gjitha a ka nevojë Tirana për një teatër të ri në raport me aktivitetin artistik që zhvillohet aktualisht. Kështu, para kryeministrit duhej të kishim dëgjuar zërin e ndonjë përfaqsuesi të Këshillit të Rregullimit të Teritorit, kryebashkiakun e Tiranës, ministrin e Financave apo ndonjë zyrtar të këtij, ministren e Kulturës etj. Por, duke dëgjuar gjithcka nga goja e kryeministrit nuk ka si të mos krijohet përshtypja se ky sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale a thua se i ka të trashëguara nga familja e tij. I teket të ndërtojë ose të shkatërrojë një objekt, teatër, stadium, pallat, rrugë duke përcaktuar dhe kompanitë private qo të ekzekutojnë projektet e tij apo do t’i marrin në koncesion pasi të jenë ndërtuar dhe, të gjitha i bën pa e carë kokën për askënd. Ndërkohë Himara është bërë shembulli i asaj që kryeministri aktual po sillet dhe si zot edhe i pronave private të himariotëve duke u rrekur t’u shembë shtëpitë e ngritura nga paraardhësit dhjetra vite më parë. Gjitmonë, pa pyetur askënd duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen e ndonjë sejmeni në funksionin e amplifikatorit të fjalëve të tij. Por më shume se trillet e kryministrit shqetësues është fakti që si nuk i del ndonjë zyrtar me dy para mend në kokë dhe me një minimum ndershmërie që t’i thotë: “ndal, kjo nuk ka logjikë…” në kohën që të tjerë të cilët nuk varen prej tij mund t’i a thonë më copë: “mjaft më o i cmendur”. Por, duket se dhe Edi Rama e ka njohur mirë karakterin e shqiptarit që nuk e can kokën fare për atë që është publike, pos hapsirës që ndodhet nën catinë e tij. Po të vazhdojë të jetë kryeministër dhe për disa vite, jam i sigurt se jo shumë vonë mund të asistojmë në shembjen e pallateve “Agimi”, Shallvareve etj per t’i zevendësuar me ndërtesa të reja, sic predikonte muaj më parë një arkitekt italian i lidhur me Ramën & Co. Kjo do të ishte dhe mënyra e vetme për të vazhduar me ndërtime tashmë kur nuk ka më hapsira boshe. Nuk jam kundër ndërtimit të objekteve social kulturore, por ai vend ka nevojë për gjëra të tjera jetike. Para stadiumeve e teatrove që në fund të fundit janë objekte “qejfi”, ku njerzit shkojnë për t’u argëtuar, duke kaluar kohën e lirë, paratë e buxhetit duhen shpenzuar për objekte që krijojnë punë ose që kthejnë shpenzimet e bëra brenda një kohe sa më të shkurtër duke krijuar mundësi financiar për investime të tjera, pa pasur nevojë që të përdoret koncesioni si gomë shpetimi. Ka ca kohë që po flitet për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit” më duket për nja tridhjetë vjet. Koncesioni është një mekanizëm i cili përdoret përgjithsisht në situata kur shteti nuk i ka mundësitë financiare për të ndërtuar apo menaxhuar me efikasitet një objekt të caktuar. Por dhënia apo marrja me koncesion kërkon eksperience dhe aftësi në një nivel të lartë ekonomike, financiare dhe në specialitetin përkatës të objektit të caktuar për t’u dhënë me koncesion. Nuk mund të japësh dicka me koncesion si të japësh një kothere bukë. Një koncesion i pastudiuar, i bërë në bazë llogaritjesh të përcipta, pa përmendur aspektin korruptiv i shkakton humbje të konsiderueshme arkës së shtetit dhe pasojat bien mbi xhepin e qytetarëve. Konkretisht koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare duke filluar që nga Rinasi për të përfunduar tek koncesionet qesharake të viteve të fundit në shëndetësi kanë rezultuar me pasoja për shqiptarët. Duke i u kthyer koncesionit të “Rrugës së Kombit” mendoj se po të mos i conte paratë për stadiume, për shembje objektesh, për mobilim zyrash etj do t’i kishte fondet që I duheshin për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme që do të mundësonte mbledhjen e taksës së kalimit në “Rrugën e Kombit”. Në këtë mënyrë, ato para që do t’i mblidhte koncesionari do të shkonin në arkën e shtetit për t’i shpenzuar pastaj në mirëmbajtjen e përmirësimin e saj. Logjikisht koncesionari llogarit fitimin përndryshe nuk ka pse i hyn një ndërmarrjeje të tillë, a thua se ka para tepër për të humbur. Duke devijuar fitimin e koncesionarit në drejtim të arkës së shtetit Edi Rama mund të kënaqë trillet e tij për të ndërtuar stadiume e teatro si dhe të zbukurojë zyrat. Nuk ka dyshim, se shteti me mjetet që nevojiten i ka të gjitha mundësitë që t’i a dalë mbanë menaxhimit të “Rrugës së Kombit” dhe shumë gjërave të tjera për të cilat ka në majë të gjuhës koncesionin tashmë të maskuar nën “partneritet publik privat”. Në kohën e komunizmi një ndërmarrje si “Rruga-Ura” mirëmbante gjithë rrugët e vendit, vallë kaq i pafuqishëm të jetë shteti i sotëm sa të mos ketë mundësi e mjete për t’u kujdesur për 60 km rrugë, apo për ndërtimin e tetë sporteleve ku drejyuesit e mjeteve të paguajnë taksën e kalimit?

Filed Under: Analiza Tagged With: e Edi Rames, Gavrosh Levonja, pronë private, shqiperia

Analiza- Drejtësia fillon tek prona

August 7, 2016 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/Nju Jork/

Miratimi i reformës në drejtësi ndonëse pas shumë peripecishë, makinacionesh për të futur nën kontroll pushtetin juridik, ndërmjetësimesh e kërcenimesh e të tjera lojërash politike u prit me entusiazëm nga opinioni publik në Shqipëri edhe pse shqiptarët e zakonshëm nuk kishin as më të voglën ide rreth përmbajtjes së saj. Në opinion është krijuar ideja a thua se kjo reformë do të zgjidhë problemet e panumurta më të cilat përballët prej mëse 25 vitesh shoqëria shqiptare duke u garantuar qytetarëve të këtij vendi siguri, mirëqënie, punë etj. Madje ka dhe individë të zellshëm të cilët perpilojnë dhe lista ku radhisin problemet e shumta që kanë shoqëruar vendin pas viteve 90 të cilët reforma në drejtësi do t’i zgjidhë të gjithë me një të rënë të shkopit magjik. Ndryshe nga optimistë të tillë unë e klasifikoj veten tek ai grup njerzish të cilët e shikojnë me skepticizëm reformën në drejtësi në aspektin e rezultateve. Së pari një pjesë e mirë e atyre që u ngarkuan për të hartuar nenet e kapitujt e refomës, që paraqitën draft pas drafti, ata që e votuan ditët e fundit në parlament, normalisht do të duhët të jenë dhe vetë objekt i veprimit të reformës në fjalë. Për t’i qëndruar besnik të vërtetës, vetë ideja e reformës ishte incimi i një përpjekjeje për të shkëputur institucionet e drejtësisë nga kthetrat e pushtetit paraardhës duke i futur më pas nën sqetullën e ekipit që mori pushtetin në 2013. Mjafton të kujtojmë idenë për krijimin e të ashtuquajyurës “Byro Kombëtare të Hetimit” e kontrolluar nga Ministria e Punëve të Brendshme e cila do të hetonte gjyqtarët, prokurorët e politikanët. Në fakt janë pikërisht këta persona që me vendimet e tyre shpesh të padrejta për të favorizuar dikë në shkëmbim të ryshfetit, si funksionarë në administratën shtetërore duke ngritur kartonët në sallën e parlamentit, por edhe duke diktuar shpesh në vendimet e gjykatave kanë pjesën e tyre të fajit në krijimin e problemevë që u kanë bërë jetën të të padurueshme pjesës dërmuese të shtetasve shqiptarë. Duke bërë fjalë për raportet drejtësi-politikë, reforma pavarësisht përmirësimeve të pamohueshme lidhur me verifikimin e filtrimin e njerëzve të pushtetit juridik, kam përshtypjen se nuk ka arritur ta shkëpusë drejtësinë nga ndikimi i pushtetit politik. Në fund të fundit do të jenë votat e komisioneve në përbërjë të të cilëve do të ketë dhe politikanë të cilët do të kene mundësinë për të lëvizur një gjyqtar nga një listë në tjetrën, p. sh. nga e zeza tek e bardha apo e gjelbërta dhe anasjelltas. Konkretisht një gjykatës a prokuror duke qenë se emërimi i tij varej nga grupimi politik në pushtet, për të ruajtur vendin, logjikisht ka qene i interesuar që vendimet per ceshtje të ndryshme në të cilat ndërthuret edhe interesi i ndonjë pushtetari t’i marrë në favor të këtij. Pas kësaj, duke u ndjerë “i blinduar” nuk e ka për gjë që ligjin ta zbatojë në varësi të xhepit të tij. Me të drejtë ambasadori amerikan Lu, ngriti zërin duke përmendur pasuritë e luksin e gjykatësve e prokurorëve, por, përsa i përket pasurimit klasa politike shqiptare i a kalon njerëzve të drejtësisë. Një grusht eurosh a dollarësh që mund të marrë një gjykatës a prokuror nga një qytetar, qoftë ky biznesmen, pretendues pronësie, trafikant etj. është shumë pak krahasuar me ryshfetin në një tender, dhënie koncesioni, license apo shpërblimet periodike nga ata të cilët i ka punësuar. Pasurite e gjykatësve a prokurorëve në pjesën dërmuese janë fryt i vendimeve për pronat. Pronarët mund të konsiderohen viktima të dyfishta; të drejtësisë po, por në radhë të parë të politikës. Pikërisht qëndrimi ndaj pronës është dhe arsyeja kryesore, e cila me bën ta shikoj të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri me pesimizëm. Duke ndjekur odisenë njëzetepesëvjecare të pronarëve legjitimë në kërkim të kthimit të pronave të grabitura dhunshëm nga regjimi komunist, mbroj idenë se drejtësia fillon me pronën. Pa kaluar kjo tek i zoti i saj qoftë dhe në formë kompensimi, cdo pretendim për vendosjen e drejtësisë dhe instalimin e shtetit ligjor do të jetë vetëm një iluzion. Kur përmend fjalën kompensim kam parasysh vlerën e tregut dhe jo atë për “një kothere” që rreket të bëjë Edi Rama.Si mund të shpresosh se pushteti politik në Shqipëri do të respektojë pushtetin gjyqësor kur qeveritë shqiptare nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të pronarëve të ligjshëm? Pra, një qeveri, një pushtet që bën veshin e shurdhër ndaj vendimeve të një gjykate ndërkombëtare merret lehtë me mend sa e predispozuar do të jetë për të zbatuar vendimet e gjykatave shqiptare të cdo lloj niveli. Pak muaj më parë kryeministri Rama u shpreh në favor të një vendimi që duhej të merrte Gjykata Kushtetuese në bazë të të cilit pronarëve do u hiqej e drejta për t’u ankuar pranë Strasburgut. Dhe, nuk mungoi të dërgonte dy ministra të tij pranë kësaj gjykate për t’i bërë presion lidhur me vendimet në favor të pronarëve të ligjshëm. A do të jenë vallë në gjendje gjykatat shqiptare të niveleve të ndryshëm të marrin vendime që hedhin poshtë legalizimet e trojeve të uzurpuara? Po Gjykata Kushtetuese a mund të rrëzojë ligjin komunist 7501 i cili është vazhdim i ligjeve të periudhës së komunizmit, në rast se ndonjë grupim politik do ta atakojë? Atë që ambasadori amerikan dhe partnerët e tij europianë bënë për reformën në drejtësi duhët ta bëjnë edhe për ta detyruar qeverinë dhe politikën shqiptare në tërësi ta cojnë pronën tek i zoti. Qeveria e shtetit qe Zoti Donald Lu përfaqson një nga arsyet e mosnjohjes së qeverisë komuniste të paslutës ishte dhe mosrespektimi nga ana e kësaj qeverie të marrëvehjeve të mëparshme midis SHBA dhe Shqipërisë ku përfshihej dhe e drejta e pronësisë për prona të ndryshme. Gjithashtu një pjesë e pronarëve të grabitur tashmë janë qytetarë amerikanë dhe normalisht duhet të gëzojnë mbrojtjen e të drejtavë të tyre nga vetë shteti i tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Drejtesia, fillon tek prona, Gavrosh Levonja

Ja si zgjidhet ngerci: Presidenti, Avokati I Popullit, Kryeprokurori të zgjidhen direkt nga populli

January 16, 2016 by dgreca

*Mirë reforma ne Drejtesi, po njerzit?
*Në kushtet e Shqipërisë së sotme dhe me mentalitetitn e klasës politike për të qenë besnike e “njëshit” si mënyra e vetme për të bërë karrierë, ndoshta do të kishte qenë më mirë që edhe institucione si presidenti, Avokati I Popullit, Kryeprokurori të zgjidheshin direkt nga populli./  
Nga Gavrosh Levonja-Nju Jork/
Aksioni i filluar tash së fundi për reformimin e drejtesisë gjykuar nga protagonistët e inicimit të tij të le të kuptosh se është i diktuar kryesisht nga korrupsioni galopant që ka përfshirë pjesën dërmuese të gjykatësve e prokurorëve, pa lënë në hije edhe ata, funksioni i të cilëve është të mbikqyrin dhe të ndëshkojnë shkeljet e abuzimet e njerzve të drejtësisë. Pasuritë e bizneset në pronësi të gjykatësve e prokurorëve, luksi në të cilin jetojnë, janë një bazë ku mbështeten akuzat apo hamendësimet mbi implikimin e tyre në afera korruptive, pasojë e të cilave janë vendime të padrejta në dëm të qytetarëve dhe mosshkuarja deri në fund të cështjeve të rendësishme që kanë bërë bujë në opinionin publik, karakteristike kjo, kur të lidhura me to figuron emri i ndonjë politikani. Me të vërtetë, nuk mund të mbyllen sytë ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, por, nga ana tjetër, duhet me qenë të ndërgjegjshëm se korrupsioni ekziston në cdo qelizë të jetës shqiptare, duke filluar nga njerzit e pushtetshëm, për të shkuar në polici, tek zyrtarët e vegjël në administratë dhe pushtetin lokal, në arsim mjekesi etj. Ndër shkaqet e pranisë së korrupsionit kudo ku njerzit janë të shtënguar të zgjidhin një hall a problem, është mosfunksionimi i institucioneve dhe segmentëve të pushteteve të ndryshëm në vend. Ashtu si dhe për organizma të tjera shtetërore edhe rregullat sipas të cilave funksionin sistemi i drejtësisë në Shqipëri, jane kopjuar nga rregulloret dhe kodet e vendeve perëndimore ose janë formuluar me praninë e ekspertëve të ardhur nga këto vende. Por ashtu si dhe në fusha të tjera, shumë prej tyre nuk zbatohen ose deformohen me vetëdije në mënyrë skandaloze. Një eksperiencë e tillë, të krijon një ndjenjë pesimizmi përsa i përket efekteve të pritshme të reformës në drejtësi. Edhe në rrethanat aktuale, kam bindje se më tepër dominon mungesa e dëshirës për të vënë para përgjegjësisë gjyqtarët që kanë dhënë vendime të paargumentuara ose që kanë shkelur procedurat si dhe prokurorët që nuk janë në gjendje të  argumentojnë akuzat e tyre. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, më tepër përmendet për ndryshimet dhe lëvizjet e antarëve të tij se sa për marrjen në shqyrtim të aktivitetit të gjykatësve. Praktikisht një gjykatësi, të cilit, të paktën i janë hedhur poshtë vendimet e marra nga gjykata e apelit tregon se ky është ose i kapur ose i paaftë. Pra, para reformave, puna vjen tek njerzit, pasi në fund të fundit, këta janë zbatuesit. Dhe nga ky këndvështrim nuk ka asnjë garanci që ata të cilët do të vendosin mbi gjykatësit, do të jenë të ndershëm dhe të prirur për të mos i shërbyer askujt. Mendoj që, para se të flitet për disiplinimin e gjykatësve duke qëmtuar për masa e ndëshkime ndaj tyre, para se të ngrihen institucione për të vlerësusr punën e njerzve të drejtësisë,  më së pari duhen vendosur kritere rigoroze se kush mund të jetë gjykatës ose prokuror. Për këdo që pretendon të japë drejtësi, kupola e drejtësisë duhet të zhvillojnë hetime duke u shtyrë thellë në të kaluarën e pretendentit për të vlerësuar mbi të gjitha, shkallën e ndershmërisë së këtij dhe, në këtë aspekt, qoftë dhe një rast i vetëm negativ, është i mjaftueshëm për të hedhur poshtë pretendimin a ëndrën e tij. Nuk mund të shpresosh të bëjë drejtësi një individ që pavarësisht nga rrethanat, dikur, në një moment të caktuar është detyruar të bëjë një akt apo veprim të dënueshëm a të pamoralshëm në kundërshtim me ligjin dhe rregullat. Logjikisht, ky person me një handycap moral, është shumë vulnerabël ndaj tundimeve për t’u korruptuar pa përmendur presionet e ofertat nga politika. Një gjykatës, presupozohet të jëtë një individ i respektuar në shoqëri, respekt të cilin ta ketë fituar falë qëndrimeve dhe aktivitetit të tij ku një nga cilësitë kryesore  është ndershmëria. Kujtdo që ka pasur rastin të hyjë në gjykatat amerikane duhet ta ketë vënë re që gjatë seancave gjykatësit i drejtohen me “Your Honor”.  Ndoshta mund të jem i gabuar, po duke u nisur nga ato c’ka publikohen në mediat shqiptare për njerzit e pushtetit gjyqësor, si dhe duke pasur në konsideratë edhe 45 vitet e komunizmit kur gjykatësit dhe prokurorit u vinte me zarf nga partia vendimi që duhej marrë s’besoj që në Shqipëri të ketë ndonjë gjykatës i cili të jetë I respektuar dhe i nderuar nga shoqëria. Së dyti, vjen aftësia e cila në rastin e drejtësisë është e lidhur ngushtë me eksperiencën. Gjykatës a prokuror nuk mund të emërohet askush i sapo dalë nga bangat e shkollës, pavarësisht nga rezultatet shkëlqyeshme që mund të ketë pasur. Një gjykatës, në kuptimin e mirëfilltë, duhet të ketë një eksperiencë pune disavjecare si ndhmës e më pas si avokat, ku të ketë shpalosur aftësitë e tij duke demonstruar si shkallën e njohurive në jurisprudencë, ashtu edhe karakterin e tij. Në fillimin e viteve 90-të, “gjykatësit e plepave” ishin në një nivel shumë më të ulët se avokatët, një pjesë e mirë e të cilëve kishin qenë juristë apo dhe hetues në kohën e diktaturës të cilët jo rrallë talleshin me plepistët, duke i vënë në pozita qesharake. Aq më tepër, një rëndësi të padiskutueshme kanë dhe kriteret e mësipërme kur vjen puna tek ndërtimi i organit i cili do të vlerësojë punën dhe vendimet e gjykatësve. Këto 25 vite kanë treguar fare qartë se njerzit e pushtetit juridik e ndjejnë veten të përulur para politikës, gjë që është normale, kur për fatin e tyre vendos politika. Cështjet e pambyllura, në të cilat figurojnë emra politikanësh të rëndësishëm, mosdënimi i asnjë zyrtari të lartë provojnë se kapja e drejtësisë nga politika është jashtë cdo diskutimi. Rasti i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Fullani është ndër më të fresktit në këtë aspekt. Akuzohet e prangoset prej prokurorisë, për të dalë i pafajshëm pas përfundimit të procesit gjyqësor. Logjikisht rasti “Fullani” të krijon bindjen se gjithshka ka qenë kurdisur për ta larguar atë nga kreu i bankës dhe drejtësia vetëm sa i ka bërëi ka bërë shërbimin e radhës politikës. Për këtë arsye është iluzion të pretendosh për një drejtësi “të kulluar” pa e shkëputur këtë nga tutela e politikës. Konkretisht, përsa kohë kryprokurori, krerët e gjykatave të niveleve të ndryshme janë produkt i votave të shumicës së radhës në parlament, është e kuptueshme që krerët e drejtësisë vështirë se do të gjejnë guximin për të marrë vendime që nuk i shkojnë për shtat kryeministrit të radhës, i cili, falë kartonave të deputetëve “ushtarë” është një zot i plotfuqishë që mund të shkarkojë e emërojë këdo nga krerët e institucioneve të cilët zgjidhen nga parlamenti. Prandaj sot, kur në rendin e ditës është reforma në drejtësi, shqetësimi kryesor nuk janë vetëm kriteret e përzgjedhjes së njerzve që do të përbëjnë këtë trupë, por edhe mundësia e “kapjes” së këtij institucioni nga politika, përderisa do të jetë produkt i parlamentit. Nisur nga ekperienca, duke qenë një produkt i kartonave të deputetëve “ushtarë”, cilado që të jetë shumica, tre të pestat apo dy të tretat, nuk shpresoj që KLGJ të justifikojë pritshmëritë lidhur me funksionimin e sistemit të drejtësisë. Gjasat më të mëdha janë që KLGJ t’i shërbejë klanit që do e propozojë e votojë. Ndërkohë, më duket e cuditshme që në asnjë rast nuk vihet në diskutim zgjedhja e krerëve të gjyqësorit duke përfshirë dhe ata të qarqeve nga populli, ashtu sic zgjidhen vetë parlamentarët. Të paktën kështu, nuk do të ishin objekt I humorit e tekave të klasës politike në pushtet. Kur kam votuar për herë të parë në SHBA, vec emrave të presidentit, senatorëve dhe drejtuesve lokalë, lista përmbante dhe emrat e atyre që konkuronin për prokurorë e drejtues të gjykatave te shtetit dhe qytetit të Neë Yorkut. Madje dhe në Shqipëri, në kohën e diktaturës, një herë në katër vjet, zhvillohej farsa e radhës,e “zgjedhjeve për gjyqtarë e ndihmës gjyqtarë”, pavarësisht se emrat e atyre që do të “votoheshin”vinin nga “lart”. Në kushtet e Shqipërisë së sotme dhe me mentalitetitn e klasës politike për të qenë besnike e “njëshit” si mënyra e vetme për të bërë karrierë, ndoshta do të kishte qenë më mirë që edhe institucione si presidenti, Avokati I Popullit, Kryeprokurori të zgjidheshin direkt nga populli.   

Filed Under: Analiza Tagged With: Gavrosh Levonja, Mirë reforma në Drejtësi, po njerzit?

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT