• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË MALIT TË ZI

April 20, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Shqiptarët ishin “Pro” Pavarësisë të Malit të Zi herët, qyshse në ma të parin Referendum, atë të 1 Marsit 1992. Me deklarata politike e publike dhe me bojkot e votim dolën hapur kundër federalizimit në Jugosllavinë drejt shpërbërjes.
Kujtesa historike dëshmon: Në fushatën e këtij Referendumi (1992) kryeministri i atëhershëm e i sotëm, Milo Gjukanoviçi me partinë e tij të Demokratëve Socialistë (DPS), lëshonte thirrje lumnuese e kërcenuese për bashkim federal me “Jugosllavinë e Tretë” të pas Titos, me Jugosllavinë e mbetur, me mikun e tij të ngushtë Sllobodan Millosheviçin. Trevat etnike shqiptare në brigje të Adriatikut deri në liqenin e Plavës dhe rrjedhave të Moraçës e Limit ia kanë ndie Gjukanoviçit hapat e fjalët evokuese e provokuese për “lidhje gjaku me serbët, krenari për luftërat sëbashku, shtet të përbashkët me zemër të hapur…”, etj. Shoveni e diktatori Gjukanoviç shkoi aq larg e lart sa i quajti “separatistë” shqiptarët nën Malin e Zi, pasi, sipas tij, këta dashkan shpërbërjen e Jugosllavisë, etj.
Përkrah federalistit Gjukanoviç, aleate ma kryesore ishte Partia Popullore, e themeluar më 1906 në kohën e krajl Nikollës dhe e rithemeltuar më 1990, parti e cila ende sotekësajdite e mban kryemoto të saj Hymnin e Krajl Nikollës të kënduar në luftëra pushtuese e aneksuese ndaj shqiptarëve, hymn që ban thirrje për të pasë kryeqytet Prizrenin (!) E treta parti që e mbështeste fort ishte Partia Radikale Serbe e antishqiptarit pa skaj, Vojisllav Sheshel, që tevona do ishte i shumkërkuar e i dënuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Ish-Jugosllavinë.
Krejt ndryshe nga shqiptarët etnik nën Malin e Zi vepruan masivisht e aktivisht malazezë e serbë, etj. të cilët të prirë nga disa parti me frymë federaliste e prosllave, me ndikime e frymëzim edhe nga kisha ortodokse sllave në Rusi, Beograd e Çetinë, morën pjesë 66.04 për qind në votime dhe votuan 95.96 për qind e tyre “Pro” bashkimit me Jugosllavinë, të cilën tevona dashamiri me tepri i sllavëve, Havier Solana, do ta pagëzonte “Unioni Serbi e Mali i Zi” e do të thirrej si me humor politik “Solanda”.
Kontributi shqiptar për Pavarësinë e Malit të Zi duket qartë, qoftë edhe me nji krahasim të vetëm mes tri komunave “kampione” për nga popullsia e nacionaliteteve: Çetina me shumicë absolute malazeze (kryeqytet kushtetues i Fronit malazez) dhe Andrejavica, me shumicën ma të lartë serbe, votuan “Pro” federalizimit me Serbinë, përkatësisht me 95.24 për qind dhe 99.61 për qind. Ulqini, me mbi 80 për qind shqiptarë etnik, nga 15.363 banorë të rregjistruar për votim në Referendumin e 1 marsit 1992 mbi 15 për qind e tyre (2.411 vetë) ma së shumti malazezë e serbë të atyshëm, votuan për bashkim me Jugosllavinë.
2.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me pjesmarrjen masive e aktive në votim në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse pjesmarrja e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
E para: Bashkimi Europian për t’u njoft ndërkombëtarisht rezultatet e Referendumit kishte vendos kushtin “Lajçek”, i cili përcaktonte 50 për qind kufirin minimal të pjesmarrjes në votim.
E dyta, në Referendumin e vitit 1992 pjesmarrja e përgjithshme në votim ishte 66.04 për qind. Në rastin ma të keq kjo përqindje mund të ulej po të kemi parasysh se disa parti me ndikim elektoral të derisotëm si PzP (Lëvizja për Ndryshim) e Medojeviçit, LD e Bardhit, etj. banë thirrje për “neutralitet”. As “Jo” e as “Po”.
E treta: Bojktimi nga shqiptarët do të ishte problem për kritere e vlerat e Referendumit, pasi në shtetin multietnik të Malit të Zi shqiptarët etnik ishin në vend të katërt për nga popullsia.
Prapë, tjetër krahasim, me komunat me popullsi ma të madhe: Çetina, vend tradicional me popullsi malazeze deri në mbi 90 për qind, arriti në 89.7 për qind pjesmarrjen në votim. Andrejevica me mbi 65 për qind serbë (e mbi 23 për qind malazezë) siguroi 89.9 për qind pjesmarrjen në votim. Ulqini me mbi 80 për qind shqiptarë (rreth 10 për qind malazezë) kapi shifren rekord 81.7 për qind pjesmarrje në votim. Rozhaja, kryeqendër e boshnjakëve (81 për qind) ka pasë 77.5 për qind pjesmarrjen në votim.
Në këtë Referendum pjesmarrja e votuesve në Malin e Zi ishte 86.5 për qind. E kapërceu kuotën minimale të Bashkimit Europian. Pjesmarrja e shqiptarëve ishte 80 deri 90 për qind, sikurse e vet malazezëve dhe e serbëve.
3.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me votën e tyre “Pro” shkëputjes nga Unioni federalist me Serbinë në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse vota “Pro” e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
Bashkimi Europian me “kushtin Lajçek” kishte vendos një kufi të pazakontë, duheshin 55 për qind e votave “Pro” Pavarësisë për të njohur rezultatin e Referendumit, për të njohur Malin e Zi shtet të pavarur e sovran. Ndaj edhe tek një votë e vetme mund të varej fitorja e Pavarësisë ose humbja e saj.
Vota shqiptare në Referendum ishte përcaktuese për disa arsye. Së pari: struktura etnike e komunave në mes malazezëve e serbëve ishte e njëjtë: 9 me 9, sikuse edhe sot: Komuna me shumicë malazeze ishin Çetina, Danilovgrad, Nikshiqi, Podgorica, Mojkovaci, Kolashini, Kotorri, Budva e Tivari, ndërsa komunat me shumicë serbe: Andrejavica, Plevla, Zhabjaku, Shavniku, Berana, Bjellopolje, Tivat, Pluzhina, kurse në tre komunat e tjera si në Rozhajë e Plavë-Guci ishin shumicë boshnjakët e në Ulqin shqiptarët. Së dyti: mbi 70 për qind e rreth 200 mijë serbëve në Malin e Zi kishin lidhjet e veta të gjakut, tamblit, derës e pragut me Serbinë, veçanarisht në Veri, në komunat kufitare apo në afri me Serbinë e Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës. Së treti: politika unioniste me Serbinë kishte në ballë disa parti tejet aktive si Partia Popullore Socialiste, një parti social-demokrate me antarësi serbe e malazeze, e themeluar më 1997; Partia Popullore e kohës së krajl Nikolla Petroviç-Njugosh e zëdhënëse e idealeve të tij antishqiptare; Partia Demokratike Serbe, parti nacionaliste, kristian-demokrate e themeluar më 2003; Partia Popullore Serbe (tashti NOVA), parti nacionaliste, themeluar më 1998; etj. Së katërti: rezultate paraprake (sipas sondazheve) të botuara në media malazeze, ballkanike, etj. parashihnin që rreth 34 për qind e popullsisë të jenë për Pavarësinë e Malit të Zi, 31 për qind për Unionin me Serbinë dhe 24 për qind e votuesve ishin ende të pavendosur.
Nëse Mali i Zi nuk do të fitonte Pavarësinë me votën popullore të Referendumit të 21 Majit 2006, atëherë sipas Marrëveshjes së përbashkët Serbi-Mali i Zi të vitit 2003 i duhej të priste edhe tre vjet të tjera Mali i Zi për të organizuar një referendum të dytë. Kjo do të ngadalsonte zhvillimin ekonomiko-kulturor e do të vononte integrimin euro-atlantik të derisotëm në BE e NATO.
Kryetari i Komisionit të Referendumit, Frantisek Lipka, shpalli legjitimitetin e fitores së Pavarësisë të Malit të Zi me rezultat të ngushtë: mbi 55.49 për qind (55 për qind). Me një gjysëm pike diferencë. Përndryshe, për të pasë një ide ma të qartë për faktorin e faktorizimin shqiptar: 2.301 vota mbi kufirin e sanksionuar nga BE. Kësokohe, popullsia shqiptare ishte 31 mijë banorë apo mbi 5 për qind e krejt popullsisë së Malit të Zi.
Komunat në kufi me shtete ballkanike sllave patën përqindjet ma të larta “Pro” bashkimit me Serbinë: në kufi me Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës komuna Pluzhine 75.36 për qind, Plevla 63.36 për qind, Zhabjak 60.85 për qind; në kufi me Kroacinë komuna Herceg Novi me 60. 75 për qind; komuna në afri apo vijë kufi me Serbinë komunat Andrejavica me 71.89 për qind, Kolashini 57. 23 për qind, Shavniku 56.38 për qind, Berana 52. 46 për qind. Numri i shqiptarëve në këto komuna është tepër i vogël: Berana mbi 40 shqiptarë, Herceg Novi rreth 30 shqiptarë, Plevla mbi 10 shqiptarë, Kolashini e Mojkovaci dy-tre familje shqiptare, Andrejavica, Zhabjaku, Pluzhine, Shavniku asnjë shqiptar.
Komunat në kufi tokësor e ujor me Shqipërinë dhe Kosovën, që kanë popullsinë ma të madhe etnike shqiptare, kanë votue “Pro” Pavarësisë së Malit të Zi si Ulqini 87.69 për qind, Tivari 63. 07 për qind, Podgorica (përfshi edhe Tuzi-Malësi me shumicë të lartë shqiptare) me 53.22 për qind; Rozhaja 90.79 për qind (gjithë shqiptarët e atyshëm), Plavë-Gucia (si komunë–sëbashku-shqiptarët etnik e komunitetet, 78.47 për qind). Tue pasë parasysh faktin se në kit’ Referendum ndikonte edhe një votë e vetme shqiptare duhet cek edhe kontributi votues “Pro” Pavarësisë i rreth 400 shqiptarëve në komuna në brendësi të Malit të Zi si në Tivat, Budva, Kotorr, Çetina, Nikshiq e Danilovgrad.
Politikanë e analistë në dy anët e Atlantikut, personalitete zyrtare të BE, OSBE, etj., liderë malazez në Çetinë e Podgoricë deri edhe kryeministri Milo Gjukanoviçi, kanë shpreh vlerësime për kontributin e shqiptarëve në Shpalljen e Pavarësisë të Malit të Zi. Shqiptarët si territore etnike, si popullsi etnike, me votën e tyre referendare e vendimtare “Pro” Pavarësisë janë shtetformues të Malit të Zi. Shqiptarët me besën e tyre, me vlerat e virtytet e tyre, me kontributet e tyre, janë faktor progresiv në zhvillimet e integrimet e këtij shteti të vogël ballkanik, i cili në vend që t’iu jetë mirënjohës, vlerësues, bashkëpunues, po ua mohon keqas të Drejtat e Liritë Kushtetuese, po i diskriminon ashpërsisht, po i asimilon në vazhdimësi e shpërngul në tërësi nga trojet e veta etnike. Veçse diçka duhet të ketë leksion e aksiomë Mali i Zi: nuk mund të shkojë në BE e as në NATO pa Shqiptarët. Kjo po ndihet, shihet e kushtëzohet veçmas pas demonstratave kundër politikave të Gjukanoviçit të organizuara më 6-8 prill 2014 nga shqiptarët atdhetarë e demokrat në Tuzi (Malësi), Plavë-Guci e në Uashington.

Filed Under: Analiza Tagged With: MALIT TË ZI, Ramiz Lushaj, SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË

REPUBLIKA E MBIKQYRUR?!

April 18, 2014 by dgreca

(Një moskuptim i përsëritur)
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.
“Ah, sa bukur po digjet zemra e këtij qyteti të lashtë”, pëshpëriste zëshëm e gjithë gëzim Arthur Harris, gjenerali i aviacionit mbretëror britanik që, në fror të vitit 1945, dha urdhër të bombardohet Dresdeni, një ndër qytetet më kulturore të Gjermanisë. Dhe s’do ti bëhej kurrë gjyq barbarisë tij smirzezë ku gjetën vdekjen rreth 30.000 njerëz, në çastin kur metropoli hitlerian, tashmë, ishte thyer e kapitulonte. Bhy 6, Do të evokoja këtë dromcë historie, i përnxitur nga ideja e një gjykate të paralajmëruar speciale për Kosovën që përhihet në horizont. Ajo, për mirë a keq, do të ngrihet dhe shqiptarët, të pandehur e dëshmitarë, do kalojnë nëpër bankat dhe përballjen e saj. Në fillesën e këtij pohimi, ndërkaq, nuk qëndron assesi logjika e fajpranimit apo e qyqarisë që sikur do sugjëronte: le të ndodhë ajo që s’mund të sprapset dot!
Nisma është, gjithësesi, e rëndë, racialisht mosbesuese dhe revansh i fuqive të errta të Europës së nënujshme. Por ajo, si një prurje e mirë dytësore e fatkeqësisë, së paku do të provojë dy gjëra fundamentore: ose fiktivitetin e pretendimeve penale – e aherë do shplahej përfundimisht fytyra kolektive e shqiptarëve nga përshkëllima e shpifur ose ndëshkimin e krimeve reale – e aherë ata do të bënin tutje, por pa peshën frenuese të tyre në ndërgjegje a në shtetndërtimin e emancipuar politik.“Unë nuk dua asnjë lloj madhështie për vëndin tim, nëse ajo është prej gënjeshtre dhe gjaku të pafaj”, i shkruante Kamy mikut imagjinar gjerman gjatë ferrit që pat pllakosur Europën në messhkull, etikë e çmuar që mund të transponohet fare mirë dhe në hullinë e lirisë.
2.
Megjithatë, në qarkullim të ligjshëm mbeten dy pyetje të vështira e me përgjigje të pazot. E para, një Instancë drejtësie për krime lufte në ish-Jugosllavi, pra edhe për Kosovën, vijon të jetë ende mandatplotë. Në filtërin e saj defiluan mundimshëm shqiptarë që, përpjestimisht me banorësinë e përgjegjësinë, kjenë më të shumtë se ndër të gjithë fiset sllave. Po të quhej e nëvojshme ata do defilonin prapë dhe për hiret e Dick Martyt spekulativ. Ndaj, përse tani ky institucion i posaçëm gjyqësie për shqiptarë? Dhe e dyta, në mbyllje të Luftës së mbramë botërore, nuk pati një “Nyrnberg” të përzier shumëpalësh dhe as dy të ndarë e të veçantë: një për okupatorë, pra për Hessin e projekteve të shfarosjes, dhe një tjetër për çlirimtarë, pra për britin Harris apo për partizanët e qendrestarisë franceze. Kishte, logjikisht, një të vetëm: për shëmtinë arianiste!
Tragjika që shkaktuan serbët në Ballkanin perëndimor dhe përmasa e ndëshkimit ishin krejt asimetrikë. Meqë kjenë të njëllojtë për kauzën, a pati si për nacistë, një “klauzolë faji” dhe, prandaj, një “Nyrnberg” vetëm për idenë marroke të shtetomadhësisë dhe epërsisë së gjenit sërbian? A u formua, poashtu, një Komision defashistizimi që do të bënte spastrimin e shpirtërave të helmuar me dogmën groteske të “popullit qiellor”? Dhe a do të pasonte, mandej, ndalesa e forcave politike që parashestuan e nisën marshin e përtritjes së “shekullit të artë”serbian? Ai ishte i përbashkët (okupatorë e çlirimtarë) kurse frymësia e programeve ekspanduese gjallon ende fort, përfaqësuar gjithnjë nga partitë që, aherë e sot, i prijnë Sërbisë! Që këtej, sado vogëlsore të ngjajë, sikur nuk shmanget dot hatërmbetja për njëlloj dileme imorale të Europës: e rëndon, vallë, më shumë brejtja e ndërgjegjës për krimet serbe apo pendesa për dënimin e tyre?
Në Kosovë, ndërkaq, gjithçka rrjedhon ndryshe. Matet e ç’matet mijëra herë. Megjithë vonesën historike dhe vargun e pakëputshëm të të zezave, peshorja kurdiset me një delikatesë e përpikëri të lodhshme. Ndërkohë që për anglezë, pastaj amerikanë që behën nga përtejdetet, degolistë të Frontit fisnik të Rezistencës a për rusë që rrafshuan egërsisht tokat e lulëzuara pas dorëzimit gjerman, nuk pati asnjë tribunal – për shqiptarët që iu përfalen po këtij ideali dhe po kësaj të drejte, ka dy të tillë: i pari në Hagë dhe tash kjo pasrendësja e posaideuar, me selitë alternative dhe misionin e turbullt. E mendonin të mbyllur periudhën adoleshente të mbikqyrjen së pavarsisë, po, me sa duket, paskësh qenë veçse një farsë abrogimi i saj. Survejimi dorëfshehtë i krijesës së brishtë vijon në formë e format tjetër, sikur shqiptarët të jenë trollëzuar gabimisht a idhnakësisht në hapsirën ku zënë n’thua të gjithë!..
Do të ishte e mirëpritshme përndjekja e krimit, politik e ordiner, të pasluftës që ka kërrusur shumë qenien kombëtare, gati në kufi të ekzistencës. Rikëndellja nga plagët e tyre do të përjetohej si një çlirim i dytë, i vërtetë i Kosovës. Këto, e jo të paprimet e luftës që, ndonëse nuk pati presedan e as praktikë, sërish u lustrifikuan në proceset maratonike të Sheveningenit, duhej shenjuar si e keqja megashtegtuese e Kosovës së lirë. Jurisprudenca kosovare për shkak të mendësisë së trashëguar, kulturës së munguar dhe armaturës mafiokratike, nuk mund të vënte dorë të mbarë mbi asgjë. E ç’punonin, prandaj, drejtësiprerësit e zhurmshëm europianë (“Eulex”) për të zbardhur, pakësuar a pastruar ato? Apo, ndoshta, kjenë të zënë me statusin e Republikës dhe bënin politikë? Më keq akoma: mos, vallë, u bënë dhe vetë pjesë fijesh të tyre? E krejt së mbylluri: athua dhe Gjykatorja speciale të ketë përbetimin thelb e shtysë të pikësynimit të saj?
Njëmend shumë nga titajt e moteve paskolonialiste, luftëtarë të devotë të dikurshëm a figurantë uzurpatorë të legjendës së saj, janë inkriminuar, deri animalizuar keq dhe ngujimin e tyre pas grilave nuk do ta vajtonte kush. Por dyshimi (ah, dyshimi sokratik) për lojën e madhe, në të cilën, pasi tashmë Krimeja ndërroi zot, rikonsiderohet roli i djegur hegjemon i Sërbisë së kreshpërosur, lë shijen e një zhgënjimi të hidhur. Mbase përligjet, kështu, një raport, në dukje simbolik, por që dërgon larg fillin e pasojave të pallogaritshme për Europën vetë: vrasësi thirret të ngrejë ballin lartë e të ndjehet krenar, kurse viktima e tij të ulë kryet e të ndjehet me turp. E drejta e saj natyrale e lirisë kthehet, ashtu, në kundërvlerë, në atribut ilegal e të papërkitshëm me substancën etnike dhe konfigurimin gjeopolitik që lëviz e përvijohet vazhdimisht!..
Por ja, kështu duket, gati si e shkruar: shqiptarët nuk kanë një dalëzotës që, me prirje e orientim aleancash armiqësore ndaj Europës, të shantazhonin interesin e saj jetik. Janë europianistë të kulluar dhe s’kanë ku të venë. Ajo e di këtë, ndaj, veç inercies së vjetër, kjo është arsyeja që në sferat e epërme komunitare nuk vërehet një ngut për ti qasur, për ti nxjerrë nga rezervati kënetor ku janë zhytur e mbytur. Në ftoma të kalesës, mes tyre dhe saj, ka pasur shpesh marrëdhënie e përkatësi natyrshmërie, po jo rrallë dhe moskuptim të thartë. Do t’ishte fatale për të dytë, sikur ky i fundmi të hidhte sërish pëlhurëzën merimangëse të tij…
R.Kasumaj/ Berlin, prill 2104

Filed Under: Analiza Tagged With: Redpubliak e mbikqyrur, Rexhep Kasumaj

Pse çmohet shumë Kemal Ataturkun?

April 18, 2014 by dgreca

NGA FAHRI XHARRA/
Nuk më kapi as malli e as lotët nuk më shkuan kur për Atin e Turqisë lexova shumë. As pak nuk u rrënqetha sepse ai ishte me prejardhje shqiptare , e as as që më bëri syri vërr se sa i madh që ishte . Çudi ! se si nga toka e jonë dalin të mëdhenjt ,por janë të mëdhenj aty ku jetojnë. Kjo më ngacmon ! Historia është mësuesja e jetës ,jo vetëm për mua por për ne të gjithë; edhe për shkrimtarin , poetin , kujdestarin e shtëpisë , atdhetarin dhe deri te burrështetasi ynë apo burrështetasit tonë.
E lexova diku dhe më pëlqeu :” Pavaresia e Kosovës nuk është pronë e askujt . Nuk ka personazh më të rëndesishëm ose më pak te rëndësishëm. Ishte një luftë gjithëpopullore. Ishte një vuajtje kombëtare. Edhe unë jam pjesëtare e kësaj pavarësije . Si mendoni qe Pavaresia ti atribuohet dikujt . Jo! Edhe nëna qe e shihte duke ia vrarë djalin ndër sy, edhe gruaja e dhunuar, edhe fëmija qe mbeti pa prindër , edhe shtëpija djegur e lagjës sime , të gjithë janë personazhe të rëndësishme të Pavaresisë.(A.Xh.) “
Shteti apo lideri botërorë pa të cilin nuk do t’ia dilnim? Kë ta dallojme ? Europa dhe bota e civilizuar qante për ne . Edhe anglezi , francezi, spanjolli çeku, irlandezi te gjithë vuanin me ne. Ne historinë e njerëzimt Kosova ishte hollakausti i dytë. Kjo mjaftonte që edhe fuqitë ushtarake kontinentale apo ato botërore të shprehin mllefin ndaj Serbise. Nëse insistoni se cili lider , atëherë ai ishte Tonny Blairi dhe Bill Clintoni. Por a mund të mos permendet Shiraku i Francës ? Po a mundem te harrojmë Vacllav Havelin? Çdo përjashtim është tentim i mohimit të kontributit për ndihmën dhënë neve,Kosovës.Historia e Kosovës si shtet fillon me botën e civilizuar.
Dikush pyeti : Po ngjarja kryesore që i paraprinë kësaj date? Thjeshtë nuk ka datë. Kjo ishte kërkesë gjithëshqiptare që nga viti 1912 , kur na e ndanë fatin të mbetemi ndër Serbi. Nuk guxojmë ti harrojmë as ata që u shpërngulen me dhunë , as ata që pësuan deri në Luftën e Dytë Boterore. as ata që ranë gjatë asaj lufteje , as viktimat e Rankoviqit , as demonstrantet e vitit 1968, as themeluesit e Universitetit të Prishtinës, as demostrantët dhe viktimat e 1981-shit (pranëverës së Kosovës), as qindra e mijëra vjet vuajtje në burgjet e Serbisë. Thjesht¬ë asgjë nuk fillon me një datë te caktuar, Te gjithë jemi paraprijës se kësaj date.(A. Xh) “
Por, pse çmohet aq shumë Kemali , Ati i Turqëve ? Çmohet, sepse bëri shumë për Turqinë. Po ky shqiptar , bir shqiptari ne dhe të huaj si ia arriti ? Kush ia mundësoi të del në ballë të një të kaluare të errët dhe ta shndërron ate në dritë? A kishte ai lakmi personale? A i duhej pasuria familiare ? A ia dhanë atë apo e morri ? Si e bëri që nga një shtet “demode” të krijon një të përparuar ? Si ia arriti që në bërthamën e një islamizmi tejet prapanik të krijon një femër me vlera europiane. ? Pyetje shumë. Por ….
Kush ishte Ataturku dhe pse është i rëndësishëm për popullin Turk? Po e përsëris pse është i rëndësishëm për popullin Turk? Për ne aspak. E as mos të gënjehemi ndërveti , as një pikë rëndësije nuk e ka për ne . Përkundrazi! .( Ai në momentet ma kritike për ne ishte vetëm turk, edhe qëndrronta lartë në hiearkinë shtetërore))
-I rëndësishëm është se e themeloi Republiken Turke dhe ishte kryetari i parë i saj. E formoi shtetin modern turk nga hiri dhe pluhuri i Imperatorisë Otomane, një një ” i sëmurë e Bosforit ” Po na , pse jemi ende të sëmurët e Ballkanit ?
-E krijoi shtetin sekular në mesin e një mori shtetesh islamike . Ai punoi në dy drejtime ; së pari si reformator në ndërrimin fundamental të shoqërisë dhe e bëri që i tërë populli të ta sheh dhe të bindet në ato ndërrime. ( Ne , nuk po shofim ndërrime në asnjërin nga shtetet shqiptare që të bindemi në atë çka kishim dëgjuar dhe kishim shpresuar))
– E solli fundin e një dinastije Otomane e cila e kishte sunduar Perandorinë për mbi 6 shekuj dhe e bëri Republikën e Tuqisë me 1923 .( Ne e sollëm fundin e komunizmit në një anë e në anën tjetër fundin e barbarize shekullore serbe, dhe nuk bëmë asgjë të re)
– Si President , për 15 vjetët e tij të udhëheqjes , në mënyrën më të butë i solli reformat politike, ekonomike , ligjsore dhe kulturore . ( Ne nuk bëmë asgjë më tepër se sa e shkruam në letër)
Bëri reforma civilizuese :Reformat politike: E shformoi Sulltanatin ( 1.11.1922 ) ( ne krijuam sultanate partiake ); e hjeki kalifatin (3.03 1924 ) ( ne rrezikohemi nga sulltanët e rinj).I anulojë gjykatat fetare . ( ne filluam ta propagojmë sheriatin); E futi ligjin sekular gjithëkombëtar . ( ne e sulmojmë sekularizmin tonë ) . E shliroi gruan turke duke i dhënë të drejta politike dhe sociale (1926) ( ne po ia sjellim shaminë , ferexhën , largimin nga shkolla ) . E unifikoi edukimin . I mbylli medresetë dhe i hapi shkollat bashkëkohore sipas nevojave civilizuese të kombit ( Ne po hapim medrese dhe shkolla nëpër xhamija)
E futi Alfabetin Turk me shkronja latine dhe e filloi pastrimin e gjuhës turke nga fjalët e huaja (1 .11.1928 ) Ne nuk e pranojmë gjuhën e bashkuar dhe krijojmë gjuhë lokale, e kërkojmë alfabetin osman)
E ne me kë të lavdërohemi`?

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Kemal Ataturkun?, Pse çmohet shumë

PDSH-së duhet t’i jepet shansi për të qeverisur si dikur PPD-s dhe BDI-is

April 18, 2014 by dgreca

“Nëse do lexojmë deklaratat e dy liderëve të partive shqiptare z.Ali Ahmetit dhe z.Menduh Thaçi, mendoj se PDSH do të jetë pjesë e qeverisë, kjo fal marrëveshjeve dhe respektimit të rregullave të lojës. Deklarata e Ali Ahmetit se ka marrëveshje me Nikolla Gruevskin për Kryetarin e Kuvendit janë shenjat e para që BDI do jetë në opozitë”./
Nga Arben Llalla/
Kërcënimet e kohëve të fundit kundër çdo votuesi shqiptar që dilte për të votuar kandidatin për kryetar shteti z.Iljaz Halimin dhe kërcënimet hapët kundër gazetës Lajm, nxori në dukje qëllimet e BDI për të dobësuar të shprehurit e mendimit kundër. Çdo regjimi totalitar ka për qëllim kryesor dorëzimin e shumicës përmes mohimit të dijes dhe të shprehjes së fjalës së lirë. Rreth 40 mijë votuesit e PDSH që dolën në zgjedhjet më 13 Prill, u vulosën nga BDI si hebrenjtë nga nazistët gjerman në Luftën e Dytë Botërore, pra ata që votuan për Iljaz Halimin janë armiqtë më të mëdhenj të BDI, sipas mentalitetit marksist-leninistët të veshur me kostum të kaltër.
Që nga zgjedhjet e vitit 2008 nuk ka asnjë ndryshim në zhvillimin e komunave ku jetojnë me shumicë shqiptarët. Partia BDI që gëzon pushtetin absolut prej më se 6 viteve të fundit nuk ka sjellë asnjë risi në zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës shqiptare. Familjet e dëshmorëve janë injoruar, gjaku i rënë në vitin 2001 po poshtërohet dhe nëpërkëmbet nga politikanët që thirren në emër të luftës. Këto familje të nderuara janë mashtruar për pensione dhe përkrahje nga kjo parti gjithnjë. Dikur një ministër deklaroj se janë ngritur komisione të punës për të krijuar bazën ligjore për tu dhënë pensione, por në të vërtet asgjë nuk u bë, çdo deklaratë e këtij ministri kishte qenë gënjeshtër si shumë gënjeshtra që thonë përditë përfaqësuesit e votës shqiptare në Maqedoni. Në qeverisjen e 2008-2011, z.Ali Ahmeti pati deklaruar se këtë mandat i ka lënë dorë të lirë z.Nikolla Gruevskit dhe mandatin tjetër do zyrtarizojë gjuhën shqipe, komplet Marrëveshjen e Ohrit. Por edhe mandati tjetër mbaroj (2011-2014) dhe asgjë nuk u realizua, premtimet këtë herë si gjithnjë Aliu i gëlltiti bashkë me një gotë verë.
Votuesit shqiptar janë kthyer në makineri e çorientuar ku votohet pa asnjë ndjenjë apo interesa kolektive, por votohet për vetëkënaqësi me fjalë boshe. Janë politikanët e BDI që kanë premtuar disa herë zbardhjen e rastit të Sopotit, për vrasjen dhe burgosjen e ish-ushtarëve të UÇK-së, për të burgosurit e Brodecit, por asgjë nuk është zbradhur.
Për vrasjen e Harun Aliut, Shaban Zenun, dhe rastin Mostra, askush nuk ka guxuar të bëj diçka për zbardhjen e së vërtetës. Fëmijët shqiptar në disa pjesë të Shkupit nuk guxojnë të shëtisin sepse bien pre e rrahjeve kolektive nga huliganët sllavë dhe askush deri më sot nuk ka kërkuar përgjegjësi për këto incidente etnike. Pa folur për dënimin e katër të rinjve të organizatës Ilirikum-Libertas të cilët janë dënuar përse vizatuan një hartë historike të Shqipnisë Etnike. Pa harruar çështjen e Lumit Radika në Dibër që përfundoj vetëm me disa blla, blla të ministrave shqiptar si në Tiranë ashtu edhe në Shkup.
Pyetja është nëse ka rrugëzgjidhje për të ndalur këto veprime të qeverisë së keqe? Zgjidhja mund të gjendet vetëm duke e dënuar mëkatarin politik që na ka çuar në rrënim totalitar me anë të votës demokratike nëse duhet të ecim përpara dhe ti themi Stop mashtrimeve me buzëqeshje ironike të tipit BOSS, tregimit me Gisht që është shenjë kërcënimit të tipi komunistë.
A duhet këtë herë të votohet PDSH? Unë them se Po, le ti jepet shansi kësaj partie, le të vihet në provë edhe kjo parti ashtu siç është vënë në për disa vite në qeveri PPD dhe BDI. Tek e fundit PDSH duhet faqësuar më pak për gjendjen e mjerë të shqiptarëve në Maqedoni sepse ajo ka qenë në pushtet më pak se PPD e dikurshme dhe BDI e sotme. Nga kjo pikëpamje duhen shikuar gjërat për t’ju dhënë hakun partive shqiptare që kanë qenë pjesë e qeverive në Maqedoninë e pas viteve 1990.
Pas gjithë kësaj fushate me ofendime, kërcënime e pastamja e 27 Prill çfarë do sjelli për shqiptarët në Maqedoni? Nëse do lexojmë deklaratat e dy liderëve të partive shqiptare z.Ali Ahmetit dhe z.Menduh Thaçi, mendoj se PDSH do të jetë pjesë e qeverisë, kjo fal marrëveshjeve dhe respektimit të rregullave të lojës. Deklarata e Ali Ahmetit se ka marrëveshje me Nikolla Gruevskin për Kryetarin e Kuvendit janë shenjat e para që BDI do jetë në opozitë, por kërkon alibi për votuesit e saj përse do jetë në opozitë dhe alibia është posti i kryetarit të kuvendit që tani për tani shqiptarët nuk mund ta marrin dot.
Eksperimenti për fitim e ndonjë deputeti në Diasporë si dhe me numrat e deputeteve mbaroj, si ti ketë 18 apo 25 deputet, BDI nuk ka forcë të zgjidhi statutin e familjeve të dëshmorëve, nuk mund t’ju japi rreth 30 mijë shqiptareve shtetësinë që ju takon, nuk mund ta ndryshojë emrin e Maqedonisë, nuk mund ta anëtarësoj në NATO dhe BE dhe nuk mund të bëj asgjë me fëmijët vasalëve të ish-UDB që janë sot në poste kyçe në qeverinë VMRO me BDI, por edhe në listat për deputet.
Teoria që PDSH do fitoj më pak deputet se BDI dhe duhet të jetë kjo e fundit në qeveri se ka më shumë vota nuk është e drejtë sepse nëse i analizojmë gjërat mirë PDSH njihet se është parti nacionaliste shqiptare, ndërsa BDI parti e qytetarëve, pra multietnike. Këtu janë dallimet e para juridike të këtyre dy partive. Është mirë që të thuhet e vërteta se sa të fshihet, nëse dikush ka dyshime për këtë unë jam gati të përballem me çdo ligj juridik. Por a është e drejtë që VMDRO-DPMNE duhet të marri në qeveri partinë shqiptare që ka më shumë deputet? Kushtetuta nuk e njeh këtë Ligj dhe Kusht, pra nga ana juridike qeverinë e bënë fituesi i zgjedhjeve dhe jo fituesi që ka më shumë vota të njërës etnie. Nëse do shikoni listat për deputet të dhjetë viteve të fundit BDI ka patur kandidat edhe të etnive të tjera si torbesh apo boshnjake, po kështu partitë maqedonase kanë kandidat për deputet nga etnitë serbe, rome, vllehe, torbeshe, turke dhe shqiptare.
Vërej: Do të ishte e ndershme që ata që shqetësohen ndaj opinioneve të mia të përgjigjen me replika në media dhe jo të dërgojnë kërcënime me sms dhe mesazhe në fshehtësi duke u fshehur pas gishtit. Unë nga ai vesh nuk dëgjoj, besoj kaq gjë e keni kuptuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, shans PDSH, zgjedhjet shqiptare ne Maqedoni

RUSIA E RE SI RUSIA E VJETËR

April 17, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ndërsa gjëndja në Ukrainë sa vjen e keqësohet dita ditës, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një raport që botoi të martën mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe në Krime — e cila deri muajin e kaluar ishte një rajon autonom i Ukrainës — bëri thirrje për marrjen e masave për të kundërshtuar urgjentisht mbjelljen e urrejtjes dhe përhapjen e informacionit jo të saktë, e të cilat në situatën e tanishme në Ukrainë, sipas OKB-së përdoret si propagandë e njëanëshme për të shkaktuar rrëmujë e dhunë. “Është e doemosdoshme që të vendoset se cilat janë faktet e vërteta mbi ato që po ndodhin në Ukrainë, me qëllim që të mënjanohen interpretimet radikale të gjëndjes së krijuar e të cilat po përdoren për qëllime politike”, tha Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay. Ajo shtoi se, “njerëzit kanë nevojë për lajme dhe informacion të besueshëm për të kundërshtuar informacionet e rreme si dhe deklaratat plotë urrejtje të cilat nxisin armiqësitë në baza kombëtare, fetare dhe raciale.” Kësaj fushate informacioni të rremë, sipas gazetës New York Times, iu bashkua edhe Presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cila dy ditë më parë ka shkruar në faqen e tij elektronike se, “Në Ukrainë, përsëri po derdhet gjaku” dhe paralajmëron se Ukraina po “kërcënohet me luftë civile.”
Për vërejtësit e politikës ruse, nuk është koincidencë njoftimi kohët e fundit nga regjimi i Kremlinit për të ndaluar transmetimet e lajmeve nga perëndimi, përfshirë edhe transmetimet e Zërit të Amerikës në gjuhën rusisht, vendim ky që e kam pasqyruar më heret në shkrimin me titull: “E vërteta është gjithmonë viktima e parë”. Dihej se diçka po vlon, se diçka po përgatitej aty. Kjo është një shenjë e keqe se nëqoftse agresioni i Putinit kundër Ukrianës del me sukses në planet e tija djallëzore në Ukrainë realizohen – me luftë ose me kërcënime — ai nuk do të ndalet me aq.
Ja tani, Kombet e Bashkuara me raportin e tyre të ditëve të fundit vërtetojnë fushatën e keq-informimit të ndërmarrë nga autoritetet e Moskës mbi ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë dhe njëkohësisht i bëjnë thirrje Rusisë që të ndalojë propagandën e urrejtjes. Kështu pra, siç thotë edhe gazeta New York Times, për autoritetet ruse fillon edhe një ditë tjetër informacioni të rremë, ekzagjerimesh dhe teorishë konspirative, retorikash hiperbolike dhe shpesh përhapje të drejtë për drejta gënjeshtrash mbi krizën politike dhe gjëndjen në Ukrainë, fushatë kjo e drejtuar dhe e koordinuar nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore të Kremlinit, duke përdorur rrjetin televiziv shtetëror të Rusisë dhe media të tjera nën kontrollin e tyre, që orë pas ore, ditë pas dite dhe javë pas jave, t’ua mbushur mendjen rusëve me versionin e tyre të ngjarjeve se ata janë të kërcënuar.
Por, ndryshe nga ato që pretendon Moska, raporti i Kombeve të Bashkuara, i cili u botua të martën, thotë se korrupcioni, mungesa e pavarësisë së gjykatave dhe zgjedhjet jo të lira, janë arsyet kryesore që çuan në protestat popullore — që tani Kremlini po i përdor për qëllime të veta — e të cilat përfshinë Ukraininën nga Nëntori i vitit të kaluar e deri në Shkurt të këtij viti, dhe nuk u shkatuan trajtimi i keq i pakicës ruse nga autoritetet ukrainase. Në raport theksohet se gjatë atyre protestave mbetën të vrarë 121 veta, numër i cili, sipas raportit mund të shkojë deri në 150, shumica prej tyre protestues, ndërkohë që sipas raportit, ka patur edhe shumë raste ku protestuesit ukrainas janë torturuar dhe trajtuar shumë keq, ndërsa qindra të tjerë janë detyruar të shtroheshin në spital nga plagët që kanë marrë nga policia, disa prej të cilëve janë në gjëndje tepër serioze.
Raporti i OKB-së u njoftua gjatë një jave takimesh dhe kontaktesh diplomatike në përpjekje për të qetësuar gjëndjen dhe për të ulur tensionet në Ukrainë, duke filluar me takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të djelën që kaloi, ku Ndihmës Sekretari i Përtgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Oscar Fernandez-Taranco paralajmëroi se Ukraina përballet me një përkeqësim serioz të situates, ndërsa grupe të armatosura ruse, të mirë organizuara dhe të koordinuara, tha ai, po marrin nën kontroll ndërtesat qeveritare në qytetet anë e mbanë Ukrainës lindore. Edhe Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, sipas një njoftimi për median të OKB-së, pati një bisedë me Vladimir Putinin gjatë së cilës ai i shprehu atij shqetësimet e tija të thella mbi gjëndjen e krijuar në Ukrainën lindore, duke i theksuar se çdo përkeqësim i krizës atje është i dëmshëm për të gjithë dhe se është detyrë e të gjithëve për të vepruar për uljen e tensionit I ka thënë Ban Ki Moon udhëheqsit rus. Edhe presidenti Obama, gjatë një bisede telefonike me Putinin të hënën, sipas Shtëpisë së Bardhë, i ka shprehur atij shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara mbi agresionin rus në Ukrainë, ndërkohë që është njoftuar se Nënpresidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë kryeqytetin e Ukrainës më 22 prill. Ndërkohë që, gjatë ditëve të fundit në kryeqytete të ndryshme u zhvilluan përgatitjet për bisedime të ënjtën në Gjenevë, në të cilat pritej të merrnin pjesë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Deshchytsia dhe Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Vërejtsit diplomatikë dhe ushtarakë nuk presin ndonjë përparim në bisedimet e Gjenevës për uljen e tensioneve në Ukrainë, sepse sipas tyre, Putini tani e kontrollon situatën dhe e drejton si të dojë vetë. Madje gjenerali amerikan në pension Montgomery Meigs i tha rrjetit të televizionit amerikan NBC se megjithse Putini ka vendosur rreth 40.000 ushtarë në kufirin me Ukrainën, ai nuk do t’i përdor ato, pasi Kremlini, sipas tij, po realizon objektivat e veta duke shkaktuar frikë e kaos me forca speciale dhe militantë pro-rus që i ka futur në Ukrainë.
Mendohej se shekulli i kaluar i luftërave më të përgjakshme në historinë e njerëzimit u mbyllë me shpresën se po fillonte një shekull i ri me norma dhe standarde të reja në marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në marrëdhënjet shtet me shtet, duke shpresuar se normat e vjetra dhe luftërat në Europë do i përkisnin një periudhe tjetër. Madje ish-presidenti amerikan George Bush me euforinë e tij, pas rënjes së komunizmit në kontinentin europian, paralajmëroi për një Europë të re, të tërë e të bashkuar, në paqë.
Por kujt do ia merrte mendja se pak më shumë se 20 vjet pas rënjes së komunizmit dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, megjithë vuajtjet e shkaktuara nga regjimet totalitare të shekullit të kaluar, ja sot Europa dhe bota gjënden përballë një agresioni dhe një lufte tjetër të mundshme, drejtuar nga një pinjoll i atij regjimi komunist që robëroi kombet europiane për më shumë se një gjysëm shekulli. Paqa në Europë po kërcënohet edhe njëherë nga një diktator — pjellë dhe ish agjent i një sistemi komunist i cili me dekada skllavëroi popullin e vet dhe robëroi e nënshtroi edhe popujt e tjerë europianë — tani po kërkon të përsërisë historinë dhe të rivendosë famën dhe të lartësojë lavdinë e Rusisë së madhe, në kurriz të popujve të tjerë europianë. Për ata që e dinë historinë e Europës, në këtë mes nuk ka asgjë të re, sepse Rusia e re vetëm po sillet si Rusia e vjetër sovjetike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, RUSIA E RE, SI RUSIA E VJETËR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 904
  • 905
  • 906
  • 907
  • 908
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT