• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Anastas Janullatos vazhdon misionin e Kozma Etolos për greqizmin e jugut të Shqipërisë

December 22, 2013 by dgreca

“Më 1999 Janullatos shoqëroj ekstremistin grek Babis Karathanos dhe Karamalisin në Livadhja të Sarandës për tu treguar se ku do të ndërtohej kisha e Shën Kozma Etolos”/

Ne Foto: Janullatos me prefektin e Thesprotias Vasili Gjogjakas,Kisha Kozmait, Mursio-Sarande/

Shkruan: Arben LLALLA/

Ardhja në krye të kishës ortodokse shqiptare të Anastas Janullatos është kundërshtuar ashpër nga patriotët shqiptar duke nuhatur rrezikun e asimilimit të shqiptarëve ortodoks nga misioni i tij. Por me kalimin e viteve Janullatos siguroj përkrahjen e drejtuesve të lartë të partive shqiptare në detyrën që kishte marrë përsipër. Në sytë e politikanëve shqiptar Janullatos hiqet si njeri humane dhe njerëzore, por ka shumë të dhëna që kryepeshkopi z.Anastas Janullatos me origjinë nga Preveza e Çamërisë ndër vite vazhdon misionin e priftit Kozma Etolos (1714-1779) për greqizmin e jugut të Shqipërisë duke ndërtuar edhe shumë kisha për nder të Shën Kozma Etolos si mirënjohje për punën e këtij prifti për asimilimin e shqiptarëve në shek.XVIII.

Në Janar të 1999, Kryepeshkop Anastas Janullatos shoqëroj kryetarin e Lëvizjes të Autonomisë së Vorio Epirit, ekstremistin Babis Karathanos, dhe Kosta Karamalisin, në atë kohë kryetar i partisë greke Demokracia e Re në Livadhja të Sarandës për tu treguar se ku do të ndërtohej kisha e Shën Kozmait. Pas disa vitesh ashtu siç kishte premtuar Janullatosi, përfundoj me suksese kisha e Shën Kozmait në Livadhja.

Në Gusht të vitit 2009, Anastas Janullatos shoqëroj për në fshatin Mursio të Komunës së Xarrës që i përket rrethit të Sarandës, prefektin e Prefekturës së Thesprotias Vasili Gjogjakas për ti treguar kishën e re të Shën Kozma Etolos. Të dy përsonalitetet bënë edhe një lutje në këtë kishë për shpirtin e Shën Kozmait. Por kisha me emrin e Shën Kozma Etolos janë ndërtuar në Aliko, Vrisera, Himarë, Çarçovë etj. Këto kulte me emrin e njeriu që punojë për greqizimin e shqiptarëve nuk janë të rastësishme, por gurë themeli për të shkruar historinë greke se Greqia shtrihet deri aty ku shkeli këmba e Kozma Etolosit.

Me financat që ka siguruar kryepeshkopi z.Anastas Janullatos flitet se ka ndërtuar rreth 150 kisha të reja në të tërë Shqipërinë, një numër i madh nëse shihet koha e shkurtër e ndërtimit të tyre dhe kur dihet që në vitet 1990 Shqipëria kishte gjithsej rreth 160 kisha ortodokse. Disa të dhëna jo zyrtare flasin se në tërë Shqipërinë numri i priftërinjve ortodoks nuk i kalon 150 predikues, pra sot ka më shumë kisha dhe manastire se sa priftërinj që duhet të shërbejnë në këto kulte fetare.

Interesantë është fakti se kishat që janë ndërtuar pas viteve 1990 u jepet pamje në arkitekturë si model të kishave greke, duke i ndryshuar karakteristikat të arkitekturës shqiptare sepse kishat ortodokse shqiptare dallohen nga ato greke dhe sllave në llojin e ndërtimit. Një rast të tillë kemi kishën qendrore në Korçë e cila u ndërtua si model i kishës greke dhe nuk ngjan fare në arkitekturë me kishën origjinale që ka ekzistuar në atë vend. Këto ndryshime u janë bërë shumë kishave shqiptare gjatë rindërtimit të tyre duke humbur karakteristikat e tyre shqiptare.

Kush është Kozma Etolos

Kozma Etolos (Κοσμάς Αιτωλός) lindi më 1714 në rajonin e Etolisë në fshatin Mega Dendron, afër qytetit Thermo, u dorëzua murg në malin Athos ku edhe kreu shkollën Teologjike. Pasi mbaroj shkollën fetare filloj misionin për asimilimin e shqiptarëve ortodoks që njihen me emrin arvanitas, më tej e vazhdoj detyrën në Çamëri e deri në Krujë duke hapur shkolla në gjuhën greke. Ai ka hapur rreth 200 shkolla greke duke asimiluar shqiptarët, bullgarët dhe vllehët. Kozma Etolos u arrestua në një fshat të Beratit nga turqit dhe u var më 24 Gusht 1779.

Ishte ideja e Kozma Etolosit që dita e pazarit në Greqi të mos jetë dita e diel ashtu siç e kanë vendosur hebrenjtë, por të jetë dita e shtunë me qëllim që njerëzit të dielën të shkojnë në kishë për tu lutur. Ai u shpall Shënjtor në Prill të 1961 nga Patriakala e Stambollit.

Shën Kozmai për grekët është babai i përhapjes së greqizimit për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) në Greqinë e sotme dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, njëri në to është edhe libri i shkrimtarit grek, Thoma Paskidhus.

Studiuesi i nderuar, prof. Sherif Delvina, në një studim të tij për figurën antishqiptare të Shën Kozmait shkruan se ai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujë. Shën Kozmai u thoshte shqiptarëve: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit).

Në një dokument tjetër për greqizimin e shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait, mësojmë për asimilin e fshtarave shqiptar Frashtan dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohet nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duhen të greqizohen. Për greqizimin e fshatrave Frashtan dhe Lugar në Dropull kemi edhe dokumentet historike të kohës së mbretit Ahmet Zogut, kur fshatarët e Frashtanit edhe të Lugarit i shkruanin mbretit të shqiptarëve, Zogut: Ahmet Zog, o madhëri. Kjo punë qish bëri vaki, të mësojmë grekçen në skoli (shkollë)? Frashtani dhe Lugari s’kanë punë me Greqinë se janë me Shqipërinë. Duam gjuhën që flet ti dhe flamurin kuqezi, duam shkollë si në Muzinë, si fshatrat që kemi fqinjë, Labova me Lunxhërinë. Dhe gjithë bregdeti ynë.

Ahmet Zogu, u përgjigjet fshatarëve të Frashtanit dhe të Lugarit: “Vllazën të gjakut dhe të gjuhës! Duke përgëzuar për dëshirat tuaja të zjarrta, ju uroj t’i gëzoni shkollat shqipe”.

Këto janë vetëm disa vështrime historike për propagandën e Shën Kozmait për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Por sot, misionin e Shën Kozmait e vazhdon Kryepeshkopi i Shqipërisë z.Anastas Gerasimos Janaullatos.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anastas janullatos, arben llalla, greqizimi i Jugut, Kozma Etolos, misionin vazhdon

NË EVROPË – SI ALEATË TË AMERIKËS

December 22, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Le ta themi haptas – vendimi për të mos ia dhënë Republikës së Shqipërisë statusin e vendit anëtar për në Bashkimin Evropian, edhepse i pritshëm në një farë mase, nuk ka zgjuar aspak ndjenja të bukura tek Shqiptarët.
Shije disi të baltimtë do të linte sidomos fakti që, për të kundërshtuar kandidimin e Republikës së Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, në krye të kësaj nisme mori trajtë një institucion lobues i përbërë nga tri vendet më të fuqishme të këtij organizmi, përfshirë vendin e Tony Blairit, si dhe të dy vendeve të tjera (pra, gjithësejt, deri tash, pesë vende).
Ndoshta, më shumë se vendimi negativ, na befasoi vrazhdësia e sjelljes së vendimmarrësve dhe e termave të përdorura që e shoqëruan atë.
Ne, tashmë Republika e Shqipërisë dhe, herët a vonë, edhe Republika e Kosovës, e shikojmë veten drejtpërdrejt në një garë jetike me vendet fqinje ballkanase – kush do të shpërblehet duke u integruar më herët e më mirë në Evropë, për rrjedhojë, kush do të ndëshkohet me shtyrje pas shtyrjesh, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë shpërblimet, kush do t’i meritojë apo nuk do t’i meritojë ndëshkimet.
Vendet fqinje ballkanase, në gjithë historinë moderne, deri edhe në koniunkturat më të liga e më të mbrapshta, kanë pasur raporte të privilegjuara me Evropën, qoftë me atë të dikurshmen, qoftë me atë të mëvonshmen, e cila identifikohet me vizionin e Bashkimit Evropian. Për këtë, ka ndikuar fuqimisht fakti se këto vende janë aleate të Rusisë. Dhe po integrohen në Evropë si aleate të Rusisë.
Shihet qartë, pra, se tradita ka ndikim të madh aktual dhe se kjo logjikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Prandaj, ne shqiptarët, mund ta shohim veten të integruar me sukses në Evropë vetëm si aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky vend na shpëtoi në fund të Luftës së Parë Botërore nga kthetrat e Evropës, ky vend na shpëtoi menjëherë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë kur makineria e luftës e Millosheviçit synonte të na shndërronte në një komb pa atdhe, pra në një komb-diasporë, ky vend na anëtarësoi në NATO, ky vend dëshmon interes të sinqertë që ne të integrohemi sa më suksesshëm në Evropë, në hapësirën veriatlantike dhe atë globale.
Ndonëse, deri në sekondën e fundit, ne shpresuam në një vendim pozitiv të Bashkimit Evropian, meqë jemi më mirë ose shumë më mirë se fqinjët tanë, ne jemi të bindur se Republika e Shqipërisë nuk e meriton integrimin në këtë organizëm. Po ta kishim ne në dorë, sigurisht, një vendi ku bën kërdinë prej njëzet e sa vjetësh ligji 7501, një klon i reformës agrare të Enver Hoxhës, nuk do t’ia hapnim dyert e integrimit evropian. Nuk do t’ia hapnim dyert pa e vënë në rrugën e zgjidhjes së plotë dhe të drejtë çështjen e pronës. Nuk do t’ia hapnim dyert pa bërë drejtësinë e plotë ndaj klasës së ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, si dhe pa dënimin moral të ish burgosësve e ish përndjekësve të tyre. Nuk do t’ia hapnim dyert pa hapur dosjet e zyrtarëve të lartë të periudhës së tranzicionit, të cilët kanë qenë eksponentë të Sigurimit të Shtetit apo të shërbimeve të tjera lindore antishqiptare. Nuk do t’ia hapnim dyert pa parë se konkretisht po merr fund periudha e pandëshkueshmërisë së politikës së përfshirë në korrupsion dhe në krim të organizuar. E kështu me radhë.
Pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, nga njëri prej institucioneve më eksperte të Uashington D. C. vinte këto ditë mesazhi i qartë: për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vendet e Ballkanit, pra edhe në Shqipëri, është e domosdoshme që të konfiskohen pronat dhe pasuritë e politikanëve. Të gjithë e dinë se në Shqipëri, si në vendet fqinje ballkanike të saj, politikanët janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Kjo ka bërë që në këto vende të ndërtohen një rend i padrejtë, deri në flagrancën më të skajshme.
Për të krijuar një rend të drejtë, është e domosdoshme të ndërtojmë me sukses shtetin e së drejtës, të ndërtojmë demokracinë funksionale, të ndërtojmë pluralizmin e frytshëm bashkëpunues. Kjo kërkon që ne të jemi të hapur ndaj ndihmës së drejtpërdrejtë të aleatëve tanë, në radhë të parë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të të gjithë atyre që janë të prirur e të dëshmuar për të na dhënë ndihmë të sinqertë. Dhe një nga këto ndihma të sinqerta do të ishte që opinionit shqiptar, kur i flitet për korrupsionin dhe krimin e organizuar, t’i flitet gjithnjë e më pak me terma të përgjithësuar, abstraktë, t’i flitet gjithnjë e më shumë me terma konkretë të prekshëm. Në këtë mënyrë faktorët përbërës të realitetit tonë do të krijojnë bindjet dhe vendomsëritë më të plota për të zëvendësuar pjesërisht apo rrënjësisht politikën në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës.
Në retorikën që e shoqëroi vendimmarrjen e këtyre ditëve në Bruksel, u vunë re edhe paragjykime të mbrapshta kundër veçorive tona evropiane, në vend që të theksoheshin e të përgjithësoheshin ato për t’u bërë vlerë e Evropës, siç është toleranca shembullore ndërfetare. Dhe u shpërblyen pikërisht ata që kanë investuar me shekuj për t’i rrënjosur në Evropë e në botë paragjykimet e tilla ndaj nesh, aleatët e Rusisë, në vend që të shpërbylerit të ishim ne për sjelljen tonë shembullore ndaj fqinjëve tanë, ndonëse ata nuk kursyen ndaj nesh armiqësitë dhe mizoritë më shembullore.

Për t’i çrrënjosur këto paragjykime ndaj nesh në trurin e Evropës, natyrisht, ndihma më e sigurtë dhe më e frytshme do të jetë pikërisht Amerika. Garancia më e plotë dhe më e qartë për faktorizimin tonë sa më të suksesshëm evropian, perëndimor dhe global do të jetë pikërisht vizioni amerikan, pa të cilin nuk mund të realizohet kurrë as vetë vizioni aq i mrekullueshëm i Bashkimit Evropian. Për këtë kërkohet që të rritet pesha e Republikës së Shqipërisë në NATO si dhe në të gjitha organizmat e instancat e tjera ndërkombëtare. Për këtë kërkohet konsolidimi sa më i shpejtë i Republikës së Kosovës dhe hyrja e saj sa më bindëse në rrugën e integrimeve evropiane, perëndimore e globale.
Në ditët e sotme ne e shikojmë se Evropa nuk i ka nervat e duhura, nuk e ka vullnetin e duhur, nuk i ka kapacitetet e duhura për të na ndihmuar ne në mënyrë sa më të frytshme në integrimin tonë të suksesshëm. Për këtë, siç e theksoi edhe kryeministri Rama këto ditë, ndikojnë edhe ngërçet e krijuara nga përçarjet e brendshme të vetë Bashkimit Evropian – çka u vu re edhe në rastin e vendimmarrjes për ne, ku vetë institucionet e Bashkimit Evropian ishin haptas kundërvënëse dhe kundërthënëse mes tyre, duke hedhur poshtë konkluzionet e njëra tjetrës dhe duke krijuar çorodi, në vend të kthjelltësisë dhe transparencës, tek vetë vendi që aplikoi për kandidat të Bashkimit Evropian.
Shtyrjet e deritashme doemos ndikojnë tek ne në krijimin e psikologjisë se këto shtyrje do të jenë të pafundme, se dera ndaj nesh do të jetë gjithnjë gjysmë e hapur, pra gjithnjë gjysmë e mbyllur, ndërkohë që fqinjët tanë e kanë të rezervuar biletën e hyrjes, kur të duan ata dhe si të duan ata. Kjo nuk ka pse të zbehë aspak evropianitetin tonë. Ka në Evropë vende bindshëm më të suksesshme se vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, siç janë Zvicra dhe Norvegjia.
Vetë Evropa sot përbëhet nga disa rrafshe, diku paralele, diku prerëse, siç janë Bashkimi Evropian, Evropa e Zonës Euro, Evropa e Hapësirës Ekonomike Evropiane (Organizata e Bashkëpunimit për Zhvillim Ekonomik) e të tjera. Kjo e bën atë sa të ndërlikuar, aq dhe të depërtueshme. Për këtë na është e domosdoshme ndihma psikologjike, teknike dhe e gjithanshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo vetëm në fazën e anëtarësimit, por edhe në perspektiva tejet afatgjata.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Evrope, si aleate te Amerikes, Skender Bucpapaj

Pse nuk e deshëm princ Vidin?

December 20, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/*

M’u duk e nevojshme një qasje ndryshe në historinë tonë, duke e krahasuar me të kaluarën e njëjtë shumëshekullore të popujve të Ballkanit.

Në vitet 1858-1859, populli i Vllahisë dhe ai i Moldavisë vendosën që të dy principatat të bashkohen ndër një administrim të përbashkët dhe si udhëheqës të kenë një princ nga ndonjë familje fisnike e Evropës. Aleksandru Joan Kuza për një kohë të shkurtër e udhëhoqi shtetin quajtur Rumania. Të rikujtojmë që principatat si dhe shteti i vetëquajtur Rumania ishin ende nën vasalitetin e Perandorisë Osmane.

Më 1866, qeveria kërkoi që 27-vjeçari Karol Hohencollern-Sigmaringen të jetë udhëheqës i ri i Rumanisë. Pavarësia e Rumanisë u njoh nga Imperatoria Otomane më 1878, në Kongresin e Berlinit, dhe principata u bë Mbretëri sovrane më 1881 me princin Karol si mbreti Karol i Parë i Rumanisë. Mbreti Karol kishte lindur në Sigmaringen, i biri i Karl-Anton Hohencollern-Sigmaringenit, i cili pas shkollës së mesme u diplomua në Akademinë Ushtarake të qytetit Mynster dhe pastaj në Shkollën Artilerike.

Më 10 maj të 1866 u prit me gëzim të madh nga turmat e njerëzve dhe personalitetet politike. Ajo ditë u konsiderua si ditëlindja e Dinastisë Mbretërore Rumune, dinasti e cila mbretëroi në Rumani deri në vitin 1947. Kjo ditë maji e 1866 ishte ditë e shënuar historike në zhvillimin e një shteti modern evropian, me një mbret të ashpër shtetformues, me personalitet të disiplinuar dhe me standarde të larta të mortalitetit. Në Luftën e Parë Botërore, Rumania e integroi në kuadrin e saj Transilvaninë. (Kjo Transilvani është shkaku i mosnjohjes së sotme të shtetit të Kosovës ngaRumania.

Edhe me Bullgarinë e njëjta gjë. Ata u udhëhoqën nga Dinastia Sax-Koburg-Gotta. Imperatoria Otomane e mbajti Bullgarinë të pushtuar që nga viti 1389, por përfundimisht u përzunë jashtë më 1878. Kur Bullgaria u bashkua në një shtet e u lirua nga e kaluara otomane shumëshekullore, më 1885 vendosi të kërkojë një princ të huaj me shpresë se një familje e traditës mbretërore evropiane do t`i jepte vendit prestigjin e duhur.

Si anëtar i familjes princore të Sax-Koburg-Gottas, princ Ferdinandi u caktua mbret, por Evropa nuk e njohu ende Mbretërinë e tij gjersa Turqit ia dha titullin Lartësia e tij Mbretërore, më 1896. Mbreti i ri gjerman me Mbretërinë bullgare, pasi u liruan nga turqit, pushtuan edhe toka të reja.

Greqia, e pavarësuar nga Turqia më 1829, gjithashtu kërkoi nga familjet e vërteta mbretërore të Evropës të ketë një mbret nga gjaku evropian. Greqia bëri edhe më shumë për t`u shkëputur nga e kaluara otomane dhe u udhëhoq nga mbreti Otto, djali më i ri i mbretit Ludvigu I i Bavarisë. Turbullirat e brendshme e rrëzuan atë, por asambleja kombëtare prapë kërkoi mbret të Evropës dhe zgjodhi princin e ri danez, mbretin Gjorgji I, i cili e filloi Dinastinë e Oldenburgëve të Monarkëve Grekë. Edhe pse i huaj, ai punoi për Greqinë dhe pas luftës ruso-turke, bëri ekspansion territorial duke aneksuar Thesalinë dhe një pjesë të Epirit.

Për ne, fuqitë e mëdha e zgjodhën princin Wielhelm nga familja princore e Vidëve, që të udhëheqë me shtetin e ri të pavarur e të parehatuar të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur në nëntor të 1913-tës. Edhe Ismail Qemajli e mirëprit dhe e pranoi këtë vendim.

Kush ishte princ Vidi? Kishte lindur në Kështjellën e Neuwiedit në Rajnë afër Koblencit (Gjermani), i biri i tretë i princit Wilhelm të 5-të të Wiedit (vëllai i Elizabetës, mbretëreshës së Rumanisë) dhe princeshës Maria të Holandës (motra e Luizës, mbretëreshës së Suedisë). Gjyshërit nga babai ishin Hermani, princi i Vidit dhe princesha Maria e Nassaut dhe gjyshërit nga nëna ishin princi Frederik i Holandës dhe princesha Luiza e Prusisë. Luiza ishte e bija e princ Wilhelmit të Tretë të Prusisë. Princ Vidi ishte nip i familjes mbretërore të Rumanisë.

Princ Vidi dhe gruaja e tij, princesha Sofia, mbërritën në Shqipëri më 7 mars 1914, duke e shpallur mbret të Shqipërisë. Menjëherë e ngarkoi Turhan Pashë Përmetin të formojë kabinetin e parë qeveritar, i cili u zotërua nga pashallarët dhe agallarët. Por, më i rrezikshmi ishte Esat Pashë Toptani, i cili, i përkrahur nga Turqit e Rinj, e detyroi princ Vidin të ikë në shtator të të njëjtit vit. Kurora pastaj iu ofrua një pashai otoman, Mehmet Burhanmedinit, të birit të ish-sulltanit Abdyl Hamiti i Dytë. Shteti pastaj bie në luftëra qytetare dhe kështu bëhet një pre e lehtë për fqinjët grabitqarë.

Me qëllim e përshkrova gjerësisht prejardhjen e princ Vidit, për të parë se Evropa, duke menduar që jemi të gatshëm si shtetet tjera ballkanike të heqim dorë nga e kaluara shumëshekullore aziatike dhe të përqafojmë një udhëheqje evropiane, na e solli princ Vidin nga dera e traditës gjermane.

Viti 1914, Serbia dhe Greqia i filluan pushtimet dhe zaptimet e tyre në Shqipëri, kurse në Shqipërinë e mesme esadizmi morri hov. Atë e përbënin tre krerët më shkatërrimtarë apokaliptikë, si: Esad Pashë Toptani, myftiu Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili. Këta ishin tre krerët e një kuçedre, që pasqyronin tradhtinë dhe lakminë, fanatizmin e verbër e krejt këto nën maskën e fesë. Në atë vit, Shqipëria u bë dëshmitare e një dukurie të paparë: agjentët e Patrikanës greke, të lidhur ngushtë me fetarin Musa Qazimi, me njerëzit që pretendonin që luftonin për dinë e dovlet, bashkëpunojnë me çetat shkatërrimtare greke.

Esad Pasha, i cili e minoi Mbretërinë e Princit Vid duke i shfrytëzuar ndjenjat fetare dhe dashurinë për Turqinë që ekzistonte e fortë, shpalosi idenë e ardhjes së një prijësi mysliman në krye të fronit shqiptar. Ky, me truqe të ndryshme, mundohet të bindë fshatarët e zonës, të cilët ende nuk e kishin të qartë konceptin e Shqipërisë së pavarur, se Turqia ende nuk na ka harruar dhe se duhej të përpiqeshim për të. Në këtë valë fanatizmi e prapashkuarje, me vendosmërinë e një psikopati u paraqit në skenë Haxhi Qamili. Si fëmijë kishte dhënë shenja të një sëmuri mendor duke ngrënë sapun e duke i kafshuar njerëzit në dhëmbë pa arsye. Ideja e tij se vetëm myslimani ka të drejtë, se pushka e kaurit (mendohet në Vidin) nuk merr nishan dhe se plumbi i tij shkon shtrembër, bëri bujë në atë kohë.

Në kësi lloj situatash, gjithfarë lloji i aventurierëve, intrigantëve, gangsterëve e psikopatëve shndërrohen thjesht në heronj. Haxhi Qamili ishte njëri prej tyre, njëri ndër më famëkëqijtë e historisë së Shqipërisë. Thirrja e tij “Du`m Babën e jo Papën!” (E duam Sulltanin, e jo Vidin) shprehte mërinë më të madhe ndaj atdhetarëve dhe protagonistëve të pavarësisë dhe urrejtjen më të madhe ndaj flamurit kombëtar, “flamurit me sorrë”. Egërsia e tij ishte djegia e shtëpive dhe pasurive edhe të patriotëve, si ajo e Aleksandër Xhuvanit, Taqi Budës (babai i Aleks Budës) e të tjerëve, thjesht ngase ata donin një Shqipëri pa Turqinë. Haxhi Qamili mundohej ta çonte Shqipërinë përtej Adriatikut dhe Mesdheut dhe ta bashkonte me Turqinë. Ky analfabet dhe injorant turkofil nuk e kishte as më të voglën ide se çdo të thotë Evropa. Ai s’ishte ideologji politike përveç përkushtimit të pafrenueshëm për Dovletin, me të cilin i motivonte ndjekësit dhe mbështetësit e tij.

Por, si popull, për t`u bërë gaz i vetvetes, ai u shfaq mu në kohën e shtetit të ri të pavarur shqiptar pikërisht atëherë kur Shqipëria kishte nevojë më shumë se kurrë për maturi, nguti për të ecur përpara dhe për të vendosur themelet e një shteti të vërtetë evropian.

Ai u shfaq si një fatkeqësi por mbi të gjitha si një dukuri që e kishim për ta quajtur haxhiqamilizëm dhe shfaqet me përmasa më të vogla, me tendencë rritjeje aty-këtu në shoqërinë mbarëshqiptare edhe pas 100 vjetësh.

Në librin “Historia e Dibres” e Kristo Frasherit faqe 345 shkruan:”Në Marsin e vitit 1914 kur Princ Vidi erdhi në Durrës….për ti krijuar shtetit shqiptar veshtirësi,qeveritarët serbë e vunë në qarkullim aventurierin e njohur xhonturk,Arif Hiqmetin i cili me të hollat e financuara nga Beogradi, u orvat të kurdiste në Dibren e Epërme një lëvizje “myslimane” në paraqitje antiVidiste në thelb antishqiptare.

E ngjajshme me këto të sotit në tokat mbarëshqiptare!

*Ne foto:Princ Wiedi dhe princeshe Sophia

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, Perse nuk e deshem, Princ Vidin

SHQIPTARËT MERITOJNË ANTARËSIMIN NË BASHKIMIN EUROPIAN

December 19, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ja më në fund edhe një zhgënjim tjetër! Europa i thotë JO edhe njëherë dhe me plotë gojë dhënjës së statusit kandidat Shqipërisë.  E shtynë vlerësimin edhe për gjashtë muaj të tjerë.  Ishte ky një vendim, jo i pa pritur i vendeve më të rëndësishme të Europës, si Gjermania, Franca, Anglia dhe më pak të rëndësishme si Hollanda e Danimarka.   Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian (BE) qe shumë i qartë për vendimin që mori të marten.  Është e qartë se Europa, megjith fjalorin diplomatik që përdorin përfaqsuesit e saj për përparimet e bëra deri tani në Shqipëri,  ky vendim nga Brukseli tregon se ajo nuk është e bindur se Shqipëria është serioze në luftën e saj kundër korrupcionit, ndaj krimit të organizuar dhe reformave në drejtësi, si dhe ndaj çështjes së pronësisë dhe reformave në administratën publike,  për të merituar statusin e vendit  kandidat për Shqipërinë.  Gjithashtu një ndër  thirrjet e perëndimorëve ndaj klasës politike shqiptare ka vazhduar të jetë nevoja për krijimin e një atmosfere të re politike bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës, si një shënjë dhe doemosdoshmëri për një qeverisje të mirëfilltë demokratike.  Në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë thuhet se, “Dialogu  konstruktiv dhe i vazhdueshëm politik mbetet shumë i rëndësishëm për realizimin e suksesshëm të reformave.”  Me fjalë të tjera, mungesa e një dialogu të vërtetë politik, sidomos midis dy palëve kryesore politike, mbetet diçka për tu dëshiruar dhe si e tillë një pengesë në rrugën e integrimit.

Ndonëse pak më heret Komisioneri i BE-së për Zgjërimin, Stefan Fyle, kishte rekomanduar dhënjen e statusit kandidat Shqipërisë, ai ja ”hodhi topin” qeverisë shqiptare duke thënë se dhënja e statusit të vendit  kandidat, Tiranës, ”Tani është në dorë të qeverisë shqiptare”, nëqoftse është serioze për të plotësuar kushtet e BE-së, të cilat janë të njëjta për të gjithë.   Megjithëse besohej se gjatë vitit të kaluar ishte përmirësuar disi klima e qendrimit të Europës ndaj Shqipërisë dhe zbatimit të kushteve, vendimi i BE-së të martën erdhi si një pasqyrim i një doze të madhe të realitetit të gjëndjes, jo si një “tush i ftohët”, por si një goditje e rëndë ndaj aspiratave të Shqipërisë dhe Shqiptarëve, si njëri ndër kombet më të vjetëra të kontinentit për të zënë vendin e vet aty ku i takon, në bashkësi me kombet e tjera të Europës.

Si është e mundur që Shqiptarët të cilët janë kombi që favorizon me përqindje dërmuese antarësimin  në Bashkimin Europian, është më larg këtij qëllimi se pothuaj çdo komb tjetër, 20-e sa vjetë pas rënjës së komunizmit.   Pse këjo vonesë dhe pse kaqë gjatë?!  Kujtë i intereson mos integrimi i Shqiptarëve?  Statusi i kandidatit është vetëm fillimi.  Dhe dhënja e statusit, si të thuash, do të dukej vetëm si shënjë e vullnetit të mirë europian ndaj Shqipërisë — gjë që nuk ndodhi –në rrugën e saj të gjatë drejtë integrimit dhe asgjë tjetër. Sepse raporti i Komisionit Europian e bën të qartë se problemet  vërtetë të mëdha për negociata me Shqipërinë mbeten për periudhën kur të bisedohet për vet pranimin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që siç tha pardje për Deutsche Welle, Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, mund të marrë 8-10 vjetë.

Tani lind pyetja se sa serioze është Europa për antarësimin e Shqipërisë.  A nuk meritonte Shqipëria një konsideratë sa Rumania dhe Bullgaria, apo nga keq llogaria e parakohshme ndaj meritave të antarësimit të këtyre dy vendeve dhe ndofta ndonjë tjetëri, tani e paguan Shqipëria.  Pyetja tjetër më me rëndësi është se sa serioze dhe sa e sinqertë është në të vërtetë klasa politike shqiptare, që Shqipëria realisht të hyjë në rrugën drejtë integrimit europian.  Kërkesa e Europës duhet të jetë angazhimi njëherë e mirë i pozitës dhe opozitës shqiptare për të ndërmarrë reformat e nevojshme dhe për të adaptuar standardet politike dhe ekonomike që u janë kërkuar të gjithëve për anëtarsim.  Këto standarde dhe këto kritere për antarësim në  klubin që quhet Bashkimi Europian, nuk janë as të reja, as nuk kanë ndryshuar ç’prej miratimit të tyre 20-vjetë më parë në Kopenhagë.   Pra, janë gjithnjë aktuale, megjithëse kryeministri i tanishëm shqiptar, Z.Edi Rama deklaroi muajin e kaluar duke hedhur dyshim mbi angazhimin e tij, në një takim të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, se “Bashkimi Europian nuk është më ajo që kemi ëndërruar në fillim, kur nisëm përpjekjet për t’u bërë pjesë e saj.”  Zoti Rama foli me atë rast për “një situatë paradoksale pasi e gjithë kjo”, sipas tij ”, po ndodhë në një moment kur Bashkimi Europian nuk është tamam çfarë kishim në mendje kur filluam të luftojmë për të.  Dhe sa më shumë i afrohemi, aq më shumë duhet të trajtojmë me diçka ndryshe nga çfarë kishim ëndërruar”, theksoi Kryeministri shqiptar.  A  donte të hidhte dyshime kryeministri shqiptar me këtë deklaratë se Shqipëria kishte humbur interesimin për antarësimin e saj në BE dhe se ishte më e interesuar tani për aleanca rajonale, pasi ato nuk kanë kushte as detyrime?

As klima e politikës së polarizuar në Shqipëri  gjatë dy dekadave të fundit nuk ka ndihmuar në rrugën e integrimit të vendit.  Në të vërtetë, polarizimi politik, mund të jetë një ndër arsyet kryesore të hesitimeve europiane për t’i hapur Shqipërisë dritën jeshile.  Nuk më kujtohet emëri i një zyrtari europian disa vite më parë, por më kujtohet deklarata e tij në lidhje me diskursin e ashpër politik në Tiranë, sidomos të debateve në parlament, i cili pat thënë se, “nëqoftse këta (politikanët shqiptarë) nuk merren vesh me njëri tjetërin, si mund të presim që ata të merren vesh me ne.”  E vërtetë ose jo, varet nga pikëpamja e secilit prej nesh, por fatkeqsisht kjo është përshtypja që perëndimorët kanë për klasën politike shqiptare.  Debati politik në Shqipëri duket sikurë nuk le hapësirë për kompromis.  Shumicat qeverisëse, gjatë viteve, përfshirë edhe shumicën e tanishme qeveritare, kanë deklaruar me mburrje se duke pasur shumicën në parlament, mund të bëjnë çfarë të duan, pa marrë parasyshë qëndrimet  e opozitës ose të shoqërisë civile.  Kjo nuk është demokraci e vërtetë, pasi demokracia e vërtetë, përveç shumicës në parlament, është gjithashtu dhe ndoshta më me rëndësi, një proces i vazhdueshëm e gjithëpërfshirës, ku duhet të dëgjohen të gjitha palët dhe  të merren në konsideratë të gjithë zërat kundërshtarë, në një frymë tolerance dhe kompromisi për mendimet dhe qendrimet e të tjerëve.  Është i doemosdoshëm bashkpunimi dhe konsensusi politik mbi çështje madhore të kombit, siç është antarësimi në BE dhe integrimi njëherë e mirë i shqiptarëve, përfshirë edhe Kosovën, në organizmat euro-atlantike.

Ky ishte edhe mesazhi i Sekretares së Shtetit Hillari Klinton para parlamentit shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vitin që kaloi.  Duke folur për veten e saj, ajo vuri në dukje se megjithëse kishte bërë një fushatë të ashpër kundër dhe kishte qenë kundërshtare politike e Presidentit Obama, ajo punoi për ‘të si Sekretare e Shtetit.  Pyetjes se si është e  mundur që si kundërshtare e tillë politike t’i shërbente administratës së Obamës, Hillari Klinton u përgjigj para parlamentarëve shqiptarë duke deklaruar se, “Është krejt e thjeshtë.  Ne të dy e duam atdheun tonë”, u shpreh Hillari Klinton para ligjvenësve shqiptarë.

Hillary Klinton, duke folur si mike e kombit shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, u bëri sfidë përfaqsuesve shqiptarë që të gjejnë rrugën e sinqertë të bashkpunimit, “sepse më në fund”, tha ajo, “udhëheqsit në një demokraci të vërtetë, vendosin interesat e kombit mbi interesat personale dhe partiake.”   Zonja Klinton me të drejtë tha me atë rast se ndonëse Shqiptarët kanë një histori mijëra vjeçare, është ekzaktërisht këjo periudhë në të cilën jetojmë, e cila mund të ketë pasojat më të mëdha që ka përballur ndonjëherë kombi shqiptar për konsolidimin përgjithmonë të demokracisë për brezat e ardhëshëm.  Në fjalimin e saj, Hillari Klinton, i drejtoi parlamentit shqiptar disa pyetje të mprehta që janë edhe sot aktuale, sidomos përballë shtyrjes së dhënjës së statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Ndër të tjera, ajo pyeti:  “A do vazhdojë Shqipëria të ndërtojë një qeverisje të mirë?  A do të vazhdojnë udhëheqsit  e saj të sigurojnë besimin e popullit se puna e qeverisë do të japë rezultate të mira?  A do të lini më një anë interesat personale dhe partiake, për të mirë të vendit tuaj?  A do të ndërmirrni bërjen e reformave që mbështesin rritjen ekonomike duke krijuar mundësi për të gjithë shqiptarët?  A do të luftoni korrupcionin që favorizon disa në kurriz të shumëve?   A do të vazhdoni të bëni punën e rëndë që nevojitet për t’u antarësuar në Bashkimin Europian, duke qenë të vetdijshëm se është rruga që ofron paqën dhe progresin për të gjithë qytetarët tuaj?”  Ishin këto pyetje që vetë Zonja Klinton tha se vetëm udhëheqsit shqiptarë mund tu përgjigjen, por janë pyetje që kërkojnë përgjigje dhe marrje masash vendimtare nëqoftse, siç tha ajo një vit më parë në Parlamentin shqiptar, “dëshironi të bëni përparim drejtë antarësimit të Shqipërisë në Be-në”, aty ku e kini vendin”, tha ajo.   Këtë detyrë, përfundoi Zonja Klinton ua kini borxh ”fëmijve dhe brezave të ardhëshëm…në një botë mundësishë, tolerance dhe gjithëpërfshirse.”

Shqiptarët meritojnë antarësimin në një Europë të bashkuar e cila i respekton ata si të barabartë me të gjitha kombet e tjera dhe njëkohësisht, Shqiptarët meritojnë një qeveri, një opozitë dhe një klasë politike, që do të bëjnë ç‘mosin për të bërë të  mundur realizimin e kësaj ëndërre shekullore të të gjithë Shqiptarëve kudo.

Filed Under: Analiza Tagged With: anetaresimin ne BE, Frank shkreli, Shqiptaret e meritojne

Foli Shotë Galica e Kosovës !

December 18, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra/

”Nga të gjithë elementët e padisiplinuar në Perandorinë Turke, pak mund të ketë pasur, që të mund të sillnin aq shumë trazira sa shqiptarët. Për të dënuar grupet e pabindura duhet të dërgoheshin ekspedita ushtarake njëra pas tjetrës. Edhe pse Shqipëria është veçse pak më e madhe se sa Vermonti dhe me zor sa i bën një milionë banorë, ajo është një qendër cikloni e Ballkanit, nga e cila mund të lindin probleme të rënda. Rajoni i liqenit të Shkodrës në kufirin verior është një zonë problematike ku interesa konfliktuale nuk mund të ndahen paq, përveçse nga ndonjë proces i gjatë negociatash dhe rregullimi “Bota e re, problemet e gjeografisë politike” – libër i pabotuar ndonjëherë në shqip (Bowman, Isaiah, The new world; problems in political geography (1921), Yonkers-on-Hudson World Book Co, 1921, Chapter Seventeen; The Albanian Mountaineers, f. 306-312). Këto mendime, parë rëndësinë e individit në fjalë dhe pozicionin e tij si kryekëshilltari për çështjet territoriale pranë presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Versajës, mund të konsiderohen si mendimi zyrtar apo si këndvështrimi origjinal amerikan për Shqipërinë e kohës. Shumë nga këto zhvillime ballkanike, ashtu si dhe zhvillimet historike shekullore evropiane, ndikuan në krijimin e teorive të mëdha gjeopolitike klasike. Bowmani, konsiderohet pjesë e mendimit të zanafillës gjeopolitike. Nuk  e kemi dijtur se  si na është mëshefur; Isaiah Bowmani, gjeografi i Woodrow Wilsonit: ”Kufijtë e Shqipërisë të bashkojnë gjithë shqiptarët me trungun kryesor!. Ai e këshillonte administratën e Rosveltit, dhe e ndihmoi që të skicoheshin shumë aspekte të politikës së Jashtme amerikane të pasluftës dhe të formulohej rindërtimi evropian territorial i pasluftës.( P. Ribaj, A,Hitoaliaj).

“Në rast se LDK e ndryshon kursin properëndimor, gjë që unë nuk besoj se do të ndodhë, pra dhe vendos të mbështesë agjendën islamike, atëherë unë atë moment largohem nga kjo parti. E kam thënë edhe më parë, kjo është çështje fondamentale e lirisë dhe e identitetit kombëtar. Asnjë kompromis nuk e bëj në lidhje më këtë. Dhe po ua them se për këtë çështje, pra të identitet kombëtar dhe të lirisë unë prishem me të gjithë botën .“ -tha Zonja Alma Lama në një intervistë.  Foli Shotë Galica e Kosovës !

“Deputete e nderuar Alma unë plotësisht pajtohem me ty për të gjitha çfarë  ke pohuar me lartë. Kurse për fjalët e “hallkut” siq thot fjala popullore mos të dhemb as cepi i veshit, sepse këta qe flasin kundër, shumica e tyre nuk e kanë un-in e vet fillimisht ! Ato vajza në te cilat këta thirren, që bajnë shami, athua per çka tjeter po i bajkan ato perpos për disa lek që i marrin për ta propaguar fundamentalizmin islamik?! Unë i perkas fesë muslimane, por nuk eurrej asnjë fe tjeter, jam pra musliman i moderuar, jam musliman i lehtë .”.(foli Ismaili)

Më në fund një politikane ashtu siq e kërkon koha.,….”  e lexuam deklaratën tënde të guximshme për qendrimin fisnik dhe përherë të ndershëm që shpalos kundrejt partisë ku militon. E dashura Alma, më është e pamundur të pershkruaj emocionin dhe dashurinë që zgjon emri yt në kombin tonë. Ju kujtojmë aq shpesh dhe jeni kaq e pranishme mes nesh ! Per ne ju jeni një pishtar drite i ndezur i luftës ndaj së keqës… Dije pra, se na ke ne krah, mëndojmë për ty, jemi katërcipërisht dakort me ato veprime plot guxim që bën e që arrijnë deri ketu si meteorë te shkëputur nga qielli i Kosoves. Të jesh e sigurtë se ti mbetesh shpresa dhe gezimi i të gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe që e duan me të vërtetë kombin e tyre..”( foli inteligjenca). Shpresë e madhe  ,sigurisht edhe gëzimi i të gjithë shqiptarëve , që e duan kombin . Nuk janë pak :” Gruaja është edhe shtylla edhe temeli i shoqërisë sonë, ajo duhet të mbrohet nga kulmi qe nganjehere po prishet mbi të. (thot A. Belegu) dhe vazhdon:” Më vjen mirë që kemi së paku një femër në politiken ‘kosovare’, që qëndrimin në ketë çeshtje e ka deklaruar, qendrim i cili tregon normal atdhetarizëm, pjekuri, por tregon edhe që kemi të bëjmë me nje  grua që i perket shekullit 21 dhe shpresoj qe gratë shqipëtare do angazhohen më shumë në politikë sepse burrneshat e trimneshat e kombit nuk lekundën aq lehtë për çeshtje që kanë të bëjnë me komb – por edhe sepse femra shqipëtare dhe vlerat e asaj shqipëtare po perpiqen të deformohen, të mbulohen, të shkatërrohen. Duhen të dalin në dritë dhe ti tregojnë botës femrën shqipëtare ashtu siç është ajo:Jo një grua e degraduar, por një mbretëresh dhe perëndesh e kësaj bote! Zonja Alma Lama,më ke befasuar per te mirë. Si duket Ju tani për tani jeni personaliteti politik më dinjitoz  femror në mbarë Shqipërnë etnike. Shpresoj që në një të afërme tëshpejte që femra shqiptare në tërësi t´iu thyej hundët ” pangjaveshave derbeder”. Mos iu paçim lakmi,të shiturve!

”Gruaja është edhe shtylla edhe temeli i shoqërisë sonë, ajo duhet të mbrohet nga kulmi qe nganjehere po prishet mbi të.(M.L.)” Tani disa vite po bëhën  eksperimente me tjegullat e importuara pa dëshirën tonë nga Arabia. Ato duhën të hiqen , prishën ato duhet.të ndalohen. I kemi themelet tona historike , nuk na duhen tjegulla arabe të ardhura me qëllim nga Sërbia.

Dhe po ua them se për këtë çështje, pra të identitet kombëtar dhe të lirisë unë PRISHEM ME TË GJITHË BOTËN “. Edhe unë , ne të gjithë!

Gjakovë , 17.12.13

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma Lama, Fahri Xharra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 925
  • 926
  • 927
  • 928
  • 929
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT