• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovohet libri i ri “Aleanca e duhur Shqipëri-Kroaci” i Shaban Muratit

November 15, 2023 by s p

Në hotel Tirana u promovua libri i ri i diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati “Aleanca e duhur Shqiperi -Kroaci”, organizuar nga Fondacioni Cameria “Hasan Tahsini”, qe është edhe botuesi i librit. I ftuar i posacem i nderit ishte ish-presidenti i Kroacise Stjepan Mesic, qe erdhi posacerisht nga Kroacia.

Fjalen e hapjes e mbajti kryetari i Fondacionit Cameria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu. Pastaj mbajten fjalet e rastit ish-presidenti Stjepan Mesic, i cili u shpreh se “libri po del në momentin e duhur dhe tregon marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kroatëve”. Per librin dhe krijimtarine e autorit folen ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministrja e jashteme Arta Dade, kryetarja e komisionit te politikes se jashteme ne Kuvendin e Shqiperise Mimi Kodheli dhe prof.dr. Ksenofon Krisafi.

Kryetari i Fondacionit Cameria “Hasan Tahsini” Alket Veliu i akordoi ish-presidentit te Kroacise Stjepan Mesic medaljen e argjente “Miku i madh i kombit shqiptar”.

Ne fund autori falenderoi per vleresimet e librit dhe te krijimtarise se tij.

Filed Under: Emigracion

BESA TAFILAJ-PINCHOTTI, E “TAKIMIT TË MADH TË TIRANËS”, NË SHTËPINË E BARDHË, NË DITËN E VETERANËVE

November 13, 2023 by s p

Shqiptaro-amerikania e mirënjohur, nga Deçani i Kosovës dardane, BESA TAFILAJ – PINCHOTTI në Washington D.C., Drejtore Ekzekutive e Organizatës së Familjeve të Ushatarakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (NMFA), një ndër organizatat elitare më të mëdha në SHBA, ishte në mëngjezin e sotëm të 11 Nëntorit 2023, në Ditën e Veteranëve të Amerikës, e ftuar e veçantë në ceremoninë e lartë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë ditë solemne përkujtimore të Veteranëve të Amerikës, sipas traditës protokollare, përshendeti Presidenti Amerikan, Joe Biden- mik i shquar i Shqiptarëve, i cili njiherit është dhe Familje e Veteranëve të Luftës, pasi djali i tij Joseph “Beau” Biden III, që shërbeu për pak kohë edhe në Kosovë, ishte një Veteran i Luftës në Irak, çka kjo e lidhën edhe me Organizaten e Familjeve të Ushtarakëve të Amerikës.

Në mëngjezin e sotëm të Ditës së Veteranëve të Amerikës, përgjatë ceremonisë zyrtare solemne në Shtëpinë e Bardhë, Besa Tafilaj-Pinchotti, u takua miqësisht edhe me një grua 102 vjeçare, veterane e Luftës së Dytë Botërore, me një kapiten sikh i Trupave Detare Amerikane-mbrojtës i të drejtave fetare, me një veteran që nga i pastrehë u kthye në kampion kombëtar, me veterane simbol për femrat amerikane, e me të tjerë të pranishëm.

Kjo personalitete e mirënjohur shqiptaro-amerikane, Besa Tafilaj-Pinchotti, thotë në rrjetin social FaceBook Meta, se Dita e Veteranëve është Festa e Heronjëve që e bënë madhështor këtë vend, Amerikën.

Shqiptarja e Deçanit, Kosovës e Kombit, Besa Tafilaj-Pinchotti, Drejtore ekzekutive amerikane e NMFA, ish gazetarja e ekranit dhe e terrenit në rrjetet e mëdha televizive amerikane TV ABC dhe TV NBC, që ka spikeruar dhe përgaditë emisione televizive edhe për luftën dhe periudhën e pasluftës së Kosovës, pergjatë dy viteve të fundit është takuar disa herë me Presidentin e sotëm të Amerikës, Joe Biden, me të cilin familja e madhe Tafilaj ka lidhje të mira shoqërore e zyrtare prej nga koha kur ishte Senator i shtetit Delaware të SHBA.

Besa Tafilaj-Pinchotti është e martuar me ushtarakun e qytetarin amerikan David J. Jr. Pinchotti– oficer i Marine Corps të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kanë tre fëmijë të mrekullueshëm me emra të bukur shqiptarë: Lira, Zana e Loriku; e ka babain e saj, Ramiz Tafilaj. një qytetar, biznesmen, humanist, botues e veprimtar të shquar në Amerikë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut e Malin e Zi, që mban dekorata- medalje presidenciale të Amerikës e Shqipërisë, tituj “Qytetar Nderi” në Kosovë e Shqipëri, çmime të ndryshme të larta në Kosovë, Shqipëri, Malin e Zi; është botues i “Jalifat Publishing” në Huoston-Teksas dhe Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve” (media Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike) në Tiranë-Prishtinë, si dhe, tashti, Kryetar i Këshillit Kombëtar Organizativ të “Takimit të Madh të Tiranës”, Takim PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik; ka nënën e saj, prof. Diana Tafilaj, një misionare amerikane përkrah të shoqit të saj të jetës, që ka kontribuar shumë edhe për Kombin Shqiptar.

Shqiptaro-amerikania Besa Tafilaj-Pinchotti, për kontributet e meritat e saj, është vlerësuar nga ACABS në një ceremoni elitare në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë me Çmimin “Madelene Albright” dhe në “Kuvendin Kombëtar të Alpeve” në Vermosh-Kelmend të Malësisë së Madhe (Shqipëri) me Çmimin e Lartë “Elena Gjika”. Andaj Besa Tafilaj-Pinchotti, nga mediat shqiptare, është krahasimuar me misionaren amerikane Rose Wilder Lane- shkrimtare, reportere lufte, aktiviste e të Të Drejtave të Njeriut, etj; dhe me tjetren misionare, britaniken Mary Edith Durham, shkrimtare, artististe, etnografe etj., dy mike të mëdha e të përjetshme të shqiptarëve.

2.

11 Nëntori, është shpallur 105 vjet ma herët, si Dita Kombëtare e Veteranëve në Shtetet e Bashkuara, është një festë e madhe federale, ditë pushimi zyrtar, është një ditë solemne e festive, ku nderohet personeli ushtarak që ka shërbyer në të gjitha Luftërat Amerikane, prej nga Revolucioni Amerikan i vitit 1776, nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, deri në ditët e sotme, përfshirë edhe Luftën e Kosovës, ku Amerika është vendimtare për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, për Kombin Shqiptar.

Amerika ka mbi 20 milionë Veteranë të Luftës, ku qindra prej tyre janë shqiptarë me origjinë nga Shqipëria e Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, nga Lugina e Preshevës e Çamëria, nga Arbëreshët e Italisë, veçanarisht në Luftën e Parë e të Dytë Botërore, në luftërat amerikane në Azi e Lindjen e Mesme, edhe në Luftën e Kosovës.

3.

Shqiptaro-amerikania Besa Tafilaj-Pinchotti, Drejtore Ekzekutive e Organizatës së Familjeve të Ushatarakëve të Amerikës (NMFA) në Uashington D.C. – kryeqytetin e Amerikës, me një karrierë të suksesshme edhe si gazetare (redaktore, spikere/prezantuese) në rrjetet televizive të mëdha amerikane Tv ABC dhe Tv NBC, e Ftuar Nderi edhe në “Kuvendi Kombëtar i Alpeve” në Vermosh dhe në “Takimin e Tretë Kombëtar të Plavë-Gucisë”, ka përshendet me video-mesazh edhe “Kuvendin Kombëtar të Alpeve” në Pejë dhe “Kuvendin e Madh të Ulqinit”, kësaj here, me 12 dhjetor 2023, do të hapin solemnisht, me një fjalë të shkurtër, “Takimin e Madh të Tiranës”, në gjuhën Shqipe dhe në gjuhën Angleze.

Me kontributet e meritat, me veprimtarinë e Besa Tafilaj-Pinchotit, ndihen krenarë shqiptarët e Deçanit e të Kosovës, të Shqipërisë, krejt Shqiptaria, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan në Teksas e në Washington DC, në të gjithë Amerikën.

RAMIZ LUSHAJ

Tiranë, 11 nëntor 2023

Filed Under: Emigracion

Si sot 5 vite më parë, më 10 Nentor 2018 në New York u përcollën me nderim eshtrat e Mid’hat Frasherit për në atdhe

November 10, 2023 by s p

Mërgata e Amerikës nderoi një ndër personalitetet më të shquara të kombit.

Photo Video By Dritan Haxhia

Filed Under: Emigracion

Shoqata “Bijtë e shqipes” mundësoi promovimin e romanit të fundit të këtij autori “Këpuca e aktorit”

November 7, 2023 by s p

Rudina Bani

N/kryetare e “Shoqatës Bijtë e Shqipe” Filadelfia /

Një poezi është më e fortë se prangat, se telat me gjemba, se karakollet e përbindshme të rojave të burgut, se komanda, se dënimet dhe tmerri, Në fund të fundit edhe diktaturat bien dhe mbetet poezia e njeriut. (Visar Zhiti) 

Nuk ka adhurues të librit apo letërsisë shqipe që të mos e dëshirojë dhe ëndërrojë takimin me poetin dhe krijuesin Visar Zhiti, i cili ndryshoi krejtësisht konceptin e poezisë sociale dhe lirike pas viteve ’90 të shek XX. Shoqata “ Bijtë e shqipes” mundësoi promovimin e romanit të fundit të këtij autori “Këpuca e aktorit”. Në data 4 nëntor, ora 6 pm, salla e shoqatës sonë ishte tejmbushur. Por jam e bindur se shumë e shumë të tjerë do të kishin dashur të ishin aty. Një atmosferë mikpritëse, shoqëruar me ndjenjën e adhurimit, respektit dhe mirënjohjes për autorin Kryetari i shoqatës, zoti Dritan Matraku i uroi mirëseadhjen shkrimtarit dhe bashkëshortes së tij Znj. Eda Zhiti dhe e falenderoi për pranimin e ftesës së Kryesisë së Shoqatës. Ai vlerësoi kontributin e Visar Zhitit jo vetëm në fushën e letrave, por edhe si gazetar, përkthyes dhe diplomat, duke theksuar edhe rëndësinë e këtij takimi për komunitetin shqiptar të Filadelfias. Më pas krjuesi dhe një nga themeluesit e shoqatës sonë, z. Vlashi Fili, prezantoi një biografi të shkurtër të jetës dhe krijimtarisë së autorit, duke theksuar se si Visar Zhiti erdhi në letërsinë shqipe, dënimin në kohën e diktaturës dhe rolin e tij në krijimin e një poezie të guximshme e shkruar që në kohën e burgimit e deri më sot. 

Dr. Sadik Elshani njohu të pranishmit me një përmbledhje të veprës së fundit të shkrimtarit, romanit “Këpuca e aktorit.” Ai përcaktoi karakterin e romanit si një rrëfim me elemente jetëshkrimore, një sagë e një familje në tri periudha historike të rëndësishme në jetën e Shqipërisë, duke u ndalur në simbolikën e personazheve, numrave, titullit. Dr. Sadik Elshani theksoi se është një roman me tematikë interesante e qasje moderne të të rrëfyerit me një gjuhë dhe nënkuptime filozofike. Shumë të pranishëm sollën kujtimet që kishin lidhje me shkrimtarin si mësues, si poet, si gazetar. Kujtime që lidheshin jo vetëm me ata drejtëpërdrejtë, por edhe me miqtë, shokët, të dashurit që disa prej nuk janë larguar nga ne. Kujtime të bukura, domethënëse, shpresëdhenëse edhe në momentet më të vështira dhe jonormale. 

Shumë emocione do të sillnin edhe recitimi nga të pranishmit të poezive më të bukura të këtij poeti të cilat përcollën mesazhin e dashurisë, faljes, mirëkuptimit, të vazhdimësisë dhe të ecjes përpara. I prekur nga fjalët, mikëpritja dhe respekti i treguar,i ftuari i nderit, krijuesi Visar Zhiti përshëndeti të gjithë të pranishmit. Ai theksoi se Shqipëria nuk është gjeografi, por shpirt, ndjenjë punë dhe përkushtim dhe vlerësoi Shoqatën “ Bijtë e shqipes”, bijtë e vërtetë të shqiponjës, si një faktor i rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve,duke vlerësuar rëndësinë e punës që bëhet për ruajtjen e gjuhës shqipe te të rinjtë. Sipas tij gjuha duhet të mbrohet se është atdhe, histori, kulturë. Z. Visar Zhiti përshkroi emocionet që i sollën rrëfimet e të pranishmëve. Midis të tjerash z.V.Zhiti përmendi se si krijuesit e guximshëm krijuan desidencën në Shqipëri edhe kur nuk u lejohej. Duke u ndalur te roli i Diasporës Shqiptare në USA, ai vlerësoi si më të fuqishmen diasporë që ndjek shembullin e A. Pipës, F. Konicës, F. Nolit,etj. Kemi përgjegjësinë që ta jemi qytetarë të Amerikës, por si shqiptarë të kthejmë sytë nga vendi ynë,ta kritikojmë por jo ta shajmë, -theksoi ai -duke marrë si modelin më të mirë, Nënë Terezën që kurrë nuk mohoi origjinën e saj. Vepra “Këpuca e aktorit” e cilësoi si një bashkëpunim i shqiptarëve në Chicago dhe prona e të gjithëve. Urimi i Visar Zhitit në fund të fjalës ishtë domethënës: Këtu në USA, qofshim gjithmonë bashkë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë nën këta dy flamuj të mëdhenj ( shqiptarë dhe amerikan)!  Kryesia e Shoqatës i kishte akorduar z.Visar Zhitit titullin Anëtar Nderi për kontributin si shkrimtar, poet, gazetar, përkthyes, diplomat, intelektual dhe qytetar i palodhur në shpalosjen e vlerave historike-kulturore- artistike si dhe për forcimin e marrëdhënieve Diasporë -Atdhe. Shumë emocion do të mbarte dhënia e autografëve nga autori për të pranishmit, kujtimi fotografik me këtë krijues kaq të rëndësishëm dhe tepër të vlerësuar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Si miq të mirë dhe sipas traditës sonë do të vazhdonim të bisedonim deri vonë duke darkuar së bashku.  Burgjet edhe harrohen, shkatërrohen, edhe teatrot shemben, por jeta mbetet dhe katedralja e letësisë është më e parrëzueshmja se të gjitha. Të bekuar ata që ndërtojnë denjësisht këtë katedrale si Visar Zhiti.

Filed Under: Emigracion

IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN : “OPINIONI PËR PRINC VIDIN, AHMET BEJ MATIN DHE ISMAIL QEMALIN.”

November 6, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Nëntor 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të enjten e 2 korrikut 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Dervish Himën në lidhje me opinionin e tij për Princ Vidin, Ahmet Zogun, Ismail Qemalin, si dhe të ardhmen e Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

E panjohura e Ahmet bej Matit e cila është zgjidhur nga një dokument i çmuar i panjohur më parë.

Një intervistë me agjitatorin shqiptar Dervish Hima

(Nga korrespondenti ynë special)

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e enjte, 2 korrik 1914, ballinë
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e enjte, 2 korrik 1914, ballinë

Durrës, 28 qershor.

Edhe një fjalë… optimizmi : vjen nga Dervish Hima, agjitator dhe demagogu politik që gëzon famë dhe ndikim të madh në rajonin e Dibrës, në Shqipërinë e skajshme; dhe është ai që dy vjet më parë me Faik bej Konicën organizoi dhe drejtoi kongresin shqiptar në Trieste. Edhe zëri i tij, sidomos në momentin aktual, është zëri i njeriut partizan; dhe pjesërisht, ajo që ai thotë është thënë më parë nga njerëz të tjerë, të cilët – me “nuanca” jo të papërfillshme – ndajnë besimin e tij politik. Po kështu, në disa aspekte deklaratat e Dervish Himës duken të reja. Ai është i pari, për shembull, që – me të drejtë ose pa të drejtë – thotë :

— Revolta nuk është aq vepër e emisarëve turq, mbase, sa e propaganduesve grekomanë. Tashmë është vërtetuar se në Kavajë, në Lushnje, në Shijak, priftërinjtë grekë thërrisnin mbledhje, mitingje të vërteta, në të cilat thoshin se si feja ortodokse dhe ajo myslimane ishin në rrezik serioz, sepse nacionalistët katolikë po punonin për shkatërrimin e tyre dhe mbreti protestant do të kishte favorizuar punën e armiqve të tyre.

— Pra, ju e kuptoni në mënyrë të nënkuptuar, por qartë atë që mohon nacionalizmi zyrtar : çështjen fetare ?

— Ata janë njerëz primitivë, të cilët e ndjejnë thellë fenë e tyre dhe nuk tolerojnë që askush të mos e respektojë atë; kur fantazma e një rreziku u shfaqet atyre… E shihni, kjo është ajo që duhej bërë sapo të krijohej shteti dhe më parë nëse është e mundur : përpiquni të shuani këtë fanatizëm të fshehtë, përpiquni t’i bëni njerëzit të kuptojnë bukurinë supreme të një atdheu, nevojën për një bashkim kombëtar dhe lirinë e respektin reciprok të të gjitha feve.

— Por tani, a nuk mendoni se është e kotë të bëhet kjo analizë që duhej bërë një muaj më parë ? A nuk mendoni se duhet të merren masa serioze, ndërkohë që këtu mendohet pak ? Nuk mendoni se situata është përkeqësuar shumë pas dy betejave të datës 15 dhe 17 (qershor) ?

— Sigurisht që fillimisht duhet të studioheshin shkaqet dhe tani duhet bërë diçka më shumë për t’i riparuar. Por besoj se dy betejat i dhanë dobi kauzës : pas datës 17 e shoh horizontin më të qartë; kishte gjakderdhje, po, por shumë pika të errëta u pastruan dhe shumë keqkuptime u zgjidhën. Për më tepër, rebelët duhet të demoralizohen sepse e kanë parë që duhet të përballen me një operacion të rëndë ushtarak.

— A mendoni kështu ? Pra, nuk e shihni atë që ne të gjithë shohim : përhapjen e pandalshme të revoltës, triumfin e saj në të gjithë Shqipërinë e mesme dhe të poshtme ?

— Unë nuk i jap rëndësi lëvizjes së jugut, sepse ata kryengritës, njerëz që jetojnë në vështirësi mes fushave të orizit dhe kënetave, nuk janë aq të fortë dhe të guximshëm sa kryengritësit e Gegërisë. Dhe unë mendoj se pasi të zgjidhet çështja këtu, gjithçka mund të akomodohet atje pa vështirësi.

Buzëqesh ende.

— Ju jeni një optimist i palëndur ! Në çdo rast, dhe sinqerisht, a besoni në rrezikun që revolta të përhapet më tej dhe të pushtojë tokat e Matit dhe të Dibrës ?

E panjohura e Ahmet Beut

— As Dibra dhe as Mati (me kusht që Qeveria të marrë masa për të penguar hyrjen e propagandistëve serbë në vendin tonë) nuk ka ndonjë rrezik. Në Dibër, Jusuf Bej Dushista dhe Sheik Sulë Serqiani janë me ne dhe gëzojnë ndikim dhe autoritet në ato troje. Dhe Mati, pra, mbrohet mirë nga Ahmet beu.

— Pra, ju nuk ndani dyshimet e disave për besnikërinë e Ahmetit ?

— Absolutisht jo. Familjen e tij e njoh që kur isha djalë. Dhe pothuajse e kam parë atë, i cili tani nuk është më shumë se njëzet vjeç, të rritet : ai është zemërgjerë dhe inteligjent; kështu që, qoftë jo nga patriotizmi por edhe nga kalkulimi, ai është një njeri që e kupton shumë mirë kotësinë e kësaj revolte; ai është një njeri që e kupton shumë mirë se në çfarë mase Turqia ka marrë fund për vendin tonë.

— Pra, sipas jush, nuk mund të jetë e vërtetë që ka pasur negociata mes Ahmetit dhe kryengritësve ?

— E përjashtoj. Kryengritësit, është e vërtetë, u përpoqën ta tërhiqnin në kauzën e tyre, dhe me të vërtetë Sheik Hamdi Islami i shkroi atij një letër (të cilën e kam një kopje) të cilën Ahmeti e grisi pa dashur as ta lexonte.

— Po ky dokument?…

Dervish Hima heziton për një çast; pastaj, me një zgjidhje të papritur, ai nxjerr nga portofoli i tij një copë letër plot me karaktere të imta turke dhe më lexon fjalë për fjalë, duke e përkthyer.

Kur i kërkoj Dervish Himës të më transkriptojë përkthimin, ai mendohet për një moment, por më pas pranon me mirësjellje. Dhe duke ruajtur ndërtimin logjik të origjinalit turk, më diktoi :

Dokumenti

“Për ju,

Ne ju dërgojmë të gjitha pyetjet që u bëjmë delegatëve të shteteve evropiane dhe kopjet e korrespondencës tjetër.

Pas leximit të këtyre dokumenteve do të shihni se Komisioni i Kontrollit ka marrë në konsideratë rritjen e pagave për profesorët e fesë dhe ka refuzuar çdo gjë tjetër. Për t’i zgjidhur mirë të gjitha këto gjëra, ju kërkojmë të na inkurajoni që të vijmë personalisht këtu në Shijak.

Ju lutemi pranoni shenjën e respektit tonë.

Sheh Hamdiu,

Shijak, 5 qershor.”

Dervish Hima pret qetësisht që të mbaroj së shkruari dhe me pas vazhdon :

— Refuzimi i Ahmetit për të shkuar në Shijak tregon qartë pafajësinë e tij.

— Ky akt i tij, është e vërtetë, mund të interpretohet në këtë mënyrë. Por nga leximi i dokumentit që më dhatë, a nuk keni përshtypjen se, vërtet, më parë kishin kaluar marrëveshje ose të paktën një mirëkuptim mes Ahmetit dhe Shehut të Shijakut ? Unë nuk e di psikologjinë e këtyre njerëzve, siç mund ta dini, të guxoj të gjykoj. Por këtë përshtypje nuk mund ta fsheh, e kam.

— Dhe unë jo, absolutisht. Letra, për mendimin tim, duket se është një ftesë për një marrëveshje dhe asgjë më shumë. Gjë që nuk mund të jetë faj për këdo që merr këtë ftesë. Refuzimi i Ahmedit për ta bërë këtë përbën pafajësinë e tij.

Ismail Qemali

“Duhet të bërë një politikë ekonomike”

Unë nuk replikoj. Preferoj t’i kërkoj Dervish Himës mendimet e tij për kthimin e Ismail Qemalit në atdhe.

Një minutë pritje. Pastaj Dervish Hima tund kokën dhe thotë :

— E lëmë fare… 

Duke buzëqeshur, insistoj; dhe ai, me të njëjtën lëvizje si më parë, përsërit me vendosmëri :

— E lëmë fare…

Unë ende ngul këmbë :

— Pra, shihni një rrezik apo pengesë te pashai i vjetër i Vlorës ?

— Dëgjo : duke u nisur javën e kaluar në Brindisi, ai deklaroi para një gazetari se “kritikoi ashpër politikën e mbretit”. Ndoshta në këto fjalë është edhe programi i tij i ri, drejtimi i politikës së tij të re. E megjithatë, unë nuk shqetësohem të flas për të. Koha do të vërtetojë shumë të panjohura. Dhe koha do të vendosë drejtësi. Nuk janë këto mbetje të regjimit turk që mund të kuptojnë nevojat e të rinjve tanë. Por ne duhet t’i edukojmë elementët e rinj, t’i zgjojmë të rinjtë në ndërgjegjen e atdheut.

Dhe para së gjithash mbreti duhet të marrë në duart e tij punët e shtetit; të vihet në kontakt me njerëzit për të kuptuar nevojat e tyre dhe për t’u bërë i njohur me ta; ai duhet të jetë energjik dhe të mos lejojë që t’i imponohet vullneti i të tjerëve : nëse dëshiron të shpëtojë veten dhe të shpëtojë Shqipërinë.

Ai duhet të zgjedhë udhëheqës të përshtatshëm ose të aftë; dhe pasi të jetë tejkaluar kriza aktuale, këta liderë duhet t’i japin rëndësinë që meriton ekonomisë së vendit. Deri tani është ndjekur më shumë politika diplomatike sesa ajo ekonomike; i kanë dhënë vetes tituj dhe poste në vend të përfitimeve reale dhe e kanë rrënuar veten brenda e jashtë.

Le të mos thuhet se nuk kishte kohë : sepse, për të siguruar nevojat më urgjente, kishte mjaft. Dhe popullit tonë i mungon gjithçka : ka pyje dhe nuk ka rrugë për të tregtuar dhe aktivizuar industrinë; ka vende që duan të shkëmbejnë produkte dhe katër muaj të vitit nuk mund të komunikojnë sepse një përrua apo një lumë që i ndan i ka përmbytur dhe nuk kanë skeletin e një ure për të kaluar ato pak metra ujë që përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme.

Një urë e vogël mbi Vjosë, për shembull, mund të bashkojë në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme rajonin e Vlorës me atë të Beratit, i cili pothuajse nuk mund të komunikojë kurrë në dimër; kështu një urë mbi Devoll do të lidhte Beratin me Lushnjen, një mbi Shkumbin, rajonin e Lushnjes me Peqinin dhe Kavajën, një mbi “Turkuzin” luginën e Tiranës me Lezhën dhe Shqipërinë veriore.

— Dhe tani ?

— Tani paratë që mund të kishin siguruar paqen po shpenzohen për luftë. Dhe unë shpresoj që të paktën të mos mbesim pa para: sepse, pasi të kalojë kriza, vendi do të jetë në gjendje t’i ofrojë shtetit burime të mira. Por tani, me luftën në shtëpi, çfarë do të bënim nëse një ditë të keqe do t’i gjenim arkat tona të pakta bosh ?

Bruno Astori

Filed Under: Emigracion Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 180
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT