
Në verën e viti 1958 , në moshën 7 vjecare kam qënë në Konispol, në këtë fshat të bukur që shtrihet mbi kodra të mbushura me ullinj, dardha e bajame. Ka qënë po në këtë moshë kur ime më familjen e sajë mërguan nga brigjet e detit Jon të Çamerise në vitet e Luftës së Parë per ti shpëtuar mjerimit të luftës. Po në atë vit si për koincidencë edhe im at atehere 17 vjeçar largohet nga fshati i vet Vrohona që ndodhej lart në mal dhe ai për ti shpëtuar reve te zeza te luftës. Kësisoj ata kaluan nëpër Qafën e Botës që për ta ishte qafa e shpëtimit. Por familjen e nënës sime atje në Konispol ku u strehuan e ndoqi pas gripi i tmershëm i Spanjës i viti 1918 që i mori jetën nënës së vet dhe një vellai e një motre të saj. Dhe ata prehen atje pranë në fushën e Vasilikoit. Atje u ndërpre rrugëtimi për familjen e sajë mbetur vetëm me babanë e vet. Ata gjetën strehë dhe përkrahje në një familje me emër që u bën miqtë tanë gjithë jetën. Kaq dija une si fëmijë kur shkova për herë të parë në Konispol në dyert e kësaj familjeje bujare.
Në Shqipëri ka shumë qafa malesh që janë vëndkalime të buta nga një krahine në tjetrën me emra lloje lloje ku historia dëshmon për ngjarje te shënuara. E tillë është Qafa e Llogarasë ku ka kaluar Jul Qezari me ushtrinë e vet në errësirën e natës në marrshim për tu ndeshur me rivalin e vet Pompein. Nëper qafa malesh kalonin dasmor, kalonin karvanet e tregëtarëve që transpotonin njerëz dhe mallra nga një krahinë në tjetrën. Nëpër qafa malesh ziheshin shtigjet pë të larë hesapet midis rivalësh e plot e plot ndodhi që historia nuk i përmënd të gjitha. Por Qafa e Botës në mëndjen time ishte ndryshe. Ajo më ngjasonte si qafa e gjithë botës që shënonte fundin e tokës. Më takoi shumë herë që hypur mbi gomar të shkonim me djemtë e asaj familjeje për të mbushur ujë në burimin e Vasilikoit. Pikërisht se atje preheshin një pjesë e familjes së nënës sime, unë kisha një ndjesi se matan sajë fillonte një greminë e cuditshme. Për mëndjen time të vogël, ai emër nuk ishte thjesht një toponim; ishte një paralajmërim. Imagjinoja se aty, ku mali këputej papritur, mbaronte çdo gjë e prekshme dhe fillonte një humnerë e zezë, kozmike, gati për të më gëlltitur në zbrazëtinë e saj. Sa më shumë i afroheshim asaj qafe, aq më fort shtrëngohesha pas samarit të gomarit – ankorës sime të vetme me tokën, përpara se të bija në pafundësi. Kjo ndjesi krijonte tek une një ankth të paspjegueshëm. Vite më pas , kur Lufta e Dytë kish mbaruar, me qindra fëmijë të tjerë kaluan nëpër këtë qafë shpëtimi. Duke i parë në kronikat e kohës, ata duken aq të frikesuar si ata qingjat dhe kecat që kapërcejnë gardhin për ti shpëtuar thikës së kasapit.
Vite e vite më vonë një pjesë e tyre nga dashuria për token ku kishin lerë, tentuan ta kalonin përseri kete qafe por më kot. Dora që mbante thiken tani ishte zhdukur, por thika siç duket egzisonte akoma dhe ishte kthyer në një vule famëkeqe që damkoste dhe kthente mbrapsht pasaportat e këtyre femijve te dikurshem, tani të moshuar që dëshëronin të shkonin në atë tokë të mohuar. C’faj të kishin vallë keta “fëmije” tashmë të rritur? Kohë më par i kam dërguar shkrimtarit tonë të nderuar Luan Rama një leter ( Ky Luan rama e ka një brengë ) për impresionet e mia nga një dokumentar qe ai pat realizuar ashtu si rastësisht ne shtepitë e rrënuara të Konispolit.
Atje ai ecte dhe fliste me vete sikur të ishte në gardhet e shtëpisë së vet atje në Filatin për matane Qafës së Botës. As nëna e tij nuk mundi ta shikonte përseri fshatin e saj pikërisht sepse kishte lindur në Filat…një paradoks që nuk mund të kuptohet në ditët që jetojmë. Ndër të tjera i thoshja “ Mëkati i saje ishte se kishte lindur në Filat, në Çamëri. Çamëri me sa duket është akoma fjalë e ndaluar. Ku duhet të kishte lerë nëna jote dhe imja bashkë i dashur ambasador? Po ta dije a do tua kishe shpjeguar burrave të shteteve që ti ke takuar se gjyshja jote kish bër “gabim” që kishte lindur nënën tënde në një vënd të mohuar? “ Në shtatorin e vitit 2012 më takoi të kaloja përseri nëpër Qafën e Botës por tani nuk kisha më frike se bija në humnerë, përkundrazi , një fushë magnetike më shtynte për matanë kësaj qafe , më tërhiqte drejt vendlindjes së nënës sime, që është një fshat i bukur me ishuj përkarshi, midis Igumenicës dhe Pargës. Në atë kohë quhej Volë ose Myrto dhe sot e quajnë Sivota. Qafa e Botës tashmë nuk ishte fundi i gjithësisë, por një Stargate – një Portë Yjesh e gjallë. Një pikë ku koha thyhej dhe përmes së cilës unë po kaloja jo thjesht në një hapësirë tjetër gjeografike, por direkt në fshatin e rrënjëve të mia, në gjakun dhe kujtimet e nënës sime. Ishte një ëndërr që unë e realizova në të gjallë. I ulur atje në bregun e detit, hodha në letër gjithë çfarë ndjeva në ato momente. Prekja një botë të ndaluar, të mohuar, një botë si në ëndërr që ishte matanë Qafës së Botës. Tani ndjesia ime për të u bë reale dhe unë e “ kaperceva “ , kalova neper kete “Stargate” qe të çon në bregdetin e bukur të Çamërisë.
Xhemal Hasani Auburn , Ma