Avni Alcani/
Konti Gjuric Vladani ishte një figurë e njohur i aristokracisë shqiptare të shek. të 15-të. Për fat të keq mungojnë të dhënat historike për këtë luftëtar të ushtrisë së Skënderbeut, ç’ka e ka vështirësuar punën e historianëve, për të hartuar biografinë e këtij aristokrati dhe luftëtari të shquar arbër. Konti Gjuric Vladani gëzonte famën e një luftëtari të madh dhe një nga gjeneralët më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut. Barleti, në librin e tij “Histori e Skënderbeut” (1983), shkruan: Gjuric Vladani ishte një “burrë prej parisë së tij (Skënderbeut) dhe shumë i zoti (faqe 258) …trim dhe shpirt njeriu” (faqe 537). Informacionin e dytë për të e kemi nga Dhimitër Frangu, i cili, në librin e tij “Luftrat e Turqve kundër Skënderbeut” (2000), shkruan: “Skënderbeu… skuadronin e tretë ia besoi Kontit Givriç…” (faqe 35). Fan S. Noli, në librin “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468” (Tiranë 1967), sqaron se pas emrit të Kontit Givriç është Konti Juric Vladani (faqe 91). Frangu, në librin e tij të sipërpërmendur, emrin e Gjuricit e ka përmendur edhe dy herë të tjera, si: “Moisiu dhe Givriçi, dy kapedanë të Skënderbeut, erdhën në krye të ushtarëve të kapur rob…” (faqe 36) dhe po aty, për ngjarjen e njohur të vitit 1465 (betejën e Vajkalit), ia shkruan emrin Jurici (faqe 52).
Dhimitër S. Shuteriqi, në një artikull kushtuar Aranitëve, të titulluar “Aranitia në vitin 1467” dhe botuar në revistën “Studime historike” (Nr. 1, Tiranë 1981), shkruan: Gjuric Vladani ishte vëllai i Muzhaq Aranit Komnenit, i njohur me emrin “Muzaka i Angjelinës” (faqe 133). Por ky pohim i prof. Shuteriqit, që Gjurici ka qenë vëllai i Muzhaq Aranitit, nuk është i përmendur nga asnjë prej autorëve arbër të shek. të 15-të, si M. Barleti, Dh. Frangu dhe Gj. Muzaka. Gjithashtu ai nuk është i përmendur as në dy prej monografive më të njohura për Skënderbeun, të autorëve Kristo Frashëri (“Skënderbeu, Jeta dhe vepra”, 2002), dhe Oliver Jens Schmitt (“Skënderbeu”, Tiranë 2008), që janë shkruar pas vitit 1981 (viti i botimit të Shuteriqit). Por, ndonëse pohimi i Shuteriqit ka qenë i njohur prej tyre, ai as nuk është i mohuar nga ata, gjë e cila na lejon ta hulumtojmë vërtetësinë e pohimit të Dhimitër S. Shuteriqit, që Gjurici ka qenë vëllai i Muzhaq Aranitit.
Cilat ishin lidhjet e Gjuric Vladanit me Skënderbeun dhe Familjen Araniti? Fatmirësisht ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, të cilat vërtetojnë se Konti Gjuric Vladani ishte nip i Skënderbeut nga e motra. M. Barleti shkruan: (Gjurici) “ishte në lidhje gjaku me Skënderbeun” (604) dhe “nip prej motre” i tij (faqe 537). Ky është një informacion i rëndësishëm, që e zbulon Gjuricin si të afërm të Skënderbeut (nip prej motre), por në anën tjetër e mbulon me një mister, pasi nuk përcaktohet se djali i kujt motre ishte. Burimi i dytë, që Gjurici ishte nip i Skënderbeut, na vjen nga Dh. Frangu, i cili shkruan: “Skënderbeu… skuadronin e tretë ia besoi Kontit Givriç…, nipit të vet trim” (faqe 35). Njoftimi i Frangut është i rëndësishëm, pasi, jo vetëm vërteton Gjuric Vladanin si nip të Skënderbeut, ashtu siç shkruante edhe Barleti, por sepse ai mbante dhe një titull fisnikërie: “Kont”.
Por cila nga motrat e Skënderbeut mund ishte nëna e Gjuric Vladanit? Dihet se Skënderbeu ka pasur pesë motra: Mara, Jella, Angjelina, Vlajka dhe Mamica. Mara ishte martuar me Stefan Cernojeviçin, sundimtarin e Malit të Zi dhe kishte me të dy djem: Gjergjin dhe Gjoninbfaqe 122. Jella ishte martuar me Stres Balshën dhe kishte tre djem: Gjergjin, Gjonin dhe Boikun (faqe 120). Angjelina ishte martuar me Vladan Komnen Aranitin dhe, sipas Barletit e Gj. Muzakës, kishte pasur Muzhaqin (faqe 45). Vlajka ishte martuar me Gjin Muzakën, por burimet historike nuk japin asnjë informacion nëse kishin pasur fëmijë. Gjuricin e përjashtojmë që mund të kishte qenë fëmija i tyre, për shkak se, së pari, ai do të duhej të mbante mbiemrin e familjes “Muzaka” dhe, së dyti, sipas traditës, ai duhej të kishte si mbiemër emrin e të atit, në këtë rast “Gjini”, ndërkohë që dihet se ai nuk i ka pasur asnjë nga këto dy mbiemra. Motra e vogël e Skënderbeut, Mamica, kishte qenë e pamartuar, në kohën kur ky i fundit u kthye në Arbëri (viti 1443). Skënderbeu, për arsye të konjukturave politike, e martoi Mamicën me Muzak Topinë, me të cilin ajo pati një djalë, që quhej Reposh (faqe 152).
Në fisnikërinë shqiptare të shekullit të 15-të ishte traditë që djemtë merrnin si mbiemër (llagap) emrin e babait të tyre. Kështu, p.sh., djali i Jellës dhe i Stres Balshës, shkruan Barleti, thirrej Gjergj Stresi, duke marrë si llagap emrin e të atit (faqe 120). Barleti shkruan se Angjelina, motra e Skënderbeut, ishte e martuar me Vladan Aranitin. Thamë më sipër, se në traditën e arbërorëve djali merrte si mbiemër emrin e të atit, ndaj do ishte e natyrshme që djali i Vladanit dhe Angjelinës të merrte si llagap emrin e babait të tij. Nga e gjithë ç‘thamë më sipër, dalim në përfundimin se Gjuric Vladani, që Barleti dhe Frangu shkruanin se ishte “nip prej motre” i Skënderbeut, ishte pikërisht djali i Angjelinës, motrës së tij dhe i Vladan Golem Aranitit, prej të cilit kishte marrë mbiemrin “Vladani”. Kemi bindjen se kjo ka qenë rruga e argumentimit që pati ndjekur Shuteriqi, kur shkruante se Gjuric Vladani ishte vëllai i Muzhaqit të Angjelinës.
Po përse Gjon Muzaka nuk e përmendi Gjuric Vladanin si djalë të Vladan Aranitit, apo vëlla të Muzhaqit të Angjelinës? Shkaku duhet kërkuar te qëllimi që kishte pasur Gj. Muzaka kur shkroi “Memorien”, e cila ishte shkruar për t’u treguar pasardhësve të tij se ku i kishin pasur pronat Muzakajt dhe kush kishte qenë rrethi i tyre familjar. Muzhaqin e Angjelinës ai e kishte pasur kunat (burrin e motrës), pra, pjesëtar të familjes së tij. Gj. Muzaka qëllimisht duhet ta ketë lënë Gjuricin jashtë “Memories”, ashtu siç kishte lënë edhe tre djemtë e Gjergj Aranitit: Thomain, Kostandimin dhe Aranitin, që Gjergji i kishte pasur me gruan e dytë italiane, në një kohë që i kishte përmendur në “Memorie” të 8-të vajzat e tij nga martesa e parë me Maria Muzakën.
Ne ende nuk e dimë cila ishte familja e tij, nëse Gjurici ka qenë i martuar dhe nëse kishte lënë trashëgimtarë. Kjo do t’u lihet hulumtimeve dhe kërkimeve në të ardhmen.
Pas kthimit të Skënderbeut në Arbëri në vitin 1443, dy djemtë e Angjelinës, Muzhaqi dhe Gjurici, qenë ndër të parët fisnikë që mbështetën ushtrinë e dajës së tyre. Muzhaqi i Angjelinës, shkruan Barleti, ishte i pari nga krerët e fisnikërisë shqiptare që mbërriti në Krujë për ta përshëndetur dhe për t‘i dhënë përkrahje (faqe 93). Skënderbeu, në misionin e rëndësishëm që kishte, për të çliruar trojet e vendit të tij të pushtuara nga osmanët, u mbështet te dy djemtë e Angjelinës. Ai u besoi atyre momentet më të rëndësishme të betejave luftarake që zhvilloi kundër ushtrisë osmane. Në çdo betejë, si brenda, por edhe jashtë kufijve të atdheut të tyre, të dy fatosat e Aranitëve treguan një guxim dhe trimëri të rrallë. Të dy qëndruan në ballë të betejave kundër osmanëve dhe në shumicën e betejave ata luftuan së bashku, krah për krah me njëri-tjetrin. Gjatë rrethimit të 2-të të Krujës, kur Sulltan Murati II u vu vetë në krye të ushtrisë osmane, Skënderbeu dërgoi Muzhaqin e Angjelinës dhe Gjuric Vladanin për të vrojtuar kampin e ushtrisë rrethuese, si dhe për të parë vendin lidhur me sulmin e mundshëm të ushtrisë osmane (faqe 258).
Momenti më i rëndësishëm dhe më i vështirë për të dy vëllezërit ka qenë kur ata luftuan kundër Moisi Golemit, i cili ishte djali i xhaxhait, por që kishte tradhtuar Skënderbeun, dajën e tyre dhe ishte bashkuar me Sulltanin. Skënderbeu e kishte ndarë ushtrinë e tij në dy pjesë. Dy vëllezërit u vendosën përballë ushtrisë osmane (faqe 461), e cila ishte e komanduar nga Moisiu. Pas kërkesës që Moisiu i bëri Skënderbeut për dyluftim, ai nuk mundi të përballej me prijësin e arbërorëve dhe u largua me turp nga fusha e betejës. Kjo strategji e Skënderbeut pati qenë e suksesshme, pasi, duke i vënë Aranitët përballë njëri-tjetrit, e bëri të pamundur dyluftimin vëllavrasës dhe siguroi fitoren e ushtrisë së tij. Pas kësaj beteje, Moisi Golemi i kërkoi ndjesë Skënderbeut dhe, pas faljes, ai i qëndroi besnik Kastriotit deri në fund të jetës së tij.
Gjatë invazionit ushtarak që Skënderbeu zhvilloi në Itali, kur kishte shkuar për të ndihmuar mbretin Ferdinant të Napolit, Gjuric Vladani, i cili komandonte një pjesë së ushtrisë arbërore, u shqua si luftëtar dhe kapiten i sprovuar (faqe 531-550).
Tre Aranitët e famshëm: Moisi Golemi, Muzhaqi i Angjelinës, Gjuric Vladani dhe disa prej kapedanëve më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut, patën një fund të hidhur. Në Betejën e Vajkalit, shkruan Barleti, këta kapedanë, “të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç’duhej.” (604). Ndër të parët u hodh në sulm Moisi Golemi, të cilit Skënderbeu i kishte besuar komandën e përgjithshme të ushtrisë, dhe pas tij u hodhën Gjuric Vladani, Muzhaq Komneni, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Koka dhe Gjin Maneshi. Ata ranë në kurthin e ngritur nga Ballaban Pasha dhe, pasi u kapën të gjallë, u dërguan të lidhur këmbë e duar në Stamboll. Atje u turturuan deri në vdekje. “Me vdekjen e tyre, – shkruan M. Barleti, – e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake” (faqe 604).
B i b l i o g r a f i a:
BARLETI, Marin: “Historia e Skënderbeut” (botim shqip), Tiranë 1983.
FRANGU, Dhimitër: “Luftrat e Turqve kundër Skënderbeut” (botim shqip), Tiranë 2000.
FRASHËRI, Kristo: “Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, 2002.
MUZAKA, Gjon: “Memorie” (botim shqip), Tiranë 1996.
NOLI, Fan Stilian: “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468”, Tiranë 1967.
SCSMITT, Oliver Jens: “Skënderbeu” (botim shqip),Tiranë 2008.
SHUTERIQI, Dhimitër Simon: “Aranitia në vitin 1467”, revista St. Historike/1, Tiranë 1981.