• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unë, Prokop Cezareasi dhe Komunizmi Shqiptar

June 13, 2023 by s p

Naum Prifti/

Prokopi i Cezaresë (Procopius of Caesarea) ishte studiuesi dhe historiani më në zë romak i shekullit të gjashtë nga Caesarea Maritima ose Palestina Prima, rajon administrativ i periudhës bizantine. Si shoqërues i gjeneralit romak Belisarius gjatë luftrave të Perandorit Justinian, Prokopi është autor i librave Histori e Luftave, Mbi ndërtesat, dhe Histori e Fshehtë. Ai ishte edhe nxitja ime për të shkruar shumë kujtime të mia personale, ese dhe mbresa udhëtimi të cilat u botuan pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Kjo histori fillon nga reportazhet e ilustruara me fotografi në revistën “Ylli” të cilat konsideroheshin si shtyllat e numrit të revistës dhe pëlqeheshin nga lexuesit. Disa gazetarë të kohës pohonin se reportazhi ishte ura që lidhte publicistikën me letërsinë, por pohimi i tyre nuk gjente mbështetje as nga estetët, as nga kritikët e artit. Për dallim nga gjinitë letrare, reportazhi hyn në gjinitë e mirëfillta të gazetarisë sepse raporton për ngjarje e njerëz në vende dhe kohë të caktuara.

Gjatë viteve ‘60 kur punoja te “Ylli” reportazhet e mia kishin vlerë për informacionin si edhe sinqeritetin e ndjenjave dhe të mbresave. E pohoj se i shkruaja me lehtësi, edhe për faktin se gazetarinë e kundroja si veprimtari dytësore, ndërsa primare konsideroja letërsinë. Për fat të keq, fusha ishte ‘diskredituar’ nga gazetarët e paaftë ose “rrogëtarët” e redaksive që shkruanin çka u zinte syri nga xhamet e makinës dhe duke intervistuar persona që takonin rastësisht, pa u thelluar askund. Reportazhet veç stërpërsërisnin refrenin e njohur të “ndryshimeve që kishte sjellë pushteti popullor, epoka e partisë”. Kolegu im Kin Dushi i kategorizonte këto reportazhe tip “Shih e shkruaj”. Megjithatë, do të ishte e padrejtë t’u ngarkoheshin vetëm gazetarëve dobësitë e reportazheve. Redaksitë, nga ana e tyre, ushtronin censurë të fortë, duke mënjanuar problemet, analizat, shkaqet dhe ca më shumë kritikat. Edhe nëse gazetari guxonte të ngrinte ndonjë problem, redaktori përkatës e thërriste në zyrë dhe me ton dashamirës i propozonte: “Më mirë ta heqim këtë pasazh që të mos kesh telashe, as ti, as unë”, dhe ndërkohë paragrafin problemor e kishte rrethuar ose nxirë me stilolaps duke e lënë jashtë botimit. Si rezultat, reportazhet mbusheshin me lavdërime dhe në vend që të jepnin apo ilustronin realitetin vetëm e lustronin atë.

Puna ime në gazetari u ndërpre në marsin e vitit ’67 kur shpërtheu nisma e montuar e zbritjes së shkrimtarëve në bazë, “për të njohur jetën”. Si autor që kisha shkruar dramën me gabime ideore “Rrethimi i Bardhë” kisha nevojë “të riedukohesha” në gjirin e masës. Gjatë katër viteve që punova arsimtar në Divjake të Lushnjës, nuk kisha as kohë, as mundësi dhe mbi të gjitha as dëshirë të shkruaja reportazhe.

Disa nga kolegët e mi shkrimtarë shkruanin reportazhe për hatër të dietave që merrnin nga redaksitë sa herë u duhej të shkonin për punë personale a familjare në ndonjë rreth tjetër. Dietat, sado të vogla, mbulonin pjesërisht shpenzimet e udhëtimit, që ndihmonin sadopak buxhetin e familjes. Edhe pse e dija atë shteg, nuk e praktikova asnjëherë sepse kisha fituar një lloj idiosinkrazie nga reportazhet. Më zinte koka, sapo mendoja se duhet të shkoja diku dhe të shkruaja për gjëra që nuk ngjallnin asnjë interes. Më dukej e neveritshme të thosha lavdërime kur realiteti jetësor përmbante probleme të mprehta.

Duke shfletuar koleksionet e periodikut në Bibliotekën Kombëtare, për kërkime të miat ose për kureshtje, vija re ndryshime të theksuara midis shtypit të paraluftës dhe atij të kohës sonë. Gazetat dhe revistat e pavarësisë paraqisnin probleme shoqërore, ekonomike, filozofike, ndërsa tonat të thata e monokrone ishte shterpe. Propaganda dhe llafologjia zotëronin duke nisur nga kryeartikujt, artikujt, madje dhe te reportazhet, pa përjashtuar as ato me sythin “nga blloku i shkrimtarit”. Sado t’i shtrydhje, nuk gjeje asgjë jetësore. Nuk kisha dyshim se pasardhësit tanë do ta kenë vështirë të zbulojnë problemet e vërteta të shoqërisë sonë, edhe sikur të rrinin gjithë jetën përmbys mbi koleksionet e gazetave. Shtypi i partisë u shkonte anash problemeve, nuk i prekte fare, ose i minimizonte. Për shembull, nëse shkruhej “por ka edhe ndonjë rast të rrallë…” kjo duhej transkriptuar se dukuria negative kishte marrë përmasa të gjera. Si mund të shpërndahej mjegullnaja e dendur e fshehjes së realitetit? Të shkruaje reportazhe, ese, mbresa, udhëtimi me fakte jetësore dhe t’i dërgoje për botim, ishte një akt vetëshpallje opozitar që nuk ndihmonte zbulimit të së vërtetave. Censura vigjilonte ethshëm mbi çdo shkrim duke goditur edhe disa autorë të partishëm, për ndonjë varg a pasazh që linte shteg për dykuptimësi, apo aludim. Gjithçka varej nga interpretimi i censorëve që vigjilonin mbi të gjitha fushat e krijimtarisë artistike.

Rastësia më ndihmoi të orientohesha në gjetjen e një shtegu. Duke biseduar me Apollon Baçen, arkeolog në Institutin e Monumenteve të Kulturës, në kafenenë e Hotel Tiranës, ai përmendi sesi historiani Prokop Cezareasi kishte shkruar, veç vëllimit të tij “Mbi ndërtimet” me lavde panegjirike për Justinianin, edhe një vepër tjetër, titulluar “Histori e Fshehtë” plot dufe dhe mllefe për mizoritë e perandorit dhe të së shoqes, Theodhorës. I ngazëllyer shkova menjëherë në Bibliotekën Kombëtare të lexoja fragmentet e botuara te Albanica. Lexova se “Histori e fshehtë” ishte zbuluar dyqind vjet pas vdekjes së autorit dhe kishte ngjallur polemika midis dijetarëve nëse i përkiste Prokopit apo ndonjë historiani tjetër. Diskutimet e tyre m’u dukën të dobëta, të paktën ato që ishin pjesë e koleksionit të Bibliotekës, por për mua si autor që jetoja nën diktaturë drama e Prokopit ishte e kuptueshme. Historiani i oborrit i shërbeu ndershmërisht Justinianit, duke përshkruar ndërtimet e kështjellave dhe fortesave anembanë perandorisë, ndërsa ndërgjegjen e tij qytetare e qetësoi duke ia bërë të njohura botës mizoritë dhe krimet e çiftit perandorak. Hapja e librit tingëllon si klithmë e mprehtë dhimbje, shpërthim i dufit të mbledhur gjatë në shpirtin e historianit kundër Justinianit dhe bashkëshortes ambicioze. Me veprën “Histori e fshehtë”, ai kreu detyrën e tij morale si historian dhe qytetar. Diktaturat e çdo kohe, të djathta a të majta, përdorin të njëjtat metoda, prandaj nuk është e çuditshme ngjashmëria midis tyre. Mu duk sikur ishte fati ai që më solli me dorën e tij një shembull të shkëlqyer. Derisa Prokop Cezareasi, kryehistoriani i pallatit, i përkëdheluri i perandorit, njeri me pushtet në rrethet akademike, e gjeti të arsyeshme të ndiqte rrugën e disidencës së fshehtë, pse të mos shkoja pas gjurmëve të tij edhe unë, qytetar i thjeshtë dhe autor “që duhet të edukohesha nga regjimi popullor”. Vendosa të shkruaja për realitetin ashtu si e gjykoja vetë dhe duke gjetur e poseduar forcë shpirtërore, guxim dhe deri diku shpërfillje rreziku që mund të vinte nga nuk pritej mendova se ishte edhe një akt mposhtje i autocensurës.

Nga mesi i viteve ’70, nisa të hedh në letër mbresat e shënime të miat sapo kthehesha në shtëpi nga çdo udhëtim a vizitë në qytete a fshatra të vogla e të mëdha, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim në mbarë Shqipërinë. Isha i vetëdijshëm se në fund do ishte një lloj historie e fshehtë si ajo e Prokopit.

Sa isha letrar i ri pohimet e kritikëve se Gëteja, Bakzaku, Tolstoi, Dikensim Migjeni, i kishin ndier vite më parë ndryshimet që po sillte koha, më dukeshin spekulime letrare. Mos vallë shkrimtarët kishin një shqisë të gjashtë, apo antena të posaçme për të parandier shndërrimet që po ravijëzoheshin në horizontin e largët? Por nga përvoja e jetës nën diktaturë, ndjeva se në ato pohime nuk kishte asgjë metafizike. Shenjat paralajmëruese të regjimeve shtypëse janë të dukshme te konformizmi, tatëpjeta ekonomike, paraliza e mendimit, dualizmi midis asaj që mendohet dhe asaj që thuhet, rutina, bjerrja e virtyteve morale, arbitrariteti i shoqëruar me dogmatizëm të hekurt, egërsia e pushtetit, humbja e idealeve dhe e besimit te e ardhmja. Pas Plenumit famëkeq të qershorit 1974, varfëria, vetëizolimi dhe frika nga çdo gjë e huaj u bënë tiparet kryesore të politikës shqiptare të kohës.

Vendosa të mbaja shënime edhe nga shfaqjet e teatrit si një formë arti ku linte gjurmë skematizmi ideologjik dhe fillova të shkruaj tregime disidente “për veten time”. Vëllimin me ese e recensione “Teatri në kohën e krizës”, mbresat e udhëtimit, esetë dhe reportazhet që janë pjesë e librit me titullin simbolik “Midis dy kohësh” si edhe një sërë tregimesh disidente janë shkruar në këtë periudhë. Të gjitha ishin dorëshkrime të cilat i daktilografova në fund të viteve tetëdhjetë me qëllim që të botoheshin pas vdekjes apo kur t’u vinte koha. Por isha i sigurt se një ditë do të botoheshin. Do t’ua lija amanet vajzave të mia. Një pjesë të dorëshkrimeve dhe kopjet e daktilografuara, i kam ruajtur në dosjet e mia. Natyrisht gjatë redaktimit janë bërë disa plotësime e ndryshime të karakterit artistik e stilistik por duke ruajtuar përmbajtjen. E ndiej ndërgjegjen të qetë që solla fakte, mendime e gjykime të sinqerta nga ajo kohë e vështirë e plot rreziqe.

Pas një gjysme shekulli diktature në Shqipëri dukej sikur nuk do kishte fund kurrë por ndodhi që shembja erdhi thuajse menjëherë. Isha jo vetëm dëshmitar i përmbysjes por edhe pjesëmarrës aktiv i lëvizjes demokratike të dhjetorit të vitit 1990. Atëherë e ndjeva thellësisht sa mirë kisha bërë që me guxim qytetar dhe atdhetari të shkrimtarit kisha shprehur mendimet e mia të sinqerta e kritikën time të fortë edhe nën diktaturë. Mbajtja e dorëshkrimeve përbënte një akt të rrezikshem si për mua ashtu edhe për familjen nëse do zbuloheshin, por pyesja veten se nëse nuk do isha unë atëherë kush dhe prej kujt duhej kërkuar një sakrificë e tillë. E dija përgjigjen. Ashtu si libri i Prokop Cezareasit “Histori e Fshehtë” ato shkrime ishin obligimi im moral, testamenti për historinë e pathënë të vendit tonë.

Fragment nga libri Midis Dy Kohëve, Shtëpia botuese Dukagjini, Prishtinë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Naum Prifti

Çfarë?

June 13, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Diçka po ndodh. Gjynah sa pak njerëz. Vend i bukur. Fshatra janë bosh. Vetëm të moshuar kanë mbetur. Shumica e të rinjëve largohen. Ne themi se ikim për t’u siguruar të ardhmen. Justifikim. Secili ikën për vete. Ujëra nën urë të harresës. Njeriu ulur në stol. Ngrohet në diell. Pastaj vjen gjumi. Prandaj ato gërhitje.

Besim i verbër. Të sigurt në krahët e pushtetit. I qetëson të gjitha dhimbjet. Zgjohuni në këtë kohë vitin e ardhshëm. Rehati e ftohtë. Mashtrim i devotshëm; do të kishin një udhëheqës të vjetër më të keq se një tjetër. E çuditshme e gjithë atmosfera. S’ka si të jetë ndryshe.

Krisht apo Pilat? Krisht, por mos na mbaj gjithë natën. Ishte muzikë që ata donin. Emocioni në ajër, plot, njerëz që shikonin lart: Quis est homo? (Kush është njeriu?). Ajo muzikë e vjetër e shenjtë ishte e shkëlqyer. Mercadante, Mozarti: Ata papët e vjetër të apasionuar pas muzikës, artit, statujave dhe pikturave të të gjitha llojeve. Më interesante nëse e kuptoni se për çfarë bëhej fjalë. Rrëfim. Të gjithë dëshirojnë. Atëherë do t’iua tregoj të gjitha: pendim, ndëshkim; armë e madhe në duart e tyre.

Kërkimi për gurin e filozofit. Drogat ju plakin pas eksitimit mendor. Letargji. Reagim. Gradualisht ndryshon karakterin. Të jetosh gjithë ditën mes barishteve. Njeriu i parë që zgjodhi një barishte për të kuruar veten ishte pak i lodhur. Helmimi e vetmja kurë. Ilaçi aty ku nuk e prisni. Duhet shumë kohë për të treguar dhimbjet ose nëse i lufton ato.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Darvini dhe Hyjnia

June 10, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shkencêtarët e vendosin Çarls Darvinin në piedestal. Ata janë në gjendje të pranojnë se edhe Isak Njutoni ka gabuar në disa gjëra, por nuk tolerojnë askënd që të vërë në dyshim një fjalë të vetme të Çarls Darvinit.

Njutoni ishte si Tesla, mendimtar i shkëlqyeshëm dhe polimat që kalonte befas nga tema në temë, ndonjëherë duke përfshirë tema për të cilat dinte pak ose aspak, por për të cilat bënte kalime drastike, shpesh në drejtimin e gabuar.

Darvini ishte analist i kujdesshëm dhe i hollësishëm. Ai rrallë paraqiste pretendim për ndonjë temë derisa ta provonte atë. Si rezultat, megjithëse gjetjet e Darvinit janë të paplota në shumë mënyra, asgjë në to nuk është e gabuar, përveç përpjekjes gjysmake për të shpjeguar mekanizmin e trashëgimisë së speciesve.

Sipas tij, speciet mund të ndryshojnë me kalimin e kohës; speciet e reja vijnë nga speciet para-ekzistuese; të gjitha speciet kanë një paraardhës të përbashkët.

Në këtë model, çdo specie ka grupin e vet unik të dallimeve të trashëgueshme (gjenetike) nga paraardhësi i përbashkët. Megjithatë, shkencëtarët vazhdojnë kêrkimet pêr të gjetur “hallkën e humbur” që do të vërtetonte teorinë e Darvinit.

Isak Njuton, veç të tjerash, ishte alkimist dhe teolog. Albert Einstein shkroi në kujtimet e tij – “Ju gjetët të vetmen mënyrë që nuk mund të jetë për një njeri me mendim më të lartë dhe fuqi krijuese”.

Si rezultat, në shkrimet e Darvinit nuk ka asgjë që të jetë krejtësisht e gabuar, përveç detajeve të ideve të tij se si funksiononin gjenet. Shkencêtarë janë përpjekur për 164 vjet dhe thonë se nuk kanë gjetur asnjë të metë në idetë e tij themelore. Kjo nuk nënkupton vetëm idetë e tij për evolucionin, por edhe për klasifikimin e specieve. Për më tepër, kur bëhet fjalë për personalitetet, Njutoni ishte një njeri mjaft i pakëndshëm, hakmarrës, keqdashës, i cili donte të gjithë lavdinë për veten. Ndërsa Darvini, thonë shkencëtarët, ishte vërtetë bujar. Ai ishte i lumtur të ndante vëmendjen me kontribues të tjerë në teorinë e tij.

Por vetëm “nota në sjellje” nuk mjafton. Evolucioni i specieve vazhdon të mbetet teori. Teoria tjetër është se çdo gjë në botë; flora, fauna, speciet, përfshi njeriun, janë krijesa të Yllit ose Hyjnisë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Fitore dhe humbje

June 9, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Viti 49 p.e.s., kishte filluar me aleancat e brishta që mbanin në këmbë Romën, ndërsa Republika zhytej në luftë civile. Romakët kishin parë ngritjen meteorike të Pompeut, i cili mori titullin ‘i Madh’, pas shtypjes së rebelimit në Iberi. Pompeu ishte ngritur në përgjegjësi nën diktaturën e Sullës. Fushata e tij në lindje do të merrte pjesë më të madhe të Azisë së Vogël, duke forcuar kufirin lindor të Romës, dhe dyfishuar të ardhurat vjetore të republikës me pasuritë e lindjes.
Pompeu dhe rivali i tij Marcus Crassus, të dy ranë dakord për një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me një parti të tretë për të balancuar triumviratin e brishtë.
Marrëveshja u çimentua nga martesa e vajzës së Cezarit me Pompeun. Vdekja e Crassus në betejën në 53 p.e.s., së bashku me vdekjen e vajzës së Cezarit në lindje, i la dy triumvirët – Cezarin dhe Pompeun – në gjendje kundërshtimi. Pompei u bë lajm i djeshëm pavarësisht dominimit të tij në Romë; Cezari u bë njeriu i ri me pushtimin e tij epik të Galisë dhe fushatat në Britani dhe Gjermani. Fraksioni konservator rreth Pompeut kërkoi që Cezari të kthehej për t’u përballur me akuzat për tradhti dhe për t’i hequr titujt. Cezari ishte i mbrojtur nga ndjekja penale për sa kohë në fushatë, dhe po të kthehej në qytetin e Romës do ta shihte veten të pafuqishëm kundër mashtrimeve të rivalëve të tij. Ky ngërç u shkatërrua kur Cezari kaloi Rubikonin, lumin që shënon kufirin e Romës. Të pushtuar nga paniku, Pompeu dhe Senati ikën në lindje përtej Adriatikut për në Iliri.
Cezari u përball me veteranët e Pompeut në perëndim; mblodhi një ushtri të madhe me të gjitha legjionet veterane në Greqi, plus premtimet për pagesa dhe taksa nga të gjithë klientët e tij në lindje.
Cezari kaloi ngushticën e Otrantos në dimrin e vitit 48 p.e.s. për të befasuar kundërshtarët e tij duke zbritur në Iliri me shtatë legjione. Shpejtësia ishte tipari dallues i Cezarit. Por ajo mund të ishte edhe zhbërja e tij. Cezari kuptoi se gjendja e tij ishte e tmerrshme, pasi armatimi i ushtrisë së Pompeut ishte i madh, megjithëse ofertat për negociata u refuzuan. Pas disa përpjekjesh, adjutanti i Cezarit, Mark Antoni depërtoi bllokadën dhe zbarkoi me katër legjione të tjera në Iliri. Cezari dhe Pompei vrapuan për të arritur Antonin, dhe megjithëse Pompeu e arriti i pari, ai e zhvendosi ushtrinë e tij në qytetin e Durrësit. Pompeu kishte gjetur një pozicion të fortë të mbrojtjes nga deti. Kishte përleshje të vazhdueshme midis dy palëve, por pa dobi; Cezari kontrollonte tokat përreth, dhe ushtria e Pompeut anën nga deti. Pompeu kishte frikë se do të përballej me sëmundje gjatë dimrit dhe u përpoq ta mashtronte Cezarin me lajmin e një tradhtie nga banorët e qytetit, por plani i tij dështoi.
Më pas, fati favorizoi Pompeun kur dy nga kalorësit galë të Cezarit u diktuan duke vjedhur dhe arritën t’i shmangeshin kapjes duke të kaluar në anën e Pompeut. Ata e informuan për pikën më të dobët afër detit, ku Cezari po ndërtonte një mur të dytë për t’u mbrojtur nga një sulm detar. Pompeu dërgoi gjashtë legjione, duke detyruar Legjionin e Nëntë të Cezarit të tërhiqej, me viktima të shumta. Pompeu vazhdoi të ndërtonte një kamp në jug të murit të Cezarit, duke e pajisur me pesë legjione, ndërsa i gjashti pushtoi kampin që legjionet e Cezarit kishin braktisur midis mureve. Duke parë rrezikun, Cezari u tërhoq. Pompei besonte se tërheqja ishte kurth, dhe refuzoi ta ndiqte.
Ushtria e Cezarit ishte sa gjysma e madhësisë së ushtrisë kundërshtare. Në vend që të ishte agresori, Pompeu u tërhoq në lindje, edhe pse ishte nën presionin në rritje nga senatorët për të rivendosur nderin romak dhe për të shtypur Cezarin në një betejë vendimtare. Me mbarimin e opsioneve të tij, Cezari zgjodhi të kthehej dhe të qëndronte për të përcaktuar se kush do të ishte zot i Romës në fushat e Farsalës:
“Sot fitorja ishte e armikut, po të kishte ndonjë prej tyre që ta fitonte”.

Foto: www.fodors.com

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Muajt

June 7, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Ngjashmëria e gjuhëve dhe fjalëve, tregon se bota ka qenë një (globale). Më pas u nda, dhe tani përpiqet të bëhet edhe një herë, siç ka qenë në vitin zero, nuk them se në ç’mënyrë.

Janari është “muaji i Janusit”, perëndia romake e fillimeve dhe mbarimeve. Janusi kryesonte dyert dhe portat – të përshtatshme për fillimin e vitit. Në të vërtetë, Janusi zakonisht përshkruhej me dy fytyra që shikonin para dhe prapa, siç është karakteristikë e një viti të ri.

Shkurti – shkurt, ose “muaji i pastrimit”, rrjedh nga februa, emri i një feste romake pastrimi që mbahet më 15 të këtij muaji.

Marsi është emëruar pas zotit të luftës dhe një planeti. Disa festa të luftës zhvilloheshin në mars, sepse ishte muaji më i hershëm i vitit kur moti ishte mjaft i butë për të nisur një luftë. Në një kohë, marsi ishte muaji i parë në kalendarin romak. Romakët ndryshuan rendin e muajve disa herë midis themelimit të Romës dhe rënies së Perandorisë Romake.

Prill është nga latinishtja Aprillis, derivat i bazës latine apero-, që do të thotë “i dyti”. Prilli u emërua si i tillë për shkak të ndryshimit të kalendarit të lashtë romak, ku prilli ishte muaji i dytë.

Maji buron nga perëndesha Maia, e bija e Atlasit dhe nëna e Hermesit. Ajo ishte një edukatore dhe një perëndeshë e tokës, gjë që sigurisht shpjegon lidhjen e saj me këtë muaj pranvere, kur shpërthejnë lulet dhe të mbelljat.

Qershori rrjedh nga ‘qershia’, ose nga Juno, gruaja e Jupiterit, dhe perëndeshë e lashtë romake e martesës dhe lindjes.

Korriku rrjedh nga ‘korr’ dhe ‘tokë’. traditë tepër e lashtë kur toka quhej ‘ki’.

Gushti është për ‘ngushëllim’. Në vitin 8 p.e.s., muaji Sextilis (“i gjashti”) u riemërua sipas Augustit, nipit të Julius Cezarit dhe perandorit të parë të Romës. Emri i perandorit erdhi nga latinishtja augustus, që do të thotë “i pashëm”.

Shtatori, duket sikur duhet të jetë muaji i shtatë i vitit. Emrat për tetorin, nëntorin dhe dhjetorin sugjerojnë do të ishin muajt e tetë, nëntë dhe dhjetë. Dhe dikur ishin, kur kalendari hënor romak filloi vitin në mars në kohën e luftës. Por gjithçka ndryshoi në vitin 46 p.e.s., kur janari u bë muaji i parë i kalendarit të ri Julian, duke i shtyrë shtatorin, tetorin, nëntorin, dhjetorin në vendet që kanë sot, i nënti deri në të dymbëdhjetin e vitit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT