• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIME QE MBAHEN TE FSHEHURA

March 7, 2015 by dgreca

HAPNI DOSJET!-“TURP PËR JU, AS NË MESJETË NUK JANË PËSHTY TË BURGOSUNIT RRUGËVE SI TASHTI!”/
47 VJET: TUE U PËSHTY NJË POPULL…/
Nga Fritz RADOVANI/Australi/
■Ishte vajza e ré Drita Sokoli, nxanëse e Gjimnazit të Shkodres, që në 1946 pa frikë e me guxim të pashoq ua perplasi per surrat Çiril Pistolit me shokët e tij komunistë e agjentë të sigurimit, pështymjet e Klerikëve Katolik tue dalë nga gjyqi tek kinema “Rozafat”…
■Janë 47 vjetë diktaturë e pashoqe që kerkoi me shkatrrue me thëmel bazat e atij të papersëritëshmit Unitet ndërmjet Besimtarëve Katolikë e Muslimanë në Shkoder!
■Në Fushen e Çelës së qytetit të vjetër e historik shetitja në darkë tregonte edukaten e qytetarëve të saj që verbonte komunistët dhe vagabondët “sigurimca”, që me revole në brez kerkonin me dhunue Vajzat Burrnesha të Familjeve Shkodrane, nder zyret e porsa hapuna të rinisë komuniste në Gjimnazin e Shtetit dhe të institucioneve tjera të qytetit.
■Shkollat fetare ishin të hapuna per të gjitha besimet që në vitet 1925 ku, perfshihej edhe shkolla e Motrave Stigmatine të Shkodres, e cila u mbyll e para në vitin 1945… Vajzat me Kryqa në qafë e madaja, verbonin rininë komuniste e prindët e tyne në sherbim të Titos. Ishin vjerrshat e ndalueme edhe sot të At Gjergj Fishtës dhe Don Ndre Zadejës, që duheshin fshij nga truni dhe librat e shkollave të “reja” sllavokomuniste të Shqipnisë.
■Në Janarin e 1945 arrijtën dy “heronj” në Shkoder Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu. Duhej shtrue edhe Shkodra. Mbas arrestimit të At Gegë Lumaj dhe At Dioniz Maka, u arrestuen po në Janar edhe gra e vajza shkodrane: Margerita Gjeloshi, Ida Melgushi, Ida Lezha, Pina Kola dhe Gjystina Sekuj. Aranit Çela fillon karriren e kriminelit me femna.
I kam njoh të gjitha dhe mund të them se ishin ajka e kultures së Shkodres para 1944.
■Plot 70 vjetë që në Janarin e vitit 1945 fillojnë edhe interrnimet e familjeve “reaksionare” me Familjen e Gjonit Markagjonit, Roza Jakova, Elena Gjelosh Lulit (Mirakaj), Familja e Lin Delisë, Nedin Zajmit, Familja Derguti, Familja e Gjon Shytit, Angje Vasia, Nine Destanisha, Familja e Sabri Dacës, Lutfije Omari, Maria e Nush Topallit, Familja e Cafo Beg Ulqinit, Hava Rrepishti, Hatixhe Pipa, Familja Anton Dukagjinit, Familja Serreqi, Motrat Lula e Leze Kol Hysaj nga Vermoshi, Familja e Mul Bajraktarit, Flora Pali dhe sa familje të tjera që i pasuen mbas 15 Majit 1945, si Familja Mirakaj, Mulleti etj… Bashkë me pleqë e fëmijë, shumica perfundoi në Tepelenë, Berat dhe ku kishte kampe Urije dhe vuejtjesh të paimagjinueshme, që as nuk mund të kuptohet se kush i projektoi përveç, kenjes vrastarë e kriminel të pashpirtë ashtusi ishte Enver e Nexhmije Hoxha, Mehmet e Fiqrete Shehu, Ramiz Alia, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Koçi Xoxe, Manush Myftiu, Tuk Jakova, Aranit Çela, Misto Bllaci, Zoi Thëmeli, e emnat e këtyne vrastarë fëmijshë do të vazhdojnë pambarim deri tek mumjet e terrorit Xheudet Miloti e Shyqyri Çoku…
■Po varrezat a dihen ku i kanë të Ndjerat që vdiqën në interrnim: Dava e Mrika e Gjonit Markagjonit, Marta Markagjoni, Hajrije Mulleti, Vasfije Dema, Cubë D. Mirakaj, Kune Mirakaj, Sulltane, Meleqe e Rukije Dine, Caje Merlika, Ana Pervizi, Roza Marashi…
■Po Emnat e Engjujve të vegjel që u ngjitën në Qiell nder kampet e shfarosjes ku janë? ■Në vitin 1946 fillojnë edhe vrasjet e pushkatimet pa gjyq. Shumica e Këtyne Heroinave as nuk zehen me gojë, jo vetem Emnat e Nderuem po, as Veprat e Tyne Heroike!
■Në 15 Nandor 1946 pushkatohet në Prizren Marije Shllaku, nga Shkodra.
Vritet në Sheldi me 5 Dhjetor 1946 Marije Deda (Zojzi), me burrin e saj Pjeter Deda.. Vriten me armë në dorë Burrneshat legjendare Liza Mali, Bardha Bushkola, Gjela Biba dhe vdes në tortura Marije Tuci… Marija, Motra e Zadrimës varet nga toger Baba…
■Vriten në Malësi: Mara Ali Bacaj, Marije Dedë Preka, Lula Mirash Dodaj, Katrina Nik Bibaj; në Lezhë, Dila Bala dhe në Pukë: File Mimani dhe Hamide Vukaj… (Disa nga këta Emna të Nderuem janë marrë nga libri “Dhimbje” e F. Mulletit)
■Arrestohen: Marta Doda, Agime Pipa, Adile Boletini, Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Viktore Kuka, Drita Kosturi, Sadije Kazazi, Frida Sadedini, Lavdije Petrela, Bigje Pistulli… Torturohen, masakrohen dhe vuejnë vite e vite tmerri burg e uri…
■Arrestohet në Shllak, tek shpella e Mëri Kokës Palina e shoqja e Gjon Pukës, me nusen e nipit vet Lena Prendushi, e cila, ato ditë lindi edhe vajzen në hetuesinë Shkodres…
■Kush i projektonte dhe zbatonte këto vepra terroriste, a duhet ti dijnë Shqiptarët?
***
■Kur u arrestue mësuesja e Nderueme zj. Viktore Kuka, në shkollen e Dajçit të Bregut të Bunës, unë ishe nxanësi i Saj… dhe gati mbas 45 vjetësh jemi takue e kemi shkembye kujtime të asaj kohë sa të trishtueshme aq edhe të lavdishme… Kujtonte Nanën time me sofratasa tek dera e burgut Fretenëve, që e kishte pa nga dritaria me hekra…
■Mbas vitit 1991 njoha afer Heroinen Terezina Pali (Zorba), per të cilen edhe sot ruej një respekt të veçantë, Ajo ishte Burrneshë dhe kurdoherë prania e Saj, i nderonte dajat e masakruem Thani, po me kujtime të saja ngrinte naltë Martirë që koha po “errsonte”!
■Kujtoj si tashti kur më foli per kohën që ka kalue në birucë me At Mati Prennushin, kur ishte kthye nga filmi që kishin xhirue operatorët jugosllavë tek Elteri i Shna Ndout, ku sigurimi kishte futë armët me akuzue Klerin…Mezi po ecte At Matia, se e kishin shty dhe ishte rrëzue dhe i ishte ajtë kamba… Megjithate, më thonte eja të këndojmë per inat të këtyne qejvet, dhe fillonte Ai vetë: “Në Shkodren tonë ka ra nji dritë!…” (1992)
At Çiprian Nika ishte me të vërtetë si Shenjt, vazhdonte Terezina, vuante shumë prej kambëve se ia kishin djegë damarët me hekur të skuqun ndërsa, çorapët iu ngjiteshin për mish nga plagët e peshgvës, kësi plagësh kishte edhe në shpinë, këmisha ju shkapte prej plagëve vetëm… kur e thërriste hetuesi që ma shpesh e siellte pandjenja e rrëshqanë se me kambët e veta, njenen kambë ia thyen e megjithatë, edhe ashtu gjente forca me qëndrue … forca e tyne ishin vetëm urata e lutjet e vazhdueshme…
Në bisedat e Saj zj. Terezina, veçonte nder agjentat e sigurimit të asaj kohë (1946): Mili Misja, Satber Jubani, Sadush Kumbaro, Haxhi Pela, Agim Bejleri, Isa Miloti…
■Ja dhe disa kujtime nga ditët e zeza të jetës këtyne Heroinave të Pathyeshme:
■Një zonjë (K.V.) tregon: “… na rrahnin, na shanin me fjalët ku ishin ma të ndytat. Ishim të rëja 18 vjeçe, nuk i kishim ndigjue kurrë ato flligështina, na torturonin dhe mandej na çvishnin vetëm ndër këmisha në pikën e dimnit, na hidhnin ndër dhomat e priftënve… Por, ata menjëherë na mbulonin me pelerinat e tyne, e vetë mërdhitnin të shkretët gjithë natën. Kur na dilte gjumi mbas sa orësh lodhje në tortura, i ndigjonim tue thanë uratë. Na u thonim: “Merre tash pelerinën dhe flej pak edhe ti, se nuk ke mbyllë sy gjithë natën! – Jo, jo, vazhdo e flej ti, – na thonin ata, – flej edhe pak se je e re, na jemi mësue e po durojmë…” Porosia e tyne ishte: “Mundohuni me durue për hatër të Zotit!…”
■Më shpjegonte me dhimbje zj. Viktore Kuka, sesi njëditë i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaç Lekiqit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë Dulit. Elezi ia sjellë dhe Duli e piu atë ujë i thamë etjet që mbas pak minutash i shkreti Dulo Kali, rropatej në birucë nga tmeri, mbasi uji ishte kenë i krypun… Elezi tallej në korridor, “lypé ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hû …”
■Tronditej tashti zj. Ana Daja, kur shpjegonte sësi ka pa Don Anton Muzaj, në hollin e Kuvendit të zhytun deri në bel në një ujë të qelbun të përzimë me pisllëkun e pusave të zezë, në të ftohtin e dimnit të Shkodrës dhe kur e merrte kolli Até, skuqej ai vend nga gjaku që nxirrte përgoje… E torturonte tregonte ajo, i pashpirti Pjerin Kçira.
■Aranit Çela merr në pyetje para gjyqit dhe porositë hetuesin per Liza Palin: “Kjo ka shumë frikë, torturojeni se ka për të pranuar akuzat… Detyrojeni që të deponojnë edhe per Klerikët e arrestuar…” Po, në fakt nuk ua plotsoi Liza me shoqe dëshirat katilëve…
HAPNI DOSJET ! Burrneshat e Pathyeshme nga sigurimi duhet ti njohin Shqipnia!
■Në vitin 1993 pata fatin me njoh zj. Drita Kosturi, e cila më tregonte sesi e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nevojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, shpesh humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt… Disa ditë e kishte pa ajo vetë me sytë e saj derisa ishte ba që nuk njifëj ma cili ishte… Zgerdhihej poshtë Zoji Thëmeli, Dul Rrjolli e Lilo Zeneli kur binte At Frano permbys e gjakosej!
Ajo ishte një Moter e Vërtetë e të Vuejtunëve, ashtusi e ka quejtë At Palë Dodaj…
■E Nderuemja zj. Adile Ashikja, shpjegonte sesi Fadil Kapisyzi e Dul Rrjolli kishin mbytë në korrent elektrik At Bernardin Palaj, tek konvikti “Malet Tona”…ku e varrosën.
Në vitin 1968 kur po demaskohej Kleri Katolik në “Revolucionin Kultural”, kerkojnë nga zj. Adile me akuzue Imz. Ernesto Çoben, tek i cili kishte shkue dy ditë përpara… Ajo u çue në kambë në mbledhje dhe u tha: “Nuk ju vjen turp, unë kam shkue tek Imz. Çoba dhe i kam kerkue pare me ble buken se nuk kishe, e ju më kerkoni me shpifë për Té!”
Po, sot a nuk duhet me mësue Shkodra se ku ishte Xhemal Dini e Angjelin Kumrija, kur zj. Adile, shkoi në Argjipeshkvinë e Shkodres…? Atëherë zj. Adile e interrnuen, ndersa agjentët e sigurimit që vezhgonin Imz. Ernesto Çoben, Don Mark Hasin dhe të tjerë klerikë apo laikë që ndiqeshin prej tyne sot, po “vizitojnë” Vatikanin e Romën…
■Ishte vajzë e re zj. Laura Keçi, kur arrestohet dhe masakrohet në hetuesinë e Shkodres nga krimineli Shyqyri Qoku, dhe pranë qelisë kishte Don Mikel Beltojen… Ato ditë kur Até do ta pushkatonin, zj. Laura kujton porositë e Tij: “Tregoni Hoxhës dhe Shehut… atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet Shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… U thoni: Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni zi nanat, motrat e gratë Shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë… I thoni “damave” të tyne mos u kënaqni me vrasjët e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë!
Keni harrue se jeni tue vra Shqiptarë! Shkatrruet Atdheun!” (Nga letra e zj. L. Keçi)
■Pa u largue nga viti 1974, kam shkrue para një viti se, kur i duhej gjak fëmijësh të porsa lindun me i “dhurue” tiranit Popullit Shqiptar Enver Hoxhës…atëherë flitej permbi 120 fëmijë u mbyten në maternitetin e Tiranës në tri ditë të fillimit muejt Prill, me urdhën të “heroinës” Nexhmije Hoxha, per me i shpetue jeten katilit Popullit Shqiptar..?! – Askush nuk flet! A thue vazhdon edhe sot frika? Ma shumë asht “sekreti” që “bluzat e bardha” ashtusi në të gjitha veprimet tjera të tyne në sherbim të sigurimit të shtetit, vazhdojnë mbajtjen e fshehtë të krimeve të kryeme me duertë e tyne… Po, mos harroni, se dhimbjet e zemres Atyne Nanave që ua keni shkëputë foshnjet nga gjiu, vazhdojnë me lotue!
■HAPNI DOSJET ! Tue dashtë me Ua marrë nderin dhe Fëtyrën Heroinave Shqiptare, me Ua plasë Zemrat dhe me Ua shporue në hanxharë, tue Ua vra e masakrue loçkat e veta,Ua keni ngritë Monumentin e Lavdisë së Përjetëshme!..Nuk asht largë dita që rreth Atij Monumenti të Nanave e Motrave tona, do të vallzojnë edhe Engjujt e Qiellit!
Vazhdon Pjesa V… “Para Pushkatimit…”…
Melbourne, Mars 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz Radovani/ Australi/ hapni dosjet 4

NJE PYETJE QEVERISE GREKE PËR GENOCIDIN ÇAM

March 7, 2015 by dgreca

MIHAS QEVERISË GREKE: SI DO DËSHIRONIT T’U KËRKOHEJ DËMSHPËRBLIM PËR GENOCIDIN ÇAM NGA SHTETI SHQIPTAR?/
Nga Takis Michas/
Dëshironi konflikt?
Analizë nga gazetari i njohur Takis Mihas që diskuton axhendën e SYRIZA “që çdo ditë që kalon na sjell më afër greminës”. Në një shkrim tjetër në Huffington Post, Mihas sugjeron se gjeopolitika e re SYRIZA’s do ti përfitojë pak miq Greqisë ku duhet, në BE dhe NATO. Në këto dy organizata Greqia do dallohet gjithnjë e më shumë si zëdhënëse për Putin dhe synimet e tij gjeopolitike. Ashtu si në vitet ’90 kur Greqia, me arsye të mira, shihej si kukull e Slobodan Milosheviçit dhe xhelatëve të tij në Bosnje.
A donte ndonjëherë me të vërtetë qeveria greke marrëveshje me kreditorët e saj? Apo është situata aktuale rezultati i një politike konfrontuese të përgatitur që në fillim? Unë mendoj se ndoshta është e dyta. Pika interesante këtu, është se qeveria e SYRIZA ndërmori veprime dhe deklarata që nuk rrjedhin domosdoshmërisht nga programi i saj, por ishin të synuara vetëm për të nxehur partnerët tanë evropianë.
Le të shikojmë në disa prej tyre:
Me këto veprime ishte fakti se zoti Tsipras vendosi në deklaratat e tija programatike, me mënyrë veçanërisht lirike, çështjen e dëmshpërblimeve të Luftës së Dytë Botërore. Për të kuptuar këtu përmasat e pahijshme të këtij veprimi, le të konsiderojnë këtë:
Le të imagjinojmë se Kryeministri i Shqipërisë, erdhi në Athinë për të lypur për kredi. Pak para se të largohej nga vendi, fton gazetarët dhe shpall se ai do të ngrejë çështjen e kompensimit për pronat e çamëve në Thesproti/Çamëri dhe për krimet kundër popullatës civile dhe largimit të dhunshëm të tyre nga Greqia. Nuk do ta karakterizonim këtë akt si “skandaloz”? Nuk do të kishte konsideruar ky si një “provokim” ndaj Greqisë? Nuk do të mendonim se një veprim i tillë, në thelb, hedh dinamit tërë status-kuonë e pasluftës Balkanike dhe e hap kutinë e Pandorës për çdo lloj kërkesash?
Fakti i dytë i rëndësishëm është vendosja në dy ministrive të rëndësishme: atë të Jashtme dhe të Mbrojtjes, dy figurave politike që mbështesin plotësisht gjeopolitikën e presidentit Putin, dhe kjo në një kohë kur marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë janë veçanërisht të tensionuara. Në të vërtetë, Ministri i Punëve të Jashtme në deklaratat e tij të para të konsideronte të dobishme të nënvizohet se në konfliktin Rusi-Perëndim se Greqia pajtohet me Rusinë. Cila ishte dobia e vërtetë e këtyre veprimeve veç nxjerres në pah profilin ballafaques të qeverisë SYRIZA ndaj partnerëve të saj të Perëndimit?
Meqë ra fjala, në këtë pikë unë do të doja të theksoj se mbështetja e SYRIZA për Rusinë nuk kufizohet vetëm në aspiratat gjeopolitike të Rusisë, por shtrihet dhe tek përkrahja e politikës autoritare të Putinit brenda vendit. Kështu, eurodeputetët e SYRIZA ishin në mesin e pakicës së vogël të Parlamentit Europian të cilët refuzuan të dënojnë persekutimin e kryer nga qeveria e Putinit kundër OJQ-ve të tilla si “Memorial” që hulumtonte të kaluarën staliniste të vendit.
Veprimet e tjera, të cilat sigurisht theksuan profilin konfliktual ose ballafaques të Greqisë, kanë qenë veprime të tilla si psh. deklarata e pabesueshme e J. Varoufakis cila krahasonte Trojkën me … CIA-n (!) dhe publikimin e skicës së njohur nxitëse në gazetën Avgi, organin zyrtar partiak të qeverisë.
Siç e përmenda dhe më parë, këto veprime mund të ishin shmangur nëse supozojmë se SYRIZA nuk ishte agjendë ballafaquese. Sepse as çështjen e dëmshpërblimeve, as politikën pro-Putin, as natyrisht skica e Avgi dolën (jo direkt të paktën …) nga programi politik i SYRIZA.
Prandaj, përdorimi i këtyre veprimeve tregon se SYRIZA ka një tjetër axhendë të “fshehtë” që çdo ditë që kalon na sjell më afër greminës.
Marrë nga Gazeta Protagon
Dergoi per Diellin:Chameria Organization

Filed Under: Analiza Tagged With: DËMSHPËRBLIM, MIHAS, NGA SHTETI SHQIPTAR?, PËR GENOCIDIN ÇAM

Marrëveshjet turko-sllave në dëmin tonë ende vazhdojnë

March 5, 2015 by dgreca

Nga FAHRI XHARRA/
Shqiptarët ishin gjithmonë halë në sy për pushtuesit sllav dhe osman dhe më vonë gjatë shekujve i të dyve . Në fillim ndarss e më vonë në bashkëpunim i kushtëzonin shqiptarët që të kalojnë në serb-ortodoks ose në musliman-turk . Metodat ishin nga më të ndryshmet , nga ato të dhunës e të vrasjeve e deri në ato të joshjeve të posteve dhe të pasurisë.
Historia e jonë është e gjatë. Historikisht i kemi mbushur fronet mbretërore që nga romakët me perandorë , te sllavët me Cara dhe turqit me vezirë , pashallarë e sadri azema . Cilët nga ata i jepnin nder atdheut ? Nuk guxonin apo nuk donin të mendonin shqip ? Një pyetje e cila ndoshta kurrë s’do të ketë përgjegje as pohuese e as mohuese .
Fanatizmi sllav dhe racizmi i tij anti-shqiptarë së bashku me anti-shqiptarizmin turk , herë veqmas e herë së bashku ; bile edhe sot është aktiv.. . Këmbëngulja për tu mos u shkëputur nga thelbi i së keqes , do të qonte herët a vonë te e verteta e hidhur se gjithmonë janë të njejtë
Por , le të kthehemi në të kaluarën e largët kur këndej pari nuk kishte as serb e as turk.”Shqiptarët janë pasardhësit e drejtëpërdrejtë dhe si të këtillë janë autoktonë që nga kohët e lashta , ku jetojnë edhe sot e kësaj dite në trojet e tyre në Shqipëri , Kosovë , në Maqedoni , Mal të Zi , në Serbi dhe Greqi e gjetiu (Dr. Skender Riza).
E lexova , dhe mbeta i habitur . a edhe sot kesaj dite vazhdohet i njejti ritëm i shkapërderdhjes kombëtare:”Në shkollën fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz diskriminohet gjuha dhe flamuri shqiptar “

Dhe ju lutem , pasi që ta lexoni më thuani a nuk është kjo një vazhdimësi turko sllave për shfarosjen tonë ?
.Sot në mënyrë solemne u përurua salla e arsimtarëve në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz. ;’ Sponsorizuesi i këtij projekti 11 mijë eurosh, i punuar me standarde të larta, është Agjencia Turke për Zhvillim e Koordinim TIKA.
Shiriti i hapjes së kësaj salle moderne u pre nga drejtori i shkollës Nikollë Dukaj dhe përfaqësuesi i agjencisë turke.
Ishte drejtori Dukaj ai i cili injoroi gjuhën shqipe, duke e përdorë atë vetëm shkurtimisht me një përshëndetje, për ta vazhduar fjalën e rastit në gjuhën malazeze, ku foli gjerësisht për projektin, shkollën dhe planet për të ardhmen.
Në sallën e re ku dhe u zhvillua aktiviteti i përurimit, figuronte flamuri i Malit të Zi dhe Turqisë, por ashtu si dhe gjuha shqipe u injorua edhe Flamuri Shqiptar.
As fjalimi i përfaqësuesit të agjencisë turke nuk u përkthye në shqip, por vetëm gjuhën malazeze. Një injorancë dhe diskriminim i nivelit të tillë është e papranueshme, aq më shumë se ajo është një shkollë ku shumica dërmuese e nxënësve dhe stafit janë shqiptarë, mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe mbi të gjitha ajo shkollë gjendet në Malësi.
Drejtori i shkollës, si subjekt udhëheqës i këtij institucioni arsimor, duhet të jetë përgjegjës për këtë akt diskriminues dhe të turpshëm ndaj gjuhës dhe simboleve kombëtare shqiptare. /MALESIA.ORG/
Në vitet para pavarësisë në parlamentin e Turqisë thuhej : “Rrëziku më i madh i Turqisë , nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët ; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë , të mos mëkëmbët , të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e morri lumi Turqinë .(Jusuf Buxhovi ,Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane
FAHRI XHARRA, 05.03.15
Gjakovë
Foto:Ku mbeti flamuri kometar shqiptar?

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Marrëveshjet, në dëmin tonë, turko-sllave, vazhdojnë

KALENDARI KULTUROR PA QASJE MBARËKOMBËTARE

March 5, 2015 by dgreca

Diskursi kulturor/
(Përkitazi në lidhje me nënshkrimin e kalendarit kulturor Shqipëri-Kosovë për vitin 2015)/
Shkruan: Dr. Nail Draga/
Ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara njoftuan se Kosova dhe Shqipëria do të kenë një kalendar të përbashkët kulturor për vitin 2015. Kështu më 20 shkurt në Prishtinë, Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi dhe Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Shala, nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, duke rënë dakord për përfshirjen e aktiviteteve kulturore të dy vendeve në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor.
Kështu, Kosova dhe Shqipëria hyjnë në vitin e dytë të bashkëpunimit me Kalendarin e Përbashkët Kulturor i cili vjen në bazë të Deklaratës së përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Nuk ka dilemë se nënshkrimi i Protokollit paraqet një vazhdimësi të bashkëpunimit të dy vendeve tona në fushën e kulturës me synimin e avancimit dhe promovimit të kulturës kombëtare brenda hapësirës shqiptare duke e konsideruar si nxitje për veprimtari të tjera në nivel mbarëkombëtarë, ku kultura duhet të jetë model për të tashmën dhe të ardhmen
Bëhet me dije se veprimtaritë e përbashkëta kulturore, sipas Kalendarit janë në fushën e librit, të teatrit, trashëgimisë, filmit, arteve muzikore e pamore etzj., qe mundësojnë prezantimin, njohjen dhe vetënjohjen shqiptare, qe paraqet nderim ndaj veprimtarisë kulturore kombëtare në përgjithësi.
Nuk ka dilemë se një akt i tillë është për tu përshëndetur, sepse është në favor të bashkëpunimit ndërshtetëror në përgjithësi dhe integrimit kulturor mabarëkombëtar në veçanti.
Por, me të drejt bëhët pyetja ku janë shqiptarët në Mal të Zi,Luginë të Preshevës e Maqedoni, dhe pse ata nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Mungesa e qasjes së tillë edhe për keto mjedise shqiptare, del qartë se kjo marrëveshje është e mangët dhe nuk mund të gezojë epitetin e sintagmës mbarëkombëtare. Pse ka munguar një qasje e tillë nga ministritë përkatëse nga Tirana e Prishtina, përgjigja duhet të jepet pikërisht nga këta dy adresa..
Mendoj se është dashur në mënyrë taksative të shënohen obligimet në kalendarin kulturor, në rastin konkret edhe për shqiptarët në Mal të Zi. Kështu shfaqje të ndryshme nga teatri, ansamblet muzikore, apo ekspozitat e ndryshme artistike do të ishin të obligueshme të paraqiten para shqiptarëve në Mal të Zi.
Kujtojmë me ketë rast se gjatë verës në Ulqin, organizohen veprimtari kulturore mbarëkokbëtare por edhe ndërkombëtare siç janë Panairi I librit, Festivali “Skena verore” dhe “Kalimera poetike”. Ne këto veprimtari por edhe të tjera të veçanta, pjesëmarrja e ansambleve artistike, apo individëve të ndryshëm do të ishte e nevojshme, sepse si e tillë ka mision të dyfishtë(artistik dhe kombëtar).
Me sa jam i informuar deri me tash nuk ka ekzistuar ndonjë interesim për ndonjë takim për çështje të tilla as nga Prishtina apo Tirana, edhe pse përpjekjet tona nuk nuk kanë munguar. Por, duhet cekur se çdo iniciativë ne ketë aspekt, ishte jashtë ministrive përkatëse, pra me subjektet e ndryshme kulturore, për pjesëmarrje ne veprimtaritë kulturore në Ulqin.
Kujtojmë me ketë rast se ne Skenën verore në Ulqin ftohen dhe marrin pjesë vazhdimisht trupa teatrale nga Shqipëria e Kosova, por edhe piktor dhe grupe të ndryshme muzikore.
Duke marrë parasysh se në të kaluarën ka qenë e pamundur një angazhim konkret në ketë drejtim sepse ishin rrethana të tjera shoqërore, tash në pluralizëm, pesha bie mbi institucionet përkatëse ne lidhje me bashkëpunimin ne ketë drejtim.
Andaj, mendoj se ka ardhur koha për angazhim konkret ne ketë aspekt, sepse intergrimin kulturor nuk do të na bëjnë të tjerët. Inicues të kësaj çështjeje duhet të jetë Ministria e kulturës e Republikës së Shqipërisë, sepse një veprim i tillë është obligim moral dhe kombëtar qe është i mbeshtetur edhe në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Anashkalimi i shqiptarëve në Mal të Zi, të Luginës së Preshevës dhe ato në Maqedoni, ndoshta nuk është bërë me qellim, por mungesa e kësaj hapësire kulturore ne kalendrin kulturor të publikuar me 20 shkurt nuk arsyetohet më asgjë.
Ndryshimet ne ketë aspekt janë të nevojshme, e ate fillimisht në institucionet përkatëse si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë., sepse nëse nuk angazhohemi vet në ketë drejtim punët tona nuk do të na I kryejnë të tjerët.
Integrimi kulturor mbarëkombëtarë duhet të jetë mision parësor për ministritë përkatëse dhe institucionet shtetërore, ku me një koordinim të veprimeve nuk do të mungojnë as rezultatet konkrete, por fillimisht duhet të ndryshojë qasja dhe mentaliteti i personave përgjegjës në institucionet përkatëse.

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, KALENDARI KULTUROR, MBARËKOMBËTARE, PA QASJE

Ernest Koliqi dikur dhe arsimi sot!

March 4, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“ Dorën në zemër, vërtet më ka marrë malli për mësuesit e Ernest Koliqit, e jo këto të sotshmit të Ministrisë Arsimit e partive politike, që kurrë nuk kanë kapur ditar në dorë. E sot emërohen drejtorë shkolle e ministra të arsimit. Mësuesë të politizuar deri në palcë me trumbetime partiake dhe me pak aftësi arsimore – edukative, plot patetikë patriotike. Partizanë, që ditarin e arsimit e kanë shndërruar në libreza partiake. (K.Çeliku)”
Sa keq ! në shtetin e vet , të pa përgjegjshëm ,aspak , as për fëmijt e tyre.
. Edhe ato pak libra, që na mbetën nga “Shqipëria e Madhe”, ministrit arsimit të asaj kohe -Ernest Koliqi, na i rrëmbenin nga duart dhe na rrasnin në burg si “nacionalistë e irredentistë”. Megjithatë, ne perësëri gjenim ndonjë libër për ta lexuar kokë më kokë nën hijen e Lisit midis Livadhit. Ishin Librat e këndimit të asaj kohe plot poezi të Rilindasëve tanë me shokë: Naimi, Çajupi, Gjergj Fishta, Asdreni, Vaso Pashë Shkodrani, Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Hil Mosi, Ali Asllani e Prej Shkëndisë. Pseudonim letrar i asaj kohe, që edhe sot e kësaj dite nuk e di se, kush ishte autori i atyre poezive të zjarrta mes faqeve të Librit të këndimit- tregon miku Kalosh Çeliku
Është për qudi që sot në shtetet tona kemi më pak mësim se sa në kohën e qeverisë
“kolaboracioniste” dhe “tradhëtare “ të viteve 1942-1945. E ajo qeveri hapi shkolla shqipe në Kosovë , sepse ajo e shkreta kishte nevojë shumë të madhe pert to. Analfabetizmi kishte çelur morra. Fëmijtë , nga friga se na “ bëheshin serb “ nuk i dërgonim në shkolla. Këte na e këshillonin “patriotët” e xhamijave , të këshilluar nga vetë serbët..
Edhe sot hudhet vrer mbi Mustafa Krujen ( kryeminister) e Ernest Koliqin (ministër i arsimit) sepse si ” tradhëtar” që ishin na kishin hapur shkolla shqipe. Po te kishin qenë kaq anti shqiptare, Kruja e Koliqi do te kishin hapur shkolla italiane në Kosovë e jo shkolla shqipe . Por , sidoqoftë gjuha është nga tuli .
Ministria e Arsimit e drejtuar nga Koliqi, nga një organ i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një organ shtytës nxitës i tërë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohsisht duke funksionuar si asnjëherë më parë, edhe si organ largpamës administrativ. (Giuseppe Valentini, Ernesto, Spechio d’umano transito, Shejzat, numër Përkujtimuer kushtue Prof. Ernest Koliqit, fq 23.) ((Romeo Gurakuqi )
Ernest Koliqi qëndroi për dy vjet ministër i arsimit, më pak se dy vite në kryesi të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe më pak se gjysëm viti në presidencë të Dhomës së Deputetëve. Ernest Koliqi ministër i arsimit, mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët ma në zë (e papërsëritshme deri më tani në dikasterin e arsimit shqiptar) dhe së bashku me to filloi hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, që ende sot janë shembuj të çmueshëm, pse jo edhe të paarritshëm në pikëpamje pedagogjiko-shkencore e kombëtare. Ku ti marrim sot ata patriotë shqiptarë që do t`a bënin punën
e Ernest Koliqit ?
Nën kujdesin e Koliqit një komision i përbërë nga Aleksander Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqerem Çabej, grumbulloi, përpiloi lëndën e të parës antologji që u botuamë 1943 me titullin “Bota Shqiptare”.
Shqipërisë i duheshin kuadro .Për procesin e përpilimit të teksteve ministria e arsimit thirri nga Piana degli Albanesi Profesorin arbëresh Gaetan Petrotën. Dikasteri i Arsimit i dha nji hov të madh studimit dhe mbledhjes së folklorit, ndërmarrje që është e mishëruar në vijimin e botimit të shumëvëllimëshit “Visaret e Kombit”. Po, sot ?
Profesor Koliqi shprehej mbi ardhmërinë madhështore të popullit shqiptar, sepse besonte në cilësitë pozitive dhe të jashtëzakonshme të shqiptarit. Ai besonte se breznitë e ardhshme do t’ia njihnin ndoshta ma tepër se bashkëkohësit, thelbin e koncepteve të tij. Për të mbrojtur tezën e zhvillimit të lumnueshëm të Shqipnisë e të vlerave fisnike, Koliqi fliste me gjuhën po të atij besimi të njerëzve të Rilindjes (Romeo Gurakuqi)
Këndej rridhte dhe entuziazmi i asaj periudhe heroike dhe dëshira për ta pa qenien e vet dhe krejt jetën e çdo shqiptari në funksion të çështjes nacionale.Po sot ku jemi ? Po sot ku është arsimi në Kosovë dhe në Maqedoni? Mësuesë të politizuar deri në palcë me trumbetime partiake dhe me pak aftësi arsimore – edukative, plot patetikë patriotike. Partizanë, që ditarin e arsimit e kanë shndërruar në libreza partiake.
Ernest Koliqi ministër i arsimit, mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët ma në zë (e papërsëritshme deri më tani në dikasterin e arsimit shqiptar) dhe së bashku me to filloi hartimin dhe botimin e teksteve shkollore, që ende sot janë shembuj të çmueshëm, pse jo edhe të paarritshëm në pikëpamje pedagogjiko-shkencore e kombëtare.
Zakonisht , neve shqiptarëve kurrë nuk na bie “tamam” , Edhe Koliqi shahej : “….Të shamet e belbacukëvet të gjuhës shqipe nëpër radjo të Tiranës e të Londrës (me më shi mue janë dakord) e shkrimet epileptike të mistrecave qi qohen në maje të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikanta serioza, nuk më bajnë mu as të xet as të ftohtë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat ma të vështira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata që më njohin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. …..
Kryetarë të komunave shqiptare ( në Maqedoni fxh), që ato pak mjete materiale në disponim i shpenzojnë për dalldisje partiake, në vend t’i shpenzojnë për lektyra shkollore e revista për fëmijë. Aftësi “heroike” kanë për propogandë partiake, sesa për mbajtjen e orës së mësimit në klasë para nxënësve. (K.Ç)
Ishte si ç`na ishte , dhe është si ç`është !
Fahri Xharra , 04.03.15
Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: arsimi Sot, dikur, Ernest Koliqi, Fahri Xharra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 823
  • 824
  • 825
  • 826
  • 827
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT