Dr. Erion Dasho/
Nuk kalon ditë, javë e muaj që Borati të mos u japë prova të reja shqiptarëve se kurrë më parë, në 112 vjet pavarësi, nuk kanë patur një qenie kaq të poshtër, dredharake dhe djallëzore në drejtimin e shtetit.
Shembujt më tipikë për sa më lart kanë qënë fushatat elektorale nga viti 2017 e deri në zgjedhjet e ardhshme të 2025-ës. Në katër palë zgjedhje rresht Borati arriti të eklipsojë diskursin politik, të shmangë llogaridhënien, madje të eliminojë edhe ballafaqimin e programeve dhe ideve.
E njëjta gjë po ndodh edhe në nisje të fushatës së 2025-ës. Zvarritja e gjyqit të liderit të opozitës dhe mbajtja e mundshme e tij në prag të zgjedhjeve parlamentare do të jetë me sa duket “dhurata” e ngjashme me vulën e 2023-it. Ndërsa në zgjedhjet e vjetshme, opozita u la pa sigël dhe pa vulë, në 2025-ën do të tentohet lënia e saj pa lider.
Gjyqi i Salianjit provoi katërcipërisht kapjen e drejtësisë. Megjithëse ekipi mbrojtës i Sali Berishës ka arritur tashmë të bindë publikun për stisjen e dosjes “Partizani”, gjasat janë që gjyqi i Berishës dhe Malltezit të përfundojë si gjyqi i Salianjit, ku gjyqtarët janë vetëm firmosës të vendimeve të ardhura “nga lart”.
***
E kam përmendur edhe në një status të para disa javëve. Përballja me Rilindjen në vitin 2025 është përcaktuese jo vetëm për fatet e opozitës, por në radhë të parë për fatet e shqiptarëve.
Nëse opozita synon të marrë pjesë në zgjedhje, kërkohet një ndërmarrje titanike midis tetorit 2024 dhe prillit ose majit 2025. Ndërsa vazhdojnë betejat ligjore në SPAK dhe gjykata, si dhe mosbindja civile në Parlament ose rrugë, nuk duhet harruar se Borati dhe rilindja kanë nisur tashmë fushatën.
Nga pikëpamja organizative, opozitës i duhet të mobilizojë strukturat e veta për t’u përballur me rrjetin e patronazhistëve dhe aktivistëve. Nuk duhet harruar as diaspora, ku rilindja ka nisur ndërkohë forcimin e strukturave të veta dhe me shumë gjasa është duke përgatitur sistemin e blerjes direkte dhe indirekte të votës (minimalisht duke paguar shpenzimet postare të votimit).
Nga pikëpamja ideologjike dhe programore, opozita duhet të nisë komunikimin me shqiptarët për filozofinë e saj qeverisëse dhe programin elektoral. Kritika dhe denoncimi i rilindjes dhe bëmave të saj të përbindshme nuk mjafton. Shqiptarët kanë nevojë të mësojnë se mbi cilat parime dhe cilin program do të qeverisë opozita nesër.
Së treti, opozita duhet të kujdeset edhe për komunikimin me faktorin ndërkombëtar. Pavarësisht zemërimit popullor lidhur me përgjegjësinë që aktorë të caktuar të këtij komuniteti kanë në krijimin e monstrës Borat, ambasadat dhe qeveritë që ato përfaqësojnë mbeten faktorë përcaktues në zhvillimet politike shqiptare.
Puna me ambasadat duhet të jetë parandaluese dhe jo post factum. Përvoja e zgjedhjeve të kaluara ka treguar se edhe kur provat e manipulimit janë flagrante, paraqitja e tyre pas zgjedhjeve nuk ka patur asnjë përfitim për opozitën dhe shqiptarët.
Puna me ndërkombëtarët duhet të synojë sipas një rendi zbritës (për sa i takon rëndësisë), qeverinë teknike, demontimin e rrjetit të patronazhistëve, shmangien e përfshirjes së narkotrafikut dhe krimit në zgjedhje, si dhe mospërdorimin e fondeve qeveritare për blerjen e votës.
Vetëm ndërkombëtarët kanë mundësi të ndikojnë tek Borati dhe rilindja për përmbushjen e këtyre parakushteve, të cilat do ta vendosnin garën elektorale në kushte disi më të barabarta.
***
Tensionimi i situatës politike nëpërmjet arrestimit njëvjeçar të Dr. Berishës dhe Z. Malltezi dhe, së fundi, nëpërmjet dënimit të Z. Salianji, i shkon për shtat rilindjes dhe Boratit.
Ky i fundit do të bëjë gjithçka që zgjedhjet e 2025-ës të zhvillohen në kushte sa më anormale, sepse kjo shmang llogaridhënien për 12 vjet dështim, korrupsion, kriminalizim, narkotrafik, kusari, hajtutëri dhe shpopullim.
Borati i vitit 2025 nuk ka se ç’t’u premtojë më shqiptarëve! Edhe gënjeshtrat kanë mbaruar tashmë!
Është detyra e opozitës të nisë sa më parë demontimin e demagogjisë rilindase, duke shmangur në të njëjtën kohë kurthet dhe grackat djallëzore të Boratit.
Punë e vështirë, por e detyrueshme! Në lojë është e ardhmja e shqiptarëve…