Frano Kulli
Dje e dëgjova se, për agresorin që me 6 dhjetor, në mesditë, goditi zotin Sali Berisha, duhen jo më pak se 40 ditë të vertetohej nëse ai është një i çmendur ose jo. Dhe i gjithë debati përreth atij akti të shëmtuar e të rëndë fort, të asaj dite, përsillet aty në atë qerthull fjalësh. Është a nuk është i çmendur agresori ! Mirëpo, duke e ditë se çudija më e madhe në këtë vend zgjat vetëm tri ditë, në mos ndodhtë kështu, siç ka ndodhë gjitherë ndër ne, synimi ka qenë i qartë: ngjarja, sa më shpejt të bëhet e paqenë. E të vijojnë masandej pa u ndalë tam-tamet e festës së mikpritjes, që prijësi e ka kuruar me duar e veta…
Në të vërtetë dy pamjet e mesditës së 6 dhjetorit në Tiranë, janë dy pamje në një. Edhe pse krejt të përkundërta; njëra pamje festive mikpritjeje e mirëpritjeje të prijësve të Europës dhe tjetra e një dhune ektreme mbi udhëheqësin e opozitës, themeluesit të saj qyshse opozita politike ka rilindë mbas një gjysë shekulli diktaturë, në fillim vitet ’90.
Janë dy pjesë të së njëjtës, jo vetëm pse ndodhën në të të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në kryeqytetin e Shqipërisë, jo vetëm se ndodhën, në fakt në dy perimetra të skicuar e të rrethuar në mënyra të ndyshme, po në të njëjtën sipërfaqe të qendrës së Tiranës. Por përmbi këto, janë dy ngjarje, që hamendësimi edhe më i largët mundet me i bashkëngjitë. Dhe aspak “deus ex machina”, po në njëfarë mënyre, vetvetishëm.
Vetvetishëm, sepse, klima e gjithherëshme politike, por sidomos kjo e kohëve të fundit, gjithçka lëviz në atmosferën e saj, me shumë ré e me pak kthjellësi, këtë mundet me sjellë. “Moti i mirë duket në mëngjes”. Shqipëria politike është në pikën e saj të një demokracie të shpartalluar. Qeveria dhe opozita janë vite drite larg në galaktikën e bashkëekzistencës, domethanë e pranimit të njera-tjetrës, e pranimit të të ndryshmëve, të mendësive dhe të koncepteve të ndryshme. Sepse në këtë mes është prishur e gati asgjësuar forca rregullatore përbashkuese – vota e lirë. Votuesit shqiptarë, pra populli ka në dorë “çelsat e kashtës” të ngrehinës së demokracisë. Prijësi i pushtetit është prijësi i Shqipërisë; ai që prin gjithçka në këtë vend, atë që i takon të prijë e atë që s’i takon të prijë. Vret e pret përditë, sa i ha krahu. Me fjalë, më së pari; se ka do kohë që atij fjala i rrjedh si përrua (…). Po, thonë se ” gjuha [fjala pra] kocka s’ka po kocka thyen”. E kështu, përroi i psikikës rrjedh fjalë e fjala bëhet dinamit. Dinamit që shemb hotelin e të pasurit, fermanin për të cilin vetë e ka pasë dhënë, njësoj si jerevinë [kthinën] e të vorfnit pa hak e hile, shemb teatrin gati shekullor të kryeqytetit dhe ngre përreth kulla plot mister të lavdisë së shtatlartësisë së vet…
E rinia turitet e rinia ikë. Për më mirë i merr rrugët e botës, pa u zorit se len këtu vjetërsi. Prindër të vjetër e mendësi të vjetra, ende të paçliruar prej reminishencave të diktaturës. Dhe prijësat e çmendur në lumninë e vet, në ekstazën e ethëshme të sundimit prej trashëgimisë së etërve të vet. E prej saj, tash kërkohet një i çmendur që të godasë me grusht kundërshtinë e mizorisë. Opozitën, që prijësi e don të paqenë. Se kështu populli i sunduar sundohet ma lehtë. Sidomos në një ditë që sytë e Europës janë këtu, ndër ne e midis nesh. Edhe pse Europa, siç po duket, ma së pari pëlqeka shfaqjet tona të zbukuruara që udhëheqësíja luan sesa thelbin e funksionimit të shoqërisë sonë, sesa u zoritka për qeverisjen që qelbet në korrupsion e nivelin e demokracisë së saj që është ulëritës. Prijësi e ka kuptuar heret se ç’duan ata dhe, me zotësi e bukuri që vret e shpërfaq atë. Hipur mbi supet e një populli, i cili përkujdesjen për vehte e për të drejtat e tij në rrugën e demokracisë, ia ka dorzue dëshpërimit. Dhe ky ritëm i ecjes sonë po i ka dehur e po i çmend prijësit tanë, sundimtarët tanë, që vetë i gradojmë si të tillë. Tashma ata nuk njohin zgjedhës e as popull që ka tagrin përmbi ta. Që, gjasme i zgjedh si shërbyes dhe më shpejt se të zgjidhen bëhen sundimtarë. Sundimtarët tanë, që ne na bëjnë të marrë…E ne nuk zemrohemi. Kemi harruar se duhet të zemrohemi fort derisa t’i rrëzojmë ata. Ata e ata, derisa të kemi gjetë shërbyesit e administrimit të jetës sonë e të prosperitetit tonë. E jo të ikim, nga sytë këmbët e t’i lëmë fatet tona në dorë të prijësve që çmenden. E çmenduria e tyre të na rraskapisë jetën tonë.