
Një model zhvillimi që Shqipëria duhet ta lexojë me kujdes.
Nga Gani Vila/
Po i shkruaj këto radhë nga Cancuni i Meksikës. Jam këtu për punë, por çdo ditë që kaloj në këtë qytet më jep një arsye më shumë për të menduar për Shqipërinë. Ndonjëherë duhet të largohesh mijëra kilometra nga vendi yt për ta kuptuar më mirë se çfarë mund të bëhet në atdhe. Cancuni nuk është një mrekulli e natyrës e lënë në mëshirën e fatit. Ai është një mrekulli e vizionit njerëzor. Vetëm pesë dekada më parë kjo zonë ishte një bregdet i virgjër, me pak banorë dhe pothuajse pa infrastrukturë. Shteti meksikan hartoi një strategji kombëtare zhvillimi, ndërtoi rrugët, aeroportin, rrjetin energjetik dhe ujin e pijshëm, duke krijuar bazën që kapitali privat të investonte.
Pastaj erdhën investitorët. Kompani amerikane, kanadeze, spanjolle, franceze, gjermane dhe grupe të tjera ndërkombëtare ndërtuan resorte, hotele, marina turistike dhe qendra argëtimi. Sot Cancuni është një nga destinacionet më të vizituara në botë, me miliona turistë çdo vit dhe me qindra mijëra vende pune të krijuara drejtpërdrejt ose tërthorazi. Nuk është ndërtuar vetëm një industri turistike. Është ndërtuar një ekonomi. Kanë përfituar fermerët që furnizojnë hotelet, peshkatarët që furnizojnë restorantet, kompanitë e transportit, bizneset familjare, universitetet, shkollat profesionale dhe mijëra sipërmarrës të vegjël.
Kjo është fuqia e investimit strategjik. Teksa shoh këtë realitet, më shkon mendja tek Zverneci, Karaburuni, Ishulli i Sazanit dhe gjithë bregdeti shqiptar. Shqipëria ka një natyrë që nuk i ka zili askujt. Ka det, male, klimë, histori dhe mikpritje. Ajo që na ka munguar shpesh është vazhdimësia e politikave zhvilluese dhe besimi se projektet e mëdha mund të ndryshojnë fatin ekonomik të vendit. Në këtë këndvështrim, investimet amerikane në Shqipëri nuk duhet të shihen vetëm si ndërtim resortesh turistike. Ato përfaqësojnë kapital, teknologji, standarde menaxhimi, vende pune dhe besim ndërkombëtar.
Sa më shumë investitorë seriozë të vijnë në Shqipëri, aq më e fortë bëhet ekonomia shqiptare dhe aq më i madh bëhet besimi i tregjeve financiare. Ekonomia dhe siguria kombëtare nuk janë më dy botë të ndara. Në shekullin XXI ato ecin bashkë. Kur një vend tërheq investime të fuqishme nga partnerët strategjikë, ai forcon jo vetëm ekonominë, por edhe pozicionin e tij gjeopolitik. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Çdo investim serioz nga aleatët tanë është një kontribut për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Në Cancun pata rastin të takoj edhe disa bashkatdhetarë shqiptarë. Bisedat me ta ishin të sinqerta dhe plot mall për vendlindjen. Njëri prej tyre, të cilin po e identifikoj vetëm me inicialet L.M., më kërkoi të mos publikoja fotografinë tonë. “Nuk dua të keqkuptohem”, më tha. E respektoj plotësisht dëshirën e tij. Ky episod më bëri të kuptoj se shqiptarët, kudo ku jetojnë, vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë në zemër. Ata gëzohen për sukseset e saj dhe shqetësohen për problemet e saj.
Diaspora shqiptaro-amerikane mbetet një nga pasuritë më të mëdha kombëtare. Ajo ka kontribuar në çdo moment historik për interesat e Shqipërisë, nga çështja kombëtare deri te integrimi euroatlantik. Ajo është promotore e investimeve, e zhvillimit ekonomik dhe e afrimit të Shqipërisë me Perëndimin. Prandaj shteti shqiptar duhet të ndërtojë një politikë shumë më moderne ndaj diasporës. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët e mira në festa kombëtare. Duhet një strategji konkrete që kapitali, përvoja profesionale dhe potenciali intelektual i diasporës të bëhen pjesë organike e zhvillimit të Shqipërisë.
Njëkohësisht, qeveria duhet të dëgjojë me vëmendje çdo kërkesë të drejtë që ngrihet nga qytetarët. Demokracia forcohet kur dialogu zëvendëson përplasjen dhe kur reformat ecin paralelisht me zhvillimin ekonomik. Institucionet duhet të jenë gjithashtu të afta të mbrojnë interesat kombëtare dhe të garantojnë që çdo projekt strategjik të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe interesin publik. Historia e Cancunit më mëson një gjë të thjeshtë: Zhvillimi nuk vjen rastësisht. Ai planifikohet. Ai mbrohet. Ai ndërtohet. Dhe mbi të gjitha, ai kërkon vizion.
Shqipëria nuk duhet të ketë frikë nga investimet serioze, por duhet të ketë kujdes që ato të jenë transparente, në përputhje me ligjin, në mbrojtje të mjedisit dhe në shërbim të qytetarëve. Nga Cancuni nuk po sjell vetëm kujtime. Po sjell një model zhvillimi q e kam parë me sytë e mi. Besoj se edhe Shqipëria mund ta ndërtoje historinë e saj të suksesit, nëse vizioni, interesi kombetar dhe bashkëpunimi me aleatët tanë strategjike vendosen mbi çdo interes tjetër. Mos e humbni mundësinë që historia t’ju trokasë në derë. Zverneci dhe Sazani mund të bëhen për Shqipërinë ajo që Cancuni u bë për Meksikën. Dhe kur kjo të ndodhë, fitues nuk do të jetë një qeveri apo një parti politike. Fitues do të jetë Shqipëria.