• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Augsburg të Gjermanisë u mbajt Kuvendi “Mësuesit e Diasporës”, me temë: “Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”

March 13, 2024 by s p

Sektori i informimit KKAD

Mustafë Krasniqi/

Më 09 dhe 10 mars 2024 në qytetin e Ausburgut, për dy ditë radhazi kuvendi “MËSUESIT E DIASPORËS” zhvilloi punimet e veta me temë: “Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”. Kuvend i cili mblodhi mësues, përfaqësues të shkollave shqipe nga shtetet e ndryshme, ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Gjatë këtij kuvendi dyditor u diskutua mbi çështjet e rëndësishme të shkollave shqipe që lidhen me të ardhmen dhe sfidat e mësimdhënies në diasporë si dhe detajet tjera logjistike.

Kuvendi u organizua nga Këshilli Koordinues për Diasporën (KKD) në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) dhe Qendrën e Botimeve për Diasporë (QBD), të drejtuar nga Këshilli Organizues i Kuvendit: Vaxhid Sejdiu, Mustafë Krasniqi, Anila Hyka, Dritan Mashi dhe Drita Gjongecaj, Në Kuvend, përpos anëtarëve të KKD-së, KKAD-së, përfaqësuesve të Lidhjesve apo Shoqatave të shkollave shqipe, të pranishëm ishin edhe institucionet e Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ditën e parë të Kuvendit, më 9 mars 2024, e hapi dr. Vaxhid Sejdiu, në emër të Këshillit Organizues, i cili të pranishmëve u uroi mirëseardhjen në “Kuvendin e Mësuesve në Diasporë”! Po ashtu, ai, shpalosi programin e Kuvendit me ndjesinë më të mirë e frymëzues, që për herë të parë ky Kuvend mblodhi mësues e përfaqësues nga të gjitha shtetet, ku janë funksionale shkollat shqipe, tri qeveritë e tri shteteve, që të diskutohet për problematikat, kërkesat dhe nevojat e komunitetit shqiptar në diasporë, për shkollën shqipe. Porgramin e ditës së parë e udhëhoqi mësuese Anila Kadija.

Në Kuvend e pranishme ishte Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë znj. Artemis Malo, e cila e përshëndeti dhe i uroi punë të mbarë dhe arritje të qëllimit të Kuvendit. Kuvendin e përshëndeti edhe Zëvendësministri, MASH, Republika e Maqedonisë së Veriut z. Agim Nuhiu, kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare z. Ardian Lekaj, Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë znj. Gentiana Mburimi dhe Nënkryetari i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) z. Mustafë Krasniqi, i cili foli për themelimin, sfidat dhe rrugëtimin e KKAD-së.

Me qëllim të gjithëperfshirjes Kuvendi kishte organizuar edhe lidhjen online , nëpërmjte së cilës morën fjalën zv. Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republika së Kosovës znj. Liza Gashi (Online), zv. ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Republikës e Kosovës z. Taulant Kelmendi (Online), Zv. ministrja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë znj. Nina Guga (Online).

Pas fjalës së zëvendësministrave kuvendin e përshëndetën edhe përfaqësuesit e shkollave shqipe në diasporë: Kryebashkiaku i Bashkisë Hora e Arbëreshëve Z. Rosario Petta, Nënkryetarja “Shkolla Shqipe”, Zvicër znj. Anita Duriçi, Kryetar i LAPSh-it në Bavari, Gjermani z. Milazim Ukaj, Kryetar i Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali z. Dritan Mashi, Kryetar i Lidhjes së Mësuesve në Greqi Z. Pjerin Lleshi, Sekretar i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali z. Neat Marku, Kryetar i LAPSh-it në Zvicër z. Liburn Mehmetaj, në emër të mësuesve në Danimarkë z. Nevzat Ibishi, Kryetar i “ODA” Hamburg Muhamet Idrizi.

Në ditën e dytë Kuvendi, vazhdoi punimet e veta, më 10 mars 2024, nën udhëheqjen e mësueses Aurela Konduri. Ish kryetari KKAD-ës Dr. Vaxhid Sejdiu, u surprizua duke u nderua për punën dhe përkushtimin në kuadër të KKAD-së gjatë këtyre katër viteve, duke i dhënë mirënjohje me motivacion: “Për ndihmën e madhe në përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe ne Diaspore”.

Kuvendi i zhvilloi punimet me prezantimin e kumtesave me temën:

“Programi i punës i Qendrës së Botimeve për Diasporën për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë, për vitin 2024” nga Znj. Mimoza Hysa, QBD

“Ruajtja e gjuhës amtare dhe problematikat e organizimit të mësimit plotësues në Zvicër” nga z. Vaxhid Sejdiu, koordinator “Shkolla Shqipe”, Zvicër

“Ruajtja e gjuhës amtare dhe problematikat e fëmijëve në vijimin e mësimit plotësues” z. Mustafë Krasniqi nga “LAPSh”, Bavari-Gjermani

Mësimi i arbërishtes te Hora e Arbëresheve “ Z. Rosario Petta, Hora e Arbëresheve

“Programet e gjuhës shqipe në SHBA dhe masat e nevojshme për arritjen e niveleve të reja” znj. Drita Gjongecaj, ShBA

“Reflektim rreth mësimdhënies së gjuhës shqipe në komunitetin e Halifaksit” në Kanada znj. Mira Shehu, Kanada (online)

“Mësimi i gjuhës shqipe në Itali” nga z. Dritan Mashi, Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali

“Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare” Znj. Teuta Tabaku, KKAD, Turqi

“Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët shqiptarë” në Austri, nga Znj. Miradije Berisha, KKAD, Austri

“Mësimi plotësues i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Greqi. Problematika dhe nevoja” nga Znj. Aurela Konduri, KKAD, Greqi

“Mësuesit e diasporës”Z. Neat Marku, Lidhja e Mësuesve Itali

“Përvoja nga Londra, në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe, si pjesë e edukimit plotësues” nga znj. Anila Kadija, KKAD, Angli

“Mësimi i gjuhës shqipe në Greqi (vështirësitë dhe problemet) dhe roli i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi nga z. Pjerin Lleshi, LMSh, Greqi

“Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës sipas modelit C në Kroaci” nga znj. Melita Oreshkoviç KKAD – Kroacia

“Unë vij nga…, njohje me atdheut. Enela Markja në Republikën e Bavarisë në Gjermani

“Strategjia kombëtare e shtetërore për organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, nga Z. Isuf Bytyçi KKAD – Gjermani

“Hyrje në mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e trashëguar – përvojë nga Suedia dhe më gjerë z. Entela Tabaku, Suedi

“Dokumenti strategjik për përdorimin mbarë botëror të shqipes si gjuhë e origjinës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në vitin 2019” nga z. Muhamet Idrizi, “ODA”, Hamburg;

“Mësimi i gjuhës shqipe në Slloveni, znj. Vera Xhafaj – Haliti Slloveni

“Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare” nga znj. Valbona Trashani – Francë;

“Vështirësitë dhe mundësitë e mësimit në gjuhën shqipe në Norvegji” nga znj. Vjollca Zeqiri Asllani– Norvegji

“Mësimi i gjuhës shqipe në Finlandë” z. Daut Gërxhaliu –Finlandë (online)

“Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare” znj. Arta Emiri –Suedi (online)

“Ndikimet gjuhësore e letrare te nxënësit” nga z. Isuf Ismaili – Zvicër

Kuvendi i përmbylli punimet e veta me sukses dhe zotimin se në të ardhmen gjendja e shkollave dhe bashkimi i shoqatave me vizionin dhe misionin për unifikimin e diasporës shqiptare do të jetë më i zëshëm, kurse në përmbyllje dr. Vaxhid Sejdiu kryesuesi i Këshillit Organizues tha se konkluzionet e Kuvendit do t’i dërgohen Ministrive përkatëse të tri shteteve, si dhe të gjitha kumtesat do të botohen në një liber elektronik. Për fund Kuvendi u përshëndet me një duartrokitje dhe u vlerësua si një Kuvend Kombëtar, që arriti qëllimin, misionin dhe vizionin e tij. Po ashtu donatorët: Mark Gjonaj, Dhoma e Biznesit (z. Lazim Destani dhe Ardian Lekaj), Emina Çunmulaj dhe Shaip Deda , që e mundësuan këtë Kuvend u përshëndetën dhe u falënderuan nga Këshilli Organizues.

Filed Under: Ekonomi

Qeveria e Shqipërisë harron fermerin shqiptar

March 12, 2024 by s p

Prof.Gjok Vuksani/

Kur flasim për bujqësinë për sektorin ku punojnë e jetojënë rreth 40% e shqiptarëve të cilët me mundin dhe djersën e tyre punojnë tokën dhe sigurojnë ushqimin e përditshëm për gjithë shqiptarët. Bujqësia është sektori më i prapambetur i ekonomisë shqiptare sepse në shtatë tre-mujorët e fundit ka një rritje afër zeros, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ndryshimin e kësaj situate. Buxheti i bujqësisë për 2024 është reduktuar me 11.6% krahasuar me një vit më parë. Skema e mbështetjes për fermerët, për këtë vit është buxhetuar rreth 45,3 % më pak se viti 2023 (skema për naftën falas mbetet e pandryshuar). Nga 141 milion euro që janë buxhetuar për bujqësinë shqiptare vetëm 24% shkojnë direkt për fermerët ndërsa 76% e buxhetit shkon për shpenzime operative, dieta, rroga etj. Ndërsa Kosova i mbështet fermerët me rreth 120 miljon euro për vitin 2024.

Për këtë arsye shprehja “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa” aktualizohet me sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si Kosova”.

Në datën 6 Mars 2024 doli VKM për “Përcaktimin e kritereve bazë të mbështetjes për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2024.

Vonesa në shpalljen e kritereve për skemën kombëtare të mbështetjes do të pasohet edhe me një vonesë të dytë, në hartimin e udhëzimit të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financës gjë e cila ka penguar fermerët për të planifikuar kulturat bujqësore që do të mbjellin.

VKM e vitit 2024 është një copy paste e skemave mbështetëse të vitit të kaluar edhe pse ka muaj të tërë që Ministrja e re trumpetoi me fjalë të mëdha , konsolidim , koperim , bashkim etj etj …

Megjithëse blegtoria po shkon drejt shfarrosjes me përgjysmimin e numrit të lopëve të qumështit gjatë 10 viteve të fundit, dhe reduktimin e 700 mijë krerëve të të imtave ne pesë-vjecarin e fundit skema mbështetëse vazhdon të mbetet e njëjtë prej një dekade.

Janë ruajtur të njëjtat pagesa për blegtorinë ,10 mijë lekë për cdo lopë dhe 1200 lek për cdo dhi dhe dele.

Ndërkohë që vëllezërit tanë Kosovar subvencionohen me 180 euro për cdo lopë dhe 30 euro për cdo dele apo dhi .

Prandaj i bëjmë thirrje qeverisë të mos mendohet për gjetjen e modelit gjatë por mjafton ta bëjmë bujqësinë Shqiptare si Kosova.

Janë ruajtur në mënyrë identike kufijtë e poshtëm të financimit prej 10 lopë dhe 100 dele, megjithëse studimi i FAO I 2022 thekson se kjo skemë mbështetëse për blegtorinë ka ndikuar në reduktimin e numrit të bagëtive.

Është ruajtur e njëjta pagesë prej 200 mijë lekë (një vlerë qesharake) për mbështetjen e kultivimit të perimeve në serë, por është vendosur një vizë e kuqe që nuk mund të kapërcehet nga shumica e fermerëve sepse duhet të mbjellin jo më pak se 1 (një) ha.

Është ruajtur e njëjta skemë për naftën falas për feremeret duke vendosuar si kufij minimal sipërfaqen prej 1 ha duke eleminuar automatikisht pothuajse të gjithë fermerët në zonat veriore dhe lindore të Shqipërisë që disponojnë pak tokë.

Nga mungesa e certifikatave të pronësisë mbi tokën shpeshherë nafta nuk shkon tek ai që e punon tokën por tek ai që disponon letrat.

Është hequr pa asnjë studim skema për mbështetjen e peshkimit megjithse direktivat e Bashkimit Europian e konsiderojnë si proritet zhvillimin e “Ekonomisë Blu”.

Është hequr skema për “Tregjet e produkteve bujqësore, tregjet e kafshëve të gjalla dhe thertoret” megjithse tregtimi i produkteve bujqësore është një nga problemet më të mprehta që ka bujqësia shqiptare.

Fermerët e shesin kastravecin dhe domaten me 20 lekë ,ndërsa grosistët e shesin tek konsumatorët me 10 fish , kur 90 % e transaksioneve janë informale dhe në këtë situatë Ministria e Bujqësisë heq dorë nga mbështetja e tregut të produkteve bujqësore , absurditet më të madh nuk mund të ketë.

Ndërsa fakti më skandaloz është pika 3 e VKM kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve, vlera e financimit që përfitohet për njësi (krerë, zgjua apo ha), reduktohet në përputhje me këtë fond.

E thënë më thjeshtë kur fondi në një skemë është i pamjaftueshëm për të gjithë aplikuesit, ai ndahet sipas parimit komunist “nga një thërrime për të gjithë”.

Pra një blegtor nuk do të marrë 10 mijë lekë për një lopë sipas VKM por 5 apo 6 mijë lekë në varësi të fondit që jep qeveria.

Në politikat mbështetëse të qeverisë shqiptare nuk ka asgjë për mekanizimin dhe automatizimin si i vetmi instrument për zhvillimn e bujqësisë në kushtet e shpopullimit të fshatit.

Gjithashtu nuk jepet asnjë mbështetje për eksportet si një nga prioritet e bujqësisë shiptare, nuk mendohet fare për sigurimin e kulturave bujqësore në kushtet e ndryshimeve klimatike të theksuara dhe riskut të madh që ka VENDI YNË.

Une nuk e shikon subvencionin si qëllim ne vetvete por si mekanizëm që mbi bazën e studimeve paraprake mund të orjentojë fermerët drejt kulturave dhe teknologjive fitimprurëse.

Filed Under: Ekonomi

“Deti serb”, një ambicie e shfrenuar e popullit “qiellor”!

March 12, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Që prej krijimit si shtet me 1878, Serbia asnjëherë nuk e ka gjetur rehatinë e saj brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, madje edhe kur territorin i saj është zgjeruar më së shumti në Ballkan. Synimi afatgjatë e serbëve ishte ngritja e një perandorie që do të shtrihej nga Deti Adriatik e deri në Detin e Zi, me qëllim serbët, të bëhen kombi numerikisht më i fortë në rajon, që do të merrnin rolin kryesor. Brenda vetëm disa viteve, Serbia arriti të serbizonte territoret shqiptare në Toplicë, si dhe në dekadat e ardhshme edhe territoret tjera në Novi Pazar dhe Vojvodinë. ishte zhvilluar në një fuqi vendimtare rajonale. Tipike për furinë e entuziazmit kombëtar i fitoreve në Luftën e Parë Ballkanike 1912, ishte ideja e elitës politike dhe ushtarake serbe për pushtimin e Durrësit dhe daljes në Adriatik me qëllim që në të ardhmen të ndërtonte një flotë detare dhe të hapte shtegun e dominimit rus në Ballkan.

Kur trupat serbe pushtuan Durrësin në nëntor 1912 dhe futën nën kontroll portin e qytetit, ekzaltimi serb nuk kishte kufij, që është afishuar edhe në artikullin e gazetës “Politika” të datës 24 nëntor 1912, në të cilin populli i vetëm qiellor deklaronte se Adriatiku shqiptar u bë “deti i serbëve”: Por, kjo mbeti një ëndërr e parealizuar, edhe pse Beogradi asnjëherë nuk hoqi dorë nga ky synim.

Kjo ëndërr dukej e afërte edhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, kur shtetet e Antantës me Traktatin e Londrës të vitit 1915 i ofruan Serbisë territoret e gjysmës së Shqipërisë, duke përfshirë edhe pjesën e Adriatikut. Dhe në fund të Luftës së Parë Botërore, përkatësisht në Konferencën e Paqes në Paris, ishte presidenti amerikan Woodrow Wilson politikani që prishi planet serbe për dalje në detin Adriatik. Pas vendimit për krijimin e shtetit të sllavëve të jugut, Mbretërisë Serbe Kroate dhe Sllovene, Wilson u tregua i vëmendshëm ndaj ambicieve të pa frenuara të Serbisë dhe për këtë ai do të paraqiste argumente. Do të ishte gabim t’u jepet serb[ve flotë ushtarake –detare, mendoi Wilsoni: “Do të bëhet një kombe i harbuar, meqë edhe kështu ata janë popull turbullues, dhe nuk duhet të kenë një flotë që të luajnë mendsh.”

Politika serbe iu rikthye ambicieve për dalje në Adriatik edhe gjatë luftërave të viteve 1990-të.Sipas dokumentit (Gjashtë Objektivat Strategjike) të miratuar në maj 1992 nga Kuvendi i “Republikës Serbe” serbët kërkonin që “Republikës Srpska” t’i sigurohej një korridor midis Serbisë dhe Krajinës si dhe dala në detin Adriatik.

Përpjekjet serbe për dalje në Adriatik kishin për qëllim të realizonin projektin e një Serbie si një fuqie rajonale. Andaj, cilësimi i Adriatikut si “territor serb” në bazë të rëndësisë strategjike dhe jo të përbërjes etnike, do të thoshte se ky territor jo serb duhej të pushtohej dhe serbizohej me forcë. Pavarësisht dështimit të kësaj ëndrre, përpjekjet e popullit të vetëm qiellor vazhdojnë, por është e njohur tashmë se “sa herë që një popull i vogël është përpjekur luaj rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e vet.”

Filed Under: Ekonomi

FAN NOLI “RIKTHEHET” NË UNIVERSITETIN HARVARD

March 11, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Në një njoftim të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Universitetit Harvard, i njohur në Shtetet e Bashkuara por edhe me famë botërore për vlerat akademike, thuhet se me rastin e 59-vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit, Dega Boston e Federatës Pan-Shqiptare Vatra së bashku me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit organizojnë promovimin e Librit më të fundit, “Fan Noli- Apostulli”, të autorit Ilir Ikonomi, tanimë të mirënjohur për lexuesit shqiptarë kudo, ish gazetarit dhe kolegut tim në Zërin e Amerikës.  Një rast ky shumë i mirë për tu paraqitur studentëve shqiptaro-amerikanë – shqiptaro-amerikanin më të njohur të shekullit të kaluar, së bashku me Faik Konicën – edhe si një frymëzim dhe shembëll për brezin më të ri të studentëve shqiptaro-amerikanë të Harvardit sot.

Paraqitja e librit më të ri të Ilirit do të bëhet ditën e shtunë, me 16 mars, 2024 nga ora 12PM deri në 2PM. Në ftesë komunikohet se ky tubim do mbahet në hapësirën e Harvardit e quajtur Boylston Hall, 103 Harvard Yard, Cambridge, MA  02138.  

Kështuqë, në 59-vjetorin e kalimit të tij në amshim, apostulli i shqiptarizmës dhe i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fan Noli – me veprën e autorit Ilir Ikonomi “rikthehet” të shtunën që vjen, në Universitetin Harvard, pikërisht, aty ku kishte studiuar, nga 1909-1912, Fan S. Noli. “Emzot Noli nji ndër njerzit ma të mëdhej që ka gjinikue fisi arbnuer.  Poet, letrar, fletorar, diplomat, themelues i Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Ai radhitet në rendin e breznis vigane të Rilindjes së kombit, për të cilën u përpoq sa mujt me vepër e shkrim”, do të shkruante Ernest Koliqi, në revistën Shëjzat, me rastin e kalimit në amshim të Nolit me 13 mars, 1965. Frank SHKRELI/ Fan Noli, diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare | Gazeta Telegraf   

Duke njoftuar promovimin e radhës të librit të tij më të fundit, autori Ilir Ikonomi shkruan në faqën e tij “facebook”, se kushtet e rrethanat, nën të cilat ai frekventonte studimet në Harvard, nuk ishin aspak të lehta, por mjaft sfiduese. Ndryshe nga studentët e sotëm shqiptarë në Universitetin Harvard, që po organizojnë të shtunën që vjen promovimin e vëllimit të parë të Ilir Ikonomit mbi jetën dhe veprimtarinë e Fan Nolit, “Në atë kohë (Noli) jetonte me rrogën që i jepte Kisha Shqipe, rreth 60 dollarë në muaj (rreth 2000 dollarë sot) dhe me borxhe që merrte nga Kisha dhe nga miqtë. Universiteti i dha një kredi vitin e parë, pastaj u kualifikua për bursë. Kredinë nuk e ktheu kurrë dhe mund të thuhet se e bëri universitetin falas”, shkruan ndër të tjera Ikonomi.

Natyrisht se për nga përgatitjet akademike dhe të dijes, përfshir njohurinë e një numër gjuhësh të huaja, Fan Noli qëndronte shumë më lart në krahasim me studentët e tjerë të kurseve të ndryshme universitare.  Ikonomi shkruan se Noli është diplomuar me 20 qershor, 1912 me gradën “Bachelor of Arts”, me vlersimin më të lart, “cum Laude”. Ikonomi sjell, ndër të tjera, një fakt interesant duke shkruar se në të njëjtën ditë, të diplomimit të Nolit edhe Faik Konica mori gradën “Master of Arts”, në fushën e gjuhëve romane, në një ceremoni të përbashkët me Nolin dhe dhjetëra studentë të tjerë, atë ditë qershori të vitit 1912 në hapësirat e “Sanders Theatre”, shumë afër sallës ku do bëhet promovimi – këtë të shtunë – i librit: Fan Noli-Apostulli, shënon autori, Ilir Ikonomi.

Jam i bindur se ky “takim”, i një brezi të ri studentësh shqiptaro-amerikanë, do të jetë një përvojë e paharrueshme për ta — ndonëse do të mësojnë shumë fakte mbi jetën dhe veprimtarinë e një shquptaro-amerikane që e filloi jetën si sudent, pikërisht aty në Harvard, më shumë se një shekull më parë. 

Me leximin e librit të Ilir Ikonomit mbi Fan Nolin — brezit të ri i studentëve shqiptarë të Harvardit, në atë institucion të dijes me famë botërore por edhe të gjithë lexuesve — autori Ilir Ikonomi u paraqet të gjithëve “Nolin e pafiltruar”.  “Ndonëse, e vërteta është e komplikuar dhe e dhimbshme”, autori shprehet se, vëllimi i parë: Fan Noli -Apostulli, do ta njohë lexuesin me Nolin e vërtetë: “Me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimet, oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që nuk kanë vdekëtarët e kësaj bote”. Të bazuara në fakte dhe dokumentacione, me shpresën për të “shuar dyshimet për subjektivizëm”, me qëllim gjithashtu “që filmi të jetë i plotë dhe i paprerë”, i saktë mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej patriotëve më të flakët të Kombit, brenda dhe jasht trojeve shqiptare. 

Promovimet e deritanishme të librit, Fan Noli -Apostulli, të autorit Ilir Ikonomi – si në trojet shqiptare ashtu edhe në mërgatë, janë dëshmi se ky botim, ashtu si edhe veprat e tjera të këtij autori – është një botim për t’u shënuar në mënyrë të veçantë. Është një kontribut i shënueshëm që autori i sjell historiografisë shqiptare por që, njëkohësisht, kryen edhe një detyrë ndaj vet Fan Nolit – bazuar në fakte e dokumentacion — që dëshmojnë edhe për një periudhë plot lëvizje politike, mendore dhe shoqërore ndër shqiptarët në trojet e veta por edhe këtu në komunitetin e vjetër shqiptaro-amerikan, fillim shekullin e kaluar – me plot të dhëna të panjohura deri më tani.  Një konsideratë e thellë për veprën e amdhe të Fan Nolit në shërbim të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar.  Këtë ia detyrojmë pendës – a po më mirë të themi – kompjuterit të ish-gazetarit të Zërit të Amerikës, të palodhurit, Ilir Ikonomi.

Frank Shkreli

"Apostulli"/ Fan Stilian Noli in a new biography by Ilir Ikonomi ...
A certificate with text and images

Description automatically generated

Filed Under: Ekonomi

FJALIMI PËR “STATE OF THE UNION” PA BASHKIM

March 8, 2024 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

WASHINGTON (AP) – Fjalimi për Gjendjen e Bashkimit të Vendit është një nga pikat e qëndrueshme të presidencës, një forum që pothuajse gjithmonë favorizon folësin në një bisedë të njëanshme me miliona amerikanë.

Shumica e fjalimeve shpërndahen në çast dhe harrohen pothuajse po aq shpejt. Por ky është një vit shumë i pazakontë, me Presidentin Joe Biden që duhet të argumentojë jo thjesht se politikat e tij garantojnë një mandat të dytë, por që ai të ketë kapacitetin personal në moshën 81-vjeçare për të bërë këtë punë. Por a e arriti ai këtë.

Ai i përshkroi konturet e qarta të fushatës përpara, duke kritikuar ish-presidentin Donald Trump për kryengritjen e 6 janarit dhe duke shkuar edhe pas Gjykatës së Lartë, me gjyqtarë të pranishëm, mbi vendimin e saj që përmbysi Roe kundër Ëade. Gjithashtu, edhe kompanitë për shrinkflation madhësisë në tkurrje e një Snickers.

AI QË NUK DO TË PERMENDET

Biden e hapi fjalimin me denoncime të zjarrta të rebelëve që sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021, më pas veçoi republikanët në dhomë dhe armikun republikan Trump. Por ai refuzoi të shqiptojë emrin e Trump, duke thënë se “paraardhësi im dhe disa prej jush këtu kërkojnë të varrosin të vërtetën për 6 janarin”.

Ai e përshkroi atë në një temë më të madhe se demokracia është e kërcënuar si asnjë herë që nga Lufta Civile, duke sinjalizuar një linjë të qartë sulmi që ai do të përdorë kundër njeriut që nuk do ta përmendte emrin.

Ai kritikoi gjithashtu “paraardhësin tim” për pohimin e Trump se presidenti rus Vladimir Putin mund “të bëjë çfarë dreqin të dojë ” në lidhje me aleatët e NATO-s dhe ai i kërkoi Kongresit të miratojë ndihmë shtesë për Ukrainën.

Duke folur me një energji që mbështetësit e tij kanë thënë se i mungonte, ai vendosi një kontrast midis pikëpamjes së tij internacionaliste për botën dhe prirjes më izolacioniste të “paraardhësit” të tij.

Biden përdori pothuajse tërësinë e fjalimit për të gjetur mënyra për t’u përpjekur të bindë amerikanët për kontrastin. Por sa arriti?

Prindi i dëshmori të ushtrisë amerikane ‘ Golden Father” djali i të cilit u vra në Afaganistan, bërtiti nga llozha dhe sigurimi e arrestoi.

PYETJA MBI MOSHEN

Biden bën shaka për moshën e tij në Gjendjen e Bashkimit, por flet për “vlerat thelbësore” Po kur pyetet për moshën e tij dhe si ndikon në aftësinë për të qenë president, përgjigja e Biden-it është: Më shikoni mua. Dhe këtë s’ka njeri që s’e ka parë.

Të enjten mbrëma, ai dha atë që shumë prej mbështetësve të tij kishin kërkuar. Ishte një fjalim me energji të lartë, me forcë dhe nganjëherë ai i tallte republikanët me ad-libs. Kur ata kundërshtuan mbështetjen e tij për legjislacionin dypartiak të sigurisë së kufirit, Biden tha: “Shikoni faktet, e di që ju dini të lexoni”. Kjo mund të kënaqte mbështetësit e tij demokratë siç dolën në mediat demokrate sot në mëngjes , Por ai dukej më shumë si një plak i inatosur se sa një president me arritje

Biden u pengua pas disa fjalëve dhe në përgjigjen republikane, senatori Katie Britt nga Alabama e quajti atë “të mërzitur dhe të pakësuar”, por ishte një performancë më energjike se fjalimet e tjera ku vërejtjet e tij mund të jenë të gjalla ose të vështira për t’u dëgjuar. Ishte gjithashtu një kundërpërgjigje ndaj kritikave se Biden është shumë plak për të vazhduar të shërbejë si president. Ai do të ishte 86 vjeç në fund të një mandati të dytë dhe republikanët – megjithëse Trump është vetëm katër vjet më i ri . Biden u përkul në moshën e tij, duke përmendur se ai kishte lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por mbrojti vizionin e tij për vendin si të freskët. “Ju nuk mund ta udhëhiqni Amerikën me ide të vjetra që vetëm na kthejnë prapa.” Po natyrisht para një teleprompteri.

ABORTI NË FLETËT E VOTIMIT

Presidenti tha se përpjekjet për të kufizuar abortin ishin një “sulm ndaj lirisë” dhe ai përqeshi vendimin e Gjykatës së Lartë që rrëzoi Roe kundër Wade, me anëtarët e Gjykatës së Lartë që ishin shumica në atë vendim, të ulur vetëm disa metra larg. Ai gjithashtu mirëpriti Kate Cox, një nënë nga Dallas, fetusi i së cilës kishte një gjendje fatale që rrezikonte shëndetin e saj. Ajo duhej të largohej nga shteti për të bërë një abort. “Zoti im,” tha Biden, “çfarë lirie do të kesh më pas?”

Gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij, Biden nuk ka theksuar të drejtat e abortit. Në fjalën e tij ai tregoi se sa beson se kjo çështje mund të jetë çelësi i një mandati të dytë.

KUJDESI SHËNDETËSOR. BIDEN MBRON OBAMEN

Kthehu te “paraardhësi im”. Biden tha me humor se ligji i kujdesit shëndetësor të epokës së Obamës është ende një “punë e madhe”, duke i bërë homazh momentit si zëvendëspresident ai përdori një gjuhë më të gjallë për të përshkruar fitoren historike të politikës për Presidentin Barack Obama. Dhe ai u zotua të punojë për ta bërë të përhershëm një kredi tatimore të lidhur me ligjin.

“Mbi 100 milionë prej jush nuk mund t’u mohohet më sigurimi shëndetësor për shkak të një gjendjeje para-ekzistuese,” tha Biden. “Epo, paraardhësi im, shumë në këtë dhomë, duan të heqin përfitimin e barnave me recetë duke shfuqizuar ligjin e kujdesit të përballueshëm. Nuk do ta lejoj të ndodhë.”

Biden u duk se rrëshqiti në një grindje rreth kompanive farmaceutike që shesin barnat e tyre me çmime më të lira në mbarë globin, duke i thënë audiencës se do të dëshironte t’i çonte ato në Air Force One në disa qytete të mëdha botërore, përfshirë Moskën për të parë se sa do të kursenin për të njëjtat barna.

Biden e kapi veten shpejt, duke thënë se ishte “ndoshta”. rast edhe në Rusi, dhe ecën përpara. “Sillni recetën tuaj me vete. Dhe ju premtoj se do ta marr për ju për 40%. Kostoja që paguani tani.”

LUFTA NË GAZA-NJE PORT PER TE SHPETUAR BIDEN

Biden premton “asnjë çizme amerikane në terren” në Gaza . Konflikti i përgjakshëm midis Izraelit dhe Hamasit ishte një sfond i pashmangshëm në fjalimin e Biden. Autokolona e tij mori një rrugë tjetër për në Kapitolin e SHBA pasi protestuesit bllokuan një pjesë të Pensilvania Avenue. Brenda në sallë disa ligjvënës mbanin keffiyeh, shalle me kuadrate bardh e zi që ka simbolizuar solidaritetin me palestinezët.

Biden njoftoi planet për ushtrinë amerikane për të ndihmuar në krijimin e një skele të përkohshme në bregdetin e Gazës, një përpjekje që administrata thotë se duhet të nxisë ndjeshëm rrjedhën e ndihmave në territorin e rrethuar. Biden premton “asnjë çizme amerikane në terren” në Gaza Po kush do të ndërtojë portin.

Zbulimi i planit ishte ndoshta elementi më thelbësor i fjalimit të tij që preku luftën. Ai e lejoi Biden të demonstronte se po merr masa përballë zemërimit dhe kundërshtimit të disa demokratëve për mbështetjen e tij të fortë për Izraelin, edhe pse numri i të vdekurve palestinezë rritet. Ai gjithashtu vjen pasi Biden javën e kaluar miratoi ndihmën ushtarake të SHBA-së për hedhje ajrore në Gaza.

Skela e përkohshme, tha Biden, “do të mundësojë një rritje masive të ndihmës humanitare për të hyrë në Gaza”.

Por në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje izraelitëve që të bëjnë më shumë për të lehtësuar vuajtjet edhe pse ata përpiqen të eliminojnë Hamasin. “Për Izraelin, unë them se kjo ndihmë humanitare nuk mund të jetë një konsideratë dytësore apo një mjet pazari,” tha Biden.

“KLASA E MESME AMERIKANE” SIPAS JOE

Presidenti Biden përshkroi politikat për t’u marrë me krizën e strehimit, barnat me recetë. Biden përvijoi një vizion ekonomik që shkonte i madh e i vogël. Ai pretendoi një rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë që nuk sakrifikoi krijimin e vendeve të punës për të zbutur inflacionin. Me çmimet e banesave ende të larta, ai propozoi një kredi tatimore që do të reduktonte kostot e mortgage.

Ai gjithashtu sulmoi republikanët për politika tatimore që favorizojnë të pasurit. “Kontrollo numrat. Njerëz në shtëpi, a mendon vërtet dikush që kodi tatimor është i drejtë?

Biden tha se duhet të ketë një normë minimale tatimore prej 25% për miliarderët, duke thënë se “asnjë miliarder nuk duhet të paguajë një normë më të ulët tatimore federale sesa një mësues, një punonjës sanitar ose një infermiere”.

Presidenti foli për goditjen e tarifave të padëshiruara që mund të fshijnë buxhetet e amerikanëve dhe ai kritikoi kompanitë e ushqimeve për “tkurrjen”, që do të thotë të merrni më pak produkt për të njëjtin çmim.

“Ju tarifoheni të njëjtën shumë dhe keni rreth 10% më pak Snickers në një bar.” Megjithatë nj fature e një sandviçi për 15 dollarë u bë virale në rrejt më shumë se fjalimi i Bidenit.

Njerëzit i njohin mirë Xhepat e vet.

FJALIMI PERÇAU SHIKUESIT

Kur Biden u zgjodh në Senat në vitin 1972, fjalimi i Gjendjes së Bashkimit ishte takimi televiziv për dhjetëra miliona amerikanë që shikuan në tre rrjete kryesore.

Tani është shumë më tepër se një ngjarje televizive. Mënyrat tradicionale të matjes së shikuesve kanë treguar një rënie të vazhdueshme. Fjalimi i Bidenit vitin e kaluar tërhoqi audiencën e dytë më të vogël për ngjarjen vjetore në të paktën 30 vjet, sipas kompanisë Nielsen.

Audienca është aq e fragmentuar saqë fushata e Biden-it u përgatit me segmente të synuara për t’u shpërndarë në audienca specifike në mediat sociale. Të ftuarit, historitë e të cilëve u theksuan në fjalim, do të bëjnë xhiron e tregjeve televizive lokale për të folur për ndikimin në jetën reale të politikave të Biden. Dhe kërkoni Biden dhe zëvendësuesit e tij për të gjetur mënyra kreative për të marrë pjesë të mesazhit të tij për amerikanët që nuk u dëgjuan të enjten në mbrëmje.

Disa orë përpara se të mbante fjalimin, Biden postoi në llogarinë e tij X një video ku ai merr këshilla për mbajtjen e fjalimit të madh nga aktorë, duke përfshirë Morgan Freeman, Michael Douglas dhe Geena Davis, të cilët kanë luajtur president në filma dhe TV.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT