• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FTESË PËR REFLEKTIM NDAJ TRAGJEDISË CAME

June 26, 2014 by dgreca

– Dihet botërisht se nga 100 udhëheqësit e luftës së pavarësisë greke, 90 prej ishin shqiptarë, arvanitas dhe çamë…Dua t’ju ftoj të reflektoni për atë se pse populli themelues i pavarësisë së kombit grek u shndërrua në popull armik për t’u përzënë nga toka e vet në mënyrë të përgjakshme ,si ndodhi në mënyrë përfundimtare 70 vjet më parë.
Dua të kuptojmë më mirë të gjithë bashkë pse kombi shqiptar humbi një bastion të ekzistencës së vet në trojet etnike.Kjo ftesë për reflektim nuk është ftesë për vajtim kolektiv. Është ftesë për të kuptuar më shumë rreth kësaj tragjedie dhe drejtesise qe ajo meriton.
NGA SHPËTIM IDRIZI
“Shumë kurajozë Kryetar Pronjo dhe Çapari dhe gjithë çamëve, ju përshëndes! Unë dhe atdheu ju falenderojmë. Dhe tani duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë- këto janë fjalët me të cilat udhëheqësi i revolucionit grek, Dh.Ipsilanti, u drejtohej figurave më të spikatura të Çamërisë gjatë Revolucionit grek.
Dihet botërisht se nga 100 udhëheqësit e luftës së pavarësisë greke, 90 prej ishin shqiptarë, arvanitas dhe çamë. Çfarë ka ndodhur që këto fjalë të Ipsilantit u shkelën me këmbë, u thye besa, dhe 70 vjet më parë, në margjinat e Konfliktit më të madh botëror të kohës, u konsumua një tragjedi me përmasa fatale për komunitetin çam të Greqisë?
Afro 2700 vetë u vranë në mënyrë makabre, afro 3000 të tjerë vdiqën nga uria, vapa dhe sëmundjet në tokën tonë. 50 mije të tjerë u përzunë. U shkul nga rrënjët, por vetëm fizikisht një pjesë e komunitetit shqiptar të Greqisë, pjesa myslimane e tij.
***
Sot kam dalë para jush, jo thjesht për një ritual të përvitshëm që në 2014, 70 vjet më vonë tingëllon më fort. Një ritual që e përsëris që nga koha kur jam bërë pjesë e këtij parlamenti, qoftë brenda PS-së, qoftë në krye të PDIU.
Jo, dua t’ju ftoj të reflektoni për atë se pse populli themelues i pavarësisë së kombit grek u shndërrua në popull armik për t’u përzënë nga toka e vet në mënyrë të përgjakshme ,si ndodhi në mënyrë përfundimtare 70 vjet më parë.
Dua të kuptojmë më mirë të gjithë bashkë pse kombi shqiptar humbi një bastion të ekzistencës së vet në trojet etnike.Kjo ftesë për reflektim nuk është ftesë për vajtim kolektiv. Është ftesë për të kuptuar më shumë rreth kësaj tragjedie dhe drejtesise qe ajo meriton. Vetëm pasi të keni kuptuar më shumë, atëherë do të jemi të zotë të gjejmë zgjidhje për të vënë në vend këtë padrejtësi historike.
Kjo gjë mund të bëhet në përputhje jo thjesht , mbi një bazë legale të cilën e ka miratuar ky Kuvend i nderuar, por mbi bazën e të gjithë dokumentave të së drejtës ndërkombëtare për minoritetet, për krimet e luftës, për të drejtat universale të pronës, të shtetësisë, etj.

Të dashur kolegë deputetë,
të dashur qytetarë të komunitetit çam dhe të gjithë Shqipërisë, që na ndiqni nga ekrani; Kur e nisa këtë fjalim 70 vjet pas tragjedisë së komunitetit tonë, ju referova një thënie të një heroi të pavarësisë greke, i cili ishte njeri nga ata të dhjetë që nuk ishin shqiptarë me gjak dhe me gjuhë.
Dua t’ju them disa prej refleksioneve të mia rreth asaj tragjedie të ndërtuar mbi pabesi, mbi urrejtje, mbi mungesë ndjenjash njerëzore, mbi mentalitet genocidal që mjerisht nuk ka qenë vetëm cilësi e segmenteve të kufizuara të shoqërisë së vendit fqinjë. Ka qenë cilësi e gjithë qeverisjeve greke, dhe që qeverisjet e sotme nuk e kanë përgënjeshtruar dot.
Komuniteti çam mysliman u përzu nga Greqia, u vra, u dhunua, ju shkatërrua baza e ekzistencës ekonomike, kulturore, sepse ai komunitet ishte komuniteti më i pasur i Greqisë së veriut. Ka boll prova historianësh grekë për këtë.
Janë prova të prekshme ligjet e shumta , që Greqia ka miratuar prej viteve 20 deri në ditët tona për ta zhbërë këtë të drejtë të shenjtë, të drejtën e pronës së shqiptarëve. Komuniteti shqiptar çam ka kontrolluar nëpërmjet zotërimit të pronave të veta të mëdha të trashëguara brez pas brezi, në trojet e veta etnike, një pjesë të rëndësishme të territorit të Greqisë.
A mundet që Greqia ta pranonte përfundimisht që brenda territorit të siguruar me luftëra të përgjakshme, me dredhi, me aleanca të shenjta dhe të pashenjta, të kontrollohej nga shqiptarët?
Jo, dhe jo. Mjerisht e ka bërë këtë me kosto gjaku të mijëra viktimave në kohë të ndryshme.
Ky territor nuk ka qenë dhe nuk është thjesht një vijim gjeografik i tokave të banuara nga shqiptarët, këtej dhe andej kufirit londinez të pjesëve të kombit. Ky territor nuk ka qenë thjesht pjesë e Epirit të banuar historikisht nga shumicë dërmuese shqiptare siç e pohojnë dhe historianët grekë.
Në këtë territor kanë lindur mitet më të rëndësishme të historisë së lashtë greke, madje të periudhës parahelenike. Në këtë territor gjendet Dodona, qyteti ku adhurohej Zeusi, perëndia e hershme, babai i zotave.lumi I Akeronit qe ne Mitologji lidh te kete bote me boten e pertejme. A mundej ta lejonte kontrollin nga shqiptarët të këtij territori shteti modern grek?
Ky shtet e ka ndërtuar kombin modern grek mbi mitin e vijimësisë midis grekëve të lashtë që lidhen me urën bizantine me grekët e sotëm dhe ekzistenca e shqiptarëve në trojet e veta e prish mitin e tyre.
Qeveritë greke nuk e kanë pranuar këtë kontroll të shqiptarëve siç e kemi parë dhe mjerisht kjo e ashtuquajtur vijimësi është mbështetur jo thjesht mbi manipulimin e historisë, por dhe me gjakun e mijëra viktimave të pafajshme shqiptare. Në këtë territor kanë lindur heronjtë më të rëndësishëm të pavarësisë greke, por që kanë patur vetëdije kombëtare shqiptare. Ndihmesa çame për Greqinë është e jashtëzakonshme.
Sot, në ditën e genocidit, deshëm t’ju rikujtonim grekëve trimat e Çamërisë, Marko Boçari, Islam Pronjo, Lule Çapari e shumë të tjerë, që bashkë me vëllezërit arvanitas Andrucët, Mjaulët, Bubulinët, Kanarët, Kriezotët, Shkurtanjotët etj. Ishin udhëheqësit kryesorë të kryengritjes në luftën për Pavarësinë Greke. Grekët në ato vite ishin pakicë dhe, me thënë të drejtën, as nuk e njihnin vehten si pasardhës të grekëve të lashtësisë.
A mundet ta pranonte për një kohë të gjatë Greqia këtë të vërtetë të madhe që kalon nga pohimi se heronjtë e pavarësisë ishin shqiptarë me gjak, me gjuhë, me vetëdije, e që banonin në trojet e tyre etnike?
Jo, Greqia nuk mund ta pranonte dhe për këtë shkak e ashtuquajtura shkencë greke, Kisha greke u vunë në funksion të spastrimit fizik të shqiptarëve që nuk ndërruan gjuhë dhe fe, dhe të manipulimit të historisë në katedrat botërore. Ja si shkruan studiuesi Aristidh Kola: “Përtej çdo dyshimi fuqia dhe pushteti i kleriket sundoi deri në ditët e sotme dhe çdo gjë që u krijua gjatë asaj kohe, vulosi dhe historinë e Greqisë dhe përbëjnë edhe burimin e fatëkeqësisë shumëvjeçare”. Dhe kjo ide bizantino-shoviniste vazhdon të zotërojë edhe sot.
Niko Stillo, studiues nga Preveza që jeton në Gjermani, shqiptar i qytetit më jugor të trojeve etnike, në librin e tij “Historia e Shenjtë e Arvanitëve”, tregon se “mitologjia greke me famë botërore ka në themel mitologjinë çame”. Trojet etnike të shqiptarëve çamë janë ndër viset më të bukura në botë, sepse aty kanë luajtur valle Zotat.
Në ato toka kanë lindur vallet më të bukura të botës, me të cilat mburret sot Greqia, folklori më i pasur i Europës dhe i njerëzimit. Ka dete të bukur, ka fusha të begata, ka male krenarë. Ka pasuri të mëdha natyrore. Sot në ato vise shkojnë e punojnë si argatë shqiptarët. Çdokush që kalon sot në Qafëbotë shikon se si të rinjtë çamë të Konispolit, Shalësit apo Vërvës, ndonëse të shkolluar, kalojnë përditë kufirin për në Sajadhë, shkojnë për të nxjerrë bukën e gojës, por duhet të dini se në mesjetë skela e Sajadhës ka qenë një port, ku prodhoheshin anije të mëdha.
Ne na bie barra t’ia kthejmë madhështinë e dikurshme Çamërisë sonë, që në trojet tona të mos shkojmë si shërbëtorë, por si pronarë të vërtetë, si zotër të vendit. Vitaliteti i madh i popullsisë çame, mund ta kthejë këtë zonë të barabartë me çdo zonë të ngjashme në Europë. Çamëria është si një ëndërr, një perlë e vërtetë, me resurse të jashtëzakonshme, me një mjedis të virgjër, me parametra klimaterikë të favorshëm për jetesë e turizëm, me gërshetim të ultësirave bregdetare dhe ato malore, me mjaft vende historike, me një vijë bregdetare të madhe.
Kjo zona ka rëndësi strategjike për shumë arsye. Dhe Greqia me forcën e vet, me aleancat e shenjta dhe të pashenjta, i ka shkulur shqiptarët nga trojet e veta. Një fjalë e mençur greke e Sofokliut thotë: Arsyetimet e drejta zënë më shumë vend sesa duart e forta.
Greqia deri tani ka përdorur duart e forta, sepse ka qenë një shtet më i fortë sesa ne në skenën ndërkombëtare. Greqia e ka imponuar të vërtetën e saj në rrafsh botëror, nëpërmjet forcës së vet të gjithanshme. Sipas të vërtetës greke, shqiptarët çamë nuk kishin vetëdije kombëtare.
Pra ata ikën në Turqi më 1923-in, sepse ndiheshin turq, thonë grekët. Ata ikën në Shqipëri në 1944 nga frika e ndëshkimit pse kishin bashkëpunuar me fashizmin, thotë një pjesë e historiografisë greke, sepse një pjesë tjetër, sot afirmon të kundërtën.
Dua t’ju them diçka që lidh vetëdijen me kokën. Vetëdija e njeriut gjendet e përqëndruar tek koka e tij. Njëjtë ndodh dhe me shoqëritë njerëzore, me komunitetet, sepse liderët e tyre, prijësit e tyre, janë bartësit, nxitësit, e kësaj vetëdije. Greqia në valë të ndryshme, i preu kokën komunitetit luftarak çam, që mjerisht nuk kishte përmasat e popullit të Kosovës që sot ja ka dalë mbanë.
Prijësit e këtij komuniteti janë vrarë në shekullin e 19, janë vrarë gjatë Luftës së parë botërore në Përroin e Selanjit, janë vrarë më vonë. Unë pyes: si mund të pretendohet që një popull pa kokë, pa prijës me autoritet moral, ekonomik, pa të rezistojë, të motivohet fuqishëm nga vetëdija kombëtare dhe të mos lejojë të shkulet nga tokat e veta? Do të ishte tjetër histori nëse në krye të komunitetit çam do ishin prijësit e vet të vrarë përgjakshëm. Grekët thonë se komuniteti ynë ka bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë.
Ky është një mashtrim kriminal historik, sipas skemës së njohur në Ballkan, kur krimineli vesh rrobën e viktimës. Djemtë më të ndërgjegjshëm çamë formuan një nga formacionet e para të luftës kundër pushtuesit fashist, Çetën “Çamëria”. Kjo çetë luftarake, në shkurt të vitit 1943 u rrit në Batalionin “Çamëria”, që ka kryer luftime të ashpra kundër pushtuesit. Legjendare ka mbetur lufta 56-ditore në Konispol kundër forcave gjermane, në gusht-shtator 1943. Është e vetmja luftë frontale antigjermane në tokat shqiptare. Në saje të trimërisë së djemve dhe vajzave çame, gjermanët nuk mundën të shkelin Shqipërinë nga ana e Çamërisë, por u detyruan të kalojnë nga Tri Urat në Leskovik.
Dhe këta djem e vajza çame vazhduan luftën kundër pushtuesit në radhët e Divizionit të 6-të të Ushtrisë NÇ Shqiptare deri në dëbimin e tij. Njëkohësisht, mbi 500 djem të tjerë çamë u rreshtuan në radhët e ELAS-it, ku përbënin shumicën në Regjimentin 15, së bashku me maqedonasit e Greqisë, kundër pushtuesve nazistë. Kjo është e vërteta e të ashtuquajturit “bashkëpunim” me pushtuesit.
Nuk janë çamët fajtorë për “bashkëpunim” me pushtuesit, fajtorë për këtë ishin vetë grekët që nxorën nga gjiri i tyre, Ralisin, Zervën dhe gjithë ata aleatë të shumtë me nazifashistët, që u vunë nën urdhrin e tyre kundër popullit që i lindi. A mund të shpallet Greqia vend bashkëpunëtor pse 30 mijë grekë sipas vetë historianëve grekë bashkëpunuan me pushtuesit? Jo, dhe jo, dhe as ne nuk mund të pranojmë fajësim kolektiv.
Gjithë veprat kriminale të qeverive greke që prej Konferencës së Berlinit deri në ditët tona kanë qenë të programuara. Me doktrinë kishtare, me ligje grabitëse të pasurive, me shkatërrim ekonomik, të traditës, të kulturës, të fesë, me çfarosje masive, me manipulim të historisë. Epo atëherë dhe sipas ekspertëve më të mirë botërorë, ne mund të themi se mbi popullin shqiptar të Camërisë është bërë genocid. Është genocid kulturor dhe fetar ajo çfarë ka ndodhur dhe me komunitetin shqiptar çam ortodoks. Ai ndalohet të flasë gjuhën shqipe, të afirmojë kulturën e vet kombëtare, në viset tona ende sot mbretëron një regjim policor dhe ushtarak i posaçën, megjithëse Greqia është vend i NATO-s.
Të dashur kolegë deputetë,
siç ju thashë në fillim të këtij fjalimi që njëherë në vit është kaq i gjatë, unë u mundova t’ju tregoj pse ajo që kulmoi 70 vjet më parë me largimin e shqiptarëve të Çamërisë, ishte genocid. Epo nëse ishte genocid, pse vallë ne duhet të rrimë duarkryq? Si PDIU ne do donim që të mos ekzistonim si parti. Ne do donim që çështja çame të ishte zgjidhur nga partitë e mëdha.
Por kjo s’ka ndodhur mjerisht. Ndaj ne jemi krijuar, jemi rritur, jemi shumëfishuar, pikërisht pse kjo çështje nuk është zgjidhur, pikërisht pse ekziston kauza jonë. Cili është arsyetimi ynë i drejtë , që duhet të zërë vend më shumë sesa duart e forta të Greqisë, që për të thënë të vërtetën sot s’janë më aq të forta? Ne nuk jemi Shqipëria e Enver Hoxhës e cila e përfshirë në beteja ideologjike në të gjitha anët e kufirit, me Jugosllavinë, me Greqinë, me Bashkimin Sovjetik apo SHBA-të, kishte frikën e rrëzimit të regjimit të vet dhe sakrifikoi çështjen çame. Ne nuk jemi as Shqipëria e dobët e viteve 97 që kishte problem rimëkëmbjen e vet pas ngjarjeve të vitit 1997. Ne jemi Shqipëria anëtare e NATO-s.
Ne jemi Shqipëria që ka përmbushur disa standarte mbi bazën e të cilave ka marrë ftesën për statusin e kandidatit në BE. Ne madje jemi më të fortë sesa Shqipëria e dalë nga komunizmi, e cila i kërkonte Greqisë rikthimin e çamëve në tokat e të parëve. Ne jemi një Parlament që ka miratuar një ditë përkujtimore genocidi me ligj. Ne jemi një parlament i cili s’ka rëndësi sesi, ka miratuar një Rezolutë që e imponon qeverinë dhe shtetin të zgjidhë çështjen çame.
Në atë rezolutë të vitit 2004, të miratuar me presionin dhe gjakun e aktivistëve të shoqatës Camëria ka një bazë ligjore mbi të cilën duhet të punohet. Është gjithë kuadri europian i lirive dhe të drejtave të njeriut. Është Traktati i miqësisë, i cili ngrihet mbi themelet e reciprocitetit, për të drejtat e pronës, të drejtat e gjuhës, të drejtat kulturore, etj, të dy popujve në territoret respektive. Deri më tash ky Traktat është zbatuar vetëm nga ne.Vetëm në favor të grekëve. Le të dalë dikush, nëse ka guxim të më tregojë secili nen është zbatuar në favor të kombit shqiptar. A kemi lapidar për varret masive e viktimave të pafajshme çame, gra, pleq dhe fëmijë?
A kemi liri lëvizje për çamët, të rinj dhe të reja, për pleqtë në viset e tyre? A kemi të drejtë prone? A kemi ndjekje të kriminelëve të luftës? S’kemi asnjerën prej tyre.
E pra, ne nuk mund të pranojmë më që diskriminimi dhe dhunimi I të drejtave të njeriut të vazhdojë dhe sot e kësaj dite mbi shqiptarët e Çamërisë. Unë I bëj thirrje çdo deputeti me ndërgjegje kombëtare në këtë sallë që të most a lejojë më këtë e të reagojë. Por, unë po ju garantoj në emër të 5 deputetëve të PDIU-së që nuk do ta lejojmë më këtë duke filluar që nga kjo ditë. Ne për këtë jemi këtu në këtë parlament. Kemi heshtur kur ky parlament është kthyer në arenë përbaltjeje dhe denigrimi reciprok.E kemi pare kete me shume dhimbje se kauza jone kombetariste eshte perbashkuese.
Ne Ju duam bashke per te bere Pune te Mira per Shqiperine si kur jeni ne kale si kur jeni ne këmbë, por ne për çështjen kombëtare për çështjen çame e për t’I parë shqiptarët bashkë kudo që I ka vënë Zoti, nuk do të heshtim kurrë. Po ju garantoj për këtë që nga kjo séanceë. Ne jemi një parlament ku shumica e sotme në pushtet, propozoi një rezolutë, e cila e shpallte çështjen çame si çështje kryesore të diplomacisë sonë.
Ajo rezolutë, ashtu si dhe rezoluta e 2004-ës, pra dy rezoluta që PDIU-ja i vuri në lëvizje, I imponojnë qeverisë, të vijë të raportojë periodikisht se çfarë është bërë për zgjidhjen e çështjes çame.
A ka raportuar dikush? Nëse jo, kur do ta bëjë? Dikush mund të thotë se ngritja e kësaj çështje kërcënon integrimin. Jo, ne s’mund ta pranojmë këtë. Së pari ne besojmë fuqimisht se çdo hap i kombit drejt Europës, drejt Perëndimit, është hap drejt lirisë. Pse? Sepse sa më shumë që ne përfshihemi, aq më shumë zgjerohet hapësira e lirisë dhe e drejtësisë, aq më shumë marrëdhëniet midis kombeve themelohen mbi reciprocitet.
Perëndimi ka konflikte dhe mosmarrëveshje midis shteteve anëtare të bashkësisë së tij, por ato i zgjidh me rrugë juridike, me pajtim. Ndërkaq ne s’mund të pranojmë që Greqia të përfaqsojë në mënyrë ekskluzive perëndimin dhe aq më tepër të mbajë çelsat e hyrjes sonë në familjen europiane.
Të dashur deputetë,
Dinjiteti në marrëdhëniet dypalëshe shpërblen më shumë sesa servilizmi , intimidimi apo autocensura . E ka treguar deri më sot sjellja e kësaj mazhorance në marrdhëniet me fqinjin. Ne si PDIU e vlerësojmë në përgjithësi- me ndonjë vërejtje veçanërisht për çështjen e toponimeve, sjelljen e diplomacisë sonë ndaj Greqisë. Por sot ka ardhur koha për konkretësi. Sot ka ardhur koha për reciprocitet.
Ndërsa ju ftoj të ngrihemi të gjithë për një minutë heshtje, në nderim të viktimave të pafajshme të genocidit mbi popullsinë çame, unë ju ftoj të reflektoni rreth gjithë atyre hapave, që brenda konventave europiane i kontribuojnë drejtësisë. Një minutë heshtje i nderuar kryetar dhe të nderuar kolegë.
Një vit më vonë të dashur miq, unë s’do të mbaj një fjalim kaq të gjatë dhe sensibilizues, por do t’ju prezantoj bilancin e veprave të partisë sonë për të zgjidhur çështjen çame. Me qeverinë, me opozitën, apo dhe vetëm, ne do ta përmbushim amanetin e të parëve tanë.
Atyre që vdiqën tragjikisht, apo atyre që duan të jetojnë edhe pak sa të shohin dheun e tyre për herë të fundit. Une smund te mos luftoj per Tja permbushur babait Tim kete amanet . Ashtu sic gjysherit e mi nuk munden.
Rrofte Çamëria!
Rrofte Shqipëria!
* Fjala e kryetarit të PDIU-së, zotit Shpëtim Idrizi, në seancën përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të genocidit grek mbi Camërinë
26 qershor 2014

Filed Under: Editorial Tagged With: FTESË, PËR REFLEKTIM NDAJ, Shpetim Idrizi, TRAGJEDISË CAME

URIME, SHQIPËRI!

June 24, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) vendosën t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ky është një vendim i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejtë antarësimit të plotë eventual të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo, sigurisht, nuk do të jetë një rrugë e lehtë siç vihet në dukje edhe në njoftimin e BE-ës, pasi Shqipëria, sipas Këshillit të Bashkimit Europian gjithnjë ka nevojë për reforma në administratën qeveritare dhe në gjyqësorin, për luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit, dhe për marrjen e masave kundër trafikut të qenieve njerëzore. Dhe mbi të gjitha, theksohet si faktor i rëndësishëm, në mos jetësor, dialogu me opozitën dhe zhvillimi normal i diskursit politik midis palëve.
Megjithëse Shqipëria mund të jetë ende larg nga antarësimi i plotë i saj në BE-ën, vendimi i sotëm pasqyron në sytë e Europës, përparimin e bërë deri tani si dhe vullnetin e Shqipërisë për të bërë edhe më shumë progres në këtë drejtim dhe në fushën e reformave të nevojshme, të cilat kërkohen nga të gjitha vendet që aspirojnë antarësimin në BE. Megjithëkëtë, Shqipëria meriton urimet tona për këtë hap të rëndësishëm drejtë Europës – aty ky e ka vendin, rreth sofrës së përbashkët me kombet e tjera europiane. Urimet tona të gjithëve, qeverisë së tanishme dhe qeverisë së mëparshme, pasi progresi i bërë dhe i njohur nga BE-ja në dhënjen e statusit-kandidat që u njoftua të martën, është një përfundim i një pune të gjatë dhe është meritë e të gjithëve, dhe jo vetëm e palëve politike, por e të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe institucionet e tjera shtetërore dhe jo qeveritare. Pasi jemi në atmosferën e botërorit, nuk vërejmë së në ndeshjet për çmimin e madh të botës në futboll të ketë vetëm një lojtar që të dalë fitues kundër një skuadre të tërë. Burri i mirë me shokë shumë, thotë një fjalë e vjetër. Prandaj, edhe arritjet e deritanishme të Shqipërisë drejtë BE-së janë merita dhe përfundim i kontributeve që kanë dhënë të gjithë gjatë viteve në këtë drejtim e të cilat rezultuan, në njoftimin pozitiv të BE-së për dhënjen e statusit kandidat Shqipërisë.
Është e natyrshme që njëra ose tjetra palë politike të përpiqet të marrë kredinë për këtë arritje. Por fakti është se ky vendim i Europës, as nuk ishte marrë dje dhe as nuk do të angazhohej Europa që të vazhdonte për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjet drejtë antarësimit të plotë të saj në BE, po të besonte se progresi i bërë deri tani të jetë vetëm meritë e njërës ose tjetrës palë. Në të vërtetë, Shqipëria nuk mund të shkojë drejtë e Europës e përçarë dhe as nuk do të pranohet si e tillë nga Europa. Edhe në njoftimin e djeshëm, BE-ja theksoi si gjithëherë më parë, dialogun politik midis palëve si një faktor i rëndësishëm, duke e ngritur atë në të njëjtin nivel me luftën kundër korrupsionit dhe me reformat në administratën qeveritare dhe në gjyqësor – duke nënvijuar se dialogu i qëndrueshëm politik është jetësor për konsolidimin dhe vazhdimin e reformave. Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që klasa politike e Shqipërisë të jetë e bashkuar me mendime dhe në qëllimet e objektivave të interesave kombëtare të shqiptarëve. Antarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Europian është në interesin e kombit shqiptar, drejtë të cilit duhet të punojnë të gjithë, pa marrë parasyshë animet ose interesat politike.
Besoj se asnjë shqiptar, kudo qofshim të përhapur nepër botë dhe në trojet e veta në Ballkan, nuk mund të fshehi kënaqësinë dhe gëzimin për vendimin njëzëri të njoftuar dje nga Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke aprovuar raportin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Është ky një hap i madh për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar dhe si i tillë edhe duhet të velërsohet. Është një vendim që vërteton parimet, qytetërimin dhe kulturën e kombit shqiptar si pjesë dhe në përputhje të plotë me vlerat europiane. Është ky një vendim gjithashtu i cili përputhet plotësisht me synimet dhe objektivat e Gjergj Kastriotit-Skënderbe dhe të Rilindasve të kombit, të cilët treguan rrugën që duhet të ndjekë kombi shqiptar për tu ulur në të njëjtën tavolinë me kombet europiane, me nder, me përgjegjësi dhe privilegje të barabarta, me vendet më të përparuara të botës.
Uroj që ky moment në historinë e kombit shqiptar të shënojë perëndimin e politikave të errëta dhe të fatkeqsive kombëtare të së kaluarës dhe njëkohsisht edhe të dëshmojë fillimin e një hovi të pranverave të reja për kombin shqiptar, si pjesë përbërse dhe e pandarë e një Europe në paqë, të lirë e demokratike, por pa u larguar dhe pa u xhveshur kurrë nga traditat dhe kultura e shëndosh stërgjyshore e shqiptarizmës. Drejtë Europës, me virtytet shqiptare!

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, shqiperi, urime

S’KA DILEMË PËR TË ZGJEDHUR MIDIS REPUBLIKËS SË HASHASHIT APO SHTET LIGJOR

June 22, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Lazarati shkoi shumë mirë – faleminderit Zotit, pa viktima dhe ngjarje tragjike. Për këtë duhet falënderuar policia e shtetit dhe pushteti lokal.
Tani po thonë se Lazarati nuk është metropoli i marihuanës në Shqipëri. Se metropolët e marihuanës janë tjetërkund, andej nga Vlora për shembull.
Ok, le t’i marrin me rradhë. Modelin tashmë e kanë.
Tani po thonë se bosët e marihuanës janë në Tiranë. Shumë mirë që i kanë aty afër. Këtë gjë në fakt gjithkush e ka ditur. Po problem është se si t’i çojnë përpara bankës të të akuzuarve, kur sistemi i drejtësisë është kokë e këmbë i korruptuar. Ta zemë se Policia e Shtetit i prangos shkelësit e ligjit, por nga ana tjetër, drejtësia i liron. Ose, nëse nuk i çprangos drejtësia, i fal një ish-President i Republikës me dekret e pastaj del në media e thotë se nuk ishte përgjegjësia e tij kur fali një person të dënuar me 23 vite burg, por e atyre që i bënë ish-Presidentit të Republikës kërkesë për të liruar një shkelës të ligjit! Ata kanë gabuar. Ata janë fajtorë. Ndërsa ish-Presidenti i Republikës viktimë e tyre!
Sipas burimeve tashmë të njohura të Guardia di Finanza, Lazarati prodhonte marihuanë me një shifër fitimesh prej 4.5 miliardë Euro në vit, pak më shumë se një e treta e GDP të Shqipërisë. Spartak Ngjela i intervistuar nga News 24 e kundërshtoi këtë shifër të Guardia di Finanza dhe tha se përfitimi në vit nga hashashi që prodhohej në Lazarat shkonte në 200 milionë Euro !
Lind pyetja, po përse Avokat Ngjela e ditka më mirë se Guardia di Finanza, një institucion i specializuar që merret me atë punë dhe ka mjete e mundësi hulumtimesh e hetimesh.
Gjithsesi, po të bëjmë disa llogari sipas atyre statistikave që jep Ngjela, për 20 vite, fitimet e hashashit nga Lazarati kanë shkuar në 4 miliardë Euro, ndërsa po t’i referohemi Guardia di Finanza, që është një institucion me besueshmëri të padiskutushme, këto fitime kanë arritur në 80 miliardë Euro!
Por nëse në Lazarat është mbjellë vetëm 5% e sipërfaqes që prodhon hashash, ashtu si po thuhet sot rëndom, deri edhe në Facebook, dhe 95% e sipërfaqes është tjetër kund, kjo do të thotë se fitimet për 20 vit janë miliarda e miliarda Euro.
Ku është gjithë kjo pasuri? Kush e ka? Ku ka shkuar ? Ku është investuar?
Në Shqipëri nuk ka as fabrika dhe as uzina, nuk ka as industri të lehtë dhe as turizëm. Dhe nga e gjitha dhe gjithçka që prodhohet aty, 50% shkon në llogari të informalitetit, dmth të tregut të zi. Dhe kjo shifër është shumë e zbutur po t’i referohemi realitetit që e pohojnë vetë biznesmenët shqiptarë, të cilët punojnë në kushte heroike.
Vetëm ky fakt, që është shumë kokëfortë, tregon se ku gjendet sot Shqipëria, një vend ku nuk pranojnë kurrësesi që të investojnë investitorët e huaj.
Për këtë mosprani të investitorëve të huaj u fol për here të parë hapur gjatë pritjes zyrtare që Kancelarja Merkel i bëri kryeministrit të Shqipërisë, ku ajo tha qartë dhe hapur se, që të vinë investitorët e huaj, duan siguri. Këtë siguri e garanton shteti ligjor. E në Shqipëri shteti ligjor është virtual.
Spartak Ngjela tek TV24 tha se lazaratasit nuk janë përfituesit të prodhimit. Se ata që i kanë përfituar të mirat e hashashit e Lazaratit janë në Tiranë.
Për policinë e shtetit do të ishte më lehtë se do t’i kishte aty shkelëst e ligjit, po ecë e dërgoi para ligjit bossët e hashashit.
Avokati shtoi se për të zgjidhur këtë katrahurë, Shqipërisë i duhet një institucion si FBI apo Scotland Yard. Problemi është se Shqipërisë i duhen njerëz me integritet dhe të ndershëm, në çdo segment të shtetit. Diçka që Shqipëria nuk e ka. Sepse nuk funksionon meritokracia. Por interesat klienteliste që i krijojnë fushe veprimi shkeljes të ligjit.
Prandaj, aksioni antimarihuanë është shumë i vështirë, sepse milionat e marihuanës i kanë përfituar ata që gjatë këtyre 23 viteve nuk e kanë lejuar shtetin të futet në Lazarat!
A nuk duket paradoksale që në Shqipëri paska më të fortë se shteti! Është tabu, por po ta themi shqip, është antiligji më i fortë se shteti! Ose mafia. E njëjta gjë.
Ajo çfarë ka ngjarë në Lazarat këta 23 vjet tregon se shteti është gjunjëzuar përpara bosëve të hashashit, që natyrisht nuk janë lazaratasit.
Hyrja e shtetit në Lazarat është një hap pozitiv, por është vetëm fillimi i fillimit.
Shteti është përpara një misioni shumë të vështirë që ka shumë gjasa të mbetet një mision i pamundur, por megjithatë ekziston mundësia që shteti të triumfojë kundër të keqes që ia ka marrë frymën vendit.
Të gjithë shqiptarët duhet të jenë në anën e shtetit, të shtetit ligjor, sepse vetëm shteti i së drejtës, është aleati i qytetarit, që i garanton qytetarit lirinë e tregut, sigurinë e jetës dhe prosperitetin e mirëqënien.
Andaj, të gjithë për shtetin e së drejtës!

Filed Under: Editorial Tagged With: Elida Buçpapaj, REPUBLIKA E HASHASHIT

APEL SHQIPTARËVE DHE POLITIKËS

June 20, 2014 by dgreca

I bëj thirrje politikës – që t’i mbajë duart sa më larg institucionit që përfaqëson fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes. Ky institucion jemi ne gazetarët./
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallime partiake, të distancohen nga njerëz që në Facebook qëndrojnë pas emrave të rremë, pas identiteve inekzistente për t’i provokuar e bërë shantazh gazetarëve -Iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallime partiake që të distancohen nga njerëz që e fshehin identitetin, nga njerëz të paemër, emërhumbur, nga njerëz që mbajnë identitete fallco, pseudonime, që janë anonimë, dhe nën maskat e anonimatit të plotë, të burracakërisë lepuriste, dalin me flamurin e zi të intolerancës, të fondamentalizmit ekstremist ideologjik dhe inkuizicionit të ajatollahëve stalinistë duke u bërë shantazh gazetarëve që të mos na lejojnë të shprehim të lirë mendimin –
Sistemi në Shqipëri dhe Kosovë ka degjeneruar pikërisht sepse politika dhe oligarkët që e kanë kallur vendin në varfëri totale, ku shtetin ligjor e ka zëvendësuar ligji i xhunglës dhe i më të fortit, i duan gazetarët t’i kenë nën diktatin e tyre, andaj e përdorin injorancën dhe analfabetizmin e shpurës të lepujve anonimë kundër gazetarëve sepse politika është mësuar gjatë këtyre 23 viteve tranzicioni makabër në Shqipëri e 15 viteve tranzicion në Kosovë – që t’i përdorin gazetarët ose si palë, ku të shkëmbejnë përfitimet e pushtetit ose si letra higjenike, duke i depersonalizuar ose i kërcënojnë me terrorin e papunësisë.
I bëj thirrje politikës – që t’i mbajë duart sa më larg institucionit që përfaqëson fjalën e lirë dhe lirinë e shprehjes. Ky institucion jemi ne gazetarët.

Filed Under: Editorial Tagged With: apel shqiptareve, DHE POLITIKËS, Elida Buçpapaj

VIZITA E PAPËS NË TIRANË DHE HISTORIA E PERSEKUTIMIT FETAR NË SHQIPËRINË KOMUNISTE

June 18, 2014 by dgreca

”Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për Kishën Shqiptare dhe njëkohsisht të dëshmojinkurajimindhe dashurinë time për një vend i cili ka vuajtur, aq shumë dhe gjatë, nga pasojat e ideologjive të kaluara.”/
Nga Frank Shkreli/
Të djelën që kaloi, Papa Françesku i deklaroi botës nga dritarja e tij në Sheshin e Shën Pjetrit se kishte pranuar ftesën e Kishës Katolike Shqiptare dhe të udhëqesve politikëtë vendit, duke njoftuar se do të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator. Duke bërë njoftimin e vizitës në Tiranë, Papa tha para mijëra pelegrinëve në Vatikan se po shkon Shqipëri me qëllim për të inkurajuar pakicën katolike në atë vend, si edhe popullin shqiptar në përgjithësi, i cili “ka vuajtur shumë dhe për një kohë të gjatë, si pasojë e ideologjive të kaluara”, nën një diktaturë komuniste e cila e shtypi dhe e izoloi popullin shqiptar nga bota, për pothuaj një gjysëm shekulli. Papa Françesku tha gjithashtu se Shqipëria është vendi i parë europian që ai ka në plan të vizitojë në shtator, me qëllim për të nderuar të gjithë ata që vuajtën nën komunizëm. Një zëdhënës i Vatikanit theksoi për gazetarët se vizita e parë e Papës në Europë, po bëhet në një vend me një histori persekutimesh shoqërore dhe fetare, si dhe në një vend të prekur nga varfëria e vazhdueshme.
Sipas burimeve të lajmeve, vizita e Papës në Shqipëri ka për qëllim gjithashtu që udhëheqsi i Kishës Katolike të tregojë nderimin dhe të deklarojë respektin e tij për bashkjetesën fetare që ekziston midis shqiptarëve të feve të ndryshme, një traditë kjo dhe një thesar kombëtar, i cili mund të shërbejë si shembull bashkjetese ndërfetare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Balkan dhe në Europë, por edhe më gjërë.
Vizita e Papës Françesku në Shqipëri në shtator, ashtu siç ishte edhe vizita e Papës Gjon Palit të dytë më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarve të tij — qofshin ato për arsye fetare ose politike – tregon se gjithçka ngjallet e përtrihet dhe se arsyeja, megjithëse për fat të keq e kishte humbur drejtimin gjatë atij regjimi, më në fund të shpresojmë se e ka gjetë rrugën dhe se e mira më në fund triumfon mbi të keqën dhe se kombitshqiptar, pas më shumë se 20-vjet tranzicion, po i hapen shtigje të reja kah liria dhe drejtësia e përhershme.

Kjo pra është vizita e dytë e një Pape në Shqipëri pas rënjes së komunizmit në atë vend. Vizita e parë e një udhëheqsi të Kishës Katolike në tokën e Arbërit, ishte natyrisht vizita historike e Papa Gjon Palit të dytë në vitin 1993, menjëherë pas rënjës së komunizmit.Njoftimi i vizitës së Papës Françesku në shtator në Tiranë, u mirëprit me kënaqësi dhe entuziazëm nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nga Kryeministri Edi Rama dhe ngaish-Kryeministri Sali Berisha.
Marrëdhënjet e Arbërit me Vatikanin dhe udhëheqsit e tij janë aq të vjetëra sa edhe historia dy mijë vjeçare e ekzistencës së Kishës Katolike. Por fatkeqsisht, këto marrëdhënje u ndërprenë tragjikisht me ardhjen në fuqi të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, pas Luftës së Dytë botërore.Megjithëse të gjitha regjimet komuniste ishin shtypëse, ishin dy gjëra kryesoreqë e dallonin regjimin e Shqipërisë enveriste nga regjimet e tjera komuniste: Ishte kolektivizimi i plotë i bujqësisë dhe ligji absurd i vitit 1967 me të cilin u ndalua rreptësisht feja dhe praktikimi i saj. Ishte ky një ligj kundër të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtatfetare, në një nga vendet, i cili ishte bërë në përgjithësi skenë e shkeljeve më brutale të të drejtave bazë të njeriut në Europë dhe në botë. Ishte faza ideologjike maoiste e Enver Hoxhës dhe të ashtuquajturit “revolucion kulturor” që kishte përfshirë Shqipërinë, dhe i cili në procesin e zbatimit, shkatërroi kulturën shqiptare, eliminoi fenë dhe zhduku më të zgjedhurit e kombit.
Shqipëria enveriste ishte vendi i parë dhe i vetmi në botë që deklaroi veten shtet ateist, më 1967 duke ndaluar të gjitha fetë, duke prishur kisha e xhamia ose duke i këthyer ato në salla sporti dhe përdorimesh të tjera. Por për më keq, regjimi komunist kishte burgosur ose kishte zhdukur shumicën e klerikëve të të gjitha feve, e sidomos klerikët e Kishës Katolike shqiptare, të cilët e pësuan më së keqi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ç’prej ardhjes së tij në pushtet, më 1944.
Lajmi i njoftimit të vizitës së Papës në Shqipëri u njoftua nga mediat kryesore botërore, përfshirë edhe ato amerikane, duke i kushtuar rëndësi faktit se Papa kishte vendosur që vizitën e parë në kontinentin europian ta bënte në Shqipërinë.Duke shkruar për vizitën e ardhëshme të Papës në Tiranë, si dhe duke pasqyruar persekutimin e fesë në të kaluarën, agjencitë e lajmeve ndërkombëtare thanë se persekutimi i feve dhe i përfaqsuesve të tyre nën regjimin enverist, ishte bërë normë — normë e moralit të Partisë Komunisteshqiptare për të zhdukur jo vetëm kundërshtarin politik, por edhe përfaqsuesit e feve. Kështuqë për dekada të tëra, si asnjë vend tjetër komunist në lindje apo kudo në botë, Shqipëria komuniste, me krenari e paraqiste veten si vendi i parë ateist në botë, i cili kishte ndaluar Zotin me ligj, ndërkohë që i vetmuar kishtendërprerë ose kufizuar lidhjet me shumë vende të botës, gjë që e bëri atë të cilësohej si vendi më ksenofobik në botë.
Si rrjedhim, Shqipëriau bë “vendi i harruar”. Shqipëria komuniste ishte e vet-izoluar për aq shumë kohë sa që pjesa më e madhe e botës, kishte hequr dorë prej saj dhe nuk dihej asgjë se ç’po ndodhte në atë vend. Por, me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha më 1985, Shqipëria dhe gjëndja e të drejtave të njeriut në atë vend, përfshirë lirinë e fesë, tërhoqi interesimin e botës dhe atou bënëtema të ditës në gazetat amerikane dhe në televizion, dhe si rrjedhim edhe në nivele të tjera. Ishte ky një kuriozitet i paparë deri atëherë, siç duket i shtyrë nga “shpresa kundër shpresës”,se me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, gjërat mund të ndryshonin në Shqipëri dhe se më në fund do të kishte liri më të madhe në atë vend.Kjo, siç dihet nuk ndodhi, por interesimi për fatin e popullit shqiptar dhe për të drejtat e njeriut nuk u zhduk, por vinte e shtohej dita ditës.
Megjithëse Shqipëria ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, politika që ajo ndiqte, sidomos në fushën e të drejtave të njeriut, ishte një tallje nga ana e saj, me parimet e shënjta të OKB-së mbi të drejtat bazë të njeriut.Tirana komuniste e ndiente veten si immune ndaj reagimeve dhe kritikave të jashtëme dhe nuk çante kokën. Por në vitin 1985, Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirisë së Fesë, me qëndër në Berne të Zvicrës, duke besuar se shkelja e të drejtave fetare nuk ishte një “çështje e mbrendshme”,siç pretendonin komunistët, ndërmori një fushatë për të bindur botën se shkelja e të drejtave të njeriut në Shqipëri, përfshirë lirinë e fesë ishte reale dhe tepër e rëndë dhe si e tillë nuk duhej toleruar më nga bota. E shqetësuar shumë për gjëndjen e lirisë fetare në Shqipëri, kjo organizatë kishte vendosur që të bënte ç’mos për të bindur Kombet e Bashkuara, që çështja e shtypjes së fesë në Shqipëri të vendosej në agjendën e Komisionit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut.Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirisë Fetare kishte marrë qendrimin se komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndronte më krejtësisht i pa interesuar në lidhje me shkeljet brutale e të përgjithëshme të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Si rrjedhimi presioneve nga organizata, si shoqata e lartë-përmendurdhe individë të ndryshëm, në shtator të vitit 1985, Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi më në fund rezolutën mbi shtypjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke kritikuar ashpërregjimin e atëhershëm të Shqipërisë, se ndonëse, “si të gjitha shtetet anëtare të OKB-ës edhe ajo e ka për detyrim të promovojë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut dhe liritë bazë – në përputhje me angazhimet e saj sipas dokumentave përkatës në këtë fushë”, por dhe në bazë të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, nënshkruese e së cilës është edhe Shqipëria. Rezoluta shprehte shqetsimin e thellëtë organizatës botërore në lidhje me masat ligjore dhe konsitucionale që kishte marrë Shqipëria komuniste gjatë viteve për të, “ndaluar praktikimin e lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes për të gjithë individët,mbrenda territorit të saj.”Kjo rezolutë si edhe kritika të tjera ndaj regjimit të Tiranës as nuk tërhiqnin fare vëmendjen e regjimit arrogant komunist.

Fatkeqsisht, sistemi komunist i Enver Hoxhës, i cili ushtronte kontroll të plotë mbi jetën e çdo individi, ka lënë pas një trashëgimi të tmerrshme që pasqyrohetedhe sot në një tranzicion post-komunist tepër të stërgjatur dhe të vështirë.Falë të Madhit Zot dhe vuajtjeve të atij populli, Shqipëria nuk është më ajo e fund-shekullit të kaluar, kur — siç tha edhe Papa Francesku të djelën që kaloi — ajo vuante nga ideologjia e së kaluarës. Sot, Shqipëria është e lirë dhe feja gëzon lirinë e plotë.Është një vend anëtar i Natos, me perspektivë antarësimi në Bashkimin Europian, në paqë me të gjithë popujt dhe faktor stabiliteti në Ballkan dhe në Europë. Andaj, vizita e Papa Françeskut në Tiranë në shtator,duhej të shërbente si përforcim i përpjekjeve dhe i dëshirave të kombit shqiptar për të gjetur më në fund vendin e vet aty ku i takon, në rradhë me kombet e tjera europiane, atyku e ka vendin. Të jetë gjithashtu edhe një rast për përforcimin e mëtejshëm të bashkjetesës fetare, kësaj tradite dhe virtyti që e dallon kombin shqiptar nga shumë të tjerë – dhe njëkohësisht pse mos të jetë gjithashtu edhe një rast, që përveç harmonisë fetare të shqiptarëve – gjatë kësaj vizite të shpaloset edhe harmonia dhe tolerance midis palëve,edhe në fushën e acaruar politike të vendit. Një shfaqje e tillë tolerance dhe harmonie midis faktorëve të ndryshëm politikë do të ishte mikpritja më e mirë shqiptare që mund t’i bëhej Papa Françeskut në Tiranë, si dhe një dhuratë e madhe për Shqipërinë e shumë vuajtur, e cila meriton një fillim të ri. Një tolerancë më e madhe politikedhe një diskurs më njerëzor politik në radhët e politikës,do të shënonte njëkohësisht edhe një shkëputjetë përhershme nga trashëgimia e regjimit komunist dhe e atyre, që Papa Françesku i cilësoi si, “pasojat e ideologjive të huaja të këtij vendi,i cili ka vuajtur aq shumë dhe për një kohë aq të gjatë”.
Ne Foto: Papa Françesku në Vatikan përshëndetet me vizitorët duke mbajtur mbi supe Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skënderbe në vigjiljen e festës së Pashkëvetë këtij viti.

Filed Under: Editorial Tagged With: DHE HISTORIA E, Frank shkreli, NË SHQIPËRINË KOMUNISTE, ne Tirane, PERSEKUTIMIT FETAR, VIZITA E PAPËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT