
Festohet Pavarësia e Kosovës në New York

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

by s p

Muzeu Historik Kombëtar/
Elena Gjika lindi në Bukuresht të Rumanisë më 22 janar të vitit 1829. Ndonëse vendlindja e saj ishte Bukureshti, ajo përmend në letrat e saj origjinën e familjes së saj nga qyteti i Pargës.
Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës. Ajo mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar siç ishin: De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko, etj.
Disa nga studimet e saj, vlejnë të përmenden: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalite albanaisi d’apres les chants populaires), 1866, “Shkrimtarët shqiptar të Italisë jugore” (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale), 1867, “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia), 1873 etj. Në këto studime Elena Gjika nxirrte në pah traditat, doket, kulturën dhe historinë e shqiptarëve e luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo shfaqi interesa të shumanshme në shumë fusha si: sociologji, folkloristikë, letërsi e kritikë letrare.
Në shenjë mirënjohje për ndihmesën e dhënë ndaj çështjes shqiptare në botë, patriotët rilindës e arbëreshë të Italisë e Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria- Gli albanesi” ( Dora D’Istrias- Shqiptarët) më 1870.
Elena Gjika vdiq në Firence në vitin 1888.
by s p

Shkruan: Alberina Shabani/
Prof. Dr. Lumnije Kqiku është një nga autoritetet botërore me prestigj të lart – model i një gruaje të suksesshme. Ajo njihet për arritjet e saja në të gjitha nivelet akademike në moshën e saj të re shkencore. Mbetet motiv edhe për shumë gra të tjera anekënd botës. Edhe pse jo e lehtë për të ajo mbetet edhe më tutje në trendin e zhvillimeve më të reja, ku me punën e saj të palodhshme dhe guximin që ka ofron një model ndryshe të vepruarit në shkencë e studime ndërkombëtare.
“Suksesi im është i prekshëm dhe jam krenare që përfaqësoj kombin tim dhe jam e pranishme në takimet më të avancuara të nivelit ndërkombëtar. Të depërtosh në portat e botës dhe të tregosh rrëfimin tendë të suksesit të madh është edhe nder edhe krenari, e para se jam nga Kosova dhe e dyta se e rangoj Kosovën dhe shqiptarët në hierarkinë e shkencës botërore” ka thënë Kqiku. Dr. Kqiku pothuajse ka përjetuar të gjitha të arriturat shkencore dhe pretendon se e ardhmja e saj është akoma më aktive në shkencë.
“Shkenca nuk ka kufij sepse ajo zhvillohet me kalimin e kohës edhe më shumë. Nuk guxojmë të stagnojmë e as të krekosemi, se kemi arritur rezultate finale apo kulminante. Ne duhet të ecim me kohën dhe durimi im dhe i kolegëve të mi i kushtohet shkencës, dijes, vlerave universale dhe atyre që kanë dëshirë të prosperojnë në fusha të ndryshme” shprehet Kqiku.
Prof. Dr. Kqiku e cila tashmë ka përfituar titullin ambasadore e shkencës në botën shqiptare jep edhe një mesazh për shqiptarët kudo që ndodhen në botë dhe janë të angazhuar ose mendojnë të angazhohen në tituj shkencor dhe hulumtime të avancuara studimore.
“Mos u dorëzoni për asnjë moment, mos u largoni nga dëshirat e juaja për të mbërritur në hierarkinë e njerëzve më me ndikim në shkencë sepse gjithçka është e mundur dhe gjithçka varet nga këmbëngulja e juaj dhe intelekti për ta finalizuar një ëndërr tuajën. Unë jam kudo dhe me ju e pranë jush sepse kam përkrahur dhe vazhdoj të përkrah pa asnjë interes kuadrot shkencore nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, e kudo në trojet shqiptare” shton Kqiku.
Ajo si nënë e tre fëmijëve, duket që përpos shkencës ka vendosur të përfaqësoj vetën dhe kombin shqiptar edhe në WOMAN IN GLOBAL HEALTH komunitet ky që boton biografitë e anëtarëve të saj aktiv, të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme, sidomos atyre që njihen si “gra te forta”.
Ndër temat kyqe që kanë lënë gjurmë dhe shquhet dr. Kqiku në këtë aktivitet do të jenë: Gratë udhëheqëse në shëndetin global, gratë në shkencë, të drejtat e grave dhe fëmijëve si dhe fuqizimin e grave.
Po ashtu, Prof. Dr. Kqiku ka marrë shumë çmime kërkimore dhe është ftuar në shumë vende ku ka mbajtur leksione të shumta “keynote” dhe ka shërbyer si eksperte e fushës. Në prill të vitit 2023, Dr. Kqiku është nderuar me Çmimin “Personalitet Nderi me medalje të artë” nga Qyteti i Graz-it të Austrisë, manifestim ky në të cilin ishin të pranishëm pothuajse gjithë qeveria e qytetit si dhe vet kryebashkiakja e Gracit Elke Kahr, e cila me këtë rast ka theksuar: “Mirënjohja është gjëja më e thjeshtë për të ju thënë faleminderit”.
Ndërsa, Dr. Kqiku kishte thënë në ditën e ndarjes së çmimit: “Çmimi i fundit që u nderova nga qyteti i Grazit të Austrisë për të arriturat shkencore “Personalitet nderi me medalje të artë”, është çmim që na nderoi të gjithëve si komb dhe do të vazhdoj të përfaqësoj atë kudo që jam”.
Prof. Dr. Lumnije Kqiku është profesoreshë në Universitetin e Gracit / Austri udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Grac të Austrisë. Është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recensente e shumë revistave shkencore dentare që me punën e saj të palodhshme, guximin dhe diturin e bën një zonjë të dalluar, karriera e së cilës është frymëzuese për rrugën e suksesit.
by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Janar 2024
“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 21 tetorit 1931, në ballinë, fjalimin e plotë të Mehmet Bej Konicës, kryetarit të delegacionit shqiptar, në Konferencën e Dytë Ballkanike në Turqi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Fjalimi i kryetarit të delegacionit shqiptar

Mehmet Bej Konica, kryetar i delegacionit shqiptar, mbajti fjalimin në vijim :
Zoti President,
Zonja dhe zotërinj,
Në këshillin e fundit të Konferencës të mbajtur në Selanik, u vendos që në seancën e parë plenare të Konferencës së Dytë Ballkanike çdo delegacion të bëjë një prezantim mbi punën propagandistike të arrirë nga grupi i tij kombëtar gjatë vitit ballkanik që sapo ka përfunduar.
Grupi ynë kombëtar, ndonëse tashmë i sigurt për ndjenjat e popullit shqiptar, në lidhje me Antantën ballkanike, megjithatë e konsideroi të nevojshme t’i kontrollonte këto ndjenja duke i ngarkuar miqtë e tij në qendrat e ndryshme të vendit të konsultoheshin me banorët për punën që ne po përpiqemi të realizojmë në emër të tyre. Rezultati i këtyre konsultimeve tregoi edhe një herë se populli shqiptar është mbështetës i zjarrtë i Antantës dhe rrjedhimisht i Federatës Ballkanike, me kusht që ajo të bazohet në drejtësinë dhe barazinë e përsosur ndërmjet popujve të Ballkanit.
Nën Perandorinë, turqit kanë vuajtur shumë më tepër se të tjerët : ndërsa ne të gjithë qeverisnim, e kishim të lehtë si lojë, por jo shumë elegante, t’i fajësonim ata. Dhe sot është prekëse të shohësh se Turqia, duke harruar të kaluarën, i mirëpret vajzat e saj të birësuara të dikurshme me këtë dashamirësi plot hir që është një nga karakteristikat e popullit turk. Të dish të falësh është e bukur, por është karakteristikë e shpirtrave fisnikë të dinë të harrojnë. (Duartrokitje). Dhe kjo nënë, aq e rinovuar dhe e bërë kaq e fortë, fton vajzat e saj të djeshme dhe motrat e saj të sotme në banketin e bashkimit dhe vëllazërisë. Është padyshim një stimul për delegatët e Konferencës dhe një mësim për shtetarët ballkanikë. (Duartrokitje).
Turqia, duke mos pasur më asnjë detyrim për të përmbushur ndaj vendeve të tjera të Gadishullit, gjendet në pozitën e privilegjuar për të luajtur rolin e ndërmjetëses për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që pengojnë Bashkimin Ballkanik. Ajo do të tentojë të mbulojë me një vello pak a shumë të trashë spektaklin dekurajues të vitit ballkanik që sapo ka skaduar.
Ne kërkojmë vetëm që të lejohen të jetojnë qindra mijëra individë që rrethanat i kanë ndarë nga vëllezërit e tyre racor. Ne e kërkojmë këtë në emër të njerëzimit, në emër të drejtësisë elementare dhe sepse është vetë baza e Antantës ballkanike. Nuk duhet të kemi asnjë iluzion; pa njohjen dhe zbatimin e të drejtave të minoriteteve nuk do të mund të ecim përpara as edhe një hap.
Që njohja e të drejtave të minoriteteve do të përbënte një rrezik për vendet ku jetojnë minoritetet është një argument që nuk pi ujë. Shqipëria ka prova për të kundërtën. Që nga krijimi i saj si shtet i pavarur, pakicat që jetojnë brenda saj, jo vetëm që gëzojnë të gjitha të drejtat e traktateve, por, ashtu si qytetarët shqiptarë, marrin pjesë në të gjitha degët e administratës shtetërore pa as më të voglin kufizim. Epo, ne nuk shohim ndonjë rrezik që mund të na kërcënojë nga këto minoritete. Rreziku padyshim do të ekzistonte nëse do t’i kishim trajtuar këto pakica si skllevër.
Ju e dini, zonja dhe zotërinj, se një ngjarje me rëndësi të konsiderueshme për të ardhmen e popujve do të ndodhë shkurtin e ardhshëm : e kam fjalën për Konferencën e Çarmatimit.
Nëse fuqitë e mëdha vendosin të çarmatosin, ato do ta bëjnë këtë plotësisht dhe me ndershmëri, sepse situata aktuale nuk mund t’i përshtatet më lojërave diplomatike të së shkuarës. Në këtë rast, këto fuqi të mëdha, pasi janë bërë të arsyeshme, do t’i detyrojnë ballkanikët kryeneçë t’i imitojnë ato. Do të ishte një poshtërim i ri, një poshtërim për të mirë këtë herë, por gjithsesi një poshtërim.
Nga ana tjetër, nëse konferenca e çarmatimit dështon, ekziston një probabilitet i madh që të shpërthejë një luftë e re e madhe.
A nuk besoni, zonja dhe zotërinj, se ata që drejtojnë fatet e popujve tanë do t’u bënin shërbimin më të madh atyre, ndoshta edhe mbarë njerëzimit, dhe do të zinin vendin më të nderuar në histori, nëse do të linin mënjanë atë që unë do të quaja patriotizmin e rremë, nëse do t’i zgjidhnin shpejt mosmarrëveshjet e vogla që i përçajnë dhe do të realizonin Bashkimin Ballkanik, apo të paktën nëse do të vendosnin themelet e këtij bashkimi, brenda tre muajve që na ndajnë nga Konferenca e Çarmatimit ? Nuk ka dyshim se një akt i tillë i udhëheqësve ballkanikë do të kishte një ndikim të madh në punën e Konferencës së Çarmatimit. Sido që të jetë, do ta shpëtonte Ballkanin nga mjerimi dhe një fatkeqësi më shumë se e mundshme.
Për punëtorët e ndërgjegjshëm që jetojnë në një botë reale, tre muaj do të mjaftonin për të ngritur ndërtesën e Bashkimit Ballkanik, tre shekuj do të ishin pak për ata që jetojnë në një botë fanatike. (Duartrokitje).
by s p

– Kujtohet për të kuptuar se si jemi harruar –
Nga Visar Zhiti
Ishte datëlindja e Fan Nolit pardje, atij që ka hyrë në Historinë moderne të Shqipërisë duke e lëvizur atë histori, duke i shprishur datat e saj, si deputet, si rebel, si kryeministër, është themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, guxoi si askush, “Apostull”, do të quhej në një libër të ri, të porsa dalë në Tiranë, është mërgimtari mahnitës, plot kulturë e dije, qê themelon në SHBA shoqata e gazeta e shkon deri te Presidenti për “çështjen shqiptare”, është pjesë e ndjeshme e kulturës së re shqiptare si orator, poet e përkthyes brilant, është… e çfarë s’është, veprimtar dhe ndërgjegje, kalorës skënderbejan e shkatërrues, arritës, furi, kryq dhe udhëkryq, u shkon gjërave deri në fund, pa mbaruar asnjërën, i madh dhe në gabime, baladesk, triumfator i mospërmbushjeve, gjeni i dështimeve, vigan po prej tyre, ëndërr dhe përvojë dhe kujtesë…
Dje kishte datëlindjen?
1.
E kujtoi qeveria? Se si kryeministër Noli është frikshmërisht i padobishëm, nuk bëri reformat që premtoi dhe si i majtë, solli ambasadën sovjetike në Tiranë, të parën në Ballkan, çoriditës.
2.
Po Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare u kujtua për Imzot Nolin – themeluesin e saj? Që guxoi rrezikshmërisht me patriotizëm? Atë që ai donte të ndalte, pikërisht ndikimi grek ka përparim të ndjeshëm dhe me cënime të rënda në mëvetësinë e saj.
3.
Po Noli shkrimtar, përkthyes, muzikant a u kujtua? Shqipëria që ai la, tani nuk ka fare institucion të shkrimtarëve dhe artistëve, mendimi i atyre që kanë mbetur nga Realizmi Socialist nuk e kalon lartësinë e shtatores së rrëzuar të diktatorit Hoxha dhe ka thellësinë e gropave septike në shtëpitë e tyre, do të thoshte mbase Noli vetë.
4.
Po diaspora shqiptare në SHBA, ku ai themeloi “Vatrën” e saj dhe gazetën e saj “Dielli”, ku jetoi si lider shpirtëror, na la kishën dhe ka varrin, që duan t’ja shpërngulin në Shqipëri, gabim tjetër ky, që do t’u ngjante veprimeve të çrrënjosjeve të punëve të tij të vlefshme.
Natyrisht që “Dielli” shkruajti dhe vatranë në Boston çuan lule te vendi i shenjtë, ku prehet Noli. Po meshë?
Përkujtimore? Po që e kujtonin në fb njerëz plot…
Në Nju Jork tani ka një rrugë me emrin e Nolit, një metaforë e ecjes së tij, e kahut të ri, nga SHBA – aleate jetike e dy Shqipërive në Ballkan dhe e gjithë shqiptarëve kudo.
Para Paramanentit në Tiranë është një shtatore e Fan Nolit, që nuk mëton t’i ngjajë atij, por mendimit dhe bëmave të tij ose më saktë si mund të shihen ato, të forta dhe vrazhdë deri në një si grotesk të qetë, etj, etj. Po e madhërishmja? E pambërritshmja? Gjeniiteti?
***
Shqiptarët, jo vetëm të Amerikës, por sidomos ata, grupet dhe shoqatat e tyre, kisha, akademitë, katedrat deri dhe çdo student shqiptar, kanë se ç’mësojnë nga Noli, nga vullneti i tij për dije dhe përkushtimi, nga zemërimi i tij dhe guximi, nga atdhedashuria, nga fjala dhe muzika, nga miqësia dhe bashkëpunimi me korifeun tjetër, Faik Konica, nga veprimet e tyre, vlera që shkëlqejnë si gurë të çmuar, edhe kur s’janë të gdhendura përsosmërisht…
5.
Noli do të ketë dhe datëlindje nesër. Ç’do të përgatitet të thuhet për të?
Ndërkaq simboli i Nolit më duket si një figurë shahu në skakierën e realiteteve shqiptare, me ato kutitë e fatit bardhë-e-zi dhe siç thuhet në këtë lojë, ja, u bë një lëvizje me oficer (komplotet ushtarake) apo me ushtar (sa janë vrarë, jo vetëm në luftë), luaje torrën, çoje atje (po rrënohen kështjellat tona), hidhe kalin (të Skënderbeut?), mbretëreshën kujdes, (sa mbretëreshë të bukur kishte Shqipëria!), lëviz mbretin patjetër, sekretarin e parë, presidentët, etj, etj, por po një lëvizje me Nol a do të duhej? Dhe si do të mund ta bënte Shqipëria? Ai është i shumë mundësive, i sfidave joshëse si humnerat dhe si majat e maleve me borë, si përvojë dua të them, ku fryn ashtu si simfonitë bethoveniane…
Pres me dëshirë dhe me një si ankth që ç’Nol do të na sjellë në vazhdim autori i veprës së re për të, “Apostulli”, historiani i shkëlqyer Ilir Ikonomi? Se Noli mbetet dhe poeti tribun me një tragjizëm shekspirian, hokatar i trishtë si ajo që solli nga Servantesi, i dalldisur si një Khajam, që donte që ai të bëhej Shqipëria dhe mbeti i copëzuar ndër shqiptarë, vezullueshëm, si ata dhe ai, por ca më lart, olimpik, gjithë vetëtima dhe me brerore, që dhe kur s’e kujtojmë, kujtohemi se kush jemi dhe si jemi harruar…