• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI NISHANI:POLITIKA TË BASHKOHET PËR HAPJEN E DOSJEVE TE SIGURIMIT TE SHTETIT

February 23, 2015 by dgreca

*Presidenti kërkoi gjykim penal për Diktaturën dhe Diktatorin
Kreu i Shtetit shpalli dje vitin e kremtimeve për 25 vjetorin e rrëzimit të diktaturës, duke kërkuar që të miratohet sa më shpejt një ligj i plotë për hapjen e dosjeve si dhe një ligj i posaçëm për lustracionin. Presidenti Nishani deklaroi se Lëvizja e Dhjetorit meriton të kujtohet me një monument, në një nga sheshet e kryeqytetit/
Në 25 vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka kërkuar që aktivitetet që do të organizohen në përkujtim të ngjarjeve që shënuan ndryshimet politike në vend të marrin një profil shtetëror. Miratimi i një ligji të plotë nga ana e parlamentit për hapjen e dosjeve dhe lustracionit, sipas kreut të shtetit, do t’i qetësonte shpirtrat e shqiptarëve. Kreu i shtetit ka sugjeruar gjithashtu se krimet e atij sistemi duhen kujtuar në një datë të veçantë. Sipas tij, në këtë 25 – vjetor edhe lëvizja e dhjetorit meriton të kujtohet me një monument. “Do t’i sugjeroja Parlamentit shqiptar që me ligj të veçantë të kishim një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kjo datë mund të ishte në diskutim, padyshim, në Parlament, por dhe me grupe të tjera të interesit. Mund të ishte fare mirë dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Por, mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit: mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile”, u shpreh Presidenti Nishani. “E kam thirrur këtë takim sot me ju për t’ju njohur ju, por edhe përmes jush për t’i përcjell opinionit publik angazhimin tim personal dhe institucional në celebrimin që meriton ky vit, pra 2015-ta, si viti i 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Është një përvjetor, i cili vitin e shkruar u celebrua me të gjithë dimensionin e merituar në mjaft vende të ish-kampit komunist duke filluar me Poloninë, i cili ishte edhe vendi simboli i nisjes së erës së ndryshimeve, me Gjermaninë që gjithashtu ishte një simbol i fortë me rënien e Murit të Berlinit dhe të gjithë transformimeve të mëdha që më pas pasuan këtë proces. Celebrime patëm në Hungari dhe në Poloni. Diktatura komuniste në Shqipëri ka qenë e shtrirë për një periudhë të gjatë dhe e përhapur në të gjithë fazat dhe etapat në të cilat kaloi”. Ai theksoi se proceset e rezistencës erdhën gjithmonë në rritje deri sa kulmuan në përmbysjen përfundimtare të këtë regjimi në 8 dhjetorin e ‘90-tës. “Por janë disa momente, të cilat lidhen me rezistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të grupimeve të ndryshme shoqërore: kam parasysh këtu jo vetëm rezistencën që i bëri inteligjenca, por edhe ajo që mund ta quajmë rezistenca e mendimit, e cila u përball në forma nga më të ndryshme me ideologjinë komuniste. Kemi rezistencën që i bëri kleri mysliman, katolik dhe ortodoks pavarësisht represionit dhe krimeve të mëdha që regjimi bëri ndaj klerit jo vetëm me prishjen, shkatërrimin e objekteve të kultit, por edhe me ekzekutime masive të klerit. Procesi i përmbysjes së komunizmit në Shqipëri njohu disa momente kulmore siç kanë qenë organizimet dhe demonstratat e ndryshme në Shkodër, Kavajë, Tiranën të cilat kulmuan me momente të rëndësishme, edhe të rrëzimit të monumentit të diktatorit, i cili ishte momenti i vrasjes së një të frike masive nga ana e qytetarëve. Një moment, i cili meriton një vëmendje të rëndësishme ka të bëjë me vrasjet makabre në kufi. Janë mbi 80 të rinj të reja shqiptarë të ekzekutuara në kufi madje pas ndryshimeve ligjore. Pas ndryshimit të ligjit që regjimi i kohës i bëri duke mos e konsideruar kalimin e paligjshëm të kufirit si një akt kriminal, pavarësisht kësaj periudha u pasua me vrasje makabre në kufi vetëm për arsyen dhe faktin që këta të rinj kërkonin lirinë, kërkonin perëndimin kërkonin të shkonin dhe të integroheshin në botën e kulturuar, në botën e qytetëruar, në botën e civilizimit dhe zhvillimit. Është një moment që kërkon një refleksion të madh jo vetëm në identifikimin e këtyre akteve kriminale, jo vetëm të përgjegjësve të këtyre akteve kriminale dhe në kundërshtim të plotë më ligjin e kohës por edhe të simbolikës së madhe që reflektonte akti i këtyre shqiptarëve, të cilët kërkonin orientimin në tërësi të shoqërisë drejt botës së lirë drejt perëndimit”. Presidenti Nishani kërkoi vendosjen e një date përkujtimore për rrëzimin e komunizmit dhe ngritjen e një monumenti për Lëvizjen e Dhjetorit. “Lëvizja e Dhjetorit e Studentëve mbetet padyshim lëvizja lider në tërë këtë proces të përmbysjes përfundimtare të regjimi komunist në Shqipëri. Janë një sërë personalitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare që iu gjendën pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve jo vetëm për t’i inkurajuar, jo vetëm për t’ju bashkuar, jo vetëm për të gjeneruar ide dhe një aksion të përbashkët për t’i dhënë goditjen përfundimtare regjimit komunist, por njëkohësisht edhe për ta orientuar shoqërinë shqiptare drejt standardeve që ajo meriton, të cilët njëkohësisht mendoj se duhen vlerësuar dhe duhen nderuar. Është një vit, i cili kërkon angazhimin serioz për të kujtuar dhe celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit nga të gjitha institucionet e shtetit. Ndaj, kam marrë iniciativë për të organizuar dhe drejtuar disa evenimente me profil shtetëror. I bëj ftesë t’i bashkohet qeveria shqiptare, Kryetari i saj, Parlamenti shqiptar, opozita shqiptare në mënyrë të tillë që të koordinohen dhe realizohen aktivitete dhe evenimente, të cilat meritojnë të sjellin në vëmendje pasojat e tmerrshme që pati krimi komunist në Shqipëri, regjimi stalinist në Shqipëri, pasojat që la dhe reflektimi për të ndërtuar një qasje më dinamike drejt standardeve të lirisë dhe demokracisë që meritojnë Shqipëria dhe shqiptarët. Në këtë vit të 25-vjetorit të rënies së komunizmit besoj që është periudha më e mirë që Parlamenti shqiptar të miratojë një ligj të gjerë dhe të thellë për hapjen e dosjeve jo vetëm të drejtuesve të Sigurimit të Shtetit, por dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke qetësuar njëherë e përgjithmonë shpirtrat e gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht Lëvizja e Dhjetorit meriton të jetësohet me një monument të caktuar në Tiranë, që duhet të jetë një angazhim i Bashkisë së kryeqytetit në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në bashkëpunim me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë. Si President i Republikës do të ofroja të gjithë angazhimin maksimal për t’u dhënë ceremonive të ndryshme, përgjatë këtij 25-vjetori, profilin e merituar shtetëror, nderimin e të gjithë atyre që i rezistuan, të gjithë atyre që kontribuuan në përshpejtimin e rënies së këtij modeli, i cili ishte modeli më i tmerrshëm në gjithë hapësirën e ish-vendeve komuniste të Evropës”, theksoi Nishani. Gjithashtu, kreu i shtetit kërkoi edhe hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në këtë drejtim, Nishani propozoi miratimin e një ligji të plotë, duke kërkuar edhe hetim e gjykim penal për Sigurimin e Shtetit, për ata që e ndërtuan, e udhëhoqën dhe kryen krime, madje edhe në kundërshtim me ligjet e kohës.
“Ky vit është viti më i përshtatshëm që Parlamenti shqiptar të bëjë një ligj të plotë të lustracionit të bazuar mbi ekspertizën dhe asistencën më të mirë ndërkombëtare dhe të atyre vendeve, të cilët e kanë aplikuar ligjin e lustracionit në vendet e tyre”.

Zoti President, një tjetër çështje – Ju folët për hartimin e një ligji për hapjen e dosjeve, ndërkohë ka një tjetër diskutim në Kuvend; është propozimi i Ministrit Naço për komisionin e reformës në drejtësi dhe një ndër propozimet është përjashtimi i Presidentit të Republikës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e Kreut të Shtetit. Ju personalisht ç’mendim keni?
Unë do të mbështes çdo vendim që ligjvënësi, legjislativi, i cili është pushteti i vetëm që përfaqëson vullnetin e sovranit për të hartuar legjislacionin, për të bërë ndryshime kushtetuese, për të bërë ndryshime ligjore, dhe unë si një qytetar i këtij vendi do të mbështes dhe do të respektoj maksimalisht të gjitha ndryshimet që mund t’i bëhen Kushtetutës, që mund t’i bëhen ligjit dhe natyrisht ajo që unë inkurajoj, ka të bëjë me faktin që çdo ndryshim të jetë në përputhje me standardet dhe me lartësinë që meriton një shtet i së drejtës, një shtet i lirë dhe një demokraci funksionale ku Shqipëria pretendon të jetë e kyçur.

Zoti President, ju folët për ligjin për hapjen e dosjeve. A nuk është e vonuar Shqipëria për miratimin e një ligji të tillë? Cili është apeli juaj për klasën politike shqiptare?
Po, besoj që është e vonuar dhe nuk ka dilemë që është e vonuar. Por, unë jam i bindur që sado të zgjatet në kohë, sado që të vonohet më tej, Shqipëria do t’i hapë një ditë dosjet, jam i bindur për këtë, por ky është momenti më i mirë dhe më i përshtatshëm edhe për reflektim nga të gjithë për të kompensuar kohën e humbur dhe për të krijuar mundësitë e një relaksimi dhe paqtimi shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.

Duke mbetur tek ligji i dosjeve – Aktualisht madje gjatë kësaj jave pritet që në Kuvendin e Shqipërisë të vijë zyrtarisht propozimi i qeverisë shqiptare që nuk parashikon lustracion. Kjo do të thotë në fjalën tuaj ju përmendët ‘hapje të dosjeve’ dhe ‘lustracion’. Në rast se nuk do të përfshihet dhe lustracioni në ligjin që do të vijë nga qeveria, nga Parlamenti, do të thotë që Ju mund të mos e dekretoni këtë ligj? Dhe pyetja e dytë, folët për një seri aktivitetesh, kërkuat mbështetjen e qeverisë shqiptare. Keni pasur zyrtarisht, në mënyrë institucionale konsulta paraprake për këto aktivitete? Përmendët edhe çështjen e mbështetjes financiare…
Në lidhje me pyetjen e parë, natyrisht pa marrë përsipër për të gjykuar një vendim të Presidentit, apo një dekret pa parë përmbajtjen, përputhshmërinë me Kushtetutën e vendit të një akti që vjen në Presidencë, mund t’ju them me siguri se pavarësisht dimensionit që do të përmbajë një ligj që ka të bëjë me hapjen e dosjeve, apo me lustracionin do të ketë mbështetjen gjithmonë të Presidentit të Republikës dhe do të firmoset. Por, ajo që unë kërkoj dhe sugjeroj është që, të kemi një ligj të plotë në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e merituar të hapjes së dosjeve jo vetëm të atyre që e ndërtuan, e udhëhoqën atë mekanizëm kriminal për të cilin unë mendoj që është koha që Shqipëria edhe me asistencën ndërkombëtare të kërkojë hetim dhe gjykim penal për mekanizmin e Sigurimit të Shtetit, për krimet që ka bërë në kundërshtim dhe me ligjet e kohës. Por, kjo mbetet në vullnetin e ligjvënësit. Ajo që Presidenti ka qëndrim të palëkundur është që, do të mbështesë çdo iniciativë pavarësisht se ajo sado ta ketë në thellësi dhe gjerësi dimensionin e saj. Përsa u takon çështjeve të tjera, unë jam padyshim i hapur për çdo lloj bashkëpunimi. Kur kam kërkuar buxhetin në fillim të vitit, një nga pikat që i jam adresuar qeverisë ka qenë pikërisht buxheti për të celebruar 25-vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri dhe kjo ka qenë publike, zyrtare ashtu siç do të vijojë të ofrojë ftesa institucionale për t’u konsultuar dhe bashkëpunuar me qeverinë, Parlamentin dhe opozitën për këtë çështje.

Filed Under: Analiza Tagged With: :POLITIKA TË BASHKOHET, PËR HAPJEN E DOSJEVE TE SIGURIMIT, presidenti Nishani, të shtetit

KRIMET E KOMUNIZMIT NUK PARASHKRUHEN…HAPNI DOSJET!(Pjesa III)

February 23, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
BURGU I BURRELIT/
“KËNDEJ KALOHET NË QYTET T’ MJERIMIT,/
KËNDEJ KALOHET NË DHIMBJEN PA KUFI,/
KËNDEJ KALOHET N’ SHPIRTNAT HUMUN SHQIMIT./
***
PARA MEJE GJA TJETËR S’ U KRIJUE/
VEÇSE E PËRJETSHME, – E UNË QENDROJ PËRJETË:/
O JU, QË HYNI MBRENDË, KENI MBARUE !”/
“Dera e Ferrit Komunist… Burrel” /
47 VJET KRIME e DHUNIME…/
■Në këte 70 vjetor të përmbytjes së Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, nga terrori e krimet barbare të tiranisë komuniste të viteve 1944 – 1991, Përulem me dhimbje dhe respekt para të gjithë Atyne Viktimave të Pafaj, që jo vetem, u torturuen, u vranë, vuejtën, u zhdukën dhe shpesh me Heroizëm të pashoq, arrijtën me u vetvra nder torturat ma mizore vetëm, mos me nënshkrue me firmat e veta proceset fallco apo shpifjet vrastare të shokut…
E këta Burra Shqiptarë, pjesa ma e madhe e Tyne nuk kanë as “Dosje”, e edhe nëse i kanë, nuk asht asgja e vërtetë e shkrueme mbrenda tyne…Vetëm shpifje vrastarësh!
■Ata e dinin mirë se çka asht e shkrueme në “Derën e Ferrit Komunist”!
■Ata porsa u ndodhën ndër prangat e robnisë sllavokomuniste, vetëm mendonin se si duhet me vdekë me faqe të bardhë, mos me turpnue Veten, Familjen dhe Atdheun, për të cilët “vdiqën si me lé!”… E nuk janë aq pak sa kujtojnë ata, që kërkojnë me i “harrue”!
■Shkodra duhet të shkruejnë me shkronja të arta Emnat e Martirëve të Pavdekshëm: Kolec Deda, Av. Muzafer Pipa, Simon Darragjati, Prof. Simon Deda (Durrës), Prof. Kolë Prela, Av. Paulin Pali, Prof. Prenkë Kaçinari (Tiranë), Palë Thani, Pjetër e Marije Deda, etj., tue mos harrue kurrë 118 Burrat e Kelmendit, vra në Kryengritjen e Prekë Calit, që as Emnat e Tyne nuk tregohen nga vrasësit terroristë të Janarit 1945.
■HAPNI DOSJET! Hiqni dorë nga mashtrimet dhe rrenat! Nuk ju beson ma askush!
■Ndër 26 hetuesitë e burgjet e Shkodres, vetëm në hetuesinë e Burgut mënershëm të Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit, kishte 700 viktima që torturoheshin ditë e natë…
■E pse?! – Me akuzue të pafajshmit, me shpifë per shokun e me pranue “bashkpunim” me sigurimin komunist, per me çue në plumb inteligjencën Atdhetare Shkodrane!
■Si thoni ju, a duhet të dijnë shkodranët se si e mbytën av. Muzafer Pipën në hetuesi kur po e torturonin Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci, kur Ai nuk po pranonte me shpifë dhe këta, i futen nder muskujt e krahëve hekurin e skuqun, që takoi per shtyllen kurrizore dhe i shkreti Muzafer, mbeti i vdekun në çast… Madje, blene dhe pula e i ngranën të pjekuna, se gjoja Muzaferi deshti me ikë, u vra në dalje të hetuesisë e këte e vertetonte “heroi” Zoi Thëmeli, me gjakun e pulave që kishte hapë në çimenton rreth ndertesës!
■Më tregonte i tmerruem gati mbas 50 vjetësh i Nderuemi Loro Vata, sesi e kishin lidhë per karrigë, dhe hetuesi kriminel Fadil Kapisyzi po torturonte Simon Darragjatin… Po i kerkonte me nënshkrue procesin ku akuzoheshin edhe dy shokë të Simonit, i cili po kundershtonte se janë shpifje ato që janë të shkrueme aty. Hetuesi Fadil Kapisyzi, ishte një kokërr sarahoshi e fanatiku i pashoq. Mbrendë në zyrë të tij ishte edhe Dul Rrjolli, ndërsa, Simon Darragjati ishte i shtrimë për tokë e i lamë me gjak. Duli i hodhi Simonit një kovë me ujë për me e prue në vete. Porsa u duk se po e merrte veten, Duli i ra shpinës me një hu të trashë dhe i tha se, asgja nuk të ka ba Fadili ty, se shka kam ndër mend me të ba unë, a po flet, a po jo? – Simoni u përgjegj: Jo e jo, po të tham!! Fadili e humbi durimin mbasi kushedi sa kohë kishin që po e torturonin. E çoi nga toka, e afroi tek një dritare, të cilën e hapi dhe i tha: Sot ose do të firmosësh proçesin ose po deshte, hidhu nga dritaria e ta mbyllim historinë tande! Pa e mbarue fjalën mirë, Simoni zgjodhi rrugën e vdekjës nga dritaria…As unë nuk e kuptoj ku e mori forcën, veç, kur nuk e pashë ma në dhomë…Torturat e banë me vra veten. Mbas tij Fadili u sjell nga unë, po ti shka po ban? – Unë iu përgjegja se, nuk kam asnjë arsye me vra veten, ju, po deshët më hidhni vetë nga dritaria, por unë nuk bij! Duli më ra dy a tri herë me hunin që kishte në dorë, po, me thanë të drejtën pata frikë se po vdes pa muejtë me i lypë Zotit të falun për aktin e vetvrasjës, mbasi Simoni kur po dilte nga dritaria u ndigjue se tha vetëm fjalen “O Zot…”, ndërsa, unë, pata frikë se nuk po mundëm me e thanë as atë. Mandej, edhe po mendojshe me vedi ndër ata pak sekonda kohë, këta qej, kështu mendojnë me na vra të gjithëve… po, të provoj me durue torturat edhe pak si herët tjera…
Nxori një letër dhe ma vuni përpara, shkruej, më tha: “Unë, i pandehuri Loro Vata, nuk pranoj me nënshkrue proçes-verbal në hetuesinë që më ban kapiten Fadil Kapisyzi, në pezencën e Dul Rrjollit. Tuj mos pasë se çka me thanë as, me shkrue ma tepër se këto sa thashë, i vërtetoj me nënshkrimin tem pa as ma të voglin shtërngim… dhe, vuna firmë.
Mirë, tha Fadili, këtë deklaratë e kemi këtu, tashti, shko e mendoju në birucë, që kur të thërrasim, po nuk t’u mbush mendja me firmue do të gjejë ndera e Simonit e mos mendo, se del gjallë prej duerve të mija!
Persëriste Loro : Në torturë, një fije floku të ndanë nga vdekja ose vetvrasja!”
E, sa e sa Burra si këta, kanë zgjedhë “vetvrasjen”…si rrugë shpetimi? (1946 – 47).
***
■DOSJET E BASHKPUNTORËVE TË MASKUEM DUHEN HAPË TË GJITHA!
Agjentët e njohun per bashkpunim me vullnetin e vet, duhen dallue nga të dhunuemit!
■Ky bashkpunim me sigurimin e shtetit me vullnet, që duket sikur asht i njohun po, në fakt, ai ka kenë i mësheftë dhe vazhdon me kenë edhe sot. Në vitin 1945 Mark Çuni formoi në Shkoder Organizatën “Bashkimi Shqiptar”. Mbas pak muejsh, nga Nandori, pra në pragun e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, grupi u zbulue… As sot nuk zihen me gojë agjentët që shkuen tek Tuk Jakova dhe i dhane një poezi… Që zbuloi krejtë Organizatën dhe çoi në plumb shtatë vetë, nder të cilët edhe tre klerikë katolik të pafajshëm…
■Po në vitin 1945 lexojmë në dy Dosje, n’atë të Don Lazer Shantojës dhe Ndue Palit, se kur po pritshin nga Riza Dani, kryetar i komitetit Shkodres njoftimin kur me u “dorzue”, forcat e ndjekjes, i zbulojnë ku janë dhe mbasi i kapin të tradhëtuem i pushkatojnë…
■Po kështu, kur forcat partizane kerkojnë me sulmue nga Selca Atdhetarin Prekë Cali, ata u thyen dhe i ranë mbas shpine, bashkë me forcat komuniste jugosllave… Pra, jo vetëm ua treguene rrugën e pabesisë, po edhe u lidhën me pushtuesit jugosllavë…
■Vjen në Shkoder Sejfullah Maleshova, me takue At Gjon Shllakun dhe gjoja, me i thanë se “duhet formue Partia Demokristjane Shqiptare, në Shkoder”, ashtu si kishte mashtrue në Tiranë disa vetë per “Partinë Social Demokrate” etj… Ai nuk mërrijti me u takue me At Gjonin, se ajo ide u kundershtue nga At Mati Prennushi dhe Imz. Gasper Thaçi, dhe megjithate, nuk munguen agjentët e sigurimit, me çue në plumb At Gjonin me shokë, simbas porosisë jugosllave, po gjithmonë me agjentat e sigurimit tonë të PKSh…
■Këta pak fakte mbrenda vitit 1945, i zuna në gojë jo vetëm me tregue se “shqiptarët” u treguen të zellshem me u vue në sherbim të sigurimit të shtetit, që instruktohej dhe në të gjitha veprimet antishqiptare bashkpunonte me okupatorët jugosllavë, po edhe mbasi këta tradhëtarë zbatonin “detyren”, punonin me shtue forcat e bashkpuntorëve të tyne, me agjenta sigurimi që dhunonin nder burgje dhe hetuesi me “plumbin ballit”.
■Nëse, Malet ishin të mbushuna me antikomunistë, lozhet e kinema Republikës në Shkoder ishin plotë me gra që thërrisnin “plumbin ballit” ose “në litar!”…
■Këta ishin “nënat e atyne djelmëve” që vdiqën tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”
■Ata që nuk u vranë në luftë njenimetjetrin, u angazhuen me PKSh, dhe sigurimin e shtetit që formoi kjo parti tradhëtare, per me nenshtrue Popullin Shqiptar me dhunë ndaj të gjithë pushtuesëve jugosllavë, sovjetikë, kinezë, e madje edhe të pa atdhe …
■Dosjet e agjentave që u vune në sherbim të PKSh, e i sherbyen sigurimit me vullnetin e tyne ma të madh, tue arrijtë deri aty sa “me kerkue pushkatimin e Atdhetarëve tanë”, se nuk donin robninë sllavokomuniste… Duhen njohë nga Populli Shqiptar!
■Duhen njoh edhe ata që u bane agjentë dhe vrastarë të shokëve të vet…
■Duhen njoh edhe ata që me tradhëti, jo vetem vranë Rininë Shqiptare, po edhe u bane “dr. prof. e akademikë”… e deputet të Kuvendit Popullor, ase “Heronjë të Popullit” tue nenshkrue akte e dokumenta pushkatimi, me procese fallco e shpifje…
■Dosjet ma të rendësishme per agjentët e sigurimit që ishin të burgosun janë ata që duhen ba të njohuna, për agjentët informatorë ma keqdashës që kanë sherbye padhunë, me vullnet të plotë, per vrasjen e tjetrit që i rrezikohej jeta si Bardhosh Danit me shokë.
■Nuk duhen perjashtue nga Hapja e Dosjeve, agjentët që ishin të burgosun dhe kanë krye detyren e “zberthyesit” nder birucat e sigurimit, vetem per dy lugë çorbë…
■Të gjithë agjentët dhe antarët e sekretarët e PKSh ose PPSh, hetuesit dhe kriminelët që kanë ndikue në “pushkatimin” e një personi të vetem, edhe në kjoftë se Enver Hoxha i ka burgosë ata, per vepren kriminale të vrasjes ai duhet njoh nga Populli Shqiptar.
■Nder burgjet dhe kampet e punës, vuejtja shpesh ishte e pafund. Shumë të burgosun mbasi plotsonin vitet e dënimit, dhunoheshin me u lirue me kusht: “Me nënshkrue para lirimit, deklaratë bashkpunimi me sigurimin!” Kush nuk pranonte dënohej përsëri. Ka nga Ata Martirë që pranuen me ba mbi 30 vjetë burg, e nuk janë pak Ata Burra si Dedë Markagjoni, Osman Kazazi, Don Nikoll Mazrreku, Don Mikel Koliqi…E, qinda të tjerë!
■Do të mbylli këte pjesë me Martirin e Shkodres Dulo Kali: “Kishte disa muej që nuk e pranonte akuzen (Shtator 1946)… Besoj, i kujtohet terroristit Aranit Çela. Nga korrenti elektrik Duli kishte humbë gati krejtësisht ndigjimin. Afer zyres ku torturohej kishin sjellë disa vajza që po qesheshin, dhe hetuesi i thotë Dulit: I ndigjon zanet e vajzave tua? Duli shokohet! Kujton se vertetë janë vajzat e Tij. Atëherë, hetuesi kur sheh Dulin e tronditun i thotë: Ndigjo Dulo Kali, po nuk firmove procesin, sot ke me pa me sytë tuej vajzat tua këtu mbi këte tavolinë, tue ti përdhunue me rradhë të gjithë hetuesit e policët e degës së mbrendshme! Duli pranon…akuzat dhe nenshkruen procesin!
■Me një proces të tillë Dulo Kali u pushkatue me 11 Mars 1948…mbas dy vjetesh hetuesi!
■Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër e Atdhetarë, lyp drejtësi dhe paqë!
■Vazhdon Pjesa e IV me Heroinat Shqiptare…
Melbourne Shkurt 2015.
*Ne vijim te rubrikes:Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Analiza Tagged With: dosjet, Fritz radovani, KRIMET E KOMUNIZMIT NUK PARASHKRUHEN...

Reagim i vakët i institucioneve të shtetit

February 23, 2015 by dgreca

Të thuhet se qytetarët e Kosovës po hanë krunde në vend të bukës dhe të mos aktivizohet i tërë aparati kompetent për të hetuar këtë shqetësim, kjo vetëm sa e forcon dyshimin për përzierje të njerëzve të profilit të lartë në këtë “ krim” të papresedan/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Nga java e shkuar mediat aktivizuan alarmin për një ngjarje që pak kush e ka pritur se do të mund të ndodhte dhe që në asnjë mënyrë nuk do të guxonte të ndodh në një shtet normal. U dha alarmi se qytetarët e Kosovës një kohë të gjatë në vend të bukës po hanë krunde dhe merre me mend deri me tash kemi vetëm një deklaratë të të parit të qeverisë se kërkon një informacion lidhur me këtë dukuri si dhe të ministrit për financa që, po ashtu, kërkon të njëjtën gjë. Ky reagim i vakët i institucioneve të shtetit vetëm sa e forcon edhe më fuqishëm dyshimin së në këtë “ krim” janë të përzier edhe profile të larta të shtetit të Kosovës. Po e them këtë se po të ndodhte në ndonjë shtet tjetër një dukuri e tillë jam i sigurt se do të aktivizoheshin e gjithë aparatura kompetente për të hetuar në detaje prejardhjen e grurit dhe përbërjen substanciale të këtij ushqimi që, në rend të parë, e përdorin qytetarët e vendit tonë. Ndoshta ka filluar të punohet diçka në këtë drejtim, mirëpo kjo nuk është transparente karshi qytetarëve të cilët tash e disa ditë jetojnë e presin në panik se çfarë mund të ndodh me ta për shkak të përdorimit të këtij lloji gruri për ushqimin e familjeve të tyre. Pavarësisht se këto mund të jenë supozime, megjithatë, kjo nuk është shaka dhe institucionet e shtetit duhet që për çdo ditë të japin informacione se çfarë është duke u punuar dhe deri në çfarë shkalle kanë arritur hetimet e para në këtë drejtim.
Pse shukat prokuroria?!…
Pos inspektoratit përkatës që duhet të punojë natë e ditë për të hedhur në dritë të vërtetën e hidhur për këtë dukuri të papresedan, për mua është e pakuptimtë se përse deri me tash nuk është aktivizuar edhe prokuroria, policia dhe organet tjera kompetente. Të thuhet se qytetarët në vend të qumështit të lopës po përdorin qumësht pluhur dhe në vend të bukës po hajnë krunde, ndërsa në anën tjetër këto organe nuk e ndërmarrin asnjë hap, kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Prokurori i ri i shtetit pas zgjedhjes së tij në këtë post ët lartë, bukur shumë i dha “ zjarr” se do të punoj shumë në çrrënjosjen e shumë dukurive negative që janë prezente pothuajse në të gjitha poret e jetës dhe të punës, mirëpo mos aktivizimi i tij, përkatësisht qëndrimi i tij inferior karshi kësaj dukurie mjaft serioze, lë shumë për të dëshiruar se ai do të jap kontribut të rëndësishëm në këtë fushë . Puna dhe aktiviteti i Prokurorisë së shtetit në këtë moment do të duhej të përqendrohej edhe në punën, përkatësisht lëshimet që janë duke u bërë në doganë nga kuadro të larta, të cilët nuk e bëjnë pa u shpagua nga firmat e mëdha, sidomos nga ato që kanë monopol në shumë fusha të veprimtarisë ekonomike. Një fjalë popullore thotë se të keqes duhet me i ra në kokë për ta zhbë, ndërsa institucionet dhe organet kompetente të shtetit të Kosovës duhet merren me njerëzit e “ fort” që vendin e kanë sjell buzë greminës. Kjo mund të ndodh vetëm nëse ka guxim e vullnet. Ndryshe perspektiva për një jetë më të mirë e më të shëndetshme për qytetarët tanë dukët mjaft e zymtë.
Sa paguajnë devollët tatim për dhjetë mijë të punësuar?
Në një reagim të vëllezërve Devolli, të cilët mirëpresin një hetim për këtë alarm të ngritur, e thanë edhe këtë se më këtë “fushat” që po bëhet po rrezikohen të ardhurat e dhjet mijë familjeve në Kosovë. Kjo mund të kuptohet se në kuadër të kësaj kompanie janë të punësuar dhjet mijë punëtorë. Edhe këtu ka hapësirë për të hetuar se a kanë të gjithë këta të punësuar kontrata të punës dhe apo e paguajnë të gjithë tatimin e obliguar në të ardhura personale. Apo ndoshta shumë prej tyre punojnë në të “zezë” duke iu shmangur obligimit që kanë ndaj shtetit.
Dhe krejt në fund: Qytetarët e vendit tonë nga fillimi i këtij viti u ballafaquan me dy dukuri mjaft të rënda dhe të papërballueshme. E para ishte braktisja e mijëra familjeve në vendet e perëndimit , ndërsa e dyta “afera” e grurit dhe qumështit. Inshalla nuk ndodh edhe ndonjë ngjarje tjetër që do të fut panik e pasiguri tek qytetarët tanë. E mira e së mirës do të ishte që qeveria dhe organet e saj të jenë më transparente, sepse tek e fundit ata janë të obliguar edhe me aktin më të lartë të vendit- Kushtetutës që të punojnë për të mirën e vendit dhe prosperitetin e qytetarëve të saj. Përkundër këtij obligimi reagimi ishte mjaft i vakët. Të shohim se çfarë mund të ndodh në ditët në vijim…

Filed Under: Analiza Tagged With: i institucioneve, Reagim i vakët, të shtetit, Xhavit Citaku

KERCENIMI I PUTINIT NDAJ STABILITETIT TE KUFIJVE EUROPIAN ESHTE SHUME I VERTETE

February 23, 2015 by dgreca

Nga Liam Fox/*
Perktheu per Diellin- GJON KADELI/
Kriza e tashme ne Ukraine asht pjese e nji procesi te vazhdueshem, qe asht zhvillue gjate vjeteve te fundit. Besimi qe duket se ka Kremlini, se Ruset qe banojne ne vende te tjera, duhet te mbrohen nga nji force e jashtme, asht plotesisht e paperputheshme me ligjin nderkombetar.
Rusia ka perdorun konfliktin ne Ukraine, per te provue, sisteme te reja armesh, ne token e Ukraines. Aneksimi i Krimes me force, e ka afrue mundesine e nji ballafaqimi ushtarak ne Europe, ma afer, se asnjihere ma pare, qe nga koha e perfundimit te Luftes se Ftohet.
Vazhdimi i pjesmarrjes se forcave Ruse ne Ukraine, e shton edhe ma teper, tensionin ne ate zone, dhe duhet te shikohet, si nji paraljmerim, edhe nga ata njerez, te vendeve Perendimore, qe mund te simpatizojne Putinin.
Kriza e tashme ne Ukraine, nuk asht nji rast i vecante,por nji pjese e nji procesi te vazhdueshem disacjecare. Tuej vazhdue keshtu, Rusia, nuk po rrespekton, rregullat dhje normat nderkombetare, te cilat cdo shtet, asht angazhue t’i respektoje Doktrinat e Luftes se Ftohet:
E para e ketyne asht, se Putini ende vazhdon te zbatoje doktrinat e Luftes se Ftohet; gjana keto,qe e cojne ate drejte nji perpasjeje me vendet e botes se lire. Ne menyre te vecante, perdorimi i vetos, lidhun me politiken e jashtme dhe te sigurise, persa u perket, vendeve
te tija fqinje, asht nji mbeturine, te ciles i ka kalue koha.Ose te
pakten duhett’i kete kalue.koha.
Shume prej ish-shteteve satelite sovjetike, si per shembull Polonia,ose shtetet Baltike, u kthyen ndaj Perendimit, pikerisht, sepse ato besuen se shtetet sovrane, duhet te jene te lira, te vendosin vete per fatin e tyne. Ky asht nji koncept qe Ruset nuk e pranojne, dhe
arsyetimi qe Putini perdor, per veprimet e tijane Ukraine.
Ukraina shqyrtoj mundesine, per marredhanje ma te ngushta, politike e ekonomike me Bashkimin Europian. Kete gja Putini nuk e pranoj, dhe si rrjedhim, pushtoj Krimene, qe ishte pjese e Ukraine, shtet sovran. Gjithashtu, besimi qe duket se ka Kremlini, se Ruset etnike,
pavaresisht se ku banojne, duhet te mbrohen, jo nga ligjet, ose kushtetutat e vendeve ku banojne, por nga nji force e jashtme, domethane nga Rusia. Nji gja e tille, asht krejtesisht ne kundershtim me ligjin nderkobetar. Asht ky ndryshjim themelor, qe e bane, dhe do
te vazhdoje t’a baje, shume te veshtire, normalizimin e marredhanjeve ndermjet Rusise dhe Perendimit.
Kryengritesit qe perkrahen nga Rusia, kane nji sistem mjetesh mbrojtese, dhe nji program stervitjesh dhe manovrash, te organizueme nga Rusia, ku perfshihen ma se nji mije instruktor Ruse.Kjo gja duhet t’i jap shejin Perendimit, per rrezikun qe i paraqitet.
Do te ishte gabim te pretendohet, se kjo gja, ka te baje, thjeshtesisht, me sovranitetin dhe mireqenjen e popullit Ukrainas.
Pavaresisht se sa me randesi, asht kjo gja; pergjegjeja ndaj krizes ne Ukraine, asht ne pjesen ma te madhe, besueshmenia ndaj Perendimit, dhe ne menyre te vecante NATO-s.
Kercnimi i Putinit ndaj kufijve te Europes asht i pamohueshem. Nga zona e Baltikut e ne Balkan, e deri ne pjesen jugore te Kaukazit, Rusia po siguron baza te randesishme specifike, nga te cilat mund te distabilizoje NATO-n. Prandaj NATO-ja duhet te marri kundermasa, per
te mrojtun kufijte e saj.
*Liam Fox asht nder te tjera edhe antar i Parlamentit Britanik

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Kercenimi i Putinit, Liam Fox

Ku jeni dhe ku ishit ju Akademikët!?

February 23, 2015 by dgreca

Nga Asllan BAJRAMI/
Për çudi këtë gjendje aq dramatike , aq të nderë dhe të mjerë nuk e kanë parë kurrë akademikët tanë ?
Kosova ma morri epilog dramatik në të gjitha fushat. Ne derën e Kosovës po troket varfëria pasiguria korrupsioni dhe degjenerimi? Reaguan dhe protestuan gazetarë , publicistë, analistë qytetarë të thjesht ,ish ushtarë , veteranë , arsimtarë , xehetarët,studentët, punëtorët me pakënaqësi dhe peticione me kërcënime dhe letra të hapura dhe ma në fund me shpërngulje masive etj .Në mënyrat e veta reaguan edhe vet populli me protesta , si veprim i mos mundjes së përballimit të një krimi të organizuar që ushtrohet ndaj tyre, ma jo nga pushtuesit e huaj , jo ma nga Serbia , po pikërisht nga pushtetarët tanë që e kapën shtetin më dhunë që ma e qitën në buzë të greminës së shkatërrimit. Populli e zgjodhi rrugën e mërgimit !!! Për çudi këtë gjendje aq dramatike , aq të nderë dhe të mjerë nuk e kanë parë kurrë akademikët tanë .Se kanë vështruar kurrë me ndonjë sy kritik që është dashur ta shohin. . Dihet se pushtuesit turko-sllave, asnjëherë në historinë e këtij populli s’ka lejuar shkolla shqipe , pos mejtepeve dhe shkollave në gjuhen turke e sllave sa për ti verbuar .
Përse Akademia e Shkencave të Kosovës nuk konsultohen me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për interesat e Kombit?
Shqiptarët kemi vuajtur për njerëz të mençur intelektual, po ashtu edhe për akademik e lartpërmendur?. Dija e këtij populli dhe njerëzit e saj të dijes me vështirësi të mëdha dhe sakrifica u përfituan!.Populli e dinë shumë mirë, se këta akademik se me ç’far kostoje i kanë kushtuar t’i shkollojnë si kuadro për shërbimin e tij. Këtyre kuadrove ju gëzuam se i konsideronim si profet te kulturës sonë që do t’i prinin shkencës kulturës dhe ekonomisë , po pse jo edhe politikës. Parafrazuam dhe u thirrem në akademiket e profileve të ndryshme që do të jenë zëdhënës në fusha e tyre për zhvillimin dhe avancimin e këtij populli. Kemi prit që do të prezantohen me programe zhvillimore ne fushën e arsimit,artit , kulturës , ekonomisë, shkencës ,po edhe parametrave politike që Kosova ka gjithnjë një agjendë të ngjeshur lokale , ballkanike dhe ndërkombëtare si pasojë e padrejtësive shekullore qe iu bënë këtij populli. Gjithmonë ka mbetur të udhëhiqet në njerëz të profileve të mangëta si në profesionalizmin adekuat, po edhe në mungesën e arsimit të duhur!!!Për tu çuditur për këtë temë me nxiti një artikull nga zoti Mehmet Kraja me titullin “KU ISHE TI, ADAM”? Zoti Kraja , por mos me elaboruar përmbajtjen e tij në detale ishte një shkrim i kohës që përfshiu gjendjen aktuale në Kosovë , bile edhe reale. Por lind pyetja perse gjithë kjo neglizhencë ? Përse gjithë kjo përgjumje ? Përse gjithë kjo papërgjegjësi nga akademikët si kuadro qe është dashur të jenë në ballë të oxhakut… Përse Akademia e Shkencave të Kosovës nuk konsultohen me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që edhe atje është një skandal politik dhe ekonomike nga mungesa e njerëzve të arsimuar që të kenë dorë në shtet, në ligjet e tij , në rregullat e tij! Përse Akademia e Shkencave të Kosovës nuk e ngriti asnjëherë zërin e vet nga një varg dramash dhe fatkeqësish që e përcollën Kosovën në periudhat e gjenocidit serb , po edhe nga vetëvrasja që o i kanoset këtij populli nga “bijtë e vet” ?.
Ku jeni ju akademikët me rastin e fundit të shpërngulja së popullatës nga Kosova, sulmit në universitet, dhe bastardimi që i bëhet kulturës sonë???!!!…
Përse kjo Akademi nuk e ngriti zërin në skandalet politike gjatë zgjedhjeve qe u zvarriten mese 6 muaj ditë në Kosovë ?. Ku ishit ju akademik kur Universiteti i Prishtinës sulmohet pa mëshirshëm nga qarqe politike dhe nuk reagoni fare???. Ku jeni ju akademik me rastin e fundit që morri përmasa të mëdha shpërngulja e popullatës nga Kosova ???!!!… Ku jeni dhe ku ishit ju akademik që nuk i dilni zot atdheut me ndonjë kumtesë , rezyme, apo deklaratë politike qe Kosovës po i mihet varri nga Serbia në bashkëpunim me tradhtarët dhe kuisling mercenarësh kumbargji të sajë!?.Ku jeni akademik qe “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” e keni lënë me një fond të vogël fjalësh pa u përfshirë në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” ?. Ka fjalë që na i kanë marre pushtuesit dhe nuk qetë të zot me dalë me ndonjë kongres të veçante që të sqarohen këto (vlera të gjuhës sonë shqipe)!. Ka me mijëra fjalë që populli i flet dhe i përdorë në të folmen e përditshme , ndërsa ju si keni fut në thesarin dhe fondin e gjuhës tonë shqipe. Ku jeni ju “Akademik” që pran syve të juaj bastardohet gjuha dhe kultura jonë nga barbarizma të huaja dhe sot në “Administratën e Kosovës nuk shkruhet gjuha e drejtë shqipe”!?.
Ku jeni dhe ku ishit ju Akademikë, që pranë syve të juaj sot për sot “Parlamenti i Kosovës” është plot gjysmë analfabet?
Ku jeni dhe ku ishit ju Akademikë që pranë syve të juaj sot për sot “Parlamenti i Kosovës” është plot gjysmë analfabetë që edhe një proces verbal nuk dinë ta mbajnë e lëre ma të udhëheqin sektore të ndryshme politike ekonomike dhe shkencore!?. Ku ishit ju Akademikët që pran syve të juaj u rrezikuar “Qenia kombëtare nga forcat islamike të prirë nga Analfabet hoxhallarë dhe përfitues të parasë në emër të fesë” që me mijëra shqiptarë ikën për Siri dhe vdiqën atje pa kurrfarë parimi!!!???… Kurrë zëri i juaj nuk u ndie as qe u ngrit për këtë fenomen të shëmtuar dhe antikombëtar ?.
-Është për tu çuditur se si asnjëherë nuk dolët me ndonjë kumtesë lidhur me “Arkeologjinë e Kosovës” që është në buzë të greminës nga tip çobanesh dhe abuzantësh e lëre që të bëjnë ndonjë veprim që duhet të behët, sepse çdo kërkim që bëhet të qon në “Zbardhjen e etnitetit tonë autokton dhe kombëtar”! . Përse nuk dolët me ndonjë kumtese shkencore të hiqen mitet serbe mbi te kaluarën e rrejshme siç janë “Kishat serbe të ndërtuara dhe të shndërruara mbi themelet e kishave shqiptare”!?. Mos i ikni qëllimit që të ngrihet e vërteta historike e këtij kombi që i dha shumë vlera botës nga vetja e vet . Me mos u pajtoni me historinë e rrejshme që e shkruan sllavët kundër nesh !. Ku jeni ju dhe ku ishit, kur muzika shqiptare po zhduket nga kiçi i zhanreve të huaja deri edhe nga ajo gjuha rome me tallavanë e tyre pa kurrfarë vlere për shqiptarët ?.
Përse jeni ra dhe bërë vegël e politikës ditore si Rexhep Qosja dhe Adem Demaçi?
Përse jeni përçarë kështu në mes vete që ju jeni shtresa ma e lart e kombit ?. Përse jeni ra dhe bërë vegël e politikes ditore si shembuj konkret kemi Rexhep Qosjen që gur e dru gjuan në njërin krah politik dhe e përkrah tjetrin krah. Edhe zoti Adem Demaqi , po ashtu qe e kemi pasur ideal ,profet , frymëzues të çështjes kombëtare .E tash ???…
Qe të dytë kaluan në disa pozicione politike si tranzitorë në partitë e tyre politike ???. Që të dytë shpesh dalin me deklarata skandaloze, që vërtet i zbehin figurat e veta. Zoti Bacë Adem Demaçi , po e njollos veten e vet , por edhe neve ish të burgosurve politik me aq pa pjekuri në deklaratat e tij të pa matura!!!???… A thua deri kur kështu? Përse “Akademia e Shkencave të Kosovës” nuk merr model “Akademinë e Shkencave të Serbisë ” që as një rezolutë nuk e lëshon Beogradi zyrtar pa u këshilluar me akademikët e vet. Le të mbetet ky shkrim si thirrje e rastit përmes zotit Mehmet Krajes që u bë shkas i kësaj teme që na përkujtoj t’i zgjojmë Akademikët tanë nga amullia dhe përgjumosja. Le të ndërgjegjësohen dhe le të bashkohen të dy Akademitë e Shkencave ajo e Tiranës dhe e Kosovës , që të konsolidohen dhe të punojnë për të mirën kombit tonë të shenjtë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asllan Bajrami, ju Akademikët!?, Ku jeni dhe ku ishit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 838
  • 839
  • 840
  • 841
  • 842
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT