Shkruan: Ali LUSHNJA, Doktor i Shkencave Mjekësore, Jacksonville, Florida*/
Të nderuar bashkatdhetarë;
Me përgjegjësinë a një doktori dhe specialist në fushën e sëmundjeve infektive do të dëshiroja të jap kontributin tim në ndërgjegjësimin rreth situatës së krijuar sëfundmi me pandeminë e shkaktur nga COVID-19.
Siç dihet, Coronavirusi-19 është një virus i grupit të Coronavirusëve. Ky është një virus i ri (novel), virulent dhe me përhapje të shpejtë. Prandaj është shumë e rëndësishme të zbatohen shpejt dhe në kohë udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve ( Center for Disease Control, CDC ), për të mbrojtur veten, familjen dhe shoqërinë.
Si për çdo sëmundje infektive, edhe për COVID-19, është e rëndësishme që, për të mos u infektuar dhe për të parandaluar përhapjen në masë, të ndërpriten rrugët e transmetimit, pra të ndërpriten hallkat e zinxhirit që bëjnë të mundur transmetimin e infeksionit . Virusi COVID-19 , nga studimet e fundit, ka të panjohura, por si çdo virus ka shume praktika të njohura që e bëjnë të pa mundur përhapjen e tij. Këto praktika të njohura dhe të thjeshta janë ndalimi i rrugëve të transmetimit të tij, të cilat do të duhet t’i zbatojmë me rigorozitet, në çdo kohë dhe me shpejtësi.
Duke ditur se në 100 njerëz të infektuar me COVID-19, 80 prej tyre janë mbartës, në përgjithësi pa shenja klinike si temperatura, kollë dhe pa vështirësi të frymëmarjes; 20 të tjerë, i kanë këto shenja klinike nga format më të lehta deri të rënda dhe shenja të tjera si: dhimbje koke, kollë, vëshirësi të lartë në frymarrje si dhe simptoma të ngjashme me virozat e tjera; djersë, të vjella, skuqje të syve, teshtitje, dhimbje të muskujve, etj. Mënyra parësore në përcaktimin e ketij virusi të rrezikshëm bëhet nëpërmjet testit të COVID-19 . Të gjithë këta 100 njerëz, me ose pa shenja klinike transmetojnë COVID-19 nëpërmjet: kollitjes, teshtitjes, kontakteve në afërsi 1-2 metra, duarve të tyre dhe sendeve që ata apo ato kanë prekur . Duke ditur burimin e infeksionit, rrugët e transmetimit të tij dhe marrja e masave sa më të shpejta për të ndërprerë rrugët e transmetimit të COVID-19 e bëjnë të mundur ngadalësimi dhe përhapjen e tij .
Rrugët e ndërprerjes janë të thjeshta:
Larja e shpeshtë e duarve me ujë e sapun për mbi 20 -30 sekonda.
Përdorimi i lëndëve dezifektantë të duarëve.
Mos prekja e fytyrës me duar të palara. Vetëm pasi duart të jenë të pastra mund të preken sytë, hunda dhe buzët dhe duart të lahen përsëri.
Të shmangen kontaktet me njerëzit, këshillohet distancimi shoqëror duke qendruar 1 – 2 metra larg njeri-tjetrit, përdorimi i maskave dhe dorashkave me një përdorim, dhe kur i heq të hidhen në koshin e plehrave me kapak .
Shmangia e lëvizjeve të panevojshme dhe ambjenteve të mbyllura dhe me shumë njerëz.
Ndjekja me përpikmëri e udhëzimeve të zyrave lokale të shëndetit publik.
Për mendimin tim, vetëkarantinimi, apo izolimi në shtëpi, është një masë shumë e nevojshme dhe e detyrueshme që duhet marrë në këtë Pandemi botërore dhe që secili duhet të ndërgjegjësohet se shëndeti juaj është shëndet i shoqërisë dhe shëndeti i shoqërisë është shëndeti juaj . Është një betejë që duhet të merret shumë seriozisht dhe me qetësi, duke i vënë rëndësi dhe shëndetit mendor pasi izolimi për një kohë të gjatë në këto rrethana shkakton ankth dhe depression. Gjithashtu, izolimi në shtëpi për një kohë të gjatë sjell ndryshime në stilin e jetës; shumë individë e kalojnë kohën në shtëpi në mënyrë interaktive dhe i përkushtohen qetësimit dhe forcimit të lidhjeve me të dashurit e familjes së tyre, por ka dhe të tjerë, që për arsye të ndryshme mund të vuajnë nga ankthi, stresi etj. Në këto situata është e rëndësishme të ruhet shpresa për të ardhmen, se këto izolime do jenë të përkohëshme dhe se jeta do t’i kthehet normalitetit përsëri.
Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se përparimi i shkencës mjekësore do të bëj të mundur shumë shpejt zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkaq secili nga ne ka një çelës të Sukseseshëm në duart e tij:
NGADALËSIMIN E PËRHAPJES SË COVID-19 duke qëndruar në shtëpi, të bëjmë distancimin social, të zbatojmë rregullat higjeno-sanitare dhe besimi se vaksina dhe medikamentet do të bëjnë të mundur izolimin dhe mposhtjen e këtij virusi .
Të gjithë së bashku do ta fitojmë ketë bëtejë ndaj COVID-19 !
Doktor i Shkencave Mjekësore Ali Lushnja-Jacksonville, Florida.
03 / 22 / 2020 . *Autori eshte anetar I Keshillit te Vatres