-Ministria e Financave e Qeverisë së Kosovës dhe Banka Botërore nënshkruan Marrëveshjen për Sigurimin e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit. Vlera e përgjithshme e kësaj Marrëveshje është 22 milionë Euro/
PRISHTINË, 27 Janar 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli nënshkruan sot Marrëveshjen për Hua me Bankën Botërore për financimin e Projektit Sigurimi i Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit.
Ministri Avdullah Hoti duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bankën Botërore theksoi se edhe kjo marrëveshje si shumë bashkëpunime të tjera me Bankën Botërore shërbejnë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.Sipas ministrit Avdullah Hoti vlera e përgjithshme e kësaj Marrëveshje është 22 milionë Euro me një normë efektive të interesit 1.40%, grejs periudhë 5 vite dhe 20 vite kthim efektiv të kredisë. Projekti në fjalë ndahet në dy pjesë, përkatësisht, në përmirësimin e kanalit kryesor të ujit dhe ndërtimin e një rezervari. “Për përmirësimin e kanalit do të nën-huazohen tek Ibër Lepenci 15 milionë euro kurse pjesa e mbetur e kredisë në vlerë 7 milionë euro do të mbetet me Qeverinë e Kosovës për financimin e ndërtimit të rezervuarit. Përveç përmirësimeve infrastrukturore të kanalit që do të ndodhin duke filluar nga Ujmani deri në Obiliq, do të adaptohet/aplikohet edhe një sistem i avancuar elektronik i cili do t’i mundësoj Ibër-Lepencit të mbikëqyr kanalin, të mbledh dhe analizoj të dhënat nga tereni në kohë reale”, shtoi ministri Hoti.Ai gjithashtu bëri të ditur se, pjesa e dytë e projektit ka të bëjë me ndërtimin e një rezervuari të ujit në Mihaliq dhe lidhjen e tij me kanalin e ujit. Ky rezervuar do të shërbej për situata emergjente të cilat mund të ndodhin në të ardhmen. Ndërsa, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Marco Mantovanelli tha se, “uji është në qendër të zhvillimit ekonomik dhe social, ai është vital për ruajtjen e shëndetit, kultivimin e ushqimit, prodhimin e energjisë, menaxhimin e ambientit përfshirë edhe ndikimet e vërshimeve ose thatësirave, dhe për krijimin e vendeve të punës”.“Aktualisht, Kosova qendrore, rajoni me popullsinë më të dendur në vend i cili paraqet potencialin më të madh zhvillimor të Kosovës për shkak të përqendrimit të aktiviteteve minerare, bujqësore dhe industriale, është duke u sfiduar nga resurset e kufizuara ujore. Banka Botërore ka kënaqësinë të mbështesë Kosovën që ajo të bëj furnizimin e ujit më të pastër dhe më të qëndrueshëm”, shtoi ai.



-Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti prezantoi Pakon e re Fiskale dhe njëkohësisht falenderoi anëtarët e Odës Amerikane për inputin e tyre/ PRISHTINË, 16 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Për t’u informuar rreth Pakos së re Fiskale dhe përmbajtjes së saj si dhe rreth programit të reformave ekonomike, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një ngjarje me Ministrin e Financave Avdullah Hoti, Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës Fahri Gashi dhe Qemajl Marmullakaj Drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik nga Zyra e Kryeministrit.Drejtori Ekzekutiv Arian Zeka tha se Oda Ekonomike Amerikane vazhdimisht ka qenë e zëshme për nevojën e finalizimit të pakos fiskale duke kërkuar futjen në fuqi të pushimeve tatimore dhe zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore. Zeka përsëriti se Oda Ekonomike Amerikane do të kerkojë me ngulm edhe rifunksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, si një mekanizëm i rëndësishëm për trajtimin e pavarur në shkallë të dytë të ankesave të bizneseve karshi ATK-së dhe Doganës.Ministri i Financave Avdullah Hoti prezantoi Pakon e re Fiskale dhe njëkohësisht falenderoi anëtarët e Odës Amerikane për inputin e tyre. Ministri Hoti theksoi se kjo pako përfshin shtatë masa bazike administrative të cilat kanë për qëllim lehtësimin e të bërit biznes në vend. Pakoja merr parasysh, mes tjerash, kërkesën e Odës Amerikane për zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga tatimet doganore, Udhëzimin Administrativ për pushimet tatimore si dhe rregullimin ligjor të çështjes së humbjeve.Drejtori i Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri tha se orientimi i ATK-së është në thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e komunikimit me tatimpaguesit, duke theksuar se ky institucion është duke punuar drejt ofrimit të një kanali të ri të komunikimit me tatimpaguesit e mëdhenj. Ndërsa, Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit prezantoi hollësisht programin e reformave ekonomike të cilat do t’i dorëzohen Komisionit Evropian në fund të këtij muaji./b.j/