• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN

March 22, 2024 by s p

Të nderuar vëllezër e motra të besimit Bektashi

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të Kryesisë së Vatrës, Këshillit të Vatrës e të gjithë vatranëve ju uroj: Gëzuar nga zemra festën e begatë e të bekuar të Sulltan Novruzit. Dashuri, paqe, festë, gëzim, lumturi dhe bekime paçi kurdoherë në zemër, shpirt dhe familjet tuaja të nderuara e të bekuara. Perëndia i tejetlartë bekoftë, shenjtëroftë dhe shpërbleftë çdo përpjekje tuajën për të mirën e Atdheut dhe bashkatdhetarëve tanë kudo ku ndodhen.

Kjo festë e shenjtë uroj që të sjellë për ju të gjithë një lindje të re e të fuqishme shpirtërore, fat, sukses e begati familjare.

Gëzuar Sulltan Novruzin

Zoti ju bekoftë

Me gëzim dhe nderim

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Analiza

ETNOMIMI ARBËRESH – SHQIPTAR NË sintezën e Profesor Engjëll Sedajt

March 22, 2024 by s p

Shkruan: Begzad Baliu/

Hyrje

E përditshmja e Prishtinës, “Bujku-Rilindja”, prej datës 15 janar – 3 shkurt 1996, botoi fejtonin e Engjëll Sedajt “Etnonimi arbëresh – shqiptar”. I shkruar nga njëri prej njohësve më të mirë të perëndimit, – nën prizmin e të cilit pretendohet të shihen etnonimet arbëreshe-shqiptare, – dhe duke qenë njëri prej problemeve më të rëndësishme me të cilin janë marrë për një kohë të gjatë historianët, gjuhëtarët dhe kulturologët shqiptarë, ky fejton zgjoi interesim të dukshëm në rrethin e gjerë të lexuesve, ndonëse nuk mungonin as vërejtjet.

I nxitur nga vlerësimet e përgjithshme, Engjëll Sedaj, duke e plotësuar veç të tjerave edhe me një hyrje dhe përmbledhje në gjuhën angleze, këtë fejton e botoi si vëllim më vete në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Konteksti i studimit historik të etnonimit arbër

Libri hapet me një fragment të recensentit të parë, studiuesit Rexhep Ismajli, i cili i njofton lexuesit se fjala është për një vepër që “merret me një çështje të vështirë dhe të ndërliqshme filologjike (më pak) dhe historiko-kulturore (në thelb)” (f. 4) dhe me një parathënie shpjeguese mbi idenë që e shtyu autorin për të përgatitur një sintezë shkencore për etnonizimin arbëresh-shqiptar, pas gjithë atyre studimeve të bëra deri më tani nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Siç mund të shihet, shkak i parë ishte mendimi i historianes serbe Fanulla Papazogllu se, krahasimi i arbërve me albanët (ilirët) “mbështetet në ngjashmërinë e rastësishme të emrave”(f. 5). Më poshtë autori sjell edhe mendimin e një studiueseje greke, Eras Vranusit, të thënë më 1970, se “shprehja e Ana Komnenes to ex Arbanon hormomeno Komiskorti (“ia ka lënë Komiskorit të arbërve”), nuk jep kuptim etnik (të shqiptarëve), por jep kuptim administrativ të Arbanonit” (f. 5). Këtu do shënuar ndërkaq se ata që kanë përcjellë rrjedhat shkencore, kanë mundur të vërejnë se interesimi i autorit të këtij libri për problemin e etnonimit arbëresh-shqiptar është i hershëm dhe se pjesë nga vëzhgimet e tij të lidhura ngushtë me çështjen e arbrit i ka diskutuar edhe në disa tubime shkencore në Tiranë, Shkup, Ulqin, Prishtinë e gjetkë, e gjithashtu pjesë të saj i ka botuar në disa revista e studime të veçanta. Sikurse shkruan edhe vetë autori në përmbajtjen e shkurtër, në këtë libër “duke u mbështetur në literaturën shkencore për emrat e popullit shqiptar si dhe në burimet historiografike, autori ndjek vazhdimin e etnonimit arbëresh prej kohës antike, deri më sot […], sipas një metodologjie historiko – gjuhësore krahasimtare” (f. 😎.

Pas parathënies, çështja e etnonimit arbër trajtohet në Hyrje duke filluar me interesimet e J. Tunmanit (1746-1778) e deri në ditët tona. Këtu shoshiten kryesisht çështje historike, arkeologjike, gjuhësore e kulturore, me të cilat autorë të ndryshëm janë përpjekur të përcaktojnë vendndodhjen e kryeqytetit të albanëve antikë, duke filluar me hartën e Ptolemeut, pastaj me hulumtimet e V. Tomashekut, të J. F. Falmajerit, Ksylanderit, Dozonit etj.

Autori bën mirë që, krahas emërtimit të shqiptarëve me emra të ndryshëm nga të huajt gjatë historisë dhe sot, sjell edhe një pasqyrë të emërtimit të popujve edhe më të mëdhenj se shqiptarët, për të dëshmuar se fjala është për një dukuri të natyrshme historike, që ka lindur si rezultati i fqinjësisë së popujve, luftëtarëve, pushtimeve të ndërsjella, ndikimeve kulturore, përkimeve gjuhësore, madje jo vetëm në Gadishullin Ballkanik, por edhe në Evropën Perëndimore e Qendrore. Për sa u përket shqiptarëve, autori sjell edhe emërtimet e brendshme, sepse, sipas autorit: “ndër shqiptarët, përveç emërtimeve arbënesh dhe shqiptar, ekzistojnë emërtime të tjera sipas shtrirjes krahinore – rajonale më të gjera dhe më të ngushta, siç janë: gegë (Gegëri), toskë (Toskëri, Toskëni), çamë (Çamëri), pastaj: matijan, pultjan, llapjan, drenicas etj., kurse popujt e tjerë na quajnë: albanian, albansis, albanese, albaner, albanci, arnaut, arvanit, raban etj” (f. 12).

Nuk më duket se qëndron këmbëngulja e përsëritur e autorit që kalimi nga ilirët te shqiptarët të shikohet vetëm përmes etnonimit arbër. Siç dihet, shqiptarët kanë përdorur edhe emrat “sporadikë”, – siç i quan Sedaj, – epirotas, makedon etj., të cilët nuk duhen përjashtuar nga ky proces. Të pranosh vetëm emrin arbër, si përcaktues të etnonisë së sotme shqiptare, do të thotë të rrudhësh shumë hapësirën gjeografike të trojeve shqiptare ndërmjet trojeve të djeshme etnike dhe të sotme shqiptare, d.m.th. të rrudhësh shumë shtrirjen territoriale shqiptare dhe të zvogëlosh disa herë numrin e “shqiptarëve” të sotëm, gjatë antikës dhe mesjetës.

Pikëpamjet e studiuesve shqiptarë dhe të huaj

Studiuesi Engjëll Sedaj, duke iu qasur etnonimit arbër, mbështetet edhe në lëndën etnografike e të folklorit, por veçanërisht te rezultatet gjuhësore të Çabejit, pa anashkaluar këtu vërejtjet dhe mendimet e historianëve, si: Aleks Buda, Kristo Frashëri, Fanulla Papazogllu etj., pastaj gjuhëtarët Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Dhimitër S. Shuteriqi etj.

Në një artikull të veçantë, me mbështetje të mirë historike, historiografike e arkeologjike, autori trajton shtrirjen dhe vendin e formimit të albanëve antikë dhe të Albanopolit të tyre. Në mbështetje të njohurive të sotme të historisë dhe sidomos arkeologjisë, autori e gjen këtë vend midis Matit e Shkumbinit, duke pranuar mendimin e Selim Islamit për Zgërdheshin si qendra më e madhe arkeologjike e njohur në atë zonë. Po këtu, autori trajton edhe marrëdhëniet historike ndërmjet krahinave dhe qyteteve shqiptare gjatë antikitetit e mesjetës në shumë aspekte, duke vënë në përdorim edhe disa çështje të ndikimeve gjuhësore ndërmjet greqishtes e shqipes, të cilat shpjegojnë shumë çështje historike, edhe për faktin se shqipes i mungojnë dokumente të shkruara gjatë antikitetit dhe mesjetës në krahasim me greqishten.

“Shikuar sub specie mundi, – shkruan autori – etnonimi alban, në këtë shkallë të vetëdijes së zhvilluar, dëshmohet në rrjedhat e fuqisë titanike traditore, që gjatë shekujve ishte më e fuqishme se raca, religjioni dhe ekonomia” (f. 37). Le të shihet këtu edhe përkufizimi i përafërt i studiuesit Zef Skiroi i Ri (Giuseppe Schiro Jr.), të cilin studiuesi Sedaj nuk e ka konsultuar, sepse, po ta konsultonte, jo vetëm do të kishte plotësuar rezultatet e tij, por do të përfitonte edhe zgjidhje të reja: “Duke krahasuar me kujdes shprehjet arbëreshe ndër shkrimet greke – të pabotuara, por që gjenden në shtyp – më ra në sy se në fjalën Arbër përmblidhen vlera kuptimore që kapërcejnë shënimin e thjeshtë si emër i një populli e se ky emër reflekton më tepër botën etnike të fisit (“kuptimi historik i Arbërit e përgjigjja e tij në vetëdijen e popullit arbëror” ). Këta ishin njerëz që jetonin në kultin atavik të lirisë së individit dhe të njëjtës strukturë familjare: më pëlqen të kujtoj se historianët bizantinë i quajnë arbëreshët njerëz pa udhëheqës, pa kryetarë. Ishin njerëz që u lëshojin grave, të rinjve dhe të vjetrave kujdesin e shtëpisë dhe të arave dhe vinin si ideal të jetës trimërinë dhe respektin absolut të fjalës së dhënë, të besës”.

Struktura gjuhësore e etnonimit arbër

Në kapituj të veçantë, trajtohet historiku dhe trajtat e përdorimit të etnonimit arbër në gjuhën romane, – me theks të veçantë në variacionin r/i dhe rotacizmin n/r, si edhe në gjuhët sllave e në turqisht. Qëllimin që i ka vënë vetes, autori e ka shpjeguar dhe zgjidhur brenda kapitujve “Etimologjia e fjalës arbër” dhe “Trajta më e re e etnonimit «shqiptar»”. Duke filluar me Gustav Majerin, autori i kthehet edhe një herë rrënjës së etnonimit arbër: nga baza indoevropiane “albn në lidhje me lat. Albus” (f. 81), për të konsultuar më tej edhe Petar Skokun (alb-, arb-), i cili e nxjerr këtë rrënjë si paraindoevropiane; si dhe Vinçeno Dorsen, M. Pavlloviqin, i cili, bazën e arb-, e konsideron me bazë ilire; studiuesin Idriz Ajeti, i cili, duke sjellë mendimin e Holger Pedersenit, shpreh mendimin se “trajta alb- është sekondare, e dalë nga baza arb” (f. 84). Në këtë aspekt, ai rimerr edhe disa çështje të prapashtesës – esh dhe të “betacizmit rv : rb” (f. 86). Autori, për arsye të ndryshme gjuhësore, por edhe historike, konsulton edhe shumë studiues shqiptarë ose të huaj, por mbështetje kryesore gjen te studiuesi E. Çabej, që për më shumë se dyzet vjet, e ka trajtuar etimologjinë e etimonit arbër në disa artikuj. Në këtë aspekt, mendoj se më e rëndësishme se çështja e betacizmit, këtu është çështja e variacionit l : r. Studiuesi shqiptar Petro Zheji shkruan se “Arbania (Arbëria) dhe Albania janë e njëjta gjë”, “meqenëse ar dhe al janë semantikisht identike”. Në anën tjetër, Leonard Blumfildi ka konstatuar se “gjuhët indoevropiane tregojnë po ashtu edhe një mosdallim të vjetër të /l/-së dhe të /r/-së, që është shpjeguar si shkak i substratit që kishte vetë njërin ose asnjërin nga këta tinguj”. Zgjidhja e këtij problemi në gjuhësinë shqiptare besoj se këtu do të jepte përgjigje edhe në disa çështje të rëndësishme të fjalorit etimologjik. Ne po e shtojmë këtu edhe një mendim të Zef Skiroi i Ri (Giuseppe Schiro Jr.), që e ndihmon çështjen tonë jo vetëm në aspektin gjuhësor: “Nuk duhet të jesh glotolog për të zbuluar që αλβανος e arbër janë fjalë të një rrënje se arbër – gegërisht arben – është rezultat i një evolucioni fonetik gjatë shekujsh në gojën toske. Nëse ne marrim në shqyrtim zhvillimet semantike të αλβανος, nga popullsia greke e Epirit që jetonte bashkë me arbëreshët dhe rrjedhimisht nga kronisti i Tokajve, – i cili ishte një grek fanatik nga Janina, – ne mund të depërtojmë në vlerat semantike të fjalës “arbër, vlera semantike e të cilit na reflektohet nga gjuha greke dhe motike, që nuk ishte e panjohur nga të parët tanë”.

“Fjala αλβανητις përkthen termin arbëresh dhe shënon arbëreshin në individualitetin e tij: αλβανηται ose αλβανητες janë shumë arbëreshë […]. Kjo është forma që i qëndroi kohës: e vetmja sot në përdorim në greqishten dhe motike”.

“To αλβανον është një fjalë netre [asnjanëse], me kuptim kolektiv e mund nënkuptoi γενος =fis.”

“Të gjithë popujt e tjerë, duke u marrë në entitetin global të tyre, shënohen zakonisht me emrin mashkullor, njëjës apo shumës, por jo me trajtën neutër”.

“Lirisht dhe haptas të shkoj për mes të krahinave arbëreshe. Është e qartë se këtu për metonimi τα Αλβανα shënon jo aq arbëreshët, sa krahinat e banuara nga Arbëreshët. Nga këtu del se çdo krahinë e banuar është në vetvete αλβανηον”.

Ashtu siç u tha për greqishten, ku shënohen dy grupe kuptimesh αλβανονe αλβανα me vlerë të njëjtë, dhe αρβανητις. Keta (Chetta) duke iu përshtatur të folmes së kohës, përdor dy forma: një arbër dhe tjetra është “arbëreshë” dhe, ashtu si në greqishte, forma e parë shënon “arbëreshin” ose shqiptarin si përfaqësues i fisit, ndërsa arbëreshë-arbëreshi shënon individin arbëresh në vetvete. Ndryshimi sot, duke dalë jashtë përdorimit fjala arbër, duket i stërholluar, por është lehtë për t’u kuptuar nga ai që njeh kuptimin e ri e të vjetër të fjalës arbëresh”.

“Pra kuptimi arbër është arbëresh ose shqiptar duke theksuar sidomos “fisin” si dhe dheun ku jetojnë Arbreshët e Shqiptarët. Pra, ku arbreshi vë vatrën e tij aty është “Arbër”: do me thënë “Shqipëri” [theksojmë se Chetta nuk përdor formën Arbëri]. Rrjedhimisht Arbria nuk gjendet vetëm brenda kufirit politik të Shqipërisë së sotme, por në çdo pjesë të dheut ka dhizet flaka e një vatre shqiptare: në Greqi, në Ungari, në Rumani, Jugosllavi, Turqi, Itali dhe Amerikë. Vlerë mistike e fjalës: aty ku shqiptari vë gurin e vatrës së tij, ajo shtëpi bëhet Arbër. […] Është Shqipëri mistike, një Shqipëri spirituale me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror dhe ja u pason pasardhësve me besnikëri”.

Konteksti kulturologjik

Duke mos i vënë vetes si detyrim mbrojtjen e një teze të tillë, jo për të polemizuar, por për të njohur lexuesit me një koncept gjuhësor-historik, gjuhësor e posaçërisht kulturor shqiptar, po sjell këtu një tipologji të emërtimit të shqiptarëve nëpër shekuj:

I. Aspekti historik:

Ilir

Epirotas

Maqedon

II. Aspekti etno-historik:

Arban (Alban)

Epirotas

Maqedon

Shqiptar

III. Aspekti fetar:

Mysliman

Katolik

Ortodoks

IV. Aspekti kulturor:

Osmanli (turk)

Latin

Arum

V. Aspekti krahinor

Geg

Tosk

Kosovar

Mirditor

Matjan

Drenicas

Lab

Llapjan

VI. Aspekti përkeqësues

Arbër

Malok

Katundar

VII. Aspekti metaforik

Arbëror

Shqiptar

Malësor

Rrjedhimisht, etnonimi arbër del më shumë si një metaforë që në kontekstin e plotë etnik, por që ka mbështetje historike, gjuhësore, kulturore, fetare etj., në gjithë truallin e shqipes apo në tërësinë e tij. Etnonimi arbër edhe më tutje do shqyrtuar në aspektin historik, etnografik, gjuhësor, kulturor etj. Vetëm duke pasur dallimet dhe përbashkësitë e tyre, ne mund t’ia bëjmë vendin dhe t’ia gjejmë peshën etnonimit në fjalë.

Arbër dhe “shqiptarë”

Çështja e parë që të bie në sy në kapitullin “Trajta më e re e etnonimit «Shqiptar»”, është vënia në thonjëza e etnonimit shqiptar. Pasi gjen mbështetje te studiuesi Çabeji dhe te disa studiues të tjerë, se “emri shqiptar, Shqipëri, duket të jetë imponuar në kohë të re”, autori bën çmos për të përforcuar “dëshmitë e tij” për antitrupin aziatik shqiptar, që iu ngjit etnonimit arbëresh, duke zbutur edhe mendimin e Rexhep Ismajlit, për mendimin tim nga më të qëndrueshmit, se ndërrimi i etnonimit u imponua “natyrshëm në kohën e krijimit të kombit”…, që natyrisht erdhi si rezultat i “ndryshimeve më të thella sociale, politike e konfesionale”.

Për studiuesin Sedaj, etnonimi arbëresh është përcaktues i ndërgjegjes kombëtare, evropiane etj., kurse “ideologjia islame” (autori emërton katolicizmin “fe”, ndërsa islamizmin “ideologji”, sikur të fliste për një fe dhe një ideologji), ishte “shkombëtarizim i popullit, e që shënon një shkallë të caktuar humbjen e ndërgjegjes kombëtare”. Një mendim i tillë kujtoj se është krejtësisht subshkencor dhe i ndërtuar mbi motive jashtëfetare, që nuk do të duhej t’i arsyetonte e aq më tepër t’i thoshte një studiues i përmasave të E. Sedajt. Përveç kësaj, autori, shprehjen “e imponuar” të studiuesit Çabeji, e shpjegon si “e dhunuar, përdhunuar” etj., për të bërë më pas krahasime ndërmjet trajtave arbëresh: shqiptar dhe shqiptar: shqiptari. Krahas përpjekjes për të kurorëzuar mendimin e tij, autori sjell edhe mendimin e Çabejit për përdorimin e stërkequr të etnonimit arbër, që unë këtu po e sjell më të plotë nga një botim më i hershëm: “një stërkeqje analoge [me malësorët e Veriut të Shqipërisë, – B. B.] ka pësuar në Vlorë fjala arbëresh: arbëror, siç dihet, quhen banorët e Arbrit, pra, të një pjese të Labërisë e të rretheve të Vlorës […], qytetari i Vlorës, (arbëreshit, bariut të vrazhdë dhe shumë herë të ndyrë të maleve që zbret në qytet, i dha një kuptim pezhorativ si “njeri i ndyrë, i pagdhendur”, tamam siç ndodhi me malokun në Veri”. Në këtë rrugë mbase duhen parë edhe shprehjet e mëvonshme: shqiptar e katundar (Gjakovë), qytetar e katundar-malok etj., të cilat s’ka dyshim se dolën si rezultat i ndryshimeve social – ekonomike e kulturore e jo krejtësisht fetare, siç këmbëngul autori.

Dhe i bindur se ia ka arritur qëllimit, studiuesi Sedaj, del me propozimin që tani e tutje, etnonimi arbër dhe toponimi Arbëri të përdoret në vend të etnonimin shqiptar dhe toponimit Shqipëri” (f. 122). Kuptohet, për lexuesit e informuar, as kjo nuk është e re. Propozimi i këtij studiuesi, sado i arsyetuar dhe i metaforizuar qoftë, është në të vërtetë i njohur që nga fundi i shekullit të kaluar, kur, sipas mendimit të disa intelektualëve shqiptarë, kufijtë e shtetit të ardhshëm autonom duhej të kufizoheshin vetëm brenda popullsisë shqiptare të besimit katolik. Fjala është për një ndërmarrje shkencore me shumë interes, për kurorëzimin e së cilës, kushti i parë është të liruarit nga kompleksi i fajësisë kolektive ose të fajësuarit krahinor, fetar, kulturor, gjuhësor etj.

Siç duket, prej periudhës së Rilindjes e këndej, në mos edhe më herët e deri më sot, nuk jemi çliruar nga kompleksi i prejardhjes së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Në qoftë se vendi i prejardhjes së popullit shqiptar – për çka angazhohet edhe studiuesi Sedaj në nëntitullin “Kontribut për autoktoninë e shqiptarëve” – ka qenë përcaktues historik dhe politik për krijimin e shtetit shqiptar dhe vendin e gjuhës shqipe në trungun e gjuhëve indoevropiane, atëherë përse ndryshimet e brendshme, që erdhën si rezultat i forcave të jashtme, duheshin parë si shenjë e fatkeqësisë që vjen nga historia dhe kjo reflektohet aq fuqishëm në të ardhmen?

Pra, pse kalimi nga etnonimi arbër në etnonimin shqiptar ishte një fatkeqësi historike? Për arsye se, sipas autorit, shqiptarët që kaluan në besimin islam, pranuan edhe veshjen islame edhe jetën islame, prandaj përballë Evropës, shqiptarët u kthyen me fytyrë nga Lindja (siç!).

Ka shumë arsye që e kundërshtojnë këtë mendim: historike, etnike, gjuhësore, kulturore, fetare etj., prej të cilave po i japim vetëm disa:

– së pari, tashmë të gjithë studiuesit kanë pranuar tezën se shqipja i takon grupit satem, domethënë lindor, të gjuhëve indoevropiane, ndërsa ilirishtja i takonte grupit centum;

-së dyti, shqiptarët janë kthyer me fytyrë nga Lindja para se të pranonin islamizmin, pra, atëherë kur kisha e krishtere u nda në katolike dhe ortodokse;

-së treti, shqiptarët dhe gjuha shqipe nuk kanë ndonjë lidhje familjare me ndonjë nga popujt ose grupet e popujve të Evropës Perëndimore, përveç besimit katolik që mban një pjesë e popullatës dhe shkrimit (latin), të përgjithësuar vetëm në shekullin XX, sado që dëshmitë historike, si ajo e Brokardit, japin të dhëna për përdorimin e shkrimit latin së paku që nga fillimi i shekullit XIV, prandaj, mbase nuk është e rastit që gjuha shqipe dhe kultura e saj në katedrat e institucioneve shkencore të Evropës, mësohet në katedrat e gjuhëve të Lindjes e, madje, edhe të gjuhëve sllave;

-së katërti, siç e provojnë shumë dokumente, shqiptarët nuk arritën të kalojnë jo vetëm në besimin katolik si shumicë, por as në krishterimin në tërësi;

-së pesti, por jo së fundi, shqiptarët asnjëherë nuk kanë mbajtur ndonjë qëndrim të veçantë për kalimin e organizuar në besimin islam.

Përkundrazi, kanë qenë rrethanat historike ato që, në mënyrë afatgjatë, i kanë kushtëzuar këto ndryshime, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme. Vitet e fundit, këto rrethana i ka përcaktuar mjaft mirë historiani Kasem Biçoku: “Gjatë shekujve të Mesjetës, pas organizimit të kishave sllave e greke me prirje të theksuara asimilimi ndaj shqiptarëve, krahas antroponimisë me formë të dalluar kombëtare, në trevat shqiptare dhe sidomos në zonat periferike, ku ushtruan veprimtarinë e tyre klerikët sllavë e grekë, u përhap gjerësisht te shqiptarët edhe antroponimia sllave e greke. Në këtë drejtim ka ndikuar shumë zhvillimi i liturgjisë në gjuhën greke e në atë sllave, gjë që ka ndihmuar në asimilimin e një pjese të shqiptarëve prej fqinjëve […]. Përbërja shqiptare e klerit katolik dhe shkollimi paraprak i tij në Shqipëri i dhanë besimit katolik tiparet e një feje kombëtare që ndikoi shumë në rritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Katolicizmi u bë një barrierë e fuqishme kundër asimilimit sllav, po ashtu, siç do të bëhej më pas islamizmi. Në kushtet e ndarjes së shqiptarëve në dy rite kristiane, në katolikë e ortodoksë, dhe të mungesës së një kishe kombëtare të organizuar, përhapja e islamizmit shfaqej edhe si një proces i ruajtjes së individualitetit kombëtar përballë veprimtarisë asimiluese të kishave greke e sllave”. Natyrisht, nuk është fjala këtu për zgjidhjen e problemit, por për sintezën më të mirë rreth së cilës sillet pjesa më e madhe e studiuesve që merren me këtë problem.

Dilemat dhe kundërthëniet?

Ata që ngulin këmbë për katolicizmin kombëtar si kusht të parafytyrimit të shqiptarit euro – perëndimor, harrojnë trashëgiminë kulturore ilire, bashkëjetesën e gjatë me kulturën greke dhe rrezatimin e saj kulturor ndër ilirët e të ilirëve ndër ta, më shumë sesa kultura perëndimore, si dhe katolicizimin vetëm të pjesshëm të shqiptarëve.

Përkrahësit e përparësisë së ortodoksisë harrojnë se, edhe pas ndarjes së Kishës Lindore, ndikimi gjuhësor e fetar i Romës ishte edhe për më se dy shekuj i qëndrueshëm, ndërsa shqiptarët ishin dobësuar shumë gjatë rrënimeve që sollën fiset vandale – nuk u është bërë e mundur të kalojnë në ortodoksizëm. Aq më tepër kur pushtuesi që mbretëronte (romak, grek ose sllav), përcaktonte edhe organizimin fetar, gjuhësor (administrativ) e kulturor në atë pjesë të trojeve shqiptare. Këta vërtet do të kishin shumë të drejtë nëse shqiptarët do të kishin mundësi për t’u integruar brenda territoreve etnike, duke u çliruar nga prirjet çintegruese që u kishin imponuar pushtuesit romakë, grekë e sllavë, dhe nëse, pas ardhjes së sllavëve e më pastaj edhe pas pushtimit prej Perandorisë Osmane, prirjet çintegruese kulturore, sociale dhe gjuhësore brenda trojeve etnike shqiptare nuk do të ishin aq të theksuara.

Nuk më duket i drejtë as konstatimi i disa studiuesve se, pas pranimit me dhunë të ortodoksisë (sllave), shqiptarët kaluan në besimin islam dhe shpëtuan nga sllavizmi.

Së pari, te shqiptarët, kalimi në besimin ortodoks i kishës sllave ende nuk ishte ngulitur si kulturë shpirtërore dhe, së dyti, shqiptarët më parë se sa të përqafonin besimin ortodoks (sllav) me të cilin do të fitonin lirinë shpirtërore, pranuan islamin dhe përfituan jo vetëm lirinë shpirtërore, por edhe privilegjet shtetërore, ekonomike e social – kulturore. Pra, kjo ishte çështje e raportit të forcave, me ç’rast shqiptarët, pa kishë autoqefale të organizuar dhe me thyerje të fuqishme (të shkaktuara nga pushtimi i vendit të tyre prej tri fuqive të kohës), e që çonin nga rrjedhat centrifugale të pjesëve të saj politike, kulturore, gjuhësore etj., mund të bashkoheshin vetëm andej nga ishte më i fuqishëm gravitacioni shtetëror-administrativ. Sot, ndërkaq, gabimin më të madh e bëjnë ata që, në vend që të gjykojnë historinë, duan ta përmirësojnë atë brenda natës. Cinizëm i llojit të vet është edhe deklarata e politikanëve dhe shkencëtarëve, kur njëzëshëm thonë se tri (katër) fetë janë pasuri shpirtërore e madje kulturore e shqiptarëve.

Feja, cilado qoftë ajo, vërtet është pasuri shpirtërore, por deklarata për pasurinë e shqiptarëve, sepse u takojnë tri besimeve, është demagogji politike e politikanëve, tragjedi historike e shqiptarëve dhe mjerim shkencor i shkencëtarëve.

Secili pushtues imponon kulturën, gjuhën dhe fenë e tij dhe kjo s’ka pse të ekzagjerohet as mohohet a madje as popullarizohet, as në rastin tonë.

Në këtë libër, studiuesi Engjëll Sedaj përpiqet së tepërmi që të gjejë dallimet ndërshqiptare të besimeve të ndryshme dhe përparësitë e fesë katolike përballë islamizmit, të para këto nga këndi i historisë, gjuhës dhe traditës, si shkaktare të fatkeqësisë së sotme të shqiptarëve. Sado që këmbënguljet e autorit pretendojnë të jenë historike-gjuhësore, dhe madje kulturore – historike, në të vërtetë, në të dy rastet pretendojnë majën etnoshpirtërore të popullit shqiptar dhe pamjen historike të tij.

Prishtinë, maj 1996

(Janë mënjanuar 17 referenca)

Filed Under: Analiza

Opinionin Publik, Shoqëria Civile dhe Media

March 20, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Duke e parë opinionin publik si një mishërim, si shprehës por dhe si arkitekt të fjalës së përbashkët për problemet më themelore të jetës, të prodhimit, të mënyrës së jetesës mund të themi se opinioni publik është përtej gazetave, radiove, televizioneve, shtypit të shkruar dhe radiove në distancë, është një emërues i përbashkët që gjithmonë e më shumë duhet kumton të përcaktojë disa nga piketat e qeverisjeve.
Opinioni publik mund të ndikojë shumë në vendimet e ligjvënësve. Parlamentet dhe Presidentet në mënyrë të kuptueshme duhet të janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në mbështetjen e publikut për qëndrimet e tyre në çështjen kombëtare. Një çështje themelore e qeverisjes është se në çfarë shkalle drejtuesit ekzekutiv dhe ligjvënës duhet të reflektojnë opinionet e zgjedhësve të tyre në raport me gjykimin e vlerësimin e tyre lidhur me interesat kombëtare.
Ka një sërë përfitimesh që lidhen me përfshirjen e qytetarëve në procesin e politikëbërjes. Përveç transparencës, përgjegjshmërisë dhe legjitimitetit, arritja e mirëkuptimit midis komuniteteve dhe vendimmarrësve duhet konsideruar si qëllimi final i pjesëmarrjes së publikut në procesin e politikëbërjes. Ndërtimi i konsensusit midis qeverive dhe komuniteteve çon në një politikë publike gjithëpërfshirëse, demokratike dhe mbi të gjitha të një cilësie të lartë, e cila reflekton interesin publik përballë axhendave politike në nivele të ndryshme qeverisëse. Pjesëmarrja e qytetarëve ndihmon në zgjidhjen efektive të konflikteve jo vetëm në nivel kombëtar por edhe në nivel global.
Të drejtosh në nivelin kombëtar nuk është e lehtë. Dhe kjo për disa arsye, në radhë të parë jo të gjitha parashikimet, rregullat, ligjet apo normat e vendosura nga kjo instancë janë plotësisht të aplikueshme, zbatueshme apo i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të popullsisë, të asaj shtrese që edhe e ka votuar e zgjedhur këtë nivel për ta drejtuar. Nga ana tjetër, nevojat për parashikime dhe planifikime lindin në jetën e përditshme, në aktivitetin e gjallë dhe konkret të punës së njerëzve dhe sidomos të atyre që merren direkt me prodhimin e të mirave materiale. Njëkohësisht, përvojat mbarëbotërore kanë treguar se, sa më e madhe të jetë pjesëmarrja e publikut në politikëbërje dhe qeverisje aq me produktiv dhe efektiv do të jetë rezultati.
Udhëheqësit e këtyre niveleve duhet në mënyrë të vazhdueshme të shqyrtojnë vendimet dhe veprimet e parashikuara prej tyre, ndikimin që vendime dhe veprime të tilla mund të kenë në gjendjen shpirterore të publikut, në grupet mbështetës, në elementët e shoqerisë, që ka mundësi të preken, përfshirë këtu edhe organizatat e ndryshme dhe median. Media duhet që të japë një vështrim të balancuar të gjithë situates. Në të vërtetë ndodh se, media jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve demokratike, beson se ato po bëjnë më të mirën për shoqërinë. Megjithatë, të mos harrojmë se ato merren me biznesin e plotësimit të dëshirës dhe kërkesës së publikut për lajme, që do i tërheqin lexuesit, dëgjuesit dhe shikuesit e tyre.
Media, natyrisht që të do përgatisë kronikën dhe do të bëjë njoftimin e lajmeve. Media mundet që të ndikojë shpejt e në mënyrë dramatike opinionin botëror dhe vetë politiken.
Shoqëria civile përfshin një numër të madh shoqatash vullnetare dhe lëvizjesh shoqërore, të cilat përfaqësojnë interesa të ndryshme shoqërore dhe lloje të ndryshme veprimtarish. Me fjalë të tjera njerzit vullnetarisht formojnë grupe për të avancuar vlerat dhe interesat e tyre, dhe angazhohen në jetën publike jashtë. Megjithëse përgjithësisht me këtë term, i referohemi organizatave jo fitimprurëse, koncepti i shoqërisë civile është më i gjërë dhe ai mund të përfshijë gjithashtu grupet e mbrojtjes, grupet e interesit, kishat dhe grupet fetare, shoqëritë profesionale, shoqëritë akademike, grupimet e grave, grupimet rinore, sportive dhe çdo formë tjetër të grupimeve shoqërore vullnetare.
Në përgjithësi shoqëria civile vlerësohet si tepër e rëndësishme për procesin e demokratizimit dhe është shprehje e këtij procesi. Ekzistenca e një shoqërie civile energjike është e domosdoshme për shoqëritë demokratike, dhe ato u kujtojnë udhëheqësve politik se kur duhet të marrin vendime të rëndësishme për politikat shtetërore, duhet të kenë parasyshë një larmi kërkesash që në shumicën e rasteve janë dhe kunkuruese.
Institucionet akademike, grupet e ekspertëve, (Organizatat jo fitimprurëse) OJF-të që merren me të drejtat e njeriut, por edhe ato të politikës në përgjithësi, kanë mundësi të plota për të ushtruar gjithë ndikimet e tyre tek vendimet dhe politikat që ndiqen dhe merren në fushën e sigurisë, dhe qeveritë duhet t’i mbështesin të gjithë këto organizma jo thjeshtë që të ndihmohen në një vendimarrje më të plotë por edhe si një shprehje e transparencës së saj ndaj publikut.
Shoqëria civile është sot një koncept i rëndësishëm në analizën e politikave bashkëkohore, dhe sot ajo duhet të jetë një faktor thelbësor në ndihmën për kufizimin e qeverisjes autoritare, forcimin e pjesmarrjes politike të njerëzve, interesin mediatik dhe në ushtrimin e presionit për të arritur llogaridhënien politike. Sot organzatat e shoqërisë civile, shërbejnë si kanale për të shprehur diversitetin dhe ndonjëherë interesat sociale kontradiktore ose konfliktuale në një demokraci.
Organizatat e shoqërisë civile janë shumë të rëndësishme, për arësye se anëtarët e tyre mund të posedojnë ekspertiza të specializuara për aspekte të qeverisjes dhe të çështjeve të sigurisë dhe mund të përfshijnë edhe departamentet e universiteteve, institucionet akademike, shoqëritë profesionale, grupet e të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, grupet e paqes, gazetarë, etj.
Organizatat e shoqërisë civile mund të asistojnë qeverinë në gjetjen e përgjigjejeve dhe qasjeve për çështjet e politikave publike. Ndërmjet diversitetit të pikpamjeve dhe eksperiencave që ato përfaqësojnë, imputi i tyre mund të ndimojë për të bërë politikbërjen e qeverisë më përfshirëse, dhe duke shërbyer si burim shtesë i analizës dhe informacionit mbi politikën dhe vendimarrjen e qeverisë, hetimi publik nga ana e organizatave të tjera të shoqërisë civile, kontribuon në një qeverisje më efektive.
Ato ndikojnë në problemet e qeverisjeve në shumë drejtime si: Duke shpërndarë në parlament, media dhe publik analiza dhe informacione të pavarura për prolemet e politikëbërjes; Duke monitoruar dhe inkurajuar respektimin e studimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut; Duke futur në kalendarët e veprimtarisë së tyre çështje të sigurisë që janë të rëndësishme për shoqërinë; Duke organizuar kurse kualifikimi dhe seminare, për parlamentarë, përfaqësues të medias por edhe për persona që dëshirojnë të trajnohen në këto fusha; Duke paraqitur pikpamje alternative nga ekspertët e politikave përmes nxjerrjes së debatit publik; Duke dhënë informacion për vendimet e legjislativit dhe ekzekutivit në lidhje me politikën e sigurisë kombëtare.
Qytetaret mund të marrë pjesë dhe duhet që të marrin në veprimtaritë e shoqërisë civile i nisur nga nevojat shpirtërore personale për realizimin e vetvetes. Koncepti i shoqërisë civile parimisht e përjashton veprimtarinë prodhuese që drejtohet drejt përmbushjes së nevojave materiale të qytetarit. Tendenca është për të përjashtuar nga hapësira e shoqërisë civile organizimet fitimprurëse, si ndërmarrjet tregtare apo prodhuese dhe për të përfshirë në të lëme të tilla si kultura, shkenca, arsimimi, feja, sporti, shërbimet e përkujdesjes sociale etj, që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me prodhimin dhe fitimin material.
Për këtë arsye, sindikatat dhe organizime të tjera me bazë profesionale bëjnë pjesë në shoqërinë civile për aq sa ndikimi i tyre kapërcen lëmin e punës dhe i lidh anëtarët e tyre me interesa më të gjera shoqërore dhe politike. Përfundimisht, mund të thuhet se në shoqërinë civile ndodhemi atëherë kur nuk votojmë ose paguajmë taksat, që janë veprimtari të lidhura me shtetin, dhe atëherë kur nuk jemi duke punuar, prodhuar ose blerë, që i përkasin rrafshit fitimprurës dhe përmbushjes së nevojave materiale. Nëse këto ndodhin, siç ka tendenca kohet e fundit, nuk mund të themi më se kemi shoqëri civile.
Partitë politike si bashkime vullnetare me synime për të ruajtur ose marrë pushtetin shtetëror për realizimin e programeve të tyre lokalizohen diku ndërmjet shoqërisë civile dhe shtetit, duke i ndërthurur të dy lëmet dhe duke shërbyer si një hallkë lidhëse midis tyre.
Ideja e vetërealizimit të lirshëm të qytetarit me anë të zhvillimit të potencialeve vetjake në një hapësirë ku ai është i mbrojtur prej ndërhyrjes së shtetit, e afron idenë e shoqërisë civile me utopinë marksiste të zhdukjes së shtetit në etapën e komunizmit. Por në të vërtetë, për krijimin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë civile nevojitet një shtet i konsoliduar ligjor, i cili duhet të garantojë ndarjen rigoroze të shoqërisë civile prej shtetit dhe ekonomisë. Një shtet i tillë duhet të jetë neutral përsa i përket pyetjes: “Cila është jeta më e mirë?”, përgjigjen e së cilës duhet ta kërkojë e ta gjejë çdo qytetar për veten e tij duke ndërvepruar me qytetarët e tjerë në shoqërisë civile.
Shteti duhet të sigurojë mosprekjen e të drejtave të qytetarit, të jetë garantues i kontratave shoqërore që qytetarët lidhin me njëri-tjetrin dhe të ndëshkojë veprimet që dëmtojnë lirinë e të tjerëve ose bien ndesh me rendin publik. Midis shoqërisë civile dhe shtetit në kohën tonë nevojitet vendosja e një barazpeshe mjaft delikate që duhet ruajtur me kujdes. Kur shteti dhe shoqëria civile janë të dy të shëndoshë, ata shërbejnë si dy shtylla ku mbahet dhe është frytdhënës rendi demokratik. Kur shoqëria civile është e fortë dhe shteti i dobët, ky i fundit nuk mund të përmbushë kërkesat që lindin në shoqërinë civile dhe për pasojë nuk mund të përmbajë konfliktet që lindin në të. Kur shteti është më i fortë dhe shoqëria civile e dobët, kemi rrezikun e kapërcimit të kompetencave shtetërore dhe vendosjen e një qeverisjeje autoritare, madje diktatoriale. Më katastrofike është situata kur shoqëria civile dhe shteti janë që të dy të dobët përballë veprimeve të pakontrolluara të individëve të udhëhequr vetëm nga interesi vetjak. Në një rast të tillë, jo vetëm që nuk bëhet më fjalë për ruajtjen e rendit dhe të mirëqenies të qytetarëve, por është rreziku që shoqëria ekzistuese të shkërmoqet.
Diversiteti i pafund i formave të aktivizmit qytetar dhe ndikimi i tyre mbi politikat, për pjesën më të madhe reflekton shumëllojshmërinë e konteksteve, tendencat aktuale dhe sfidat e së ardhmes.

Filed Under: Analiza

Pse ByteDance po kërcen Tik-Tok nga sikleti ?

March 18, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Ju pëlqen të udhëtoni në një botë ku çdo moment është një mini-spektakël? Më 2024, një aplikacion ka pushtuar botën nën zinxhirin e tij, duke shndërruar përditshmërinë tonë në një karusel të pakthyeshëm të videove të shkurtra dhe vallëzimeve.

Po, po, flasim për Tik Tok, platformën që ka bërë që edhe një video e shkurtër të krijojë ndjesinë e një spektakli të madh. Në një epokë ku “Tik Tok” bëhet fjalë e ditës, për “gjeneratën Z” me 1.5 miliard përdorues, është si të jesh pjesë e një kulture që i përket një brezi të ri që nuk mund të imagjinojë jetën pa të. Ai është bërë më shumë se një aplikacion, është bërë një kult, një mënyrë e jetesës moderne, një ritual i detyrueshëm që përplas kulturën e popullarizuar me cilësinë e shpejtësinë.

Ngjarjet e fundit tregojnë qartazi se “Tik Tok” i ka shndërruar rrjetet sociale në një arenë të pashmangshme ku çdo përdorues bëhet një yll i vogël i skenës së tij personale. Nëse dikur festat e famshme ishin ato që përfshinin një sallë të madhe të ngrohtë e drita të ndriçuara, sot, festa është aty në celularin tënd, me një çift veshur si astronautë, që bëjnë “dance challenge” në kuzhinën e tyre.

Në një skenë të e habitshme me një muzikë e ngjashme me një film spiunazhi, Washingtoni po përpiqet ta shndërrojë TikTok-un nga një aplikacion argëtues kalamajsh në një stres diplomatik. Po pse?

Si një sulm i plotë për t’i treguar dhëmbët komunizmit të Hapur Kinez, dhe Partisë Komuniste, Kongresi amerikan ka miratuar një projekt-ligj që nuk po lë asnjë aplikacion kinez, që të përshtatet apo vjedhë Amerikën. Madje dhe kur Biden ftoi influencues në Tik-Tok Bydance, mendoi se kjo ishte thjesht një kërcim mediatik dhe ai se kishte me gjithë mend.

Sipas ligjvënësve amerikanë, kompania ByteDance kontrollohet nga qeveria kineze, dhe PKK e cila mund të kërkojë në çdo kohë të ketë, qasje tek të dhënat e konsumatorëve të TikTok-ut në SHBA në çdo kohë që dëshiron madje të influencojë dhe qëndrimet e tyre sociale. Ky shqetësim i ka bazat tek një sërë ligjesh të sigurisë kombëtare kineze, sipas së cilave kompanitë janë të detyruara të ndihmojnë në mbledhjen e informacionit të zbulimit. Megjithëse Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projekt-ligjin, fati i tij në Senat është i pasigurt, si një postim Tik-Tok-u që mund të mos mbetet më viral.

Me një sërë kërkesash që do të bënte edhe Sherlock Holmes-in të dëshpërohej, projektligji ka hyrë që në rrënjë të çështjes së TikTok-ut. Në këtë dramë kinezo-amerikane, Washingtoni shkon përtej të thjeshtësuarit, duke akuzuar ByteDance si një mjet që ka lidhje me kërkesat kineze për të grabitur të dhënat personale të qytetarëve amerikanë. Dhe bashkë me të duke inxhinieruar mentalitetin e Amerikës te brezi i ardhshëm.

Në këtë akuzë, qeveria kineze duket sikur është zënë gafil, duke bërë gjithçka që mund të imagjinohet për të rrëmbyer të dhënat tona. Sëmundja e vërtetë e komplikuar nëse aplikacionet tona të mediave sociale mund të përshtaten në një vend të tretë si filma spiunazhi. Ndërkohë, që TikTok-u po shkon në grackën e ndarjes. Ose ai do të duhet të lërë prapanicën e tij kineze dhe të mbajë një qëndrim të qartë amerikan, ose do të duhet të gjejë një blerës amerikan që ka shpatullat e mjaftueshme për të mbajtur një aplikacion të tillë nën kontroll.

Në një botë ku pamja e jashtme është më e rëndësishme se mendimet e brendshme, TikTok-u është tempulli që adoleshentët modernë adhurojnë. Ky aplikacion i vogël është bërë kthimi modern i Shkëndijës së Platonit, ku realiteti është përballur me një shtresë të trashë me filtra të përsosur, muzikë intriguese, dhe akte të caktuar performuese që nënvizojnë një farësoj tërheqjeje dhe idiolatrie kulti.

Dëshirat për të qëndruar në tregun amerikan mund të kenë synim për të rrëmbyer inteligjencën e tij artificiale. Por ndërkohë, pasiguria që mbretëron në ambientin e Senatit, ku qeveria duhet të tregohet si një Sherlock i zgjuar, për të gjitha lojërat e shkëlqyera të ByteDance.

Por në këtë skenë të çuditshme politike, nuk ka munguar hipokrizia. Administrata e kaluar ka shprehur shqetësime për sigurinë e TikTok-ut, por tani po lufton për të mbrojtur të njëjtën platformë për arsye se do të forconte Meta-n. Në këtë absurditet të rrethuar nga konspiracione dhe politikë partiake, historia e Trumpit si “mbështetës i Tik Tok-ut” është një tjetër kapitull në librin e tij të çuditshëm. Në fillim, ai shfaqej si një luftëtar i zjarrtë kundër aplikacionit, duke e quajtur atë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Por, tani, në mënyrë të pabesueshme, ai po e mbron aplikacionin si një kampion i lirive të komunikimit.

Për Trumpin, politika është gjithmonë e përqendruar në përdorimin e medias dhe platformave sociale për të mbajtur kundërshtarët nën kontroll. Një aplikacion si “Tik Tok”, i cili ka potencialin për të shpërndarë informacione të paparashikueshme, mund të jetë një mjet i fuqishëm për të komunikuar mesazhet e tij. Në një farë mënyre, ai po përpiqet të përdorë kundërshtarin e tij tradicional, “Facebook”-un, për të bërë një këmbim. Tani, në vend që të godasë Facebook-un, ai po e promovon atë si një alternativë të mirë për Tik Tok-un, duke e kthyer rrjedhën e politikës së tij në një labirint të pazakontë.

Ndryshimi i qëndrimeve politike është më i shpejtë se një video TikTok- u . Edhe kjo shpjegon pse krijuesit e TikTok-ut shkuan për terapi? Sepse u ndjenë të zënë gjer në “byte”-sized nga likes and followers!

Në fund të fundit, megjithatë, në këtë lojë të politikës së madhe, qytetarët amerikanë janë ata që kanë ndjerë rëndë peshën e saj. Aplikacionet e tyre të dashura të mediave sociale janë bërë një fushë lufte e hapur mes dy fuqive globale.

Në këtë komedi absurde, adoleshentët luajnë role si të gjithë piktorë të mjedisit virtual që janë. Njëkohësisht, prindërit përpiqen të kuptojnë çfarë lloj magjie ka ky aplikacion që i bën fëmijët e tyre të ndihen si superstarë për një moment.

Ndërsa adoleshentët përballojnë tensionin midis dëshirës për të qenë të famshëm në internet dhe ankthit për të mos përballuar të vërtetën e pasqyrës, ata përpiqen të mbajnë fytyrën e tyre të freskët përpara kamerave. Por çdo ndeshje me realitetin vërtetë duhet të ndahet me një montazh të shpejtë dhe një të qeshur të forcuar për të mbajtur të ftuarit e tyre në mënyrë që të ndjehen si në një emision të vogël televiziv. Në fund, të fundit duke humbur vetveten në valën e ndjekësve dhe komenteve, ata rrezikojnë të harrojnë se cilat janë vlerat e vërteta të miqësisë dhe identitetit, sa në një shkollë i hoqën të gjithë pasqyrat e tualetit.

Por, e vetmja pyetje që duhet të kemi është: sa do të zgjasë ky pasion për spektakël të shpejtë? A do të arrijmë të gjejmë kohë për të ndalur, menduar, për të qenë vete, jashtë ekranit të telefonit tonë? Nuk e dimë ende. Por deri atëherë, ne vazhdojmë të “swipe”-ojmë nëpër botën tonë virtuale, duke u kapur në rrethin e pavdekshmërisë së shpejtësisë 15-sekondëshe.

E me humor të mprehtë, ne kujtohemi se jeta nuk është një përqindje e pëlqimesh dhe ndjekësish; ajo është përvojë, lidhje dhe një proces i gjatë i zhvillimit personal. Dhe kushedi, ndoshta na duhet të kemi një filtër dhe për atë. Dhe sa për ta mbyllur.

Po pse shefi i guzhinës kineze nuk përdor vetë Tik- Tok?

Sepse ai ka një recetë 100-vjeçare virale, me “wok”!

Filed Under: Analiza

Dita e Verës

March 15, 2024 by s p

Faik Konica/

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po ne mos e festuam me trup, do t’a festojmë me zemër.

Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjeter, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë te Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një bare, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajme Dit’ e Verës.

Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtmë të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t’rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t’ këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t’odave.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të races s’onë. Nuk i bëjnë dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.

*Ky shkrim u botua në faqen e parë të nr. 1 të gazetës, “Trumbeta e Krujes”, botuar në Saint Louis, MO më datë 20 mars 1911. Në fund të shkrimit jepet data kur është shkruar (25 shkurt 1911).

“Iliria Saint Louis

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT