• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Java me bizneset e diasporës shqiptare

October 18, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Qeveria partner i bizneseve nga diaspora/

1 Diaspora1 ok diapsora

Prishtinë, 17 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/“Bizneset nga diaspora  nuk do të jenë partner të padobishëm dhe në asnjë moment nuk duhet të ndihen vetëm. Jemi në rrugë të mirë për ta kthyer besimin e ndërsjellë”. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e “Java me bizneset e diasporës shqiptare”, e cila u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare.
Në hapjen e javës së bizneseve,  kryeministri Haradinaj duke iu uruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve tha se kjo është një ngjarje me rëndësi, dhe për këtë duhet  falënderuar të gjithë ata që kanë punuar për këtë ditë,  dhe rëndësinë e kësaj ngjarje e dëshmon edhe kujdesi ynë me prezencën këtu.Kryeministri Haradinaj tha se që nga fillimi i punës së tij, nuk ka dashur që të kthehet pas për asnjë minutë, por vetëm të ecet para, duke e bërë diferencën në vend.
“Jemi në rrugë të mirë për ta kthyer besimin e ndërsjellë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se një sipërmarrës sot mund të krijojë përvojë korrekte në komunikim me institucionet e vendit, në të njëjtën kohë u ka bërë thirrje bizneseve të diasporës që gjatë javës sa janë këtu ta shfrytëzojnë që së bashku të punojnë si partner të dobishëm.
Duke falënderuar të gjithë përfaqësuesit e bizneseve nga vende të ndryshme, kryeministri Haradinaj porositi ata që të shfrytëzojnë kohën, në mënyrë që të plasohen idetë e tyre ose për të gjetur ide se si mund të bashkëpunohet.Kryeministri Haradinaj tha se një ndër projektet me rëndësi të veçantë është edhe Parku Inovativ Trajnues në Prizren, park ky, i cili do të sjellë ekspertizë, kualitet pune dhe aftësim profesional, duke shtuar se edhe diaspora është me rëndësi të bëhet pjesë e tij.
Kryeministri, gjithashtu rikujtoi faktin që bizneset janë të liruara nga tatimi për lëndën e parë; janë të liruara poashtu në importin e pajisjeve teknologjike;  të gjitha eksportet trajtohen me TVSH zero; tatimi në fitim është 10 për qind në Kosovë; tatimi në dividendë është zero për qind dhe tatimi në të ardhura personale është më së shumti 10 për qind.
Kryeministri tha se janë në proces e sipër të hapjes të tregut me të gjithë dhe se do të bëjnë hapa konkret me Shqipërinë, do t’i heqim të gjitha procedurat  dhe burokracitë e lodhshme të kufirit Kosovë-Shqipëri, duke i siguruar që do ta reduktojnë kohën e pritjes.Zëvendëskryeministri dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha se është nder dhe kënaqësi që diaspora është në vendin e vet, këtu në Prishtinë dhe që kryesisht vijnë nga Gjermania, Kanada, por edhe vende të tjera. Ministri Gashi tha se do të kenë mundësi që në ditët në vijim të diskutojnë për thellimin, përmirësimin dhe bashkëpunimin mes institucioneve të vendit dhe bizneseve të diasporës, në të mirë të bizneseve të tyre dhe ekonomisë në Kosovë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, tha se Parku Inovativ dhe trajnues në Prizren do të udhëhiqet nga një menaxher gjerman dhe se është një  mundësi e mirë për ofrimin e trajnimeve profesionale për punëtorët dhe bizneset, në të njëjtën kohë ka potencuar edhe investimin nga Qeveria gjermane në këtë Park.
 Nora Hasani, Drejtoreshë menaxhuese në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare, tha se e mbështet fuqishëm bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve dhe kjo jave është tejet e rëndësishme që të avancojmë në këto raporte.Në hapjen e javës së bizneseve nga diaspora të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, dhe ministri i Shtetit për Diasporë nga Shqipëria, Pandeli Majko./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, diaspore, Java me bizneset, Kosove

ËSHTË KOHA PËR VEPRIM KUNDËR KORRUPSIONIT!

October 17, 2018 by dgreca

2frank-shkreliKonferenca Ndërkombëtare kundër Anti-Korrupcion/

2 frankNga Frank Shkreli/

Javën që vjen, më 22 deri më 24 Tetor në Kopenhagen të Danimarkës do të mbahet Konferenca e 18-të Ndërkombëtare Kundër Korrupcionit me temën, “Tani është koha për të vepruar”. Kjo konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo dy vjet — e që cilësohet si forumi më i madh ndërkombëtar në luftën kundër korrupcionit — organizohet sivjet nga qeveria e Danimarkës e përfaqësuar nga Ministria e Jashtëme e atij vendi dhe nga organizata ndërkombëtare anti-korrupcion, Transparency International, me ndihmën e degës së saj në Danimarkë.

Sipas të dhënave nga organizata Transparency International, ky forum është mbajtur dy vjet më parë në kryeqytetin e Panamasë ku kanë marrë pjesë më shumë se 1600 përfaqësues nga mbarë bota.  Edhe këtë vit, pritet që kjo konferencë ndërkombëtare kundër korrupcionit të mbledhë në Danimarkë, udhëheqës shtetesh, përfaqësues të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe më gjërë, për t’u marrë me sfidat gjithnjë e më të sofistikuara që paraqet korrupcioni kudo në botë.  Konferenca Ndërkombëtare anti-korrupcion mbahet çdo dy vjet, në një rajon të ndryshëm të botës, me qindra pjesëmarrës nga më shumë se 135-vende.  Punimet e   konferencës tre-ditore javën që vjen në Kopenhagen, do të hapen me një fjalim nga Kryeministri i Danimarkës, Z. Lark Lokke Rasmussen.  Parashikohet që të mbahen mbi 50-seanca dhe takime plenare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë, ekspertë të njohur, inovues, aktivistë, akademikë dhe përfaqsues qeverishë dhe të shoqërisë civile nga mbarë bota, të cilët do të diskutojnë mbi mënyrat për të luftuar korrupcionin, i cili po dobëson demokracitë në shumë vende të botës, thuhet në njoftimin e Transparency International.

Siç dihet, organizata Transparency International është një ent ndërkombëtar jo qeveritar me qëndër në Berlin të Gjermanisë, themeluar në vitin 1993 me objektivin për të luftuar korrupcionin anë e mbanë botës, me masa anti-korrupcion të shoqërisë cibile si dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale që rrjedhin si pasojë e praktikave të korrupcionit.

Korrupcioni në botë, sipas Transparency International, po merr forma gjithnjë e më të ndërlikuara dhe si rrjedhim po dobëson gjithnjë e më shumë proceset e qeverisjes demokratike anë e mbanë botës.  Sipas saj, përdorimi i dhunës është në rritje kundër aktivistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të cilët ngrejnë zërin e tyre kundër padrejtësive dhe korrupcionit.

Ndërsa po bëhen përgatitjet përfundimtare për forumin ndërkombëtar të këtij viti kundër korrupcionit, javën që vjen në Danimarkë, Transparency International, nga ana e saj u bën thirrje – siç shprehet ajo — të gjithëve, nga veriu në jug, për të punuar edhe më me bindje dhe me vullnet më të fortë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më të bararabart ekonomik dhe shoqëror si dhe drejt një sigurie dhe paqeje të përgjithëshme – si objektiva për një qeverisje më të mirë, që ka për qëllim edhe luftën kundër korrupcionit.

Kjo është koha për të vepruar, thekson Transparaency International, që është edhe tema e konferencës e javës që vjen, në Danimarkë.  Sipas këtij enti ndërkombëtar anti-korrupcion, ka ardhur koha tanimë për të këthyer në vepra premtimet dhe angazhimet e konferencave dhe forumeve të mëparshme ndërkombëtare për të luftuar korrupcionin dhe për të promovuar transparencën nga të gjithë.

Transparency International vepron në më shumë se 100-vende anë e mbanë botës, si pjesë e një veprimi mbarë global anti-korrupcioni, duke sfiduar këtë plagë të rëndë ekonomiko-shoqërore dhe të gjithë ata që e praktikojnë atë kudo në botë.

Në këtë frymë, kjo organizatë u bën thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave kudo në botë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje anti-korrupcion dhe që, njëkohësisht, të bëhet një forcë frymëzimi në luftën kundër korrupcionit.  Koha për të vepruar kundër korrupcionit është tani!  Si pjesë e festimeve me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Transparency International — në Ditën e Ndërkombëtare të Anti-Korrupcionit më 9 Dhjetor, 2018 — njoftohet se në bashkpunim me Ministrinë e Gjermanisë Federale të Bashkpunim dhe Zhvillim Ekonomik, do të nderohen disa të rinjë e të reja nga mbarë bota, të cilët sfidojnë korrupcionin me mjetet më frymëzuese dhe inovative që është e mundur.

Natyrisht, se përpjekjet serioze të rinisë kudo qoftë kundër korrupcionit dhe për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë në vendet ku jetojnë, do të kontribojnë dukshëm në luftën kundër këtij fenomeni global, por siç sugjeron edhe tema e Konferencës Ndërkombëtare Anti-Korrupcion e javës që vjen në Kopenhagen të Danimarkës – nuk ka kohë për të humbur, pasi koha për veprim kundër korrupcionit, jo vetëm nga të rinjët e të rejat, por nga të gjithë, është tani!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ËSHTË KOHA PËR VEPRIM, Frank shkreli, kundër korrupsionit

PRISHTINA, MIKPRITESE E PANAIRIT AGROKOS 2018

October 10, 2018 by dgreca

– Në Agrokos vijnë mbi 85 Kompani të organizuara në pavijone te përbashkëta si dhe pjesemarrje individuale/

unnamed (1)

– Panairi më i rëndësishëm i fushës së agrobiznesit në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mali i Zi AGROKOS 2018-/

Edhe pak ditë deri në hapje zyrtare të Edicionit të 18-të të Panairit Ndërkombëtar të Agrobiznesit “AGROKOS” i planifikuar në data 17-19 tetor 2018 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Qëllimi i këtij projekti është që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke u mundësuar bizneseve promovim të nivelit me standarde të larta të certifikuar ndërkombëtarisht nga Asociacioni Ndërkombëtarë i Panaireve me seli në Francë UFI.org.

AGROKOS  për 18 vite rresht është duke ndihmuar bizneset në gjetjen e partnereve vendorë dhe ndërkombëtarë, po ashtu shtrirje në tregje të reja përmes kontakteve që krijohen në Panair si dhe nga platforma e lansuar këtë vit për ekspozuesit “B2B shërbim për 365 Dite”.

Këtë vit vijnë në AGROKOS mbi 85 Kompani të organizuara në pavijone të përbashkëta si dhe në pjesëmarrje individuale.

Qeveria e Bosnjës dhe ajo e Malit te zi përmes Asociacioneve te Bizneseve në vendet e tyre dhe Oda Ekonomike e Selanikut sjellin numrin më të madh të bizneseve jashtë Kosovës duke u shoqëruar nga bizneset Individuale nga Gjermania, Zvicra, Hungaria, Serbia dhe Shqipëria.

Nga Kosova janë kryesisht biznese prodhuese dhe shpërndarëse të cilat po e shfrytëzojnë Agrokos-in në gjetjen e klientelës së re dhe për rritje të volumit të shitjes, gjë e cila po ndikon në krijimin e vendeve të reja të punës

Pra ky Panair edhe këtë herë për të 18-in vit me radhë po dëshmon vetën si një nga ngjarjet më të rëndësishme te agrobiznesit në Kosovë dhe rajon.

Prishtina me Hotelet dhe Restaurantet e saja nga data 16-19 tetor do të jenë plotë të mbushura me mysafiret që vijnë në AGROKOS dhe në këtë formë po ngrisim një imazh tepër pozitiv edhe për Prishtinën dhe Kosovën në përgjithësi.

CEO ju fton dhe ju si media që ta përcillni këtë panair nga afër për t’i takuar kompanitë me produkte shumë interesante, duke ju sjellë kështu informata edhe atyre qytetareve që nuk arrijnë të vizitojnë panairin AGROKOS 2018 në Pallatin e Rinisë në datat 17,18 dhe 19 tetor.(Bekim Xhaferri)

 

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: AGROKOS 2018, MIKPRITESE E PANAIRIT, Prishtina

Mustafë Elezi, nga Dragobia në ShBA, një jetë mes dy botëve

October 1, 2018 by dgreca

1-ok-Mustafa-2-250x217mustafe2.IMG_-215x3001 Mustafe Elezi

Nga Dalip Greca/

Mustafë Elezi është një ndër shqiptarët që erdhi në SHBA në fundvitet ’60 të shekullit të shkuar. Ai jeton në shtëpinë e tij dy katëshe në Yonkers, NY. Ftesa qe i bera për një intervistë për sfidat dhe sukseset e jetës së tij, e gëzoi pa masë. Na priti në krye të shkallëve të shtëpisë dykatëshe. Atë ditë kishte mysafirë nga Shqipëria, të nipin me të shoqen, që të dy juristë. Mustafa ka siguruar një mirëqenie të kënaqshme falë punës  dhe përkushtimit të vetë atij dhe të fëmijëve, që i ka të mbarë e të suksesshëm. Suksesin e  tij e pasqyron dhe shtepia private ku jeton, komode dhe tradicionale ne mobilim.Ndjehet i gëzuar nga mirënjohja dhe përkujdesja që tregojnë fëmijët për të, për të cilët ai thotë se janë krenaria dhe gëzimi i jetës së tij. Ka investuar por dhe ata ia kanë shpërblyer. I ka shkolluar të gjithë dhe mundimi nuk i ka shkuar kot. Edhe pse vitet ia kanë shtuar pleqërinë, Mustafë Elezi nuk ndahet nga veprimtaritë  e komunitetit. As nga Shqipëria që e do aq shumë, paçka se ia patën mohuar. Udheton shpesh drejt Shqiperise. Kur shkova për ta intervistuar ishte në prag të një udhëtimi drejt vendlindjes. Vizitat në vendlindje, ia mbajnë shpirtin ngrohtë, siç shprehet vetë ai. Mustafa e ka mbajtë shpirtin gjallë edhe me poezitë e bukura që ka shkruar për lirinë, Flamurin kuq e zi, gjuhën shqipe, Atdheun dhe kombin tonë ilir.Në prag të 28 Nëntorit 2010 ai botoi librin e tij të dytë me titull”Nuk e harrova Malësinë e  Gjakovës”, një libwr që i kalon kufijtë e një autobiografie. Në 465 faqet e librit ai përcjell shpirtin mëmëdhetar. Mustafë Elezi është bujar, gjithë jetën ka dhuruar për cështjen Kombëtare. Në mbyllje të vitit ai dhuroi njëmijë dollarë për gazetën më të vjetër të Shqiptarëve, gazetën Dielli, zërin e Federatës Panshqiptare”Vatra”.

***

Mustafë Elezi ndjehet vatran në shpirt dhe që prej vitit 1968, ku është bërë pjesë e saj, nuk mund t’i largohet.Ishte edhe në veprimtarinë e fundprillit te vitit 2009 organizuar nga Vatra në promovimin e librit “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha”, të Fahri Balliut, ndërsa në festimin e 98 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk mundi të vinte, por dërgoi mesazhin e tij, një poezi të bukur për 28 Nëntorin dhe Flamurin Kombëtar dhe kontributin e tij financiar. Është antikomunist me shpirt nga që komunizmi ia pat nxirë jetën, jo vetëm atij, por të gjithë fisit. Lufta më absurd e komunizmit shqiptar është ajo kundër familjeve nacionaliste. Familja e Jah Elezit të Dragobisë, pjesë e së cilës është Mustafa, në shekullin e shkuar ishte me emër në të gjithë Malësinë e Gjakovës e më tej. Ajo përmendej për tradita e trimëri në Kosovë , Plavë-Guci e Shqipëri. Para Luftës së Dytë Botërore, kjo familje e madhe prej më shumë se 50 anëtarësh i nënshtrohej rregullave të traditës patriarkale, ku punët përballeshin bashkë e miku pritej me bujari e besë. Familja e Jah Elezit ka jetuar në Dragobi dhe Çerem. Sa herë mësynin sllavët nga Gryka e Dragobisë, Eleztë ishin në ballin e luftës. Komunizmi këtë familje të madhe nacionaliste, e shpalli armike të popullit! Për pesëdhjetë vjet kalvari që përshkoi  familja e Jah Elezit, qe i përgjakur; me të pushkatuar, të burgosur e të internuar deri në vitin 1990.

Luftëtarët e lirisë shpallen armiq

Lufta e Dytë Botërore i gjeti Eleztë në ballin e Luftës për liri. Tre djemtë e Sali Jah Metalisë; Jah Sali Metalia, Abaz Sali Metalia dhe Mustafë Sali Metalia   ishin rreshtuar në radhët e luftëtarëve të lirisë kundër pushtuesve. Njëri vëlla, Jah Sali Metalia i ishte përgjigjur menjëherë kushtrimit për të shkuar në Kosovë. Ai kishte përfunduar gjimnazin e Shkodrës dhe ishte ndër ata djem që me thirrjen e parë të Mit’hat Frashërit shkoi në Kosovë. Gjatë kohës së pushtimit ai ishte kryetar i komunës së Junikut. Ishte koha kur një pjesë e inetelektualëve të Shqipërisë dhe të Kosovës menduan se ishte realizuar bashkimi kombëtar dhe rrezikuan veten për të shërbyer sipas aftësive intelektuale, kudo ku kishte nevojë Kosova. Ishte koha kur Ago Agaj, Kudret Kokoshi, e intelektualë të tjerë të Shqipërisë i shkonin në ndihmë Kosovës. Jah Metalia mbeti ushtar dhe idhtar i Mit’hat Frashërit dhe iu përgjigj thirrjes së tij. Në betejën e Junikut Jah Sali Elezi ishte në ballë të luftës. Tri ditë zgjati beteja, por heronjët u ndëshkuan duke u shpallë armiq të popullit. Komunistët shqiptar dhe ata jugosllavë  e akuzuan Jahon për bashkëpunim me pushtuesin, ndërkohë që Juniku i tij dhe e tërë Kosova ranë sërish në pushtimin sllav. Ai u masakrua së bashku me 100 kosovarë. U pushkatuan pa gjyq ata që deshën të mbronin Junikun dhe Kosovën.Familja Elezi trashëgonte patriotizmin e Jah Elezit, që kishte prirë në betejën e Valbonës. Ai kishte marrë pjesë së bashku me Bajram Currin në mbrojtje të Prizrenit, pat luftuar për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë dhe kudo ku kriste pushka e shqiptarit për liri.

Ish partizani shpallet armik i popullit!

Mustafë Elezi ishte vetëm 17 vjeç kur iu përgjigj thirrjes së Atdhut për të luftuar për liri. Ishte një ndër partizanët e vegjël në moshë të Brigadës 25  partizane. Kur partizanët çliruan Tropojën, i kërkuan atit të tij që të niste me ta djalin. Ishte djalë i ri plot ideale dhe mendonte se populli shqiptar pas lufte do të vendoste pushtet demokratik dhe do të gëzonte një jetë më të mirë.Sakrifikoi rininë e vet nëpër male në të ftohtë e shpesh i pangrënë. Luftoi që nga Tropoja në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë etj. Por u zhgënjye shpejt; në vend të demokracisë komunistët vendosën diktaturën më të egër në të gjitha vendet ish komuniste.Jo vetëm kaq, por komunistët shqiptarë  bënë pakt vëllazërimi dhe u bashkuan me Titon duke zhgënjyer vëllezërit kosovarë. Ata dorëzuan Kosovën dhe shumë nga djemtë shqiptarë që kishin ushqyer iluzionin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ose kishin luftuar me parullën “Kosova është Shqipëri” , u ndëshkuan. Tronditjen më të madhe Mustafë Elezi e pësoi kur u kthye nga lufta, shtëpia e tij në Dragobi ishte djegë nga bashkëluftëtarët e tij partizanë. Ishte një zhgënjim tronditës. Familja e madhe qëndronte në qiell të hapur, pa patur një strehë ku të fusnin kokat. Shpërblim i bukur për kontributin e dhënë në luftë!-psherëtinë gjatë rrëfimit Mustafë Elezi.Ai i kishte kërkuar pushtusit nëpër male, por ata paskishin qenë aq pranë!

Era e së keqes po frynte me tersëllimë edhe në grykën e Dragobisë. Tani sllavët nuk vinin më me taborre sulmi përmes luginës së Valbonës për ta ndalë turin tek shpella e Bajram Begut! Ata ishin ulur këmbëkryq në Tiranë dhe u dorëzonin komunistëve shqiptarë listat e atyre që kishin luftuar për një Kosovë bashkë me Shqipërinë, pra ishin kundër vëllazërimit me serbët. Pas djegies së shtëpisë erdhën të tjera fatkeqësi për familjen Elezi; në vitin 1945 komunistët kishin pushkatuar pa gjyq xhaxhanë e Mustafës; Asim Jah Elezin, duke lënë në katër rrugë të shoqen dhe tre fëmijët e tij.Mustafës ende nuk i kishte ardhë radha. Ai kishte ende meritat e luftës. Po sa do ta mbronin ato? Vazhdonte të shërbente si nënoficer në ushtri duke qenë shef i prapavijës në batalionin e  artilerisë bregdetare. Dukej se ishte larg rrëbeshit që po i rrëzonte një nga një burrat e familjes Elezi, por ky ishte vetëm iluzion i përkohshëm.Tragjedia vazhdon të godasë familjen e madhe të Elezëve me një fuqi goditëse si një tërmet nëntë ballësh; në vitin 1946 arrestohet tek po kryente shërbimin ushtarak në brigadat shqiptare në Maqedoni, vëllai tjetër i Mustafës. Tragjedia në familjen e Jah Elezit nuk ka të ndalur. Rrethi po i afrohej edhe vetë Mustafës. Arrestohet dhe vëllai tjetër i tij, Adem Sali Elezi, ish myfti në Kukës, vetëm pse predikonte Kosova dhe Shqipëria janë një. Pas pak kohësh në pranga përfundon edhe xhaxhai Azem Jahja, ish imam në Tropojë.Të dy ata u përballën përmes një kalvari të tmerrshëm nëpër burgjet e diktaturës komuniste. I vetmi “faj” i tyre ishte nacionalizmi, patriotizmi ndaj Kosovës, e cila i ishte dorëzuar Jugosllavisë.

Arrestimi i Mustafë  Elezit

Mustafa po e parandjente se po i afrohej arrestimi edhe pse tregohej i kujdesshëm, që të mos i shpëtonte asnjë fjalë e pamatur apo ndonjë gabim teknik në detyrën që kryente, ai nuk mundi ta shmangte të keqen. Hafijet kishin filluar t’ia përgjonin hijen. Iu vunë prangat në vitin 1949.Ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Shëngjin të Lezhës në artileri bregdetare, kur dëgjoi akuzën e tmerrshëm: “Në emër të popullit je i arrestuar!”. Filluan edhe për atë vuajtejt dhe torturat e tmerrshme. Hetuesia vazhdoi për më shumë se dy muaj. Një hetuesi e ashpër me tortura spartane të huazuara nga rusët ra mbi të. Pas hetimit, ku ai nuk pranoi asgjë, erdhi gjyqi ushtarak.U gjykua për faje që nuk i kishte kryer. Cilësohej armik ai që kishte luftuar për liri. Nuk kishte as avokat që të mbrohej; prokuror, gjykatës, avokat ishte Partia Komuniste. Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg, ndërsa trupi gjykus e la me tetë vjet. Nga burgu i Tiranës e çuan në Korçë. Atje u përball me vdekjen. Këneta e vdekjes mori shumë trupa të sfilitur të burgosurëve politikë. Mustafa thotë se ishte me fat që i shpëtojë vdekjes. Në kujtesë ka ende ënjtjen e trupit nga sëmundja e skorbutit, që ra mes të burgosurve dhe mori shumë jetë. Edhe Mustafa s’mund të bënte përjashtim. Dr. Isuf Hysenbegasi, që ishte i burgosur, arriti t’i shpëtojë duke kërkuar me këmbëngulje domate në mungesë të vitaminave për të burgosurit. Nuk i harrohet as Ram Halili, një i burgosur , që e ka lënë policët tërë ditën në diell e tërë natën jashtë, të lidhur këmbë e duar dhe më pas çonin tek ai të gjithë të vargun e të burgosurve, që ta pështynin. I shkreti, mezi e përballoi Maliqin, por nuk përballoi Peqinin. Vendosi që të ikte nga skëterra, por e tradhëtoi shoku me të cilin pat vendosë të arrastisej. Ai ishte spiun dhe në momentin e arratisjes e kapën dhe e vranë Ramën. Nga viti 1949 deri në vitin 1957 jeta  e Mustafës kaloi sprovat e qëndresës në burg dhe kampet e internimit. Ka punuar edhe në kanalin Peqin-Kavajë. Aty ka gjetë vëllanë e vet Ademin. Vuajtjet nuk kishin të mbaruar. Më pas e kanë çuar në ndërtimin e fushës së aviacionit në Kuçovë. Nuk mbaruan me kaq vujatjet. Pasi të burgosurit përfunduan ndërtimin e  fushës së aviacionit i dërguan në ndërtimin e kanalit Vjosë-Levan-Fier.Vuajtën shumë në Shtyllas.Një vit e gjysëm ka qëndruar në ndërtimin e kanalit.Më pas i kanë çuar për ndërtimin e fushës së aviacionit në Tiranë.Edhe pse kampi ruhej në mënyrë të rreptë, pesë nga të burgosurit hartojnë një plan arratsije. Të prirur nga Abaz Korçari ata hapën një kanal të nëndheshëm në fshehtësi dhe hartuan planin e arratisjes. Pasi kanë bërë gati kanalin, kanë dalë, por në dalje e sipër i ka dikutuar roja dhe ka qëlluar me breshëri automatiku. Njëri prej të arratisurëvë është vra. Pas kësaj ngjarjeje në kamp ka shkuar vetë Mehmet Sheu dhe u ka mbajtë një fjalim të ashpër, duke i cilësuar armiq, të poshtër e fundrina të shoqërisë. Pas kësaj ngjarjeje kanë shtuar masat e sigurisë.Vuajtjet ishin të pafundme.Kur është liruar nga burgu, Mustafa e ndjeu veten të shkatërruar e tepër të lodhur.

Mbushet kupa e vuajtjeve, vendosë të arratiset

Në vitin 1957 kishin filluar sërish dënimet dhe internimet masive. Familja Elezi kishte ndërtuar një shtëpi të re me 12 dhoma pas asaj që ia dogjën gjatë luftës. Edhe këtë shtëpi ia kishin marrë komunistët dhe po përgatitej internimi masiv pasi ishin shpallë kulakë, duke u hequr edhe kartat e Frontit.I erdhi në mbrëmje një mik nga Kolgecaj. Mustafa kish qenë në luftë me mikun e tij. Ai e lajmëron se kishin sjellë nga lartë listat e internimeve të reja. Në këto lista ishin të parët emrat e atyre që ishin liruar nga burgjet, ku ishte dhe emri i Mustafës. Falenderoi mikun dhe vendosi që të arratisej. S’kishte rrugë tjetër, ndryshej do t’i duhej të mbyllej në kampin e internimit, ku dera e burgut mbetej përherë e hapur. Ka qenë një ditë e ftohtë dimri. Binte dëborë.Kaloi mesnatë në Morinë, ku u strehua në një familje myftinjësh, që aty në postë të policisë. Të nesërmen e dërguan në Junik, ku dha intervistën. I dhanë strehim politik dhe e transferuan në Prishtinë, ku gjeti shumë nga anët e veta.Më pas e vendosën në Ferizaj. Një jetë e re nisi në Ferizaj. Për dhjetë vjet jetoi mes shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë pjesa e familjes së mbetur në Shqipëri vazhdoi të përballej me dhunën komuniste. Pas ikjes së tij u arrestua vëllai, Jakup Elezi, që ishte në moshën 60 vjeçare.Arrestimi i vëllait erdhi në vitin 1957. Një vit më pas u arrestua Abazi, i cili në moshën e  arrestimit nuk ishte më shumë se 30 vjeç. Gati të gjithë meshkujt e familjes së madhe Elezi provuan ferrin e burgjeve komuniste. Arsyeja ishte se diktatura kishte vendosur që t’ia ulte kryet nacionalizmit shqiptar. Në vitin 1960 dy vëllezërit e Mustafës, Jakupi, që kishte dalë nga burgu, së bashku  me bashkëshorten, Zizën e djalin si dhe Xhemajli me djalin, arratisen duke dalë në Gusi. Ata dolën pas një beteje të ashpër me forcat e kufirit. Kjo ikje në grup e me luftë ishte si reagim dëshprues ndaj burgosjeve dhe internimeve masive të fisit Elezi. Përveç burgosjeve qeveria komuniste mbajti në internim 85 pjestarë të familjes Elezi derisa u shemb sistemi dhe erdhi demokracia. Ndërsa nipi i Mustafës, Riza, u vra dhe mbeti pa varr.

Kur e pyes  Mustafën, pse komunizmi e kishte stërmunduar aq shumë familjen  Jah Elezi, ai përgjigjet me një rrëfimin e një ngjarjeje, që ka ndodhë në Dragobi në vitet e luftës: Ka shkuar atje Fadil Hoxha i shoqëruar me disa serbë dhe ka mbledh popullin dhe u ka folë për vëllazërimin dhe miqësinë pas lufte.Është ngritë i ati Mustafës, Sali Jah Elezi dhe i ka thënë:Fadil Hoxha: Ti je shqiptar dhe je i mirëpritur mes shqiptarësh, por jo me ata që ke me vete. A mund ta harrojmë ne përgjakjen me sllavët në Plave e Guci, në Prizren, Dragobi etj? Mos na i fut sllavët në shtëpi se nuk kanë besë. Ndoshta që atëherë familja e Jah Elezit u fut në rreth të kuq.

Rrugëtimi drejt lirisë

Në Ferizaj Mustafa e rregulloi në një farë mënyre jetën e tij. Aty u martua me një vajzë nga dera e Nezajve nga Malësia e Gjakovës. I lindën tre fëmijë atje, dy djem dhe një vajzë. Mërgimi, Bashkimi dhe Shpresa. Ata ia mbushën jetëm me gëzim, por dhe ia rritën detyrimin për të gjetur një shteg drejt perëndimit. Kjo ishte ëndërra e Mustafës. Jeta në Ferizaj po bëhej përherë e më e vështirë. Shërbimi i fshehtë Jugosllav po shtonte provokimet dhe presionin mbi nacionalistët. Disa nga shqiptarët kishin pranuar që të bëheshin bashkëpunëtorë të UDB, një pjesë rezistonin derisa të gjenin një shteg për të dalë në Evropë.Mustafa thotë se u qëndroi larg ofertave për bashkëpunim. Të bëhej spiun i Beogradit do të ishte një tradhëti për idealet e njerëzve të tij të përgjakur me serbët. Kështu që ai u përpoq që të gjente një mënyrë shpëtimi për t’iu larguar së keqes.

Qëllimi i Mustafë Elezit ishte emigrimi në SHBA. Mes shqiptarësh kishte filluar qarkullimi i pasaportave, me të cilat mund të kaloje deri në Trieste e më pas nuk hynin në punë. I  siguruan pasaportat me anë të Nderim Kupit dhe Abedin Mulosmanit. U larguan nga ish Jugosllavia në gusht të vitit 1967. Kaluan nga Ferizaj në Beograd, që andej në Triestë. Familja përbëhej prej pesë vetëve; Mustafa me bashkëshorten dhe tre fëmijët si dhe familja e Muharrem Elezit prej tre vetash. Askënd nuk njihnin në Beograd. Dikush u kishte rekomanduar Dom Preng Ndërvashaj.Telefonin e tij ua kishte dhënë  Abedin Mulosmanaj.I telefonoi Preng Ndervashës dhe i kërkoi ndihmë. I tha se ishin tetë vetë në Beograd dhe donin të kalonin në Itali, por nuk dinin se si dhe ku të shkonin.Askush nuk i priste.

Ai udhëzon që sapo të arrinin në Trieste t’i hidhnin pasaportat dhe të merrnin taksi e të paraqiteshin në kampin e emigrantëve në Trieste. Atje, u kishte thënë dom Ndërvasahj, do t’i priste nipi i tij. Ashtu vepruan. Morën trenin dhe u nisën. Sapo kanë mbërritur në Triestë kanë marrë taksinë dhe janë paraqitur në kampin e emigrantëve. I priti i nipi i Preng Ndërvashës. Interpoli i mori në intervistë. Që aty i dërguan në Latina, ku qëndruan gjashtë muaj. Më pas i mori ambasada amerikane dhe i intervistoi. Edhe sot në kujtesën e Mustafë Elezit ka mbetur sjellja shumë e ngrohtë e personelit amerikan.Mirëpo dikush e bllokoi familjen Elezi në çastet e fundit. Ishte një urdhër i Ministrisë së Brendshme që s’dihet se në ç’rrethana u gatua. Më pas i vendosën në San Piage. Atje jeta ishte e vështirë. Mustafa së bashku me Hasan Isufin dhe Halil Hamzën, shkuan në Vatikan për të kërkuar ndihmë. Atje takuan Preng Ndërvashaj.Shkon dhe Gjon Markaj dhe pasi bisedon me ta bën një raport për në Ministrinë e Brendshme Italiane.Pas gjashtë muajësh Italia ua hapi dritën jeshile drejt Amerikës. Nuk e harron atë ditë Mustafë Elezi. Ka qenë 24 shkurt 1968. Edhe pse qe ditë e ftohtë dimri, Mustafa thotë se ai dhe e gjithë familja, fëmijët më shumë, ndjenin ngazëllimin e një pranvere në shpirt.

Fillimi i vështirë në SHBA

Me ndihmën e mikut Uk Qerimi,  u vendos në Bronx të Nju Jork-ut, në një apartament, që u kish zënë ai me rentë. Ëndërra për të ardhë në Amerikë e kishte munduar tërë jetën Mustafë Elezin, por kur u vendos aty e pa se në jetë nuk ishte si ëndërr. Mosditja e gjuhës angleze i shumëfishonte vështirësitë. Italishtja dhe ajo pak frëngjishte që dinte nuk i hynin në punë. E kujton fillimin e vështirë, ku në një bllok të vogël shënonte emrat e rrugëve që të mos humbte dhe kërkimet e pasuksesshme për të gjetur një punë për të mbajtë familjen e për të paguar rentën. Kaluan shtatë muaj pa punë dhe vetja po i  rëndohej çdo ditë e më tepër. Në ndihmë i ka ardhë miqësia dhe shoqëria, që i kanë dhuruar ndihma për  të jetuar e për të paguar rentën.Pas shtatë muajësh ka qenë Imam Isa Hoxha, që Mustafën dhe shumë të tjerë nga Malësia e Gjakovës i ka  sistemuar në pastrime në Manhattan në 14 rrugë, në avenunë e parë. Mustafa u ndje mirë aty nga që i hyri në punë italishtja. Pronari ishte Italian dhe kuptoheshin shumë mirë me njëri-tjetrin.Ai kujton se ndihmoi edhe shqiptarë të tjerë si Xhaferr Elezin, Sali Nezën e shumë të sapoardhur, që më vonë krijuan bizneset e tyre e u bënë me emër në Amerikë. Më pas, Mustafa, nisi një punë tjetër, duke larë dritaret. Iu desh kohë derisa të stabilizohej si portier  në Muzeun Metropolitan në Avenunë e Pestë në Manhatan. Aty punoi derisa doli në pension.

Nga çështja kombëtare s’hoqi dorë. Mustafa u anëtarësua që në fillim në Federatën Panshqiptare Vatra. Ia kishte dëgjuar emrin e madh Vatrës dhe mori një grup shokësh dhe trokiti në derën e saj në qershor 1968.Që atëherë nuk u nda nga Vatra duke qenë pjesmarrës i rregullt në veprimtaritë që organizonte federata. Ka qenë edhe aktivist i Xhamisë. Ishte ndër mbështetësit e ndërtimit të Xhamisë në Brooklyn. Ashtu siç çdo popull këtu në Amerikë ka faltoret e veta edhe muslimanët shqiptarë duhej të kishin faltoret e  tyre, thotë ai.

Për tetë vjet ka qenë nënkryetar i Këshillit të xhamisë, në kohën kur kryetar ishte Rexhep Kumbarçe, apo më vonë me Abdulla Kaloshin. Në kujtesë ka shumë aksione për mbledhjen e të hollave në ndihmë të xhamisë. Kështu në kohën e Rexhep Kumbarçes ai udhëhoqi një aksion të sukseshëm, ku u mblodhën rreth 90 mijë dollarë, një shumë e madhe për atë kohë. Ka qenë dhe sekretar i xhamisë. Përpara se të ndërtohej xhamija, Mustafë Elezi ishte pjesë e komisionit ndërfetar të shqiptarëve, në kohën kur Imam Isa Hoxha bashkëpunonte ngushtësisht me Monsinjor  Zef Oroshin dhe Kishën Orthodokse të Bostonit.

Në kujtesë ka ditën e  inaugurimit të Qendërs Islame Shqiptare në Bruklin, kur kishin ardhë për t’u gëzuar me ta shumë shqiptarë nga shtetet e Amerikës, madje edhe nga Kanadaja. Në gëzimin e tyre ishte bërë pjesë edhe “Zëri i Amerikës”. Mustafa ka mbajtë fjalimin atë ditë dhe është duartrokitë e përgëzur për fjalët atdhetare, që tha aty.

Së bashku me Abdulla Kaloshin ai ishte përkrahës dhe pjesmarrës në të gjitha demonstratat e komunitetit shqiptar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe atyre kundër komunizmit në Shqipëri. Në demonstrata, kujton ai, nuk mungonte asnjëherë  Imam Isa Hoxha.Ai kujton se 3 mijë shqiptarë kanë demonstruar në Washington.Mustafa ka qenë përherë i dashuruar pas fjalës shqipes. Ai ka shkruar në vazhdimësi poezi për ngjarje historike dhe ato ngjarje që ka përjetuar vetë dhe që i kanë lënë gjurmë në shpirt. Për shumë kohë ka qenë dhe një nga drejtuesit e revistës ”Pëprjekja jonë”, duke qenë nënkryetar i Këshillit Botues. Ishte jo vetëm fetare revista, por edhe letrare. Mustafë Elezi, nuk është  kursyer për çështjen kombëtare.Ka kontribuar qoftë për Vatrën, qoftë për xhaminë dhe në të gjitha veprimtaritë, ku ka marrë pjesë. Mustafa së bashku me Ahmet Rexhepin dhe Hasan Gashin ka hapur shkollën shqipe, të cilën e mbajtën për dy vjet në Nju Jork. Ka qenë edhe anëtar i këshillit të Vatrës deri në vitin 2002.

Krenaria për sukseset e  fëmijëve

Familja Elezi, siç respektonte kodin tradicional të besës e të traditës, po ashtu shkollonte gjeneratën e  re. Vetë Mustafa kishte marrë arsim të rregullt të kohës, kishte studiuar për finance në Ferizaj. Vëllai, Jaho, që u pushkatua në Pejë, ka pasë mbaruar gjimnazin në Shkodër, një vëlla tjetër ka pasë studiuar në Medrese në Tiranë; edhe një kushëri i tij, Hysni Hoxha ka qenë një ndër nxënësit e shkëlqyer të Medreses në Tiranë dhe është përzgjedhur si ndër më të mirë për të vazhduar studimet e larta të Kajro. U diplomua shkëlqyshëm për Teologji dhe filozofi. U bë një ndër profesorët e Universitetit qendror të Arabisë Saudite, ku dha mësim deri në vitin 1972. Kur erdhi në SHBA dhe u bë pjesë e demonstratave dhe u thoshte shqiptarëve; në vend të përshëndetjes ”tungajtjeta”, përshëndetuni me njëri-tjetrin me fjalën ”Kosova”. Mustafë Elezi ndjehet i gëzuar sepse investimi më i madh i tij ka qenë në shkollimin fëmijëve. Të tre fëmijët e lindur në Ferizaj dhe dy të lindur në SHBA; Sanija dhe Nderimi, i janë përkushtuar  arsimimit të plotë dhe kanë arritur suksese në jetë. Mërgimi, djali i madh, pasi përfundoi shkëlqyshëm shkollën e mesme, studio në Peas University, Bashkimi i ka kryer studimet universitare në Iona College në New Roshell.Të dy djemtë kanë arritur rezultate të shkëlqyera në studimet universitare. Mërgimi punoi shumë kohë si anlalist në Golden Sections, tani është Chif  Ekzecutiv for Information në City Group. Ndërsa Bashkimi ka punuar menaxher në një kompani ndërtesash në Manhattan, ndërsa tani vazhdon që të merret me Realy State.Ai ka kompaninë e vet. Vajza e madhe, Shpresa, e lindur në Ferizaj, edhe pse kishte përfunduar shkollën e mesme shkëlqyshëm, sipas traditës u martua për t’iu përkushtuar familjes, por nuk iu nda shkollës së lartë derisa përfundoi studimet në Adelphi University.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Mustafe Elezi, nga Dragobia ne ShBA, një jetë mes dy botëve

Haradinaj në Uashington: Kosova mirëpret investimet amerikane

September 29, 2018 by dgreca

1 Haradinaj

“Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane është dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë për fuqizimin e partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,  tha kryeministri Haradinaj në një takim pune me përfaqësuesit e organizatës “The Heritage Founndation”, të kryesuar nga James Carafano, zëvendës president dhe udhëheqës i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme/

UASHINGTON, 28 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ “Kosova mirëpret investimet amerikane”, ëshë shprehur kryeministri Ramush Haradinaj në Uashington, ku ka folur edhe për vendimin e 26 qershorit 2018 të qeverisë kosovare për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një hapësirë mbi 500 hektarë në rajonin e Gjakovës, qytetit jugperëndimor afër kufirit me Shqipërinë.

“Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane është dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë për fuqizimin e partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jemi duke punuar për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për të bërit biznes”,  tha kryeministri Haradinaj në një takim pune me përfaqësuesit e organizatës “The Heritage Founndation”, të kryesuar nga James Carafano, zëvendës president dhe udhëheqës i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme.Kryeministri Haradinaj informoi Carafano-n për progresin që ka arritur Kosova gjatë qeverisjes së tij, veçanërisht në zhvillimin ekonomik, duke thënë se qeveria ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reforma fiskale, të cilat krijojnë lehtësira për zhvillimin e biznesit, në të njëjtën kohë ndikojnë në krijimin e një ambienti më të sigurt për investime të huaja direkte dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Duke theksuar orientimin euroatlantik të Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes shtimit të numrit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare me synim BE-në, NATO-n dhe OKB-në.Kryeministri Haradinaj njoftoi për përmbushjen e reformave të gjithanshme, si parakusht për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Zonës Shengen, e cila do t’i hapte mundësi të reja studentëve, bizneseve, por edhe shoqërisë në përgjithësi.“Qeveria është e përkushtuar për stabilitet politik dhe institucional, përmes forcimit të rendit dhe ligjit, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se zhvillimi ekonomik është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin demokratik të vendit.

James Carafano, përfaqësues i organizatës “The Heritage Founndation” dhe  zëvendës president dhe udhëheqës i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, vlerësoi të arriturat e Kosovës  në të gjitha fushat dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të institucionit që udhëheq për institucionet e Republikës së Kosovës./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kryeminsitri Haradinaj, Washington

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT