• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Refleksion mbi metodën e edukimit

June 5, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Në shumicën dërmuese të mandateve, klasa drejtuese e nxitur nga vetë struktura e qenësishme e prirjeve të saj më favorizuese, parapëlqen një model edukativ të orientuar kah rezultateve ekonomike të arritura brenda një periudhe afatshkurtër. Aspirata për të kthyer në sokratike shkollat fillore dhe të mesme nuk është aspak utopike, as nuk kërkon aftësi të jashtëzakonshme në mësim-dhënie. Ajo është absolutisht e mundshme për çdonjërin prej komuniteti të studimit që respekton inteligjencën e të rinjëve të vet dhe mëtimet e një demokracie vitale. Ndërkohë që sot gjërat po përkeqësohen me të shpejtë, “aq sa mund të themi se jemi në prag të kolapsit të idealit sokratik”, pasi demokracitë e të gjithë botës janë duke nënvleftësuar, e për rrjedhim anashkaluar, llojin e njeriut që ai formon, me dije e kapacitete për të cilat shoqëria e sotme ka dëshpërimisht nevojë. Ky është konstatimi alarmist i Nussbaumit, prej të cilit burojnë edhe premisat e projektit të saj pedagogjik. Tre janë shtyllat e tij. Së pari, spikatja e aktivitetit sokratik në promovimin e kapaciteteve të çdo njeriu për t’u vetë-gjykuar dhe për t’u vetë-qartësuar, duke favorizuar një kulturë publike, të hapur dhe më reflektive, ku pjesëmarrësit të jenë më pak të ndikuar se sa janë sot nga të tjerët, nga autoritetet dhe “vala e momentit”. Së dyti, kapaciteti për të menduar si “qytetar të botës”, sipas të cilit çdo qytetari “të kultivuar” i kërkohet jo vetëm të dashurojë rrënjët e veta, por të njohë edhe ato të të tjerëve, për të kapërcyer pengesat që ato krijojnë nëpërmjet ç’dekodifikimit të problemeve që qenie njerëzore të ndryshme nga ne, jetojnë brenda traditave të tyre. Pra, në thelb, një “qytetarësi” bote me frymëzim aristotelik. Së treti, kultivimi i të ashtuquajturit “imagjinatë simpatike” ose e emërtuar ndryshe “kopetencë e tretë”. Çdo qytetar nuk mund t’i referohet në mënyrë pozitive kompleksitetit të asaj që e rrethon duke u bazuar vetëm tek logjika dhe dija e fakteve (që gjithsesi, janë të domosdoshme). Kopetenca e tretë e çdo qytetari, e ndërlidhur ngushtësisht me dy të parat është “imagjinata narative”, që do të thotë kapaciteti për të menduar në “rrobën”, (ose në veten) e një personi tjetër, për të qenë lexues inteligjentë të historisë së tij, për t’i kuptuar kështu emocionet, pritshmëritë dhe dëshirat. Kërkimi i një empatie dhe simpatie të tillë është pjesë thelbësore e konceptimeve më të mira të edukimit ndaj demokracisë. Nga kjo buron edhe ai roli parësor që ky projekt pedagogjik i jep studimit të lëndëve të shkencave humane si çelësi i parë për hapjen e mendjes kah kuptimit të “tjetrit”, aq të rëndësishëm për të kuptuar edhe vet veten tonë. Propozimi pluralist dhe kozmopolit i Nussbaumit, i konsideruar ndryshe edhe si një sistem etiko-politik, i bazuar në konceptin kompleks të “qytetarisë liberale”, është mjaft i pëlqyer pikërisht sepse i hedh rrënjët e veta në kulturën klasike. Nuk bëhet fjalë për një recetë, por për një refleksion mbi metodën e edukimit, ku protagonist kryesor është bota klasike. Në sintezë, mund të themi se ky model është një orvajtje pedagogjike për t’i vendosur leksionet e autorëve të klasiçizmit në shërbim të mësimdhënies. Rizbulimi i klasikëve në themel nënkupton pashmangshmërinë e një formimi humanist mbi bazën e filozofisë. Të rinjtë kanë aq shumë nevoje për të, sidomos kur edukimi i tyre po rrezikon të qendërzohet kah aspektit tekniko-shkencor, duke mënjanuar pikërisht artin, letërsinë dhe filozofinë, pasi ato arrijnë të japin vetëm kopetenca të përgjithshme, jo specifike. Për këtë arsye, përbri dijeve të shkencës dhe teknikës rekomandohet një rritje e dijeve filozofiko-humaniste të bazuara në modelin sokratik, i cili nuk formon një dije të parafabrikuar, por kapacitetin për të pyetur dhe argumentuar në formë autonome, pa iu bindur gjykimeve jo kritike. Një edukim i prirur në një kah të tillë është sot mjaft urgjent, jo vetëm për të plotësuar apo ekulibruar tekniçizmin apo specializimin kudo-mbizotërues, por kryesisht për të na ndihmuar të bashkëjetojmë në një botë gjithnjë e më komplekse. Është një orientim pragmatist ky model i propozuar nga Nussbaum, ndaj jo më kot librat dhe teoritë e saj kanë ndikuar, përtej skenës së debateve intelektuale bashkëkohore, edhe praktikat e mjaft qeverive të ndryshme, deri dhe në politikat ndërkombëtare. Sidomos e shquar është “teoria e kapaciteteve” e ideuar prej saj në fillim të viteve 80-të së bashku me çmimin Nobel për ekonominë Amartia Sen, një teori kjo që është kthyer në një paradigmë mjaft të ndjekur e të brendësuar në shumë sisteme perëndimore të zhvillimit. Ideja qëndrore qëndron në mendimin e zhvillimit të një vendi jo të reduktuar vetëm tek rritja ekonomike ose tek të ardhurat personale, por të interpretuar në termat e shtrirjes së lirive thelbësore të çdo individi. Prej këtej, rrjedhin edhe pasojat politike që mund të ketë ideja e një welfare-i të qëndërsuar në paradigmën e kapaciteteve dhe mbi edukimin si burim të drejtësisë shoqërore. Për Nussbaum, ideali sokratik i këndvështruar si praktikë sociale, konfirmohet si një ideal i një fuqie të madhe inovative, i aftë të vihet përballë e të kundërshtojë modelet e qenderzuara tek parësia e fitimit, si rruga e vetme për sigurimin e rritjes ekonomike të një vendi. Bëhet e qartë se sot ekziston një dikotomi modelesh zhvillimi, ku përparësia duhet t’i jepet modelit të qendërzuat tek kultura humaniste, të orientuar kah “ndërtimit” të mendjeve të hapura ndaj bukurisë, imagjinatës dhe empatisë (të gjithë cilësorë të rëndësishëm në pedagogjinë e re që ofron Mussbaum), krahasuar me modelet e orientuara kryesisht kah një kulture tekniko-shkencore, të fokalizuar mbi premisën e mbrojtjes së një mentaliteti të prirur drejt produktivitetit. Pasuria e vërtetë njerëzore, nuk qëndron, pra, vetëm tek P.B.B por gjetkë, në të gjitha mundësitë e realizimit të projekteve të jetës që individët kanë arsye të zgjedhin e të ndjekin falë kapaciteteve që zotërojnë. Janë motivacionet motori i kërkimit të kapaciteteve dhe baza e piramidës së tyre është pikërisht vlerësimi i personave dhe i kapacitetit të tyre formativ të kompozuar nga dimensionet e përcaktuara nga autorja, të tilla si: jeta, shëndeti, fiziku, integriteti, ndjenjat, arsyeja praktike, përkatësia, lidhja dhe kontrolli i ambjentit. Në këtë kuptim, të krijosh kapacitete do të thotë të krijosh demokraci, d.m.th. një formim dhe një edukim autentik politik në të cilin ethosi i qytetarësisë formësohet përmes emocioneve të vetë njerëzve. Është pikërisht kjo e ashtuquajtura “terapi e pasioneve” ajo që i bën aktive kapacitetet, është imagjinata e trajtuar si pushtet, janë ndjenjat ato që i japin një trup vital. Pa ekzistencën e një edukimi estetik, perceptiv dhe emotiv (një tip edukimi ky deri tani i anashkaluar), nuk mund të ndërtohet asnjë ind social i fortë, i drejtë dhe i qëndrueshëm shoqëror, kësisoj as edhe një lidhje demokratike midis qytetarëve, e endur me fijet e drejtësisë dhe të pathosit që arrin ta shtrijë hapësirën e qytetarësisë nga lokalja më e ngushtë tek ajo mbarëbotërorja. Nisur nga këto parime, edukimi “sokratik” i një jete dinjitoze sot do të nënkuptonte të vendosësh premisat e një edukimi demokratik në brendësi të një paradigme alternative me atë të rritjes ekonomike. Kjo është pedagogjia, kjo dhe teoria e modelit që duhet të zgjidhim për një zhvillim në perspektivë të qëndrueshëm ekonomik, politik e demokratik.

Filed Under: ESSE

TAKIM ME VARGMALET APALASHE

June 2, 2023 by s p

Përgatiti: Koço MOSKO
Boston, MA – SHBA/

Që nga viti 2019 kur ra pandemia njerëzit u mbyllën brenda shtëpive të tyre. Për familjen time, kjo periudhë, u bë edhe më e vështirë për shkat të shëndetit tim jo të mirë. Këte pranverë pandemia iku, edhe shendeti im u përmirësua. Unë dhe gruaja pëlqejmë më shumë shëtitjen në natyrë. Këtë e di mirë vajza e jonë. Ajo na mori bileta për të bërë një vizitë në vargmalin e Apalasheve. Ky vargmal ndodhet në bregun lindor të SHBA-ve, buzë Oqeanit Atllantik dhe e përshkojnë pjesën veriore të Kontinentit Amerikan me drejtim jug – verilindje. Fillojnë në shtetin e Xhorxhias e deri në kufi me Kanadanë, ose kanë një gjatësi prej 3500 km. Maja me e lartë e tyre është mali Mitchell në Karolinën e Veriut me 2,037 m, kjo është dhe pika më e lartë në lindje të lumit Misisipi. Ndërsa lartësia mesatare e këtyre maleve është rreth 910 m. e me gjerësi që shkon nga 100 – 300 km.

Vargmali Apalasheve është i pasur me vendburime të mineraleve dhe ka një florë e faunë shumë të pasur. Eshtë një rajon i rëndësishëm për ekonominë e SHBA-ve. Diçka interesante. Në faqet e maleve Apalashe, ka patur masive të dëndura pyjore me gështenjën amerikane, vendase. Që nga lashtësia e deri në fundshekullin e 19-të, zonat rurale të këtij rajoni, përshkruhen si zona të zhvilluara, të begata, për shkak të prodhimit të bollshëm të gështenjës. Nga kjo zonë niseshin trenat me gështenjë për gjithë Amerikën. Kjo prodhimtari e gështenjës përfundoi në fillim të shekullit 20-të. Në vitin 1904 për Kopështin Botanik në Long Island të Nju Jorkut, u importuan nga Azia disa lloje gështenjash të cila mbartnin kërpudhën patogjenetike të rrezikëshme Cryphonectria parasitica, që për gështenjën amerikane rezultoi fatale, shkatëruese. Brenda 50 vjetëve sëmundja u përhap me shpejtësi dhe shkatëroi të gjitha pyjet me gështenjë, miliona bimë u thanë në malet Apalashe. Sot gështenja amerikane pothuajse është zhdukur,. Një Projekt i Qeverisë po punon për ta rikthyer me anë të inxhinerisë bimore, llojeve rezistente, etj.

Takime jonë me këta vargmalet do të bëhej në Malin Uashington në shtetin e Nju Hemshrit, me qendrën fshatin North Conway që ishte në veri, rreth tre orë larg nga shtëpia e jonë në Boston. U nisëm në orë 7.00. Rruga ishte e bukur. Një udhetim pranveror nëpër shtetin e Nju Hemshirit të mbush me optimizëm me gjelberimin e harbuar ngado. Ndonse vend i ftohtë me dimër shumë të ashpër, këtu bëhet një turizmë elitar gjat gjithë vitit. Më e bukur është stina e Vjeshtës për ngjyrat fantastike që marrin pemët. Ata të sporteve dimërore e frekuentojnë në stinën e dimrit. Me shtetin Nju Hemshrit jemi njohur, sepse në Konkord, kryeqyteti i këtij shteti, banon një komunitet i madh lunxhiotësh, kryesisht nga Labova e Kryqit. Ata janë atje shumë herët, Tani u bashkuan edhe me emigrantët e rinj, si mikun tim Manoil Besho me shumë të tjerë. Të parët kanë ndërtuar me kontributet e tyre dhe Katedralen Shën Trinitria. Ky shtet është pa taksa dhe motoja zyrtare është: “Live Free or Die” që do të thotë Jeto i lirë ose Vdis. Që nga viti 1945 kjo shprehje shkruhet në çdo targë makine.

Harritëm në qendrën nga ku bëhej nisja. Kishim kohë t’i hidhnim një sy pazarit të madh vendas me prodhime të artizanëve, artikuj industrialë, antika, prodhime artistike, ushqimore, bujqësorë, etj. Ishin disa trena që niseshin me vizitorë nga kjo qendër në drejtime të ndryshme. Dikush kish qejf të vizitonte e të eksploronte luginat, dikush tjetër kodrat, kurse ne zgjodhëm të vizitonin malin. Udhëtimi me trena zgjaste nga 1,5 – 6 orë, sipas internarit që zgjidhte secili për të vizituar. Treni jonë ishte tren malor, nisej në orën 11.30. Udhëtimi zgjaste gjithësej 4 orë, vajtje dhe kthim, pershkohej rreth 90-95 km. Ishin shumë vizitorë, disa qindëra vetëm me trenin tonë, që krijuan rradhë të gjata. Vizitorët ishin të çdo moshe dhe me aparate fotografike nëpër duar. Treni kishte dhe një vagon specjale, kuptohet me çmime më të kripura. Brenda vlerës së biletës ishte përfshirë dhe një vakt ushqim. Hekurudha mund të qe një nga më të pjeretat në botë ku treni me ato harkimet e gjata përparonte drejt majës së malit ne stacionin fundor Crawford Notch.

Para syvet tanë çfaqeshin një pas një si në ekran të madh pamjet e bukura piktoreske të majave të maleve, luginave, ujëvarave e lumenjëve, gërxheve, greminave shkëmborë, etj. Këto male kishin një bimësi të dëndur të përziera haloret me gjethoret. Sigurisht në vjeshtë pamjet do të ishin më të bukura nga vellua e artë që marrin pemët. Rugës shikonim njerëz që na përshëndesnin me dorë. Këta ishin individë që majën e malit e harrinin sipas mënyrës se tyre: Me këmbë, me makina private, me autobus e ndoshta dhe me kafshë. Gjithesekush nga ne përdori mjeshtërinë për të fotografuar diçka artistike. Kudo që ta shkrepje aparatin ishte e bukur. Në stacionin fundor bëmë një pushim. Aty ishte një qendër me dyqane, restorante, pazar, muzeum e hotel. U kthyen përsëri në pikën e nisjes, të gjithë të gëzuar. Këtu përshkrimi dhe tregimi bëhen jo me shkrime, por me foto.

Në fund të gjithë këtij udhetimi mendja të shkon atje, larg në vendin tonë që e kemi lënë prej shume vitesh. Ndonjë mik dhe i afërm shpesh më këshillon se nuk duhet të flas apo të bëj kritika, për ndonjë punë se si duhet të jetë, apo si duhet të përmiresohet jeta atje. Në fakt unë mendoj se ne emigrantët duhet jo të mos flasim, por të sokëllasim se nuk dëgjon njeri, të sokëllasim për shumë arsye.

Kemi një vend shumë të bukur. Në rrethin e Gjirokastrës ndodhen krahina e Pogonit, Zagories dhe Lunxhërisë me bukuri dhe resuese unike qoftë kulturore e historike po ashtu dhe natyrore. A nuk do të ishte mjaft me interes për këto zona që të bëheshin guida turistike: Gjirokastër-Suhë – Poliçan – Sheper – Çajup- Erind- Gjirokastër. Apo Gjirokastër – Suhë –Hllomo- Çatistër- Sopik- Skore – Poliçan e kthim. Nje guidë tjetër mund të ishte të kalonte fshat më fshat të Lunxhërisë nga fshati Kodër në Libohovë etj. Por që të bëhen këto duhen rrugë, mandje rrugë të mira të kohës. Ata që mirren me qeverisjen as nuk u shkon ndërmend kjo gjë. Duhet kishin bërë diçka tani që kaluan mbi 30 vjet. Shumkush thote se çna duhen rrugët tani, ato fshatra u shuan, mbaruan. Internarin që ne përshkruam në malet Ushington nuk pamë fshatra, por kishin bërë jo vetëm rrugë të mira, por dhe hekurudhë moderne. Shoqatat dhe shoqëria civile për mendimin tim duhet ta ngrejnë fort zërin.

Guidat turistike në disa zona të Gjirokastrës do ti rigjallërojnë jo pak por shumë, është një shpresë për ringjalljen e këtyre krahinave që po shuhen dita ditës. Ta bëjmë të mundur që ta jetojnë jetën edhe atje, njerëz të gëzuar. Në vende të caktuara, si Poliçan e gjetkë, mund të bëhen pazare lokale si në Qafën e Pazarit, se edhe në këto fshatra ka patur e ka artizanë duarartë, punues të drurit, metalit, etj. Gjithashtu dhe prodhimet bujqësore e blektorale në këto zona janë konkuruese. Do të ketë hotele dhe dyqane, etj. Qyteti i Gjirokastres do ti kthehet gjallëria sepse këto zona në shekuj i kane dhëne bukurinë, fisnikérinë e mirësinë këtij qyteti. Zhvillimi nuk vjen duke shqepur e qepur kallderemet, e ti biesh gjoksit, por kërkon një zhvillim frontal e gjithë treva. Për këtë duhe njerëz me vizion të gjerë, me mendje të hapur e diturakë. A i kemi vallë të tillë këta njerëz qe na udhéheqin!?

Në vitin e largët 1810, kur rrethi e Gjirokastres ishte nën sundimin Osman, bënë një vizitë dy udhëtarë anglezë, Lordi Bayron dhe politikani John Cam Hobhouse. Po ju sjell çfar ka shkruar Hobhouse rreth këtij udhëtimi në Lunxhëri :

“Në këtë vend (Qestorat, në Lunxhëri) gjithçka ishte në një pozitë shumë më të mirë e të ndryshme nga ajo që kishim parë në fshatrat greke. Ne përjetuam një vëmendje e mirësi të madhe nga banorët, strehuesit tanë. Jemi marrë vesh mirë me ta, ndërsa shoqëruesi jonë(grek) fytyra e tij nuk shprehte asgjë (edhe pse ai ishte një i krishterë), përjetonte një dëshpërim, turpin për gjendjen e fshaterave greke. Vila e strehuesit tone ishte e suvatuar mjeshtërisht, dhe me të bardhë-larë, dhe kishte një vend qendrimi të vogël poshtë, dhe dy dhomat të shtruara me dysheme sipër, një stil mjaft të ndryshëm nga ajo që kishim parë në Shqipërinë e Poshtme. Shtëpia ishte shumë e rehatshme, dhe në të kemi kaluar një natë më të mirë se në ndonjë vend tjetër, qysh prej largimit tonë nga Janina”

Kthehemi tani mbrapa në kohë pasi kanë kaluar plot 213 vjet dhe nuk i kemi sundimtarët osmanë. Cila është gjëndja sot.. E mjeruar e çdo ditë që kalon bëhet më keq, siç e paraqiti edhe gazetari Marin Mema në dekumentarin e tij pë Lunxhërinë para disa ditësh ose dhe intervista e gazetarit të top chanel me banorët e fshatit Ndëran, Zagorie. Lind natyrshem pyetja: Kush janë shkakëtarët për këtë gjëndje të mjeruar që është sot në këto zona?

Filed Under: ESSE Tagged With: Koco Mosko

“Psherëtima e humbjes” i Bujar Skendo, një roman që meriton vëmendje

June 1, 2023 by s p

Fitim Zekthi/

Romani “Psherëtima e humbjes”, me autor Bujar Skëndo, është një elegji për familjen, një dhimbje e thellë për mungesën e dashurisë dhe një brengë për vetminë e emigracionit, por dhe të braktisjes nga njerëzit më të dashur kur je brenda atdheut tënd.

I shkruar me një stil elegant dhe gjuhë të pasur, romani mbart në vetvete një tension të brendshëm, që vjen si pasojë e mungesës së lumturisë dhe të dashurisë. Njeriu e përjeton vetminë dhe braktisjen në mënyrë të thellë dhe brengosëse.

“Psherëtima e humbjes” përqendrohet në dy linja rrëfimi, të cilat ndërthuren me njëra-tjetrën nga fati i njëjtë i protagonistëve në raport me fëmijët e tyre, ashtu sikurse shërbejnë si një mozaik që jep idenë e së plotës në ndërthurjen e elementeve përbashkues.

Familja e parë përjeton dramën e ndarjes së menjëhershme nga djali i saj. E emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të viteve ’90-të për një jetë më të mirë, papritur Mondi, djali i i vetëm i saj, ndërpret në mënyrë të rrufeshme kontaktet me prindërit, Adrianin dhe Verën, të cilët, jo vetëm kërkojnë të gjejnë motivet e kësaj heshtjeje të të birit në raport me ta, por, mbi të gjitha, ata thyen shpirtërisht.

Është brenga e prindërit për fëmijën. Është një temë sa aktuale aq edhe universale, sa njerëzore aq edhe shqetësuese në kohën e sotme. Duket sikur tipizohet personazhi për të përgjithësuar fatin, dramën, dhimbjen, brengën. Të gjithë gjejnë nga pak copëza nga vetja. Është portretizimi i krizës së rëndë shpirtërore që po kalon familja në modernitet, nga i cili nuk po mundet të marrë më të mirën, por po bjerr përditë dhe më shumë vlerat dhe virtytet, duke e lënë qenien të zbrazët.

Mjeshtëria artistike e shkrimtarit Skëndo në këtë roman është zhbirimi psikologjik i karaktereve të personazheve nëpërmjet një vështrimi të thellësishëm dhe nëpërmjet vetëzbulimit të brendshëm të tyre, që nxjerr në sipërfaqe frikërat, mëdyshjet, dilemat, skutat më të fshehta të botës së brendshme shpirtërore.

Linja e dytë e rrëfimit përqendrohet në Tiranë. Është një dramë e tjetërllojtë e një familjeje shqiptare, së cilës, në dallim nga e para që e përjeton në emigrim, i ndodhë në vendin e saj. Është brenga e mungesës së një fëmije, jo si pasojë e braktisjes së tij, por si rezultat i mospasjes mundësi për të bërë një të tillë. Piro, protagonist i kësaj linje rrëfimi, ndahet nga martesa e parë me mirëkuptim pasi e merrë vesh që është steril, ndërsa nga martesa e dytë e kupton që jeta në çift është e bukur, mirëpo mospasja e një fëmije e shndërron atë në monotone dhe nuk i jep mundësinë për të gëzuar normalisht si gjithë të tjerët.

Edhe në këtë linjë rrëfimi duket se kemi të njëjtën metodologji të vetëzbulimit të thellësisë së qenies, duke u futur në skutat më të thella të saj. Vjen një moment kur personazhi dorëzohet dhe pyet: “Pse më ndodhi mua?” Duket i pafuqishëm për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që ngre.

Së bashku me të shoqen zgjedhin të birësojnë një fëmijë. Një zgjidhje në dukje e mirë dhe sikur jep rezultatet e para. Harrojnë gjithçka dhe lumturohen pas tij, mirëpo kjo lumturi nuk u zgjat shumë. Të dhënë pas fëmijës, harrojnë vetveten. Bien në monotoni dhe si të gjithë monotonitë përjetojnë ftohjen dhe vetminë, pavarësisht se në dukje arrijnë atë që donin, pasjen e një fëmije. Jo vetëm kaq, por, me rritjen e fëmijës, ai zbulon të vërtetën dhe fillon urrejtja dhe poshtërimi për prindërit që e kanë birësuar. Rifillon vuajtja dhe brenga e Fredit dhe Anitës, të cilët janë të pafuqishëm të ringrihen dhe ta tejkalojnë fatkeqësinë e tyre.

Romani fillon me fjalinë “Sapo u afrua, por ende pa më përshëndetur, Adrian Kota, sikur të nxirrte psherëtimën e fundit, më tha: E humba djalin!” dhe mbyllet me fjalinë: “Në dorën që shtrëngonte çelësat e shtëpisë së vjetër, ndieu dhimbje… Një psherëtimë e zgjatur i doli nga shpirti. E kuptoi se ishte psherëtima e humbjes përfundimtare. Psherëtima e humbjes së pakthyeshme.”

Ndonëse fjalia e nisjes së romanit i referohet personazhit të parë dhe fjalia e dytë personazhit tjetër, të dy këto i bashkon fjala çelës “psherëtimë”, e cila është reflektuar edhe në titullin e romanit.

Psherëtima është procesi i marrjes dhe i nxjerrjes së frymës thellë, zakonisht kur njeriu është i brengosur apo i mërzitur, kur i kujtohet me mall diçka apo dikush dhe kur do të çlirohet nga ai ankth.

Psherëtima e personazheve të romanit të Bujar Skëndos është reflektim i brengës dhe i çlirimit prej saj i sa e sa njerëzve, të cilët nuk kanë mundësi për ta përcjellë një gjë të tillë artistikisht, ndërsa autori i romanit ka arritur ta letrarizojë dhe të bëhet zëdhënës i përçimit të shumë brengave tek lexuesi.

Romani i shkrimtarit Bujar Skëndo i ka të gjitha karakteristikat e një romani psikologjik dhe si i tillë meriton vëmendjen dhe vlerësimin e lexuesit shqiptar, për shkak të tematikës dhe risisë që sjell në trajtimin e veçantë të saj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bujar Skendo

TENSIONET NË VERI, OSE PARADHOMA E NJË PROTEKTORATI TË RI!

May 31, 2023 by s p

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, i zhvilluar brenda të gjitha parametrave demokratikë dhe reagimi i diplomacisë ndërkombëtare për të penguar praktikimin e pushtetit të dalë nga këto zgjedhje, është një ogur i keq për Kosovën. Gojëkëqinjt po thonë se kjo mund të jetë paradhoma e një protektorati të ri në veri të vendit tone. Ky është një sinjal se Kosova në të ardhmen duhet të përgatitet për një përkufizim të brendshëm etnik, ku serbët do të kenë status special, me të drejta ekstrademokratike, të pa njohura në asnjë shtet tjetër dhe në asnjë konventë ndërkombëtare. Se pse po iu bëhen koncesione të tilla kaq bujare serbëve, në dëm të sovranitetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet dhe të analizohet në periudhën në vazhdim. Kjo është një sfidë që nuk është barrë vetëm e qeveris aktuale, por e gjithë shoqërisë kosovare.

Nga Mehmet PRISHTINA

Situata në veri të Kosovës, që nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, më 23 prill, e deri sot, ka kaluar nëpër një spirale ngjarjesh e turbulencash nga më të ndryshmet, ku erdhi në shprehje sërish antagonizmi në mes të prirjes për ta shtri sovranitetin shtetëror edhe në këtë pjesë të vendit tonë dhe kundërshtimi i dhunshëm i serbëve që të mos njihet procesi zgjedhor, i cili nxori fitues kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore. Në vend se ky proces zgjedhor të prodhojë efekte vendimarrëse për të gjithë qytetarët e kësaj pjese të vendit, ndodhi e kundërta.

Ndodhi ultimatum i politikanit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili, me direktiva të Beogradit, kërkoi që të largohen njësitë speciale nga ajo pjesë e vendit tonë dhe kryetarët e zgjedhur shqiptarë të komunave (dy prej tyre) t’i lirojnë objektet komunale.

Trajtat e dhunshme të këtij ultimatumi rezultuan madje me mbi njëzetë ushtarë të KFOR-it të plagosur në Zveçan, disa prej të cilëve me lëndime të rënda. Serbët agresivë, shumica prej të cilëve të importuar nga Serbia, sulmuan ushtarët e KFOR-it të cilët ishin vendosur në mes të policisisë së Kosovës dhe protestuesve serbë. Ishte ky një mision i vështirë për një ushtri shumëkombëshe e cila në Kosovë ka mandat të siguroj paqe për të gjithë.

Por, kur janë në pyetje raportet shqiptaro-serbe, paqja ende është një nocion i paperceptueshëm. Në vend se të gjithë, pa dallim etnie e feje, t’i gëzojnë frytet politike nga bilanci zgjedhor, në veri të vendit tonë po ndodhë diversioni mbi këtë proces. Kjo për shkakun se rregullat nuk i caktojnë votuesit, kushdo qofshin ata, por i cakton Beogradi dhe i miraton, fatkeqsisht, në heshtje një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Presidenti Vuçiq i ndodhur në mengelen e trazirave dhe pakënaqësive kolektive në Serbi, ka zgjedhur t’i ikë presionit të brendshëm duke e përdorur sërish Kosovën si balon që vazhdon të fryhet me propagandë dhe shantazh. Në vend se t’iu japë përgjigje shumë çështjeve të mprehta që kanë ngritur protestuesit serbë në Serbi, Vuçiqi parapëlqen të dislokohet bashkë me një pjesë të ushtrisë së tij afër kufijve të Kosovës. Duke qenë afër Kosovës, Vuçiqi mendon se do të largohet paksa nga telashet që po ia shkaktojnë qytetarët e vendit të tij, të cilëve nuk po iu intereson Kosova por siguria dhe perspektiva e tyre.

Vuçiqi vazhdon me logjikën e instalimit të psikozës kolektive nacionaliste mbi Kosovën që “sërish duhet rikthyer”, ku serbët, të paktën një pjesë e verbër e tyre, si konsumues të kësaj psikoze vazhdojnë të besojnë se kjo një ditë mund të ndodhë, prandaj ata pranojnë urdhëra nga Vuçiqi që të shkojnë në veri të Kosovës dhe të plagosin ushtarë të KFOR-it. Kjo pjesë e serbëve, është një turmë e painformuar, sepse kokat e tyre janë të mbushura me indoktrinim anti-Kosovë, pikërisht siç e përshkruan edhe Bardhyl Mahmuti në librin e tij “Eskadronët e vdekjes”, ku masakrat mbi shqiptarët ishin kryer nga serbët të cilët fillimisht ishin informuar gabimisht se shqiptarët kishin vra fëmijë, gra e pleqë serbë nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës. Katarsa shpirtërore që ndodhë te këta serbë është e vonshme, por opinioni publik e kupton se inxhinjeringu i urrejtjes kundër shqiptarëve ishte përpunuar fillimisht si një laborator që prodhon dezinformata. Sepse vetëm duke qenë të informuar gabimisht mbi sitiuatën në Kosovë, siç e ka përshkruar bukur B. Mahmuti në librin e tij, ushtarët dhe policët serbë, një pjesë e tyre, përveç se me armë konvencionale, ishin armatosur edhe me urrejtje të skajshme ndaj shqiptarëve, sepse ndryshe s’ka si të shpjegohet motivi i tyre për të vra shqiptarë, madje foshnje të posalindura dhe gra shtatzëna.

Një skenar i ngjashëm, por me trajta tjera, po provohet të reprizohet sërish në Kosovë. Propaganda e Vuçiqit nuk pushon së prodhuari armiqë të jashtëm të popullit serb, ndërkohë që problemet e brendshme kanë prekur majën e aizbergut. Të gjithë diktatorët përdorin metodat e njejta. Ata janë të prirur ta defokusojnë vëmendjen e popullatës vendore me ngjarje që i paketojnë si kauza kombëtare, e që në fakt janë perde tymi për të penguar shikimin e qartë mbi situatën që zhvillohet në oborrin e shtëpisë.

Tani për tani Vuçiqi e ka zgjedhur Kosovën të jetë një perde tymi për të kamufluar realitetin në Serbi, i cili nuk është aspak në favor të tij. Por, kjo taktikë e Vuçiqit fatkeqësisht nuk po lexohet drejt nga diplomatët e huaj dhe për pasojë kemi një situatë absurde ku Kosova si vend i pavarur po e pëson më së shumti.

Këtë situatë më së miri ndoshta e ka deshifruar, Janus Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Jamestown në Washington. Ai ka reaguar ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili dënoi ashpër aksionin e Policisë së Kosovës në veri.

Ai tha se mbështetja e SHBA për Vuçiqin po destabilizon rajonin. Është koha për të mbështetur një revolucion demokratik në Serbi dhe njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet evropian , shkroi Bugajski në Twitter.

Në të njëjtat valë ishte edhe Daniel Serwer nga universiteti Johns Hopkins në Washington DC, sipas të cilit presidenti serb Vuçiq ka dëshmuar në dy mënyra se i kontrollon serbët në veri të lumit Ibër. Së pari, zgjedhjet e 23 prillit ishin paqësore. Kjo nuk do të ishte e mundur pa urdhrin e tij. Merreni si konfirmim që Beogradi historikisht ka urdhëruar të gjitha trazirat atje. Së dyti, shumica dërrmuese e serbëve nuk votuan. Këtë e ka urdhëruar edhe Vuçiqi. Zemërimi i Vuçiqit ka për qëllim të maskojë faktin se ai do të vazhdojë të qeverisë de facto katër komunat veriore, me shumicë serbe nga Beogradi, duke përdorur rrjetin e tij të oficerëve të sigurimit dhe kriminelëve të organizuar, konstaton Serwer.

Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer, ka pyetur nëse Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka dënuar dhunën e protestuesve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan.

“E ka denoncuar Sekretari Blinken akoma dhunën e djeshme ndaj KFOR-it?. Ende po pyesni se në cilën anë dëshironi të jeni?”, ka shkruar Serwer.

Ky reagim i Serwer vjen pasi sekretari Blinken e ka kritikuar Qeverinë Kurti pasi kjo e fundit ka vendosur që me forca policore t’i asistojë kryetarët e rinj që të hyjnë në objektet komunale.

Skenarët destabilizues të Vuçiqit kanë filluar të lexohen edhe nga vetë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që nuk mendojnë si ai. Njëri prej tyre, Boban Bogdanoviç, në një paraqitje në Euronews Albania, komentoi protestat në Serbi dhe situatën në veri të Kosovës. Ai tha se edhe pse ishte një kohë me shi, në rrugët e Beogradit u mblodhën rreth 300 mijë njerëz në protestën “Serbia kundër dhunës”. Ai nënvizoi se këto protesta mund të sjellin dhe fundin politik të presidentit Vuçiç, të cilin e cilësoi si burimin e dhunës në të gjithë Ballkanin. Bogdanoviç e fajësoi Vuçiçin dhe për situatën në veri të Kosovës dhe shprehi frikën për përshkallëzimin e përplasjes së armatosur mes bandave serbe dhe autoriteteve të Republikës së Kosovës. Pas Millosheviçit erdhi Vuçiçi në Serbi dhe ai është burimi i dhunës në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ai është arsyeja pse nuk ka paqe në Serbi, ai është arsyeja pse nuk ka paqe mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një kohë shumë shumë e keqe, një kohë e tmerrshme pasi situarta mund të përshkallëzohet në Kosovë. Nuk dua të besoj që kriminelët nga veriu i Kosovës, Radojçiq dhe strukturat e tij kriminale mund të përshkallëzojnë përplasjet me armë. Kjo nuk është e mirë për marrëdhëniet tona dhe për rajonin, tha Bogdanoviç per Euronews Albania.

Në anën tjetër diplomacia amerikane, përmes përfaqësuesve të saj në rajon, ka shprehur pakënaqësi të hapur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar, siç thonë ata, me dhunë pushtetin në katër komunat veriore.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një takim me disa gazetarë në Prishtinë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – kanë hyrë në ndërtesat komunale me ndihmën e Policisë së Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai e citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë. Hovenier tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier.

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, shtoi ai.

Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të martën ka thënë se Kosova duhet t’i pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave të komunave në veri të vendit, si hap i parë i shtensionimit. Njëkohësisht, ka bërë thirrje që edhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen.

Por si duket, jo të gjithë politikanët në Washington janë të kënaqur me këto qëndrime të diplomacisë amerikane mbi Kosovën. Kongresmeni amerikan, Richie Torres, ka mbetur i zhgënjyer nga Sekretari i Shtetit të tij, Antony Blinken, i cili dënoi veprimin e institucioneve të Kosovës për ngjarjet e djeshme në Veri. Torres tha se Kosova është aleat i SHBA-së dhe se ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë kur kjo iu desh SHBA-së.

“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u pranoi në këtë rast. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar ai, duke rishpërndarë deklaratën e Blinkenit.

Edhe Alicia Kearns, kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. Ajo, me anë të një cicërime në Twitter, ka thënë Serbia i paguan grupet kriminale të serbëve në veri, si dhe i ka sugjeruar të gjithë që të lexojnë një artikull të Nju York Times të publikuar ditë më parë lidhur me këtë çështje. “Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi”, ka shkruar Kearns.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me situatën e krijuar në tri komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pasi hyrja në zyra të komunave e kryetarëve të rinj u kundërshtua nga serbët lokalë. Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se ndërtesat komunale janë të shtetit të Kosovës, prandaj ato, sipas tij, nuk “janë marrë dje dhe nuk do të merren asnjë ditë tjetër”.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, tha Kurti.

Për të dalë nga kjo situate e tensionuar, u zhvillua edhe një takim në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier. Ky i fundit pas takimit deklaroi se folën për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Ai tha se nuk mund të deklarojë se ka një marrëveshje me Kurtin se si duhet të ndodhë çtensionimi i situatës, megjithatë tregon kërkesën që ia kanë bërë Kurtit.

“Kemi marrëveshje se deeskalimi duhet të ndodhë, por nuk e di se a mund të them se ka marrëveshjes se si duhet të ndodhë ai. Çfarë mund të them është se çfarë SHBA-ja po kërkon është ajo se ne besojmë se nuk është e nevojshme për kryetarët e zgjedhur që të punojnë çdo ditë nga ato objekte [komuna]. Në fakt, ne rekomandojmë që për një afat të shkurtër, kjo të mos ndodhë”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Zhvillimet në veri të Kosovës nuk kanë mundur të mos jenë edhe pjesë e vëmendjes së Kremlinit. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

“Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës – pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, tha Lavrov gjatë një vizite në Kenia, raporton agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti. Ai shtoi se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane. Sipas tij, “asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”.

Opinioni publik në Kosovë ende e ka të paqartë se si është e mundur që zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, madje edhe diplomatëve të BE-së dhe Washingtonit, i plotësuan të gjitha standardet demokratike. Në kët frymë ishte edhe deklarata e Emisarit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se administrata amerikane do t’i njoh rezultatet e atyre zgjedhjeve.

Nëse është kështu, atëherë si është e mundur që kryetarët e zgjedhur në mënyrë legjitime të mos mund të hyjnë në zyrat e tyre, të cilët do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësinë e tyre etnike e fetare.

Këtë pyetje e bën çdo qytetar i Kosovës, sidomos ata që votuan më 23 prill në katër komunat veriore, ndërkohë që ata që nuk votuan, ishin të detyruar të bojkotojnë procesin zgjedhor. Këtë e bënë pa vullnetin e tyre, sepse regjimi i Beogradit po punon fort që Kosovën ta paraqes si një “vilajet i errët” ku nuk ka jetë për serbët. Kjo propagandë e artikuluar përmes mediave të kontrolluara nga Vuçiqi, ka publikuar më shumë se 3 000 tituj me përmbajtje luftëxitëse kundër Kosovës në këto dhjetë vitet e fundit.

Serbia edhe mediatikisht, edhe ushtarakisht nuk po rresht së prodhuari psikozë luftarake ndaj Kosovës. Për rrjedhojë Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, ditëve të fundit ka shpërnda “zarfa të kaltër” , për të ashtuquajturën “ushtrim të rregullt ushtarak”, dedikuar pjesës rezervë të ushtrisë së Serbisë.

Këtë njoftim e ka konfirmuar edhe Instituti “Octopus”, sipas të cilit “propaganda i ka shërbyer si armë e fuqishme Hitlerit për strategjinë ekspansioniste ushtarake. Në anën tjetër, mediat e kontrolluara ruse, me vite të tëra propaganduan kundër Ukrainës, deri në agresionin ushtarak”.

Nëse e zbërthejmë nëntekstin e këtij njoftimi të Instituti “Octopus”, nuk e kemi shumë vështirë ta kuptojmë edhe strategjinë e Vuçiqit, i cili duke i gënjyer dhe dezinformuar ndjekësit e tij me lloj lloj paragjykimesh kundër shqiptarëve dhe Kosovës, po mundohet ta mbaj gjallë alibinë e tij kundër shtetësisë së Kosovës.

Sipas Instituti “Oktopus”, kjo bëhet edhe më shqetësuese, duke marrë parasysh që si rusët, ashtu edhe vëllezërit e tyre serbë, në prag të rrezikimit të pushtetit, nisin konflikte të reja. “Historia është mësuese e mirë e praktikës”, përfundon njoftimi.

Tensionet në veri të Kosovës mund t’i shërbejnë më së tepërmi presidentit serb Vuçiq, po jo edhe interesave të Kosovës. Prandaj kreu politik dhe shtetëror i Kosovës duhet ta lexojë ndryshe situatën, duke mos iu dhënë adute shtesë nacionalistëve serbë të paraqiten si viktimë në gjithë këtë skenar ngjarjesh të rrezikshme të dizajnuara në Beograd.

Presidenti serb do të donte të vazhdojnë tensionet në veri të Kosovës, në mënyrë që vëmendja e mediave botërore të defoksuohet nga protesttat masive të qytetarëve serbë. Madje edhe dorëheqja e presidentit serb, Aleksander Vucic, nga pozita e kryetarit të partisë, nuk ka mbetur pa u komentuar nga mediat prestigjioze botërore. Duke i dhënë hapësirë këtij njoftimi, agjensia amerikane e lajmeve Associated Press ka shkruar për një lëvizje të tillë të Vuçiqit, si një taktikë për të krijuar një lëvizje më të gjerë politike për shkak se po përballet me një valë protestash anti-qeveritare. Mediumi amerikan ka vënë në dukje se Aleksander Vuçiqi shpesh është kritikuar që po vazhdon të mbajë dy pozita, atë të presdientit dhe të kryetarit të partisë. Sipas analistëve, kjo është një përpjekje e presidentit të Serbisë për të rigrupuar sa më shumë njerëz pas një dekade pushtet dhe pas presionit publik gjithmonë e më shumë në rritje. Associated Press përmend protestat masive që po organizohen pas dy ngjarejve tragjike, dhe përmenden gjithashtu edhe akuzat e protestuesve drejt qeverisë për krijimin e një atmosfere me gjuhë urrjetjeje kundër kundërshtarëve politikë dhe fushatat e pamëshirshme propagandistike në mediat kryesore serbe.

Ndërkohë për dorëheqjen partiake të presidentit të Serbisë ka shkruar edhe agjensia franceze e lajmeve Frans Press, duke thënë se mitingu i organizuar të premten ngjante me një fushatë elektorale. France Press raportoi deklaratën e drejtorit ekzekutiv të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CESID), Bojan Klaçar, i cili ka thënë se krijimi i një lëvizje të re politikë është “një mënyrë për të kapërcyer krizat që potencialisht mund të shpërthejnë brenda SNS”. Sipas tij, Vuçiq dëshiron të sigurojë një mandat tjetër politik duke krijuar një lëvizje të re.

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, i zhvilluar brenda të gjitha parametrave demokratikë dhe reagimi i diplomacisë ndërkombëtare për të penguar praktikimin e pushtetit të dalë nga këto zgjedhje, është një ogur i keq për Kosovën. Gojëkëqinjt po thonë se kjo mund të jetë paradhoma e një protektorati të ri në veri të vendit tone. Ky është një sinjal se Kosova në të ardhmen duhet të përgatitet për një përkufizim të brendshëm etnik, ku serbët do të kenë status special, me të drejta ekstrademokratike, të pa njohura në asnjë shtet tjetër dhe në asnjë konventë ndërkombëtare.

Se pse po iu bëhen koncesione të tilla kaq bujare serbëve, në dëm të sovranitetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet dhe të analizohet në periudhën në vazhdim dhe kjo është një sfidë që nuk është barrë vetëm e qeveris aktuale, por e gjithë shoqërisë kosovare.

Sa më poroze të jetë kjo shoqërie me qëndrime të paharmonizuara, aq më të lehta do të bëhen skenarët për ta bërë Kosovën shtet sa më jofunskional.

Filed Under: ESSE Tagged With: Mehmet Prishtina

Mitet ekzistenciale në rënien shpopulluese

May 30, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Mitin dhe kultin e punës, atë të traditës dhe trashëgimisë, historisë dhe identitetit, lipset t’i mbash përherë në fuqi. Kjo është domosdoshmëri ekzistenciale për shoqëritë. Në shoqëritë dhe kombet e vogla, këto janë të vlefshme deri në përcaktueshmëri të mbijetesës dhe të qenies në garancinë e së ardhmes, kryesisht asaj kombëtare.

Gati një shekull më parë, filozofi dhe eseisti rumuno-francez Emil Cioran, pohonte: ” Një popull pa mite është në rrugën e shpopullimit”. E shkruan këtë në esenë, aq shumë të lexuar nëpër Europë, me titull ” Për Francën”.

Në këtë fat ka rënë sot Shqipëria. (!) Shoqëria e sotme shqiptare, e paformuar, e përzier në mënyrën dhe brendinë më kaotike të mundshme, ndjek një rënie të paformë. Një rënie jo sipas parimit të humbjes së gravitetit, por sipas derdhjes nëpër hulli të paformësisë dhe të një fati të pa parathënë. Rrëshqitja zbrazëse po vijon në fat të lirë e të pakontrolluar.

Padijenia në rënien e saj është dilemë masive që mbetet e njëjtë si tek shtresat e varfra dhe të mesme, aq edhe evidente tek udhëheqësitë apo të kamurit e saj. Në Shqipëri shpopullimi është në kulmin e vet. Të gjithë treguesit e zhvendosjes demografike dhe ato të emigrimit e migrimit, shënojnë kuotat më të larta qysh prej rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90-të. Ka një pranim me heshtje zyrtare të këtij procesi. Një heshtje si nën një proces të përcaktuar nga natyra apo Zoti dhe për të cilin as nuk ekziston lutja e as predikimi. “Zotat e vegjël të politikës” si në qeverisjen kombëtare ashtu edhe në atë vendore as lëvizin diçka për pengim e as premtojnë diçka për ndryshim. Një ” fat në rrokullisje” është zbrazja e vendit në krejt hapësirën rurale dhe në ato të cektësisë urbane. Elegjia sociale ka pamje pranie në shumicën e territorit administrativ të vendit. Në gati dhjetë vitet e fundit, statistikat zyrtare dëshmojnë indekse tronditëse të plakjes së popullsisë dhe një perspektivë të zymtë të humbjes së fuqisë punëtore për tregun kombëtar dhe atë lokal të punës.

Shpresat për zëvendësim me forcë krahu pune nga vise dhe vende të tjera të botës, janë përditshmërisht e më të pakta. Në buxhetin financiar publik ndihen shtrëngesa me prerje të fuqishme për të ardhmen, kur flitet për perspektivën numerike të shtresës së pensionistëve dhe të grupeve në nevojë, sidomos atyre për ndihmë ekonomike dhe të paaftë për punë.

Shqipëria po humbet përditmërisht edhe mitin e të qenit vendi i një popullsie të re, me rini dhe moshën mesatare më të ulët në Europë si në fillim të viteve ’90-të.

Në tri dekada zvarritjeje, lëvizjeje, pengimi e vetëpengimi, kohëhumbjeje dhe rrugëkërkimesh, si në një kohë të paemër që politikisht e pagëzoi “tranzicion”, shoqëria shqiptare prishi referencat e trashëguara dhe iluzivisht përcaktoi disa të reja si destinacione të paarritshme.

Braktisi ose la në rënie të lirë ikjen nga miti apo referenca për familjen e qëndrueshme dhe trashëgimitë e cilësishme qoftë të komunitetit, ashtu edhe të arsimimit dhe kulturimit e ngritjes së nivelit dijesor. U braktisën dhe gati injoruan, pasuri dhe sjellje apo rite të shëndetshme tradicionale. U zhvleftësua qëndrueshmëria e shkollimit dhe arsimimit, u stigmatizua pa arsyetim kritik koha e shkuar duke i konsideruar politikisht “antikohë” lëmi dhe vlera ekstrapolitike të shoqërisë në të gjitha lëmitë. U lëviz iluzivisht dhe pa kulturën e nevojshme të drejtorientimit, u sulmuan dhe u lanë në mëshirën e paarsyes, në arenën e shëmtuar të debatit publik çështjet e gjuhës kombëtare, letërsisë dhe arteve. U dëbuan nga ky treg dhe mundësia vijuese e punës, ekspertët dhe specialistët, grupet e kualifikuara në fushat ekstrapolitike në tri apo katër dekada rresht. U lanë në zbrazëtinë e pasojshme arritjet e shkencës dhe teknologjisë në disa sektorë strategjikë të ekonomisë dhe sistemimeve tokësore e hidroenergjitike.

U përmbysën krejt referencat ndaj veprave rentabël të ekonomisë dhe investimeve kombëtare si dhe u lanë në “tryezat lumpenike” të debateve të pacilësishme, vlerat dhe qasja ndaj pasurive të identifikimit kombëtar. Në këtë pësim kolektiv përfshihen edhe simbole që njihen botërisht si hise themelore e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

Në këtë fat të vetë-tharjes kombëtariste u zhveshëm nga mitet e domosdoshme dhe simbolet tona jetike dhe po përjetojmë shpopullimin aktual. Kjo elegji antivete është edhe në dy kontekste të tjera, po aq me pasoja dhe me efekte pasigurie për vetëgjetjen e nesërme.

Entitetet shqiptare po gjenerojnë përplasje mes njeri-tjetrit duke shpërfillur dhe goditur gravitetin tonë kombëtarist. Në jo pak raste, shërbestari negative në këtë aspekt, sjellin elitat ose grupet udhëheqëse të partitizmit tonë politik.

Ndërsa vetë shoqëria shqiptare, e pandërgjegjshme për rolin dhe misionin e vet në këtë moment, ndjek si në spontanitet fatal rënien dhe mosadresimin e vetvetes.

Kur një e sotme shoqërore është në rënien e lirë të shpopullimit, e ardhmja e saj mund të quhet pamëdyshje, një kohë vetëm dilemash dhe identiteti të humbur. Kjo zbrazje dhe refuzimi apo mospranimi i shembjes është e lidhur me lëvizjen apo ikjen në thellitë e zbrazëtisë sonë shpirtërore. Sepse krejt institucionalizmi ynë shoqëror nuk investohet dhe as e programon nevojën emergjente të shëndoshjes mendore dhe psikologjike të individëve dhe jetës kolektive të saj.

Së sotmes së kësaj shoqërie i vlen “kundërshtimi si stil i kulturës”, por jo si kulturë e shërbimit të verbër politik, aq më tepër, për llogari të politikanëve apo prijësave të falimentuar. Demokracia paçavure apo hibride e një shoqërie pa formë e me përmbajtje të cekët, nuk është shpresëdhënëse e nuk përbën rend, por vetëm vlen si alibi shtetzënësish. Miti i kësaj demokracie nuk ka arsye të ekzistojë, por miti për mekanizmat dhe mjetet e riinstalimit të demokracisë formale, nuk duhen lëshuar e nuk mund të mos mbahen, si e vetmja formë dhe i domosdoshmi mekanizëm.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT