• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hahn: “Një miliardë euro për Ballkanin Perëndimor”

July 12, 2017 by dgreca

Qëllimi i investimeve në Ballkan është ndërlidhja më e mirë e përgatitja e këtyre vendeve për anëtarësim në BE, pohon në intervistë ekskluzive për DW-n, komisioneri Johannes Hahn. Ai flet edhe për projekte konkrete.1 HahnNga Adelheid Feilcke/

Deutsche Welle: Zoti Hahn, a ka impulse të reja dhe pritje pozitive për samitin në Trieste? Muajt e fundit në raportet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE ka pasur vështirësi të shumta.

Johannes Hahn: Unë mendoj se samiti në Trieste është përgatitur në mënyrë të mrekullueshme nga nikoqirët italianë. Ne jemi përpjekur që në këtë samit të kemi sa më shumë rezultate konkrete. Për shembull, kemi përgatitur për nënshkrim një marrëveshje për transportin. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet  e BE – që forcon edhe raportet ekonomike dhe i jep impulse të reja rajonit. Ne do të miratojmë një radhë projektesh në fushën e transportit, respektivisht energjisë, në vlerë prej rreth 200 milionë euro, që në fund mund të rezultojnë me investime në vlerë prej rreth 540 milionë eurosh. Këtu është shumë me rëndësi që të krijohet edhe baza për rritjen ekonomike në rajon dhe për një tregti ndër-rajonale, ku ka shumë potencial. Ne mendojmë se në vitet e ardhshme në këtë rajon do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune.

Këto janë lajme të mira, po ku ka më së shumti pengesa?

Po, si gjithmonë në rajon, më së shumti ka probleme me afatet kohore për zbatim. Ka shumë premtime, shumë pëlqime, por zbatimi i marrëveshjeve është më i ngadalshëm. Këtu kërkohet më shumë angazhim. Por kjo është gjendja në rajon dhe me këtë jemi mësuar. Tek e fundit, qëllimi është që 20 milionë banorëve të atjeshëm t’u hapet një perspektivë, të sigurohet stabiliteti, dhe nëse doni – të garantohet paqa në rajon.

Stabilitet, siguri, prosperitet ekonomik – të gjitha këto i përmendët, por jo edhe demokracinë. Shumë shpesh thuhet se me projektet e BE-së po forcohen tepër strukturat autokratike në rajon. Cilat janë argumentet tuaja kundër këtyre pohimeve?

Kur flas për stabilitetin, natyrisht që kjo nënkupton edhe forcimin e demokracisë. Nëse njerëzit nuk mund të shprehin mendimin e tyre të lirë, nëse nuk janë të lirë në veprim, atëherë nuk mund t’i gëzojnë këto vlera, të cilat Evropën e bëjnë kaq unike. Ky është edhe shkaku pse Evropa është kaq atraktive edhe për vendet e Ballkanit, të cilat duan që një ditë të anëtarësohen në BE. Zhvillimi ekonomik është i mundur vetëm nëse funksionon shteti juridik. Kjo sepse askush nuk do të investojë para në rajon, as investitorët e rajonit as ata nga vendet e BE, nëse p.sh. nuk funksionojnë si duhet organet juridike.

Në samitin e sotëm do të prezantohen projekte konkrete. Cilat?

Ne kemi përgatitur konkretisht gjashtë projekte për trafikun, si në fushën e rrugëve ashtu edhe hekurudhave. Projekti hekurudhor i njohur si “Korridor 8”, që ndërlidh Lindjen me Perëndimin, nga Bullgaria deri në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Më pas ajo mund të vazhdojë edhe për Shqipëri. Ne kemi parasysh edhe rrugët ujore mes Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për ndërtimin e porteve. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Apo dhe projekte të ndryshme për ndërtimin e rrugëve, si për shembull mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Këto janë investime vendimtare, por që duhet të realizohen. Në fushën e transportit do të japim në dispozicion rreth 145 milionë euro, që mund të shkaktojnë investime të përgjithshme deri në 450 milionë euro. Një projekt tjetër në fushën e energjisë është “Interconnector”, një linjë e përçimit të gazit mes Serbisë dhe Bullgarisë. Një investim prej rreth 50 milionë eurosh.

Zhvillimi ekonomik, marrëveshjet për transport – të gjitha këto tingëllojnë gati si anakronike nëse shikojmë konfliktet e hapura në raportet mes vendeve të këtij rajoni. Si do t’i zgjidhni këto probleme të mëdha?

Ky është në fakt edhe sharmi i këtij procesi, sepse ne themi: ne duam t’i bashkojmë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Ne konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona që këto vende, të cilat janë të rrethuara nga anëtaret e BE-së, t’i fusim në infrastrukturën e BE-së në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së. Në këtë mënyrë krijohet edhe baza për zgjidhjen e njërit apo tjetrit konflikt, apo të paktën që të zhvillojmë një perspektivë, e cila mund të funksionojë në të ardhmen.

Cilët janë hapat që duhen ndërmarrë pas samitit?

Marrëveshjet duhet të zbatohen. Unë këtë vit kam marrë pjesë në fillimin e dy projekteve për ura, në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci, por edhe në Serbi. Edhe në sektorin e energjisë kemi financuar disa projekte, që duhet të ndërlidhin Malin e Zi me Italinë por edhe Malin e Zi – përmes vendeve të Ballkanit – me Rumaninë. Këtu në Trieste do të ndodh diçka shumë konkrete: bëhet fjalë për ndihmën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në kuadër të samitit do të nënshkruhet një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u ndahen si kredi rreth 6000 sipërmarrjeve. Pra kemi të bëjmë me projekte shumë konkrete që duhet të ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Ne me siguri që do të përgatisim projekte konkrete edhe për samitin e ardhshëm. Sepse deri në fund të kësaj dekade duam të ndajmë rreth një miliardë euro, për të arritur diçka në këtë rajon…

…që këto vende të futen në BE?

…që këto vende të përgatiten për një kalim sa më të lehtë deri në BE.

Johannes Hahn është prej vitit 2014 komisioner i BE për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerimin.

 

Intervistën zhvilloi Adelheid Feilcke

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ballkanin Perëndimor, Hahn: "Një miliardë euro për

NË LLIXHAT E ELBASANIT, ATY KU NATYRA BËN MREKULLI

July 7, 2017 by dgreca

1 Pellumb Guri

NGA PËLLUMB  GORICA/

Për Llixhat e Elbasanit gjithnjë kam qënë kurioz, sepse ky emër më ngjallte dëshirën për të vizituar vende të tilla. Vonë jam takuar me këtë vend. Shkak u bë një shqetësimi im shëndetsor. Them vonë, pasi vrulli i jetës me punë, udhëtimet, pasionet dhe shqetësimet shëndetësore më kanë shoqëruar, si gjithnjë ne shqiptarët, që i shoqërojmë me moskokëçarje gjëra të tilla. E vlerësoj të rëndësishme se duhet kujdesje për shëndetin e nuk duhet të anashkalohen sinjalet që i jep organizmit të njeriut edhe një ndërlikim i lehtë. Ka shumë mjekime të ndryshme dhe krahas spitaleve e qëndrave shëndetësore, dukuritë e natyrës, të sigurojnë kurime të tilla, që zëvëndësojnë mjekët dhe ilaçet.Ujërat termale janë bërë prej shekujsh pjesë e terapive kuruese. Ndaj, që të mos braktisen këto bekime të natyrës, udhëtojnë jo pak njerëz drejt tyre, edhe pse ndonjëherë larg.

3 Llixhat4 Llixhat2 LLixha1 Llixha

****

I kemi rënë anash Elbasanit, ku udha gjarpëruese të orienton drejt Jugut. Mes poteresh dhe lëvizjesh, ecim një copë herë të mirë. Pamje të konturuara me drurë frutorë që vrapojnë e fshihen pas nesh dhe vendbanime të shtrira në fushë e rrëzë kodrave me ndërtime anës rrugës, si ylber të shpalosin larminë e vet.

Udhëtojmë drejt qëndrës së ujërave termale të Llixhave, një nga dukuritë më interesante të trevës së Elbasanit, aty ku dhjetëra mijëra kilometra në thellësinë e fshehur të tokës, reaksionet e llavës së nxehtë në 355 gradë celcius kanë bërë që të shpërthejnë ujëra sulfurorë. Është një pasuri natyrore me veti jo vetëm kuruese, por edhe ripërtëritëse, te të cilat njeriu është ndalur që herët.

Ardhja këtu të jep një ndjesi krejt ndryshe me erën e pakëndshme dhe pështjelluese, por ajri i stopuar nga nxehtësia e stinës, si për të fshehur thesarin e saj, bashkë me rrëmujën dhe zhurmën e tregëtarëve të një tregu të vogël, janë zbulesa befasuese plot kontraste.

Rruga futet në brendësi të luginës së rrethuar nga kodra të veshura me gjelbërimin e thellë të drurëve shekullorë, ku nga lakoret e tyre mund të admirosh edhe krahinën e Shpatit. Afër saj ujërat, siç duket, të disiplinuara në një kanal të betonuar, shushurijnë lehtë e kutërbojnë, duke të ngacmuar hundët dhe të sjellin ndonjëherë një përzjerje të lehtë. Më tutje shkel pllanga gropash me ujëra të nxehta që dalin nga toka.

E shtrirë në këtë hapësirë, në të majtë e në të djathtë ndesh një grumbull ndërtimesh (shumica hotele) që të bëjnë përshtypje me hijeshinë e tyre, por edhe ngehina portative, ku kryhen shërbimet e duhura për kuruesit, të cilat plotësojnë pamjen e saj. Ato i ndan nga njëri-tjetri një largësi sa gjerësia e një rruge të zakonshme. Gjithë këto ndërtime pa kriter e që lenë aq shumë për të dëshiruar për nga rregulli, përbëjnë një mangësi e zyrave projektuese të Elbasanit pa një plan studimi të vendosjes e të largësive nga njëra- tjetra, apo edhe të rrugëkalimeve të ngushta, pasojë e një babëzie njerëzore për të ndërtuar  ku të mundësh.

Natyrisht, pa u futur në hollësi të panevojshme, aty ku merr frymë jeta, njerëzia, bagëtitë, gjelbërimi, qendra e ujërave termale të Llixhave, duke e humbur qetësinë kuruese, të ngjan si një qëndër turistike, edhe pse është shpallur e tillë. Por, me keqardhje, nënvizojmë se kjo është lënë pas dore nga shteti dhe në vend që të gjejë frekuentuesi kushte, pezmatohet me gjendjen skandaloze të rrugëve të pashtruara, gjithë pluhur e baltë; nga tezgat vend e pa vend, bezdisja e ambulantëve, ndriçimin që mungon, pa harruar lulishten e hardallosur nga bari, stolat e sakatosur, apo plehërat çfarë të tregoj më tepër.

“Park  Nosi” dhe historitë që tregohen

Duke rrëshqitur në emërtimin dhe historinë e kësaj qëndre kuruese, të njohur që në kohët e lashta, ku ujërat termale dalin me bujitjen e një afshi të nxehtë, mësojmë se banorët vendorë e kanë emërtuar Llixhë; ndoshta kjo që në rrjedhën e pushtimeve të hershme. E emërtuan me këtë emër dhe ka mbetur e pandryshuar, e mbushur me histori.

Një nga këto histori, që ka marrë edhe trajtën e legjendës, është ajo se 1000 vjet më parë, Romakët zbuluan vetitë shëruese të ujërave termale të Llixhave të Elbasanit në mënyrë rastësore. Ndodhi që ata, duke kaluar këtu, në një nga inkursionet e tyre pushtuese, u detyruan të lënë një kalë të bardhë e të dëmtuar rëndë nga lufta, i cili kishte mbetur në moçal me ujë gjithë erë të rëndë në mes të një pylli me drurë të lartë, ku humbiste gjithkush po të kalonte. Por ç’ndodhi?! Po këta ushtarë, kur kthehen nga rrugëtimi, shohin kalin e tyre të shëruar e në një gjendje shumë të mirë. Kësisoj provojnë ujërat çudibërëse dhe ndjehen të ripërtërirë nga lodhja rraskapitëse.

Të tjera copëza të grimcuara historie për vetitë çudibërëse të ujërave termale në kohëra vijnë të treguara nga banorët; se si ato janë shfrytëzuar prej shekujsh, por pa u vlersuar si të tilla; si ajo e bagëtive të shëndosha dhe barinjve që nuk njihnin sëmundje, edhe pse këtu vendi ishte pa ndërtime.

-Vonë është populluar këtu me ndërtime,- tregon Petref Idrizi një nga banorët e vjetër të Llixhave. – Një ditë ia behën ca njerëz të veshur e ngjeshur mirë dhe ustallarë që thyen heshtjen shekullore, duke ndërtuar godinën e parë. Ishin Nosët nga Elbasani që shfrytëzuan ujërat termale të këtij vendi, për të krijuar mjedise të përshtatshme dhe për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që kanë probleme shëndetsore, por edhe si një oaz ripërtëritjeje.

Pikërisht, në mes të kësaj lugine të ngushtë, aty nga dhjetëvjeçari i tretë i shekullit të kaluar, industrialisti elbasanas, Grigor Nosi ndërtoi godinën katërkatshe që ekziston edhe sot. Arkitekti i saj i thirrur nga Nosët ishte austriaku Kohler. Nosët ishin një ndër familjet më të njohura elbasanase, me kulturë dhe kontribute patriotike në dobi të kombit, që shquheshin për tregëti, politikë, humanizmin e tyre, etj. Grigori i peshoi mirë gjërat dhe, me guxim, duke marrë parasysh rrezikun, krijoi të parin vend kurimi, si qëndër ujërash termale, e cila mori edhe vëmendjen e mbretit Zog për të sjellë këtu mjekë çekë, të cilët kryen studime të mirfillta për të vënë në dobi të shëndetit të njerëzve këtë pasuri që e ka dhuruar natyra.

Nga biseda me Vason, një nga pronarët e “Stacioni i ujërave termale “Park Nosi”, ndër të tjera mësova se ujërat termale që burojnë në 60 gradë celius u sollën këtu nga 500 m larg me një tubacion për ta grumbulluar në depo e basene. Kur u ndërtua godina- hotel, kishte 63 dhoma e 133 shtretër. Ajo u shtetëzua në 1946, por që iu rikthye trashëgimtarëve në vitin 1995. Dhe, si një domosdoshmëri për një vend termal, u krijua një park, i mbushur me drurë frutorë dhe dekorativë, me rrugica e stola çlodhës, por edhe anekse shërbimi: mensa, bar- kafe, zyra, dhoma e mjekut, vaskat e ujit dhe të pregatitjes së baltës, etj.

Duke u ndalur në copëza të tjera historie të kësaj qëndre kuruese, Vaso përmend faktin se në vitet e Luftës së Dytë Botërore, babai i tij, Grigori, shpëtoi e mori në mbrojtje çifutin Mark Menhemin. Ishte koha ku liria nuk njihej shumë si cilësi humane dhe është një vlerë për të cilën njeriu i sotëm ka më tepër nevojë. Gjendja ishte e rëndë, jo vetëm për çifutët, por kërcënim edhe për popullin shqiptar. Rraca çifute u vu përballë mbijetesës nga përndjekjet dhe holokausti i nazistëve. Dhe, në rrethanat e jashtëzakonshme të endjeve në Ballkan, fati hodhi jo pak prej tyre në rrethinat e Elbasanit, në Berat, Vlorë, Durrës etj. Kujtohen vështirësitë me të cilat u ndeshën qinda e mijëra prej tyre për të shpëtuar nga kjo makutëri zhdukjeje.

Natyrisht nuk ka mirënjohje më të madhe se ajo e humanizmit njerëzor në ditët më të vështira të jetës. Sepse edhe kur jeton në një botë sado shfarosëse, mirësjellja njerëzore të befason dhe për të ia vlen të sakrifikosh. Mark Menhemin e strehuan për një vit të tërë këtu, në Llixhat e Elbasanit, ku u kujdesën aq shumë për të. Ky akt, si një shembull i mirfilltë njerëzor, dëshmoi shpirtgjerësinë e këtij industrialisti elbasanas. Dhe e gjithë kjo edhe për respekt të miqësisë që kishte pasur me çifutët kur kishte studiuar në Austri. Çdokush e di se jeta duhej jetuar, por, si çdo njeri që kalon sfida, kjo për çifutin Mark Menhemi mbeti një nga mirënjohjet më të mëdha të jetës. Vlen të veçohet momenti i rëndësishëm i këtij humanizmi, mirënjohja e izrealitëve, të cilën ata e kanë përjetësuar të gdhendur në mermer  më 21 korrik 1992, në një mur të Jerusalemit, në Izrael.

                         Vlerat kuruese të ujërave termale

Vlerat e shumta kurative për shumë sëmundje dhe qënia pranë qyteteve të mëdha e ka bërë qëndrën e ujërave termale të Lixhave, të jetë aq shumë e frekuentuar; sidomos në Pranverë, por edhe në Vjeshtë, duke e rritur numrin e të ardhurve nga viti në vit. Në këndvështrimin e përbërjes termominerale, Llixhat e Elbasanit listohen ndër më të njohurat në Shqipëri, por edhe si të 36-at në Botë.

Pas analizave të kryera në vitin 1922 nga Inxh. Dr. çek Beno Winter, por edhe në vitin 1924 nga Inxh.Dr. Hamakova e Forminek dhe më vonë nga specialistët rusë, të cilët erdhën me projekte shumë interesante, por që nuk u realizuan prej prishjes së mardhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, ujërat termale të Llixhave të Elbasanit kanë një kompleksivitet përbërjeje minerale, me elementë kimikë si: hekur, sodium, klor, potasium, kalcium, magnezium, kalium, natrium, alumin, brom, jod,flor; si edhe alkanitete e gazra sulfurore, hidrogjene, etj që janë efektive në kurimin e shumë sëmundjeve.

Ndaj dhe veprimi shërues i ujërave termale të Llixhave, proçedurat e terapisë fizike, baltës minerale dhe kushtet e tjera optimale ofrojnë mundësi të shumta për kurim, duke larguar jo pak semundje nga trupi i njeriut.

– Efektiviteti më i sukseshëm i ujit dhe baltës këtu, – thotë Eduart Bajraktari, farmacist në këtë qëndër prej 30 vjetësh, – është në sëmundjet reumatike, sepse ndikojnë në shërimin e dhimbjeve muskulare, të deformimeve të gjymtyrëve, por sidomos të atyre kronike artikulare:të qafës, të shpatullave, të belit, të këmbëve, të cilat nëse nuk kurohen, me kalimin e viteve pak nga pak shtohen e marrin përmasa torturuese.

Ujërat termale të Llixhave janë të njohura edhe në luftimin e sëmundjeve të organeve gastrotestinale, të organeve respiratore, të anemive dhe të aparatit lokomotor. Ato, gjithashtu, reabilitojnë problemet që kanë lidhje me gratë që nuk lindin, por ndikojnë edhe në shtimin e hormoneve mashkullore dhe të qarkullimit të gjakut. Luftojnë ekzemat e lëkurës dhe përmirësojnë shendetin e njeriut në aspektin qelizor dhe molecular; gjithashtu përforcojnë imunitetin njerëzor, e bëjnë të mundshëm, edhe duke kontribuar në humbje peshe e zbukurim trupi. I theksuam këto për të nxjerrë në pah rolin që luajnë në proçeset e organizimit të njeriut këto ujëra termale.

Histori e re që po shkruhet

Godina ekzistuese e hotel “Park Nosit” ishte e pamjaftueshme për të pritur e përcjellë kuruesit e shumtë nga i gjithë vendi, ndaj me kalimin e viteve u ndërtuan nga shteti në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar edhe dy godina të tjera disakatëshe: “Ylli” në Vitet ’60, si edhe hoteli i ri apo siç u quajt i Kinezëve në fillim të Viteve ’70 me personel specialist, por që pas Viteve ’90 u privatizua

Por, pa i hequr një diagonal së kaluarës së tyre shtetërore, kjo qendër sot e ka humbur disi seriozitetin për një shërbim cilësor mjekësor.

-Do ishte më mirë të mbetej përherë,  – ashtu të thotë Nina nga Tirana, një nga frekuentueset e rregullta të tyre prej 30 vjetësh, -me shërbim të kontrolluar shëndetësor nga mjekë specialist; sepse kështu mbulohet shumë mirë dhe më me rigorizitet kujdesi i kuruesve.

Por, pas Viteve ’90 në qëndrën e ujërave termale të Llixhave ajo që ra në sy ishte orientimi drejt një piksynimi të ri, i cili më vonë pësoi ndryshime të mëdha për të shfrytëzuar mundësitë, sidomos të atyre që banojnë afër ujit çudibërës. Kështu, në këtë sipërfaqe u ndërtuan dhjetra hotele e shtëpi funksionale për të pritur kurues; në fillim të thjeshta, ndërsa më pas, duke rritur cilësinë e shërbimit me kërkesat e kohës, krijuan kushte të përshtatshme, gjë që e shtuan gjallërinë dhe numrin e të ardhurve nga e gjithë Shqipëria, por më shumë nga viset e Kosovës dhe të Maqedonisë.

Godinat, ngjitur me njëra-tjetrën, të krijojnë përshtypjen se janë një trup i vetëm. Të bien në sy emra interesantë hotelesh: “Iliria”, “Guri i Fatit”, “Debrova”, “Qetësia”, “Boçi”, “Çekrezi”, “Qosja”, “Puka”, etj.

Të le mbresë të thellë shërbimi dhe respekti i personelit të tyre sa çdokush, kur largohet pas terapive, formëson përshtypje të mira. Një kujdes që mbetet parësor në krijimin e kushteve dhe, siç thonë ata që e frekuentojnë prej vitesh, ka rritje të ndjeshme të cilësisë së shërbimit. Natyrisht janë krijuar kushte, sepse aftësia për të punuar në një biznes me përspektivë është motivi kryesor për të siguruar të mirat materiale. Ndaj dhe nocioni punë, përkujdesje me kulturë ndaj atyre që i frekuentojnë, i ka dhënë asaj tjetër kuptim. Për të tërhequr sa më shumë kurues, janë përgatitur e shpërndarë fletë-palosje guidash me informacione të shumta për dobitë e shërimit të sëmundjeve, por edhe rreth trajtimit, ushqimit, fjetjes, si edhe kohëzgjatjen e tarifat, që janë të arsyeshme.

Arta Papri një infermiere dhe menaxhere e sukseshme, ka bërë që hoteli “Puka” të tërheqë, jo pak kurues nga Kosova.

Ka nga ata që vijnë prej vitesh këtu dhe e ndjejnë veten mirë, sepse kurimi u ka përmirësuar shëndetin, duke i çliruar nga ankimet e sëmundjeve.Pa dashur të ngërthehem më tepër në tregimet e shumta të kuruesve, më bëri përshtypje ai i Skënderit nga Berati.

-Kam ardhur këtu – thotë ai – në një gjendje shëndetësore të rëndë, thuajse i paralizuar. Nuk kisha, as fuqi sa të ngrihesha nga shtrati për të qëndruar më këmbë. E dhimbshme kur mendoja se do të mbetesha i tillë. Nuk lashë ilaçe, analiza e mjekë të shumtë pa provuar por nuk më sollën asnjë përmirësim. Mendova se duhet t’i provoj llixhat dhe erdha me shpresë se shëndeti do më printe për mirë. Nuk kam gabuar dhe e frekuentoj prej 15 vjetësh atë e ndjehem aq mirë me shëndet. Faktet flasin vetë për këtë të vërtetë e mund të them se kam harruar dhimbjet, aq sa mund të harrohen ngjarje të rënda.

Pas ngrohtësisë së banjës së nxehtë apo masazhit me baltë, secili pushon në qetësinë çlodhëse të dhomave të freskëta e me kushte të përshtatshme ndaj një kurimi të tillë. Orët e tjera kalojnë me lojëra, biseda, argëtime, bashkë me zhurmat që e shoqërojnë këtë ambient kakofon. Jo pak prej tyre shëtisin peisazheve të veshura me gjelbërim, një hapsirë, që nën diellin e stinës, janë një tjetër  kënaqësi çlodhëse.Ditët kështu kalojnë shpejt, sepse, teksa bëhesh pjesë e bisedave dhe mënyrës së komunikimit, ajo bëhet më interesante dhe të ka ënda të shkëmbesh mendime. Një pjesë kuruesish janë miqësuar, sepse kanë vite që vijnë dhe njihen aq mirë me njëri-tjetrin.

Por, siç ndodh rëndom, kur e pranishme është tema politike, mendimet janë të ndryshme; madje me kundërvënie ndaj njëri -tjetrit. Ka nga ata që qeverisjen e një partie e quajnë të dështuar e të tjerë kanë vërejtje për zjarrin që ndez shtypi;apo për gjuhën vulgare të politikanëve në foltoren e parlamentit; të tjerë të pakënaqur nga reformat që po ndërmerr shteti. Amullia e gjendjes nuk mund të vazhdonte me abuzime, mospagime taksash, prandaj dora e shtetit i ndali ato. Por bisedat vërtiten edhe rreth angazhimit të shtetit për mirëmbajtjen e mjediseve publike. I shqetëson rruga e amortizuar këtu, rrugicat gjithë pluhur, plehërat e hedhura vend e pa vend, etj. Janë këto mangësi të infrastrukturës që pushteti lokal duhet t’i shmangë, duke i krijuar dhe mirmbajtur ato, që këtu të ketë më shumë frekuentim, më shumë përfitime. Dhe rrokja e gjithë shqetësimeve duhet të verë në lëvizje administratën shtetërore.

**********

Dita në ikje përthith ndjesi të bukura. Mbrëmja e vonë mund të flejë edhe ajo për t’u qetësuar nga zallamahia; kështu edhe njerëzit të pushojnë nën fëshfërimën e pyllit që murmurin lehtë. Për t’i dhënë kësaj tablo, pritjen e ditës tjetër, nuk harron të shkruash edhe për përkushtimin e atyre që edhe këtu në qëndrën e ujërave termale,  “Llixhat e Elbasanit” natën e bëjnë ditë, duke qëndruar në detyrën humane për kuruesit.

Mëngjeset e braktisin heshtjen e natës për të vazhduar ritualin e veprimeve kuruese, me zhurmat që i japin një tjetër kuptim qëndrës së ujrave termale të Llixhave.

Ajo është si një minierë, ku, nëse e trajton me kriter, do ta shohësh se është ujëdhesë e frekuentuar; jo vetëm për kurim, por edhe për Turizëm, për ta bërë atë një nyje të rëndësishme; vetëm se kjo kërkon përkushtim e vullnet nga të gjithë: investitorët, banorët, media, shteti…

*Ndalohet riprodhimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen e autorit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Lloxhat e Elbasanit, mrekullia e natyres, Pellumb Guri

Kosovë-Dogana lehtësira për bashkatdhetarë

July 6, 2017 by dgreca

-Të mos krijohen situata kur bashkatdhetarët tonë vonohen  për gjëra të parëndësishme/

1 Harte kosove

 PRISHTINË, 6 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Dogana e Kosovës deklaroi sot se, duke marrë parasysh se tani kemi hyrë në sezonin kur pritet fluks i lartë i bashkatdhetarëve tanë të cilët vizitojnë Kosovën për pushime, ka lëshuar udhëzime për stafin e saj në pikë-kalimet kufitare ashtu që lehtësohet kalimi për udhëtaret në aspektin e procedurave doganore.
Drejtori i përgjithshëm ka kërkuar që stafi në pika kufitare duhet të jetë në nivel të detyrës dhe duhet të ketë parasysh brengat e tyre dhe peripecitë eventuale me të cilat kanë mundur të ballafaqohen gjatë rrugëtimit, andaj ka lëshuar udhëzime që të reflektojnë respekt dhe mirëkuptim.
Derisa sa i përket mallrave që eventualisht mund të bartin me vete, stafi është udhëzuar që të analizoj rastet e veçanta dhe të mos krijohen situata kur bashkatdhetarët tonë vonohen  për gjëra të parëndësishme.   
Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bashkatdhetaret, Behlul Jashari, Doganat, Koosve

Kosovë-Miratohet buxheti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2018

July 6, 2017 by dgreca

Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka marrë vendim të largoi nga procesi i likuidimit dhe shitjes së aseteve të NSH Apiko dhe Ndërmarrja Hoteliere Turistike Iliria – Deçan/

1 agjensia ok
PRISHTINË, 6 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në një mbledhje të rregullt ka miratuar shpërndarjen e përkohshme të pesë ndërmarrjeve në likuidim – Imkos, Germia,Teka Komerc, I.M.B. Mulliri dhe NGLB në shumën 1,642,889.31 euro.
Në këtë mbledhje Bordi i Drejtorëve miratoi listën e Shitjes së Aseteve 35 si dhe depozitat e tyre. Veç kësaj, pas një shqyrtimi dhe analizimi të thukët, Bordi miratoi edhe buxhetin e Agjencisë për vitin 2018. Më kërkesë të Bordit të Drejtorëve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka përgatitur një raport lidhur me kërkesat e Bordit të mbledhjeve të datave 31 gusht dhe 23/30 nëntor të vitit 2016, i cili ishte i natyrës informative lidhur me çështjet e shpërndarjes së 20%.
Ndryshim/plotësimi i aktit themelues të Agjencisë gjithashtu është miratuar në këtë mbledhje të Bordit, ndërsa si pika të rendit të ditës kanë qenë edhe shqyrtimet e raporteve të komisioneve për përcaktimin/vlerësimin e çmimit të tregut për qiradhënie të aseteve të NSH-ve, si dhe raportet e qiradhënies së aseteve përmes shpalljeve publike të muajit qershor 2017, të cilat u miratuan.
 Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Bordi ka marrë vendim të largoi nga procesi i likuidimit dhe shitjes së aseteve të NSH Apiko dhe Ndërmarrja Hoteliere Turistike Iliria – Deçan, ndërmarrje këto që preken nga vendimi i lartpërmendur. 
 Bordi i AKP shqyrtoi raportin e Komisionit të Banesave me ç’rast miratoi shitjen e njëzet e dy banesave. Ndërsa, sa i përket kërkesave për privatizim të banesave të Trepça SHA, Bordi pezulloi shqyrtimin e tyre deri në përcaktimin përfundimtar të statusit të saj.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në një konferencë shtypi në prag të 2017-ës deklaronte se për këtë vit ka përcaktuar 14 objektiva kryesore, ndërkohë që ende nuk i ka shitur 1.764 asete të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa që nga qershori 2002 kur është themeluar, atëherë si Agjenci Kosovare e Mirëbesimit, ka nënshkruar 1.286 kontrata të shitjes së ndërmarrjeve të reja dhe të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.
 Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ku theksuan edhe se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Agjensia e privatizimit, Behlul Jashari, Buxheti 2018

Për kë do të votojë minoriteti shqiptar në Shqipëri?

July 2, 2017 by dgreca

1 ahmet.siti_

Nga Ahmet Kolgjini/*

Që ka një minoritet grek në Shqipëri, kjo dihet; që ka gjithashtu, edhe një minoritet maqedonas a sllav, edhe kjo dihet. Por, që ka edhe një minoritet shqiptar, këtu, brenda në Shqipëri, kjo nuk dihet a dihet. Në këtë rast të dhimbshëm dhe unikal, vetë termi minoritet shqiptar këtu, brenda në Shqipëri duket paradoksal. Duket, por është real. Dhe me të vërtetë realiteti qenka më fantastik se fantastikja.
Atëherë mbetet vetëm për të sqaruar se cilët e përbëjnë këtë minoritet. Këtë minoritet e përbëjnë të gjithë ata, të cilët, për vite me radhë, kanë qenë objekt i luftës së klasave, të gjithë ata që u bënë viktima të kësaj lufte; të gjithë ata që u shtrënguan ta ndjenin veten të huaj në vendin e vet; të gjithë ata, mbi të cilët u zbatua parimi i mëkatit origjinal. Simbas një llogjike perverse nipat dhe stërnipat duhej të lanin mëkatet e gjyshëve dhe të stërgjyshëve. Janë të gjithë ata, të cilëve, me reformën arsimore të vitit 1968, u mohohej jo vetëm shkollimi i plotë, por edhe arsimi i mesëm profesional; të gjithë ata, të cilët, edhe detyrën e shenjtë ndaj atdheut, e kryenin jo si ushtarë, por si robër lufte, me shatë dhe me lopatë. Janë të gjithë ata që bënë me krahë – të rrethuar nga tytat e pushkëve, – bonifikimin e kënetave, që hapën kanalet e mëdhenj ujitës, që ndërtuan aeroporte, fabrika dhe uzina, spitale dhe banesa. Janë të gjithë ata që nxorën, me shpirt ndër dhëmbë, nga thellësitë e tokës kromin, bakrin, piritin. Janë të gjithë ata, të cilët për vite me radhë i janë shtruar arbitraritetit dhe imponimit për shkollë, për punë, për banesë; për të mos përmendur raste të tjera të paimagjinueshme dhe të pabesueshme. Edhe vdekja vetë nuk bën dallim ndërmjet njerëzve, kurse pushteti i popullit ka bërë dallim edhe ndaj të vdekurve. Të gjithë këta shqiptarë përbëjnë një masë të konsiderueshme, një kontigjent konsistent për nga numri, vlerat dhe qëndresa.
Me komunizmin, që dikur joshte njerëzit, ngjau si me ylberin që, i parë nga larg, të mahnit me gjithë spektrin e ngjyrave e të duket i mistershëm. Një mirazh që zë fill nga shkretira shpirtërore dhe mbaron me shkretirën shpirtërore dhe me shkretirën lëndore. Sot komunizmi shkakton alergji dhe është bërë gërdia a neveria më e madhja në këtë botë.
Dikur, komunistët predikuan dhe premtuan bashkimin dhe vëllazërimin, por mbollën përçarjen; premtuan begatinë, por sollën mjerimin; premtuan të vërtetën, por përhapën gënjeshtrën; premtuan drejtësinë, por zbatuan padrejtësinë; premtuan lirinë, por vendosën diktaturën; premtuan demokracinë, por vendosën autokracinë.
Në këtë agim të ndritshëm të lirisë së individit, njerëzit përditë po ndërgjegjësohen, prandaj një gjë është krejt e sigurt: ata që përbëjnë minoritetin shqiptar, këtu, brenda në Shqipëri, nuk do t’ia japin votën partisë që është tashpërtash në pushtet, sepse ajo i ka trajtuar për vite e vite rresht si kafshë barre për të mbajtur mbi shpatulla gurët e ngrehinës së pushtetit më autentik dhe pa precedencë në histori për mohimin, dhunimin dhe depersonalizimin e qytetarëve të vet.
Motra dhe vëllezër, që jeni marrë nëpër këmbë, le të besojmë në demokracinë dhe votat tona t’i japim vetëm për demokracinë, se ajo na mbron dinjitetin njerëzor. Te demokracia çdo shqiptar i vërtetë gjen vetveten. Vetëm demokracia përfaqëson dhe shpreh aspiratat mbarëkombëtare dhe jep mundësinmë e realizimit të tyre.

Mars 1991((Shkrim i pabotuem; – iu refuzue nga redaktori i asaj kohe i RD-së, mbas kambënguljes së Ahmetit që të botohej pa shkurtime!)

  • Nje shkrim qe e ruan aktualitetin edhe sot

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ahmet Kolgjini, minoriteti shqiptar, ne Shqiperi, Për kë do të votojë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT