• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REVISTA FRANCEZE (1899) / NËNTË TREGUESIT PËR NJË EDUKIM TË SUKSESSHËM TË FËMIJËS — BROSHURA E THRANK SPIROBERGUT (FAIK KONICËS)

October 30, 2023 by s p


Faik Bej Konica (1875 – 1942)
Faik Bej Konica (1875 – 1942)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Tetor 2023

“Le Revue Internationale de l’Enseignement ” ka botuar, në qershor të 1899, broshurën e Thrank Spirobergut (Faik Konicës) me nëntë treguesit për një edukim të suksesshëm të fëmijës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Thrank Spiroberg. — Ese mbi edukimin, Shënime dhe fragmente. — Bruksel, R. Imbreghts.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Autori i kësaj broshure, i cili po punon për një vepër madhore mbi edukimin, ka botuar disa fragmente të saj. Për të, shkenca e edukimit presupozon domosdoshmërisht fiziologjinë dhe higjienën; ekziston vetëm një edukim i cili ka në mendje energjinë e trupit dhe kulturën e mendjes. Këtu janë disa nga treguesit që ai na ofron :

1° kufizim të lirisë së martesës nga kushte të urdhrit shkencor;

2° inkurajim të ushtrimeve fizike, eliminim të gjimnastikës;

3° rritje të fëmijës në një atmosferë moderimi dhe dashamirësie;

4° ofrim mësimdhënie gojore, të larmishme, të qartë dhe argëtuese deri në moshën tetë vjeçare;

5° shkollat duhet të merren vetëm me përfundimin e edukimit nëpërmjet një mësimdhënie cilësore;

6° frymëzim që në moshën katër vjeçare të shijes për vëzhgim dhe kërkimin e shkaqeve;

7° mësimi i gjuhëve të gjalla ka një dobi të madhe praktike, është i dëmshëm për zhvillimin e lirë të mendjes;

8° edukimi do të plotësohet nëpërmjet udhëtimeve;

9° edukimi duhet ta mësojë fëmijën që të veprojë në jetë vetëm pasi të ketë menduar, të mendojë vetëm me arsyetim dhe të arsyetojë vetëm në mënyrë metodike dhe me një metodë të mirë, domethënë shkencore.

P.

Filed Under: Ekonomi

EVROPA, SIGURIA DHE TABUJA E ARMËVE

October 30, 2023 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA – “Corriere della Sera”, 22 tetor 2023. Përktheu: Eugjen Merlika/

Është që nga 7 tetori që un, si të gjithë spektatorët e morisë së tryezave televizive, të kushtuara asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme, presim që ndonjëri ndër pjesëmarrësit e panumurtë të prirur për të kritikuar për shkaqe të ndryshme kundërveprimin e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit, të na shpjegojë ai se cila do të duhej t’ishte përgjigja e drejtë simbas mendimit të tij të ndritur. Ajo që ka ndodhur është e njohur: në një mëngjez të tmerrshëm Izraeli zgjohet nën një shi raketash.

Jo vetëm aq por me dyqind qytetarë të tij, gra pleq e fëmijë të rrëmbyer e të tërhequr si pengje jashtë kufijve, e njëmijë të tjerë të masakruar në mënyrat më rrënqethëse. Kundërvepron, po kundërvepron tani, në mënyrën që e dijmë. Por nuk kalon as edhe një minut e ngrihet një kor kritikash që bëhet çdo ditë e më i lartë: kundërveprimi i Izraelit është i gabuar, tejet i gabuar, ka një pasojë kundërprodhuese dhe të shpërpjestuar, ve në krizë “marrëveshjet e Abramit”, bën të tërbohen sheshet arabë, dhunon të drejtat e njeriut, merret me palestinezët e Gazës e jo me Hamasin (rastis që Hamasi qeveris Gazën: është njëlloj sikurse më 1943 ndonjeri  të qortonte Britaninë e Madhe se zbrazte tonelata bombash mbi gjermanët në vënd që t’i ruante ato për nazistët) e qortime të shumta.

Mirë. Por cila ishte mundësia për Shtetin hebraik? Cila duhej t’ishte, cila duhet të jetë atëherë përgjigja e “arsyeshme” simbas kritikëve të tij? Kundërveprimi me letrat në rregull? Cila duhej, duhet të bëjë Izraeli, cili duhej t’ishte veprimi i tij, i përputhshëm, i “përshtatëshëm”?

Nuk e dijmë, sepse së paku në njohjen time, në aqë orësh trasmetimesh televizive komentesh, përimtimesh dhe stërhollimesh të çfarëdo lloji, asnjëri nga kritikët e lartpërmëndur nuk e ka ndjerë për detyrë t’a thotë. Të na thotë se çfarë do të kishte bërë ai në vënd të Netaniahut. Ashtu sikurse vazhdon të mos e thotë asnjëri prej të shumtëve që në gazeta, nga karriket e Parlamentit, në çdo seli, e quan të tepruar, mizor, luftënxitës, e sidoqoftë të gabuar veprimin e Izraelit të ndërmarrë kundër armiqve të tij për jetë a vdekje.

Është një heshtje kuptimplotë. Por jo vetëm si dëshmi e kulturës së mangët ushtarake ose mungesës së fantazisë strategjike tek protagonistët e bisedës sonë publike; dhe as për faktin që natyrisht, siç është e dukëshme, mbulon në të vërtetë kundërshtinë e gjërë e të pashuar që rrethon Shtetin hebraik në një pjesë të rëndësishme në Vëndin tonë. Jo për të gjithë këtë, por sepse është një heshtje që flet për një pafuqi, pafuqinë e ne evropianëve. E dij se për shumicën e opinionit tonë publik  tema është një tabu, por nuk vlen t’i sillemi vërdallë. Ajo heshtje ka në thelb lëndën e hidhur të dorëzimit. Ajo dëshmon faktin që në këtë pjesë të Perëndimit nuk arrijmë as të përfytyrojmë se në çfarëdo rrethane, për çfarëdo zhvillimi të ngjarjeve, mund të jetë nevoja e përdorimit të armëve. Një përdorim armësh të vërteta, ai në të cilin luftohet për jetë apo për vdekje. Ose ndoshta për diçka akoma më të rëndësishme: për të mos humbur dinjitetin, për të vazhduar së qëni vetvetja, për të vlejtur diçka.

Është tabuja e luftës, iluzioni i paqes së përherëshme që opinionet publike evropiane kanë mundur të ushqenin për gjysmë shekulli, të mbrojtur me siguri nën mbulojën e arsenalit atomik amerikan, madje duke marrë edhe lluksin të organizojnë  edhe shfaqje të herëpasherëshme protestash kundër tij. Natyrisht në emër të paqës.

Është tabuja e luftës, mos pranimi i armëve ndërsa rritet çdo ditë rreth nesh numëri i Vëndeve që duket se synojnë në përdorimin e tyre. Ajo tabu që bën që gjithmonë ne evropianët në arenën botërore të vlejmë pak ose aspak, të mos kemi asnjë zë në kapitull, asnjë politikë të jashtëme. Kështu që sot për shembull vetë Ukraina, edhe se ndonjë ndihmë ushtarake po i a japim, gjithsesi e din mirë se në mbështetjen tonë nuk mund të ketë asnjë farë besimi, që vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe janë me të vërtetë në anën e saj.

Heshtja  e mjaft politikanëve tanë e i shumë komentatorëve ka të bëjë me përgjigjen e përshtatëshme që, simbas tyre, Izraeli  do të duhej t’i jepte sulmit të Hamasit e asgjë tjetër, që heshtja e atij që është tashmë  kaq i huaj përballë përmasave të rrezikut e të kërcënimit para së gjithash nga ana psikologjike, e të ndeshjes së mundëshme ushtarake pasuese, që në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk di se çfarë të thotë. Që nuk arrin as të përfytyrojë se çfarë duhet ose nuk duhet bërë në disa rrethana. Është heshtja e Evropës , heshtja e asgjësë.

“Corriere della Sera”, 22 tetor 2023. Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Ekonomi

Tirana, këndvështrimi im…

October 28, 2023 by s p

Mirela Kanini/

Tirana është qyteti që ka brenda vetes pak nga të gjitha. Në fillim kur sapo mbërrin të duket kaos dhe zhurmë, por pastaj ambientohesh ose të zë magjia shqiptare dhe gjithshka shndërrohet në një vend ku ndihesh mirë. Është vibrimi energjik i qytetit që zien, është dashuria që të falin njerzit aq të ngrohtë, është ai dielli i pakursyer i Tiranës. Është ai shiu që edhe kur bie gjithë ditën nuk e ndalon dot dyndjen e njerzve. Është ai ushqimi tradicional me të cilin nuk ngopesh dot. Është vendlindja ime që në të vetmen gjuhë e thërrasin atdhe dhe mëmëdhe sepse është vërtet dhe at dhe nënë. Mendova se do takoj atje vetëm njerëz të vuajtur, mashtrues, kriminelë, njerëz të pa formuar dhe injorantë të pagdhendur sipas opinionistëve të rrjeteve sociale. Por kuptova që dhe aty si në çdo qytet tjetër metropolitan ka njerëz të lumtur dhe të palumtur. Njerëz që duan dhe që urrejnë. Njerëz të pasur dhe të varfër. Por unë nuk di pse e dua shumë Tiranën time, pa kushte ashtu siç ndodh në të gjitha dashuritë e vërteta. E dua siç është dhe me shpresën që do të bëhet më e mirë, sepse ajo kurrë nuk ka qënë si kryeqytetet e tjera evropiane. Nuk ka trashëguar nga e kaluara katedrale, as ndërtesa me garguj apo shenjtorë të gdhendur nëpër mure. Mbaj mend një restorant diku në një cep të Gjermanisë që ndërtesa të paktën kishte egzistuar që në Vitin 1200 dhe vazhdonte të gatuhej në të njëjtën furrë me zjarr. Mund të kishim dhe ne të tilla por pushtimi otoman na la në prapambetje shekullore. Pa llogaritur që të vrasin sytë në Tiranë ndërtesat e shëmtuara të stilit komunist që të ngjallin trishtim. Pastaj janë kullat e dyshimta që bëjnë kontrast me realitetin. Me pak fjalë Tirana shpalos gjithë të vërtetën e saj…

Është e dukshme që nuk flas kurrë me urrejtje dhe mllef për vendlindjen time. Nuk marr pjesë as në toksikacionin politik nëpër rrjetet sociale. Por njerzit në Tiranë që nga taksixhiu e deri tek profesorët merren me probleme madhore që nuk besoj se zgjidhen dot kafeneve dhe aq më pak me statuse Facebook-u. Janë ca probleme që historikisht i kanë zgjidhur vetëm revolucionet. Jeta nuk është vetëm Rama, Sala, jeta është të duash çdo gjë të bukur dhe ta jetosh sipas mënyrës tënde. I plotësuar nuk ndihesh vetëm po të jesh i pasur se kam ndeshur plot të tillë të trishtuar e depresivë. Boshllëku më i madh I botës moderne është vetmia dhe në Tiranë të paktën pashë që egziston ai komunikimi shoqëror, njerzor i drejtpërdrejtë me njëri tjetrin që po humbet disi në botēn perëndimore. Edhe pse ndonjëherë është aq I drejtpërdrejtë saqë në 15 minuta bisedë të kanë pyetyr sa vjeć je, a je e martuar, sa fëmijë ke, a je natyrale apo ke bërë ndonjë operacion plastik, ku jeton, me çfarë merresh, sa e ke rrogën. Për pak mendova do më kërkojnë edhe llogarinë bankare. Falë natyrës sonë sociale ne kemi një thesar që uroj të mos zhduket. Mu kujtua historia e një profesori antropologjie që studionte sjelljet e një fisi indogjen. I bënte aq përshtypje lumturia e tyre sepse mbi të gjitha midis tyre pothuajse nuk egzistonte ajo ndjenja e të ndjerit keq pa arësye sidomos kur ke gjithshka të mundshme. Ata flisnin me shenja tinguj dhe me atë gjuhën e tyre të cilën ai jo vetëm e mësoi por më pas u dashurua marrëzisht me një grua të fisit e cila çdo gjê e ndjente e udhëhequr nga instiktet. Ajo e donte profesorin e ri jo për arritjet e tij shkencore me famë botërore të cilat as që i kuptonte, por për ndjesinë që i jepte prania e tij, tërheqja e fortë fizike dhe kimia midis tyre. E donte për mirësinë që ai shfaqte dhe sjelljet e tij mbrojtëse ndaj saj, instiktive gjithashtu. Ajo vërtet nuk kishte njohuri por kishte intuitë dhe kjo e fundit është shkalla më e lartë e inteligjencës. Ai i mësoi asaj pak nga pak gjuhën e tij dhe diçka mbi botēn e civilizuar. Ndërkohë u martuan dhe lindën dy fëmijë. Profesori mendoi që tashmë për të mirën e fëmijëve duhet të jetonin në civilizim dhe ashtu bënë. Por nuk kaloi shumë kohë dhe ai pa një trishtim të dhimbshëm në sytë e gruas së tij që tretej çdo ditë. Atë e lëndonte ftohësia e njerzve që përshëndesnin formalisht. Ju përgjerua profesorit ta kthente në fisin e saj sepse edhe pse jetoi në perëndim për shumë vite preferonte habitatin ku ndihej mirë. Profesori ja plotësoi dëshirën sepse dashuria është liri, ndërsa për veten e tij kishte ngecur mes dy botëve dhe nuk e dinte tashmë se kujt prej saj i përkiste. Unë për veten time e gjej veten ndonjëherë si gruaja indogjene e ndonjëherë si profesori…

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Mirela Kanini

MBROJTA E SHKOLLËS NORMALE NGA MBYLLJA APO TRANSFERIMI

October 27, 2023 by s p

Prof.Dr.Roland Gjini/

Shumë shpejt, menjëherë pas vitit 1909, për Elbasanin dhe elbasanasit shkolla Normale u bë simboli i qytetit për lidhjet e tij me arsimin e shkollën shqipe. Elbasanasit e donin Normalen e krenoheshin me të, pasi ajo i njohu ata në të gjithë Shqipërinë e trojet shqiptare, prandaj ishin gati të sakrifikonin gjithçka për mbrojtjen e saj. Jo më kot, që në vitet e para të hapjes së saj, ky qytet filloi të quhet nga shqiptarët “Elbasani i Normales” ndërsa shkolla “Normalja e Elbasanit”. Kur themi Normalja e Elbasanit, nuk mohojmë kurrsesi karakterin kombëtar që mori kjo shkollë. Këtë karakter Normales ia dhanë jo vetëm misioni i saj, por edhe përbërja e nxënësve normalistë nga të katër anët e trojeve shqiptare, si dhe përzgjedhja e trupës pedagogjike nga ajka e inteligjencës shqiptare të kohës. Në këtë shkollë, që u bë tempulli i arsimit në Shqipëri, do të jepnin mësim apo do ta drejtonin figura të njohura kombëtare të trojeve mbarëshqiptare, si Qamil Bala nga Gjilani, Bajo Topulli nga Gjirokastra, Luigj Gurakuqi nga Shkodra, Aleksandër Xhuvani nga Elbasani, Soti Peci nga Korça, Salih Ceka nga Çamëria, Ahmet Gashi nga Prishtina, e të tjerë.

Që nga nisja e funksionimit të kësaj shkolle e në vijim, të paktën deri në vitit 1938, shkolla Normale nuk e kishte të lehtë vijimin e punës së saj pikërisht në Elbasan. Në historinë e vet shkolla Normale, për arsye të jashtme e të brendshme, mbyllet për t’u rihapur përsëri me qetësimin e situatave. Përveç mbylljeve provizore,në aspektin e brendshëm, më së tepërmi për arsye politike, disa herë është hedhur mendimi, apo më tej akoma, janë hartuar projekte për transferimin e saj në një qytet tjetër të Shqipërisë. Mbyllja e parë e saj u bë në Shtator të vitit 1910, kur drejtor ishte Luigj Gurakuqi, për shkak të ekspeditës ndëshkimore të Shevqet Turgut Pashës. Para se të mbyllej, patriotët shqiptarë shfaqen ide të ndryshme për mbijetesën e saj. Një ndër këto ide ishte ajo e Fan Nolit, i cili nga Bostoni i shkruante Lef Nosit në Elbasan që do të ishte mirë dhe njëkohësisht një goditje për qeverinë osmane që Normalja të transferohesh jashtë tokave shqiptare në ndonjë shtet të Europës: “Bisedojeni ketê çeshtje me miqt’ e atjeshme dhe shkruamëni që të di. Jam gatî dhe unë dhe z. Faik bej Konitza të vemi të gjithë në Svicerë dhe të bêhemi të gjithë profesore atje dhe të gatitim një racë te ré për Shqipërine e nesërme.” Lef Nosi dhe elbasanasit më mirë preferuan të mbyllej përkohësisht se të transferohej. Do të rihapet përsëri në shkurt të vitit 1911 në shtëpinë e Qemal Karaosmanit. Në vazhdim, në vitin 1914, kur shkollën e drejtonte Aleksandër Xhuvani, mbyllet për së dyti nga terrori që po ushtronte në Elbasan ushtria rebele e Haxhi Qamilit, në korrik të këtij viti. Nxënësit mbetën pa dhënë provimet e fundvitit. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, sidomos pas vitit 1915, për shkak të vendosjes në Elbasan të ushtrive ndërluftuese, Normalja më tepër ndenji e mbyllur se e hapur. Pas mbarimit të kësaj lufte, puna në Normalen e Elbasanit filloi të funksiononte rregullisht. Pas rihapjes në 22 nëntor të vitit1918, u shfaq një rrezik i ri: transferimi i saj për në një qytet tjetër të Shqipërisë. Projekti i parë për transferimin e Normales diku tjetër u hodh për diskutim nga Qeveria e Sulejman Delvinës në vitin 1920. Me një vendim të Kongresit të Lushnjes shkolla Normale u vu nën varësinë e Ministrisë së Arsimit. Kjo e fundit, për zbatimin e idesë së transferimit nuk mori mendimin e autoriteteve lokakale, madje as të mësuesve të Normales, as të popullit të Elbasanit. Qenë disa demonstrata të popullit të Elbasanit që detyruan Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit që të heqin dorë nga ky plan në vitin 1920.

Në fundin e verës së vitit 1924 për Elbasanin, kur në fuqi sapo kishte ardhur Qeveria e Fan Nolit, doli përsëri problemi i shpërnguljes së Normales, tashmë nga Elbasani për në Shkodër. Arsyet e gjetura nga Ministria e Arsimit ishin paradoksale, deri te preteksi i sëmundjes së malarjes. Përsëri, ashtu si në vitin 1920, ka një reagim të ashpër nga autoritetet vendase, nga mësuesit e nxënësit e Normales si dhe nga populli i Elbasanit. Madje, në këto kushte, Lef Nosi mendoi edhe mundësinë e dorëheqjes nga detyra e kryetarit tw Bashkisë, pak ditë pasi e kishte pranuar atë vend. Në këtë çast të vështirë për simbolin kult të arsimit elbasanas, mes Lef Nosit dhe Aleksandër Xhuvanit është zhvilluar një letërkëmbim i dendur, që karakterizohej nga shqetësimi dhe gjetja e rrugëve përmes të cilave duhej vepruar. “Propaganda asht ba se Elbasani është me malarie – do t’i shkruante Aleksandër Xhuvani mikut të tij në Elbasan – dhe mësues e nxënës janë sëmunë dhe punë në shkollë s’bahet. Më ja kishin mbush mendjen njerzit edhe Gurakuqit e Vinjaut që të ngrihet Normalja nga Elbasani. Puna është me rrezik e çështja do bisedohet në kryeministri ndaj duhet të mbledhësh Këshillin e Belediesë (Bashkisë- R. Gj.) e t’i çoni delegatë kryeministrit e Ministrisë së Arsimit për të rrëzu fjalët që thuhen për Elbasanin e më pas të bëni edhe nji miting për të protestu”. Është për të ardhur keq që në projektin e transferimit u përfshi edhe Luigj Gurakuqi, asokohe ministër i financave. E themi këtë pasi ai kishte qenë një ndër themeluesit e Normales së Elbasanit të hapur në 1 dhjetor 1909, njëkohësisht edhe drejtori i saj i parë. Ai e kishte pranuar kërkesën për transferim bërë nga Ministria e Arsimit që drejtohej nga Stavro Vinjau, mbase, në këtë rast, ai është joshur nga fakti që kjo shkollë do të vendosej në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.

Në 16 gusht Këshilli Bashkiak kundërshtoi përpjekjet e Qeverisë për transferimin e shkollës Normale, duke argumentuar historikisht domosdoshmërinë e qëndrimit të saj në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu, u vendos të organizohej edhe një demostratë e madhe proteste. Në orën e caktuar tregu u mbyll dhe populli vërshoi nga të katër anët duke u grumbulluar në sheshin e Namazgjasë. Kjo ishte hera e dytë, pas ngjarjeve të vitit 1920, që populli i Elbasanit protestonte për të njëjtën çështje. Ishte hera e dytë që patriotët elbasanas, në krye të popullisë së qytetit e fshatrave përreth, ngrinin zërin për të mbrojtur ikonën e arsimit shqiptar, që ishte lindur dhe rritur, me shumë sakrifica, në Elbasan. Mbas mbarimit të mitingut, populli i revoltuar u nis drejt zyrave të PTT-së, duke e detyruar drejtorin e saj të thërriste urgjentisht në telefon zëvendëskryeministrin, Sulejman Delvinën, për t’i bërë të ditur vendosmërinë e tij për të mbrojtur, edhe me armë, Normalen në Elbasan. Pasi morën premtimin nga zv./kryeministri se: “Normalja do të mbetet aty ku u hap për herë të parë” demostruesit u shpërndanë dhe Normalja nuk u shpërngul në Shkodër. Në krye të Bashkisë së Elbasanit, Lef Nosi do të aprovojë kërkesën e drejtorit të Normales, Aleksandër Xhuvanit, për sistemimin e saj përkohësisht në shkollën “Kostandin Kristoforidhi”, në lagjen Kala, për aq kohë sa të përfundonte godina e re e Normales.

Për rreth 12 vjet Normalja do të vazhdojë e qetë punën e saj dhe do të përgatisë me qindra mësues, jo vetëm për Elbasanin por për tërë qytetet e trevat shqiptare. Problemi i shpërnguljes së saj rihapet në vitin 1936. Lajmi i hapur përsëri për shpërnguljen e kësaj shkolle kombëtare për në Shkodër ndodhi në një kohë kur drejtor i saj ishte sërish pedagogu, studiuesi, gjuhëtari dhe atdhetari i njohur elbasanas, Aleksandër Xhuvani. Në një shkrim të tij të botuar kohët e fundit në gazetë “Tema online” gazetari Dashnor Kaloçi shkruan se nuk kishte asnjë njoftim zyrtar në lidhje me atë lajm që qarkullonte ato ditë në të gjithë qytetin e Elbasanit, banorët e tij e besuan atë gjë dhe u ngritën në protesta masive, të cilat degjeneruan deri në konflikte fizike në mes qytetarëve dhe forcave të xhandarmërisë që ruanin rendin publik. Në këtë artikull ka edhe një pasaktësi kohore. Artikullshkruesi i përcakton ngjarjet e Elbasanit për shpërnguljen e Normales në vitin 1935, kur në fakt ato kanë ndodhur në vitin 1936. Më tej akoma, vërtet njoftim zyrtar nuk kishte, por burimet e tjera që përhapin lajme flasin ndryshe, le t’i shohim më poshtë.

Sinjalin e parë për rishfaqjen e idesë së shpërnguljes e jep një artikull në shtypin lokal të Korçës, dhe si kundërpërgjigje drejtuesit e Normales reagojnë ashpër në 24 shkurt të vitit 1936, po në shtyp: “E kënduat se çna shkruanin nga Korça? Në Elbasan pëshpëritet se Ministria e Arsimit do të ndajë qytetsen nga Normalja tashti në mes të vitit. Po përshpëritet edhe një gjë tjetër: të ngrihet Normalja nga Elbasani, sikurse desh të bëhesh më 1924, në kohën e Qeveris revolucionare … Kjo mburrje nuk mund t’i hiqet nga gjiri i Elbasanit. Edhe qeveria revolucionare e 1924-ës deshi t’ia heqë, por nuk mundi. Kur themi Normale na kujtohet Elbasani dhe kur themi Elbasani na vjen menjëherë në mendje Normalja. Janë dy emra të lidhura dhe të paçkëputura midis tyre.” Ministri i arsimit të asaj kohe, Nush Bushati, i cili erdhi në Elbasan më 11 prill të vitit 1936, u shpreh se shteti do të ndihmojë ndërtimin e shkollës së re Normale që ka mbetur përgjysmë, por nuk tha asnjë fjalë për shpërnguljen e kësaj shkolle, ndërkohë që opinioni i Elbasanit po ziente për këtë problem. Për mbi dhjetë muaj, nga shkurti deri në nëntor të vitit 1936, Ministria e Arsimit nuk nxori asnjë njoftim apo deklaratë përgënjeshtruese për këtë lajm. Vetëm në nëntor të vitit 1936, kur populli është ngritur në protesta e demostrata, gazeta lokale e Gjirokastrës njofton se Qeveria me anë të një komunikate e ka hedhur poshtë këtë lajm të përhapur, dhe shkruan se “… Normalja e Elbasanit ka një histori, ka tradita. Është një nga më të vjetrat shkolla shqipe të Atdheut. Pra, një vendim për transferimin e saj jo vetëm do të ishte një padrejtësi e madhe, por edhe një guxim i math. Dhe, në rast se Ministria e Arsimit e bën me gjithë mend një gjë të tillë, jo vetëm do të bënte një gafë, të pa shembullt, por edhe një krim”

Lidhur me përhapjen e lajmit se Normalja e Elbasanit do të transferohet për në Shkodër, gazetari i njohur i saj kohe, Nebil Çika në gazetën “Arbënia” që botohej në Tiranë, shkruan se ky lajm është përhapur nga vetë drejtori i shkollës, Aleksandër Xhuvani. Në kundërshtim të kësaj akuze trupa pedagogjike e shkollës Normale, mes të tjerash, jep këtë përgjigje: “… Një seri botimesh të z. Çika nxjerr si shtytës krysor të manifestimeve të Elbasanit zotin Aleksandër Xhuvani. … Kolegu i Tiranës mund të ketë arsyet e tij, por neve na duket se z. Aleksandër Xhuvani, mësues i shqipes nga më të vjetrit, njeri që e ka dëftuar vetëhen dhe i ka falur vepra të sgjedhura shkollës shqipe, ka bërë për të kaq shërbime sa nuk e arrijmë as në bisht akoma dhe shumë të rinj që mbahen rëndë dhe s’po na nxjerrin gjë në shesh – meritonte jo goditje, por nderime dhe kënaqësime.” Në artikujt e Nebil Çikës shkruhej se fillimisht lajmi u përhap në pazarin e Elbasanit, ku u mbyllën 500 dyqane dhe tregtarët u grumbulluan para Prefekturës. Më tej shkruhet se “Në Prefekturë për shkak se ishte ditë pushimi, natyrisht nuk u gjend njeri. Atje zoti Xhafer Miraku, i mbajti popullit një fjalim me anë të së cilit theksoj se elbasanasit me asnjë mënyrë nuk mund të pranojnë shpërnguljen e Normales që projektohet prej Ministris s”Arsimit. Veç zotit Miraku, fjalime analoge mbajtën dhe zoti Shefki Kulla, tregtar, dhe avokat Shefqet Daiu. Populli natyrisht i priti fjalimet me brohoritje duke çfaqur me gjallëri dëshirën e tij për të mos shpërnguljen e Normales nga Elbasani” Sipas zotit Çika arësyet se përse Xhuvani e përhapi këtë lajm lidhen me faktin që ai nuk i honepste dot zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, të cilën po e katandisnin keq e më keq arsimin shqiptar.

Ka të ngjarë që lajmi për shpërnguljen e Normales nga Elbasani, në këtë kohë, mund të jetë i lidhur me një vendim të Qeverisë po në vitin 1936. Sipas këtij vendimi duhej ndarë veç shkolla qytetëse nga shkolla Normale. Shkolla qytetëse përfshinte katër vitet e para të studimit të shkollës Normale, quhej ndyshe “plotore”, pasi plotësonte njohuritë e marra nga arsimi fillor 5-vjeçar i asaj kohe, nga ku vinin nxënësit e Normales. Katër vitet e tjera të Normales ishin vite shkollimi profesionale, për t’u bërë mësues. Pra me vendimin e ri studimet në Normale nuk do të zgjasnin më 8 vite, por 4. Ky vendim mund të ketë shërbyer si dyshim për opinionin e Elbasanit, sepse pas këtij përgjysmimi të viteve të shkollimit në Normale, sipas këtij opinioni, do të vinte edhe largimi i saj nga ky qytet dhe ashtu si në vitin 1924, Normalja do të shkonte në Shkodër.

Megjithatë, duke parë protestat dhe manifestimet e popullit të Elbasanit, që ishin masive dhe këmbëngulëse, Qeveria u detyrua të dalë me një komunikatë ku premtonte se Normalja nuk do të transferohej. Nga ana tjetër, puna për përfundimin e ndërtimit të shkollës së re kishte mbetur në vend. Tri vjet pas këtyre protestave Qeveria akordon një fond shtesë për ndërtimin e plotë të kësaj shkolle, në janar të vitit 1939, fond i cili nuk u lëvrua për arsye të pushtimit të vendit nga Italia fashiste në 7 prilll të vitit 1939. Normalja e Ebasanit vijoi punën e vet edhe gjatë viteve të pushtimit italian e gjerman, duke diplomuar si mësues me qindra djem e vajza të tjera nga tërë trojet shqiptare.

Filed Under: Ekonomi

U MBAJT EDICIONI I XXVII I FNP “DITËT E NAIMIT”

October 26, 2023 by s p



Prej 19–21 tetor 2023, në Tetovë u mbajt Edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Në këtë edicion u zhvilluan aktivitetete letrare, artistike dhe kulturore.
Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Pierfranko Bruni (Itali), Marisa Martínez Pérsico (Argentina), Tanya Ko Hong (Korea e Jugut), Dayra Lee Montoyo Leandry (Porto Riko), Mohamed Rabie (Palestinë/SHBA), Mario De Rosa (Itali), Nikolay Naydenov (Bullgari), Ali Al Shalahi (Irak /Zvicër), Muhsine Arda (Turqi), Xanthi Hondrou-Hill (Greqi), Tara Skurtu (SHBA), Maria Teresa Alfonso (Itali), Adi Memeti (SHBA), Juliana Veliçkovska (Maqedonia e Veriut), Arjan Kallço dhe Eva Kacanja (Shqipëri), Halil Matoshi , Ndue Ukaj dhe Mërgime Jetishi (Kosovë), Puntorie Muça ZIBA, Valdeta Dulahi dhe Saranda Mehmedi (Maqedonia e Veriut),.
Hapja festive e Edicionit të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureati italo/arbëresh Pierfranko Bruni dhe kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore, Baba Edmond Brahimaj vendosën buqete lulesh para shtatores dhe i dhanë një minutë heshtje poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.
Edicionin e 27-të të FNP “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, “Trazirat në botë janë si furtuna të papritura që rrethojnë vrullshëm jetën tonë të përditshme. Në këtë peisazh kaotik, poezia del si një urë e qetësisë, si një fener shprese.
Poezia vepron si një urë e përjetshme, që eleminon boshllëqet midis kulturave, emocioneve dhe përvojave të ndryshme, duke u mundësuar individëve të lidhen në një nivel të thellë përmes fuqisë së fjalëve. Ajo shërben si një urë për në territoret e paeksploruara të shpirtit njerëzor, duke krijuar një rrugë drejt vetëkuptimit më të thellë dhe ndjeshmërisë së përbashkët.
Të dashur poetë, Ju sot ndodheni në Tetovën e Poezisë, ku “Ditët e Naimit” si një operator letrar dhe kulturor, për me shumë se çerekshekulli ka promovuar dhe afirmuar letërsinë, kulturën, gjuhën, poetin tone kombëtar, Naim Frashëri, ka ndihmuar në afirmimin e qytetit, vendit dhe gjuhës sonë, por edhe në vlerësimin e gjuhës, letërsisë dhe vendin e tjetrit. Kjo ka bërë që diversiteti të shihet si një pasuri, një pasuri që garanton një të ardhme të ëndërruar. ‘Ditët e Naimit është një shenjues i urave që janë ngritur dhe do të ngrihen në vazhdimësi…
Komunikimi i ndërtuar mes poetëve, mes traditave letrare dhe ndërlidhja me të gjithë ata që duan poezinë ka bërë Tetovën një emblemë gjithnjë e më domethënëse.
Më pas, ai reagoi ndaj censurës/bojkotimit të mediumeve që i bëjnë Festivalit, si dhe ndaj mosmbështetjes së këtij edicioni nga ana e institucioneve shtetërore, ku sivjet Ministria e Kulturës ndau vetëm 104.000 denarë apo 1700 euro (ndërkaq, që të njëtin format Festiavli, ate të Strugës e financoi me 7.600 000 denarë, apo 124 000 euro), gjë që paraqet një diskriminim të hapur. Edhe Komuna e Tetovës, nuk ndau për të dytin vit me rradhë asnjë denarë, sikur Festivali të mbahet në hënë, e jo në Tetovë, ndonëse ky festival për 27 vjet e ka afirmuar dhe promovuar më mire se çdokush tjetër, qytetin tonë.
Në atë skenë të bukur, para publikut artdashës, laureatit Pierfranko Bruni, iu nda çmimi i madh “Naim Frashëri” (Në vitin, 2004, ai qe shpall Anëtar Nderi i Festivalit). Laureati me këtë rast falenderoi për këtë nder që iu bë poezisë, veprës së tij. Më tej ai u shpreh se, “Të ecësh nëpër rrugë do të thotë të lexosh gjithçka në një sintezë tronditëse. Përjetova një përvojë të jashtëzakonshme me rikthimin pas vitesh në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut. Mes shqiptarëve të Tetovës gjeta Shqipërinë e trashëgimisë sime. Nënkupton të përjetosh me atë mikpritje që vetëm popujt që e njohën historinë të shndërrohet në mit dhe përkatësi mund ta zotërojnë. Mikpritjen që gjeta këtu në sajë të Shaipit është e vështirë ta gjesh diku tjetër, pasi unë kam udhëtuar shumë në vende dhe realitete të tjera. Kjo na bën më shumë pjesëmarrës në këto takimë që janë takime dashurie. Ballafaqimi me gjuhët do të thotë ballafaqim me njerëzit. Për mua ishte një takim kuptim plotë, i rëndësishëm, aq sa do të përpiqem ta tregoj, kudo që do shkoj, sepse ky komunitet i poetëve është komuniteti i bukurisë. Sepse tingulli është gjuha e zemrës”. Jurinë e Festivalit e përbënin Prof. Dr. Ymer Çiraku (kryetar), Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Dr. Vebi Bexheti.
Gjithashtu, në këtë natë magjike u nda edhe çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë. Atë e mori poeti shqiptar, Adi Memeti nga SHBA.
Në ditën e dytë të Programit, poetët vizituan monumentet kulturo-historike të Tetovës. Ndërkaq, në teqenë Arabati Baba, ata u pritën nga Kryegjyshi, Baba Edmond Brahimaj, i cili u foli për historikun e Teqesë dhe rëndësinë e saj ndër vite. Këtu, gjithnjë sipas programit, u mbajt ora letrare “Poetë dhe vargje”, në të cilën poetët lexuan krijimet e tyre, si dhe u nda edhe çmimi letrar “Silke/Liria”. Ky çmim i takoi poetes turke, Muhsine Arda.
Në mbrëmje në Qendrën për kulturë dhe art “Shift Center” u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”. Ku poetët pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës dhe poetë shqiptarë, lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit nga Kosova, Halil Matoshi, çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetes koreane Tanya Ko Hong, çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik shkoi për poeten nga Argentina, Marisa Martinez Persico.
Këtë vit, Drejtoria ndau edhe dy mirënjohje; për TV Koha dhe për piktorin akademik Reshat Ameti.
Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur, Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan pianistja Jasmina Salija dhe violinistja Doriana Selmani, ndërkaq, leximin e poezive në shqipe të poetëve pjesëmarrës i përcolli me piano, Jasmina Salija.
Drejtoria e Festivalit, si gjithmonë, edhe në këtë edicion botoi Antologjinë e Festivalit, të poezive të poetëve pjesëmarrës me titull “Sytë e mbrëmjes”, të përgatitur dhe redaktuar nga Shaip Emërllahu e me parathënie të George Walllace.
Festivalin, përveç Ministrisë së Kilturës, e sponzorizuan restorantet “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

D. Hadri

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 226
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT