• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETA PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME

December 21, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

 See the source image Unë vij, siç e dinë shumë kolegë, miqë e dashamirë të mi – nga një fshat i quajtur Amull-Fraskanjel të rrethit të Ulqinit, ndonëse me origjinë familja ime rrjedhë nga Shkreli i mbi-Shkodrës, në Malësinë e Madhe. Unë, si dhe shumë bashkvendas të mi jemi larguar nga vendlindja jonë, dikush më heret dikush më vonë, por kryesisht, duke filluar aty nga viti 1970, ndonjë edhe pak më heret, ndoshta. Por, viti 1970, në përgjithësi, konsiderohet si viti kur fshtatrat e rrethit të Ulqinit, të banuara pothuaj 100% me shqiptarë, filluan të zbrazeshin, gradualisht, nga emigrimi për në Perëndimin demokratik, shumica në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Kjo zbrazje e trojeve shekullore shqiptare nën Mal të Zi ka vazhduar për dekada, duke mos pasur të ndalur as në ditët e sotëme. Kjo fatkeqësi mbarëkombëtare – pothuaj e karakterit biblik – të largimit të shqiptarëve nga tokat arbërore në Ballkan – pasqyrohet ndoshta më së miri, me çfarë ka ndodhur gjatë 50-viteve të fundit e që vazhdon deri në ditët tona, në Ulqinin shqiptar mija vjeçar iliro-arbëror. Mos harroni qytetin e 365 kishave të Shasit — Frank SHKRELI/ Vidhet historia e qytetit ilir të Shasit | Gazeta Telegraf.  

Dikur fajësohet diktatura komuniste për largimin e shumë shqiptarëve liridashës nga zgjedha sllavo-komuniste, për në Perendim.  Po sot, me dy shtete “demokratike” në Ballkan — Shqipëri e Kosovë — kush e ka fajin, kush duhet të jetë përgjegjës për largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe trojet e tjera shekullore shqiptare, siç është Ulqini dhe fshatrat për rreth!?  

Një pasqyrim të kësaj gjëndjeje tragjike të zbrasjes së tokave shqiptare sot në fshatrat e rrethit të Ulqinit nën Mal të Zi, siç është fshati i vendlindjes time Amull/Fraskanjel, e përshkruan dhimshëm kolegu im, autori, gazetari dhe analisti i njohur nga Ulqini, Z. Gjekë Gjonaj, shkrimin e të cilit po e ndaj me ju të nderuar kolegë, lexues të dashur dhe me të gjithë ata që zbrasjen e trojeve shqiptare duhet ta shikojnë si një dukuri emergjente kombëtare.  Pothuaj për çdo ditë lexojmë në median shqiptare, se si anë e mbanë trojeve tona, po zvogëlohet numri i nxënsve në shkollat fillore, të mesme e të tjera, pikërisht për arsye të largimit masiv të familjeve shqiptare. Por tregimi – ditët e fundit i botuar në portalin Ulqinionline —Dy “shoqet” e vetme të pandara në shkollën e Fraskanjelit – Ulqini Online (ulqini-online.com) — i kolegut tim Gjekë Gjonaj nënvijon shumë dhimshëm një rast të pashembullt në fshatin ku kam lindur unë Amull/Fraskanjel: një shkollë funksionale, me një mësuese dhe me një nxënëse — ndoshta e paraqet problemin e zbrasjes së trojeve tona, në një mënyrën dramatike për vëmendjen që meriton ky problem mbarëkombëtar – me qëllim për të sensibilizuar sado pak publikun e gjërë shqiptarë se ç’po ndodh anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan – me mbylljen e shkollave për mungesë nxënsish, si pasojë e largimit të familjeve shqiptare nga trojet e stërgjyshërve të tyre.  

Falënderoj Z. Gjekë Gjonaj që na solli këtë tregim shumë të dhimbshëm, me të cilin duhet të njihet publiku i gjërë shqiptar dhe sidomos liderët shqiptarë kudo. Është një tregim që më solli – solli lotët në sy, një rast që vërtetë dramatizon këtë, emeergjencë kombëtare në këtë periudhë historike të kombit shqiptar. Të lumtë dora, i dashtun Gjekë! Bravo edhe mësueses që e bën gjithë atë rrugë për një nxënëse të vetme.  Është një tregim i dhimmshëm për faktin se ku kanë arritur gjërat në ato troje dhe njëkohësisht është edhe një shënjë vendosmërie nga mësuesja Ardita Cekaj dhe nxënsja Elidona Shkreli dhe familja e saj për t’iu përshtatur situatave të paparashikueshme, për të mësuar dhe për të mbijetuar.

JU FTOJ TË LEXONI MË POSHT SHKRIMIN E PLOTË TË Z. GJEKË GJONAJ PËR KËTË RAST UNIK NË TROJET SHQIPTARE, E NDOSHTA EDHE MË GJERË — një shkollë, një mësuese dhe një nxënëse e vetme!  Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, që mund ti lexoni në fund të artikullit që pason, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe realizimin e hidhët personal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR — PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME.  

 Frank Shkreli

——————————————————————————————————————————————

                               DY “SHOQET” E VETME TË PANDARA 

                                      NË SHKOLLËN E FRASKANJELIT

                                                        Nga Gjekë Gjonaj 

   See the source imageParalelja e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në fshatin Fraskanjel – Anë të Malit, falë mirëkuptimit të Ministrisë së Arsimit, edhe këtë vit shkollor vazhdon të funksionojë me vetëm një nxënës.  Në një klasë shumë të rrënuar, që nxjerr frymën e disa kohëve të shkuara, mësuesja Ardita Ceka mësimin e zhvillon me   vetëm një nxënëse. Ajo quhet Elidona Shkreli, nxënëse e klasës së dytë, të cilën  mësuesja e saj e sjell dhe e merr çdo mëngjes nga fshati i afërt Amull, rreth tre kilometra larg shkollës.

Në këtë shkollë katërklasëshe të lënë pas dore me vite, në të cilën në vitin shkollor 1972/73 kanë qenë 20 nxënës, nuk bie zilja e shkollës, sepse nuk ka fëmijë për të thirrur. Në këtë vatër edukative – arsimore mësuesja e re e arsimuar Ardita është edhe mësimdhënëse, edhe edukatore edhe “shoqe” e bankës dhe “partnere” për edukatën fizike,  muzikore …

Që nga viti i kaluar shkollor, mësuesja Ardita udhëton nga fshati i saj  Brajshë në Fraskanjel dhe rregullisht vjen në shkollë në kohë,  së bashku me nxënësen e saj, për të mos humbur procesin  mësimor. Ajo me mjaft emocion flet për fillimet e saj në këtë vatër të dijes.

“Mbaj mend si sot ditën e parë, në tetor të vitit 2020, kur fillova punën në këtë  shkollë dhe kur në derë trokiti nxënësja ime e parë dhe e vetme -Elidona Shkreli, të cilën  e shoqëronte babai i saj, Tomë Shkreli nga fshati Amull.  Elidona ishte e gëzuar dhe e emocionuar sepse po vinte për herë të parë në shkollë. Ishte një nxënëse shumë e sjellshme dhe e dashur dhe shkollën e kishte shumë dëshirë. Mirëpo, ajo ishte shumë e lidhur me prindërit të cilët nuk kishin arritur ta çonin në kopsht. Kjo ndikoi që Elidona e kishte shumë problem të qëndronte vetëm me mësuesen në shkollë, dhe duhej gjithsesi prania në shkollë  e njërit prindër  ose e motrës. Ishte e mbyllur në vetvete dhe e kishte të vështirë të shoqërohej me njerëz të tjerë jashtë familjes.  Vetë fakti që ajo ishte nxënësja e vetme në këtë shkollë dhe nuk kishte shokë apo shoqe, ndikoi edhe më keq që ajo të ambientohej dhe të mësohej që të qëndronte në shkollë pa praninë e njërit nga familjarët. Kështu në fillim u desh të kalonin 2-3 javë derisa ajo arriti të ambientohej dhe të bëheshim “shoqe”. Pra nga dita kur filluam të bëheshim ’’shoqe’’e në vazhdim ne kemi krijuar një marrëdhënie jo vetëm mësuese-nxënëse por edhe shoqe-shoqe, pasi ajo më tregon gjithçka rreth vetes, është e lirshme dhe ju përgjigjet çdo pyetjeje që unë i bëj”, thotë Ceka.

Ajo s tutje shprehet se të punosh me një nxënës është e pazakontë, dhe se   nuk ndjehet mirë për shkak se   nxënësja e saj nuk ka shokë e shoqe të shkollës që të luajnë bashkë gjatë gjithë vitit shkollor.  Mirëpo, mësuesja Ardita   ka krijuar me të raporte të veçanta afërsie saqë e konsideron atë jo vetëm si nxënëse por si “ shoqe”, apo “ motër” të vogël  . Siç tregon mësuesja Ardita para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Para se të vijnë në shkollë, gjatë udhëtimit së bashku, fillimisht bisedojnë për shumëçka. Elidona i tregon mësueses se çfarë ka bërë një ditë më parë, me kë ka luajtur dhe të ngjashme. Dhe vetëm kur klasa fillon të ngrohet, ato fillojnë mësimin.

“Ne të dyja e bëjmë bashkë rrugën nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi Mua pasi nisem në mëngjes në shkollë Elidona më pret tek rruga e shtëpisë së saj dhe nga aty shkojmë dhe kthehemi nga shkolla së bashku. Mësimdhënia me një nxënëse është e pazakontë, por jo e vështirë. Secilin   mësim në çdo lëndë ia shpjegoj disa herë vetëm derisa ajo ta kuptojë, duke përdorur metoda e mënyra të ndryshme. Megjithatë mësimi me një nxënëse ka dhe anët e veta negative.  Kur në klasë ke vetëm një nxënëse ajo natyrshëm ndjehet e vetmuar dhe jo aq e motivuar për të mësuar më shumë apo për të parë se si   mësojnë e përgjigjen nxënësit e tjerë. Mësimi me vetëm një nxënës, për dallim nga mësimi me shumë nxënës, komunikimi   zhvillohet vetëm mes mësueses dhe nxënësit”, pohon Ceka.

Pavarësisht vështirësive që kanë pasur mësuesja Ardita me nxënësen e saj të vetme Elidonën ato  kanë  kaluar kohë të këndshme në praninë e njëra-tjetrës. Përveç mësimit  janë shoqëruar, kanë  luajtur   dhe janë zbavitur aq sa kanë  pasur mundësi. Kështu para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Gjendja e krijuar e gjithmbarshme në botë, pra edhe në vendin tonë, si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, vendosi një rregullim të ri të gjallimit në pothuajse në çdo lëmi të frymimit shoqëror, duke përfshirë edhe atë në sferën e arsimimit në të gjitha nivelet. Mësimi në distancë, respektivisht përmes platformave online që erdhi papritur për shkak të përhapjes së koronavirusit, paraqiti  sfida të mëdha edhe  për mësuesen Ardita Ceka dhe nxënësen e saj Elidona Shkreli.  “Nxënësja ime ishte në klasën e parë. Ajo kishte nevoja e pyetje të ndryshme të cilat ishte shumë vështirë t’ia sqaroj në këtë mënyrë.  Por, u përpoqa që në kushte të jashtëzakonshme të bëj me pasion më të mirën e mundshme, duke ruajtur mbi të gjithë atë më shenjtoren- shëndetin  tim dhe të nxënëses e pastaj edhe  të realizoj   planprogramin  mësimor. Ishte kjo një përvojë shumë interesante për mua e cila do të mbetet gjithmonë në kujtesën time si diçka e pazakontë por e bukur”, thekson Ceka.

Si e vetmja, Elidona modeste është edhe nxënësja më e mirë e kësaj shkolle, edhe pse nuk mund të mburret me nota të shkëlqyera. Pyetja e madhe është nëse shkolla në Fraskanjel do të funksionojë vitin e ardhshëm shkollor dhe, siç theksojnë vendasit, nëse shkolla mbyllet kjo do të thotë se jeta është larguar përgjithmonë nga ky fshat.

Gjekë Gjonaj

                           Dy Heroina shqiptare të rrethit të Ulqinit

            A picture containing text, indoor, person

Description automatically generated

Mësuesja Ardita Ceka me nxënsën e saj të vetme Elidona Shkreli/Shkolla në Fraskanjel, rrethi i Ulqinit

* BOTUAR NË ULQINIONLINE, ME 17 DHJETOR, 2021

Ky tregim i autorit Gjekë Gjonaj më kujtoi vargjet e At Gjergj Fishtës, si më posht, në këtë 150-vjetor të lindjes së tij – por edhe realizimin e hidhët perosnal se me boshatisjen e fshatit tim nga shqiptarët – JETA – SIÇ E KISHIM NJOHUR DIKUR — PO LARGOHET PËRGJITHMONË NGA VENDLINDJA IME. 

                  At Gjergj Fishta: LAMTUMIRE VËNDET E MIJA
A picture containing wall, person, person, clothing

Description automatically generated

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka valë mbi valë.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill unë tash do t’veta
Lamtumirë atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t’shkretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumirë ju mriza e stane!
Lamtumirë ju “shkurre e mreta”!
Lamtumirë ju o armt e t’parve
Lamtumirë për sa t’jetë jeta.

Filed Under: Emigracion

Sensibilizim i komunitetit ndërkombëtar për sfidat që po kalojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës

December 16, 2021 by s p

-Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, vazhdon takimet në Bujanoc, garanton përkrahjen e Kosovës në shumë fusha/


PRISHTINË, 16 Dhjetor 2021-Gazeta DIELLI/

Në vazhdën e takimeve me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe qytetarë të Luginës së Preshevës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, u prit në takim sot nga kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, z. Enver Ramadani; shefi i Grupit të Këshilltarëve, z. Ermal Rexhepi; këshilltarja e Kuvendit Komunal, znj. Afërdita Mustafa; dhe sekretarja e Kuvendit Komunal, znj. Nerminale Aliu.Në kuadër të këtij takimi, mes tjerash, u trajtuan tema të fushëveprimit të spektrit politik të Luginës, gjendjes në lidhje me funksionimin e institucioneve qeverisëse lokale si dhe diskriminimin politik dhe institucional të institucioneve qendrore të Serbisë kundrejt detyrimit të zbatimit të të drejtave politike, institucionale dhe qytetare të shqiptarëve të Luginës.
Kryetari Ramadani prezantoi shifrat diskriminuese në fushën e punësimit të shqiptarëve të Luginës, qoftë në ndërmarrje a kompani publike, qoftë në institucione të drejtësisë, të shëndetit primar, apo në raport me gjendjen civile.Ministrja Gërvalla theksoi se institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të ofrojnë përkrahje të vazhdueshme financiare, ekonomike dhe në drejtim të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Luginës që jetojnë në Kosovë. Për këtë, ajo garantoi që përkrahja do të shënoj rritje sistematike.
Në kuadër të bashkëbisedimit substancial, Gërvalla ngriti çështjen e identifikimit të formave dhe instrumenteve të përkrahjes.
Në këtë kontekst u theksua se duhet pasur vëmendje të shtuar në përkrahjen e projekteve të punësimit të të rinjve, veçmas investimi në arritjen e shkathtësive.
Ajo i inkurajoi bashkëbiseduesit që të eksplorojnë mundësitë e binjakëzimit me komunat e Republikës së Kosovës, por edhe mundësitë e aplikimit për fonde të BE-së, ku përfitues do të mund të ishin komunat e Republikës së Kosovës dhe komunat nga Lugina.
Gjithashtu, takime pati edhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa; zv. Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enver Mehmeti; koordinatoren e Organit Ekzekutiv, znj.Lemane Mustafa; dhe koordinatorin për përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip, z. Enkel Rexhepi.Gërvalla i njoftoi përfaqësuesit e Këshillit, që kjo vizitë dhe takimet konsultative janë pjesë e një qasje gjithëpërfshirëse dhe pragmatike institucionale në përkrahje të Luginës. Sipas Ministres Gërvalla, kjo qasje mes tjerash ka për qëllim që ta sensibilizoj komunitetin ndërkombëtar për sfidat nëpër të cilat po kalojnë shqiptarët e Luginës. Në kuadër të takimit, Gërvalla i informoi përfaqësuesit e Këshillit, që ajo, por edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, janë të përkushtuar që të ofrojnë përkrahje sektoriale dhe në këtë frymë planifikohen dhe priten edhe vizita të tjera.Nga ana e tij, kryetari Mustafa shtroi sfidat dhe problemet me të cilat përballën shqiptarët e Luginës, duke vendosur theksin në diskriminimin që ju bëhet shqiptarëve në punësim, në kornizë ligjore, përmes vendimmarrjes diskriminuese dhe përjashtuese, e në forma të tjera.

Filed Under: Emigracion

LODRA TË RREZIKSHME MBI KIEVIN

December 15, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI

“Corriere della Sera”, 4 dhjetor 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

A ndoshta do të vdesim për Kievin, ashtu si baballarët tanë vdiqën për Gdanskun? Për fat pyetja është ende retorike, por mund të mos jetë ashtu nëse ndeshja e shahut ndërmjet Fuqive të mëdha, që po luhet mbi lëkurën e Ukrainës do të shpëtonte nga kontrolli i lojtarëve. Amerika e Biden-it qorton Rusinë e Putinit se ka sjellë 90 mijë vetë në formacion luftimi pranë kufirit lindor të Ukrainës, në parashikimin e “veprimeve të rëndësishme sulmuese” dhe e paralajmëron se do të shkojë drejt “pasojash të rënda” nëse nuk ndryshon rrugë. Kremlini mohon se është duke planifikuar një mësymje, padit Washingtonin se ka zhvilluar në nëndor një stërvitje ajrore për një sulm bërthamor ndaj Rusisë, qorton Perëndimin  që të mos kalojë “vijat e kuqe” të Moskës dhe paralajmëron se nuk do të pranojë hyrjen e Ukrainës në NATO. 

Që nga fundi i luftës së ftohtë, më shumë se tridhjetë vite më parë, Amerika dhe Rusia nuk kishin qënë kurrë kaq pranë përroskës së një përplasjeje të drejtpërdrejtë. Prova m’e dukëshme e rreziqeve që ngrihen është në takimin e ngutshëm ndërmjet ministrave të Jashtëm Blinken dhe Lavrov t’enjten e shkuar në Danimarkë, ndërsa pasnesër do të zhvillohet një bisedë në videokonferencë ndërmjet Biden-it dhe Putinit. Duhet të ftohet shkallëzimi i padive të ndërsjellta më parë se të jetë shumë vonë, në një Evropë të hutuar nga Covidi por që rrezikon të kthehet së qëni fushë beteje, siç ka ndodhur shpesh në tragjeditë historike.

Biden-i e Putini a do t’arrijnë të ndalin rrotën tashmë në lëvizje që n’a kërcënon? A do të bëhemi përsëri “sonambulët” që nuk ndaluan luftën e Parë botërore e që i ka përshkruar kaq mjeshtërisht Christofer Clark? Rruga është në ngjitje. Perëndimorët kanë tashmë të gatëshme një paketë sanksionesh skajshmërisht të ashpër kundër Rusisë, në rastin kur mësyemja do të zhvillohej pikërisht mbas fundit të janarit, siç thonë shërbimet e fshehta ukrainase. Por ka edhe një shteg dykuptimësie që mund t’a këshillonte Putinin të vinte në provë vullnetin e Biden-it e të shkaktonte një “efekt Kabul” në mes t’Evropës. As presidenti i SHBA, as sekretari i Shtetit Blinken nuk kanë thënë ndonjë herë se do t’a mbrojnë ushtarakisht Ukrainën në rast sulmi. Ndoshta Kievi nuk është në katrorin e Paqësorit si Taivani, ndoshta nuk hyn në kundërvënien me përparësi ndaj Kinës, prandaj duhet të kënaqet me furnizimet e mëdha të armëve të marrura (edhe nga Turqia, që ka vendosur dronët e saj tejet të efektëshëm). Ngasja për të provuar është sigurisht e pranueshme në Kremlin. Por në krizën ukrainase ka edhe një ngasje amerikane. Nëse gjëndja do të rëndohej, a nuk do t’ishte mënyra m’e mirë për të mbrojtur Ukrainën ajo e futjes në NATO menjëherë, duke e bërë kështu përfituese nga Neni 5 që parashikon një ndërhyrje ushtarake të përbashkët në mbrojtje të Vendit të sulmuar (t’a zemë se Neni 5 e ka ruajtur besueshmërinë e tij)? Prej shumë vitesh Shtetet e Bashkuara përkrahin hyrjen e Ukrainës në Aleancë me detyrën që të shërbejë si vijë e parë kundër-ruse, e kanë frenuar evropianët perëndimorë, që nuk duan të kenë një kufi me Rusinë, ku edhe sot ka një luftë, me 14 mijë të vdekur nga 2014 (bashkëngjitja e Rusisë) e deri sot.

Për të shmangur më të keqen Biden-i dhe Putini duhet të bëjnë saktësisht këtë: të heqin dorë nga ngasjet e ndërsjellta. Pak vëzhgues besojnë me të vërtetë që presidenti i SHBA dëshëron të zotohet në një luftë evropiane, e tillë është në vështrimin e saj strategjik përparësia absolute e përballjes së Kinës. Por Putini, për të zbritur temperaturën, ka thënë se cilat janë kërkesat e tij kushtëzuese, e nuk bëhet fjalë për pak gjë. Që nga rënia e Murit të Berlinit në 89, NATO-ja nuk ka reshtur kurrë  së zgjeruari territorialisht drejt Lindjes, në mënyrë krejtësisht të ligjëshme, duke pranuar kërkesat e Shteteve të pavarur me një proçedurë të shkurtër.  Rusia pohon se kishte një marrëveshje me Amerikën, pikërisht për të shmangur afrimin e NATO-s kufijve të saj. Por kjo marrëveshje, nëse ka qënë, nuk ka marrë kurrë formë të shkruar dhe zotuese. Tani Putini kalëron provën e fuqisë mbi Ukrainën për të kërkuar “garanci sigurie” këtë herë formale, që përjashtojnë një zgjerim të mëtejshëm të territorit NATO drejt lindjes. Për të filluar, përjashtojnë hyrjen e Ukrainës në Aleancë. Çfatë duhet të bëjmë, shpjegon Kremlini, nëse një Ukrainë atllantike do të rrjeshtonte në kufijtë tanë raketa  t’afta të arrinin Moskën pa na dhënë kohë të përgatisim mbrojtjen? Por Bideni nuk mundet, sëpaku zyrtarisht, të sigurojë Rusinë që NATO do të sprapsë kërkesat e një Shteti sovran tashmë të rrjeshtuar në pozita perëndimore. Loja e shahut do të kërkojë lojtarë të nivelit të lartë, lëvizje përtëritëse dhe një masë të mirë sinqeriteti jo politik nëse dy fuqitë më të mëdha bërthamore të botës do të vlerësojnë ndershmërisht vënien në lojë. Pra ne evropianët.

“Corriere della Sera”, 4 dhjetor 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Emigracion

Urim i Shoqatës se Intelektualëve shqiptar ” Trojet e Arbrit “nga diaspora, me rastin e vendosjes se bustit të Monsinjor dr. Zef Oroshit në Lezhë

December 14, 2021 by s p

Nue Oroshi, kryetar/

 Të nderuari familjar të Monsinjor dr . Zef Oroshit – dy djemtë e vëllezërve, Gjon e Nikollë Prendi me djemtë e nipat të tyre: I nderuar biograf i katër veprave enciklopedike për Monsinjor dr. Zef Oroshi –Tomë Mrijaj; I nderuari dr. dom Nikë Ukgjini Famullitar i Kuklit-koordinator i këtij projekti; I nderuar Kryetar i Klubit Letrar ” Ndoc Gjetja ” në Lezhë, Viktor Gjikolaj.

  Shoqata e Intelektualëve shqiptar ” Trojet e Arbrit ” me gëzim e mori lajmin se më datën 13 dhjetor 2021 në Lezhën e Gjergj Kastriotit do të vendoset busti i priftit, atdhetarit, studiuesit dhe themeluesit të kishës së parë katolike shqiptare me emrin ” Zoja e Këshillit te Mirë ” që sot mbanë emrin ” Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Jeta e Monsinjor dr. Zef Oroshit ishte një jetë e cila ishte e gërshetuar në mes të dijes ku u shqua si shkencëtar, në mes të atdhetarizmit ku nuk iu dorëzua mortajes komuniste por doli në malet dhe shkrepat e Mirditës dhe me pushkë në krah e uratë në dorë e luftoi komunizmin bolshevik duke ju prirë qetave në Male të Mirditës krahas luftëtarëve të lirisë që udhëhiqeshin nga Kapidan Mark Gjon Marku, Kapidan Ndue Gjon Marku, Kapidan Llesh Gjon Marku dhe me pas nga Monsinjor dr. Zef Oroshi. Monsinjor Zefi gjatë tërë jetës se tij prej dritëjetës e deri tek dritëvdekja rrezatoj dituri, trimëri, humanitet dhe sakrificë. Ai ishte intelektuali dhe euroditi i cili tërë jetën e shkriu për Shqipërinë e me shqiptarët. Në Amerikë rrezatoj dritë duke e hapur kishën e parë katolike shqiptare ” Zoja e Këshillit te Mirë ” në Nju Jork por edhe duke predikuar fjalën e Zotit tek shqiptarët e mërguar në Amerikë. Ai krahas fjalëve të Zotit nuk harronte asnjëherë që të predikoj edhe për lirimin e Shqipërisë nga mortaja e kuqe komuniste. Shoqata ” Trojet e Arbrit ” tani e 18 vjet me radhë ka botuar në 20 veprat enciklopedike deri me tani disa studime shkencore që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarinë atdhetare e fetare të Monsinjor dr. Zef Oroshit. Të përshkruara me një hollësi të mendjes dhe të pendës me aq dashamirësi dhe besëtari nga atdhetari dhe publicisti Tomë Mrijaj. Toma është biografi i katër veprave shkencore për Monsinjor Oroshin. Ai gjithashtu ishte edhe kumar i Monsinjor dr. Zef Oroshit dhe njeriu me i besuar i tij në Amerikë, i cili i qëndroi afër deri në momentet e fundit të jetës së tij duke u kujdesur pas vdekjes së tij, që të mbledh dhe të botoj me një përkushtim të madh veprat e Monsinjor dr. Zef Oroshit, ku edhe vet e bëri financimin e këtyre veprave enciklopedike. Të nderuar pjesëmarrës, Rikthimi i Monsinjor dr. Zef Oroshit në bronz në Lezhën e Gjergj Kastriotit është një fillim i mbarë që në të ardhmen të kthehen në bronz edhe shumë bashkëluftëtar të Monsinjor Mons. Zef Oroshit që ndanë rezistencën e përbashkët në malet e Mirditës kreshnike dhe heroike. Monsinjor dr. Zef Oroshi dhe bashkëluftëtaret e tij janë heronjtë e vërtetë të shqiptarizmës. Për këta burra gjithmonë dielli ka lindur në perëndimin Evropian e jo në lindjen . Në emër të Shoqatës ” Trojet e Arbrit” ju uron suksese të gjithë pjesëmarrësve të këtij akti ceremonial të vendosjes se bustit të Monsinjor Dr. Zef Oroshit në Lezhë! 

Filed Under: Emigracion

Kuajt e përgjakur

December 13, 2021 by s p

Bajram Mjeku

Nga të gjitha kafshët, janë kuajt që i dua më së shumti. Ata nuk shquhen vetëm për fuqinë, por edhe për instiktin e zgjuar dhe bukurinë që kanë.Kjo kafshë fisnike që shquhet edhe për elegancë, vazhdon të lë gjurmë të fuqishme në të gjitha fushat e artit; në letërsi, pikturë, skulpturë, filma artistikë…Jam me fat që fëmijërinë e kam kaluar midis tyre. Familja ime, të vetmen pasuri që mbërrijti të shpëtonte nga konfiskimi i madh i regjimit komunist në vitin 1947 ishin kuajt, por asnjëherë nuk ka mundur të shpjegonte, si vërtet ndodhi kjo?Tufa e kuajve të racës gjakthjeshtë anglez, mbijetoi deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë dhe rrëfimin për përgjakjen tyre, e kam dëgjuar disa herë nga nëna ime e ndjerë. Përsëriste sa e sa herë për plagosjen e kuajve nga lukunia e ujqëve një ditë vjeshte, kur lugina e vendlindjes time jo rrallë mbulohet me mjegull… Janë ujqërit që duan mjegull dhe ditën fatkeqe, lukunia e tyre kishte bërë kërdinë. Rrëfimi i nënës për kuajt e përgjakur ishte dramatik. Fliste me ndjeshmëri për plagosjen e tyre nga ujqërit dhe për hingëllimat trishtuese, kur ata kishin mbërrijtur të plagosur para portës së madhe të oborrit të shtëpisë…Në Kosovë, kuajt pothuajse janë specie në zhdukje. Ndodh kështu, mbasi kjo kafshë fisnike si edhe shumë tjera, nuk janë nën përkujdesje të shtetit. Në shtetet normale, ushtritë dhe policitë kanë kavaleritë dhe parakalimet e tyre mbresëlënëse, ndodhin edhe sot në sheshet kryesore të kryeqyteteve të Evropës. Ende i dua kuajt dhe për aq sa zvogëlohen në numër, dashuria ndaj tyre më shtohet më shumë!

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT