Nga Gavrosh Levonja/
Nja dy muaj më parë, një gazetë gjermane parashikonte që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, partia e Ilir Metës do të shënonte një rritje të ndjeshme duke rezultuar partia e dytë, ndërkohë që vetë Ilir Meta do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Lidhur me një parashikim të tillë, nuk ka asgjë për t’u cuditur, po të analizohen zhvillimet e ketyre tre viteve në Shqipëri. Kryeministri aktual, Edi Rama, tashmë mund të konsiderohet njeriu i premtimeve të pambajtura dhe që, në kuadër të masavë represive kryesisht me karakter ekonomik, po i detyron shtetasit e tij të shtrëngojnë rripin edhe disa vrima që të përballojnë me stoicizëm të pashembëllt mbijetesën e tyre deri duke u larguar nga vendi. Shëndetsia falas për shumicën e popullsisë jo vetëm që i u largua edhe më shumë të bërit realitet, por kryeministri dhe partia e tij me tre P-të (partneriteti publik privat) një pjësë të mirë të fondeve të buxhetit të shëndetësisë i devijoi në xhepat e disa kompanive priate, të cilat nuk i lidhte asgjë me mjekësinë. Edhe disa ndryshime të ndërmarra në strukturat e shërbimeve shëndetësorë jo vetëm nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, po herë herë kanë ndikuar negativisht. Shembulli më skandaloz është ai i të ashtuquajturit “check-up”, ku, sipas njoftimeve të mediave, një pjesë e mirë e popullsisë nuk kanë preferuar ta bëjnë, ose nuk kanë pasur mundësinë, për të mos thënë që nuk e kanë idenë se cfarë është “check-up-i”. Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin për mbështetjen e shtresave në nevojë duke rritur fondet për këtë kategori njerzish sic janë pensionistët, të papunët dhe familjet që me të ardhurat e tyre nuk mund të përballojnë një jetesë në kufijtë minimalë. Ky ishte një mashtrim tjetër, për të justifikuar rritjen e taksave nëpërmjet zbatimit të taksës progresive. Edhe këtu jo vetëm nuk u shënua ndonjë përmirësim, po një numër i konsiderueshëm individësh e familjesh që përfitonin, u nxorrën jashtë skemave përkatëse. Në fushatën e vitit 2013 PS premtoi uljen e taksave për biznesin e vogël si dhe përjashtimin prej tyre të bizneseve të ardhurat e të cileve nuk e kalonin një cak të caktuar. Eksperienca trevjecare e administrimit “Rama” tregon të kundërtën; ishin pikërisht bizneset e vegjël ata që pësuan më shumë. Politikat fiskale që u zbatuan pas fillimit të punës së qeverisë rilindase të Ramës, më shumë se këdo goditën biznesin e vogël gjë që coi në falimentime e mbylljen e një numri të madh biznesesh të vegjël, shoqëruar kjo me shtimin e radhëve të të papunëve me ata që ishin punësuar në bizneset e falimentuar. Një tablo tragjikomike ishte kryqëzata për kuponin tatimor, ku pre kryesore e policëve tatimorë u bënë fshatarët që zbrisnin në qytete për te shitur një tufë qepë e ca kokrra domate për të arritur kulmin me vënien nën pranga të një berberi i cili nuk i paskesh dhënë kuponin një klienti. Nuk mund të lihet në harresë dhe selektiviteti në shembjen e objekteve të cilësuar të paligjshëm dhe pse një pjesë ishin pajisuar me leje ndërtimi nga organet përkatëse. Nga ana tjetër gjithë vala e pakënaqësisë së krijuar është përplasur me murin e arrogancës, megallomanisë së një kryeministri fasadash e zbukurimesh. Pas gjithë këtyre, është mëse normale një tkurrje e “një milion shuplakave” të vitit 2013 ku një pjesë sigurisht vitin e ardhshëm do t’i kthehen në fytyrë Ramës dhe Rilindjes. Ndryshe qëndron puna përsa i përket përgjegjësive dhe faturës që mund t’i adresohet Ilir Metës dhe LSI-së. Meta, “me qetësi dhe dashuri” ka ditur që me një elegancë politike të admirueshme stë shprehet i rezervuar për masat me karakter jo popullor të partnerit të tij në qeverisje, pa rrezikuar rënien e qeverisë, por ama edhe për të orientuar votën e deputetëve të LSI kundër ndonjë projekti flagrant për kontroll institucionesh, të Ramës, duke i a bërë të qartë këtij se është totalisht në mëshirën e votave të LSI. Ajo që ndodhi me votimin e reformës në drejtësi ku Meta dhe LSI në disa momente, për ceshtje të debatuara ndodheshin më pranë opozitës, si dhe duke këmbëngulur në votimin me konsesnsus, gjë që dhe u bë realitet, falë kësaj këmbënguljeje i shtoi së tepërmi kreditet e kreut aktual të parlamentit, si figurë kryesorë e politikës shqiptare, i aftë për të zgjidhur cdo ngërc gjatë proceseve të rëndësishme, po nga ana tjetër, i tregoi elektoratit shqiptar se LSI refuzon qartazi të bëhet një instrument i realizimit të ambicieve të shfrenuara të kryeministrit Rama. Në këtë mënyrë, për të zhgënjyerit e shumtë nga rezultatet e Rilindjes është normale të orientohen drejt LSI, si një forcë politike që “mendon për fukaranë”, që nuk lë pas dore interesat e votuesve të thjeshtë, gjë për të cilën nuk heziton të dalë dhe publikisht e të votojë kundër cdo mase me karakter antipopullor. Shtoji këtyre dhe disa nga emrat e njohur që po braktisin anijen “Rilindja”, të cilët në mos i u bashkoheshin LSI nuk do të jenë më efektivë të PS. Rama sigurisht, i ndërgjegjshëm se është tërësisht në varësi të Metës dhe LSI, pavarësisht se përpiqet të krijojë përshtypjen se objekt i reformës në drejtësi do të jetë Berisha dhe ndonjë nga të tijtë, në të vërtetë mezi po pret të përgatisë gijotinën kundër Ilir Metës. Le të mos harrojmë se dhe 21 janari i famshëm, i inicuar nga Rama, kishte si target Ilir Metën, pas publikimit të videos komprometuese me Dritan Priftin. E njejta gjë mund te thuhet edhe për procesin kundër DIA-s ku i akuzuari kreyesor flitet se është njeri i Metës, në kohën që edhe dëshmitari kyc, është një ish-eksponent i LSI. Dhe nëse deri tani përsa i përket cështjeve të mësipërme, gjithcka është pezull, ndodh pasi edhe me një gjysëm hapi kundër Metës, Edi Rama e sheh veten të rrëzuar. Ndërkohë, në kampin opozitar, përballë stanjacionit që mbizotëron në PD, në radhë të parë si pasojë e mosdistancimit nga mëkatet dhe mëkatarët e pushtetit të saj tetëvjecar, por edhe riorganizimit formal pa kaluar në sitë përgjegjësit e disfatës së tre viteve më parë, do të jenë të shumtë ata demokratë, të cilët shpëtimin nga Rama e shohin duke i dhënë votën LSI. Konkretisht, një nga sloganet e preferuar të PD dhe liderit Basha është “Shqipëria më mirë pa Edi Ramën. Duke marrë në konsideratë të gjitha këto, them se gazeta gjermane e cituar në fillim të shkrimit ka një pasaktësi; LSI nuk do të jetë partia e dytë, po dicka më shumë, partia e parë. Edhë zërat nga LSI që flasin për një fushatë jashtë aleancave, për kryeministër të ardhshëm Ilir Metën janë totalisht të bazuara në një realtet që po bëhet dita ditës më i prekshëm.