Këto nuk janë ditë të mira për ekonominë globale, këtë e kanë konfirmuar delegatët që në ditën e parë në Forumin Botëror të ekonomisë, i cili po mbahet në qytetin Davos të Zvicrës.
Revolucioni i katërt industrialë ishte boshti kryesor i bisedave mes ekspertëve të ekonomisë e po ashtu sulmet terroriste, kriza e refugjatëve dhe zhvillimi shumë i shpejtë i teknologjisë bëri që të mblidhen bashkë në qytetin alpin zviceran shumë nga biznesmenët më të fuqishëm botërorë, udhëheqësit politikë apo edhe aktivistë të ndryshëm. “Shumë marrëdhënie janë ndërtuar në këtë takim” dhe kryetari i firmës konsulente KPMG. Pjesëtarët mbrojtën argumentin se paqëndrueshmëria është ajo e cila kërcënon përkeqësimin e ndjeshëm të financave.Tashmë edhe ekonomia kineze nga e cila ishin pritshmëritë më të mëdha nuk ka më rritje spektakolare. Për ekonominë kineze rritja në vitin që sapo u mbyll rritja ishte 6.9 përqind krahasuar me 7.3 përqind të vitit 2014, duke shënuar kështu ritmin më të ngadaltë në çerekshekulli. Avancimi i Kinës do të ishte një shtysë e rëndësishme për ekonominë globale, ndaj dhe investitorët e shohin me shqetësim ngecjen e saj. Po ashtu, nga ana tjetër paneli i Davos konstatoi se borxhet dhe kreditë janë rritur ndjeshëm, ndërkohë që të ardhurat janë pakësuar duke nxjerrë kështu një bilanc negativ. Dilema që kishin ekspertët u vërtetua edhe me raportin e një dite më parë të “Oxfam”, i cili fliste për pabarazinë e madhe. 62 miliarderët më të pasur kanë të ardhura më të larta se sa gjysma e popullsisë globale. Po ashtu në Davos u theksua fenomeni se në vendet në zhvillim ekonomitë kanë pasur rritje të ngadalta ose në rastin më të keq nuk kanë pasur farë. Maurice Obstfeld, krye-ekonomisti i FMN-së tha se tregjet financiare janë tronditur që në fillim të vitit dhe një balancim i tyre është një proces që do të marrë kohën e tij. Në ditët në vijim panelit të madh të ekonomisë në Davos pritet t’u bashkëngjiten John Kerry, përfaqësues të Iranit dhe të Arabisë Saudite, si dhe Kryeministri izraelit.
Ekonomi-Ja cila është kostoja e fillimit të një biznesi në Shqipëri!?
Të nisësh një biznes ka një faturë të caktuar financiare. Por cilat janë kostot totale të nisjes së një aktiviteti privat dhe si luhaten ato në vendet e rajonit. Të dhënat janë marrë nga një raport i hollësishëm analitik i Bankës Botërore, pjesë e raportit “Doing Business”. Së pari, janë kostot për regjistrimin e biznesit. Edhe pse procedura e regjistrimit në QKR kushton vetëm 100 lekë, Banka thotë se paralelisht biznesi është i detyruar të regjistrohet edhe në bashki, ku kostoja është dhjetra herë më e lartë. Kjo bën që hapja e një biznesi në Shqipëri të kushtojë sa 10.4 për qind e të ardhurave mesatare për frymë. Sipas Bankës Botërore ky është niveli i dytë më i lartë në rajon pas Bosnjes ku hapja e një biznesi kushton sa 14.8 për qind e të ardhura. Ndërsa në vendet e tjera treguesi varion nga 0.1 për qind deri në 7.3 për qind e të ardhurave mesatare. Por vec kostove të regjistrimit, ngritja e një ndërmarrje kërkon edhe shpenzime të tjera. Një ndër to është lidhja e biznesit në rrjetin elektrik. Sipas Bankës Botërore në Shqipëri kostoja për t’u lidhur në rrjetin elektrik është sa 491.4 për qind e të ardhurave për frymë. Ky është niveli më i lartë në rajon, pasi në vendet e tjera lidhja në rrjetin elektik kushton nga 70 për qind në Greqi deri në 464.8 për qind në Mal të Zi. Por shpesh bizneset zotërojnë edhe prona, të cilat duhet ti rregjistrojnë. Edhe këtu ndërmarrjet shqiptare paguajnë koston më të lartë në rajon. Më konkretisht regjistrimi i një prone në Shqipëri kushton mesatarisht sa 10.2 për qind e vlerës së saj, ndërsa në vendet e tjera të rajonit treguesi luhatet nga 3.1 në 5.2 për qind. Dekadën e fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë masash për të ulur kostot e biznesit. Por sic tregojnë dhe shifrat e Bankës Botërore, të paktën në pjesën burokratike dhe atë proceduriale bizneseve në Shqipëri u duhet të paguajnë më shumë në raport me të ardhurat se sa ato të vendeve fqinje.
Kosova, sfida të zhvillimit ekonomik
-Presidentja Jahjaga vizitoi Malishevën, Rahovecin, Suharekën, Shtimen dhe Lipjanin/
-Kryeministri Mustafa kërkoi eliminimin e problemeve të bizneseve që lidhen me energjinë elektrike/
PRISHTINË, 13 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane, vazhdoi sot vizitat në komunat e Kosovës, ku takoi kryetarët e komunave dhe drejtues të tjerë lokalë.
Në takime u diskutuan sfidat e zhvillimit ekonomik, përkrahja për bizneset dhe krijimi i lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja.
Gjatë takimeve me kryetarët e komunave, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, shtruan problemet me të cilat përballen bizneset në përgjithësi, me theks të veçantë bizneset që përfaqësojnë këto oda.
Kryetarët e komunave, ai i Malishevës Ragip Begaj, i Rahovecit Idriz Vehapi, i Suharekës Sali Asllanaj, i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Lipjanit Imri Ahmeti paraqitën para Presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike përpjekjet që bën pushteti lokal për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj. Ata paraqitën raste dhe praktika specifike të komunave të tyre dhe projekte konkrete, për të cilat kërkohet përkrahja edhe e institucioneve në nivel qendror.
MUSTAFA: PRIORITETI KRYESOR, ZHVILLIMI EKONOMIK
Prioriteti kryesor i qeverisë së Kosovës për këtë vit është zhvillimi ekonomik, theksoi sot kryeministri Isa Mustafa, ndërsa kërkoi përkushtim maksimal të të gjitha instancave në këtë rrugë, e cila do të krijojë mundësi për hapje të vende të reja të punës dhe zhvillim të vendit.
Ai i vuri theks të posaçëm avancimit të mëtejshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë, ku rol të rëndësishëm kanë edhe Zyra e Rregullatorit dhe distributori i energjisë, KEDS.
Kryeministri Mustafa, ka pritur në takim me George Karagutoff, drejtor i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Enver Halimin, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku janë trajtuar problemet e ngritura nga bizneset kosovare që kanë të bëjnë me aspektet operacionale e teknike të KEDS-it dhe çështjet e tarifave që ndërlidhen me ZRRE-në.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa, theksoi shqetësimet reale dhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset që lidhen me problemet me energjinë elektrike, kryesisht rreth instalimeve të reja që ndërmerren nga vet bizneset dhe tarifat për kyçje në energji elektrike.
Në takim, kryeministri Mustafa ishte i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Gjatë takimit, u theksua edhe vërejtja e vazhdueshme e bizneseve lidhur me sistemin tarifor në vend, ku bizneset paguajnë tarifa të ndryshme për energjinë e njëjtë të konsumuar gjatë gjithë vitit.
Përfaqësuesit e KEDS-it shprehën qëndrimin e tyre se disa nga vërejtjet e mëparshme të bizneseve janë adresuar, por se mbetet në përgjegjësi të rregullatorit që të adresoj çështjet tarifore, maxigrafin dhe të ngjashme. /b.j/
SHBA-të, mbështetje Kosovës edhe në bujqësi
-Ambasadori Delawie tha se ka shumë potencial në sektorin e bujqësisë si një shtytës i rritjes ekonomike në Kosovë, dhe se ardhmëria e këtij sektori do të jetë e lidhur me zhvillimin e kulturave me vlera të larta dhe rritjen e qasjes në financa për agrobiznese/ Ministri Krasniqi takoi ambasadorin Greg Delawie/
PRISHTINË, 12 Janar 2016/ Ministri kosovar i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, me të cilin ka biseduar rreth politikave programore në bujqësi, me theks tek programet vjetore mbështetëse.
Ambasadori Delawie tha se ka shumë potencial në sektorin e bujqësisë si një shtytës i rritjes ekonomike në Kosovë, dhe se ardhmëria e këtij sektori do të jetë e lidhur me zhvillimin e kulturave me vlera të larta dhe rritjen e qasjes në financa për agrobiznese.
Ministri e falënderoi ambasadorin për përkrahjen që SHBA-të përmes USAID ka dhënë për Kosovën, me projekte të vazhdueshme edhe në bujqësi, në veçanti projekti NOA dhe tani projektin AGRO, që kap një vlerë prej rreth 12 milionë dollarëve. Ai tha se bashkëpunimi me USAID është i vazhdueshëm dhe që po jep mjaftë rezultate, dhe shfaqi interesin që ky bashkëpunim të jetë edhe në nisma të reja.
Ministri njoftoi ambasadorin për të arriturat gjatë vitit 2015 dhe sfidat që mbesin në këtë sektor. Bujqësia, tha ministri, është prioritet i qeverisë dhe në fakt përben një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik. Në vitin 2015 vit, njoftoi ministri, janë ndarë 43 milionë euro për mbi 37 mijë fermerë në grante dhe subvencione, me ç’rast janë hapur agrobiznese e ferma të reja, si dhe janë hapur po ashtu edhe 2500 vende të reja pune direkte në bujqësi. Kjo përkrahje, theksoi ministri Krasniqi, do të vazhdojë edhe këtë vit, duke avancuar politikat programore, me zgjerim dhe rritje të mbështetjes dhe duke pasur gjithmonë në fokus gjithëpërfshirjen në mundësitë që ofrojnë masat mbështetëse të ministrisë.
Ai theksoi se në vitin 2015 është rritur transparenca dhe efikasiteti në implementimin e programit. Kjo, shtoi ministri, do të vazhdojë gjatë gjithë mandatit me qëllim që masat mbështetëse të japin sa më shumë rezultate dhe të rritet besimi në mundësitë që jep bujqësia./b.j/
Kosova, investime për zhvillim ekonomik
-Jahjaga: Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë/
PRISHTINË, 12 Janar 2016/ Zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, tha sot Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo, e shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Ekonomik Amerikane dhe Odës Ekonomike Gjermane, nisi sot vizitat në disa komuna të Kosovës, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe përkrahjes së investimeve të huaja në vendin tonë.
“Kam vendosur të fillojmë vizitat nëpër komuna të Kosovës për të nxitur një dialog të nevojshëm dhe të munguar për zhvillimin ekonomik, punësimin dhe investimet e huaja. Është tashmë e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme investimi, pa pengesa administrative, me sundim të fortë të ligjit dhe konkurrencë të barabartë”, u shpreh Jahjaga.
Vizita, vijoi ajo, ka për qëllim adresimin e drejtpërdrejtë të këtyre pengesave për të ndihmuar bizneset që të depërtojnë në Kosovë, në përpjekje për të ulur papunësinë dhe për të ngritur kualitetin e jetës në Kosovë.
“Gjatë tërë mandatit tim e kam adresuar zhvillimin ekonomik në mënyra të ndryshme, prej komunikimeve të drejtpërdrejta me investitorë të huaj e deri te inicimi i partneriteteve strategjike. Megjithatë, na duhet t’i adresojmë me urgjencë edhe problemet në nivelin komunal sepse pa i tejkaluar këto sfida është e vështirë të sjellim investitorë në Kosovë”, tha Jahjaga.
Gjatë ditës së sotme, Presidentja Jahjaga vizitoi komunën e Klinës, të Istogut, të Pejës, të Deçanit dhe atë të Junikut.
“Pikënisja është Rrafshi i Dukagjinit dhe unë besoj dhe shpresoj që deri në fund të muajit do t’i përmbyllim me vizita shumicën e komunave të Kosovës”, tha ajo.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, u shpreh se, “të fillosh vitin e ri kalendarik 2016 me një mbështetje nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Jahjaga që vërtet prioritet ta ketë zhvillimin ekonomik është më e mira që mund t’i ndodhë Kosovës”.
“Më lejoni fillimisht, zonja Presidente t’ju falënderoj që jeni pjesë e kësaj iniciative, e që në fakt jeni prijëse e kësaj iniciative”, tha Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, duke shtuar se, “plani është që gjithashtu brenda një periudhe të shkurtër të bëjmë sërish vizita, por herën tjetër nëpër kompani”.
Albert Matoshi, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, vlerësoi se, “kjo është një iniciativë shumë e mirë që ka gjetur përkrahjen edhe nga ana e Odës Ekonomike Gjermane”./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 215
- 216
- 217
- 218
- 219
- …
- 227
- Next Page »