• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 vjet më parë, Fan Noli kryeministër i Shqipërisë

June 17, 2024 by s p

Albin Kurti/

Sot janë mbushur saktësisht 100 vjet që nga dita kur Fan Noli u bë Kryeministër i Shqipërisë. Ishte 16 qershori i vitit 1924, kur ai u vendos në krye të qeverisë shqiptare dhe e ngriti një kabinet qeveritar me shtatë ministri, njëra prej të cilave pa portofol. Në kabinetin e Nolit, Sulejman Delvina ishte Ministër i Jashtëm; Rexhep Shala – Ministër i Brendshëm; Luigj Gurakuqi – Ministër i Financave; Stavro Vinjau – Ministër i Arsimit; Kasëm Qafëzezi – Ministër i Luftës; Qazim Koculi – Ministër i Bujqësisë dhe Xhemal Bushati – Ministër pa portofol.

Fan Noli erdhi në krye të Shqipërisë si kryeministër i qeverisë së saj, si një nga drejtuesit e Lëvizjes së Qershorit, një organizimi opozitar që në mes të qershorit 1924, e pëmbysi qeverinë e kryeministrit Iljaz Vrioni, i cili ishte një eksponent në pushtet i liderit politik të atyre viteve, Ahmet Zogut. Kjo përmbysje që është quajtur edhe revolucion, ishte rezultat i përplasjeve të ashpra dhe rivaliteteve të forta politike në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore, kur po përcaktohej natyra e shtetit shqiptar dhe kur po definoheshin kufijt e tij.

Më 19 qershor, tre ditë pasi ishte konstituar, qeveria e Nolit e shpalli programin e saj të reformave prej 20 pikash, në të cilin ndër të tjera parashihej vendosja e demokracisë në Shqipëri; çarmatosja e banorëve dhe vendosja e rendit dhe ligjit; lartësimi i autoritetit të shtetit mbi çdo fuqi personale ose të paligjshme; pavarësi e plotë e sistemit të drejtësisë; reforma në administratën shtetërore dhe thjeshtësim i burokracisë në të; reforma agrare; lehtësira në hyrjen e kapitalit dhe investimeve të huaja në vend; ndryshime në sistemin e taksimit; investime në infrastrukturën rrugore; investime në sistemin e shëndetësisë dhe në sistemin arsimor; si dhe marrëdhënie të mira miqësore me të gjitha shtetet dhe sidomos me shtetet fqinje. Siqoftë, këto reforma nuk erdhën as për së afërmi në shprehje të realizoheshin, pasi që Noli qëndroi në detyrën e kryeministrit vetëm gjashtë muaj.

Teksa Fan Noli si kryeministër i nisi muajt e parë të qeverisjes së Shqipërisë, në anën tjetër, Ahmet Zogu që pas largimit nga Shqipëria ishte strehuar në Beograd, e organizoi një rikthim në pushtet po me forcë dhe trupa të armatosura, siç edhe e kishin larguar. Në dhjetor të vitit 1924, pas vetëm gjashtë muajsh prej kur ishte vendosur në detyrën e kryeministrit, Fan Noli bashkë me qeverinë dhe mbështetësit e krahut politik të tij, u përmbysën nga Ahmet Zogu.

Pak kohë pas largimit nga Shqipëria, Noli e gjykonte kështu qeverinë e drejtuar prej tij në një artikull që e botoi te Gazeta “Dielli”: “Qeveria e Qershorit 1924 nuk qe ideale, vërtet. Mungesat e saj s’munt t’ia dijë askush më mirë se i nënshkruari, që e ka parë maqinën e saj të punojë për së afërmi. Po, pasi t’i ngarkojmë mi kurris kritika mi kritika, duhet të nëmërojmë në favor të saj ca të mira për faqe të bardhë: njerëzit e saj qenë patriot të kulluar; qenë mprojtës të pasurive të shtetit; qenë të nderçim; qenë të qytetëruar; qenë liberal; qenë njerës të kanunit.”

Përkundër kohës së shkurtër sa qe në krye të Shqipërisë si kryeministër i saj, Fan Noli dha shembullin e një burrështeti që u përpoq ta orientonte drejt Shqipërinë si një vend që do të demokratizohej. Për fat të keq, përpjekja e tij ishte e para në atë periudhë fillesh të shtetndërtimit shqiptar dhe mbeti e tillë deri në dekadën e fundit të shekullit. Pas largimit të Nolit nga zyra e kryeministrit, për Shqipërinë do të niste një periudhë e gjatë pushtetesh autoritare dhe diktatoriale. Eruditi Theofan Stilian Noli, do të jetonte edhe dyzet vjet të tjera deri më 1965, duke e ndërtuar një profil mbresëlënës prej dramaturgu e poeti, teologu e studiuesi, përkthyesi poliglot, politikani patriot e njeriu të përkushtuar për shqiptarizmën.

Në 100-vjetorin e zgjedhjes së Fan Nolit, Kryeministër i Shqipërisë.

Filed Under: Ekonomi

Roli i OKB-së në Kosovë

June 15, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Sot, në punimet e Konferencës shkencore: “Kosova 1989-1999: organizimi dhe qëndresa për çlirim”, organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë dhe Instituti i Historisë në Tiranë, prezantova kumtesën me titull: “Roli i OKB-së dhe lufta e Kosovës 1998/99”,

Prishtinë, 14 qershor 2024. Në këtë punim, evidentova se angazhimi i OKB-së në harkun kohor 15 vjeçar, nga 1992-2008, paraqet një moment kulmor të ndërkombëtarizimit të krizës së atëhershme të Kosovës si rrjedhë e rezistencës civile dhe të armatosur të shqiptarëve të Kosovës. Qysh në kohën sap o ndodhnin bombardimet e NATO-s, Annan në diskutimet e tij me krerët e qeverive, ishte bërë e qartë se vendosja e një force ndërkombëtare duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit. Këshilli i Sigurimit është gjithashtu i nevojshëm për të zbatuar marrëveshjet kalimtare për Kosovën. Ajo luan një rol kyç në çdo zgjidhje politike. Unë besoj se OKB ka një rol për të luajtur në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike, por ne jemi ende në fazat e hershme. Megjithatë, besoj se duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për diplomaci dhe do ta bëjmë.

“Vendosja e një force ndërkombëtare (NATO) për të mbrojtur refugjatët e kthyer është vendimtare. Ka diskutime serioze për natyrën dhe përbërjen e kësaj force. NATO fillimisht deklaroi se duhej të ishte një forcë e NATO-s, tani po flasim për ‘bërthamën‘”, Annan.

Ndërsa, qëndrimi i Kofi Annanit në kohën e bombardimeve të NATO-s ishte në mbrojtje të Kosovës, ndërsa emërimi i Marti Ahtisaarit si përfaqësues special i OKB-së për udhëheqjen e bisedimeve shqiptaro-serbe paraqet momentin më të suksesshëm të OKB-së. Nëse Ban Ki-moon e kishte përkrahur Planin e Ahtisaarit në mars të vitit 2007, Këshilli i Sigurimit as nuk e përkrahu dhe as nuk e refuzoi një plan të tillë. Sidoqoftë, mungesa e një konsensusi në Këshillin e Sigurimit bëri që pavarësia e Kosovës të shpallet me 17 shkurt 2008 jashtë sistemit ndërkombëtar, fakt ky që e ka vështirësuar mjaft shumë procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës në planin ndërkombëtar dhe anëtarësimin e tij në organizatat multilaterale.

Në këtë kontekst, bilanci i angazhimit 15 vjeçar të OKB-së në Kosovë dhe për Kosovën është tejet pozitiv dhe i suksesshëm. Prandaj, nëse e krahasojmë me dialogun 13 vjeçar të BE-së, del se kontributi i BE-së në Procesin e Brukselit është më pak se modest.

Për dallim nga Këshilli i Sigurimit, ku Rusia dhe Kina e kanë të drejtën e vetos, BE-ja është bërë peng i 5 vendeve mosnjohëse të Kosovës si Qiproja, Sllovakia, Rumani, Spanja dhe Greqia dhe më shumë ka përqafuar me naivitet narrativën ruse për Kosovën si një rast precedent.

Filed Under: Ekonomi

Teatri – si tempull lirie dhe demokracie

June 15, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Të shembet a të mos shembet Teatri Kombëtar! Kjo është çështja ekzistenciale, që ka mbushur gazetat dhe revistat televizive këtyre javëve, ndonëse e shpikur me një mijë marifete, si tokë djerrë, si tokë e xanun nga politika. Më mirë ai truall që vlen, për hir të kullave të projektuar, sa frëngu pulën, gjithnjë simbas ndërtuesëve, të ishte tokë e djegur, se sa tokë djerrë, sepse toka e djegur ka për zot zjarrëvënësit…Po sikur? Mos ia shti në mend dreqninë se nuk ka nevojë, e din mirë e bukur vetë. Epo toka djerrë, është sikur jetimi, e prandaj pa humbur kohë, duhet një dalëzotës. Me teatër, pa teatër, tash së mbarmi, dëgjohet në sheshin para ndërtesave të teatrit. Me teatër, pa teatër, ulurasin arstistët, ata që jo pak na kanë lumturuar dhe gëzuar, ata që na kanë bërë të qajmë e qeshim, ata që të dehur në ekstazën e katarsës që përmend Aristoteli, na kanë bërë të harrojmë mjerimin, skëterrën shpirtërore, ku ishim dje e ku sërish po mbijetojmë sot. Ulurasin artistët, ama disa vetëm sa mëmërisin me vete, e të tjerë nuk guxojnë as ta mendojnë ndryshe nga projekti, që fle në duart e përfituesve të truallit. Të shembet, thotë Qeveriu, me heshtjen hyjnore të titullarës së kulturës, me zërin e hollë të kryebashkiakut, me tonin bariton të kryeministrit Rama. Të mos shembet, ia kthen opozita, me ca zëra laramanë dhe të lodhur, ku nuk merret vesh se kush foli i pari e kush i fundit. Do të shemben themelet e vjetra e mbi to do të ngrihet bota e re, teatri klas, ku do harbiten artistët, e sidomos të huajt, sepse do futen në Kullën-teatër, ku i ke të gjitha, e nuk ke nevojë të dalësh në shi e diell, ia kthejnë me një zë rilindasit e kullave dhe të gjelbërimit të atdheut me hashash, natyrisht me i mirë se sa i demokratëve të Lazaratit. Ma ngatërrove fillin e bisedës, po flisja vetëm për teatrin, nuk hyn hashashi këtu. Gabim, si u bëkanë kullat pa hashashin, pa rënien pikiatë të euros! Ore, nuk kanë asnjë lidhje, po të them. Me teatër, thërrasin artistët, në kulmin e dëshpërimit, të lodhur nga vapa dhe protesta e tejzgjatur, pa mbërritur askund. Askush nuk dëgjon! Madje, nuk dëgjojnë as muret që thuhet se kanë veshë. Pa teatër, se do kemi të riun, madhështor dhe më të bukurin prej krejtëve, dëgjohet mjaullima e zyrtarëve të kulturës, nuk e di se nga cila linjë telefoni, më erdhi në veshët e djersitur. Pa teatër të vjetër, me teatër klasi, lutet dhe përjarget kryevbashkiaku i pemëve të mbjella në televizion dhe në arat e Tiranës së betonizuar. Pa teatër, uluret nga kolltuku kryministri, si të ishte zot i detit, i tokës dhe qiellit… Harabelat e mbetura rastësisht mbi pemë, pranë Piramidës së degraduar sa nuk e di si mbahet në këmbë, fluturuan të trembur. Me teatër, lëshjonë zërin deri në kupë të qiellit, artistët e lodhur nga protesta që bie në veshë të shurdhër, nga aktorët që kanë luajtur për mbrekulli të gjitha rolet. Kanë luajtur, në atë skenë të teatrit, rolin e ballistëve, të partizanëve, të spiunëve, të heronjëve dhe antiheronjëve, të dramave të Shekspirit, Shilerit, Ipsenit, Çehovit… Me të dëgjuar e kam! Mbase nuk është e saktë. Ka gjasa që ta kem parë në ëndërr, ose dikush ma ka rrëfyer gabimisht. Megjithatë, në syrin tim, detaj vlen, në një kuptim të përmbysur… Dikur, Piro Mani, regjisori mjeshtër i teatrit, për të shmangur syrin e rreptë të komisionit miratues, pajisur me mësimet e partisë dhe të m-l, pra një komision ideologjik, fuste në skenë rrotën e qerres. Ata, të vëmendshëm së jashtmi, menjëherë kërkonin shpjegim dhe ajo hiqej, pa një e dy, se nuk kishte ndonjë funksion në shfaqjen e radhës. Dhe, rrengu funksiononte, shfaqja jepej e plotë, si tekst dhe lojë e aktorëve. E tash, duket sikur po luhet akti i fundit, ku në skenë është vetëm qerrja me rrotën, e nuk ka fare skenar, nuk ka tekst, madje aktorët janë vetëm figurantë, që dalin në rrugë, dalin në protestë, për të mbrojtur teatrin… Në këtë tollovi, ku teatri ka mbërritur në parlament, në dëgjesat shurdhememece të qeverisë, ku çdo ditë luhet tragjikomedia e jetës së lumtur, pa lumturi, më në fund kanë folur arkitektët…Edhe me teatër, edhe pa teatër, më tepër kishin folur me vete, arkitektët, ata që dikur bënin gjëmën për pllakat e gurit në bulevard. Ata që kishin shpallur qendrën historike, bashkë me stadiumin dhe teatrin, madje me firmën e Ramës si ministër kulture. Titullarja e kulturës, shfuqizon zonën e mbrojtur, qendrën historike, që e ka për detyrë t’i mbrojë. Të shembet, a të mos shembet?! Ngado lëshohet me një ritëm monoton, klithma absurde, që as mizat e Sheshit Skendërbej, nuk e dëgjuan. Një skenë absurde, e teatrit absurd, ku aktorët nuk janë në gjendje të luajnë rolin e vetë, e ku qeveria ka ndarë rolet me kryebashkiakun, me përfituesit, me opozitën që do të vijojë denoncimin në konferenca shtypi, ku duket sikur, këtu fillon dhe mbaron opozitarizmi për të mbrojtur kujtesën dhe vlerat kulturore dhe shpirtërore… Artistëve u mbetet fama e dikurshme, të cilën është e sigurtë që do të fiksohet në stendat e muzeve, kurse pushtetarët, me anë të televizioneve të pavarura nga vetja, po lujanë çdo ditë dramën, tragjedinë dhe komedinë, e fatit tonë të hidhur, por krenar, sidomos për idealet e rilindasve të vonuar. Teatri, është hapësirë lirie, është pasqyra ku gdhendet shëmtimi dhe gëzimi i secilës kohë. Teatri, është tempull lirie, është altar qytetërimi. Kujtoni teatrin antik grek, ku me veprat e Eskilit, Sofokliut, Euripidit dhe Aristofanit, argëtoheshin dhe formoheshin si qytetar të lirë. Kujtoni mençurinë e sofizmave të Sokratit. Kujtoni teatrin anglez, me Shekspirin, teatrin francez me Molierin etj. , Aty ku ka teatër ka qytëtërim, ka demokraci, ka liri. Teatri, është rrezja e diellit në fund të tunelit, që shemb muret dhe trarët ndarës, të pushtetit me qytetarët. Pa teatër, jemi pa gojë, pa sy, pa tru dhe, mbi të gjitha pa zemër, për të kundërshtuar të keqen e secilës kohë, për të përqafuar të mirën e vlerave njerëzore.

Filed Under: Ekonomi

Hani i Elezit, Hani i Shqiptarisë

June 14, 2024 by s p

Prof.dr. Sylë Ukshini/

Çerekshekulli më parë, më 11 qershor 1999, Hani i Elezit – pika qendrore e lirisë së Kosovës – ishte vendi prej nga u larguan trupat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, të cilat deri atëherë endeshin nëpër qytet të dalldisura, duke shkatërruar gjithçka që u dilte përpara në momentet e tyre të fundit. Sipas planit të NATO-d, ushtarët e vendeve të Aleancës në fillim do të merrnin postën kufitare në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, në Han të Elezit, pastaj do të vendoseshin vëzhguesit në Grykën e Kaçanikut, për të marshuar marshimkn drejt Prishtinës.

Por tash, Hani i Elezit, me trashëgimi të bujshme artistike dhe me edicionin e dytë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, shënoi kremtimin e Ditës së Çlirimit. Për tre netë me radhë, Hani i Elezit u bë epiqendra e mikpritjes së artistëve nga e gjithë gjeografia kombëtare shqiptare, duke u bërë Hani i Shqiptarisë.

Për tre netët me radhë, 9, 10 dhe 11 qershor, Hani i Shqiptarisë, ashtu siç e ka zakon, shpërfaqi tërë dashurinë, mikpritjen dhe bujarinë e jashtëzakonshme, duke u shpërfaqur një qytet i vogël, por me zemër të madhe! Hani është i bukur jo vetëm sepse është qyteti i parë kosovar që u çlirua nga emërtimi i dhunshëm i një gjenerali famëkeq serb, por edhe për faktin se na kujton qershorin e vitit 1999, ditët kur u dëgjua uturima e dislokimit të makinerisë ushtarake të NATO-s dhe largimin përfundimtar të një ushtrie okupuese të fqinjit verior. Vetëm dy ditë më parë, më 9 qershor 1999, ushtarakët e NATO-s dhe ata serbë nënshkruan në Kumanovë atë që u quajt Marrëveshja Ushtarake-Teknike. Pra, në mënyrë simbolike, Kosova u humb nga serbët në të njëjtin vend ku ata kishin shënuar fitoren e tyre në vjeshtën e vitit 1912.

Hani edhe sot na kujton se nga aty erdhi aroma e fuqishme e lirisë së Kosovës. Ndryshe nga festimet e tjera që ndodhnin në kryeqytet këtë 12 qershor, Hani nuk kishte vend për edhe një festë tjetër klishe me fjalime uniforme që ngjasonin në një retorikë pompoze. Më 9, 10 dhe 11 qershor, Hani marshoi, defiloi, vallëzoi dhe këndoi shqip! Kryetari i Hanit, Mehmet Ballazi, gjeti kohë t’i nderonte të gjithë, si të ishin mysafirë shtëpie! Ambientet e shtëpisë së kulturës “Imri Curri” ishin përplot me mysafirë dhe artistë nga vise të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilët ishin të veshur me kostume nga krahina të ndryshme të shqiptarisë, por të gjithë ishin aty për një lajtmotiv të veçantë: për ta ngritur edhe më lart këngën, kulturën dhe folklorin e pasur shqiptar. Tre netët me radhë, zëri i Hanit të Elezit kumboi shqip, fort shqip, dhe u dëgjua në çdo cep të shqiptarisë! Hani po vjen si një uragan i fuqishëm.

Filed Under: Ekonomi

Kosova çerek shekulli liri, me NATO-n…

June 12, 2024 by s p

-Në 12 Qershor 1999 – Ditën e Lirisë  së Kosovës raportoja drejtpërdrejë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynin në Kosovë, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët Apaçë/

 -Liria Kosovës po i vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe që bënin spastrim etnik, masakra e gjenocid kundër shqiptarëve/

-Viti 2005 – Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova për 12 Qershorin – Ditën e Lirisë: Dita më e madhe në historinë e re të Kosovës…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI 

-12 Qershor 2024, plot 9 vjet shkrimesh-raportimesh  nga Kosova për Gazetën DIELLI të Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA/

PRISHTINË, Qershor  2024/ Me axhendë shtetërore Kosova feston Ditën e Lirisë dhe Paqes – 12 Qershorin.

Para çerek shekulli – 25 viteve Kosovës nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën të hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës ushtarake më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa  duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…

 Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hershëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave okupatore të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë:  “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”

Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”

Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të paarmatosur.

Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.

Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin e helikopterëve mbi të, fillimisht helikopterë më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej…

 Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishim në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.

Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i  një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”,  “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale të Kosovës Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën historike Rilindja, për të cilën ka shkruar-raportuar e fotografuar në 12 Qershor 1999, kur kishim fatin historik të hyjmë në Kosovë me NATO-n që sillte lirinë…

Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990 të miratuar para dyerve të mbyllura të ndërtesës së Kuvendit kosovar në Prishtinë nën shtetrrethim edhe me tanke e snajperë të forcave okupatore të Serbisë.

 Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës…

 Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.

 Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone – ëmbëlsira. Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga uria në mungesë të bukës. Vajza tregonte se ajo është Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katërt të tetëvjeçares. Një e afërme e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…

Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen…

Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s. Ishte edhe festë lajmi që e jepja drejt Tiranës se po hyja në Prishtinë dhe afër ishin forcat e NATO-s që do hynin…

Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…

 Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim edhe për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota.

 Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…

Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…

Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e banesës së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.

Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe drejtpërdrejtë i lidhur edhe me Radio Televizionin Shqiptar po shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Telefonin që më mundësonte raportimet – lidhjet me Tiranën  ma kishin sjellë familjarë nga Zvicëra – djali Guri Jashari derisa isha në Maqedoni refugjat lufte.  

Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Nga forcat serbe ishin djegur edhe selia e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.

Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…

Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe gazeta Rilindja, të cilën e shpërndanim në Kosovën që po çlirohej,  në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.  

Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.

Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…

Kështu ishte 25 vite më parë…

 Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  poashtu para 16 viteve në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara…

MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËRJETSHËM PËR MIRËPRITJEN E PËRKUJDESJEN VËLLAZËRORE SHQIPTARE PËR TË DËBUARIT NGA KOSOVA – REFUGJATË TË LUFTËS SË PËRFUNDUAR NË PRANVERËN E LIRISË TË VITIT 1999

Si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në vitin 1999 të kohës së luftës, të dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e fshati i afërt Dobrosht – shtëpia e familjes së Mesut Veselit, ku më parë kishin mbërritur njerëz të familjes sime të dëbuar nga forcat serbe… Raportoja edhe nga Shkupi e vende tjera në Maqedoni.

 Akreditimi mu dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në 5 Prill 1999. Ishte mëngjesi i ditës sime të parë refugjat jashtë kampit të Bllacës, ku pas qëndrimit disaditësh natën kisha kaluar kufirin…

Mirënjohje dhe falënderim të përjetshëm për mirëpritjen e përkujdesjen vëllazërore shqiptare për të dëbuarit nga Kosova refugjatë të luftës së përfunduar në pranverën e lirisë të vitit 1999.

VITI 2005 – MESAZHI I FUNDIT I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PËR 12 QERSHORIN, DITËN E LIRISË SË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë të Kosovës, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me këtë përmbajtje:


Me rastin e 12 Qershorit, 6 vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 12 Qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.


Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR it, Gjeneralit Iv dë Kermabon dhe ushtarëve të Tij.


Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.


Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.
Dhashtë Zoti që 12 Qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

 12 QERSHOR 2005 – PRESIDENTI RUGOVA: 12 QERSHORI MBETET DITA MË E MADHE NË HISTORINË E RE TË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 12 Qershorit 2005 në Prishtinë shtroi një darkë solemne për nder të Ditës së Lirisë – 6 vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.


Në këtë solemnitet Presidenti Rugova deklaroi se Kosova është e lirë falë ndihmës së NATO-s. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përpjekjet e bërë për lirinë dhe pavarësinë.


“Kjo do të jetë dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë, sepse me të u kurorëzua liria e kombit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave”, theksoi në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.


Duke folur për periudhën e pasluftës, Presdenti Rugova vlerësoi se gjatë këtyre gjashtë vjetëve Kosova ka pasur një progress të madh në të gjitha fushat e jetës, të cilin e ka arritur “me NATO/KFOR-in, që ka bërë dhe po bën sigurinë e Kosovës, si dhe bashkë me UNMIK-un e me OSBE-në në planin civil”.


Ndërsa, duke folur për momentin aktual, ai tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e standardeve prioritare dhe në vlerësimin e progresit, që do të krijonte mundësi për pavarësinë e vendit tonë simbas rrugës ndërkombëtare.


“Por, siç e dini, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejtë. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes së të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksoi edhe me këtë rast Presidenti Rugova.


Në vazhdim të fjalës së tij, Presisdenti Rugova lavdëroi punën e paqeruajtësve në Kosovë, duke thënë se “NATO/KFOR-i për gjashtë vjet ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit për të gjithë qytetarët. Kështu KFOR-i mbetet forcë e dashur dhe e nderuar nga i gjithë populli i Kosovës”.


Ai u shprehu mirënjohje ushtarëve të KFOR-it, që në kryrje të detyrave humbën jetën e tyre.
“Në këtë ditë i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

 Njëherësh i shprehim mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK-së për përpjekjet e bëra për lirinë dhe pavarësinë e tonë”, theksoi Presidenti Rugova, duke përshëndetur me këtë rast Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, që përkrahin Kosovën.

Poashtu ai përkujtoi me pietet të lartë Papa Gjon Palin II që ka ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe përshëndeti Atit e Shenjtë Benedikti XVI, me dëshirë që të lutet për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë.


Presidenti Rugova e luti gjeneralin Kermabon që t’ua përcjellë ushtarëve të KFOR-it urimet e tij të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershorin, Ditën e NATO-s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon theksoi se përkushtimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit mbetet i njëjtë si përpara gjashtë viteve, kur u vendosëm në Kosovë.


“Është e rëndësishme të përkujtojmë se KFOR-i nuk vepron i vetëm. Puna që ne bëjmë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe liderët vendorë mbetet esenciale për ndërtimin e paqes. Pra, partneriteti ynë nuk është vetëm ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut, por përshinë edhe partnerët tanë vendorë dhe mbështetja e tyre është esenciale”, tha Kermabon.


Ndërsa Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Filip Goldberg duke folur në emër të përfaqësive diplomatike në Prishtinë theksoi se ata ndihen krenarë për atë që bënë më 1999.


“Ne jemi shumë krenarë për atë që bëmë në vitin 1999 dhe duam të mbetemi të tillë për atë që do të ndodhë më 2005, 2006 dhe 2007, që do të thotë një Kosovë e cila do të reflektojë vlera demokratike në respektim të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh etnitë apo besimin. Janë këto vlera që ne i sollëm më 1999”, theksoi Goldberg.


Në këtë darkë solemne Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë.

12 QERSHOR 2019: KOSOVA 20 VJET LIRI, NË FESTËN E MADHE AMERIKA -CLINTON , ALBRIGHT, PALMER…

 Në 12 Qershor 2019 kam raportuar për Gazetën DIELLI, mes tjerash: Festë të madhe sot ka Kosova për 20 vjetorin e lirisë, është festë e gjithë shqiptarëve, urime e përgëzime vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës së lirë e demokratike. Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, nga koha e luftës dhe e fitores së paqes e lirisë në Kosovë, si dhe zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, ishin sot dhe mbajtën fjalime në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në Sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. Mes shumë pjesëmarrësve ishe edhe ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar ndërhyrjen shpëtimtare-humanitare në kohën e luftës në Kosovë. Në festimin madhështor ishin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.

Më Prishtinë sot bëhet edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.

Pjesë e festës, mbrëmjen e djeshme u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Kosova po feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

12 QERSHOR 2024, 9 VJET SHKRIMESH-RAPORTIMESH  NGA KOSOVA PËR GAZETËN DIELLI NË AMERIKË

  Në 12 Qershor 2023 bëhen nëntë vjet dhe nis viti i dhjetë  i shkrimeve – raportimeve që bëj si korrespondent nga Kosova i Gazetës DIELLI që e njoha nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar. E që edhe shumë vite para 12 Qershorit 2015 botonte shkrimet e mia që i merrte nga Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.

Raportimet për DIELLIN i nisa pikërisht në Ditën e Lirisë, në përvjetorin e 16-të të hyrjes së NATO-s në Kosovë, me një reportazh për ngjarjen historike, ku në 12 Qershor 1999 isha gazetar i akredituar në kolonën e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare që kishte nisur misionin shpëtimtar e paqerujtës…

Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të  herëshme shqiptare, DIELLI, që në 15 Shkurt 2024 festoi 115 vjetorin, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA, për të gjithë shqiptarët në SHBA që aq shumë kontribuan për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet tjera etnike. Falënderime e mirënjohje të përgjithëmonëshme…

 Uroj që gazeta e VATRËS së shqiptarëve në Amerikë të mos shuhet kurrë e të shëndrisë gjithmonë ashtu si DIELLI, emrin e të cilit e ka…

Edhe në Ditën e Lirisë së Kosovës – 12 Qershor 2024 uroj Federaten Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA për festën e saj të 112 vjetorit.

Uroj Kryetarin e VATRËS Elmi Berisha, Kryesinë, Këshillin dhe të gjithë VATRANËT, Shqiptarët në Amerikë…

Me shumë respekt,

Behlul Jashari

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 225
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT