
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Duke e parë opinionin publik si një mishërim, si shprehës por dhe si arkitekt të fjalës së përbashkët për problemet më themelore të jetës, të prodhimit, të mënyrës së jetesës mund të themi se opinioni publik është përtej gazetave, radiove, televizioneve, shtypit të shkruar dhe radiove në distancë, është një emërues i përbashkët që gjithmonë e më shumë duhet kumton të përcaktojë disa nga piketat e qeverisjeve.
Opinioni publik mund të ndikojë shumë në vendimet e ligjvënësve. Parlamentet dhe Presidentet në mënyrë të kuptueshme duhet të janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në mbështetjen e publikut për qëndrimet e tyre në çështjen kombëtare. Një çështje themelore e qeverisjes është se në çfarë shkalle drejtuesit ekzekutiv dhe ligjvënës duhet të reflektojnë opinionet e zgjedhësve të tyre në raport me gjykimin e vlerësimin e tyre lidhur me interesat kombëtare.
Ka një sërë përfitimesh që lidhen me përfshirjen e qytetarëve në procesin e politikëbërjes. Përveç transparencës, përgjegjshmërisë dhe legjitimitetit, arritja e mirëkuptimit midis komuniteteve dhe vendimmarrësve duhet konsideruar si qëllimi final i pjesëmarrjes së publikut në procesin e politikëbërjes. Ndërtimi i konsensusit midis qeverive dhe komuniteteve çon në një politikë publike gjithëpërfshirëse, demokratike dhe mbi të gjitha të një cilësie të lartë, e cila reflekton interesin publik përballë axhendave politike në nivele të ndryshme qeverisëse. Pjesëmarrja e qytetarëve ndihmon në zgjidhjen efektive të konflikteve jo vetëm në nivel kombëtar por edhe në nivel global.
Të drejtosh në nivelin kombëtar nuk është e lehtë. Dhe kjo për disa arsye, në radhë të parë jo të gjitha parashikimet, rregullat, ligjet apo normat e vendosura nga kjo instancë janë plotësisht të aplikueshme, zbatueshme apo i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të popullsisë, të asaj shtrese që edhe e ka votuar e zgjedhur këtë nivel për ta drejtuar. Nga ana tjetër, nevojat për parashikime dhe planifikime lindin në jetën e përditshme, në aktivitetin e gjallë dhe konkret të punës së njerëzve dhe sidomos të atyre që merren direkt me prodhimin e të mirave materiale. Njëkohësisht, përvojat mbarëbotërore kanë treguar se, sa më e madhe të jetë pjesëmarrja e publikut në politikëbërje dhe qeverisje aq me produktiv dhe efektiv do të jetë rezultati.
Udhëheqësit e këtyre niveleve duhet në mënyrë të vazhdueshme të shqyrtojnë vendimet dhe veprimet e parashikuara prej tyre, ndikimin që vendime dhe veprime të tilla mund të kenë në gjendjen shpirterore të publikut, në grupet mbështetës, në elementët e shoqerisë, që ka mundësi të preken, përfshirë këtu edhe organizatat e ndryshme dhe median. Media duhet që të japë një vështrim të balancuar të gjithë situates. Në të vërtetë ndodh se, media jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve demokratike, beson se ato po bëjnë më të mirën për shoqërinë. Megjithatë, të mos harrojmë se ato merren me biznesin e plotësimit të dëshirës dhe kërkesës së publikut për lajme, që do i tërheqin lexuesit, dëgjuesit dhe shikuesit e tyre.
Media, natyrisht që të do përgatisë kronikën dhe do të bëjë njoftimin e lajmeve. Media mundet që të ndikojë shpejt e në mënyrë dramatike opinionin botëror dhe vetë politiken.
Shoqëria civile përfshin një numër të madh shoqatash vullnetare dhe lëvizjesh shoqërore, të cilat përfaqësojnë interesa të ndryshme shoqërore dhe lloje të ndryshme veprimtarish. Me fjalë të tjera njerzit vullnetarisht formojnë grupe për të avancuar vlerat dhe interesat e tyre, dhe angazhohen në jetën publike jashtë. Megjithëse përgjithësisht me këtë term, i referohemi organizatave jo fitimprurëse, koncepti i shoqërisë civile është më i gjërë dhe ai mund të përfshijë gjithashtu grupet e mbrojtjes, grupet e interesit, kishat dhe grupet fetare, shoqëritë profesionale, shoqëritë akademike, grupimet e grave, grupimet rinore, sportive dhe çdo formë tjetër të grupimeve shoqërore vullnetare.
Në përgjithësi shoqëria civile vlerësohet si tepër e rëndësishme për procesin e demokratizimit dhe është shprehje e këtij procesi. Ekzistenca e një shoqërie civile energjike është e domosdoshme për shoqëritë demokratike, dhe ato u kujtojnë udhëheqësve politik se kur duhet të marrin vendime të rëndësishme për politikat shtetërore, duhet të kenë parasyshë një larmi kërkesash që në shumicën e rasteve janë dhe kunkuruese.
Institucionet akademike, grupet e ekspertëve, (Organizatat jo fitimprurëse) OJF-të që merren me të drejtat e njeriut, por edhe ato të politikës në përgjithësi, kanë mundësi të plota për të ushtruar gjithë ndikimet e tyre tek vendimet dhe politikat që ndiqen dhe merren në fushën e sigurisë, dhe qeveritë duhet t’i mbështesin të gjithë këto organizma jo thjeshtë që të ndihmohen në një vendimarrje më të plotë por edhe si një shprehje e transparencës së saj ndaj publikut.
Shoqëria civile është sot një koncept i rëndësishëm në analizën e politikave bashkëkohore, dhe sot ajo duhet të jetë një faktor thelbësor në ndihmën për kufizimin e qeverisjes autoritare, forcimin e pjesmarrjes politike të njerëzve, interesin mediatik dhe në ushtrimin e presionit për të arritur llogaridhënien politike. Sot organzatat e shoqërisë civile, shërbejnë si kanale për të shprehur diversitetin dhe ndonjëherë interesat sociale kontradiktore ose konfliktuale në një demokraci.
Organizatat e shoqërisë civile janë shumë të rëndësishme, për arësye se anëtarët e tyre mund të posedojnë ekspertiza të specializuara për aspekte të qeverisjes dhe të çështjeve të sigurisë dhe mund të përfshijnë edhe departamentet e universiteteve, institucionet akademike, shoqëritë profesionale, grupet e të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, grupet e paqes, gazetarë, etj.
Organizatat e shoqërisë civile mund të asistojnë qeverinë në gjetjen e përgjigjejeve dhe qasjeve për çështjet e politikave publike. Ndërmjet diversitetit të pikpamjeve dhe eksperiencave që ato përfaqësojnë, imputi i tyre mund të ndimojë për të bërë politikbërjen e qeverisë më përfshirëse, dhe duke shërbyer si burim shtesë i analizës dhe informacionit mbi politikën dhe vendimarrjen e qeverisë, hetimi publik nga ana e organizatave të tjera të shoqërisë civile, kontribuon në një qeverisje më efektive.
Ato ndikojnë në problemet e qeverisjeve në shumë drejtime si: Duke shpërndarë në parlament, media dhe publik analiza dhe informacione të pavarura për prolemet e politikëbërjes; Duke monitoruar dhe inkurajuar respektimin e studimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut; Duke futur në kalendarët e veprimtarisë së tyre çështje të sigurisë që janë të rëndësishme për shoqërinë; Duke organizuar kurse kualifikimi dhe seminare, për parlamentarë, përfaqësues të medias por edhe për persona që dëshirojnë të trajnohen në këto fusha; Duke paraqitur pikpamje alternative nga ekspertët e politikave përmes nxjerrjes së debatit publik; Duke dhënë informacion për vendimet e legjislativit dhe ekzekutivit në lidhje me politikën e sigurisë kombëtare.
Qytetaret mund të marrë pjesë dhe duhet që të marrin në veprimtaritë e shoqërisë civile i nisur nga nevojat shpirtërore personale për realizimin e vetvetes. Koncepti i shoqërisë civile parimisht e përjashton veprimtarinë prodhuese që drejtohet drejt përmbushjes së nevojave materiale të qytetarit. Tendenca është për të përjashtuar nga hapësira e shoqërisë civile organizimet fitimprurëse, si ndërmarrjet tregtare apo prodhuese dhe për të përfshirë në të lëme të tilla si kultura, shkenca, arsimimi, feja, sporti, shërbimet e përkujdesjes sociale etj, që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me prodhimin dhe fitimin material.
Për këtë arsye, sindikatat dhe organizime të tjera me bazë profesionale bëjnë pjesë në shoqërinë civile për aq sa ndikimi i tyre kapërcen lëmin e punës dhe i lidh anëtarët e tyre me interesa më të gjera shoqërore dhe politike. Përfundimisht, mund të thuhet se në shoqërinë civile ndodhemi atëherë kur nuk votojmë ose paguajmë taksat, që janë veprimtari të lidhura me shtetin, dhe atëherë kur nuk jemi duke punuar, prodhuar ose blerë, që i përkasin rrafshit fitimprurës dhe përmbushjes së nevojave materiale. Nëse këto ndodhin, siç ka tendenca kohet e fundit, nuk mund të themi më se kemi shoqëri civile.
Partitë politike si bashkime vullnetare me synime për të ruajtur ose marrë pushtetin shtetëror për realizimin e programeve të tyre lokalizohen diku ndërmjet shoqërisë civile dhe shtetit, duke i ndërthurur të dy lëmet dhe duke shërbyer si një hallkë lidhëse midis tyre.
Ideja e vetërealizimit të lirshëm të qytetarit me anë të zhvillimit të potencialeve vetjake në një hapësirë ku ai është i mbrojtur prej ndërhyrjes së shtetit, e afron idenë e shoqërisë civile me utopinë marksiste të zhdukjes së shtetit në etapën e komunizmit. Por në të vërtetë, për krijimin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë civile nevojitet një shtet i konsoliduar ligjor, i cili duhet të garantojë ndarjen rigoroze të shoqërisë civile prej shtetit dhe ekonomisë. Një shtet i tillë duhet të jetë neutral përsa i përket pyetjes: “Cila është jeta më e mirë?”, përgjigjen e së cilës duhet ta kërkojë e ta gjejë çdo qytetar për veten e tij duke ndërvepruar me qytetarët e tjerë në shoqërisë civile.
Shteti duhet të sigurojë mosprekjen e të drejtave të qytetarit, të jetë garantues i kontratave shoqërore që qytetarët lidhin me njëri-tjetrin dhe të ndëshkojë veprimet që dëmtojnë lirinë e të tjerëve ose bien ndesh me rendin publik. Midis shoqërisë civile dhe shtetit në kohën tonë nevojitet vendosja e një barazpeshe mjaft delikate që duhet ruajtur me kujdes. Kur shteti dhe shoqëria civile janë të dy të shëndoshë, ata shërbejnë si dy shtylla ku mbahet dhe është frytdhënës rendi demokratik. Kur shoqëria civile është e fortë dhe shteti i dobët, ky i fundit nuk mund të përmbushë kërkesat që lindin në shoqërinë civile dhe për pasojë nuk mund të përmbajë konfliktet që lindin në të. Kur shteti është më i fortë dhe shoqëria civile e dobët, kemi rrezikun e kapërcimit të kompetencave shtetërore dhe vendosjen e një qeverisjeje autoritare, madje diktatoriale. Më katastrofike është situata kur shoqëria civile dhe shteti janë që të dy të dobët përballë veprimeve të pakontrolluara të individëve të udhëhequr vetëm nga interesi vetjak. Në një rast të tillë, jo vetëm që nuk bëhet më fjalë për ruajtjen e rendit dhe të mirëqenies të qytetarëve, por është rreziku që shoqëria ekzistuese të shkërmoqet.
Diversiteti i pafund i formave të aktivizmit qytetar dhe ndikimi i tyre mbi politikat, për pjesën më të madhe reflekton shumëllojshmërinë e konteksteve, tendencat aktuale dhe sfidat e së ardhmes.