Gjeneral ® Piro Ahmetaj/
Lista e oportuniteteve si dhe rreziqeve të sigurisë, jo vetem është e ndërvarur por po dominohet gjithnjë e më shumë nga zhvillimet e industrisë elektronike. Po cfarë është konkretisht dhe si funksionon teknologjia “Deepfake” ? Cilat janë oportunitetet që ofron si dhe rrezikshmëritë që mbart “Deepfake” ?
Kush janë disa raste/skenarë të ndryshëm të përdorimit apo dhe të shpërdorimit të saj ? Si mund të dallohet një video reale nga një video-fake (?); si mund të përballet Institucionet, shoqëria dhe qoftë dhe individi me “DeepFake” ? Si mund të përballet bota, rajoni, vendet, dhe Shtetet nga këto rreziqe si dhe mire adresojnë oportunitetet ? Cila është ardhmja e saj? Këto e shumë pyetje të tjera do të jenë subjekt i këtij shkrimi që po trondit botën dhe që pritet të ketë impakte edhe me të mëdha.
Një histori e shkurtër e shpikjes së “Deepfake”. Termi “deepfake” është një kombinim i fjalëve “deep learning” (mësim i thelluar) si dhe “fake”, pra fals, ose jo e vertetë. Kjo teknologji e re filloi të marrë vëmendje në vitin 2017, kur një përdorues i forumit online Reddit filloi të postonte video të rreme të krijuara përmes një teknike të re të Inteligjencës Artificiale (AI). Këto video, që dukeshin tërësisht autentike, por në fakt ishin të manipuluara, ishin fryt i algoritmeve të sofistikuara në rrjetet artificiale duke i mbivendosur fytyrat e njerëzve perfshi Kryetare Shtetesh, personalitete, gazetare te njohur, etj në video të ndryshme.
Origjina e “Deepfake” mund të gjurmohet tek avancimet në fushën e “deep learning”, një degë e inteligjencës artificiale që fokusohet në ndërtimin e modeleve që mund të mësojnë nga të dhënat për të kryer detyra specifike. Në thelb, teknologjia përdor një lloj rrjeti nervor të quajtur “rrjete gjenerative kundërshtare” (GANs), që përbëhet nga dy rrjete: një rrjet “gjenerues” që krijon përmbajtje të re dhe një rrjet “diskriminues” që përpiqet të dallojë nëse përmbajtja është e vërtetë apo false. Kjo marrëdhënie konkurruese mes rrjeteve lejon krijimin e imazheve dhe videove që janë gjithnjë e më të besueshme.
Si funksionon “Deepfake” ? E thënë më qartë, “Deepfake” bazohet në përdorimin e inteligjencës artificiale dhe “mësimit të thellë” për të analizuar dhe riprodhuar fytyra, zëra dhe lëvizje në mënyrë të tillë që të duken reale. Procesi fillon me mbledhjen e një numri të madh imazhesh ose videosh të personit që do të përdoret si model. Këto të dhëna pastaj përdoren për të trajnuar një model të mësimit të thellë që mund të gjenerojë fytyrën e këtij personi në kontekste të ndryshme.
Softuerët për krijimin e Deepfake përfshijnë ndër të tjera: Nga viti 2017 janë përmirësuar ndjeshëm softuerët (sistemet elektrinike) për gjenerimin e teknologjisë “Deepfake”. Më të përdorurit deri tani janë: FakeApp: Një nga programet e para të krijuar posaçërisht për “Deepfake”, që u bë shumë popullor në vitin 2018. Faceswap: Një projekt me kod të hapur që lejon përdoruesit të shkëmbejnë fytyrat në video duke përdorur qeliza dhe rrjete nervore të thella. DeepFaceLab: Një tjetër mjet i fuqishëm që përdoret për krijimin e Deepfake dhe që është i popullarizuar në komunitetin online. Është për tu theksuar që teknologjitë e Deepfake po zhvillohen me shpejtësi të paparashikueshme…
Përdorimi ne ditet e sotme i Deepfake. Në fillim, “Deepfake” u përdor kryesisht për argëtim, me përdoruesit që krijonin video humoristike duke manipuluar imazhe për efekte vizuale. Megjithatë, me kalimin e kohës, përdorimi i kësaj teknologjie u zgjerua dhe u diversifikua. Aktualisht, “Deepfake” po përdoret me sukses në disa fusha:
Në Industrinë e Filmit dhe Argëtimit: “Deepfake” po përdoret për të gjeneruar efekte vizuale, për të ringjallur aktorë të vdekur ose për të ndryshuar pamjen e aktorëve pa pasur nevojë për makiazhe ose animacione. Të gjithë kemi parë filma me skena dhe efekte speciale që janë realisht të pamundura. Sot këto efekte bëhen të mundura falë përdorimit të teknologjisë Deepfake.
Në Marketing dhe Reklamim: Kompanitë po përdorin Deepfake për të krijuar fushata marketingu më të personalizuara dhe për të përmirësuar përvojën e klientit.
Në Arsimim: Disa institucione arsimore po eksplorojnë përdorimin e Deepfake për të krijuar materiale mësimore më tërheqëse dhe interaktive.
Disa raste konkrete të “Deepfake”: Megjithëse “Deepfake” ka potencial të madh për të sjellë inovacione pozitive, ekziston një anë e errët e kësaj teknologjie që nuk mund të injorohet. Një nga rreziqet më të mëdha është përdorimi i saj nga individë ose grupe me qëllime të këqija. Për shembull, liderët politikë ose figurat publike mund të bëhen viktima të videove të rreme që i portretizojnë ata duke thënë ose duke bërë diçka që nuk e kanë bërë kurrë ose në forma me sens pexhiorativ.
Ka pasur disa raste të bujshme të përdorimit të Deepfake që kanë nxitur diskutime të gjera. Disa prej tyre që kanë lënë gjurmë kohët e fundit, janë:
P.sh, video të tilla manipuluese dhe shantazhuese ndaj kryeministrit Rama mund të shihen në YouTube në sitin https://www.youtube.com/watch?v=PPi-umUdaNI apo ndaj kryeministres Meloni në https://www.youtube.com/watch?v=D7BrX99USQw etj, apo edhe ato të liderëve të vendeve të NATO-s me kallash në dorë si luftënxitës. Po ashtu edhe ndaj kryeministrit Kurti të Kosovës, të cilat mund ti gjenden lehtësisht ne rrjetet sociale.
Videot Deepfake nuk i kanë shpëtuar as presidenti Biden, apo kryeministri Trudo, si dhe Putini apo Kim Jong Un, aktorët Morgan Freeman apo Tom Cruise, Mark Zuckenberg, Elon Musk, etj. Në një botë ku lajmet përhapen me shpejtësi përmes mediave sociale, një video Deepfake e krijuar me cilësi mund të ketë pasoja të rënda, duke përhapur dezinformim dhe shkaktuar konflikte politike ose ushtarake midis vendeve.
Gjithashtu, Deepfake mund të përdoret në sulme ndaj privatësisë së individëve. Krijimi i videove të rreme pornografike me figura publike apo njerëz të zakonshëm është një shembull i tmerrshëm i kësaj teknologjie. Përdorimi i Deepfake për shantazh, përhapjen e informacioneve të rreme ose për të manipuluar opinionin publik është një sfidë serioze për shoqëritë moderne.
Një video e rremë e presidentit të SHBA: Një video Deepfake u publikua në internet, duke treguar presidentin amerikan që shpallte një politikë të shpifur radikale. Kjo video u zbulua se ishte e rreme, por vetëm pasi kishte shkaktuar një debat të madh publik dhe një alergji për presidentin. Një video të tillë mund ta shikoni në Youtube në sitin: https://www.youtube.com/watch?v=AmUC4m6w1wo&t=13s
Fushata elektorale: Në disa vende, teknologjia Deepfake është përdorur gjatë fushatave elektorale për të manipuluar pamjet e kandidatëve politikë, duke krijuar imazhe të rreme që ndikonin në perceptimin publik, duke dhënë shije negativiteti për ta, dhe deri në përmbysje të rezultatit të votës së lirë e shoqëruar me revolta popullore që nuk dihen si përfundojnë. Ju mund ta verifikoni këtë fakt në: https://www.youtube.com/watch?v=B4jNttRvbpU&t=226s
Mashtrime financiare: Në disa raste, deepfake është përdorur për të manipuluar videot e drejtuesve të kompanive të mëdha, duke çuar në mashtrime financiare dhe humbje të mëdha për kompanitë dhe individët. Kjo ka çuar në përplasje të mëdha të bankave me bizneset e mëdha ku bëhet fjalë për transferta tepër të mëdha dhe çështje që kanë përfunduar në gjyq. Mund ta shikoni një video të tillë në sitin: https://www.youtube.com/watch?v=3tI_4QzyhE8
Tre skenarë të mundeshem/hipotetikë “Deepfak”:
Skenari 1. Shpërndahet një video “Deepfake” ku Putini deklaron se Rusia i ka shpallur luftë Amerikës dhe NATO-s duke e akuzuar ato për furnizimin me armë të Ukrainës. Në video qe duket si reale, Putini thotë se ka aktivizuar lëshimin e mbushjeve bërthamore drejt 32 kryeqyteteve të vendeve të NATO-s, perfshi (ose) përjashto SHBA. Bota dhe institucionet e sigurisë globale, Rajonale, dhe Kombëtare do te futeshin në një kaos të vërtetë. Qytetërimi dhe qytetarët do presin me ankth çfarë do të ndodh më tej…
Skenari 2. Është mbrëmja e datës 4 Nëntor një ditë para zgjedhjeve elektorale ne SHBA. Është ditë heshtjeje elektorale. Po këtë mbrëmje, CNN, Fox News dhe YouTube shfaqin në televizion një video ku del ish Presidenti Trump i cili thotë që jep dorëheqjen nga gara elektorale. I gjithë elektorati i tij, që e kishte ndjekur me besnikëri gjatë fushatës elektorale, është esktremisht i zhgënjyer dhe i revoltuar. Çfarë ka ndodhur me të? Të gjithë janë në pritje se ç’mund të ndodh më tej. Koha është tepër e kufizuar. Një kaos i vërtetë në vendin simbpl te besimit te demokracisa botërore !
Skenari 3. Në një video që doli para një viti në Ukrainë, shohim Presidentin Zelenski që u bën thirrje trupave ukrainase të dorëzojnë armët dhe të vihen në dispozicion të forcave Ruse. Kjo video krijoi jo pak pështjellim në Ukrainë dhe forcat e armatosura mbi vërtetësinë e saj. Pas analizës së bërë nga ekspertë të NATO-s, doli se kjo video ishte Deepfake dhe ishte prodhuar nga Rusët për të krijuar konfuzion në Ukrainë. Ata që janë të interesuar, mund ta shikojnë këtë video në sitin e mëposhtëm në Youtube: https://www.youtube.com/watch?v=X17yrEV5sl4
Morëm vetëm tre skenarë të mundshëm, por si skenarët e mësipërm mund të imagjinohen me dhjetëra skenarë të tjerë me peshe globale, në rajone të brishta të Ballkanit perendimor, apo kombetare Ky rajon, sa të dalë e vërteta, mund të ndizet shumë shpejt, dhe situata mund të precipitojë deri ne masen ekstreme qe nuk mund të ketë kthim prapa. Duhet të përgatitemi seriozisht edhe për raste të tilla që vijnë nga zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë së informacionit dhe “ddepfake.
Po si mund të identifikohet/dallohet një video Deepfake? Në fillesat e saj shumë video “Depfake” mund të dalloheshin edhe me sy të lirë, por kohët e fundit ato janë sofistikuar shumë. Tani gjithmonë e më shumë, ka shumë raste që videot bëhet aq origjinale sa edhe ekspertët më të mirë me vështirësi e dallojnë atë.
Ekspertët që e kontrollojnë autenticitetin e një video për DeepFake duhet të jenë më të mirë se ata që e kanë krijuar atë dhe duhet të përdorin teknologji më të mirë se prodhuesit e tyre. Sot mund të bësh video për këdo dhe mund të shkaktosh dëme të konsiderueshme për individin, shtetin apo deri sa të krijosh trazira dhe konfuzion në nivel global.
Është e pafundme imagjinata njerëzore për të krijuar video me përmbajtje të rrezikshme e për të shkaktuar dëme të paimagjinueshme. Për efekte të tilla, shikoni videon në sitin e mëposhtëm: https://www.youtube.com/watch?v=aPTnq_1hWDE
E ardhmja e “Deepfake”. E ardhmja e “Deepfake” mbetet e pasigurt dhe varet shumë nga mënyra se si shoqëria do të zgjedhë të përballet me këtë teknologji. Sic e permendëm me lartë, në një anë, “Deepfake” ka potencialin për të revolucionarizuar industrinë e argëtimit dhe të marketingut, duke sjellë përvoja më të personalizuara dhe të sofistikuara për përdoruesit. Në anën tjetër, rrit rreziqet për privatësinë, sigurinë dhe demokracinë janë të konsiderueshme. Ka një nevojë urgjente për zhvillimin e paketes ligjore, rregullave të perdorimit si dhe teknologjive mbrojtëse që mund të identifikojnë dhe ndalojnë përhapjen e përmbajtjeve “Deepfake”. Ky vit dhe ai në vijim janë një vit zgjedhor në shumë shtete të botës.
Vetëm para dy ditësh shteti i Kolorados në SHBA i parapriu me një ligj ndaj rasteve Deepfake në zgjedhjet e 5 Nëntorit. https://www.youtube.com/watch?v=FLkNgUfx0xo . Ky ligj parashikon masa të rrepta atyre që abuzojnë me këtë teknologji. Po ashtu, ai përfshin masa për përdorimin e algoritmeve të zbulimit të Deepfake, rritjen e edukimit publik për rreziqet e kësaj teknologjie dhe forcimin e masave parandaluese për të mbrojtur viktimat e abuzimit me Deepfake.
Në përfundim, teknologjia “Deepfake” është një thikë me dy presa që mund të sjellë përfitime të mëdha, por që mund të paraqes edhe rreziqe të mëdha për shoqërinë. Rritja e ndërgjegjësimit dhe zhvillimi i masave mbrojtëse janë kyçe për të siguruar që “Deepfake, ose videot e rreme” të përdoret në mënyrë të përgjegjshme dhe etike në të ardhmen. Po ashtu, krijimi i mekanizmave dhe një grupi ekspertësh që të menaxhojnë situata “Deepfake” mbetet i domosdoshëm.
Nuk ka kurrësesi as vende as shtete imune, pasi “Deepfake” nuk afekton vetëm Amerikën, Wall Street-in apo Hollywood-in. Prandaj edhe dy shtetet sovrane (RSh dhe R.Kosovës) të një kombi të vetëm, nuk kanë kohë për të humbur, por duhet të mendojmë dhe veprojnë qysh tani, jo kur apo pasi të ketë ndodhur diçka.
Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:
Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,
Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,
Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.