
Help our campaign with a small donation as we qualify for New York State Matching Funds: ![]()
Marko Kepi
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Help our campaign with a small donation as we qualify for New York State Matching Funds: ![]()
Marko Kepi
by s p

Në negociatat për përfitime, ligje dhe vendimarrje të rëndësishme të pranishëm në Shqipëri duhet të jenë edhe përfaqësues të diasporës.
Nga Mimoza Dajçi
Jo vetëm pensionistët që jetojnë në Shqipëri edhe ata jashtë kërkojnë vazhdimisht informacion rreth rritjes së pensioneve. Qeveria Shqiptare po shikon mundësinë që krahas rritjes së pagave të ulta, të ketë edhe rritje të pensioneve minimale. Si tregues mbështetës për vendosjen e masës përkatëse, rol luan edhe turizmi. Mirëpritja e turistëve shënon sukses në vend. Pas negociatave me Bankën Botërore, rritja e pensioneve minimale pritet të fillojë në vjeshtë.
“Shifrat janë të kënaqshme dhe pozitive thotë për median shqiptare deputetja Pranvera Resulaj”. Por shtetasit shqiptarë nuk janë duke parë gjë akoma. Flitet që të mos ketë pension nën 15.000 mijë lekë në muaj dhe kjo mbetet për t’u konkretizuar brenda vitit duke bërë dhe një diferencim të pensioneve në fshat dhe qytet, si dhe të rezidentëve brenda dhe jashtë vendit, ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri.
Tërheq vemëndjen fjala diferencim i pensioneve për pensionistët që jetojnë jashtë vendit, “ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri”. Lirisht lind pyetja pse pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë (dikur jetuar në fshat apo qytet) nuk do të jenë prioritet i qeverisë, e për ta duhet të bëhen diferencime. Mos vallë ata ushqehen me lugë floriri jashtë, apo i’u bien paratë nga qielli. Të punësuarit jashtë nuk është e lehtë, nëse nuk të mbështet dikush, për pak kohë e shikon tjetrin në rrugë të madhe e në mjerim, shkon Marshalli i Zonës e i vendos dyllin bravës së banesës.
Në një bisedë mes biznesmenit Saimir Mane dhe gazetarit Berat Buzhala, biznesmeni i tha “Apartamentet në Shqipëri së shumti blihen nga të huajt”. Çfarë tregon se edhe pensionistët shqiptarë që jetojnë jashtë nuk janë pasuruar aq, sa të jenë në gjendje të blejnë një apartament në vendin e tyre të lindjes. Një pensionist jashtë edhe pse në moshë madhore i duhet të bëjë punë të dytë për mbijetesë, apo jetë më të qetë se sa në Shqipëri. Ka raste kur fëmijët kanë të ardhura të mjaftueshme, ndihmojnë financiarisht edhe prindërit e tyre, por jo të gjithë. Pasi si në Shqipëri e kudo ka shumë prindër që abandonohen nga fëmijët e tyre.
Vendimet nga ana qeverisë nuk mund të merren a priori. Në negociatat për përfitime, ligje dhe vendimarrje të rëndësishme të pranishëm në Shqipëri duhet të jenë edhe përfaqësues të diasporës. I përket atyre të ngrejnë zërin edhe për të drejtat e pensionistëve, të tregojnë standartet e jetës në emigracion, si zhvillohet jeta jashtë, sa janë të punësuar, sa janë në pension, sa janë të pa aftë për punë etj.
by s p

Dr. Erion Dasho/
Është lajmëruar se nesër Borati do të bëjë takim me shefat e shërbimeve në QSUT. Keqardhje për profesorët dhe kolegët që nuk kanë guximin të bojkotojnë:
》abuzuesin me 500 milionë euro nëpërmjet katër koncesioneve mashtruese…
》të papërgjegjshmin që tentoi ta drejtojë QSUT-në me klarinetistë…
》akaparuesin që i ka vendosur mjekët nën tutelën e koordinatorëve patronazhistë…
》demagogun që paraqet lyerjen e mureve dhe pllakat si “reforma” dhe “investime në infrastrukturë”…
》intrigantin që sajon nga hiçi skandale për të mbuluar skandalet dhe abuzimet e përbindshëm ku është zhytur ai vetë, familjarët e tij dhe ortakët e tij politikë.
Mjekët e dinë shumë mirë se me këtë mashtrues të paskrupullt nuk ka zgjidhje për problematikat e mprehta as në QSUT, as në sistemin shëndetësor, as për pacientët, as për mjekët.
Vetëm duke qëndruar së bashku kundër Boratit, klarinetistëve dhe balerinave të veta, duke e bojkotuar ose vendosur me shpatulla për muri atë dhe puthadorët e vet në QSUT, duke dënuar e syrgjynosur Rilindjen dhe boratët, do të ketë shpresë për të nisur rimëkëmbjen e shëndetësisë.
Me Boratin dhe boratët nuk ka të tashme dhe nuk mund të jetë të ardhme për shëndetësinë, sikundër nuk ka të ardhme për krejt Shqipërinë! Uroj që kolegët e QSUT-së ta kuptojnë këtë…
by s p

Bujar Leskaj/
Sipas të dhënave të INSTAT nga Censi i viti 2023, popullsia në Shqipëri është 2.4 milionë banorë. Duke patur parasysh që Censi i vitit 2011 rregjistroi një popullsi prej 2.8 milionë banorë, sipas INSTAT, i bie që të jenë larguar nga vendi në 12 vitet e fundit vetëm 430 mijë banorë, duke qenë se diferenca vjetore mes lindjeve dhe vdekjeve natyrore ka qenë tek ne rreth 2000-2500 vetë.
Sipas të dhënave nga EUROSTAT, Diaspora e Re shqiptare në vendet e Bashkimit Evropian numëron 1.68 milionë vetë dhe nga Shqipëria janë larguar në 12 vitet e fundit mbi 900 mijë banorë, vetëm në vendet e Bashkimit Europian, pa përfshirë këtu ata që janë larguar në Britaninë e Madhe, Kanada, Autrali, SHBA etj, për të cilët nuk ka një llogaritje zyrtare.
Ky përbën një përgënjeshtrim shumë serioz të EUROSTAT, ndaj shifrare të ofruara nga INSTAT për Censin 2023, pas 8 muajve vonesë. Numri real i popullsisë ka qenë një çështje shumë e diskutuar, si pasojë e largimeve të shumta nga Shqipëria në 12 vitet e fundit.
I. INSTAT ka shkelur Kodin e Statistikave të Bashkimit Evropian
Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023 nuk mund të shpallen përpara qershorit 2024 është krejt e pabazuar dhe e pakuptimtë. Ajo përbën një kambanë të fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që ky institucion do të na japë ne fund te ketij muaji.
Pagojësia e INSTAT për të dhënë shkaqet e vonesës dëshmon praninë e presioneve të forta politike dhe porosinë-urdhër që institucioni ka marrë nga sekti Rama dhe vetë “Lideri Global”, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetojë, përmes Censit 2023, braktisjen masive të vendit!
Është ky urdhër që e ka detyruar këtë institucion të pavarur kombëtar, të shkelë Kodin e Statistikave të Bashkimit Evropian, i quajtur Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane (https://ec.europa.eu/…/european-statistics-code-of… ), i cili flet për parimin themelor të “neutralitetit”, pavarësise në procesin e prodhimit të statistikave evropiane, pa asnjë presion politik apo nga grupe të tjera të interesuara.
Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane sanksionon qartë se institucioni që prodhon statistika kombëtare nuk lejohet të kërkojë ose të pranojë udhëzime nga qeveria, autoritetet e tjera shtetërore, partitë politike ose grupet e tjera të interesit. Aq më tepër, kur këto “udhëzime” janë presione të forta politike e madje urdhëra.
INSTAT ka vonuar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj, pasi qeverisë së sektit Rama nuk i intereson të dijë sa kemi ngelur. Dhe tani, INSTAT del me manipulimin e rezultatit. Sa turp për këtë institucion!
II. Pse kjo vonesë absurde prej tetë muajsh?
Këtë veprim e përforcon dhe më tepër fakti që, edhe kur u zhvillua Censusi në tetor 2023, pasi u shty dy herë, rezultatet INSTAT i nxjerr rreth 8 muaj më vonë, me një arsyetim totalisht të pabesueshëm: “Të dhënat duhen të jenë të sakta”(?!).
Po pse, nuk i paska patur të sakta Kosova rezultatet e Censit të saj, të zhvilluar nga data 4 prill 2024 deri në datën 24 maj 2024? Më datë 27 maj Kosova ka dhënë popullsinë e saj rezidente si numër, ndërsa më 12 korrik 2024 do të publikojë të dhënat më të detajuara paraprake (afërsisht për 7 javë).
Nuk i paska patur të sakta Mali i Zi rezultatet e Censit të tij, që e zhvilloi nga data 3 deri në datën 30 Dhjetor 2023 dhe i publikoi rezultatet paraprake më 25 janar 2024, pra në më pak se një muaj?
Apo Serbia, që e zhvilloi Censin nga data 1 deri më datën 31 tetor 2022 dhe i publikoi të gjitha rezultatet për 7 javë, më datë 21 dhjetor 2022?
Është shumë e rëndësishme të theksoj se Censi i fundit në Shqipëri u mbajt në tetor 2011. Ai u zhvillua pa praninë e teknologjisë digjitale dhe megjithatë, të dhënat paraprake të tij u shpallën zyrtarisht në dhjetor 2011. Pra, vetëm tre muaj edhe pse ishte tërësisht jo digjital, INSTAT-it të asaj kohe iu deshën vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.
Sot INSTAT jep një shifër totalisht të pabesueshme, nisur nga të dhënat indirekte, të publikuara nga EUROSTAT. Jep një shifër të manipuluar, edhe pse e di se mbi këtë shifër do të realizohet çdo politikë ekonomike dhe sociale për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Shpopullimi masiv i Shqipërisë tashmë është i dokumentuar në databazën e të dhënave të vendeve ku kanë emigruar, i çertifikuar nga EUROSTAT dhe INSTAT-it nuk i ngelet veçse të turpërohet për këtë që ka bërë.
III. Pse INSTAT humbi besimin dhe emrin e tij të mirë?
Më duhet të pohoj me keqardhje se INSTAT humbi besimin dhe emrin e tij të mirë në publik dhe mes të gjithë veprimtarëve shoqërorë dhe ekonomikë, duke mos publikuar në kohë të dhënat kryesore të numërimit të popullsisë, Censit 2023, si dhe duke manipuluar sot treguesin kryesor te Censit, numrin e popullsise rezidente sot ne Shqiperi.
Këto rezultate janë shumë të rëndësishme për të gjithë veprimtarët shoqërorë dhe ekonomikë të vendit, për institucionet publike, për vendim-marrësit publike ne nivel qendror dhe vendor, për opozitën, shoqërinë civile, mediat dhe opinionin publik.
Rezultatet influencojnë direkt politikat e asistencës sociale, të nxitjes së punësimit, të përcaktimit të minimumit jetik zyrtar, të vendim-marrjes së sipërmarrjeve publike sh.a. dhe sipërmarrjeve private, etj..
Përmes këtyre rezultateve, mund të gjykojmë, për shembull, përse administrata vendore vijon të fryhet dhe zgjerohet, në një kohë kur që nga viti 2011, koha e Censit të fundit, popullsia e vendit, nga 2.8 milionë banorë është ulur ndjeshëm.
Të dhënat reale mbi numrin e popullsisë në qarqe të ndryshme, sidomos ato në zona të largëta të vendit, ku popullsia është përgjysmuar ose pakësuar edhe me një të tretat, do të ndihmonin në shtimin e kujdesit, fondeve dhe vëmendjes së qeverisë qendrore, ndaj rajoneve, bashkive dhe zonave ku shpërngulja e qytetareve është më e madhe.
Me vonesën 8 mujore nga nëntori 2023, deri në fund të qershorit 2024, INSTAT ka dëmtuar të gjitha këto procese jetike, për t’i siguruar vendit një vendim-marrje të orientuar nga politikat e sakta sociale dhe të zhvillimit të balancuar ekonomik.
Në shkurt 2024, në përgjigjen publike drejtuar një deputeti të opozitës, lidhur me arësyet e vonesës në publikimin e të dhënave të Censit 2023, INSTAT shpjegon se nuk ka asnjë vonesë, pasi publikimi i rezultateve të Censit 6 muaj pas përfundimit të proceseve të terrenit, mbledhjes së të dhënave dhe anketës së post-Censit, janë afatet më të afërta për publikimin e të dhënave të Censit sipas standardeve ndërkombëtare (Regulation (EC) No.763/2008 on Population and Housing Censuses.
Referimi i Direktivës së Komisionit Evropian Nr. 763/2008 mbi Censuset e Popullsisë dhe Banesave nuk është i saktë. Në fakt, për fat të keq, ai po i shërben si një gjethe fiku INSTAT!
Afatet e dhëna janë në funksion të drejtpërdrejtë të madhësisë së një Shteti Anëtar të BE-së, të vështirësive të terrenit ku mblidhen të dhënat, etj.
Referencat e kohëzgjatjes së Censit për një vend me karakteristikat e Shqipërisë, nëse do të ishte Shtet Anëtar i BE-së, do të ishin për dy deri në maksimumi tre muaj, për publikimin e të dhënave kryesore, pas përfundimit të numërimit në terren!
IV. Shndërrimi i INSTAT në një institucion të pagojë, marionetë e sektit Rama
Teknologjia me programe kompjuterike të specializuara, e përdorur në Censin e fundit, i lejonte INSTAT të përpunonte në një kohë shumë më të shkurtër informacionin e marrë dhe të publikonte të dhënat kryesore shumë më shpejt, brënda një ose dy muajve, pra në dhjetor 2023 ose janar 2024, ndërsa për të dhënat e plota, mund të pritej edhe tre muaj, deri në shkurt 2024.
Lind pyetja, pse në Shqipërinë e epokës së internetit, ku të 7,500 intervistuesit e INSTAT u pajisën që të gjithë me tabletat elektronike për të rregjistruar dhe administruar në kohë reale informacionin e mbledhur tërësisht në mënyrë digjitale, rezultatet u shpallën në fund te qershorit 2024?
Pse e paskemi kaq të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në vend, në një kohë kur Censi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe, edhe pse, në kulmin e pandemisë nga Covid 19, te dhenat kryesore i shpalli pak muaj më vonë, në maj 2021? Pse ne duhet të presim tetë muaj, nentor 2023-qershor 2024? Sa është popullsia jonë, mbi 1.4 miliardë banorë?!
Vonesa krejtësisht e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve paraprake të Censit 2023 në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha këto rezultate i shpalli brenda 3 muajsh, hedh dyshime të forta mbi shifrat që INSTAT na dha sot.
INSTAT, me vonesën e shkaktuar, është degraduar dhe deformuar. Është kthyer në një institucion të pagojë, institucion-marionetë i sektit Rama, i paaftë të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, duke humbur emrin e tij të mirë, të fituar në dekada kontribute.
by s p

Artan Nati/
Në fund të shekullit të 19-të, Herbert Spencer propozoi teorinë e tij të Darvinizmit Social, duke pretenduar se idetë e shfaqura rreth përzgjedhjes natyrore, trashëgimisë biologjike në mbretërinë e kafshëve mund të përdoren për të shpjeguar hierarkitë sociale dhe racore në popullatat njerëzore. Darvinizmi social parashtron se shoqëria njerëzore është e përfshirë në konkurrencë të vazhdueshme midis hierarkis sociale të përcaktuar nga ‘mbijetesa e më të përshtatshmit’ dhe pjesës tjetër të popullsisë. Kjo mbijetesë e më të përshtatshmit në terma mekanikë, është ajo që Darvini e ka quajtur ‘përzgjedhje natyrore’, ose ruajtja e racave të favorizuara në luftën për jetë. Për Spencer-in dhe mendimtarët e mëvonshëm të eugjenisë(shkencës së geneve) dhe ‘shkencës së racës’, ndërhyrjet sociale për të përmirësuar kujdesin shëndetësor, edukimin si dhe kushtet minimale të jetesës, nuk ishin produktive sepse sipas tyre natyra kishte bërë seliksionimin e vet. Ata e shihnin këtë fakt si justifikim të pasurisë së krijuar nga shtresa e pasur dhe varfërisë dhe mjerimit të klasave të ulëta. Në realitet është krejt e kundërta sepse shumë njerëz të varfër kanë ikur nga Shqipëria vitet e fundit, por edhe nga vendet e tjera në USA ose në Europën perëndimore dhe kanë arritur të krijojnë mirëqënie dhe prosperitet jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për shoqërinë.
Fakti që kushtet e pabarabarta, që idetë e Spencer-it në dukje justifikonin, ishin rezultat i kapitalizmit liberal, pa supervizionin e institucioneve të pavarura dhe shance jo të barabarta për të gjithë. Ky model është i ngjashëm me kapitalizmin aktual në Shqipëri, ku suksesi garantohet nga tarafi, korrupsioni dhe mungesa totale e humanizmit, në kontrast me kapitalizmin liberal në shoqërinë e sotme perëndimore që bazohet në humanizëm dhe të drejtat dhe barazinë e mundësive për individin.
Në ditët e sotme, Darvinizmi Social dhe pasardhësit e tij ideologjikë, eugjenika dhe ‘shkenca racore’, portretizohen si koncepte të hedhura në koshin e plehrave të historisë për shkak të lidhjes së tyre me nazizmin, Holokaustin dhe (mjerisht, në një masë më të vogël) mizoritë e kryera në emër të Imperializmi evropian. Jo tamam kështu sepse ai egziston në Shqipëri dhe disa vende të Ballkanit perëndimor, në dukje demokratike.
Çështja e ndërlikuar është fiksimi i rrënjosur thellë i shoqërisë sonë se suksesi ose dështimi është rezultat i vetëm përpjekjeve individuale dhe përgjegjësisë personale, edhe nqs individi përdor afera korruptive ose mafioze konsiderohet si sukses i merituar. Ky botëkuptim injoron rrjetin kompleks të faktorëve socialë, ekonomikë dhe kulturorë që formësojnë trajektoret tona, duke i bërë të padukshme barrierat dhe avantazhet sistematike që ndikojnë thellësisht mundësitë dhe rezultatet tona.
Duke përqafuar këtë mit të “individualizmit”, ne e çlirojmë veten nga përgjegjësia kolektive për të trajtuar pabarazitë themelore që përshkojnë sistemet dhe institucionet tona. Ne e vendosim barrën e suksesit ose dështimit drejtpërdrejt mbi supet e individëve, mgjs ata mund te kenë lidhje te dyshimta me politikën apo me krimin e organizuar, duke injoruar me lehtësi rolin që luajnë privilegji dhe rrethanat në formësimin e rrugëve të tyre.
Duke mbështetur këtë narrativë të rremë, ne përjetësojmë vetë pabarazitë dhe padrejtësitë që sistemi ynë pretendon të korrigjojë. Konceptimi I veseve si virtyte dhe anasjelltas është një nga problemet më të thella të shoqërisë sonë, e cila reflekton në politikë dhe ekonomi. Mungesa e shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura ka mundësuar tribalizmin dhe kulturen klanore tipike e shoqërive parademokratike..
Atyre të lindurve në privilegj u jepet një ndjenjë e të drejtës dhe vlefshmërisë, suksesi i tyre i atribuohet vetëm meritave të tyre, ndërsa ata që luftojnë për të mbijetuar përjashtohen si pa shtysën ose talentin e nevojshëm. Kjo narrativë, jo vetëm përforcon strukturat ekzistuese të pushtetit, por shërben edhe për të justifikuar dhe përjetësuar pabarazitë sistematike të shoqërisë sonë. Për më tepër, duke u kapur pas mitit të meritokracisë, ne e çlirojmë veten nga përgjegjësia për të trajtuar shkaqet rrënjësore të pabarazisë dhe për të krijuar mundësi të vërteta dhe të barabarta për të gjithë. Ne bëhemi të vetëkënaqur me iluzionin e drejtësisë, ndërkohë që mbyllim një sy ndaj realiteteve të ashpra që kundërshtojnë këtë narrativë.
Në Shqipërinë komuniste të pas luftës së dytë botërore komunistët e shfrytëzuan Darvinizmin Social duke i dhënë atij ngjyrim ideologjik nëpërmjet luftës së klasave. Nëpërmjet luftës së klasave komunistët donin të justifikonin padrejtësitë e tyre ndaj kundështarëve të tyre politikë si edhe grabitjen e pasurisë të shumë biznesmenëve dhe tregëtarëve të suksesshëm të kohës, të cilët kundështuan komunizmin. Gjithashtu nëpërmjet luftës së klasave ata donin të justijikonin pabarazinë e re të krijuar nga pashallarët e kuq në kurriz të njerëzve të thjeshtë që i kishin shndërruar në skllevër modernë.
Në se Darvinizmi është shkencë dhe produkt i teorisë së Darvinit të përmbledhur më së miri si “mbijetesa e më të përshtatshmit”, Darvinizmi Social është pseudo-shkencë dhe ka shërbyer si një bazë e komunizmit dhe ideologjisë nacional-socialiste (naziste). Ndyshimi më themelor që autokratët, diktatorët dhe komunistët në Shqipëri, por edhe kudo në botë, harrojnë me qëllim është se konkurenca e pandershme për njerëzit, ose darvinizmi në natyrë, është ligji i xhunglës, ndërsa kooperimi është ligji i civilizimit. Shqipëria pas përmbysjes së diktaturës komuniste kaloi në një sistem demokratik të stilit perëndimor ose më saktë një kopje e shëmtuar e tij. Demokracia në vetvete nuk funksionon, biles është e dështuar. Janë institucionet që bëjnë të mundur funksionimin e saj dhe më e rëndësishmja është se këto institucione duhet të jenë të pavarura. Shqipëria edhe sot vazhdon të ketë institucione të varura nga politika, biles edhe biznesmenët e suksesshëm përcaktohen nga politika. Kjo e kualifikon Shqipërinë si një vend tipik ku mbretëron darvinizmi social dhe politik, ku suksesi i individit përcaktohet nga lidhjet e ngushta me politikën dhe anasjelltas. Mungesa e garës së hapur në partitë politike, në postet shtetërore si edhe tenderat publikë e ka kthyer vendin tonë në një republikë bananesh ku mbretëron ligji i xhunglës dhe aspak ligji i kooperimit apo i civilizimit. Drejtësia e re e aplikuar në vend po nxjerr në pah Darvinizmin Social dhe politik në vend, kulturën bizantino-komuniste të shoqërisë sonë, por edhe emergjencën e ndërrimit të elitave në Shqipëri. Ngjarjet e kohëve të fundit në qeveri, ku “ministrat hanë dardha pas kurrizit të Ramës”, apo divorci fiktiv ose jo i ish presidentit, si edhe përpjekjet për trashëgimin e Partisë Demokratike te anëarët e familjes tregon se e gjithë kjo tallava është kthyer në një tragjedi për elitën egzistuese, në një komedi por edhe shpresë për popullin, por edhe në një domosdoshmëri për ndërrimin e elitave nqs mund t’i quajmë të tilla.
Jeta nuk është kurrë perfekte. Do të ketë gjithmonë disa elementë të padrejtë në realitet. Shoqëria, politika dhe institucionet e pavaruara duke patur në qendër humanizmin dhe individualizmin duhet të krijojnë fillim sa më të barabartë dhe rezultati do të përcaktohet nga talenti.