• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pagesat e mbështetjes financiare për përballimin e Pandemisë. Si? Kur? Sa?

March 31, 2020 by dgreca

Në shërbim të komunitetit/

Nga Rafael FLOQI/

Sipas Revistës Forbes/

 Departamenti i Thesarit dhe IRS njoftoi dje se shpërndarja e pagesave të mbështetjes ekonomike të pandemisë do të fillojë në tri javët e ardhshme dhe do të shpërndahet automatikisht, pa kërkuar ndonjë veprim prej shumicën e njerëzve. 

Sidoqoftë, disa të moshuar dhe të tjerë që zakonisht nuk bëjnë deklarata tatimore, do të duhet të paraqesin një deklaratë të thjeshtë tatimore për të marrë pagesën e stimulit.

Kush ka të drejtë të marrë pagesën e mbështetjes ekonomike? 

Personat e regjistruar për kthimin e taksave me të ardhura bruto të rrumbullakosura deri në shumat e75,000 dollarë për individ dhe deri në 150,000 dollarë për çifte të martuar që i paraqesin deklaratat e kthimit të taksave bashkërisht, do të marrin pagesën e plotë. Për personat me të ardhura mbi këto shuma, shuma e pagesës do të zvogëlohet me 5 dollarë për çdo 100 $ mbi pragjet e caktuara të 75,000 $ / 150,000 $ në vit.  Ata individë me të ardhura që i tejkalojnë 99,000 dollarë dhe 198,000 $ si çift sipas dokumenteve të deklaratës së taksave të përbashkëta dhe pa fëmijë, nuk janë përfitues të stimulit. Tatimpaguesit e kualifikuar që kanë paraqitur deklaratat tatimore për vitin 2019 ose 2018, do të marrin automatikisht një pagesë të mbështetjes ekonomike deri në 1.200 dollarë për individ ose 2.400 dollarë për çiftet e martuara. Prindërit do të marrin gjithashtu edhe 500 dollarë për çdo fëmijë që kualifikohet.

Po ku e di IRS-i se ku ta dërgojë pagesën time? 

Shumica dërrmuese e njerëzve nuk kanë nevojë të ndërmarrin vet ndonjë veprim . IRS-si do ta llogarisë dhe do ta dërgojë automatikisht pagesën e mbështetjes ekonomike, atyre personave që kanë të drejtë. Për njerëzit që kanë paraqitur deklaratat e tyre të taksave për vitin 2019, IRS-i do të përdorë atë informacion për të llogaritur shumën e pagesës. Për ata që nuk i kanë paraqitur ende dokumentet e kthimit të taksave për vitin 2019, IRS-i do të përdorë informacionet nga regjistrimi i taksave i vitit 2018 për të llogaritur shumën e pagesës. Pagesa e mbështetjes ekonomike, do të depozitohet drejtpërdrejt në të njëjtën llogari bankare, ku është bërë dhe kthimi i taksave.

Por nëse IRS nuk e ka informacionin e depozitës time të drejtpërdrejtë bankare, çfarë mundem të bëj? 

Në javët e ardhshme, Departamenti i Thesarit planifikon të krijojë një portal në internet për individët, për të siguruar që informacionin e tyre bankar të jetë për  IRS në internet, në mënyrë që këta individë, të mund t’i marrin pagesat menjëherë, krahasuar me dërgimin e çeqeve me postë.

Unë zakonisht nuk jam i detyruar të paraqes një deklaratë tatimore. A mund të marr edhe unë pagesë?  

Po. Ka njerëzit që zakonisht nuk paraqesin deklarata tatimore do të duhet të paraqesin një deklaratë të thjeshtë për të marrë një pagesë të mbështetjes ekonomike. Tatimpaguesit me të ardhura të ulëta, qytetarët e moshuar, përfituesit e Sigurimeve Shoqërore, (Social Security) disa veteranë dhe individë me aftësi të kufizuara,  të cilët përndryshe nuk u kërkohet të paraqesin një deklaratë tatimore, po nuk do të paguajnë taksa.

Si mund ta paraqes deklaratën tatimore të nevojshme për të marrë pagesën time të mbështetjes  ekonomike? 

IRS.gov/coronavirus së shpejti do të japë informacione që do t’i udhëzojnë njerëzit në këto grupe sociale se si të paraqesin një deklaratë tatimore për vitin 2019, me informacion të thjeshtë, por të nevojshëm, përfshirë statusin e tyre të regjistrimit, numrin e personave të varur prej tyre dhe informacionin e llogarisë të depozitave të drejtpërdrejta bankare. 

Unë nuk kam paraqitur deklaratën time tatimore për vitin 2018 ose 2019. A mund të marr  pagesën e mbështetjes ekonomike? 

Po. IRS po nxit këdo që ka një detyrime për paraqitjen e taksave, poq që nuk  ka paraqitur ende  deklaratën tatimore për kthimin e taksave për vitin 2018 ose 2019 ta paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur atë, për të marrë pagesën e mbështetjes ekonomike. Tatimpaguesit duhet të përfshijnë aty edhe informacionet të depozitave direkte bankare për kthimin e taksave.

A do më duhet patjetër të paraqes një deklaratë tatimore? Par sa kohë janë në dispozicion pagesat e mbështetjes ekonomike? 

Për ata që janë të shqetësuar rreth mundësisë të infektimit nga vizita një vizitë tek ndonjë person profesionist për kthimin e taksave, ose tek organizatat komunitare, për një deklaratë tatimore, këto pagesa të mbështetjes ekonomike nuk do të skadojnë, Ato do të jenë në dispozicion gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit 2020.

Ku mund të marr më shumë informacion? 

IRS do t’i postojë të gjitha informacionet kryesore në sitin e tij IRS.gov/coronavirus, sapo ajo faqe do të bëhet e disponueshme. IRS në këto kohë ka një staf të zvogëluar për shkak të epidemisë në shumë prej zyrave të tij, por mbetet i përkushtuar për t’i ndihmuar individët, që kanë të drejtë të marrin pagesa të tyre në mënyrë të shpejtë. 

Ndaj është më mirë të kontrolloni për informacionet e  reja në website IRS.gov/coronavirus, sesa të telefononi asistentët IRS, që po merren me procesin e kthimit të taksave të 2019-tës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Rafael Floqi, Revista Forbes

ÇELSIN E NGADALËSIMIT TË COVID-19 E KEMI TË GJITHË NË DORË

March 22, 2020 by dgreca

Shkruan: Ali LUSHNJA, Doktor i Shkencave Mjekësore, Jacksonville, Florida*/

Të nderuar bashkatdhetarë;

 Me përgjegjësinë a një doktori dhe specialist në fushën e sëmundjeve infektive do të dëshiroja të jap kontributin tim në ndërgjegjësimin rreth situatës së krijuar sëfundmi me pandeminë e shkaktur nga COVID-19.

Siç dihet, Coronavirusi-19 është një virus i grupit të Coronavirusëve. Ky është një virus i ri (novel), virulent dhe me përhapje të shpejtë. Prandaj është shumë e rëndësishme të zbatohen shpejt dhe në kohë udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve ( Center for Disease Control, CDC ), për të mbrojtur veten, familjen dhe shoqërinë.

Si për çdo sëmundje infektive, edhe për COVID-19, është e rëndësishme që, për të mos u infektuar dhe për të parandaluar përhapjen në masë, të ndërpriten rrugët e transmetimit, pra të ndërpriten hallkat e zinxhirit që bëjnë të mundur transmetimin e infeksionit . Virusi COVID-19 , nga studimet e fundit, ka të panjohura, por si çdo virus ka shume praktika të njohura që e bëjnë të pa mundur përhapjen e tij. Këto praktika të njohura dhe të thjeshta janë ndalimi i rrugëve të transmetimit të tij, të cilat do të duhet t’i zbatojmë me rigorozitet, në çdo kohë dhe me shpejtësi. 

Duke ditur se në 100 njerëz të infektuar me COVID-19, 80 prej tyre janë mbartës, në përgjithësi pa shenja klinike si temperatura, kollë dhe pa vështirësi të frymëmarjes; 20 të tjerë, i kanë këto shenja klinike nga format më të lehta deri të rënda dhe shenja të tjera si: dhimbje koke, kollë, vëshirësi të lartë në frymarrje si dhe simptoma të ngjashme me virozat e tjera; djersë, të vjella, skuqje të syve, teshtitje, dhimbje të muskujve, etj. Mënyra parësore në përcaktimin e ketij virusi të rrezikshëm bëhet nëpërmjet testit të COVID-19 . Të gjithë këta 100 njerëz, me ose pa shenja klinike transmetojnë COVID-19 nëpërmjet: kollitjes, teshtitjes, kontakteve  në afërsi 1-2 metra, duarve të tyre dhe sendeve që ata apo ato kanë prekur . Duke ditur burimin e infeksionit, rrugët e transmetimit të tij dhe marrja e masave sa më të shpejta  për të ndërprerë rrugët e  transmetimit të COVID-19 e bëjnë të mundur ngadalësimi dhe përhapjen e tij . 

Rrugët e ndërprerjes janë të thjeshta: 

Larja e shpeshtë e  duarve me ujë e sapun për mbi 20 -30 sekonda.

Përdorimi i lëndëve dezifektantë të duarëve.

Mos prekja e fytyrës me duar të palara. Vetëm pasi duart të jenë të pastra mund të preken sytë, hunda dhe buzët dhe duart të lahen përsëri.

Të shmangen kontaktet me njerëzit, këshillohet distancimi shoqëror duke qendruar 1 – 2 metra larg njeri-tjetrit, përdorimi i maskave dhe dorashkave me një përdorim, dhe kur i heq të hidhen në koshin e plehrave me kapak .

Shmangia e lëvizjeve të panevojshme dhe ambjenteve të mbyllura dhe me shumë njerëz.  

Ndjekja me përpikmëri e udhëzimeve të zyrave lokale të shëndetit publik. 

Për mendimin tim, vetëkarantinimi, apo izolimi në shtëpi, është një masë shumë e nevojshme dhe e detyrueshme që duhet marrë në këtë Pandemi botërore dhe që secili duhet të ndërgjegjësohet se shëndeti juaj është shëndet i  shoqërisë dhe shëndeti i shoqërisë është shëndeti juaj . Është një betejë që duhet të merret shumë seriozisht dhe me qetësi, duke i vënë rëndësi dhe shëndetit mendor pasi izolimi për një kohë të gjatë në këto rrethana shkakton ankth dhe depression. Gjithashtu, izolimi në shtëpi për një kohë të gjatë sjell ndryshime në stilin e jetës; shumë individë e kalojnë kohën  në shtëpi në mënyrë interaktive dhe i përkushtohen qetësimit dhe forcimit të lidhjeve me të dashurit e familjes së tyre, por ka  dhe të tjerë, që për arsye të ndryshme mund të vuajnë nga ankthi, stresi etj. Në këto situata është e rëndësishme të ruhet shpresa për të ardhmen, se këto izolime do jenë të përkohëshme dhe se jeta do t’i kthehet normalitetit përsëri.

Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se përparimi i shkencës mjekësore do të bëj të mundur shumë shpejt zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkaq secili nga ne ka një çelës të Sukseseshëm në duart e tij: 

NGADALËSIMIN E PËRHAPJES SË COVID-19 duke qëndruar në shtëpi, të bëjmë distancimin social, të zbatojmë rregullat higjeno-sanitare dhe besimi se vaksina dhe medikamentet do të bëjnë të mundur izolimin dhe mposhtjen e këtij virusi . 

Të gjithë së bashku do ta fitojmë ketë bëtejë ndaj COVID-19 !

Doktor i Shkencave Mjekësore Ali Lushnja-Jacksonville, Florida.

03 / 22 / 2020 . *Autori eshte anetar I Keshillit te Vatres

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Çelsi I Cocid-19, Dr. Ali Lushnja

GAZETARI DHE STUDIUESI DHIMITËR DISHNICA NDËRROI JETË NË WORCESTER, MA, NË MOSHËN 77 VJEÇARE

March 21, 2020 by dgreca

Gazetari dhe studiusi Dhimiter Dishnica, ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare, ditën e enjte, më 19 mars në Spitalin Shën Vincent, në Worcester. Ai la të pikëlluar gruan e tij me të cilën jetonte prej 52 vjetësh, Afërdita (Agolli) Dishnica, si dhe vajzën e tij, Elonia me bashkshortin George Pojani nga Worcester, së bashku me fëmijët e tyre, Rei dhe Janny Pojani. Dhimitri lë gjithashtu pas djalin e tij, Erdvin Dishnica dhe gruan e tij, Tania, Romë, Itali me djalin e tyre, Matteo. Po ashtu ai la pas motrat Liljana Saraçi dhe Vilma Koti me burrin e saj në Korçë, Shqipëri si dhe motrën Valentina Kondili në Jacksonville, Florida.

      Dhimitri ka lindur në Korçe, Shqipëri dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës me një master të dyfishtë në Histori dhe Gjeografi. Më vonë, ai vazhdoi studimet e metejshme dhe fitoi një diplomë tjetër në gjuhën shqipe. Pas kësaj, Dhimitri punoi si mësues në rrethin e Librazhdit. Pastaj, ai u bë një gazetar kronik në redaksinë e informacionit dhe kulturës në Radio Tirana. Ishte drejtor i Pallatit të Kulturës Ali Kelmendi ne Tirane, i cili ishte një nga dy institucionet më të mëdha kulturore dhe artistike të kryeqytetit. Me pas Dhimitri ishte specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit; në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore. 

    Si gazetar dhe historian, ai ka botuar rreth një mijë faqe në shtypin e përditshëm dhe në revistat shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe eshte gjithashtu autor i katër librave, përfshirë “Motrat Qiriazi”, ”Voskopoja” (me bashkëautor) “ Përballë të vërtetës-Kristo Dako, jeta dhe vepra“ “Miqtë e Shqipërisë” si dhe librin ”Ftesë për debat”.

 Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000 dhe ishte besimta i rregullt i Kishës Ortodokse Shqiptare  të Shën Mërisë. Dhimitri vazhdoi t’i jepte komunitetit shqiptar kontributin e tij duke themeluar shoqërinë jofitimprurëse shqiptare amerikane “KOMBI” në 8 Mars 2008 me misionin për të ruajtur Identitetin Kombëtar i cili më vonë u pasua nga hapja e Shkollës Shqipe në Worcester më 3 tetor, 2009. Dhimitraqi ishte një intelektual i vërtetë me njohuri të pamasë për kulturën shqiptare dhe historinë botërore, një burrë i dashur, një baba dhe gjysh i mrekullueshëm dhe një mik besnik. Shërbimet funerale dhe varrimi do të jenë private. Pushoftë në paqë shpirti i tij!(DIELLI)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dhimiter Dishnica, nderroi jete

FATI I POPULLIT TIM ËSHTË FATI IM

March 20, 2020 by dgreca

–GRUPI EUROSIG-INSIG DHE UBA BANK DHUROJNË  50 000 EURO NË LUFTËN KUNDËR COVID-19/

Tiranë, 20 mars 2020. Grupi Insig,  Eurosig dhe UBA Bank dhuron 30,000 euro për Qeverinë Shqiptare në shërbim të stafit mjekësor të infektivit në Tiranë e në rrethe. Gjithashtu dhuron edhe 20,000 euro për Bashkinë e Tiranës që t’u vijë në ndihmë familjeve në nevojë e të moshës së tretë

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së Aksionerëve dhe Këshillit Mbikqyrës të Grupit Eurosig-Insig dhe UBA Bank, njoftojmë si më poshtë:

Akordojmë një donacion financiar për situatën e rëndë dhepunënheroiketëmjekëvenëspitalin e infektivitdhe jo vetëm.

Si rrjedhojë e virusit COVID-19, të gjithë po përjetojmë një situate të rëndë socialo-shëndetësore dhe ekonomike. Referuar udhëzimeve nga instancat shtetërore dhe Grupi Eurosig-Insig, tashmë pjesë dhe e UBA Bank, kemi realizuar me përpikmëri udhëzimet dhe rekomandimet e qeverisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe të gjitha organizmave që janë kompetente për situatën.

Përveç mundësimit të punës së stafit nga banesat e tyre, me qëllim vazhdimin e shërbimit, Grupi u ofron klientëve shërbimet online dhe ju përgjigjet në kohë për të gjitha sigurimet që ju kërkohen në këto ditë të vështira. 

Ndërkohë garantojmë klientët se do ju gjendemi pranë në çdo kohë për nevojat e tyre.

Referuar traditës së Grupit, por edhe situates së rënduar, për të qenë në krah të heronjve të heshtur, stafit mjekësor, për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe në krah të politikave të qeverisë, Grupi Eurosig-Insig dhe UBA Bank dhuron 30,000 euro për Qeverinë Shqiptare në shërbim të stafit mjekësor të infektivit në Tiranë e në rrethe. Gjithashtu dhuron edhe 20,000 euro për Bashkinë e Tiranës që t’u vijë në ndihmë familjeve në nevojë e të moshës së tretë.

Grupi Eurosig-Insig tashmë pjesë e UBA Bank, e cila ka aksioner Bankën Islamike për Zhvillim,bankë e vlerësuar ndërkombëtarisht me nivelin më të lartë AAA, që ka mbeshtetur ndër dekada popullin shqiptar.  Banka e tregoi përsëri në konferencën e donatorëve me shumën, e cila kalonte dhe Bashkimin Europian prej 415 milion euro (e ndarë 365 milionë euro për rindërtimin dhe 50 mililonë euro për rimëkëmbjen e bizneseve).

Gjithashtu, edhe në rastin e pandemisë së Corona Virusit kanë akorduar për vendet e grupit (në të cilën bën pjesë dhe Shqipëria) një shumë prej 730 milion dollare, e cila përfshin projekte shkencore dhe program me mbështetëse qeveritare, që do t’I jepen sektorit public dhe privat me qëllim minimizimin e shpërndarjes dhe ndikimit negative të COVID-19.

Prandaj dhe grupi është pjesë e donacioneve e kontributeve, sepse “Fati I popullit tim është fati im”, ka thënë humanisti i madh shqiptar  Pjetër Bogdani.

“Shqiptarët I dua se janë një racë e vjetër dhe trima”, ka thënë Theodor Roosevelt.

Prandaj:

Qëndroni të forte Shqiptarë, në këtë luftë pa fushëbetejë dhe arsenal ushtarak përballë, qëndroni në shtëpi të sigurtë, zbatoni me përpikmëri direktivat dhe udhëzimet nga instancat kompetente, sepse ky është kontributi më I vlefshem social dhe ekonomik  juaji për shoqërinë dhe vetë kombin.

Jeta njerëzore dhe siguria e kombit, para çdo gjëje.

Faleminderit!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 50 mije Euro, Eurosig-Insig

LIGJI PËR PËRFUNDIMIN E KALIMIT TË PRONËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, PROPAGANDË E QEVERISË PARA BE-së

March 15, 2020 by dgreca

–

Pse shqiptarët patriotë dhe të ndershëm, duhet të kundërshtojnë ligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republiken e Shqiperise”/

Nga Adrian Gjoka*/

Ligji i ri Nr 20 dt. 5.03.2020 ka titullin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqiperise”, është propaganduar si hap përpara drejt zgjidhjes por në përmbajtje Ligji është hap prapa por që shërben që Qeveria “të lajë duart” dhe të raportojë në BE se e zgjidhi  problemin e rëndësishëm të pronës. Ne pronarëve na intereson të miratohet sa më parë hapja e negociatave për pranimin në BE dhe nuk na intereson lufta ndërmjet klaneve politike. E keqja e madhe për ne është që ndërkombëtarët nuk i kanë kushtuar kujdes problemit të pronës dhe ankesave tona në këto 30 vjet. Sot ky ligj që reklamohet si hap përpara, në fakt shërben për të maskuar krimin e organizuar dhe përfundimin e proceseve të pronësisë në favor të oligarkëve dhe të korrupsionit pushtetar. Me pak vëmendje kuptohet se ne kemi të drejtë dhe realiteti është krejt ndryshe. 

Ligji është formuluar në shkelje të përcaktimeve të qarta të detyrimeve kushtetuese, dhe thellon anarkinë institucionale. Në këtë ligj, nuk flitet fare për të drejtat e subjekteve të shpronësuar nga sistemi dictatorial, pasi ato shkelen dhe justifikohet çfarë është katranosur gjatë këtyre 3 dekadave me platformën që kishte si objektiv transformimin e ish komunistëve në kapitalistë dhe politikanët e rinj të vendit. Kjo platformë në këto 7 vjet të pushtetit të Partisë Socialiste është bërë më e vrazhdë. Agjensia e Trajtimit të Pronës për 7 vjet, nuk nxorri asnjë vendim për subjektet e shpronesuar dhe pas pesë viteve ju ktheu pronarëve dosjet pa vendim, duke shkelur haptazi ligjin 133/2015. Ky veprim është tallje me popullin, shpërdorim i detyrës dhe ndofta vepër penale. Ky qendrim thellohet më tej me ligjin e ri. 

Ndarja e tokës bujqësore me ligjin 7501, u justifikua me parullat leniniste se toka i takon atij që e punon, por në realitet u bë për të marrë votat dhe ishte guri i gabuar në themelin e shtetit demokratik. Ky gabim është pranuar nga ish presidenti Sali Berisha, në intervistë televizive, por çuditërisht tani ai qëndron i heshtur para kësaj situate katastrofike, ndërsa Kryeministri Edi Rama me këtë ligj po e ndërlikon situatën. Për ilustrim paraqisim nenin 3 të ligjit të ri, ku renditen parimet themelore nga të cilat do të udhëhiqet veprimtaria administrative për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Këto parime  në aspektin teorik janë të sakta por ato shkelen në përmbajtjen e  neneve të ligjit. Po citojmë këto parime dhe komentin tonë. 

1.     Parimin e shtetit të së drejtës. Për subjektet e shpronësuara që kane 30 vjet që presin të rimarin pronat e tyre sipas detyrimeve kushtetuese, Shteti ligjor dhe shteti i së drejtës akoma nuk egziston. Në këtë ligj anashkalohen parimi i shtetit të së drejtës dhe parimi i ligjëshmërisë për të drejtën e pronës së trashëguar. Qëllimi i ligjit i formuluar në nenin 1 nuk shoqërohet me fjalët “në përputhje me të nenet 41, 42 dhe 181 të Kushtetutës në fuqi”, ashtu siç ne e kërkuam me shkrim në emër të pronarëve, para miratimit të ligjit. Abuzohet me parimet e të drejtës sipas Konvetes Europiane të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut të shprehura qartë në vendimet e Gjykatës Europiane për këtë qëllim. Pse Shqipëria vazhdon të jetë ndryshe me gjithe vendet e NATOs dhe shtetet ishkomuniste për të drejtat e pronësisë ?  

2.    Parimi i sigurisë juridike.  Ku është ky parim, kur të gjitha vendimet e dhëna nga KKKPronave nga viti 1993 deri në vitin 2015, u bënë nul, të pa vlefshme sepse megjithëse janë të barazvlefshmme me vendimet gjyqesore, ligji 133/2015, i ndryshoi të gjitha dhe i ndryshoi për keq dhe në drejtimin antikushtetues. 

3.    Parimi i transprencës. Për problemin e pronave , transparencë nuk ka pasur dhe nuk ka. ATP gjatë këtyre shtatë vjetëve asnjëhere nuk ka deklaruar faturën finaciare të procesit për kompensimin e pronave sepse çmimet e kompensimit vetem janë janë ulur dhe ATP, i ndryshon vendimet e saj sipas vendimeve të Qeverisë. Por ky qëndrim rrëzohen vendimi  unifikues i GJEDNJ, Manushaqe Puto etj/ 2012, Vendimi  ECHR  Karagjozi etj kundër Shqipërisë aplikimi Nr 32382/11, datë 7 Prill 2016, Vendimi  ECHR  Halimi etj kundër Shqipërisë aplikimi Nr 33839/11, datë 6 Prill 2016, që e kanë përcaktuar qartë nivelin minimal të kompensimit, jo më pak se vlera e vitit 2008. A mundet një VKM, e vitit 2015, të rrezojë dhe të dali mbi këto vendime, apo Kuvendi ta detyrojë GJEDNJ të marri vendime me standarde të dyfishta ?! Nëse dyshemenë e kompensimit e ka përcaktuar GJEDNJ, pse Kuvendi nuk përcakton se cilat prona duhen kompensuar, në mënyrë që kompensimi të përputhet me nenet 41,42 dhe 181 të Kushtetutës ashtu siç ja kemi kërkuar, por vazhdon të favorizojë abuzimet me pronat tona dhe ato të shtetit  ?   

4.     Parimi i ligjshmërisë.  Ligji nr 20/2020 del mbi kushtetutën dhe mbi vendimet e GJEDNJ e shkel parimin e ligjëshmërisë në favor të shkelësve të ligjit . Nëse do të ishin marrë në konsideratë 

vërejtjet  për çdo nen, që ne pronarët i paraqitëm në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, me këtë ligj, Maxhoranca i kishte të gjitha mundësitë që të korrektonte shumë nga shkeljet kushteuese të 30 vjetëve të fundit në fushën e pronësisë. Vërejtjet tona jo vetëm që nuk u morrën në konsideratë, por me këtë ligj u fshinë  dhe hapat pozitive që ishin miratuar më parë, me nenin 2 të ligjit Nr 8053 dt 21.12.1995 dhe ligjet për pronat në vitin 2004. Ku janë premtimet solemne të PS në 2012-13 se kur të merrnin pushtetin do luftonin korrupsionin me pronat ? 

5.    Parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit. Nuk ka diskretitim më të madh se se ai që po bëhet pronarëve të ligjshëm, të shpronësuar me dhunë nga sistemi i kaluar diktatorial. Në këto 30 vjet oligarkët e politikës, herë në pushtet dhe herë në opozitë, ju premtojnë për zgjidhje të drejtë.  Situata e sotme e kombinuar edhe me PPP është vjedhje dhe grabitje në emër të ligjit dhe është shumë shkallë më e keqe se shpronësimi i kohës së komunizmit. Diktatura i konfiskoi pronat, por i vuri në shërbim të komunitetit, ndërsa oligarkët e pas 1990 po i përvetësojnë pronat tona dhe ato të shtetit në funksion të interesave të tyre. Me këtë ligj preferohen shkelësit e ligjit, shkelen parimet baze të të drejtës së pronesisë, që përcaktohen qartë në Kushtetutë,  në nennet 41, 42, 181.  Ndërtimet  pa leje mund të legalizohen por me vendime gjyqësore të arsyetuara rast pas rasti. 

Ky ligj njollos bashkësitë fetare duke ju dhënë atyre përparësi në legalizimin e shkeljes së ligjit. Diskriminimi dhe shkelja e të drejtës së pronës janë të qarta dhe pët të mos u zgjatur, pa koment neni 74 i ligjit të ri thotë: “Kërkesat për legalizimin e objekteve të kultit të ndërtuara pa leje, privatizimin apo regjistrimin e të drejtave të pronësisë të bashkësive fetare trajtohen me përparësi, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore në fuqi.“

Po ashtu në nenin 67, pika dh) që thotë: “tarifa e shërbimit për ndërtimet pa leje, me funksion përdorimi social-ekonomik ose për ndërtimet e dyta” nuk ka nevojë të komentohen për diskriminimin dhe pabarazinë e pronarit të ligjëshëm. 

Shteti Shqiptar, bëri transparencën dhe vetingun për pronat e gjyqtarëve, prokurorëve, nëpunësve të administratës etj. dhe  largoi për 50 apo 100 mijë euro të pa justifikuara për origjinën e fitimit të tyre. Atëhere në raport me nenin 41 të Kushtetutës që thotë se prona fitohet me blerje, me dhurim apo trashëgim dhe në bazë parimeve morale, fetare, Kryeministri duhet të pranojë të bëjë transparencën dhe të thotë si i ka fituar Shteti dhe deputetët, pronat e të parëve tanë, që me këtë ligj monstër po i regjistrojnë  në ZRPP për oligarket dhe klanet e tyre.

Pronaret veçanërisht ata të zonave bregdetare dhe turistike, vazhdojnë të diskriminohen. Në këtë ligj, Kushtetuta, origjina e pronës dhe dokumentat e pronësisë, për subjektet e shpronësuar, nuk kanë asnjë vlerë dhe në Kadastër do regjistrohet me prioritet subjekti që ka pushtuar truallin dhe ka ndërtuar pa leje. A ka vullnet politik për të hyrë ne BE  dhe a na pranon BE me ligje si ky që pretendohet si zgjidhje dhe në theln justifikon vjedhjen e pronës së tjetrit . 

6.    Parimi i objektivitetit  Ky ligji mbron aktet antikushtetuese  prandaj në këtë ligj vetëm objektivitet nuk egziston.

Ligji Nr 20 dt. 5.03.2020, është pjesë e platformës dhe e sistemit që mbron oligarkët që kanë ndërtuar fshatra turistike dhe favorizon që ata të lagalizonen, dhe të shesin ato si vila private, kurse pronarët e atyre tokave turistike të rrijnë e të shikojnë se po i grabisin në emër të ligjit ose për shkak të konflikteve të detyrohen të ikin në emigaracion. Asnjë nga ambassadorët e këtyre 3 dekadave, që kanë qenë në Shqipëri, dhe e njeh situateën, nuk do ta kishte pranuar këtë ligj në vendin e tij si zgjidhje përfundimtare të problemit të pronës 

7.  Çdo parim tjetër i parashikuar në Kodin e Procedurave Administrative. Në këtë ligj  parashikohet vetëm Kodi Procedurave Administrative por dhe ai zbatohet keq sepse ky ligj, nuk detyron zyrën e Kadastrës që në zbatim të ligjit Nr. 111/2019 “Për Kadastrën” , të ketë detyrimin ligjor që të verifikojnë ligjëshmërinë e AMTP-ve dhe të korrigjojë ato akte që bien ndesh me nenet 41, 42, 181 të Kushtetutës. 

Këto kërkesa ne i kemi paraqitur me shkrim në Kuvendin e Ligjeve, përpara miratimit të ligjit, por asnjë nga vërejtjet tona nuk u morrën në konsideratë. Ky ligj e vërteton shprehjen se “Në cdo vend ka mafie, por, në Shqiperi mafia ka shtet”. Pasojat e këtij ligji do të jenë të rënda sepse në themel të sistemit të ekonomisë kapitaliste, qëndron prona private, rregullat dhe mënyrat e fitimit të pronesise që janë universale dhe të përcaktuara qartë në nenet 41,42 dhe 181 të kushtetutës në fuqi. Shkelja e të drejtës së pronës së trashëguar, me ligje të miratuara nga Kuvendi,  është mohim i atdheut , nxitje e konflikteve, e largimit të brezit të ri dhe katastrofë e programuar. 

Çelësi i zgjidhjes së papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit që ka pushtuar pushtetin legjislativ, administrativ dhe sistemin e drejtësinë në Shqipëri qëndron në sensibilizimin që do të bëjnë intelektualët, Shoqata Patriotike Panshqiptare Vatra, diaspora patriotike në SHBA dhe Europë, duke kërkuar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit dhe BE, për kushtëzimin dhe korrektimin e pjesëve antikushtetuese të këtij ligji. Analiza më e detajuar dhe nen për nen do ti paraqitet të gjitha instancave.

*Në emër të Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve të Bregdetit

Sekretari

Adrian Gjoka

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ligji per Pronat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 146
  • 147
  • 148
  • 149
  • 150
  • …
  • 232
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT