
Jusuf Buxhovi/
(Kujtime, dëshmi, biseda)
Paslufta paraqet gjendje të kthesave të ndryshme, nga ato të epokave e deri te historiket, që jo gjithnjë kanë sjellë ndryshime pozitive, veçmas kur janë kthyer në përmbysje rendesh shoqërore me koncepte fetare apo ideologjike. Pasluftat e mia, e para, nga gushti i vitit 1946 (kur kam lindur) e deri në qershor të vitit 1999, ishte epokë ideologjike, me një monizëm të mbështetur mbi faktorin klasor në rrethanat e Jugosllavisë socialiste vetëqeverisëse. E dyta, nga qershori i vitit 1999 e deri në gusht të vitit 2026, ishte kohë e tranzicionit shoqëror, politik dhe kulturor, jashtë ombrellës së shtetit jugosllav të shpërbërë në vitin 1991, fillimisht përmes protektoratit ndërkombëtar të vendosur në përputhje me Rezolutën e KS të OKB-së 1244 nga 10 qershori 1999 dhe shtetit të pavarur të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 për të ardhur deri te viti 2026.
Paslufta e parë dhe e dyta, kanë fazat e caktuara identifikuese, të dallueshme për nga zhvillimet dhe ndryshimet që sollën ato. Faza e parë, nga fillimet e vitit 1949 e deri në vitin 1966 , u përjetua si kohë nën Serbi. Faza e dytë, nga viti 1966 deri në vitin 1981, u pa si kohë nën Jugosllavi, pjesë e federalizmit të saj, në shërbim të subjektivitetit të saj institucional me të drejtën e konsensusit në Kryesinë e shtetit.
Ndërsa faza tjetër – nga viti 1981 deri në vitin 1989, kohën jugosllave e ktheu në ripushtim serb.
Faza e fundit e këtij zhvillimi, nga viti 1989 deri në vitin 1999, paraqet rrugëtimin shtetndërtues të Kosovës, me shtetin paralel në kuadër të lëvizjes institucionale-paqësore-aktive, e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në bashkëveprim edhe me spektrin e gjerë politik përreth, nga themelimi i saj më 23 dhjetor 1989, deri me vendosjen e protektoratit ndërkombëtar më 12 qershor të vitit 1999 në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Nga këndvështrimi i krijuesit dhe intelektualit të angazhuar kulturalisht dhe politikisht në lëvizjen e fundviteve të tetëdhjeta dhe të fillimviteve të nëntëdhjeta, që e vunë në binarët e pakthyeshëm shtetndërtimin tonë, mund të thuhet, pa hezitim, se çlirimi nuk u kthye në liri, se parlamentarizmi nuk u kthye në demokraci, se akulturimi përmbysi çdo vlerë kulturore, arsimi i mesëm dhe ai universitar u kthye në fabrikim të diplomave në funksion të krijimit të analfabetëve ordinarë, ndërsa migrimi masiv i popullatës jashtë vendit, arriti shkallën kur vendit po i kërcënohet “murtaja e bardhë”!
Kur thuhet kështu kihet parasysh sjellja e papërgjegjshme e klasës së gjithmbarshme politike mbas pavarësisë e deri te kjo kohë, ku shteti, në saje të angazhimit të faktorit ndërkombëtar, veçmas SHBA-ve dhe vendeve të NATO-s, është parë si një “trofe lufte”, deri te plaçka, për përfitime personale dhe klanore!
Edhe pse kronologjia e ngjarjeve mbetet pellgu kryesor prej nga marrin kah rrëfimet si kujtime, nga ato të hershmet, të rinisë, të pjekurisë dhe të moshës së fundit, vitet e shkollës fillore, në Ponoshec, aty ku vija kufirit ndante Rekën e Keqe me Malësinë e Gjakovës, shënojnë pikënisjen e rrëfimit, përbrenda një cikli kohor prej shtatëdhjetë e tri vitesh të mbushur me kthesa të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore dhe politike. Kundrimi personal i tyre, si kujtime, e ngjarje, edhe pse, të përcjella edhe me dëshmi, biseda dhe fakte, i kthen në pjesë te mozaikut që plotëson tablonë e një kapërcimi historik.
Nga aspekti metodologjik, ndërlidhja e kujtimeve me ngjarje, dëshmi, fakte historike, vështrime dhe biseda, në vepër nxjerr shumë persona historikë. Nga ky kundrim kohor i dy pasluftave, gjithnjë në përputhje me proceset shoqërore-politike që drejtuan dhe epilogun që morën ato, Fadil Hoxha dhe dr. Ibrahim Rugova shfaqen në epiqendër të shtetndërtimit të Kosovës.
Referenca, që lidhet me Fadil Hoxhën, ka të bëjë me rrethanat e LNÇ-së së Kosovës dhe veprimet e saj, midis dy zjarresh: Frontit Antifashist të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, që këtij të fundit, organizativisht i takonte LNÇ e Kosovës. Edhe në këto rrethana, e majta e Kosovës në kuadër të FN të LNÇ-së, ia doli që në Konferencën e Bujanit nga 31 dhjetori 1943 dhe 1 e 2 janari 1944, të nxjerrë një rezolutë, ku theksohej e drejta e vetëvendosjes për bashkim kombëtar.
Ndonëse kjo rezolutë u anulua me atë të Konferencës së Prizrenit, më 10 korrik 1945, prapë se prapë, ajo shërbeu si bazë që Kosova “t’i bashkohej Serbisë federale” si entitet politik autonom rajonal. Mbas Plenumit të Brioneve në vitin 1966 dhe zhvillimeve që çuan te rënia e Rankoviqit dhe konceptit unitarist serb për Jugosllavinë e pastitos, me amen-damentet kushtetuese të vitit 1968 dhe me kushtetutën e vitit 1974, Kosova u ngrit në njësi të federatës jugosllave, me të drejtën e konsensusit në Kryesinë e shtetit, gjë që atë e nxori përfundimisht nga ombrella serbe, e vitit 1945 dhe e kushtetutës serbe të vitit 1963. Pra, orbitri politik i Fadil Hoxhës, nga viti 1968-1989 lidhet me Kosovën jugosllave, ndërsa kulturalisht me Kosovën shqiptare në përmasat jugosllave.
Referenca e shtetndërtimit të Kosovës, që lidhet me dr. Ibrahim Rugovën, ka të bëjë me rolin e tij në drejtimin e lëvizjes së rezistencës kombëtare, që filloi në fund të vitit 1989, me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës – bartëse e lëvizjes institucionale-aktive paqësore, e jetësuar përmes shtetit paralel nga 1992-1999. Në këtë ndërkohë dr. Ibrahim Rugova, do të zgjedhet dy herë president i Kosovës në mënyrë plebishitare. Herën e parë, në zgjedhjet e majit të vitit 1992 dhe herën e dytë, në zgjedhjet e vitit 1998. President i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, do të rikonfirmohet edhe në rretha-nat e Protektoratit ndërkombëtar (1999-2008), në zgjedhjet e vitit 2001 dhe në ato të vitit 2004.
Ajo që ka rëndësi në kujtimet, dëshmitë dhe bisedat e këtij libri, ka të bëjë me atë se, në pjesën e parë, Fadil Hoxha dhe dr. Ibrahim Rugova, si persona historikë, në kudër të zhvillimeve të ndryshme: në njërën anë, ngritjes së statusit autonom të Kosovës nga ai rajonal i vitit 1945, te njësia federative me kushtetutën e vitit 1974 dhe rrënimit të saj nga Serbia përmes puçit kushtetues më 23 mars të vitit 1989, dhe në tjetrën anë, Shpalljes së Repub-likës së Kosovës në Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990 e deri te protektorati ndërkombëtar sipas rezolutës 1244 të KS të OKB-së, më 12 qershor 1999 – i takojnë historisë së shtetndërtimit evolutiv. Siç u pa edhe në vendimin e GJND-së më 22 korrik 2010, ky fakt i shërbeu formulimit se pavarësia e shtetit të Kosovës, e ndërlidhur me konstitucionalizmin jugosllav dhe rezistencën institucionale-aktive-paqësore, nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Në kuadër të librit, në pjesën e dytë, atë të protektoratit ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, kur Kosova, e ndihmuar nga aleatët perëndimorë, veçmas SHBA-të shpallet e pavarur, fokusimi bie mbi dy çështje, që ndikuan zhvillimet që do ta përshpejtojnë pavarësinë:
– Së pari, te protektorati ndërkombëtar përmbrenda dihomisë: siguri (KFOR) – institucione demokatike (UNMIK) si dhe konflikti etnik i vitit 2004 me pasoja tragjike, që nga dr. Rugova po edhe disa liderë të tjerë nga jashtë u vlerësua „puç i organizuar nga Beogradi dhe aleatët e saj nga radhët e grupeve staliniste për ta nxjerrë Kosovën nga rruga e pavarësisë“.
– Së dyti – te vdekja e presidentit dr. Rugova në janar 2006, që ndryshoi skenën politike të Kosovës. Veçmas për atë se LDK-ja, mbas „kuvendit të karrigave“ në vitin 2006, përçahet për t’u kthyer në patericë të PDK-së, për të vazhduar krrajatjet e brendshme me rënie të vazhdueshme deri te koha jonë. Në këto rrethana, rënia e LDK-së nga zgjedhejt në zgjedhje, ndikoi që skena politike ta humbë baraspeshën, që e kishte gjatë kohës së dr. Rugovës për t’u kthyer në një garë ku partitë politike, përgjegjësinë për konsolidimin e shtetit pas vendimit të GJND-së të vitit 2010, e kthyen në një arenë që pushteti i votës të shfrytëzohet për pushtet personal dhe të grupimeve klanore, të feudeve e deri tek ato mafioze, gjithnjë në dëm të shtetit.
Ky zhvillim degradues ndikoi që qytetarët e Kosovës ta humbin besimin tek shteti për të cilin kishin dhënë çdo gjë gjeneratat e tëra. Rrënimi i shtyllave kryesore: arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe gjyqësorit të kapur nga grupe të ndryshme politike, i hapi rrugën migrimit gjithnjë e më të madh të të rinjve po edhe të qytetarëve të tjerë, të cilët, po të mbeteshin në Kosovë, për t’u punësuar, dosido duhej të bëheshin klientelë e partive politike ose të grupeve mafioze…
Çështja e dytë, pra disonanca midis parlamentit dhe demokracisë, si dhe keqpërdorimi i institucionit që prodhon demokracinë, përmes shkeljeve dhe sjelljeve arbitrare, shfaqet edhe më shqetësuese, meqë prodhon teknokracinë, oligarkinë dhe autoritarizmin, që mund të përfundojë te “demonkracia”!
Krijuesi dhe studiuesi i pavarur, me sensin e lirisë dhe të demokracisë, si vlera themelore njerëzore po edhe shoqërore dhe politike, nuk mund të jetë gjakftohtë ndaj rrënimit të tyre nga klasa politike si dhe heshtja e intelek-tualëve ndaj tyre, ngaqë sipas Morinit, intelektualët janë përgjegjës jo vetëm për atë që ka ndodhur dhe nuk është dashur të ndodhë, por edhe për atë që është dashur të ndodhë dhe nuk ka ndodhur, gjë që i kthen në bashkëfajtorë.
Por, pozicionimi kritik, në rrethanat tona, intelektualin krijues e ballafa-qon me hipoteka denoncuese deri tek ato të linçimit publik. Nga ky këndvështrim kanë pikënisjen dy fushata linçuese. Atyre do t’u kushtohet vëmendje nga këndvështrimi krijues-intelektual, për të argumen-tuar qëndrimin e shfaqur prej kohësh, se në shtetin e Kosovës, që paraqet të arriturën më të madhe të këtij shekulli, çlirimi nuk është kthyer në liri në përputhje me sistemin e vlerave në planin shoqëror, ekonomik dhe atë politik, e as parlamentarizmi nuk është kthyer në demokraci.
Kundrimi midis të djeshmes dhe të sotmes, nuk ka për qëllim që proce-seve shoqërore-politike t’u mohohet natyra e evolucionit. Përkundrazi, ka për qëllim që të tregojë se korniza e ndryshimeve historike, nëpër të cilat kaloi Kosova, nga pushtimi serb tek çlirimi, u motivuan nga koncepte shtetndërtuese dhe assesi që shteti i fituar me mund të kthehet në plaçkë!
Gjeneratave të reja, për hir të ardhmënisë së tyre, përmes patriotizmit shtetëror dhe shtetit të ligjit, u mbetet t’ia ndryshojnë kahun këtij zhvillimi, që Kosova të përjetohet si shtet i lirë, demokratik në gjirin e familjes europiane në kudër të qytetërimit perëndimor…