• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një popull ” i çmendur ” që prijësat i çmend…

December 9, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\PORTRETI 1.jpg

Dje e dëgjova se, për agresorin që me 6 dhjetor, në mesditë, goditi zotin Sali Berisha, duhen jo më pak se 40 ditë të vertetohej nëse ai është një i çmendur ose jo. Dhe i gjithë debati përreth atij akti të shëmtuar e të rëndë  fort,  të asaj dite, përsillet aty në atë qerthull fjalësh. Është a nuk është i çmendur agresori ! Mirëpo, duke e ditë se çudija më e madhe në këtë vend zgjat  vetëm tri ditë, në mos ndodhtë kështu, siç ka ndodhë gjitherë ndër ne, synimi ka qenë i qartë: ngjarja, sa më shpejt të bëhet e paqenë. E të vijojnë masandej pa u ndalë tam-tamet e festës së mikpritjes, që prijësi e ka kuruar me duar e veta…

Në të vërtetë dy pamjet e mesditës së 6 dhjetorit  në Tiranë, janë dy pamje në një. Edhe pse krejt të përkundërta; njëra pamje festive mikpritjeje e mirëpritjeje të prijësve të Europës dhe tjetra e një dhune ektreme mbi udhëheqësin e opozitës, themeluesit të saj qyshse opozita politike ka rilindë mbas një gjysë shekulli diktaturë, në fillim vitet ’90.

Janë dy pjesë të së njëjtës, jo vetëm pse ndodhën në të të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në kryeqytetin e Shqipërisë, jo vetëm se ndodhën, në fakt në dy perimetra të skicuar e të rrethuar në mënyra të ndyshme, po në të njëjtën sipërfaqe të qendrës së Tiranës. Por përmbi këto, janë dy ngjarje, që hamendësimi edhe më i largët mundet me i bashkëngjitë. Dhe aspak “deus ex machina”, po në njëfarë mënyre, vetvetishëm. 

Vetvetishëm,  sepse, klima e gjithherëshme politike, por sidomos  kjo e kohëve të fundit, gjithçka lëviz në atmosferën e saj, me shumë ré e me pak kthjellësi, këtë mundet me sjellë. “Moti i mirë duket në mëngjes”. Shqipëria politike është në pikën e saj të një demokracie të shpartalluar. Qeveria dhe opozita janë vite drite larg në galaktikën e bashkëekzistencës, domethanë e pranimit të njera-tjetrës, e pranimit të të ndryshmëve, të mendësive dhe të koncepteve të ndryshme. Sepse në këtë mes është prishur e gati asgjësuar forca rregullatore përbashkuese – vota e lirë. Votuesit shqiptarë, pra populli ka në dorë “çelsat e kashtës” të ngrehinës së demokracisë. Prijësi i pushtetit është prijësi i Shqipërisë; ai që prin gjithçka në këtë vend, atë që i takon të prijë e atë që s’i takon të prijë. Vret e pret përditë, sa i ha krahu. Me fjalë, më së pari; se ka do kohë që atij fjala i rrjedh si përrua (…). Po, thonë se ” gjuha [fjala pra] kocka s’ka po kocka thyen”. E kështu, përroi i psikikës rrjedh fjalë e fjala bëhet dinamit. Dinamit që shemb hotelin e të pasurit, fermanin për të cilin vetë e ka pasë dhënë, njësoj si jerevinë [kthinën] e të vorfnit pa hak e hile, shemb teatrin gati shekullor të kryeqytetit dhe ngre përreth kulla plot mister të lavdisë së shtatlartësisë së vet…

E rinia turitet e rinia ikë. Për më mirë i merr rrugët e botës, pa u zorit se len këtu vjetërsi. Prindër të vjetër e mendësi të vjetra, ende të paçliruar prej reminishencave të diktaturës. Dhe prijësat e çmendur në lumninë e vet, në ekstazën e ethëshme të sundimit prej trashëgimisë së etërve të vet. E prej saj, tash kërkohet një i çmendur që të godasë me grusht kundërshtinë e mizorisë. Opozitën, që prijësi e don të paqenë. Se kështu populli i sunduar sundohet ma lehtë. Sidomos në një ditë që sytë e Europës janë këtu, ndër ne e midis nesh. Edhe pse Europa, siç po duket, ma së pari pëlqeka shfaqjet tona të zbukuruara që udhëheqësíja luan sesa thelbin e funksionimit të shoqërisë sonë, sesa u zoritka për qeverisjen që qelbet në korrupsion e nivelin e demokracisë së saj që është ulëritës. Prijësi  e ka kuptuar heret se ç’duan ata dhe, me zotësi e bukuri që vret e shpërfaq atë. Hipur mbi supet e një populli, i cili përkujdesjen për vehte e për të drejtat e tij në rrugën e demokracisë, ia ka dorzue dëshpërimit. Dhe ky ritëm i ecjes sonë po i ka dehur e po i çmend prijësit tanë, sundimtarët tanë, që vetë i gradojmë si të tillë. Tashma ata nuk njohin zgjedhës e as popull që ka tagrin përmbi ta. Që, gjasme i zgjedh si shërbyes dhe më shpejt se të zgjidhen bëhen sundimtarë. Sundimtarët tanë, që ne na bëjnë të marrë…E ne nuk zemrohemi. Kemi harruar se duhet të zemrohemi fort derisa t’i rrëzojmë ata. Ata e ata, derisa të kemi gjetë shërbyesit e administrimit të jetës sonë e të prosperitetit tonë. E jo të ikim, nga sytë këmbët e t’i lëmë fatet tona në dorë të prijësve që çmenden. E çmenduria e tyre të na rraskapisë jetën tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

A ka një shkencë letrare?

December 9, 2022 by s p

Behar Gjoka/

Humnera verifikuese, ose situata e mbrapshtë e mosverifikimit të letërsisë prej studimeve shqiptare, me ndonjë parathënie rastësore, e sidomos me kumtesa të shqiptuara përvitshëm në katedrat e trojeve shqiptare, me llomotimën e vet, ma tepë r të një shkencërimi kinse formal, e ka sjellë situatën deri në shtrimin e çështjes hapur, në se ka vërtet një shkencë për letërsinë. Ndaj kësaj pyetjeje, në thelbin e vet sugjeruese dhe, mbi të gjitha, të vënë në kërkim të rrënjëve të interpretimit dhe verifikimit të teksteve letrare, evidentohen së paku dy qëndrime të ndryshme:

A – Ka një shkencë të letërsisë, madje që lulëzon gjer në kulm, si dëshmi klasike dhe moderne, e cila përbëhet nga teoria letrare, kritika dhe historia e letërsisë. Pra, simbas akademizmit diturak, në këto punë kemi një shkencë të mirëfilltë, që përbëhet nga tri disiplina dhe, secila prej këtyre kanë si objekt letërsinë. Përsëri, gjendur përballë zhurmës zyrtare, mbi gjoja shkëlqimin e shkencës së letërsisë, vetvetiu më erdhi në mendje Harold Bloom-i, që mes të tjerash, për mbijetesën e letërsisë, thotë: … zor se ia ka nevojën trumbetave potermadhe të sekteve akademike… te libri Si dhe përse lexojmë, që ndihmon ca më shumë për të hapur debatin mbi këtë çështje jetike për letërsinë dhe të rolit të studimeve letrare mbi të.

B – Letërsia, në mjediset serioze, që e dinë mirë se ç’janë vlerat specifike shpirtërore/letrare, ka qenë dhe është e para, dhe ndërkaq, e dyta në radhë është qasja dhe verifikimi i saj, që kryhet në procesin e leximit dhe të studimit të veprës letrare. Kur letërsia përjetohet dhe thuhet se është e para, përfundimet e leximit, rileximit, shqyrtimit dhe analizës, pra proceset e njohjes dhe të interpretimit të saj, janë të ndërvarura nga thelbi i tekstit letrar, i cili megjithatë, në çdo lexim zbulohet rishtas, si dhe ndërkohë, asnjë lexim, sado i ardhur nga akademikët, nga profesorët e universiteteve, nga studiuesit e qendrave apo të institucioneve albanologjike, nuk arrin që të shpjegojë pë rfundimisht të pashpjegueshmen e veprës letrare, që përbën një realitet imediat, i cili zbulohet pas çdo leximi.

Konceptimi i shkencës së letërsisë duhet bazuar në hulumtime dhe jo në tituj, në libra dhe jo në paçavra llafollogjemash, pra jo të bëjmë sikur po bëhet shkencë e madhe me anë parathëniesh dhe kumtesash, por të rrahim mendimet përtej interesave mësimdhënëse, që kanë të bëjnë me dobinë utilitare e jo me vlerat estetike gjithëkohore. Vlen të sillet në vëmendje pohimi i Tzvetan Todorovit në librin e tij Poetika e prozë s, ku shprehet: Njohjes së letërsisë vazhdimisht i kanosen dy rreziqe të kundërta: ose ndërtohet një teori koherente, por shterpë; ose kënaqemi së përshkruari disa “fakte” duke kujtuar se çdo gur i vogël do të hyjë në punë për të ngritur ndërtesën e madhe të shkencës. (2000: 109), që hedh dritë në të dyja aspektet, nga njëra anë në teorinë letrare, e në anën të tjetër të vetë shkencës mbi të, pra të asaj që lehtësisht emërtohet si shkencë. Në teoritë e ndryshme letrare, sidomos ato moderne, marrëdhënia me letërsinë, përfundimet më të arrira të secilit lexues, përsëri janë të varura drejtpërsëdrejti nga leximi dhe rileximi i faktologjisë letrare, si një prani që mbetet e hapur për secilën kohë dhe brez, e po kaq edhe për secilën hapësirë të letërsisë së përbotshme. Dámaso Alonso, në shqyrtimet e veta, më tepër është skeptik kundrejt mundësisë së një shkence të letërsisë, teksa nënvizon: Nëse esenca e veprës së artit dhe veprës letrare është individualiteti i saj, dhe kjo mund të njihet vetëm në mënyrë intuitive, do të lihej mënjanë njohuria shkencore, e cila konsiston në, më saktësisht, në gjetjen e ngjashmërive, në përgjithësimet dhe në krijimin e ligjeve universale. Midis këtyre tri disiplinave që merren me interpretimin e veprës letrare, ajo që mendohet si shkencë e letërsisë, me gjithë reminishencat e pranishme, mbahet dhe përjetohet si e tillë (madje shpeshherë si të qe një shkencë ekzakte në të gjitha parametrat e veta, që shpeshherë ka bërë edhe zbulime). Megjithatë, teoria letrare, teksa merret me aspektet teorike të gjinive, llojeve, zhanreve, të stilistikës etj., i përmbush disa parametra kryesore të përcaktimit të saj, së paku si një shkencë teorike.

A është shkencë kritika letrare?

Një pyetje që, formalisht dhe logjikisht, do të kërkonte qëmtime më të thelluara, larg trajtimit bardhezi, që e ndeshim shpesh në media dhe mjerisht edhe në mjediset akademike, mbi praninë ose papraninë e kritikës letrare si shkencë. Në pamje të parë, lidhur ngushtësisht me praninë e shkencës në metatekstet kritike, më tepër i bie që të rrahësh ujin në havan, sesa të rrekesh të ndërtosh kështjella prej rëre, ose kështjella pa dritare, që madje mezi komunikojnë me veten, brenda auditorëve shurdhanë. Ideja e Zherar Zhenetit: Një kritikë mund të jetë e pastër empirike, naive, e pavetëdijshme, “e egër”; një metakritikë, gjithmonë implikon “njëfarë ideje” të letërsisë dhe ky implikim nuk do mungojë gjatë kohë për t’u eksplikuar. (1985: 70) te libri Figura, duket se e lë të hapur përcaktimin e kritikës letrare, gjer në një situim që përfshin shumëçka në të, pa shmangur praninë subjektive, që të largon nga rrafshet e trajtimit shkencor. Në të gjitha rastet e mundshme, me shumë gjasa teorike dhe praktike, kritika letrare, veçmas në kohërat moderne dhe postmoderne, tashmë është thjesht dhe vetëm një reagim parak, informues dhe afirmues, ndaj botimeve bashkëkohore, me gjasë një qasje thelbësisht subjektive, që natyrisht shqiptohet përmes recensioneve përcjellëse, ose në një këndvështrim edhe më të ngushtë shpalimi. Gjithashtu, në një pikëpamje më të ngushtë, kritika letrare mund të jetë edhe një tejqyrë për të sjellë në bashkëkohësi vlerat e dikurshme, pra një rivlerësim i teksteve të mëparshme, të antikës dhe hershmërisë së shkrimit letrar. Në mes të tjerash, thotë Roland Barthes: Kritika është vetëm një moment i kësaj historie në të cilën po hyjmë dhe e cila na shpie në njësi – në të vërtetën e shkrimit. (2008: 208) te libri Aventura Semiologjike. Ngado që ta rrotullosh gjuhën, në teoritë klasike dhe bashkëkohore, vështirë që të arrihet në përfundimin se kritika letrare është shkencë, mbase as për hije, së paku e pikëvështruar si ndërvarje në kriteret e logjikës formale.

Po historia e letërsisë a është shkencë?

Niçe, nga njëra anë, historinë që shumëkush e mendon si shkencë, ky filozof i kohëve moderne e ka emërtuar më tepër “interpretim faktesh”. Për analogji formale, varësisht fuqisë së mendimit të Niçes, historia e letërsisë, me shumë gjasa i bie që të jetë “interpretim tekstesh ose veprash”. Pra, më shumë kemi të bëjmë me një rrethanë mbizotëruese të vlerave estetike që leximi i veprave mbetet i hapur. Po në këtë linjë, shoqëruar me shtjellime të gjera studimore, vijon edhe Benedeto Kroçe, në pjesën më madhe të veprave dhe shqyrtimeve të tij. Përfundimet e historisë së letërsisë shqipe, bazuar kryesisht në parimet sociologjike dhe historiciste, shpien ujë në rishikimin e saj, të historisë së përjashtimeve dhe paragjykimeve, që madje shpallet me të madhe si shkenca e historisë së letërsisë, më tepër duke krijuar një ishull të mbyllur të qarkut hermetik, të një historie pa letërsi ose të një letërsie pa histori. Tashmë jemi në rrethanat e përjetimit të saj si një interpretim të periudhave dhe teksteve të secilës prej këtyre fakteve letrare, sesa si përfundime shkencore përfundimtare, që kinse janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, që ka gjasa, po t’i marrësh seriozisht, pasi ke lexuar “shkencën” e madhe të mësimdhënësve, të mos jetë e nevojshme të lexohet më as Shekspiri:

Së pari: Varësisht rrethanave të sistemit të realizmit socialist, që me ekzistencën e vet realizon historinë e përjashtimeve, ku u la anash gjysma e saj, në motet e sundimit të socrealizmit, sepse u përjashtuan Fishta, Konica, Skiroi, Koliqi, etj.

Së dyti: Historia e letërsisë shqipe, ndërkaq është vështruar në një pikëpamje më të ngushtuar, pra si eseistikë dhe kulturologji, çka ka bërë që në Prishtinë, koncepti shkollë letrare dhe avangardë, të shtrihet në mënyrë abuzive dhe, me mungesë të logjikës formale dhe të argumentuar, në të gjithë zhvillimin letrar, duke krijuar një keqkuptim konceptual, sa edhe Fishta dhe krijimtaria e tij letrare të përfshihet në rrjedhat e modernitetit.

Së treti: Britmat alarmuese për nevojën e shkencës letrare, madje duke synuar që shkencërimi me titujt të zëvendësojë vetë letërsinë, si dhe mendimin verifikues për të, përmes kumtesash dhe parathë niesh dhe, me marrjen e gradave shkencore me anë të monografive (ku simbas konceptit zyrtarist, mjafton ta emërtosh kështu dhe që në pak raste e përmbushin si metodikë, ke shënuar majën e shkencës mbi letërsinë), zakonisht pa libra, një tipar i dëshmuar me krenari absurde, sidomos në shtetin amë, ku secili nga “shkencëtarët” e graduar aspiron të shkruajë historinë unike të letërsisë shqipe.

Teoria letrare si konceptim shkencor

Ligjërata mbi shkencën letrare, krahasuar me dy anët e tjera, me kritikën letrare dhe historinë e letërsisë, teoria letrare anon nga shenjat e pranishme të disiplinës shkencore, e cila është e pajosur me jo pak elemente metodike dhe hulumtuese, që parashtrojnë udhën për te portat e verifikimit shkencor. Megjithatë, nga mënyra e funksionimit, në këtë rast, sërish evidentohen dy tipe teorish letrare:

– Teoritë letrare që organikisht ndjekin procesin letrar, njohin dhe zbërthejnë arritjet e letërsisë, qysh në zanafillën e vet, pavarësisht gjinive dhe shkollave të ndryshme letrare. Po kaq, përmes interpretimit të veprave apo teksteve letrare, realizojnë kodifikimin e letrares, ndërkohë sugjerojnë metodika të leximit dhe vlerësimit të letërsisë. Teoria letrare zë fill qysh me veprën Poetika të Aristotelit, që ka vënë bazat e saj, të gjinive fondamentale të letërsisë, dhe duket sikur ajo ngrehinë ka mbetur në këmbë qysh prej antikitetit dhe deri në kohët moderne. Në thellim të kësaj qasjeje teorike mbi letërsinë, janë teoritë moderne të dy shekujve të fundit, të cilat thellojnë dhe plasojnë analizat strukturore të teksteve letrare.

– Teoritë letrare që marrin përsipër ta udhëheqin letërsinë dhe ta modelojnë në varësi të nevojave letrare dhe jashtëletrare. Kështu ka ngjarë në kuptim të ngushtë me klasicizmin, që për nevojat e oborrit të monarkisë absolute, hartohet një platformë rregullash detyruese për letë risinë dhe artin. Megjithatë, ai përmbushi edhe kërkesat e letrares, në lidhje me vlerësimin e antikitetit, dhe të lënies hapur të shansit për të materializuar vlera artistike, më përtej normave fikse. Krejt ndryshe qëndron çështja me realizmin socialist, që me kriteret e shpallura jashtëletrare, të partishmërisë proletare, heroit pozitiv, tendenciozitetit klasor, me vetëdije të shpallur ideologjike, e mbylli të bukurën në kuvli. Më tepër e mbërtheu në prangat e propagandës së ideologjisë komuniste, duke e kthyer në propagandë në interes të ideologjisë së kohës. Në këtë kuptim, ata që prangosën letërsinë shqipe me atë model ideologjik, që mëkuan artin dhe letërsinë me dobinë e shërbesës ndaj sistemit, si dhe një pjesë e konsiderueshme e studiuesve të sotëm, ndonëse kanë rënë në kontakt me dijen moderne letrare, në marrëdhënie me letërsinë, sidomos me debatin për të, bartin po atë mentalitet, të rolit udhëheqës në letërsi dhe art. Letërsia, me gjinitë dhe llojet letrare, kuptohet që është e para dhe kjo nuk ka nevojë të diskutohet. Fjalët e Umberto Eco-s, te libri Si shkruaj: Tekefundja, unë duhet të shkruaja një roman fundi i të cilit – qoftë dëshpërim, pas një dështimi të çdo esteti, dhe duke i respektuar në tërësi ligjet e krijimit, të cilat janë krijuar qysh prej romanit helenistik e deri më sot, për mos thënë që prej Poetikës së Aristotelit – duhet të shkaktojë kënaqësi gjatë rrëfimit. (2003: 40). Madje ajo rrethanë zyrtare që për ditë rrekemi ta paraqesim si shkencën e letërsisë, sërish ajo që emërtohet si shkencë është thelbësisht e ndërvarur nga teksti letrar. Fatit të mbramë të shqipes, që gjendet në udhëkryqin ekzistencial më të vrazhdë të mundshëm, tashmë i shtohet edhe qasja zyrtare dhe snobiste, se nuk kemi letërsi shqipe, se ajo është në nivele të papërfillshme estetike. Pavarësisht faktit se kush e thotë, ideja duhet marrë seriozisht në analizë, madje do të duhet vështruar në të gjithë treguesit e vet, duke parë tekstet dhe kontekstet, me përqendrim të vëmendjes te vlerat letrare që bart materia e letrave shqipe. Është e vërtetë që letërsia shqipe, në shtjellat e veta, varësisht konteksteve, më tepër ka kryer funksione të dyfishta, por edhe letrare, në lavrimin e zhanreve dhe llojeve të ndryshme. Në një kuptim, në të gjitha periudhat e shkrimit, arti i fjalës, ndërkaq ka pasur më tepër ngarkesë jashtëletrare. Kuptohet që ngarkesa e këtillë jashtëletrare, ka qenë e lidhur ngushtësisht me rrethanat ekzistenciale të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në periudhën e parë, letërsia shqipe pati barren e madhe të identifikimit të gjuhës shqipe, që hedh themelet me Mesharin e Gjon Buzukut.

Periudha tjetër, që përkon me letërsinë romantike, mori përsipër që nga hiri i sundimit shumëshekullor të otomanëve, të shënonte Rilindjen e kombit, pa lënë në hije lëvrimin e letërsisë. Gjithnjë simbas studimeve zyrtare, të të gjithë anëve të shkrimit të shqipes, me veprën e Naim Frashërit dhe Jeronim De Radës, zë fill letërsia e mirëfilltë, ku padashtas krijohet një hije konceptuale, se paska edhe letërsi jo të këtillë. Megjithatë, kulmin e vet të detyrimeve jashtëletrare/ideologjike, letërsia shqipe e përjetoi në motet e realizmit socialist, kur asaj zyrtarisht iu vunë prangat e bërjes së njeriut të ri, në emër të ideologjisë komuniste. Letërsia shqipe, ashtu si çdo letërsi tjetër, merr kuptim në varësi të tekstit dhe kontekstit, të leximit dhe vlerësimit të këtyre aspekteve, ku në fund fare mbetet vlera estetike e teksteve, që kapërcen kohën e vet, si dhe kohën e leximeve të shumëfishta. Për ta vijuar formalisht logjikën e mospasjes së letërsisë, të mungesës së vlerave në gjuhën shqipe, që për hir të së vërtetës nuk është se kemi kaq shumë vlera, por edhe krejt pa to nuk jemi. Në lidhje të ngushtë me vlerat, nuk jemi as qendra e botës, po as bishti i saj. Atëherë kur nuk paskemi letërsi, për të ecur në logjikën e nihilizmit skajor, pa u thelluar këtu në argumentet e marrëdhënies së konteksteve dhe të teksteve, çfarë nevoje kemi që të kemi katedra letërsie, ose titujmbajtës që i kanë marrë titujt me vepra të letërsisë shqiptare?!

Në vend të përfundimit

Nga njëra anë, shqiptarët e të gjitha anëve të kufirit, janë poetë e shkrimtarë të papamë, kritikë dhe eseistë të nivelit më shkencor të mundshëm, madje siç e pohojnë po vetë, gjeni që s’janë parë në shpinë të tokës. Nga ana tjetër, me parametra gjeometrikë, në mënyrë të pakthyeshme, sa vjen dhe zhduket fara e lexuesve të teksteve, jo e leximit biografik dhe hermetik, të cilët që të dy këto tipe të mosleximit të veprës letrare, të largojnë nga magjia e tekstit. Më herët, Benedeto Kroçe, në mes tjerash, theksonte: Kritikët profesorë rrallëherë zhvishen në gjykimet e veta nga përvoja e tyre si profesorë të pranishëm në provim a gjyqtarë konkursesh… (1998: 11) te libri Poezia antike dhe moderne. Edhe kur është e pranishme soji i leximtarëve, së paku nga sa shohim në media dhe nëpër institucionet e shpallura si shkencore, ky xhins mbizotërohet nga lexues të asojmë, që mjafton që të jenë mësimdhënës dhe vetvetiu janë edhe shkencëtar të mbaruar. Pohimi i T. Todorovit te libri Letërsia në rrezik, ta sqaron në dritën e diellit përjetimin e këtillë, kur shkruan: Ne – specialistët, kritikë letrarë, profesorë – në të shumtën e kohës nuk jemi gjë tjetër përveç se xhuxhë të strukur në sqetullat e viganëve. (2007: 22), duke përveçuar mjeshtrit e shkrimit letrar nga soji i leximtarëve të ndryshëm. Ky debat, letrar në thelbin e vet, të paritetit të letërsisë apo verfifikimit shkencor mbi të, është i gjerë, me shumë hapësira konceptuale dhe, mbi të gjitha, do të kërkonte kontributin e të gjithë faktorëve të tekstit letrar, të autorit si krijues, si dhe të lexuesit të letërsisë, qoftë edhe studiues me tituj dhe fame.

Filed Under: ESSE Tagged With: Behar Gjoka

PJETËR BOGDANI, DËSHMIA QË I FLET EDHE KOHËS SONË

December 7, 2022 by s p

Prof.Dr. Skender ASANI/

ITSHKSH (Departamenti i Letërsisë), Redaksia e botimeve DRITA (organ i Ipeshkvisë së Kosovës) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” i Prishtinës, duke qenë bashkëorgtanizatorë manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Bogdanit”, në fakt po risjellin në vëmendjen tonë kolektive e individuale një figurë mjaft të rëndësishme të historisë sonë kulturore dhe shpirtërore, siç ishte Pjetër Bogdani, të cilin po e kujtojmë pikërisht sot kur ai më 6 dhjetor të vitit 1690, i mbylli sytë përgjithmonë në Prishtinë.

Nderimi për figura të mëdha, siç është Pjetër Bogdani, tregon sensin civilizues të një kombi për të ngritur në kod sistemin e vlerave, pa të cilin ai komb nuk mund të zhvillohet në paramtreta e botë së qytetëruar.

Ne në Shkup kemi ngritur një shtatore të Pjetër Bogdanit, e cila përpos rëndësisë simbolike që ka, në vetvete përmban edhe porosinë se Shkupi dikur ishte qendër e shumëfisht e zhvillimeve kombëtare e shpirtërore, duke qenë fillimisht kryeqendra e Dardanië dhe Vilajetit të Kosovës, por edhe epiqendra e betejave identitare e shpirtëore, pa harruar edhe faktin e Shkupi ishte edhe selia e Ipeshkvisë Shkup- Prizren, udhëheqës i së cilës ishte edhe Pjetër Bogdani.

Nderimi për figura të mëdha, siç është Pjetër Bogdani, tregon sensin civilizues të një kombi për të ngritur në kod sistemin e vlerave, pa të cilin ai komb nuk mund të zhvillohet në paramtreta e botë së qytetëruar.

Ne në Shkup kemi ngritur një shtatore të Pjetër Bogdanit, e cila përpos rëndësisë simbolike që ka, në vetvete përmban edhe porosinë se Shkupi dikur ishte qendër e shumëfisht e zhvillimeve kombëtare e shpirtërore, duke qenë fillimisht kryeqendra e Dardanië dhe Vilajetit të Kosovës, por edhe epiqendra e betejave identitare e shpirtëore, pa harruar edhe faktin e Shkupi ishte edhe selia e Ipeshkvisë Shkup- Prizren, udhëheqës i së cilës ishte edhe Pjetër Bogdani.

Pjetër Bogdani u shfaq në skenë në kohën kur shqiptarët po përjetonin momentet më të vështira historike pas vdekjes së Gjergj Kastriotti Skenderbeut dhe paraqitja e tij ishte një ogur i mirë për faktin se veprimtaria e tij 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i Lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare, me çka identifikohej me aspiratën liridashësse të shqiptarëve për të dalur nga zgjedha otomane.

Edhe pse vinte nga bota teologjike, ku predikimi dhe liturgjia ishin armët kryesore të veprimit, Bogdani megjithatë i tejkaloi këto korniza të ngushta të fushëveprimit teologjik dhe u hodh në valët e rezistencës së armatour, sidomos gjatë luftës turko-veneciane (1664-1669), dhe turko-austriake (1689) .

Me pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në këto beteja, Bogdani dëshmoi se morali i një populli të pushtuar dhe të nepërkëmbur nuk mbahet gjallë nëse në krye të rezitencës nuk përfshihen edhe njerëzit e dijes dhe të kulturës, siç ishte edhe ai vet, prandaj me të drejt një kronist austriak, me rastin e vdekje së tij më 6 dhjetor 1689, shkruante se “me vdekjen e Pjetër Bogdanit iku edhe fati ynë në tokë”, pasi që vdekja e tij shënoi edhe fillimin e një periudhe të errët për popullatën vendore, e cila po vuante pasojat e pushtimit otoman.

Figura e Pjetër Bogdanit është vazhdimësia e natyrshme e epokës së lavdishme të Gjergj Kastrioti Skenderbeut dhe pararendësi i hershëm i Rilindjes sonë Kombëtare, që kulmoi me Pavarësinë e vititi 1912.

Prishtinë, 06 djetor 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Pjeter Bogdani, Skender Asani

Për një hapësirë publike bashkëkohore, që rikujton rezistencën  për liri

December 6, 2022 by s p

Hapësira publike e gjithë bulevardit “Nënë Tereza” nga fillimi në fund, duke përfshirë edhe hapësirën publike të kampusit universitar duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes një konkursi të mirëfilltë ndërkombëtar arkitektonik. Përmes një detyre projektuese të përgatitur në mënyrë profesionale, që do të ishte bazë e shpalljes së konkursit arkitektonik e urbanistik të hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, ky konkurs do të duhej të trajtonte: dizajnin urban të gjithë bulvardit, arkitekturën e peizazhit dhe në mënyrë të veçantë të kaluarën historike të rezistencës për liri. Brenda detyrës projektuese të konkursit të parashihet edhe kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, sheshit të memorialit të udhëheqësit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sheshin e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci dhe ngjarjeve të tjera me rëndësi historike e kulturore për Kosovën. Nga ky konkurs do të duhet të rrjedhin edhe konkurset e veçanta arkitektonike për Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së dhe konkurset tjera për udhëheqësit e lëvizjes sonë kombëtare, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti dhe rektorin Ejup Statovci

Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt

Është thënë dhe është shkruar nga shumë krijues, shkrimtarë, filozofë, arkitektë dhe njerëz të dijes se mënyra se si e trajton hapësirën publike një shoqëri, flet shumë për vlerat që përfaqëson ajo shoqëri. Për më tepër, është thënë e është shkruar poashtu një gjë edhe më e rëndësishme: mënyra se si e trajton të kaluarën historike një shoqëri, dëshmon për vizionin se si do ta ndërtojë të ardhmen ajo shoqëri. 

Mënyra se si është trajtuar hapësira publike në kryeqytetin tonë, në Prishtinë, thënë në mënyrën më të kujdesshme: lë shumë për të dëshiruar. Janë ndërtuar sheshe e bulevarde kryesisht pa koncepte të mirëfillta urbanistike e arkitektonike, madje edhe pa shpalljen e konkurseve të mirëfillta arkitektonike, të cilave do të duhej t’iu paraprinin detyra projektuese me objektiva dhe vizion të qartë arkitektonik. Si rezultat i kësaj qasjeje institucionale, këto hapësira publike janë trajtuar parcialisht, pa dizajn adekuat urban, ku mungon po ashtu trajtimi i mirëfilltë i arkitekturës së peizazhit, ku nuk ekziston ndërlidhje e dizajnit urban mes këtyre hapësirave publike dhe ku nuk  trajtohen në mënyrë adekuate edhe ndërtesat dhe përmbajtjet tjera, të cilat i rrethojnë ato hapësira publike.

Së fundmi, qeverisja e kryeqytetit ka vendosur për jetësimin e planit rregullues të një pjese të qendrës së kryeqytetit, ku parashihet që hapësira e rrugës nga ndërtesa e katedrales “Nënë Tereza” deri të sheshi “Zahir Pajaziti” të jetë shesh publik. Në këtë mënyrë, Prishtinës do t’i krijohet një hapësire publike e mirëfilltë nga ndërtesa e Katedrales e deri tek Kuvendi i Kosovës, me synimin që pas ndërtimit të rrugës nëntokësore në rrugën “Agim Ramadani”, kjo hapësirë publike të vazhdojë deri tek pjesa e qytetit të vjetër të Prishtinës. Po ashtu, do të ketë mundësi që bulevardi të vazhdojë të ndërlidhet edhe me rrugën “Garibaldi” deri tek ndërtesa e Bankës Qendore të Kosovës. Dhe, kështu bashkë me parkun e gjelbëruar të hapësirës së Kampusit Universitar dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Prishtina e ka shansin e jashtëzakonshëm të krijimit të një hapësire të mirëfilltë publike, ku do të integroheshin vlerat origjinale arkitektonike e urbanistike, arkitektura e peisazhit dhe trajtimi bashkëkohor i të kaluarës sonë historike. 

Mbi të gjitha, në hapësirat publike të kryeqytetit tonë, nuk është trajtuar në mënyrë të mirëfilltë as e kaluara jonë historike. Prishtinës, si kryeqytet i shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës, për të cilin shtet u sakrifikua bashkë më familjen dhe bashkëvendësit e tij, edhe 23 vite pas çlirimit i mungon memoriali i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri me 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz. Ashtu siç e kam thënë në korrik të vitit të kaluar përmes një shkrimi autorial, ky memorial përveçse do të shpërfaqte figurën e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, ai duhet të jetë monument gjithëpërfshirës ku duhet të paraqitet flijimi i të gjithë familjarëve të ngushtë, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz.

Madhështia e Epopesë së Jasharajve qëndron pikërisht në faktin se kanë rënë heroikisht tri gjenerata: ka rënë heroikisht komandanti legjendar, vëllai i tij, babai e nëna, bashkëshortja dhe fëmijët e tij e vëllezërve, bashkëshortet e vëllezërve, daja i komandantit, kanë rënë prindërit e luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, Musa e Sahit Jashari, dhe bashkëluftëtarët tjerë. Prandaj, duhet te ketë monument të të gjithë Jasharajve të flijuar për lirinë e Kosovës. Është rast unikat në histori, kur në një betejë bien heroikisht duke luftuar komandanti legjendar i një ushtrie çlirimtare bashkë me familjen e tij. Prandaj, e gjithë kjo histori e sakrificës dhe e flijimit duhet të përjetësohet ashtu siç ka ndodhur, në mënyrë të vërtetë. 

Sipas mendimit tim, memoriali i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij duhet të planifikohet e të ndërtohet në një lokacion adekuat urbanistik brenda hapësirës së bulevardit “Nënë Tereza”, në hapësirën e fillimit të këtij bulevardi. Ndërtimi i memorialit në lokacionin e përmendores së “Vëllazërim-bashkimit” nuk është aspak ide e mirë, madje ide shumë tendencioze, për arsye se ajo përmendore është dëshmi e një koncepti antihistorik në bazë të të cilit ka ndodhur edhe gjenocidi i regjimit serb në Kosovë. Përmendorja e treshtyllëshe e “vëllazërim-bashkimit” ashtu siç ka propozuar ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së e veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, duhet të shndërrohet në Përmendore të gjenocidit shtetëror serb në Kosovë. 

 Ndërtimi i memorialit të Adem Jasharit e familjes së tij në atë hapësirë publike është fyerje për historinë e sakrificës së komandantit Adem Jashari e familjes së tij, është fyerje për Kosovën. Prandaj, memoriali i Adem Jasharit duhet ndërtuar në fillim të bulevardit “Nënë Tereza”, në një vend qëndror i cili do të përcaktohet pas një analize gjithëpërfshirëse përmes një konkursi ndërkombëtar.

Për më tepër, mendoj se brenda hapësirës së bulevardit kryesor të kryeqytetit dhe hapësirës publike të kampusit universitar duhet planifikuar edhe sheshi dhe shtatorja e simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, memoriali i veprimtarit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, shtatorja e veprimtarit të dalluar kombëtar, profesorit Ukshin Hoti, shtatorja e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci, si dhe të evidentohen në mënyrë adekuate edhe vendndodhja e ndërtesës së gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, e cila është rrënuar padrejtësisht duke shembur një kujtesë kolektive të një historie të edukimit në frymën e rezistencës për çlirim, të evidentohet me pllakë rikujtimi edhe druri ku udhëheqësi i dalluar i lëvizjes sonë kombëtare, Hydajet Hyseni i është drejtuar demonstruesve të vitit 1981, të evidentohen edhe ngjarjet e mëvonshme që kanë ndodhur brenda hapësirës së bulevardit “Nënë Tereza” siç janë demonstratat e fundviteve ’80-të dhe ’90-të. Duhet potencuar, se edhe ideja e promovuar së fundmi e skulpturës së rezistencës së veçantë të z.Faik Rexhepi në hapësirën e sheshit “Zahir Pajaziti” është për t’u përshëndetur. Por, duhet të kihet kujdes në origjinalitetin e skulpturës, në mënyrë që të ndërtohet skulptura në mënyrë sa më profesionale dhe origjinale.

Si përmbledhje, dua të propozoj që hapësira publike e gjithë bulevardit “Nënë Tereza” nga fillimi në fund, duke përfshirë edhe hapësirën publike të kampusit universitar duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes një konkursi të mirëfilltë ndërkombëtar arkitektonik. Përmes një detyre projektuese të përgatitur në mënyrë profesionale, që do të ishte bazë e shpalljes së konkursit arkitektonik e urbanistik të hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, ky konkurs do të duhej të trajtonte: dizajnin urban të gjithë bulevardit, arkitekturën e peizazhit dhe në mënyrë të veçantë të kaluarën historike të rezistencës për liri. Brenda detyrës projektuese të konkursit të parashihet edhe kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, kërkesa për projektimin e sheshit të memorialit të simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, sheshit të memorialit të udhëheqësit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, sheshin e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës Ejup Statovci dhe ngjarjeve të tjera me rëndësi historike e kulturore për Kosovën.

Pas përzgjedhjes së fituesit të këtij konkursi arkitektonik dhe urbanistik të të gjithë hapësirës publike qendrore të kryeqytetit, nga ky konkurs do të duhet të rrjedhnin edhe konkurset e veçanta arkitektonike për Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij, anëtarëve tjerë të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve të rënë në Epopenë e UÇK-së dhe konkurset tjera për udhëheqësit e lëvizjës sonë kombëtare, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti, rektorit Ejup Statovci, etj.
Është me rëndësi të theksohet se në të gjitha konkurset për memorialët, duhet potencuar objektivi dhe vizioni për memorialë bashkëkohor, me qëllim që duke prezantuar në mënyrë sa më humane sakrificën, flijimin dhe kontributin për liri, të dizajnohen e të ndërtohen memorialë me vlera origjinale arkitektonike, artistike dhe skulpturore, të cilat do të ishin unike në historinë e arkitekturës e të skulpturës botërore, pra memorialë që do t’i mbijetonin kohës  dhe që do t’ia rrisnin vlerën dhe kuptimin hapësirës publike. Në asnjë mënyrë nuk duhet kopjuar qasja e projektit megaloman të shtatoreve të Shkupit, i cili projekt është kritikuar gjerësisht nga mediat botërore si një projekt i shtrembërimit të historisë dhe i kiçit. 

Është momenti i fundit, që Prishtina të këtë hapësirën e duhur publike me vlera të mirëfillta arkitektonike, e cila do t’ia jepte Prishtinës përfundimisht vulën e një kryeqyteti bashkëkohor.

Filed Under: ESSE

LE MATIN (1921) / DEPUTETI FRANCEZ JUSTIN GODART : LIDHJA E KOMBEVE U ZMBRAPS PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE PËR MBROJTJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE. ÇFARË DOBËSIE!

December 5, 2022 by s p


Justin Godart (1871 – 1956)
Justin Godart (1871 – 1956)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Dhjetor 2022

“Le Matin” ka botuar, të premten e 1 korrikut 1921, në ballinë, një shkrim në lidhje me zemërimin e deptutetit francez Justin Godart ndaj Lidhjes së Kombeve si arsye e mos mbrojtjes së çështjes shqiptare, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një dobësi e Lidhjes së Kombeve

Shqipëria është viktimë e një mohimi të drejtësisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shqipëria, anëtare e Lidhjes së Kombeve, i nënshtroi kësaj të fundit, në përputhje me paktin, konfliktin serioz që ekziston mes saj, Serbisë dhe Greqisë.

Serbia ka pushtuar në fakt një pjesë të Shqipërisë. Në të gjitha qytetet e Shqipërisë pashë mijëra refugjatë në skamje të plotë.

Duke u parashtruar këto fakte, mjerisht të padiskutueshme, duke vënë në dukje nga ana tjetër cenimet dhe kërcënimet greke që prishin qetësinë e Shqipërisë së Jugut dhe tentojnë të insinuojnë një konflikt, Shqipëria i kërkoi Lidhjes së Kombeve të merret me të gjitha problemet që mund të shtrohen në lidhje me kufijtë e saj, për të vënë në një dukje pasiguritë, sigurisht dëmtuese për paqen, aty ku ajo gjendet.

Pakti e parashikon këtë rast në nenin 15 të tij. Nëse, siç thotë, lind një mosmarrëveshje që “mund të çojë në një prishje” midis anëtarëve të Lidhjes së Kombeve, ajo paraqitet para Këshillit të Lidhjes. “Për këtë, mjafton që njëri prej tyre të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm për këtë mosmarrëveshje, i cili do të marrë të gjitha masat për një hetim dhe shqyrtim të plotë.”

Prandaj procedura shqiptare ishte e rregullt. Çështja ka dalë para Këshillit më 25 të këtij muaji. Çfarë ka vendosur ai?

Ja :

“Këshilli i Lidhjes së Kombeve është njoftuar se Konferenca e Ambasadorëve është thirrur për çështjen shqiptare dhe se po diskuton për të në këtë moment. Në këto kushte, Këshilli i Lidhjes së Kombeve beson se nuk ka asnjë arsye për ta thirrur atë në të njëjtën kohë.”

Unë pohoj se Këshilli i Lidhjes së Kombeve është keqinformuar. Nëse është e vërtetë që një shtet ka thirrur konferencën e ambasadorëve, kjo e fundit nuk është marrë ende me shqyrtimin e çështjes shqiptare. “Ajo është duke diskutuar për këtë tani,” tha këshilli. Kjo është e pasaktë.

Është e rëndë që të formulohet një mohim (përgenjështrim) i tillë.

Por pavlefshmëria e vërtetë e vendimit të këshillit qëndron në mohimin e drejtësisë që ajo kundërshton ndaj Shqipërisë. Nuk ka dyshim se kompetenca e Konferencës së Ambasadorëve është e pasaktë, se ajo e Lidhjes së Kombeve është më formale, më e gjerë, duke shkuar, sidomos kur bëhet fjalë për një prej anëtarëve të saj, te fuqia evokuese. Dhe mohimi i drejtësisë shfaqet më i frikshëm kur e dimë se, para konferencës së ambasadorëve, Shqipëria nuk është e pranishme, se kjo konferencë merr vendime me dyer të mbyllura.

Kështu, ja një popull që e çon çështjen e tij para institucionit të lartë ndërkombëtar të cilit i përket. Ai dëshiron që fati i tij të zgjidhet në mes të ditës. Ai evokon paktin në të cilin ai u pranua t’i përmbahej. Ai dëshiron që zëri i tij të dëgjohet si ai i armiqve të tij.

Negociata dhe compromise

Ai dërgohet mbrapsht, duke përmendur një pretekst të gabuar, në një konferencë nga e cila ai është i përjashtuar, por ku ulen kundërshtarët e tij. Ai kerkonte të drejtën e tij, ai u la në negociata dhe kompromise pa publicitet. Lidhja e Kombeve e braktis atë dhe e braktis vetveten.

A nuk është pak poshtëruese, kur kishim ëndërruar që një Lidhje e Kombeve të mbante një qëndrim të qartë, të pranonte përgjegjësitë e saj, të lexonim këtë paragrafin e fundit në vendimin e këshillit :

“Këshilli shpreh dëshirën që në interes të paqësimit të përgjithshëm dhe zhvillimit normal të Shqipërisë, Konferenca e Ambasadorëve të marrë vendimin sa më shpejt të jetë e mundur.”

Mendoj se këshilli mund të kishte shkurtuar afatet duke vendosur vetë.

Shqipëria nuk mund t’i përkulet një dështimi të tillë dhe ata që punojnë me pasion për zhvillimin e Lidhjes së Kombeve nuk mund të lejojnë që një pranim i tillë dobësie nga ana e këshillit të kalojë pa protesta. Asambleja e Lidhjes së Kombeve do të jetë gjyqtare, me shpresë, sepse Shqipëria ka të drejtë ta thërrasë atë drejtpërdrejt.

Për fat të keq, këto janë ende vonesa! Kush e di se çfarë do të ndodhë për sa kohë të zgjasin shtyrjet e saj?

Suksesi i taktikës greke që rezultoi me shpërdorimin e këshillit do t’i japë popullit të Konstandinit pak më shumë paturpësi dhe do ta nxisë atë të provojë një mashtrim të keq kundër Shqipërisë. A nuk është për t’u frikësuar se grekët do të kërkojnë një fitore më të lehtë, besojnë ata, atje se gjetkë, në Shqipërinë e Jugut, ku tashmë, në vitin 1914, ata kanë grumbulluar gërmadhat.

Për këtë, do të ishte përgjegjës Këshilli i Lidhjes së Kombeve.

Ai ka qenë i vetëdijshëm për rrezikun që theksojmë, ndërsa është zmbrapsur përpara aksionit që do të ndërmerrej për largimin e tij përfundimisht.

Ai i angazhoi palët për paqe, deklaroi se i kushtoi “mbrojtjes së popullatës dhe kombit shqiptar gjithë vëmendjen e tij”. Çfarë vlejnë këto rekomandime dhe deklarata në një dokument që, nga ana tjetër, dëmton aq shumë popullin shqiptar dhe shfaq një shqetësim të tillë për të shkarkuar te të tjerët një kujdes të tillë për të zgjidhur një çështje të vështirë? A do ta ndalin Konstandinin, i cili mund të përgatisë një ofensivë të guximshme kundër disa fshatrave shqiptare për t’i dhënë pak shkëlqim armëve të tij? A do të lejojnë që 40 mijë shqiptarët e përzënë nga toka e tyre nga serbët të shkojnë e të rifillojnë punën e tyre, në tokën e të moshuarve të tyre.

Nuk do të duheshin shumë vendime si ky që sapo analizuam për të dekurajuar miqtë, jo shumë të shumtë, të Lidhjes së Kombeve.

Justin Godart,

deputet,

ish-nënsekretar i shtetit

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • 148
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT