• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkolla Shqipe “Alba Life”, në shkollë të re në Bronx

September 22, 2019 by dgreca

Në ditën e parë të shkollës nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Washington Ambasadore Floreta Faber/

Nga Keze Kozeta Zylo/DIELLI*/

Në mjediset e Shkollës së mesme publike amerikane Christopher Columbus e cila ndodhet në Pelham Parkway, nxënësit, mësuesit, prindërit dhe gjyshëit vinin grupe-grupe për të filluar ditën e parë të Shkollës Shqipe.  Me fytyrat e gëzuara dhe sytë që ju reflektonin vetëm dritë e bënin këtë të shtunë dhe më të shndritshme dhe më entuziaste.  Shkallët përpara shkollës u mbushën përplot dhe kush e kush me flamur shqiptar dhe amerikan në dorë i valëvisnin me krenari sa më lart në ajër.  Dielli të lëbyrte sytë dhe një fllad veror vinte herë pas here nga gjethet e pemëve që vazhdonin të rrinin si kurorë e gjelbër mbi godinën e lartë të kësaj shkolle. 

Ishte krijuar një harmoni perfekte midis natyrës dhe ditës festive në hapjen e Shkolles Shqipe në Bronx nga Alba Life.  Ndonëse mund të shihje tek tuk ndonjë nxënës që fshihej apo lotonte pas krahëve të mamit, nga përvoja e gjatë e jetës si mësuese e shkruaj me bindje se ata mësohen dhe luëzojne aq shpejt sa më vonë u kërkojnë vetë prindërve të venë sa më parë në shkollë. 

Hapja e Shkollës Shqipe në Bronx nuk ka qenë e lehë, ka qenë rrugëtim i vështirë, punë, ec e jake, por jo dhe e parealizueshme.  Prindërit falënderonin herë pas here dhe ajo që dëgjoja më së shumti nga ata ishte se jo veëm që shprehnin kënaqësinë për mësimin e Gjuhës Shqipe, por dhe tejet të kënaqur që shkolla do t’i bëj të jenë të zënë me punë kualitative se sa të qorrojnë sytë pranë I-padit.  është gjuha e nënës sime më tha një nxënës gjatë bisedave të shkurtra para mësimit, i cili më preku thellë dhe më kujtoi prozatorin e shquar Mitrush Kuteli qe thotë:

Të falem ty, o Gjuhë, hoj,

ty, zëth i nënës, qetësi,

ty, këngë e foshnjës, kaltërsi,

ty, afshi i zemrës, dashuri,

gjithmonë e ëmbël,

…mjaltë zgjoi.

Sa me krenari i dëgjoja dhe i kundroja nxënësit, kur ngjisin shkallët e shkollës me mësueset e tyre për të shkuar pranë klasave.  Si zakonisht siç bëhet në ditën e parë të shkollës u bë një ceremoni festive në mjediset lluksoze dhe komode  të librarisë së shkollës.

Moderatorja e ceremonisë ishte autorja e këtij reportazhi bashkëthemeluese e shkollave shqipe e cila në emër të bordit të shkollës iu uroi të gjithë të pranishmëve, prindërve dhe nxënësve fillim të mbarë dhe ta gëzojmë këtë shkollë të re shqipe në Bronx.  Ndonëse “Alba Life” ka hapur shkolla në të gjitha lagjet e Nju Jorkut Bronxi kishte ngelur për në fund, por populli thotë se ëmbëlsira lihet për në fund.  Ndonëse shpesh herë kishim pasur kërkesa nga prindër të ndryshëm për të hapur një shkollë shqipe në Bronx, përsëri koha shumë e zënë kishte bërë të vetën.  Por kur ne pamë se disa prindër po udhëtonin që nga Bronxi për të ardhur në Staten Island për gati 3 deri në 4 orë si psh. Familja e Elton dhe Arta Xhaferrit me të dy fëmijet u nxitëm për të realizuar një shkollë shqipe në Bronx.  Po kaq nxitëse ishte dhe lidhja me birin e UÇK-së Blerim Gjocaj i cili ëndërronte që fëmijët e tij t’i sillte në shkollë shqipe dhe të mësonin gjuhën shqipe.  Ai shpesh na thoshte se betejat e luftës janë më të lehta se betejat për të mos u asimiluar dhe doemos që ja merrnim në konsideratë këtij trimi të Kosovës që familjarisht hodhën pushkën në krah dhe i dolën për Zot trojeve shqiptare.

Një kontribut shumë të dukshëm po jep dhe ish pedagogja e universitetit në Tiranë znj.Majlinda Tafaj e cila koordinon në realizimin e programit mësimor.  Të tre së bashku si Xhaferri, Gjocaj dhe Tafaj kanë rekomanduar dhe kanë punuar për të sjellë sa më shumë nxënës në shkollë.

Falënderimi shkoi dhe për mësueset Elda Gjongeci, Mirvete Krasniqi Veselaj dhe asistentet si Ergona Matoshi të cilat kanë një përvojë të mjaftueshme në mësimdhënie si në Kosovë dhe në Shqipëri dhe do të jenë pranë klasave të tyre për të dhënë mësim. 

Një urim me telefonatë erdhi nga z.Mark Gjonaj këshilltar pranë Bashkisë së Nju Jorkut dhe një lider i përkushtuar i Diasporës dhe i Kombit i cili në pamundësi për të ardhur uroi suksese për hapjen e shkollës dhe vit të mbarë.

Në këtë ceremoni nderuan nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” z.Bashkim Shehu kryetar, z.Mark Qehaja n/kryetar dhe z.Imer Lacaj financier.

Në ditën e parë të shkollës nderoi me pjesëmarrjen e saj Ambasadorja e Republikës së Shqipëisë në Washington Ambasadore Floreta Faber e cila shoqërohej nga Konsullja e Shqipërisë në New York znj.Najada Sojli. Ato u mirëpritën me lule të dhuruara nga dy nxënëse të talentuara si Amelba Xhaferri dhe Fatjona Gjocaj.   Ambasadorja Faber bisedoi nëpër tavolinat ku ishin ulur nxënësit dhe i përshëndeste ata për ditën e parë të shkollës.  Fjala e saj ishte mbresëlënëse tek të gjithë të pranishmit.  Midis të tjerash Ambasadorja Faber tha se unë gjithmonë e kishja planifikuar për ta vizituar Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe ja sot jam shumë e gëzuar dhe po marr pjesë në hapjen e një shkolle shqipe në Bronx.  Kur shikoj posterat e ndryshëm dhe në njerin prej tyre lexoj si: “Ti Shqipëri më jep nder më jep emrin shqiptar” dhe vazhdoi duke interpretuar zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr shkruar nga kryerilindasi Naim Frashëri emocionohem dhe më ngazëllehet shpirti që gjeneratat në Diasporë luftojnë dhe punojnë për të mbajtur gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare.” 

Ambasadorja Faber falënderoi z.Qemal Zylo themelues dhe drejtor i Shkollave Shqipe Alba Life së bashku me stafin e shkollës dhe njoftoi se nesër në një ceremoni në Manhattan Shkolla Shqipe “Alba Life” do të vlerësohet si Ambasador i Kombit, vlerësim që u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.

Qemal Zylo i falënderoi të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit qe i janë bashkuar programit serioz të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe iu uroi që ta gëzojmë së bashku Shkollën Shqipe në Bronx. 

Më vonë Ambasadorja Faber shkoi në të gjitha klasat dhe iu dhuroi nxënësve në emër të shtetit shqiptar librat e abetares dhe një kontigjent librash dhe iu premtoi se do të sjellë libra pësëri në të ardhmen.

Dita e parë e shkollës dhe ceremonia festive u filmua nga z.Qazim Doda producent dhe themelues i TV “Albanian American Vision” si dhe nga TV “Alba Life” me kameraman Elton Xhaferri dhe Glen Nutaj.

E shtuna në Bronx ishte një ditë e veçantë, e bekuar, sepse ishte nje ditë që i falej Gjuhes Shqipe, Gjuhes sonë Hyjnore!  Udha e shkronjave do të vazhdojë e ndritur përjetësisht!

21 shtator, 2019

Bronx, New York

* per me shume foto shihni ne Facebook-dielli vatra

Filed Under: Emigracion, Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo-Shkolla-Alba Life-Shkolle e re

“Blloku” i Isuf Kalos

September 18, 2019 by dgreca

Ky libër nuk doli kot dhe rastësisht. Me kohë kishin dale shumë fakte të reja për krimet e komunizmit dhe të Enver Hoxhës dhe figura e tij kishte rënë mjaft. I duhej dhënë një impuls jetëdhënës dhe këtë u përpoq t’ia jepte Isufi….

                                                                                 SHKRUAN: ILIR HASHORVA/

 U bë më se një muaj që çdo ditë e çdo natë, nëpër faqet e gazetave dhe nëpër ekranet televizive gazetarët intervistojnë Isuf Kalon në lidhje me librin e tij  “Blloku”, në të cilin personazhi kryesor dhe më i rëndësishëm është Enver Hoxha. Tashti disa televizione kanë filluar ta intervistojnë për here të dytë, por është e kotë se ai ato që pati për të thënë dhe që mund t’i thoshte, i tha të tëra që në fillim. Ndërsa në emisionet e para gazetarët e të ftuarit nëpër studio televizive përpiqeshin t’i bënin vetëm elozhe Isuf Kalos dhe librit të tij, tashti kanë filluar edhe ta kritikojnë. Në emisionin e fundit të Blendi Fevziut pati vetëm kritika. Reklama shumë e tepruar për atë libër po luan tashti rol të kundërt dhe Isuf Kaloja bën mirë ta përfundojë misionin që pati dhe të largohet.

Ky libër nuk doli kot dhe rastësisht. Me kohë kishin dale shumë fakte të reja për krimet e komunizmit dhe të Enver Hoxhës dhe figura e tij kishte rënë mjaft. I duhej dhënë një impuls jetëdhënës dhe këtë u përpoq t’ia jepte Isufi.

Në libër vihet re shumë qartë shfaqja e admirimit të autorit për Enver Hoxhën, Nexhmie Hoxhën dhe familjen e tyre si dhe e denigrimit ndaj Ramiz Alisë dhe Mehmet Sheut dhe familjes së tij. Nga kjo pikëpamje autori nuk del i paanshëm dhe rrjedhimisht as i besueshëm për ato që thotë në përgjithësi. Por, nuk është kjo kryesorja, sepse nuk ka shumë rëndësi se cili është më i mirë dhe cili më i keq nga personat për të cilët ai bën fjalë. Kryesorja është se autori nuk merret me gjëra esenciale, me gjëra të rëndësishme, por merret kryesisht me gjërat banale të jetës së bllokut. Ato që tregon Isuf Kaloja në pjesën më të madhe të librit janë të përshtatshme për t’u treguar nga punonjësit e rëndomtë të bllokut si bahçevanë, hidraulikë, elektricistë, kuzhinierë, infermierë, shoferë e të tjerë dhe jo nga një mjek profesor si Isuf Kaloja. Prej atij, si mjek personal i Enver Hoxhës, që u gjend pranë tij më afër se çdo njeri tjetër dhe për një kohë mjaft të gjatë, priteshin të thuheshin të tjera gjëra, edhe prej atyre që shumë njerëz brenda bllokut mund t’i shihnin dhe të mos i kuptonin.

Dikur kam parë një film në të cilin policia japoneze po ndiqte një person. Policia kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe po kontrollonte kudo për materiale komprometuese. Ndërsa të tjerët nuk lanë mur pa çarë e dysheme pa shqepur, njëri prej agjentëve u përqendrua te biblioteka. Kur të tjerët i thanë që të merrte pjesë edhe ai në kërkimin ndonjë sendi komprometues, ai u tha se nëpërmjet librave që lexonte personi që kërkohej, ai kuptonte se me ç’njeri kishte të bënte. Ai në atë mënyrë njihte botën e tij të brendshme që ishte shumë më me vlerë se bota e tij  jashtme, se një revole që mund t’i gjendej në shtëpi. A ka bërë, për shembull, ndonjë vëzhgim Isuf Kaloja në bibliotekën e pasur të Enverit? Për shembull, a mendonte ai se Enveri ishte një lexues dhe studiues i pasionuar e serioz, apo ishte thjesht një bibliofil ekcibisionist? Ç’lloj librash lexonte më shumë ai?

Do ishte me shumë interes që Isuf Kaloja të na fliste pak për botën e brendshme, për botën shpirtërore, për botën e padukshme të Enver Hoxhës. Për shembull: a kishin ndonjë efekt mbi të vrasjet që kryente, a i ndryshonte natyra para vrasjeve apo pas vrasjeve të kundërshtarëve apo të shokëve të tij, a tronditej ai nga vrasjet apo vrasjet i kryente dhe i kalonte me gjakftohtësi të plotë e s’i bënin fare përshtypje, pra a bëhej Enver Hoxha kriminel jashtë natyrës së tij, a vriste ai nga halli, apo vriste i nxitur nga impulset brendshme? Isuf Kaloja nuk na thotë fare nëse ka vërejtur ndonjëherë tek Enver Hoxha shenja të paranojës, për të cilat flasin të gjithë e që janë të qarta edhe për ata që nuk e kanë njohur nga afër, paranojë që ka qenë shkak i shumë krimeve të kryera prej tij.

Në një intervistë që i dha së fundi Monika Stafës, Kaloja thotë: “Unë kam bërë thjesht një fotografim të Bllokut nga brenda. Një fotografim pa aparat. Fotografim me anë të ndjesive, me anë të shqisave. Fotografi psikologjike për të kuptuar pse ndodhnin ato që ndodhën dhe përtej atyre që ndodhnin”.

Ku i ka këto fotografime me anë të ndjesive Isuf Kaloja? Ai nuk jep asgjë prej tyre.

Nuk na ka folur kurrë për gjendjen e Enverit, kur në bllok apo në Shqipëri, me urdhër të tij ndodhnin gjëra të jashtëzakonshme që tronditnin të madh e të vogël, komunistë e antikomunistë. Ai thotë vetëm: “Mendërisht (“udhëheqësit”) ishin te zakonshëm, por kishin në dorë të bënin gjëra të pazakonta. Madje edhe disa gjëra të pajustifikuara, deri në vrasje njerëzish që për mendimin tim, ishte tejkalim i kodit moral… Por unë kam pasur kënaqësi të jetoja me ta. Kam udhëtuar me ta, kam ndenjur në ambiente me ta, i  kam shoqëruar…kudo thuajse”.

Për Isuf Kalon, vrasja e njerëzve si të ishin insekte ishte thjesht një “tejkalim i kodit moral”, jo më shumë, jo krim dhe prandaj kjo gjë atij nuk ia pengonte kënaqësinë që e bënte të ndiente jetesa me të e me shokët e tij!

Duket qartë se mendësia e Isuf Kalos është e njëjtë me atë që ka pasur në kohën kur i shërbente Enverit. Ajo nuk ndërroi as pas njëzetepesë vjetësh të ndenjes dhe punës në një nga vendet më humane e më të qytetëruara të botës, as pas tridhjetë vjetësh pas shkërmoqjes së komunizmit tek ne dhe zbulimit më mirë të fytyrës dhe veprimtarisë së Enverit dhe as pas tridhjetepesë vjetësh pas vdekjes së Enverit.                                 17.09.19         

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: Ilir Hashorva-Isuf Kalo-Enveri-Libri-Blloku

PELIGRINAZHI I GREKEVE NE SHQIPERI DHE VARRET E ÇAMEVE NE GREQI

September 12, 2019 by dgreca

Grekët mund ta bëjnë pelegrinazhin në Shqipëri, ndërsa çamëve u ndalohet të vizitojnë varret e gjyshërve/

Nga Arben Llalla/

Prej 15 vitesh shoqata e veteranëve ushtarakë dhe policisë të Ksanthit organizon një pelegrinazh për të nderuar heronjtë grekë që janë vrarë në Shqipëri. Kjo shoqatë ushtarako-policore në emër të ndihmës për shkollat greke në jugun e Shqipërisë organizon katër herë në vit udhëtimin e pelegrinazhit të heronjve duke vizituar vendet ku adartët dhe ushtria greke që nga viti 1913-1949 janë vrarë në përpjekjet e tyre për të aneksuar jugun e Shqipërisë. Udhëtimi prej 5 ditësh me dy autobusë nis nga kufiri i Konispolit, me vizita në Delvinë tek vendet, ku kanë luftuar grekët më 1913-1914 për të shpallur autonominë e Veriut të Epirit. Më tej, ky rrugëtim vijon në Sarandë në takime me krerët e pakicës greke, kurse dhurohen ndihma shkollore si libra, fletore, atlase, në mënyrë që fëmijët e vegjël grekë të mësojnë, pasi shteti shqiptar “ushtron dhunë mbi ata”. Kjo është motoja e këtyre grupeve që na vijnë nga fqinji ynë jugor.

Ditën e dytë të këtij misioni këta ushtarakë e policë pensionistë, të cilët janë stërvitur me vite për sulme ndaj Shqipërisë vazhdojnë udhëtimin për të vizituar Himarën dhe fshatrat rreth saj, vende ku ka luftuar ushtria greke me në krye Jorgo Zografin për të përfunduar në shkollën greke “Omiros”.

Të tretën ditë programi është për të vizituar Tepelenën, Përmetin, Këlcyrën dhe lartësinë 731, ku janë vrarë me mijëra grekë gjatë luftës së 1940-1941, pa harruar vizitën tek Shën Kozmain për të përfunduar në Gjirokastër në takimet me përfaqësuesit e diplomacisë greke dhe Mitropolitin Dhimitrios. Ditën e fundit këta grekë pelegrinazhin do e vazhdojnë në Bularat për të vizituar shkollën e fshatit dhe varrezat e ushtarëve grekë. Por, sivjet programit të këtij pelegrinazhi i është shtuar edhe homazhe tek varri i Kostandin Kacifës, si dhe tek vendi ku mbeti i vrarë ky kriminel, i cili cënoi rendin publik më 28 tetor 2018.

Grupet paramilitare greke kanë ngritur iniciativën për të ndërtuar një kishë tek kodra, ku u vra Kacifas e për ta shpallur vend të shenjët me emrin “Shën Kacifas, martiri i flamurit të greqizimit”.

Këta grekë do të priten zyrtarisht më 24 shtator nga Mitropoliti Dhimitër i Gjirokastrës, nga Konsulli i Përgjithshëm grek Llambros Kakisis si dhe nga këshilltari  i Ministrisë së Arsimit të Greqisë për shkollat greke në Shqipëri, Vasilius Sotirudhas.

Por, përse shqiptarët nga Çamëria nuk kanë të drejtë të vizitojnë varret e të parëve të tyre, varret e çamëve që ranë dëshmorë për çlirimin e Greqisë në Luftën e Dytë Botërore? Ka patur mbi 3.000 çamë që luftuan në ushtrinë ELAS-EAM kundër pushtuesëve italianë dhe gjermanë.

Pra, grekët mund të vijnë të çirren të na fyejnë brenda në shtëpinë tonë, ndërsa çamët nuk mund të vizitojnë as si turistë, varret e gjyshërve dhe shtëpitë e tyre.

Është e qartë se më 22 shtator dogana e Qafë Botës nuk do i ndalë këta dy autobusë, si dhe qindra libra të propagandës greke kundër Shqipërisë që do sjellë Shoqata e ushtarakëve dhe policëve të Ksanthit. Me vete këta “turistë”-provokatorë do sjellin libra për t’i shpërndarë nëpër shkollat e Shqipërisë, ku mëson pakica greke si në Mesopotami, Delvinë, Sarandë, Gjirokastër e deri në Himarë.

Si është e mundur që shteti shqiptar lejon libra të tillë, madje pa paguar as doganë? Kur në nëntor 2016 u ndaluan dy shoferë të MPJ të Shqipërisë, sepse mbanin në bagazhin e tyre disa libra shkollorë për fëmijët shqiptarë që jetojnë në Greqi, dhe u dënuan me 30 ditë burg nga Gjykata e Janinës, vetëm pse dhjetëra Abetare në shqip. Shoferët e MPJ-së së Shqipërisë ishin Altin Tafa dhe Agim Asllani.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Arben Llalla-Peligrinazhi I grekeve ne Shqiperi-varret e Çameve en Greqi

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)

August 31, 2019 by dgreca

Rubrika e Diellit: Këshilla Mjeksore

Infarkti akut i zemrës, (Acute Myocardial Infarction -AMI)Shkruan: Dr. ZEKRI PALUSHI (MD)*/

Rast konkret:K.D, 59 vjeç, mashkull, vjen për një konsult, i shoqëruar nga gruja e tij. Që në pamje dukej se ishte në dhimbje të forta, prandaj menjëherë e shtrimë në krevatin e vizitës. Ai po ankonte për dhimbje të forta në pjesën e sipërme të barkut (epigastric), që po e shqetësonin gjatë 45 minutave të fundit, ato kishin fillue gjatë ngrënjes së mëngjezit dhe shpejt kishin progresu në një dhimbje të fortë e konstante por nuk ishte shpërndarë. Dhimbja ishte shoqëruar me ndjenja për të vjellur dhe bile njëherë kishte vjellur. Ai tregoj se kurrë më parë s’kishte pas dhimbje si kjo, por herë-pas-here vuante nga “indigestion” që qetsohej pas marrjes së një ilaçi anti-acid. Pacienti dhe gruja e tij shpjeguan që s’kishte pas ndonjë  problem të randësishëm mjeksorë në të shkuarën, dhe s’merrte ndonji mjekim. Kishte pi duhan më përpara por nuk pinte ma.

Gjatë ekzaminimit klinik, vura re se pacienti kishte një lëkurë të zbehtë, të  ftohtë e të djersitun në prekje dhe fliste duke ju marrë pak fryma. Pulsin e kishte të rregullt me 110 rrahje/minutë, dhe tensionin e kishte 125/80 mm Hg, zhurmat e zemrës qenë normale, po k’shtu the aparati i frymëmarrjes. Palpimi i barkut qe normal, pa shenja të një peritoniti, nuk pati ënjtje të kambëve, që flet për një lodhje të zemrës, megjithatë duke pas parasysh gjendjen e keqe të pacientit, dhe pasi klinikisht përjashtova një ulçer stomaku të plasun, apo një pankreatit acut, apo një kolike biliare,  instalova një linjë Intra-Venoze, ndërsa infermjerja po i bante një EKG.

 Duke u bazue në gjendjen aktuale, si dhe në interpertimin e EKG-s, pacienti kishte një bllokim akut të arteries coronare të djathtë, dhe si rezultat i këtij bllokimi,  kishte fillue një infarkti në murin e poshtëm (inferior) të myocardit, (muskuli i zemrës), në të gjithë trashsinë e tij,  (full-thickness).

Kështu pra i fillova një mjekim urgjent dhe thirra Ambulancën, duke e paralajmëruar për diagnozën e Infarktit Acute të Myocardit, po kështu telefonova Urgjencën e Spitalit për tu para-pregatitë për këtë gjendje serioze.

Në spital pacientit ju fillu urgjent THROMBOLITIC terapi  së bashku me mjekime të tjera, dhe një EKG e bame pas përfundimit të thrombolitikut, tregoj se gjakut  në zonën e infarktit kishte ri-fillue  qarkullimin, por mbas 10 minutash Alarmi i Monitorit Kardiak tregoj Tacicardi ventriculare ndërsa pacienti që pa koshiencë. Kështu pra u aplikue urgjent një Goditje Elektrike me 200-300 joules dhe ritmi I zemrës u normalizue.

Në mungesë të ndryshimeve të mëtejshme klinike e kardiografike, në ditën e 9të, pacientit ju ba një EXERCISE STRESS TEST, në kërkim të një evidence të mundëshme të një ishemie kardiake gjatë sforcimit fizik, që rrezultoj POZITIVE, si rrjedhojë, nevoja për një ANGIOGRAFI qe e domosdoshme, e cila në vetëvete tregoi një gradë të naltë stenoze të coronares së djathtë dhe bllokim të coronares së majtë në pjesën zbritëse, si dhe stenozë në coronaren circumflexe, pra ky pacient pati të sëmura 3 degë të coronareve (Triple Vessel Disease), për të cilën, ju desh t’i nënshtrohej një operacioni kirurgjikale, për Triple Coronary Artery Bypass Grafting.

Operacioni qe shumë i suksesshëm, dhe duke pasë parasysh se pacienti s’pati rrisk-faktors (me përjashtim që kishte pi duhan në t’kalumen), nuk qe hypertensive apo diabetic, ju këshillu që të mbante nën kontroll YNDYRNAT në gjak (HYPERLIPDAEMIA), të cilat shtojnë shumë rriskun e zhvillimit ATHEROMES (plaka ateromatoze) në grafte që mund edhe ta bllokojnë.

  ***

Si përfundim:

AMI asht një shkak i zakonshëm i vdekjeve dhe shumica e të cilave vijnë prej fibrilacionit ventricular që janë të shpeshta gjatë një procesi  ishemik. Prandaj asht shumë e randësishme që njerëzit të kenë njohuri rreth shenjave të INFARKTIT.  I sëmuri, sa ma shpejt që t’jetë e mundur, duhet të jetë afër një defibrilatory, për të parandalu vdekjet e papritura. Pas kësaj, jo pak i randësishme asht reduktimi/paksimi i sipërfaqes së myokardit të damtuar si pasoj e paksimit të furrnizimit me oksigjen që ndodh nga bllokimi i arteries koronare. Kjo arrihet në dy rrugë:

 1-Shkrirja e trombit që ri-kthen rrjedhjen e qarkullimit të gjakut në arterien coronare.

Kjo rrugë arrihet nëpërmjet një prej ilaçeve fibrinolitike (shkrirëse të trombit) siç janë Streptokinaza, Tissue Plasminogen Activator (tPA) etj, që në të vëretë asht edhe mjekimi KRYESOR, që bahet në SPITAL; antiplatelet agents si Aspirina, Clopidogrel etj, dhe anti—thrombins si heparina.

Ndërsa coronary angioplasty (PTCA) përdoret për të ri-kthy mekanikisht rrjedhjën e qarkullimit të gjakut. Asht shumë e randësishme me ditë se sa më shpejt të ri-kthehet qarkullimi i gjakut aq ma mirë asht. Për çdo orë vonesë, efekti i mjekimit paksohet, ndërsa përqindja e vdekjeve shtohet.

 2-Paksimin e konsumimit të oksigjenit nga muskuli i zemrës (Myocardi).

Kjoarrihet duke paksue rrahjet e zemrës, Tensionin e gjakut (BP), dhe Presionin e Mbushjes së Zemrës, që arrihen nëpërmjet Beta bllokuesve, Glyceryl trinitrateve dhe ACE inhibitorve, por kjo asht një punë që doktori juaj e diskuton me ju gjatë konsultës, nëse do t’ju bjerë nevoja.

Këshilla për tu mbajt mend:

KURRË mos e neglizhoni një dhimbje të fortë e të zgjatur gjoksi që shpërndahet në qafë,nofull dhe krah, e që shoqërohet me djërsitje, ankth, vështërsi n’frymarrje, e dëshirë për të vjellë, që janë shenjat ma të shpeshta e të zakonshme për AMI, POR ama mos HARRONI se edhe vetëm një dhimbje nofulle, dhimbje në supin e djathtë,  apo vetëm dhimbje barku, (si rasti i pacjentit në diskutim, që kollaj mund të ngatrrohej me keqësimin e një ulçere stomaku), mund të vinë prej një INFARKTI në PROGRES. Po kështu, diabetikët mund të bajnë INFARKT PA DHIMBJE. Ndërsa  të vjetrit mund të bajnë infarct që paraqitet si një Edeme Pulmonare ACUTE, si një ARYTHMI, si një HYPOTENSION (tension i ulët gjaku), apo vetëm si KONFUSION.

Në raste të tilla, THIRRNI URGJENT AMBULANCËN dhe ndërkohë merrni MENJËHERË ASPIRIN 300mg, dhe po të keni CLOPIDOGREL 75mg,-merrni 8 tableta njëherësh (600mg), si dhe TRINITRINË/Nitroglycerine (tablet ose spry), nën gjuhë, çdo 5-10 minuta, (tek disa, mund t’japë dhimbje koke).

Shënim: Në numrin tjetër të gazetës DIELLI do të diskutojmë ‘Goditjen Ishiemike Kalimtare te Trurit’ (TIA)

Gold Coast, Australi, Gusht 2019

Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Dr. Zekri Palushi-Infarkti akut i zemres

Bastardët

August 27, 2019 by dgreca


Bastardët Nga Alfons GRISHAJ/

Të gjitha kombet janë të dashuruar me vetveten, një lidhje ku  promovojnë vlerat me anë të një propagande të detajuar. Ata nuk lënë gur pa lëvizur për të injektuar korpet që të   predominojnë mbi kulturat e ngjashme, duke u përpjekur dhe  shtruar  terrenin e transformimit dhe asimilimit. Ne, shqiptarët jemi prapa shumë me promovimin e kulturës dhe vlerave të traditave që kemi. Mbase kjo dhe prej pushtimeve të njëpasnjëshme. Por, mos të harrojmë se, ne nuk kemi qenë  i vetmi komb i pushtuar, siç e dëshmon më së miri edhe historia e vendeve fqinje.   

Është e trishtueshme dhe e papranueshme kur ne, promovojmë anti-vlerat e kombeve tjera, duke kaluar çdo cak logjik, deri aty sa ta quajmë  dhe ish-pushtuesim: “Vëlla!” Dhe, pa pikën e turpit identifikohemi me rracën e tyre barbare, e cila hyri në histori dymijë vjet pas nesh. Kjo nuk ndodh me asnjë komb në rruzull, vetëm me ca hajvanë tanë, të cilët nuk luftojnë për historinë e identitetin kombëtar, as për tokën e gjakun e të parëve, por për nostalgjinë e drapër-çekanëve, këmishëzinjëve, feseve të vdekuara të një perandorie pa nder dhe lavdi që u përhap me dhunë dhe gjak,  përdhunime, pengje e tradhëti.

Fatkeqësisht, ky është prelud i dhimbshëm i një psikologjie inferiore me gjak të përzier, që nuk lejon asnjëherë me qenë  vetvetja, por gjithnjë peng  i një jehone të turpshme.

Shumë miq të mi, personalitete të letrave, të artit, ushtrisë, mësimdhënies etj., janë shqetësuar me të drejtë për veprimet zvarranike të qeveritarëve “tanë”, të cilët ngritën një memorial fantazëm për shpirtërat e viktimizuara nga arroganca  e sulltanatit dhe sakrifica e dështuar e ndryshimit. Shqiptarët marshuan me flamujt e ish-pushtuesit për t’i bërë qejfin viktimëbërësit! Sikur të ishin turq, do ishte në nderin e tyre, të thonin: “Rroftë Çezari!”, apo “Poshtë Çezari!” Po çfarë është ky çnderim i inteligjencës dhe ndërgjegjes patriotike shqiptare?! Po sikur në Tiranë të marshonin svastikat e Hitlerit, sopatat e Musolinit, apo flamujt e Brankoviçit apo Knjaz Nikollës, çfarë do bëhej? Ku është ndryshimi i këtyre të fundit me të parin? Pushtuesit kanë një brutta figura, një uri, një përbuzje, një psikologji. Miklimi anadollak ka qenë dhe më parë. Respektimi haraçpaguesit nuk ishte asgjë tjetër vetëm strategjia e nënshtrimit të butë. Shqiptarët u syrgjynosën, u vranë, dogjën e plakçitën, përdhunuan… në pesë shekuj pushtim, dhe megjithëse u munduan për t’i bërë simbiozë  shpirtërore, ata  nuk ua dhanë kurrë  shansin e turpit. Tradhëtarë, spiunë dhe vegla ka patur sigurisht, por në një situatë pushtimi veprojnë të gjithë mekanizmat e përçarjes dhe asimilimit etnik. Historia jonë ua ka skicuar portretin gjithë atyre që kanë shërbyer si vegla të pushtuesve, dhe ata janë sot në perceptimin e përgjithshëm figurat më të urryera. Prandaj  edhe sot është po aq e urrejtshme, në mos më shumë, për shkak se gjendemi në paqe, gjithë kjo përulësi e neveritshme me parada flamujsh para një zvarraniku të izoluar!

Propaganda e vëllazërisë shpirtërore të shtirë ngjason me çorbën e helmuar titiste të “bashkim-vëllazërimit” që më vonë u kthye  në lum gjaku!

Le t’a ilustrojmë subjektin e këtij shkrimi me fakte nga gjeopolitika ku mbretëroi sulltanati dhe mbretëron sulltan-salltaneti i ri. Kombet arabe, të të njëjtit besim, e kanë halë në sy Turqinë, pikërisht prej të kaluarës së dhimbshme dhe simptomave të sotme diktatoriale. Diskriminimi etnik dhe kamzhiku i sulltanatëve nuk është fshirë ende nga kujtesa e tyre. Ashtu si në kujtesën e patriotëve, historianëve, inteligjencës aktive shqiptare nuk është harruar ende karakterizimi denigrues: “Arrnaut!”, dhe sidomos  deklarimi i tmerrshëm: “Ua vrasim burrat dhe ua përdhunojmë gratë!”

Unë nuk mund t’i bëj me faj udhëheqësit e rinj, por mendësia e vjetër zhvesh petkun e udhëheqësve të rinj duke vërtetuar vazhdimësinë dinake, e cila përfundimisht vret shpresën e bashkëpunimit reciprok. Asnjë diktator nuk lë hapësirën e një vaske për t’u larë, por dhe nëse po, nderja është e hekurt!

Mendoj se qytetarët shqiptarë me ADN të pastër, duhet të hapin librat që kanë shkruar vetë turqit per ne… që të shohin “dashurinë turke” për arrnautllëkun. Pas kësaj (ai që ka gjak shqiptari),  nuk do të ketë më nostalgji për gënjeshtrën e Bosforit.

Kam respekt për popullin turk dhe Mustafa Kemal Ata’turkun, Ata’n e Turqisë moderne (që ishte dhe gjysmë shqiptar), por jo për  patronatin fallso që shtrëngon dhëmbët në shekullin e Shqiptarëve, ashtu siç ndodhi në Dardani, kur u arrestuan kundërshtarët e pushtetmbajtësit bash në zemër të Prishtinës.

Le të harrojmë për një moment lajthitjen zvarranike të servilizmit  skllavërues që mbretëron tek një pjesë decivilizuese e shoqërisë tonë. Le të harrojmë për një sekond çfarë shkrova më lart (të cilat janë të vërteta si drita e diellit), e t’i qasemi sadopak filozofisë politike të mosndërhyrjes në punën e tjerëve… Po sikur nesër… në Turqi të vijnë në pushtet kundërshtarët e Erdoganit, ku do e çojnë atë palo pllakatë? Apo, do e çdaltojnë dhe do e zumparojnë për ta përdorur si palimpsest?! Pra, dhe politikisht një lajthitje ordinere me mendësi socialiste. Socialistët mendojnë se demokracia është më e prekshme duke lidhur aleanca strategjike me nivele të ngjashme ose me superioritet të lehtë se sa me filozofinë “konfliktuale” kapitaliste, e cila e ngriti botën në 100 vjet në një nivel astronomik.

Prof John Parick Diggins Says: The Socialist simply cannot face the fact that there is no conflict between democracy and capitalism…(Politics and Vision. P, 525) .

Gjithnjë, socialistët kanë dëshirë që popullin ta ushqejnë me iluzione sociale dhe tryezën t’ia mbushin me  pjata komuniste. Ata  për vete e adhurojnë kapitalizmin, duke investuar në perëndim paratë e plaçkitjes së shtetit. Aleanca e sotme midis pashallëkut dhe pisllëkut ka dhe motivin  e fshehtë: Fshehja e  kokës në Turqi, kur në Shqipëri të mbretërojë drejtësia dhe ligji. Unë mendoj se,  sarajet e sulltanit të ri nuk do të jenë të mjaftueshme për të fshehur neoballabanistët!

Sa për kujtesë: Mustafa Kemali, nuk e pranoi asnjëherë Ahmet Zogun për Mbret?! Sepse Ata’turku  kishte luftuar pikërisht kundër sulltanatit anakronik, duke u përpjekur ta reformonte emrin e keq të Turqisë deri aty sa, dhe gërmat e gjuhës turke i ktheu në latinisht që t’i tregonte botës së qytetëruar se, Turqia i përkiste Europës dhe jo të kaluarës barbare. E pra, Mustafa Kemali punonte për t’u njësuar në familjen europiane, kurse bastardët “tanë”, bash  në shekullin XXI… kërkojnë të shkojnë prapa në esfel!

Filed Under: Emigracion, Opinion Tagged With: Alfons Grishaj-Bastardët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT