
Prof. Evalda Paci*
Lexuesi i veprës letrare në letërsinë tonë mbetet dhe një interpretues i rëndësishëm që ka siguruar në vijimësi edhe receptimin e saj në kohë, fakt që veçanërisht në lidhje me letërsinë e vjetër shqipe përbën një element vlerësie dhe shenjë vazhdimësie. E kemi fjalën për një traditë letrare për të cilën interpretimet përqendrohen si në shtjellimin tematik, njëherësh i larmishëm dhe i konkretizuar në veçori autoriale dhe përmbajtësore, por edhe të analizuar nga një lexues i kultivuar, që cilësohet që në hyrje të veprave themelore të saj. Me Prefationën e mirënjohur të veprës me titull “Cuneus prophetarum” (Patavii, 1685), Pjetër Bogdani e konsideron veten para këtij lexuesi, të cilësuar me një përveçim të kohës, të plazmuar mbi një model formimi që buron në mënyrë të drejtpërdrejtë nga trashëgimia leksikore latine e artit të brendësimit të veprave, e që përbën dhe një fjalë kyçe të rëndësishme për vetë arsenalin përkatës që kultura e leximit dhe e transmetimit të nocioneve që lidhen me të kishte bërë të mundur të krijohej. Por edhe më herët, duke iu drejtuar bashkëkohësve e me gjasë edhe pasardhësve në tekste përmbyllëse të përpilimeve përkatëse, autorët shprehin ndjesinë e të pasurit një lexues kritik, para të cilit ndihen të përgjegjshëm dhe në përgjegjësi.
Kjo traditë ka bërë të mundur të ketë një spektër përkatës semantik mbi përdorime që lidhen me leximin e veprave dhe përçimin e tyre në sinkroni dhe diakroni, duke mbetur edhe fjalë-terma mbi një kulturë të një kohe më të largët, por themelore për vetë ecurinë e konsiderimit të librit si një objekt përdorimi. Me lexuesin e veprës lidhet dhe zbërthimi tekstor i pjesëve më të rëndësishme të saj, shpesh të ngërthyera në vetë projektin autorial për të shpënë më tej shumë ide dhe grishje të shtruara nga vetë koha për të qenë koherentë dhe njëherësh të lexuar. Për vepra të caktuara, leximi dhe rileximi nxiten si nga vështrimet më të përafruara me brendinë e tyre, aq edhe me nevojën e rikthimit te çdo element që e përforcon një nxitje të tillë.
*Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.