• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndërtimet pa leje në Shqipëri dhe Kosovë,ana tjetër e medaljes

December 9, 2014 by dgreca

Nga arch.Ylber Vokshi-Ylli/Prishtine/
I lejuam banorët me dekada të ndërtojnë pa leje ndërtimi,ato ndërtime shiheshin,prekeshin,bëheshin haptas,pengonin. Ku ishin organet shtetërore e të dy niveleve,që lejuan që kualiteti i jetës urbane në qytetet tona të degradohet të varfërohet në masë të madhe. Tani me disa ligje pretendojmë të vendosin rend dhe rregull në sferën e ndërtimeve,si pjesë integrale të Planifikimit hapësinorë dhe atij urban-rural të territorit,që qeverisën në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës. Dilema ma e madhe është se si të veprohet me këto ndërtime në këto vitet e “tranzicionit” si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë,që po zgjat pak si bukur shumë,si pjesë e ndryshimeve të mëdha politike dhe ekonomike në të dy anët e kufirit shqiptaro – shqiptar.
Është evidente se kjo situatë urbane është bërë e pa durueshme,që moti ka kaluar koha që duhej ndërmarrë hapa konkrete me e ndryshuar atë. Mos të kemi iluzione se atë çka e kemi toleruar me dekada mundemi ta ndryshojmë shpejtë me ndonjë “shkop magjik”. Jemi të gjithë ne fajtorë,sipas nivelit të përgjegjësisë,që lejuam të krijohet kjo anarki me ndërtime apo fashizëm urban,të cilin duhemi sanuar !
Të detyruar nga presionet e ”miqve”ndërkombëtar për të pasur rend dhe ligjshmëri në shtet,u aprovuan ligjet për “Legalizimin,urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” në Shqipëri,gjegjësisht në Kosovë “Ligj për trajtimin e ndërtimeve pa leje” në vitin 2013. Për hire të vërtetës ky ligj në Shqipëri është aprovuar dhe ka filluar me u zbatuar që në vitin 2006,kurse në Kosovë është funksionalizuar pas pesëmbëdhjetë (15) vite,tek në muajin korrik të vitit 2014,edhe se versionet e para të ligjit ishin të gatshme para dhjetë vite (2004),por nuk kishte “gatishmëri politike” pasi interesat klanore dhe përfituese dominonin.
Ekziston bindja se mos të ishte ultimatumi i bashkësisë ndërkombëtare, për ti plotësuar disa kushte elementare,këto ndërtime pa leje do të vazhdonin si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ashtu iu konvenonte qarqeve të caktuara pasi sfera e ndërtimit sjellke përfitime marramendëse materiale,fare pa u brengosur për atë se çka po ndodhë në hapësirën e tyre që e qeverisnin. Kjo mënyrë e ndërtimeve pa Planifikim Hapësinor dhe Urban,sot ka filluar të iu hakmerret edhe ndërtuesve pasi ka filluar të shfaqët NGOPJA e tregut,posaçërisht në sferën e banimit. Më duhet të theksoi se humbësit ma të mëdhenj jemi të gjithë ne që jemi të detyruar të jetojmë në këto hapësira.
Duhet theksuar se në maj 2014 në Kuvendin e Shqipërisë është aprovuar një ligj për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit ekzistues të vitit 2013. Ka këtu ca ndryshime dhe plotësime LIBERALE dhe shumë ma realiste për tu aplikuar legalizimi i objekteve. Duke marrë parasysh specifikat dhe mentalitetin e shqiptarëve të Kosovës,paksa dyshoi në suksesin e zbatimit të legalizimeve,në formën se si është paraparë të bëhet. Domosdo duhen pësuar ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual ashtu si ka ngjarë në Shqipëri,
Se do të ketë reagime të ndryshme të kontrolluara dhe të pa kontrolluara po vërehet nga tereni këto ditë në Shqipëri, pasi ka ri-filluar të zbatohet ligji i legalizimeve të objekteve të ndërtuara pa leje,si dhe fillimi i legalizimit në Kosovë. Rrënimet e objekteve të ndryshme jo-banimi pos që kanë koston e vetë financiare e kanë edhe humbjen e vendeve të punës,në kohën kur papunësia është shumë e madhe.
Një dukuri tepër shqetësuese është prezent në Shqipëri këto ditë pasi ka filluar aksioni i rrënimeve,ai është politizimi i skajshëm i procesit i cili kurrsesi nuk duhet të vazhdoi. Nuk duhet lejuar që ky proces të kthehet në hakmarrje tipike ballkanike,ku dominojnë pasionet e ulëta klanore apo partiake,edhe përdorimi dy standardeve, për shembjen e ndërtimeve pa leje është i dëmshëm. Një herë e përgjithmonë duhet me u udhëhequr me interesin e përgjithshëm,që ma në fund të ketë rend dhe ligjshmëri për të gjithë në fushën e ndërtimit. Në Kosovë ende nuk ka filluar kjo fazë,uroi që të mos ndodhe ky fenomen e te mbushemi mend nga ndodhitë në Shqipëri.
Në rregull ligjet e legalizimit u aprovuan ashtu si deshën vendimmarrësit,në Kosovë munguan grupet punuese me profesionistë,edhe diskutimet publike me qytetarë,por nuk do të kthehemi pas,kryesore është se si do të zbatohen këto ligje. Në Shqipëri u vërejt se vetëm zbatimi i verbër i ligjit është shumë i dëmshëm,duhemi të iu përshtatemi rrethanave ekzistuese në teren. Qasja REALISTE ndaj situatës të cilën vetë ne e kemi lejuar të krijohet me vite dhe dekada,mekanikisht nuk mundet të zgjidhet duke u thirrur në disa ligje që janë kopjuar nga ekspertizat e shteteve tjera,që nuk kanë asgjë të përbashkët me mentalitetin dhe filozofinë jetësore të shqiptarëve. Ky është gabimi ma i madh që është duke ndodhur në Shqipëri e shpresoi se nuk do të përsëritët në Kosovë.
Shkaktarin kryesor të ndërtimeve pa leje nuk duhet kërkuar vetëm në kushtet e vështira të jetës, për të siguruar “kulmit mbi kokë”, por në paraqitjen e një kategorie njerëzish të ashtuquajtur “profiterë ndërtimi” të cilët për interes të tyre material, në mungesën e funksionimit të shtetit ligjor kanë vepruar haptas. Shkaktarët tjerë të kësaj dukurie,pos atyre objektive,duhet kërkuar edhe në filozofinë jetësore të popullit shqiptar, i cili ende nuk po din të iu nënshtrohet rregullave urbane të jetuarit në qytete,edhe tendencave fataliste për të imponuar mënyrën e jetës nga mjediset e tyre provinciale janë për çdo kritikë. Ajo çka është e domosdoshme është përshtatja e mënyrës së jetës në mjediset urbane (qytetet) çka është “thembër e Akilit” për ata, jo se nuk munden por nuk iu lejon ajo egoja primitive e kultivuar tek ata me shekuj. Pa dyshim se ky është proces shumë i vështirë i cili kërkon vullnet dhe angazhim të mirëfilltë profesional dhe gjithëpërfshirës e të gjitha faktorëve vendimmarrës në të dy nivelet shtetërore,atë lokal dhe qendrorë.
Tek tani po vërehen pasojat e këtyre ndërtimeve,pasi qytetarë me metoda korruptive janë “detyruar” të ndërtojnë në ketë mënyrë. Askush nuk është i marrë që të humb kapitalin e vetë nëse do të iu ishte mundësuar të ndërtojnë me leje,duke i paguar të gjitha detyrimet ligjore (taksat),të cilat në shumicën e rasteve edhe i kanë paguar,por jo në arkën e shtetit por në xhepat e sekserëve të ndryshëm që u shfaqen si ndërmjetësues apo “përfaqësues” të organeve vendimmarrëse.
Çka është ma turpëruese të gjitha këto ndërtime kanë zgjatur me vite dhe dekada,e zëri i arsyes i manifestuar me reagime publike me protesta dhe demonstrata paqësore mungoi. Profesionistët e ndryshëm,intelektualët e pastaj edhe shoqëria civile,është dashur të ndikojnë tek vendimmarrësit,që lejimi i këtyre ndërtimeve do të jetë i dëmshëm për tërë shoqërinë. Për fatin e keq të të gjithë neve këto reagime,pos rasteve të rralla pa ndikim,kanë munguar,jemi pajtuar të jetojmë jetën urbane të varfër të krijuar në të dy shtetet.
Procesi i legalizimit nuk do të duhej të ishte obligim ose privilegj e ndonjë grupi të interesit apo e ndonjë partie politike,ky është problem i tërë shoqërisë tonë. Qëllimi përfundimtar nuk duhet me qenë rrënimet masive të objekteve pa leje,e posaçërisht të atyre të banimit të cilat janë të mbrojtura me konventa ndërkombëtare. Kjo dukuri e shëmtuar,jemi të vetëdijshëm,do të ketë pasoja të rënda në proceset socio-demografike,mbrojtjen e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore,për atë është i domosdoshëm çrrënjosja e fenomenit me metoda demokratike,pa dhunë,me punë dhe vetëm me punë profesionale.
Disa metoda të legalizimeve u treguan efektive në botë në kohëra të ndryshme,ato u anashkaluan në të dy shtetet tona,përse nuk u bënë hulumtime ma detale ? Rrënimet nuk janë zgjidhje,ato duhet të bëhen vetëm në rastet ekstreme. Duhet të pajtohemi me fatin tonë,duhet me iu treguar gjeneratave të ardhshme se si kemi jetuar,vepruar e besa edhe toleruar shumë çështje urbane që nuk duhej bërë. Nuk duhet lejuar që shoqëria jonë (shteti) të pësojë edhe ma shumë materialisht me rrënime. Jam i bindur se gradualisht do të vinte vetë te ndërrimi i titullarit të pronës, e në një mënyrë do të ndëshkoheshin të gjithë ata që nuk i respektuan ligjet e ndërtimit të kohës.
Uroi që kjo formë,e papranueshme nga aspekti profesional,të zgjidhjes së problemeve të ndërtimeve pa leje,bazuar në ligjet e legalizimit,të jenë të fundit. Kjo shoqëri duhet të frymoi dhe respektoi të gjitha ligjet aktuale të fushës Planifikimit Hapësinor (të territorit) dhe Urban, dhe së në të ardhmen të ndërtoi sipas normave dhe standardeve të ndërtimit,ashtu si vepron e tërë bota e civilizuar.

Prishtinë arch.Ylber Vokshi-Ylli
09.12.2014 arkitekt i pavarur ylberv1@yahoo.com,
ylberv@gmail.com,

Filed Under: Analiza Tagged With: ana tjetër e medaljes, Ndërtimet pa leje në Shqipëri dhe Kosovë, Ylber Ylli

Serbia, serbët dhe “fillimi“ i njerëzimit!

December 9, 2014 by dgreca

Nga Fahri Xharra, Gjakovë/
Të lundrosh nëpër librat , gazetat , portalet serbe do të thot të futesh në një botë e cila të magjeps me imagjinatën e tyre në kërkim të asaj që as në ëndërr nuk e kishin parë kurrë.
Më kujtohet sllogani sheshelian i vitëve të 90-ta: “ Srbia do Tokia “ ( Sërbia deri në Tokio ) dhe i cili i shërbente politikës serbe të kohës që të bind popullin e tij se ata luftojnë për një çështje madhore , se me ata ka “filluar “ njerëzimi të frymon.
Ajo që më intereson është se nga vie i tërë ky guxim serb për shtrembërim , fallsifikim dhe të njejtën përvetësim të një historie të lashtë , së cilës kohë kurr nuk i kanë takur.
Deri sa me data dhe dokumenta është e vërtetuar se ata : ““Serbët në të vërtetë kanë origjinë turke. Kanë prejardhje nga fisi turko-avar”. Rreth shekullit VII, ata me shumë fise tjera turke kaluan lumin Danub dhe u vendosën në krahun e djathtë të rrethinës të Smedereves. Ishin si të gjitha fiset turke nomadë dhe kalorës. Z . Rizaj, thekson: “As emri serb nuk ka origjinë sllave”, është emër profesioni me etimologji iraniane-turke”. Ai pastaj shton: “Serbët para se të vendoseshin në Ballkan kanë qenë mercenar në shërbim të sundimtarëve iranian, dhe si mercenarë edhe erdhën këndej parit. Ky status i këtyre kalorësve-avar në ambientin e ri të Ballkanit u garantua edhe nga perandorët bizantin. ”
Por jo ata e thënë këtë: “ Serbët në kuptimin e vërtetë të fjalës janë një popull icily u zhvillua nga ashtuquajturi.” Civilizimi i Nëndanubit ( 6 000 vjet paraKr.) dhe u zgjerua deri në Indi ( 2 000 vjet paraKr ) i cili duke i falemnderuar shndërrimeve gjuhësore e ndërroi emrin nga Serbind-Sirvind në Vind , dhe se sipas kësaj dhe këtij populli edhe India e morri emrin e saj (Vindia) / Vindët flitnin gjuhën para-sllave e cila gjuhë quhet gjuha Sanskrite. “. “Pra imperatorial serbe , gjegjësisht ajo para-sllave gjatë vitëve 2000- 1500 paraKr shtrihej nga Atlantiku e deri në Indi” ( Historiani Jovan Deretiç). Në të gjitha ato vende qenkan gjetur vendet e shenjta kushtuar Zotit të Diellit , toponime serbe dhe gjurma serbe në gjuhët e vjetra të kohës.
Sipas tyre ,për shkak të shpërndarjes së tyre të madhe Serbët qenkan “ndarë” në tri tërësi tjera si (1) Serbët e Ballkanit ( Pellazgët, Ilirëy dhe Thrakasit ) , gjithëse si para helenëve.Arkeologu serb Djordje Jankovic paska gjetur poçeri sllave tek Dinarikët e izoluar ehde para ardhjes së sllavëve ( serbi ,prije serba)
(2) Serbët e Apenineve apao rashkasit ( Etruskët) të cilët u zhdukën nga sulmet latine si dhe (3) Serbët Indo-Iranian të njohur si Vindët, Vendët , Venedët apo Venetët.”
Një dikush, me emrin E. Bega, paraqet në shtypin shqiptar të Prishtinës dhe të Tiranës librin “Shqiptarët në botën arabe”. Autori i librit është një tjetër dikush, Dr. Mohamed Mufaku, shqiptar nga Peja, i lindur në Damask, me doktoraturë të vitit 1981 në Universitetin e Prishtinës. Siç është zakoni në paraqitjen dashamirëse të botimeve, E. Bega thekson vlerat e librit, në mënyrë të lexuesit, qofshin në Kosovë, qofshin në Shqipëri, të bëhen të ndërgjegjshëm për to. Ja pjese nga teksti i paraqitjes: “Autori na tregon qysh në fillim se midis shqiptarëve dhe arabëve ekziston një traditë e pasur që flet për prejardhjen e shqiptarëve prej vendeve arabe… Kështu, të dhëna të tilla shpalosen së pari në një histori arabe me titullin ‘Tuarih Tuaf’, në të cilin shpjegohet gjerë e gjatë së shqiptarët kanë origjinë arabe. Me vonë këto të dhëna kalojnë në burimet osmane”.
( Ismail Kadare )
“Këta venetët i pushtuan pjesët e Ballkanit , u lidhën me serbët autokton (Ilirët) dhe e vazhduan ndikimin e tyre kulturor në histori.” Për të mbetur pa mend!
Serbët ua tërheqin vërejtjen historianëve se deri në shek,20, serbët janë quajtur Ilir, sepse sipas ilologut të madh sllav qenkan të “ njohur “ 9 popuj sllav dhe gjuhët e tyre “ Rusët, Ilirët apo serbët, Sllovenët, Korotanët . Sllovakët Bohemët Sorbët e Luzhicës dhe polakët.
“Popullata shqiptare e fushës së Shkupit ndahet në shqiptarë të vërtetë dhe “magjupë” të shqiptarizuar. Ata u përkasin dy rrymave migruese, njërës që e ka prejardhjen nga Kosova dhe tjetra nga Veriu i Shqipërisë”, shkruan gazeta maqedonase.
Sipas studiuesit, migrimi më i vonshëm i popullatës shqiptare në Shkup është nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX. Ndërsa, ai shpjegon edhe emërtimin malokë, të cilin e lidh me romët e shqiptarizuar dhe në këtë kontekst, ai shkruan se nga pleqtë ka dëgjuar se ata kanë ardhur nga Fusha Kosova, Metohia, Morava e epërme dhe Drenica.
Në studimin”e tij thuhet se nuk dihet se nga ku kanë ardhur në Kosovë, malokët, por besohet se kanë ardhur nga Shqipëria e Veriut dhe janë vendosur në fushë Kosovë.
Madje në studim thuhet se ata knë lëkurë të zezë, por kanë një qëndrim refuzues ndaj bashkëkombasve të tyre romë, me të cilët i kanë të ndarë varrezat, por as nuk martohen”.
(Dr. Jovan Trifunovski )
Qenka një studjues serb Obrad Ž. Maricic i cili paska arrijtur në një “ zbulim të madh”
që civilizimi serbë është që 7511 vjet ! Në librin e tij (“Anticki zov istine” ) ai e spjegon këtë/. Kurse historiani Millosh S. Millojeviq ka zbuluar qe bota ishta nja 5800 vjet par përmbytjes së madhe.Nje Car Nino Bjelov te cilin e permend edhe shkencëtari tjetër Deretiq , e paska ndërtuar Kullen e Babilonit në atë kohë dhe se qenka serb. Serbi pra pastaj e themeloi dinastinë e cila për 150 vjet udheheqta Egjiptin/

Për të mbetur pa mend!

Filed Under: Analiza Tagged With: “fillimi“ i njerëzimit!, Fahri Xharra, serbët dhe, Serbia

BUNK – ARTI DHE MJERIMI I SHQIPTARËVE

December 9, 2014 by dgreca

”Kush nuk don t’arsyetojë është një fanatik ; kush nuk din t’arsyetojë është një trupeshk ; kush s’guxon t’arsyetojë është një skllav.”/- W. Drummond (Poet skocez 1585 – 1649)/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të jubileut të 70 – vjetorit të ikjes së ushtrisë gjermane nga Shqipëria, qe hapja e Bunk – Artit , jo për vlerën reale që paraqet ky objekt faraonik në Vendin më të varfër t’Evropës, por për faktin që ai i u bë i njohur publikut të gjërë. Së bashku me pohimin e Kryeministrit për mundësinë e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, mendoj se bëhet një hap i madh përpara, jo për të dënuar komunizmin haptas e pa mëdyshje, mundësi tepër abstrakte për formimin dhe vullnetin e klasës sonë politike, sidomos të së majtës, por së paku për të nxjerrë në dritë një pjesë të veprimtarisë së tij kriminale në dëm të shqiptarvet.
Natyrshëm në këtë rast shtrohet pyetja : a ishte kaq e rëndësishme për t’u ruajtur me kaq ngulm e fshehta e këtij bunkeri dhe ajo e sivëllezërve të tij në gjithë Shqipërinë edhe mbas një çerek shekulli të tjetërsimit të sistemit e shfaqjes në skenën politike të partive “antikomuniste” të cilat, në pothuaj 13 vjet qeverimi, nuk thanë asnjë gjysëm fjale për qënien e tyre ?
A thua se edhe “paria” e Tiranës e këtij 23 vjetori “demokracie”, i besonte tezës së Enver Hoxhës se ne jemi “qendra e botës” në mbrojtje të marksizmit e, si e tillë duhej të ishim gati të përballonim një sulm të kombinuar të dy superfuqive, nëpërmjet bunkerëve të mbirë si këpurdhat mbas shiut, mbi dhe nën tokën e lashtë të Arbërit.
Dikush mund të qeshë me këta rrjeshta, por i nënëshkruari atë argument e ka patur në akt-akuzën që i kushtoi një dënim prej 8 vjetësh privim lirie e pune të detyruar. Madje një oficer i lartë i Hetuesisë së përgjithëshme, në një ballafaqim në hetuesinë e Lushnjes, në mënyrë “dashamirëse” më tha se pohimi i im për pamundësinë e përballimit të sulmit të dy superfuqive, rridhte ngaqë un nuk njihja aftësinë mbrojtëse të Shtetit tonë.
Misteri i “mbrojtjes” nëpërmjet bunkerëve vazhdoi të zotërojë edhe në këta vite, kur bota ka ndryshuar kaq shumë e Shqipëria, si pasojë e interesave strategjike të NATO-s, sot është antare e saj. Të më falë lexuesi për parantezën vetiake që hapa, por mendoj se pushtetarët e lartë të PD-së gjatë këtyre viteve, do të duhej të jepnin një shpjegim mbi arsyet e ruajtjes së “sekretit” të bunkerëve, kryesisht t’atij që u hap në ditët e shkuara. A mos qe një sakrilegj vendimi i Kryeministrit aktual e çfarë “dëmi” i solli ai Shqipërisë së sotme ?
Duke lexuar komentet në gazeta, sidomos të ish ushtarakëve të regjimit, tejduket një farë “pezmi” për vendimin e hapjes. Madje ndonjeri prej tyre si ish Kryetari Shtetit, z. Alfred Moisiu, në një intervistë në të përditëshmen “Panorama”, mundohet të bindë shqiptarët se ai pallat trekatësh, me 501 dhoma në thellësi të tokës, me strukturë qëndruese edhe kundrejt një sulmi bërthamor, nuk ishte ndërtuar për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë !!! Është qesharak ky pohim i ish Kryetarit, që i trajton shqiptarët si një grumbull të paaftësh mendorë, me koefiçent zgjuarsie të barabartë me atë të fëmijëve të foshnjores, saqë çfarëdo pallavre t’u thuash mund t’a besojnë. Por nuk ka vetëm motiv për të qeshur në fjalët e tij, që mundohen të përligjin vendimin e ndërtimit të këtij objekti, me garën e armatimeve të shteteve të tjera. Është për të vajtuar që këto ide vazhdojnë të kultivohen ende e, për më tepër në kokën e një ish Kryetari të Shtetit demokratik.
Askush nuk ve në dyshim masat mbrojtëse që secili shtet duhet të marrë në truallin e tij, për të përballuar një agresion të mundshëm nga jashtë. Shqipëria, për historinë e saj dhe pozitën gjeografike, mbetet një subjekt mjaft i ndjeshëm n’atë drejtim. Por strategjitë për mbrojtjen kudo janë të kushtëzuara nga dy faktorë : përmasa e rrezikut që kërcënon dhe mundësitë në fushën ekonomike-financiare për të përballuar shpenzimet e nevojshme. Mbetet parësore në këtë drejtim edhe politika, sistemi i aleancave, shfrytëzimi me zgjuarsi i konjukturave. Autarkia n’atë kontekst është një lluks që pak popuj mund t’i a lejojnë vetes.
Po t’i hedhim një sy gjëndjes së Shqipërisë, të rajonit e botës në fillim të viteve 70-të, do të bindemi se rreziku imperialisto – revizionist, aq shumë i përfolur nga Enver Hoxha dhe idhtarët e tij, ishte thjesht një prodhim i fantazisë për të justifikuar mbylljen hermetike të Vendit e terrorin brënda tij. Blloku lindor e kishte kaluar tronditjen e “Pranverës së Pragës”, madje dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës nuk kishte patur asnjë kundërveprim, gjë që tregonte se rëndësia jonë për të ishte krejt e papërfillëshme. Kina, referentja kryesore e regjimit shqiptar, kish kuptuar se “revolucionet kulturore”, teoritë e Lin Biaos dhe ekstremizmi i grupit të gruas së Maos, nuk sillnin asnjë dobi në planin e jashtëm apo të brëndshëm. Drejtuesit kinezë po i hapnin rrugën hyrjes së Vendit në fushën e politikës që peshonte, nëpërmjet “diplomacisë së ping-pongut” e bisedimeve me administratën Nixon në SHBA. Lufta në Vietnam po shkonte drejt zgjidhjes paqësore, nëpërmjet bisedimeve të Parisit dhe në Ballkan nuk frynin erëra lufte.
Regjimi i Shqipërisë mundohej të krijonte një forcë autonome të komunizmit botëror, me disa grupe t’ashtuquajturisht marksistë – leninistë, nga Vende të ndryshme t’Evropës e të botës të cilët, krejtësisht të panjohur e mikroskopikë në Vendet e tyre, kishin gjetur një mënyrë të mirë financimi nga Shqipëria, duke bërë propagandë për të dhe drejtuesin kryesor të saj. Nuk di nëse ka ndonjë shqiptar të moshës së re që ka në kujtesën e tij emra si Fosko Dinuçi, Jak Gripà, Joao Amazonas, apo të tjerë “udhëheqës” të proletariatit botëror, që faleshin 2 – 3 herë në vit në teqen e Enver Hoxhës në Tiranë.
Pikërisht në këtë kohë, kur edhe ndihmat kineze në perspektivë do të ndërpriteshin, si pasojë e kundërshtimeve të udhëheqjes shqiptare ndaj “hapjes së Kinës”, kjo e fundit hartonte një plan të stërmadh për ndërtime bunkeresh e tunelesh. Nuk e dijmë me saktësi se cila ka qenë përqindja e shpenzimeve ushtarake në buxhetin e shtetit të viteve 70, mbasi askush nuk ka vendosur të heqë perden e misterit mbi to por, nga një llogari e thjeshtë vetiake mbi kostot e ndërtimeve, më rezulton se me paratë e shpenzuara për 700.000 bunkerë mbi tokë mund të ishin ndërtuar 1,4 milion apartamente banimi me dy dhoma e guzhinë. Po t’i shtojmë atyre shuma edhe më të mëdha për tunelet e nëndheshëm që mbaheshin të fshehtë, si ai i Bunk – Artit mund të përfytyrohet se sa rrugë, shkolla, spitale, qendra turistike etj. do të ishin ndërtuar në Shqipëri, sikur ato para të mos varroseshin në objekte të kota e pa asnjë dobi reale.
Sa mijra familje shqiptare, n’ato vite, jetonin duke ndarë më dysh një apartament me banjo të përbashkët, të kthyer edhe në vend gatimi. Sa mijra fëmijë që nga fillorja bënin mësim në klasa të përbashkëta, apo me dy ndërresa, sepse mungonin hapësirat e nevojshme. Sa njerëz të sëmurë vuanin sepse spitalet, një për çdo rreth, nuk kishin shtretër të mjaftueshëm, për të mos folur për aparatura bashkëkohore e barna të domosdoshme. Sa qindra km. rrugë t’asfaltuara mungonin në një Vend ku kalldrëmet ishin shumica dërmuese e lidhjeve të zonave rurale me rrugët kombëtare. Po t’i shtojmë këtyre domosdoshmërive edhe gjëndjen e mjeruar të kooperativave bujqësore, ku fshatarët punonin në një pjesë të madhe për një bukë e, në rastin më të mirë, për një kg. sheqer në ditë, do të kemi një tabllo të qartë të krimit shtetëror në dëm të popullit shqiptar, nëpërmjet shpërdorimit mizor të parave për ndërtimet ushtarake.
Z. Moisiu, si përfaqësues i kastës ushtarake, pjesa më parazitare e më e privilegjuar e regjimit, nuk mban parasysh asnjë nga këto konsiderata, kur justifikon atë politikë shkatërrimtare për interesat e vërteta të shqiptarëve. Në vend që të tregojë se cila ishte shuma e përdorur për Bunk – Artin, duke hedhur dritë mbi të vërtetën, mundohet të na bindë se se ai ishte ndërtuar jo për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë, duke harruar se objekte të tilla, në botën e qytetëruar, nuk ndërtohen afër kryeqytetit, ku rreziku i bombardimit të popullsisë civile mbetet tejet i mundshëm. Madje nuk është aspak i besueshëm pohimi i tij, duke marrë parasysh përmasat e objektit i cili, pa dyshim, ka qenë i paracaktuar për kastën drejtuese e familjet e tyre, një lloj “Arke të Nuhut”, i parashikuar për të qëndruar edhe për një kohë të gjatë, edhe nën një sulm bërthamor, që do t’i kishte kthyer të gjithë qytetarët e Shqipërisë në fosile.
Që të mos ketë ekzistuar asnjë njeri me kurajo n’atë kastë kriminale, që të kundërshtonte një program të tillë, të marrë e aventuresk, mund t’a kuptoj. Vetë fakti i asgjësimit të klasës së lartë ushtarake pa as më të voglin kundërveprim në vitet 70, tregon një mungesë të madhe karakteri e guximi dhe shkallën e nënështrimit ndaj diktatorit. Të mbrohen sot ato politika, kur mund të diskutohet lirisht mbi to, e kur arsyeja më parake nxjerr si përfundim se kanë qënë më të dështuarat e më kriminelet, përsa i përket pasojave në mjerimin e përgjithshëm, nuk është vetëm shprehje mëndjengushtësie e verbërie të pakrahasueshme, por për më tepër e një mungese të plotë të ndërgjegjes qytetare e kombëtare.
Krimi komunist nuk është përqëndruar vetëm në asgjësimin e kundërshtarëve ose të supozuar të tillë, së bashku me familjet në harkun kohor të tre brezavet. Ai është edhe hartimi e zbatimi i politikave ekonomike që e çuan popullin shqiptar në gjëndjen e bagëtisë, së cilës i kërkohej “të hante bar por të mos dorzohej” Nëse ka ende shqiptarë që bëjnë se nuk e kanë kuptuar këtë dukuri të tmerrshme të së shkuarës sonë t’afërt, shpresat për Shqipërinë evropiane mbeten vetëm një ëndërr e pasendërtueshme. Evropën duhet t’a pranojmë së pari në mendësinë tonë, në mësimet nga përvoja jonë, në prirjen për të ruajtur pjesën e shëndoshë e morale të saj e për të hedhur poshtë pa mëdyshje çdo shfaqje të trashëgimisë negative të diktaturës komuniste.
Dhjetor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: BUNK – ARTI DHE, Eugjen Merlika, MJERIMI I SHQIPTARËVE

MOS HARRONI, JEMI EDHE NE!

December 9, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/
Ndoqëm me vëmendje kremtimet me rastin e ditës së rinisë, 8 dhjetorit 1990, nga të dy anët e politikës shqiptare.. Secila anë përpiqej t’ia ngarkonte vetes së saj meritat e kësaj dite të shënuar. Për sa i përket krahut të majtë unë sot nuk dua të merrem, pasi ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë karshi kësaj force politike. E kemi të qartë pasi shohim se çdo ditë kjo forcë përpiqet të ringjallë figurat e kompromentuara të regjimit totalitar komunist. Nuk janë të rastit të ashtuquajturat kremtime të “70 vjetorit të çlirimit” me shallet e kuq të komunizmit në qafë të udhëheqësve të kësaj force. Nuk janë të rastit shfaqja e portreteve të diktatorit përkrah figurave udhëheqëse të kësaj force. Nuk janë të rastit dekorimet e figurave të tilla kriminale si Fiçor Shehu dhe tani së fundi Vito Kapo nga organizma apo individë të kësaj force. Ato tregojnë më së miri se çfarë përfaqëson në të vërtetë kjo forcë e errët politike që, për fat të keq, ndodhet në krye të shtetit shqiptar.
Shkrimi im ka si qëllim kremtimin e kësaj dite përkujtimore nga forcat e djathta shqiptare. Ndoqëm me vëmendje ceremoninë e zhvilluar nga kjo forcë politike në qytetin e studentëve. Mendonim se në këtë ceremoni duhej të ishin edhe përfaqësuesit e shtresës së të përndjekurve politikë nga regjimi komunist, gjë që nuk ndodhi. Asnjë ftesë për Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë që përfaqëson pjesën dërmuese të kësaj shtrese, me degë në të gjitha rrethet e vendit, ku dega e Tiranës, që unë përfaqësoj, ka mbi 9000 anëtarë, një shoqatë që është e vetmja përfaqësuese e vendit në Shoqatën Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit në Europën Lindore me qendër në Berlin. Përse? Harresë apo mosdashje? Le të përgjigjen, po mundën, kush ta ndiejë.
Edhe diçka tjetër, madje kjo është edhe më e rëndësishmja. Në të gjitha fjalimet e mbajtura në këtë ceremoni nuk dëgjuam gjë tjetër veçse elozhet e ngritura në drejtim të kësaj dite. Të kuptohemi. Nuk duam të errësojmë rëndësinë e kësaj ngjarje që ka hyrë në historinë e vendit tonë. Por, si nuk u kujtua ndonjeri nga ligjëruesit të përmendte edhe rezistencën 46 vjeçare që është zhvilluar në vendin tonë? Mos vallë nuk paska patur asnjë rezistencë? Mos vallë përmbysjen e sistemit totalitar e sollën vetëm ato katër ditë të revoltës studentore të vitit 1990. Një interpretim në këtë mënyrë i historisë shqiptare më duket i ngjashëm me atë që kemi dëgjuar për vite të tëra gjatë periudhës obskurantiste komuniste. Kemi parë edhe atëherë fshirjen e figurave qëndrore të historisë shqiptare dhe zëvendësimin e tyre me figura të reja sipas oreksit të sundimtarëve. Edhe sot po shohim të ngrihen në qiell figurat e reja, të pasviteve 90-të dhe të lihen në heshtje ato të rezistencës së vërtetët. A duhet vazhduar kështu?
Po e konkretizoj me shembuj konkret. Si nuk u tha gjysëm fjale për Patër Anton Harapin që në gjyqin special të komunizmit, në vitin 1945, do të deklaronte:
“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.
Ja pra ky ishte ai që etiketa shqiptare i ka vendosur epitetitn “kolaboracionist”.
Si u harrua grupi i deputetëve që guxuan të ngrihenm kundër pushtetit totalitar. Dëgjoni se ç’farë shkruhet në internet për këtë grup”
Pas shumë orë diskutimesh dhe sugjerimesh, në fund ka folur dhe njeriu me më shumë ndikim i grupit, Shefqet Beja, i cili, si edhe parafolësit e tij, është shprehur: “Zgjerimin e veprimtarisë së çetave dhe udhëzimet që morëm nga anglo-amerikanët për një zbarkim, me të shkuar nëpër qarqe do t’ua thoni shokëve dhe të fillojë një propagandë e gjerë, duke filluar me parrulla të ndryshme”. Pas tij ka ndërhyrë deputeti Selaudin Toto, i cili duket se ka pasur një besim të padiskutueshëm te aleatët e tyre antikomunistë të Perëndimit, pasi është shprehur: “Duhet të kemi besim në premtimet që na kanë dhënë anglo-amerikanët, sepse patjetër së shpejti do të kemi një zbarkim dhe do të ndryshojë situata këtu”.
Ja dhe dialogu me prokurorin:
Prokurori: – Çfarë pushteti predikonit ju?
Shefqet Beja: – Ne donim një pushtet me parimet demokratike të Perëndimit.
A e dëgjoni? Qysh në vitet e para kishte zëra që kërkonin dhe u sakrifikuan për një demokraci perëndimore që mundi të arrihet vetëm ne ditët tona.
Si mundet të harrohet grupi i ashtuquajtor i bombës në Ambasadën Sovjetike, një masakër e pa shembullt me 22 viktima të pafajshme, ku krimineli Mehmet Shehu do të deklaronte në mbledhjen e Byrosë Politike:
Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kasaruho etj, sonte ti arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre ti pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji.
Si nuk foli asnjeri për revoltën e paharruar të Spaçit ku u sakrifikuan katër martirë dhe u ridënuan shumë të tjere, revoltën që nisi më 21 maj 1973 si një kundërshtim i thjeshtë i rregullave, dhe kjo ishte vetëm një shkas për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e tij me parrullat “Ja vdekje ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katila!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan për mbi 3 ditë në taracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët. Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës së rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, megjithë dhunën dhe presionin e diktaturës. Revolta e Spaçit zgjati 3 ditë; të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, me zhgabën dykrenore të vizatuar nga i paharruari Mersin Vlashi, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; Me dhjetra u gjymtuan. Oraganizatorët u izoluan forcërisht dhe u ridënuan rreptë. Katër syresh Hajri Pasha, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Pal Zefi u pushkatuan me vendim të rrufeshëm. Plotë 18 të tjerë, Bedri Çoku, Luan Koka, Luan Burimi, Kostandin Papaj, Sali Çuni, Shefqet Gjana, Hulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Nuri Stepa, Bashkim Fishta, Agron Xhelili, Njazi Bylykbashi, Sherif Allamani, Mirash Gjoka, Refik Beqo, Gëzim Çela, Rexhep Lazri e Bebi Konomi, u ridënuan me masa ekstreme.
Si nuk u kujtua asnjë të fliste për revoltën e Qafës së Barit, ku u pushkatuan dy martirë
Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ku u masakrua deri në vdekje Sandër Sokoli dhe u ridënuan Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Haxhi Baçinovski, Vllasi Koçiu, Kostandin Gjordeni, Barjam Vuthi, Martin Leka, Lazër Shkëmbi, Hysen Tabaku dhe Ndue Pisha.
Përmenda vetëm këto raste të reszistencës antikomuniste por ato janë të shumta. Duhen faqe dhe faqe të tëra për t’i përshkruar. Unë mora ato më sinjifikativet. Është pikërisht kjo rezistencë e pakrahasuesjhme së bashku me revoltën e fundit të studentëve që solli përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Ndaj mos i ndani. Mos bini pre e grackës së mentalitetit komunist që gjysmën e shqiptarve i deklaronte “bashkëpuntorë dhe kolaboracionistë” dhe gjysmën tjetër patriot dhe revolucionarë. Mos harroni se ishin pikërisht ata që kishin si parullë kryesore “Për Liri, Për Shqipëri, Për Flamurin Kuq e Zi” nismëtarët e luftës për përmbysjen e sistemit komunist. Secili ka pjesën e tij në këtë luftë.
Ndaj ju themi:
– Jemi edhe ne që sakrifikuam jetët tona, ndaj duam të përfaqësohemi në çdo aktivitet
që një e djathtë e vërtetë zhvillon në vendin tonë. Ne do të na keni përkrah për çdo aktivitet në mbrojtje të një shteti ligjor, të së drejtës së mendimit të lirë, të një demokracie të vërtetë, pasi për atë jemi sakrifikuar. Por nuk duam të jemi një fasadë për vota në raste zgjedhjesh. Duam të jemi një faktor vendimtar, të barabartë midis të barabartëve.
Këtë mos e harroni

Filed Under: Analiza Tagged With: Jemi dhe ne, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, mos harroni, reshat kripa

HIMARA, CAMERIA DHE …Provokimet antishqiptare te Vangjel Dules

December 8, 2014 by dgreca

Provokimet antishqiptare nga Vangjel Dule pjesëtar i pakicës greke në Shqipëri dhe zoti Edi Rama që i tregoj dhëmbët për interesat ton kombëtare!/
Nga Asllan Dibrani/
Vangjel Dules (kryetar i PBDNJ-së dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë) një njeri i pakicës greke në Shqipëri, një ultra nacionalist . Shpesh provokon integritetin e Shqipërisë përmes një minoriteti fantazmë grek në Shqipëri!?.Toleranca dhe nëpërkëmbja që bëjnë institucionet shqiptare vetvetes pa u penguar ky antishqiptar mbërrini deri nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë të jetë. Një minoritar që të mohon shtetin dhe sovranitetin e tij , te jetë nënkryetar në Kuvendin e Shqipërisë, është si pasojë e vet lidershipit dhe shqiptarëve në Shqipëri!
Ne Shqiptarët ishim shumë me të mire se sa duhet ,shumë ma tolerant se sa duhet, shumë ma paqësor se sa duhet? . Sepse minoritarëve jo vetëm qe u kemi dhënë të drejta të barabarta, por sipas traditave, zakoneve e kulturës shqiptare i kemi respektuar si miq me shumë se veten, i privilegjuam me shumë se sa duhet si serbët, po ashtu edhe grekët. Nuk e kuptoj se dikush në emër të drejtave të minoritareve po kriminalizojne kushtetutën e Shqipërisë, kombin shqiptar duke zhvilluar një politike antishqiptare, me një politikë të korruptuar duke kërkuar qe me paranë e Evropës , po përpiqen të konvertojnë sa me shumë shtetësi greke në jug të Shqipërisë , pa i marrë në konsideratë shkeljet e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, po edhe te vet popullit çam . Nga kjo rrjedh se si arriti një minoritar si Vangjel Dule të jete në një post aq me peshë në Shqipëri, kur atje cenohen të drejtat e shqiptareve. Le të kujtojmë gjenocidin grek ndaj Çamërisë. I njëjti nxit konflikte në Himarë duke kërkuar të drejta, liri dhe përfaqësim më të lartë për minoritetet (sidomos për minoritetin grek në Shqipëri), kur ai si pjesëtar i minoritetit grek ka arritur të jetë, edhe Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky avaz politik u ndoq edhe në qeverisjen e Salih Berishes që një numër të madh shqiptarësh të komunitetit ortodoks i përvetësuan si grekë Athina zyrtare duke ju ndërruar emra e mbiemra. Siç duket kjo politikë dal nga dal po troket në dyert e zyrtarëve dhe qeveritarëve të Shqipërisë si përballje reale me synimet dhe provokimet serbo -greke të herëpashershme kundër sovranitetit tonë kombëtar me të cilin rast zoti Edi Rama , kryeministër i Shqipërisë ka filluar për se mbari që ta ngreh zërin kundër këtyre hordhive si ne rastin e Beogradit po ashtu edhe për rastin Himara . Ai u shpreh se nuk është problem Himara dhe jemi shembull konkret de fakto dhe de jure që flet se, liritë dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri po respektohen me konsekuencë, në shkallën më të lartë dhe në frymën e reformave, të axhenadës, të ligjeve dhe të standardeve të BE-së, si dhe të së drejtës ndërkombëtare? Zoti Edi Rama Himarën e konsideron si pjese të Shqipërisë sikurse Tropojen, Kukësi, Dibrën Gjirokastrën etj u shpreh ai ne një interpelancës diskutimi kundër … Dule , që po kërkon qiqra në hell, që nuk ekzistojnë…Himara është shqiptare… u shpreh ndër të tjera zoti Rama . Për ta ngrit zërin është për Çamërinë qe konsiderohet në një të ardhme të shkurtër të jetë një problem ballkanik dhe ndërkombëtar.


Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Provokimet antishqiptare, te Vangjel Dules

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 859
  • 860
  • 861
  • 862
  • 863
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT