• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin

December 13, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, që të mbyllim kapitullin e luftës dhe të hapin atë të paqes për gjeneratat që do të vijnë. Në thelb të punës së Komisionit do të jenë viktimat e luftës, njohja e vuajtjes së tyre/

1 Komisioni Thaci

 PRISHTINË, 13 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka themeluar Ekipin Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Këtë ekip të prezantuar sot, presidenti Thaçi e ka cilësuar si hap të parë konkret drejt konkretizimit të kësaj iniciative të rëndësishme për shoqërinë dhe të ardhmen tonë.“Ndër iniciativat e para që kam ndërmarr si President i Republikës së Kosovës, ka qenë edhe iniciativa për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. E kuptoj qartë se është një iniciativë që ka zgjuar reagime të shumta. I kemi pritur këto. Por, nuk e kemi pritur që kjo iniciativë do të marrë aq shumë përkrahje nga pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe institucioneve kosovare. Kjo na ka inkurajuar, por edhe na ka obliguar që të lëvizim me hapa të kujdesshëm dhe të sigurt”, ka thënë ai.

 Presidenti Thaçi është shprehur se ndonëse kanë kaluar gati dy dekada që nga përfundimi i luftës dhe më nuk shihen nëpër rrugë gjurmët e konfliktit, megjithatë ende kanë mbetur plagë në zemrat e viktimave.“Këto shpesh bëhen pengesë për të ardhmen e vendit tonë, prandaj kam iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që të mbyllim kapitullin e luftës dhe të hapin atë të paqes për gjeneratat që do të vijnë. Në thelb të punës së Komisionit do të jenë viktimat e luftës, njohja e vuajtjes së tyre”, ka thënë ai.Kreu i shtetit i ka falënderuar veçanërisht përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të të pagjeturve.“Me punën e tyre, me bashkëpunimin në mes tyre, me përkushtimin që të mos lejojnë që të përsëriten më dhimbjet e luftës, ata janë bërë inspirim për të gjithë ne. Inspirim janë edhe të gjitha viktimat që kanë gjetur forcë që të tregojnë për vuajtjet e tyre, por edhe të shikojnë përtej dhimbjes së tyre, drejt të ardhmes. Ajo që synojmë me Komisionin është të ndërtojmë një narrativ të unifikuar për të kaluarën tonë. Të pajtohemi për të kaluarën, e jo të luftojmë për të kaluarën.Kështu do të pajtohemi edhe për të ardhmen”, ka thënë presidenti Thaçi.

 Duke falënderuar pjesëtarët e Ekipit Përgatitor që kanë shprehur gatishmërinë të jenë pjesë e kësaj iniciative fisnike, serioze dhe jo të lehtë, presidenti ka thënë se mirëpret angazhimin dhe rezultatet e punës së tyre.Ekipi Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin do të përbëhet nga 9 anëtarë, ku 2 përfaqësues do të jenë nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe 5 anëtarë nga shoqëria civile. Ky ekip do të përkrahet edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, që do të angazhohen nga OSBE-ja, Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Detyrë e Ekipit Përgatitor është që brenda një viti të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, që pritet ta themelojë presidenti Thaçi.

DEKLARATË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS RAMUSH HARADINAJ: PAJTIMI ËSHTË VLERA MË E LARTË NJERËZORE

 Ideja dhe vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për themelimin e Ekipit Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin është hapi i parë drejt zbardhjes të së vërtetës, që është po ashtu një hap përpara drejt pajtimit që mundëson të ecim përpara, për hir të brezave të tashëm dhe të ardhshëm.Së këndejmi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e mbështetë pa hezitim themelimin e një institucioni të tillë, i cili do të shquajë sensin e drejtësisë për viktimat dhe njëherësh të vlejë si udhëzues se si të mbrohet shoqëria nga mbjellja e urrejtjes që shpie rëndom në konflikte të hapura dhe fatkeqe për jetët e shumë njerëzve të pafajshëm.
Pajtimi është vlera më e lartë njerëzore dhe virtyt i të gjithë atyre që plagët nuk i kanë mbyllur përgjithmonë.Sado i vështirë dhe i rëndë, pajtimi është hapi i duhur përpara që i hapë rrugën të tashmes për ta ndryshuar të nesërmen.

Më këtë rast kryeministri Haradinaj zotohet se do ta ndihmojë Komisionin që do të themelohet nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, me të gjitha kapacitetet qeverisëse./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Komisioni i pajtimit, Kryeministri Haradinaj, Presidenti Thaçi

AMERIKA, DONATORE E MADHE E KOSOVËS

December 11, 2017 by dgreca

-Donatorët më të mëdhenjë  të Kosovës: BE, SHBA, Zvicra e Gjermania. Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë mori pjesë edhe Greg Delawie – Ambasador i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë/

1 ambasad amerik Greg Delawer11 12 2017-ZKM (4)11 12 2017-ZKM (2)

-Ambasadori i SHBA në  Kosovë, Greg Delawie: Jemi këtu për të ndihmuar dhe përkrahur/

 PRISHTINË, 11 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Donatorët më të mëdhenjë të Kosovës janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra, Gjermania, si dhe vende tjera. Kjo u bë e ditur sot në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, në të cilin u prezantua Raporti mbi aktivitetet e donatorëve në Kosovë gjatë vitit 2016.Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,  shprehu falënderimin për kontributin, përkrahjen, ndihmën dhe donacionet e dobishme që kanë dhënë qeveritë dhe donatorët e ndryshëm të vendeve mike të Kosovës.“Këto ndihma për Kosovën dhe popullin e saj, kanë ardhur në kohë të vështira dhe për këtë arsye janë të rëndësishme dhe të veçanta. Fal një përkrahje gjeneroze që ka ardhur në vazhdimësi, nga viti në vit, Kosova nuk është ndjerë e lënë vetëm”, u shpreh Kryeministri kosovar.

 Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, duke prezantuar Raportin Vjetor për Koordinimin e Donacioneve për vitin 2016 tha se janë alokuar 164 milionë euro donacione, në formë të asistencës.“Shumat e dedikuara sipas fushave janë: Qeverisja dhe shoqëria civile me mbi 57 milionë euro, Arsimi me 17.6 milionë, Përmirësimi i menaxhimit të ujërave dhe ujërave të zeza me 14 milionë, Investimet në përmirësimin e infrastrukturës 10 milionë, Mbështetje bizneseve 9.5 milionë”, theksoi ajo.Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë morën pjesë edhe Natalya Apostolova – Përfaqësuese e Posaçme e BE/Shefe e zyrës së BE-së në Kosovë  dhe Greg Delawie – Ambasador i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, donatorë si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kosovare.Gjatë takimit, ministrat gjegjës të qeverisë së Kosovës paraqiten prioritetet në fushën e Sundimit të Ligjit, Edukimin, Shëndetësisë si dhe Ndërmarrësisë e Inovacionit.

 FJALA E AMBASADORITIT TË SHBA NË  KOSOVË, GREG DELAWIE, NË TAKIMIN E FORUMIT TË LARTË PËR DONATORË NË SEKTORËT E SUNDIMIT TË LIGJIT DHE ARSIMIT, 11 DHJETOR 2017

Mirëmëngjesi. Kryeministër Haradinaj, ambasadore Apostolova, ministra, kolegë nga trupa diplomatike dhe donatorë. Nëse shohim përreth kësaj salle është e qartë që Kosova ka shumë miq dhe partnerë që punojnë për të ndryshuar gjërat këtu. Partneriteti i SHBA-së me Kosovën mbetet i fortë dhe bashkëpunimi i donatorëve me qeverinë është po ashtu i rëndësishëm. Javën e shkuar pamë një shembull të shkëlqyeshëm të këtij bashkëpunimi me kontributet e reja të Suedisë dhe Gjermanisë për Fondin kosovar për garanci kreditore.

Kjo është kohë kritike për Kosovën dhe rreziqet e përfitimet e ndërlidhura kurrë nuk kanë qenë më të larta. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe përkrahur qeverinë tuaj, por në fund të fundit, ky është vendi juaj dhe agjenda juaj. Bashkërenditja e njëmendtë dhe efektive e donatorëve është rrugë dykahëshe dhe kjo veçanërisht është e rëndësishme në Kosovë ku e kemi një hapësirë kaq të ngjeshur të zhvillimit.

Për këtë arsye, ky takim është kaq i rëndësishëm. E dimë se ka shumë prioritete për zhvillim në Kosovë, por sot do të përqendrohem në dy: sundimin e ligjit dhe arsimin.

Së pari do të flas për sundimin e ligjit dhe ju faleminderit të gjithëve që morët pjesë në veprimtaritë në kuadër të Javës kundër korrupsionit dhe për diskutimin e mirëfilltë të premten. Lufta kundër korrupsionit nuk përfundon vetëm sepse java ka përfunduar dhe çdo prioritet që do ta përmendi këtu varet nga ajo luftë. Nuk guxojmë ta humbasim përqendrimin. Jemi këtu që të kërkojmë llogari nga vetvetja dhe të tjerët për zotimet që i dhamë javën e kaluar.

Sa i përket prioriteteve të menjëhershme për sundimin e ligjit: së pari, e dimë se duhet të merren vendime të vështira për hapat e ardhshëm për reformën e ligjeve komerciale dhe të analizës së organeve kundër korrupsionit. Ju nxisim ta nisni rishikimin e sektorit të drejtësisë dhe t’i merrni vendimet për reforma sa më shpejt që është e mundur. Kjo nuk do të thotë që t’i ndërpresim përpjekjet që janë në vazhdim e sipër, por rishikimi duhet t’ju ndihmojë për t’i përkufizuar prioritetet më të larta dhe të përqendroheni se si do ta arrini cakun. Ne dhe donatorët e tjerë mund t’ju ofrojmë mbështetje, por ky proces duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës.

Së dyti, duhet ta adresojmë çështjen e agjendës legjislative. Kolegia ime i ceku disa ligje kryesore për agjendën për reformë evropiane. I mbështes të gjitha, por më lejoni ta theksoj sërish një veprim që besoj se është jashtëzakonisht i rëndësishëm: ka ardhur koha të miratohet Ligji i përditësuar për Prokurorin Disiplinor. Ky do të jetë hap thelbësor për të forcuar kontrollin e pushtetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Të sigurohemi që personeli i sektorit gjyqësor i përmbahet standardeve më të larta të disiplinës dhe llogaridhënies sepse ky aspekt është themelor në luftimin e korrupsionit, të përfundimit të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe për ndërtimin e besimit të publikut në këto institucione. Sinqerisht, është vështirë të flitet për mundësitë për rritje ekonomike pa përparim të qartë të reformës për sundimin e ligjit.

Në fund, duhet të qëndrojmë të fokusuar në integrimin e gjyqësorit në veri të Kosovës. Kemi arritur diçka të jashtëzakonshme, por tash fillon puna e njëmendtë që gjykatat në veri të jenë plotësisht operacionale në 2018-tën. Kjo nënkupton përkthimin dhe harmonizimin e ligjeve në gjuhët shqipe dhe serbe, bartjen përkatëse të lëndëve, trajnimin e duhur të stafit dhe integrimin e vendimeve në strukturën ligjore të Kosovës.

Ngjashëm, Kosova duhet të ndërmarrë reformat në sektorin e arsimit tani për t’iu ndihmuar të rinjve ta marrin vendin e tyre të duhur në ekonominë e Kosovës.

E para dhe më e rëndësishmja, ka nevojë thelbësore për depolitizimin e punësimit të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave dhe drejtorëve të drejtorive komunale për arsim. Para së gjithash duhet të merren parasysh meritat kur kemi të bëjmë me punësimin e të gjithëve që janë përgjegjës për arsimimin e rinisë kosovare. Çkado më pak se kaq i dëmton këta të rinj dhe do të vazhdojë ta rrezikojë të ardhmen e Kosovës.

Po ashtu, duhet të vazhdojnë reformat në arsimin e lartë për të siguruar që të diplomuarit i fitojnë shkathtësitë dhe njohuritë që kërkohen nga tregu i tashëm dhe i ardhshëm i punës. Reformat brenda sistemit universitar publik – në të cilat kemi investuar aq shumë të gjithë ne – duhet të shihen përmes përfundimit dhe të udhëhiqen nga vetë qeveria juaj.

Kjo nënkupton zbatimin e strategjisë së Kosovës për arsim dhe përfundimin e rishikimit tashmë të vonuar të Ligjit për arsimin e lartë. Me këtë do të përmirësohet integriteti akademik, cilësia dhe gjithëpërfshirja e arsimit të lartë në Kosovë dhe sistemi do të fillojë të radhitet në linjë me standardet ndërkombëtare.

Kam folur me qindra të diplomuar përmes programeve të studimeve master në SHBA dhe të gjithë ishin sfiduar nga rreptësia e universiteteve amerikane. Të rinjtë kosovarë janë po aq të zgjuar sa të rinjtë e çdo vendi tjetër dhe ata duhet të përgatiten në mënyrë të duhur, gjë që nuk po ndodh tani.

Duhet, po ashtu, të shohim zbatimin e plotë të Ligjit për arsimin parauniversitar për mbështetjen e reformave gjithëpërfshirëse në atë nivel. Mënjanimi i akraballëkut dhe paqartësisë nga praktikat për punësim dhe këmbëngulja në standarde rigoroze të mësimdhënies janë thelbësore.

Si për sundimin e ligjit, ashtu edhe arsimin, mbajtja e forumeve të nivelit të lartë si kjo janë të rëndësishme, por të gjithë e dimë se ekipet tona tashmë po vënë në zbatim këtë punë çdo ditë dhe ata duhet të mbajnë takime të rregullta pune për të qenë efikasë. E kuptoj se mbajtja e takimeve në vetvete nuk është zgjidhje, por nëse ekipet tona nuk takohen rregullisht që pastaj të na raportojnë për përparimin dhe pengesat, as ne nuk do të mund ta kryejmë punën.

Prioritetet që i ceka nuk janë asgjë më pak se çka meriton populli i Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare luan rolin e saj duke sygjeruar zgjidhje dhe duke shtyrë përpara për ndryshim, por ky është vendi juaj. Si gjithmonë, jemi krenarë që bashkëpunojmë me ju dhe shpresojmë të shohim gjithë atë punë të mirë që do të bëhet në të ardhmen. E dimë çka duhet të bëjmë, prandaj le ta bëjmë atë!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: amerika, Behlul Jashari, DONATORE, E MADHE E KOSOVËS

LE PETIT PARISIEN 1925-LUFTA PËR NAFTËN SHQIPTARE

December 9, 2017 by dgreca

LE PETIT PARISIEN (1925) : LUFTA PËR NAFTËN SHQIPTARE MES SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, BRITANISË DHE ITALISË/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Dhjetor 2017/

1 Nafta

Gazeta franceze, “Le Petit Parisien”, ka botuar, të martën e 17 shkurtit 1925, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me interesat që ngjallte asokohe nafta shqiptare tek amerikanët, britanikët dhe italianët.

Dukej se britanikët ishin më të avancuar pranë qeverisë shqiptare mbi këtë çështje. Por amerikanët nuk kanë hezituar të reagojnë, sigurisht për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike. Reagimi amerikan ka nxitur edhe qeverinë italiane.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Londër, 16 shkurt (Dep. Petit Paris.)

Njoftohet në Washington nëpërmjet Exchange Telegraph-it se qeveria e amerikane i ka dërguar qeverisë shqiptare një shkresë proteste kundër projektit të dhënies së monopolit të një konçesioni nafte,  nën kujdesin e Anglo Persian Oil Company, qeverisë britanike.

  1. Sinclair dhe Standard Oil Company pretendojnë se konçesioni në fjalë do t’i sigurojë Anglisë një monopol virtual në të gjitha fushat e naftës në Shqipëri. Shkresa amerikane bazohet në faktin se kur Shtetet e Bashkuara e njohën zyrtarisht Shqipërinë, ata këmbëngulën mbi parimin e “konkurrencës së barabartë” dhe pohon se ky parim u siguron Z. Sinclair dhe Standard Oil Company të drejta të barabarta me ato të Anglo Persian Oil Compan.

Qeveria e Ahmet Zogut thuhet se i konfirmoi Anglo Persian Oil Company një konçesion të marrë nga ajo në 1921. Qeveria italiane ka protestuar në Tiranë duke kërkuar të drejtat prioritare në të njëjtën fushë dhe negociatat mbi këtë çështje janë angazhuar në Romë midis ambasadorit britanik dhe kabinetit.”

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Aurenc Bebja, Le Petit 1925, Lufat per Naften Shqiptare

KUVENDI NUK KA SHUMICËN PËR BUXHETIN E KOSOVËS 2018

December 6, 2017 by dgreca

 2017_12_05_Seanca_4-Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 nuk kalon në lexim të parë, paralajmërohet të votohet edhe një here/

2 Prishtine skenderbe

-Kuvendi mblidhet nesër në një seancë të re me vetëm një pikë në axhendë: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021/

1 Prishtine rugova

-Qeveria e Kosovës drejt 100-ditëshit të parë, mban mbledhjen e 18-të/

 Gazeta-DIELLI-korrespondenti-Behlul-Jashari-ne-Kuvendin-e-Kosoves-9-shtator-2017-2

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/(Ne Foto: Gazetari i Dielli Behlul Jashari ne sallen e Kuvendit te Kosoves)

PRISHTINË, 6 Dhjetor 2017/  Kuvendi i Kosovës në një votim që u paralajmërua të përsëritet nuk arriti të miratoi në parim, në leximin e parë, Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, në vijimin sot në ditën e dytë  të debatit të nisur dje, e që ishte gjithëditor, në seancë plenare.Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, paralajmëroi se Projektligji për Buxhetin do të vihet edhe një herë në votim gjatë kësaj seance, pa saktësuar kur, ndërsa konstatoi se në sallë ishin 88 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh, prej tyre 60 morën pjesë në votim -58 ishin pro, 1 kundër e 1 abstenoi.“Atëhërë, ndërkohë unë do ta vë në votim edhe një herë gjatë kësaj seance”, u shpreh kryeparlamentari Veseli, por më vonë seancën e mbylli pa përsëritje të votimit, që pritet të bëhet në një seancë tjetër.

Reagoi nga opozita kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke u shprehur se u pa se projektligji nuk kaloi dhe maxhoranca nuk i ka votat e fuqinë politike për ta kaluar.“Pas dy dite të diskutimeve për Buxhetin e vitit 2018, ne i kemi dhënë vlerësimet tona, ju sapo e nxjerrët në votim dhe votat nuk i keni, ne mund të votojmë 10 herë, deri në 12 të natës, por votat për ta kaluar projektligjin sot nuk i keni, po shihet fuqia politike që ka kjo qeveri, është mirë që të reflektoni se si të vazhdohet me tutje”, tha Hoti.Projektbuxheti, i cili parasheh të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, nga maxhoranca kishte mbështetje me vlerësim se siguron stabilitet financiar të shtetit, e nga ana e opozitës kishte kritika e paralajmërim votimi kundër pasi, sipas saj, kthen situatën e para vitit 2015 kur ka pasur planifikim të dobët buxhetor.Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018,  qeveria e prezantoi dje në Kuvend pasi e ka miratuar në 31 tetor, me ç’rast kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh me vlerësim se, “Buxheti siguron qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik të Kosovës”.

Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, vlerësoi se “ky Buxhet do të sigurojë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të transfereve sociale dhe rritje te investimeve kapitale”.“Projektligji përcakton Buxhetin dhe me miratimin e tij do të bëhet i detyrueshëm për të gjitha institucionet që përfshihen në këtë Buxhet të Republikës së Kosovës për vitin 2018”, u theksua në mbledhen e qeverisë.

Në mbrëmjen e djeshme, derisa prania e vogël e deputetëve të mbetur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës nuk e bënte kuorumin, me propozimin dhe dakordimin e grupeve parlamentare u vendos që seanca të ndërpritet, për të vijuar sot nga ora 10:00.Në vazhdim sot të seancës, e cila u përmbyll, në shqyrtim të parë ishin dhe kaluan tre projektligje të tjera: për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në një seancë të re plenare me vetëm një pikë në axhendë: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021. Afër tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017, të gjashtave në liri e të tretave në pavarësi, Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh është konstituar në 7 shtator, kur ka zgjedhë kryeparlamentarin me 62 vota dhe Kryesinë.Pas konstituimit, seanca e parë e Kuvendit ishte e jashtëzakonshme në 9 shtator, kur me 61 vota u zgjodh qeveria e re e Kosovës, e cila  nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.Edhe seanca e dytë e Kuvendit pas konstituimimit ishte e jashtëzakonshme, e ftuar sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues, nga opozita, e cila ka nisur në 10 shtator dhe  ka vijuar e përfunduar  në 3 tetor me debate  lidhur me Parimet Programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

 Para vijimit të seancës së Kuvendit, sot në mëngjes nga ora 08:00 qeveria e Republikës së Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e cila shkon drejt 100-ditëshit të parë, mbajti mbledhjen e rregullt, të 18-ën që nga votimi i saj në 9 shtator e marrja e detyrës në 11 shtator, kur edhe ka mbajtur mbledhjen e parë në mbrëmje pasi gjatë ditës u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi, NUK KA SHUMICËN, PËR BUXHETIN E KOSOVËS 2018

Programi im për zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor

December 3, 2017 by dgreca

1 Behgjet PacolliNga Behgjet Pacolli*/

Si një ndërmarrës me kredenciale ndërkombëtare që herët kam qenë i vetëdijshëm, se vetëm zhvillimi ekonomik do të mund të lehtësonte në mënyrën më më të natyrshme konfliktualitetin ndër-etnik të rajonit tonë. Shumëkush sot shtron pyetjen se pse ne jemi paradoksalisht rajoni më i varfër në Evropë? Mbase edhe kanë të drejtë.Sot, në rajonin tonë jetojnë rreth 20 milionë banorë, që kanë një mesatare të ulët të të ardhurave për kokë banori në afro 10 mijë euro në vit. A është kjo gjendja, që ne dhe qytetarët e këtij rajoni duam? Gjithsesi, që jo. Pa ndonjë analizë të thellë të trendëve aktualë dhe parashikueshmërisë së zhvillimeve ekonomike, unë besoj fuqishëm se ky rajon ofron mundësi për të jetuar me të ardhura shumëfish më të mëdha se këto që janë tani.

Arsyeja është e thjeshtë dhe logjike: sepse ka shumë burime natyrore, ato të kualifikuara njerëzore dhe afërsi me tregjet e rëndësishme globale. Është thjeshtë në duart tona se si i lidhim tre pikat kryesore: burimet njerëzore e natyrore, kapitalin dhe qasjen në treg. Ju mund të më pyesni edhe për pyetjen, siç disa preferojnë ta quajnë një milionëshe, por unë di vetëm përgjigjen se cila është rruga përpara:Duhet ndryshim. Ndryshim i statuskuosë së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të ndërmarrësisë. Po e nisë me këtë të fundit, për të cilën, në fakt e kisha recetën time qysh herët.Në vitin 2000, themelova Unionin e Ndërmarrësve shqiptarë.Me synimin e njëjtë, gjashtë vite më vonë, kur Kosova ende nuk ishte e pavarur, dhe kur të flitej për nisma rajonale mund të dukej ende utopike dhe herë herë mund edhe të sulmoheshe si pacifist heretik,  unë themelova me ndihmën e njërit nga Think-Tank më me ndikimin në politikë-bërjen amerikane –CSIS, Fondacionin për Zhvillimin Ekonomik të Europës Juglindore, në mënyrë që të kërkoheshin mundësi për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik në mes shteteve të këtij rajoni, krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e zhvillimit dhe rritjen e vetë-dijes së qytetarëtve mbi të drejtat dhe obligimet e tyre.

Bashkëpunimi në Evropën Juglindore vërtetë nuk ka alternativë. Ai, do ta bëjë rajonin më shumë atraktiv për investime të jashtme, përderisa lëvizja e lirë e qytetarëve, ideve, mallërave dhe kapitalit do ta konsolidojë besimin dhe respektin e dy-anshëm përgjatë vendeve të ndara dhe shoqërive të fragmentuara.Disa vite më vonë, respektivisht më 2011, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, shpalla edhe Platformën për krijimin e Unionit Ekonomik Kombëtar.

Këto ishin thjeshtë disa nga përpjekjet e mija si një ndërmarrës para se të vendosja t’i përkushohem politikës dhe me një qëllim të vetëm : për t’i dhënë së pari vendit, por edhe rajonit softuerin për zhvillim e vrullshëm ekonomik.

Për t’i dhënë këtë mundësi botës së biznesit të vendit tonë dhe atij të rajonit. Elitave politike. Shqiptarëve në veçanti, të cilët vetëm fuqizohen nga hapja e kufijve në rajon, sepse ata janë njëri ndër kombet më të mëdha të Ballkanit, megjithëse të ndarë në disa shtete.

Softueri apo nëse dëshironi mund ta quani edhe si kurën time për sëmundjet politike të Ballkanit parashikonte:

  • prishje të statuskuosë në marrëdhëniet ekonomike midis vendeve tona, lojtarëve kryesorë të tij, pra thjeshtë demokratizim të tregut. Kjo, natyrisht që do të sillte lojtarë të rinj brenda hapësirës tonë, por dhe joshjen e atyre nga jashtë;
  • prishje të monopoleve: pozitave dominante të shteteve të caktuara, në veçanti shtetit fqinj — Serbisë dhe kompanive të caktuara në bujqësi, energji dhe fusha tjera;
  • injektim të praktikave më të mira organizative në kompanitë tona;
  • Partneritete Publiko Private;
  • ndryshim të modeleve të zhvillimit, duke liberalizuar ekonomitë tona,
  • duke rritur peshën e shërbimeve,
  • modernizuar industrinë e minierave nëpērmjet menaxhimit modern, akcesit në tregun e kapitaleve;
  • fuqizuar infrastrukturën e të gjitha llojeve;
  • shfrytëzuar më së miri burimet njerëzore dhe natyrore të vendeve të rajonit:
  • duke çliruar energji të reja të subjekteve ekonomike të themeluara nga shqiptarët, por plotësisht të hapura dhe për bashkëpunime ndër-ballkanike.

Unë nga natyra nuk jam politikan konvencional.  Dhe, për këtë po e marrë edhe një shembull: Për mua nuk është as normale e as e logjikshme të mbajmë në këmbë kompani shtetërore jo-funksionale në trafikun ajror, atë hekurudhor, në sektorin e mjekësisë, në arsim dhe fusha respektive.

Ka ardhur koha, që të themelohen holldingje rajonale, në këto sektorë. Dhe, kushti i vetëm për këtë është, që në këto holldingje të ftohen patjetër si aksionerë kompani profesionale dhe me kredenciale të dëshmuara ndërkombëtare, duke përfshirë kompanitë e interesuara amerikane.

Mos ta harrojmë tregun 20 milionësh në këtë pjesë. Rajonin me rëndësi strategjike, ku kalojnë dy korridore të rëndësishme ndërkombëtare transporti, si ai numër 10 dhe numnër 8, që fatkeqësisht deri më tash janë shfrytëzuar më së miri vetëm prej trafiqeve kriminale.

Mendoj se rajoni në përgjithësi dhe Kosova në veçanti mund të marrë financime të mëdha edhe në ndërmarrësi ndër-etnike dhe për këta ka shumë arsye bindëse:

Ne, ndodhemi në mes të Europës, kemi popullsi të reja në moshë, shumë dinamike dhe me shkathtësi në fushën e teknologjive të informacionit.

Për të arritur qëllimin tonë të përbashkët të zhvillimit të vrullshëm ekonomik ne duhet të përdorim forma të reja tërheqjeje të këtyre investimeve. Andaj, unë kam identifikuar si një taktikë të mirë tërheqëse të këtyre investimeve, madje për të rritur bashkëpunimin ndër-etnik, krijimin e Zonave të Lira ekonomike.

Ne, kërkojmë  nga institucionet financiare, atyre të Bashkimit Europian dhe të tjera ta marrin seriozisht këtë rrugë të sprovuar.

Fatkeqësisht, këto ide të miat dhe ide të ngjashme morën kohë, që të nisin të jetësohen.

Helmi i ndarjes ndër-etnike ishte mbjellë thellë.  Duhej njëlloj rigjenerimi i klasës politike të fund-shekullit të 20-të, që të hapeshin rrugë të reja. Bashkimi Europian u ndërgjegjësua vetëm shumë vonë për ndjekjen e një kursi të tillë.

Procesi i Berlinit, nismë kjo rajonale e këtij vitit, e inicuar nga Bashkimi Europian me në krye Gjermaninë, është njëra prej rrugëve të bashkëpunimit ballkanik mes vete dhe me BE-në, që parashikon:

1) zhvillimin e kompanive të vogla dhe të mesme;

2) atë teknologjive të informacionit dhe;

3) parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Le të shpresojmë se Shtetet e Bashkuara do të gjejnë stimujt e duhur për t’u përfshirë në këtë sfidë të madhe zhvillimore. Nëse ata e kishin recetën për ri-ndërtimin e shteteve të ndara dhe shoqërive të fragmentuara të Europës nëpërmjet Planit Marshall, atëherë si mund të mos e kenë recetën e njëjtë edhe për ne.

Unë, nuk besoj kurrë se rajoni ynë, me të gjitha ato mundësi që ofron dhe me një vendodhje strategjike në mes të Europës do të jetë i pafuqishëm për t’u bërë një hapësirë e jetueshme dhe e begatë. Për të gjithë.

Ashtu siç nuk dua të besoj se Bashkimi Europian dhe SHBA-të do të lejojnë, që rajoni ynë të shndërrohet në një vrimë të zezë të trafiqeve ndërkombëtare, të burimit të krimit të organizuar dhe të terrorizmit.

Jam dhe mbetem optimist. Me recetën e zhvillimit ekonomik.

(*Fjalimi i Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm, z. Behgjet Pacolli, në panelin Investing in the Future: Can Entrepreneurs ‘Fix’ the Balkans në Uashington D.C.)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ballkani Programi, Behgjet Pacolli, Zhvillimi ekonomik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • …
  • 229
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Hapet shkolla shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia të Italisë
  • Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago
  • Join us on May 3rd for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair — a full day of Albanian pride, culture, food, music, and family fun!
  • Pse Josip Broz Tito nuk i dha Kosovës statusin e Republikës, por vetëm autonomi?
  • Kryeministrit i dhimset vila e Enverit dhe jo 6000 të zhdukurit e diktatorit!
  • NEXHMIJE ZAIMI: JETA, IDENTITETI SI REBELIM, DËSHMI DHE PËRFAQËSIM
  • Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Gjykata e Strasburgut regjistron padi kundër Serbisë
  • KUVENDI I LEZHËS, MODEL I RACIONALITETIT POLITIK PËRBALLË RREZIKUT EKZISTENCIAL 
  • When Washington Moves, Prishtina Stands Firm
  • TË GJITHË ATA QË PËRDORIN SHPATËN DO TË VDESIN PREJ SHPATËS (KRISHTI)
  • NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET
  • Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada
  • LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI
  • Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan
  • Kur harrojmë historinë dhe rrënjët tona, rrezikojmë të humbasim vetveten

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT