
UÇK-ja nuk lindi nga ndonjë dëshirë për lavdi. Ajo lindi sepse një populli, pasi iu dogjën shtëpitë dhe iu mbushën varret, nuk i kishte mbetur tjetër veçse të zgjidhte ndërmjet qëndresës dhe zhdukjes.
Më 16 shtator 2026 do të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjykata thotë se do të gjykojë katër individë. Mirëpo historia ka veshë më të hollë se ligji: ajo dëgjon edhe përpjekjen për ta ulur në bankën e të akuzuarit vetë luftën çlirimtare.
Dhomat quhen të Kosovës. Por gjyqtarët nuk janë nga Kosova, prokurorët nuk janë nga Kosova dhe gjykata nuk ndodhet në Kosovë. Vetëm emri është i Kosovës. Barra, turpi dhe pasojat, gjithashtu.
Ky mekanizëm nuk ra nga qielli. Më 3 gusht 2015, pas një refuzimi fillestar dhe një presioni të fortë ndërkombëtar, 82 deputetë votuan për ndryshimin e Kushtetutës. Vetëm pesë votuan kundër dhe një abstenoi.
Presioni është shpjegim, por jo falje. Deputeti zgjidhet për t’i qëndruar presionit, jo për ta shëndrruar kërkesën e ambasadorit në nen kushtetues. Ata ishin betuar t’i shërbenin Republikës, jo ta zvogëlonin atë sa herë që dikush nga jashtë ngrinte zërin.
Sot mund të thonë se nuk kishin rrugë tjetër. Kjo është fjalia e parapëlqyer e çdo politike pa guxim. Rrugë tjetër ka gjithmonë. Ndonjëherë ajo kushton pushtetin, por shpëton nderin.
Akuza për trafikimin e organeve i hapi rrugën kësaj gjykate. Sot ajo nuk ndodhet në aktakuzën kryesore. Akuza u zhduk si tymi, por oxhaku mbeti. Kosova vazhdon të mbajë damkën, ndërsa katër drejtuesit e luftës vazhdojnë të mbahen në Hagë.
Asnjë krim nuk duhet të mbrohet dhe asnjë viktimë nuk duhet të harrohet. Por drejtësia që zgjedh vetëm një anë dhe harrohet para arkivave të shtetit agresor, rrezikon të mos jetë më drejtësi, por politikë me mantel gjyqtari.
Më e dhimbshmja është heshtja e institucioneve tona. Disa heshtin nga frika. Disa nga interesi. Disa të tjerë presin me kënaqësi të fshehur një dënim, sikur burgu i drejtuesve të UÇK-së t’ua vërtetonte urrejtjen e vjetër ndaj luftës çlirimtare.
Ata harrojnë një gjë të vogël, por vendimtare: lirinë për ta kundërshtuar UÇK-në ua solli pikërisht UÇK-ja.
Kosova nuk duhet të turpërohet për luftën e saj çlirimtare. Duhet të turpërohet për deputetët që votuan nën presion, për institucionet që heshtën më pas dhe për politikën që servilizmin e quajti maturi shtetërore.
Më 16 shtator mund të gjykohen katër njerëz. Por atë ditë historia do të gjykojë edhe ata që e ngritën dorën, e ulën kokën dhe e quajtën këtë shtetësi.
Fadil Ferizi