• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TREGIMTARI I HESHTUR

August 10, 2022 by s p

(Homazh)

..Vdiq aq thjesht. Pothuaj aq thjesht sa pat jetuar. Aq sa dhe sot pas kaq vitesh, nuk e besoj se ka ndrruar jetë. ..

…E kujtoj, dhe në çastin e parë të përfytyrimit, më duket se e kam diku këtu pranë në Lushnje a Itali, në një qytet të vogël, ku shkoi pas të birit që emigroi…

…Dhe do e takoj e do flasim gjatë për tregimet e tij të ardhme

Shkruajti dhe dy romane të mirë. Aq pati kohë të bënte

Po mua më mbeti në mend si tregimtar. Sepse tregimet e tij më pēlqenin shumë. Ndofta edhe sepse jeta e tij e thjeshtë, mbeti a zgjati pothuaj sa për një tregim…

..,Sesi do më dukej të thosha si roman. Sikur do fyeja modestinë e tij…E jetës së tij…

…Kaloi vite të gjatë jete të nënshtruar në Lushnje…Aso kohe. Si shumë të tjerë. Si edhe ne…

…Mê patën thënë mbaroi, në një spital të vogël…atje…në Itali. Pa e marrë vesh kush, ndër ne miqtë e të njohurit, se kish qenë sëmurë.

Më vonë më kish thënë i biri se nuk pat vuajtur gjatë. Nj lloj kanceri galopant…

Po ai i pat dhënë me gjasë, ndopak modesti edhe sëmundjes së madhe…

…Ky ishte ndër ata njerëz që nuk shtirej si modest

E pat modestinë brenda si në fytyrë e sjellje, edhe në gjithë atë qē bëri…Ato që la pas e ato që pësoi( pat bërë edhe ca kohë burg. I pandjerë edhe për këtë, kur erdhi koha e ca të tjerë rrihnin gjokse për vuajtje…)

…Nuk pretendoi kurrë para, lavdi……nuk nguli këmbë me kërkënd t’i mbushte mendjen se kish shkruar tregime vërtet të mira. Sado që i kish vërtet shumë të mira. Më të mira se të shumicës së atyre që pretendojnë se janë shkrimtarë, po e po.

..Po i kishte të mira në vetvete.Pa pasur nevojë për krahasime. Kritikë letrare a lëvdime…

…Për ata që si edhe unë (mësues atje) e patën njohur dikur në Lushnje, aty ku jetoi më gjatë, më ndjehet se….Kujtimi i tij do të mbetet si ai i i një guri të vogël modest por të çmuar, fshehur nga a mes gurësh të tjerë të zakonshëm që e pengonin t’i dukej ndrićimi…

…E që pak kush mori mundimin e as u kujdes t’ja largonte ata gurë sadopak, për ta nxjerrë më në pah në dritë.

Qê ta lejonte së paku, të reflektonte ndriçimin e tij…faqe diellit…Ai vetë kurrë nuk e kërkoi këtë

Mbeti mbuluar një jetë të tërë pothuaj…

…Le që kjo është e zakonshme ndër ne. Njerëzit tek ne, i lodhin dritat a ndriçimet. Njerêzve u janë mësuar sytë për kohra të gjata në terr…

..E quanin Halil Jaçellari. Dritë e ndriçim pastë aty ku të jetë…

Prof. Dr. Ylli Pango

Filed Under: ESSE

Përpjekjet sovraniste të Kosovës më tepër përputhen me Washingtonin se sa me Brukselin

August 8, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Përpjekjet sovraniste të Kosovës duhet të shkojnë në harmoni me mbështetjen që vjen nga qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Nga ajo çka mund të shihet deri më tani, këto përpjekje më tepër po përputhen me qëndrimet e Washingtonit, e më pak të Brukselit. Nëse vazhdon kështu, atëherë Kosova duhet të këmbëngulë që procesin e dialogut me Serbinë, në aspektin e ndërmjetësimit, në të ardhmen ta udhëheqin amerikanët, si garancë e vetme e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Kosova vazhdon t’i vuaj pasojat e mos mbylljes së problemeve të hapura me Serbinë. Tash më është konfirmuar që më 18 gusht në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Njohësit e rrethanave politike thonë se ky takim është simbolik dhe nuk presin zhvillime të reja.

Por, porositë e fundit nga Washingtoni japin sinjale se procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet patjetër të përmbyllet me disa të arritura, në mesin e të cilave edhe formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Kjo është edhe porosia e Bruxelit, ndonëse në thelb ndryshojnë qëndrimet nga Washingtoni sa i përket mënyrës së formimit të kësaj Bashkësie.

Ditë më parë i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Escobar tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit në takimin e 18 gushtit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, që të mos bie ndesh me ligjet dhe shtoi se SHBA pret që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, theksoi ai.

Megjithatë një mendim pak më ndryshe e ka shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell i cili ka thënë se Bashkimi Evropian insiston që Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumice serbe sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Po ashtu, Borrell është shprehur se BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme.

“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë. Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet në pritje, si dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme të rëndësishme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është vendimtare për rrugën e tyre evropiane”, theksoi Borrell për televizionin N1.

Ai shtoi se “plotësimi i nevojave të komunitetit pakicë serb në Kosovë është i një rëndësie të madhe për BE-në në Kosovë” dhe se Brukseli po monitoron me kujdes zhvillimin e situatës në ato zona.

“EULEX-i mbështet në mënyrë aktive institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, duke përfshirë përpjekjet e tyre për të hetuar incidentet e sigurisë në lidhje me objektet fetare dhe kulturore. BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, tha Borell.

Pra, zyrtari i lartë i Brukselit, Borreli, askund nuk e përmend sovranitetin e Kosovës, i cili duhet të garantohet me Kushtetutë dhe insistimi i tij për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa i përfillur rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila i hodhi poshtë disa nene të projekt-ligjit për formimin e këtij Asociacioni, tregon se qasja e BE-së dhe e SHBA tani për tani ndryshon sa i përket disa çështjeve të nxehta në raportet Kosovë-Serbi.

A është e rastësishme kjo disonancë Bruksel-Washington, apo këto dy qendra vendimmarrëse po luajnë rolin e “policit të mirë dhe të keq”, me qëllim të arritjes së një produkti final diplomatik ku në fokus do të ishte Marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e arritur me disa kompromise.

Kur jemi te kompromiset, Kosova dhe Serbia kanë qasje krejt të ndryshme ndaj kuptimit të kësaj fjale, ndërkohë që Brukseli e Washingtoni, nga ana tjetër, me kompromis nënkuptojnë heqjen dorë nga ambicjet makismaliste të të dyja palëve dhe gjetjen e një mesatareje në listen e kërkesave politike.

Deri më tani diplomacia evropiane dhe amerikane janë munduar t’i dakordojnë qëndrimet sa i përket nevojës së arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi, që do të rezultonte me njohje reciproke, por me disa modalitete e nuanca që dallojnë për nga karakteri i vëzhgimit të situatës ashtu edhe për nga përmbajtja e porosive.

Tash së fundmi dolën në sipërfaqe shenjat e para të kësaj disonance në mes të Brukselit dhe Washingtonit dhe ky është një hap vendimtar i diplomacisë ndërkombëtare për të imponuar qëndrimet e saj në tryezën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nëse kthehemi në retrospective, do të shohim se Kosova në aspektin e legjitimimit ndërkombëtar të kërkesave të saj, duke filluar nga GJND dhe vendimi i saj në favor të Kosovës e deri qëndrimet e fundit të emisarit amerikan Escobar, ka një bazë të shëndoshë për të këmbëngulur në mbrojtjen e sovranitetit të saj juridik e territorial. Prandaj kjo këmbëngulje nuk do të duhej të lexohej si mungesë sensi për kompromise nga ana e Kosovës, aq më tepër kur shteti ynë me asgjë nuk kërcënon sigurinë dhe stabilitetin rajonal, siç po ndodhë me Serbinë. Kjo e fundit në vend të gjuhës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, ka zgjedhur gjuhën e provokimit, madje edhe përmes veprimeve konkrete të grupeve kriminale që inskenojnë incidente të armatosura në kufinjt verior të Kosovës.

Nëse Kosova me asgjë nuk provokon destabilitet, por përkundrazi po mbrohet nga sulmet dhe barrikadat serbe, dhe me këtë po mbron sovranitetin e saj, kjo do të ishte e mjaftueshme për diplomacinë ndërkombëtare që të “ekzaminojë” saktësisht shkaktarët e krizës, duke kërkuar nga Serbia përgjegjshmëri më të madhe për veprimet destabilizuese që po i ndërmerr ndaj Kosovës.

Një segment tjetër i këtij “ekzaminimi” do të ishte edhe ndërmarrja e masve konkrete nga ana e BE-së dhe SHBA-ve kundër strukturave agjenturore ruso-serbe që po manovojnë në pjesë të caktuara të Kosovës. Tolerimi i këtyre strukturave, është drejpërdrejt e lidhur me (pa)sigurinë e Kosovës dhe të rajonit, prandaj në raportet e ardhshme të Brukselit dhe Washingtonit duhet të qartësohen përgjegjësit dhe stimuluesit e këtyre strukturave, të cilat si cak final kanë disfunksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo mund të jetë edhe një nga arsyet kryesore që Kosovës duhet t’i jepet shansi që të zhvillohet si shtet i fuqishëm, me të gjitha atributet e shtendërtimit dhe ligjzbatimit.

Me këtë edhe përpjekjet sovraniste të Kosovës duhet të shkojnë në harmoni me mbështetjen që vjen nga qendrat ndërkombëtare të vendimarrjes. Nga ajo çka mund të shihet deri më tani, këto përpjekje më tepër po përputhen me qëndrimet e Washingtonit, e më pak të Brukselit. Kjo edhe për faktin se në kierarkinë politike e diplomatike të BE-së ka plot zyrtarë të lartë që vijnë nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës, dhe kjo ka shkaktuar jo pak probleme në procesimin e drejt të raporteve me Serbinë.

Nëse vazhdon kështu, atëherë Kosova duhet të këmbëngulë që procesin e dialogut me Serbinë, në aspektin e ndërmjetësimit, në të ardhmen ta udhëheqin amerikanët, si garancë e vetme e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Filed Under: ESSE

FARI I ARBЁRISË

August 6, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………” – Fan S. Noli.

Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.

Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…

Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.

Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të shtohet asgjë.

I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.

Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.

Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.

Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.

Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.

Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.

Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.

Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.

“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.

Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.

Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.

Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.

Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.

Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Reposh, që kishte vdekur si murg në manastirin e Hilandarit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,

.Për shumë kohë, thellë në vetvete, kishte ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.

Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….

Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej i tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.

Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.

Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?

Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Baderën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.

Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.

Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….

Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që lindi gjashtëqind vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

Statuja…

August 5, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Statujat shpesh pasqyrojnë herojnë të rremë, por edhe vjedhje. Maqedonasit akuzohen për vjedhje të historisë maqedonase. Si mund të vjedhin atë që është e tyre? – do të pyesësh. Maqedonasit nuk vjedhin historinë maqedonase. “Maqedonasit” e veriut janë. Ata gjithashtu pëlqejnë për vete edhe një pjesë të historisë helene, shqiptare, bullgare aty-këtu, duke zhvilluar një obsesion unik me historinë e lashtë të Aleksandrit të Madh. Ajo histori nuk është e tyre, nuk ka qenë kurrë, dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht. Sa i përket mënyrës se si përpiqen ta bëjnë këtë, ata janë disi krijues që përpiqen të legjitimojnë pretendimet e tyre.

Duke e mbyshur sheshin me statuja.

Të gdhëndësh një gur në një person nuk është mënyrë shumë bindëse për ta shpallur atë “maqedonas”, por detajet e vogla nuk janë shqetësimi i tyre. Duhet të duket madhështore.

Sa më shumë statuja. Kjo i bën homazhe atij që aspironte të ishte Aleksandër i Maqedonisë, por në pllakë shkruhet se i përket të tjerëve.

Nuk jeni të bindur nga statujat apo deklaratat e dukshme? Askush nuk është. Pa djersë, ata kanë mjete të tjera në dispozicion. Nëse nuk mund të provoni diçka, thjesht gënjeni. Gjithsesi, kjo është filozofia e treguar për të huajt. Një libër në Amazon apo faqe në internet e shpjegon atë nga këndvështrimi i një pale të tretë, një më pak i ngarkuar emocionalisht me këtë çështje.

Gënjejnë turistët, gënjejnë studiuesit, gënjejnë të gjithë. Pse të shqetësoheni për të krijuar diçka kur thjesht mund të gënjeni për të dhe të përpiqeni t’u tregoni të tjerëve se është e kaluara juaj. Kjo është metoda e zakonshme. Gjeni diçka greke, ilire, përdhosni, quani diçka që nuk është.

Gënjeshtrat janë të këqija.

Çfarëdo droge përdorin njerëzit që shkruajnë këtë version të historisë, janë të këqij. Si e dimë që ata gënjejnë? Lehtë; kur versioni i tyre i ngjarjeve është i ndryshëm nga ai i të gjithë të tjerëve. Por një gënjeshtar nuk mund të duket shumë i çmendur, e vërteta duhet të “ndryshohet” që gënjeshtrat të funksionojnë.

Injorimi i pjesëve të të gjithë figurës me qëllim. Shihni, dy statujat, janë disi lehtësisht të dallueshëm, duke pasur parasysh se jetët e tyre ishin të dokumentuara mjaft mirë për kohët e vjetra. Pyesni Cezarin. Le të pyesim vetë Aleksandrin për identitetin e tij.

“Paraardhësit tuaj erdhën në Maqedoni dhe në pjesën tjetër të Hellas dhe na bënë dëm të madh, megjithëse nuk i kishim bërë asnjë lëndim më parë. Unë jam emëruar udhëheqës i grekëve dhe duke dashur të ndëshkoj persët, kam ardhur në Azi, të cilën e mora nga ju” (Letra e Aleksandrit drejtuar mbretit persian Darius III të Persisë në përgjigje të një lutjeje për armëpushim, siç citohet në Anabasis).

Duket sikur ai i konsideron maqedonasit grekë. Unë do të imagjinoja se ai do ta dinte, duke qenë fjalë për fjalë Aleksandri i Madh Maqedonisë dhe i gjithë të tjerëve për rreth. Sjell vetëm një supozim.

Statuja në Shkup nuk mashtron askënd. Është ajo që ndodh në Maqedoninë e mirë “të vjetër” të Veriut – vjedhja historike. Një tregim i rremë. Kjo është arsyeja pse njerëzit nuk duan t’u japin mbështetje diplomatike: sepse ky vend fjalë për fjalë përpiqet të heqë një pjesë të trashëgimisë së njerëzve të huaj dhe ta pretendojë atë si të tijën. Kur ju pranoni fjalë për fjalë gënjeshtrat, njerëzit e tjerë thonë se po gënjeni dhe kundërshtojnë riinterpretimin tuaj të vogël të rremë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Dom Ndoc Nikaj

August 4, 2022 by s p

(15.06.1864 – 16.01.1951)

Prof. Ardian Ndreca

Ky vit përkon me 130-vjetorin e krijimit në Shkrel të Malsís së Madhe të “Lidhjes së Mshehtë për Fé e Atdhé” të abat Preng Doçit dhe dom Ndoc Nikës që asokohe ishte famullitar i Shkrelit. Ajo lidhje ishte hapi i parë konkret që përgatiti valën kryengritëse të fillimeve të shekullit të ri, prandaj shpresojmë që ndokush të kujtohet!

Po këtë vit i takon me përkujtue edhe 120-vjetorin e marrjes nga ana e dom Ndoc Nikës të dekoratës dhe çmimit prej 1000 Fr. ar prej Komitetit të Parisit, që përbahej prej Faik Konicës, Aladro Kastriotit, Babatasit, Xhafer Vilës etj. Të hollat u shpenzuen me botue “Historinë e Shqypnís”, dekorata pale se ku ka përfundue!

***

Dom Ndoci kuptoi ma i pari se tashma ishte nevoja e nji tipografie në Shqipni e mbas shumë mundimesh, fill mbas shpalljes së Hyrjetit nxori lejen në Stamboll dhe ç’prej vitit 1910 nuk prani tue botue fletore (gazeta) e libra shqip.

Kur donte me dalë në Europë dom Ndoci shkonte përpara në Stamboll pse prej atje ishte e vështirë me u gjurmue prej anmiqve të çështjes kombtare se ku ishte drejtue e kë donte me takue. Edhe kur ktheu prej Parisit me dy flamuj sa nji çarçaf në vitin 1897 i ra nga Stambolla për me humbë gjurmët dhe flamujt i veshi nën petka mos me ia diktue dogana.

***

Libri i tij i parë asht “Vakinat e Kishës” (1888), mbas tij vjen romani ma i parë shqip “Marcia” (1889) e mandej edhe rreth 20 vepra tjera e nji duzinë me dorëshkrime.

Tregon ai vetë se dy ditë mbasi malazeztë vranë Çerçiz Topullin e Muço Qullin, (akti tejet i shëmtuem bani shumë përshtypje në Shkodër ku ishin strehue disa patriotë toskë), guvernatori Bozho Petroviq e arrestoi dhe dom Ndoci mendoi se mbas propagandës antimalazeze që kishte ba gjithë ato kohë tash po e priste plumbi.

Kur e sollën para dinjitarit pushtues u trimnue e mendoi, humbë se humbë, me iu drejtue i pari Petroviqit tue i thanë pak a shumë: s’e mohoj se jam atdhetar, e due lirinë e vendit tem dhe kam shkrue e veprue kundër jush, gjithçka asht faqe botës, faje tjera s’kam e këto i njehi për merita.

Bozhoja, i afërt i Krajlit, iu drejtue: i di të gjitha, ku me e marrë me i pasë un malazezt aq atdhetar siç je ti – dhe e la të lirë me shkue.

***

Dom Ndoci s’u përzie gjatë Luftës së Dytë botnore, edhe pse fillimi i saj e zuni 75-vjeçar. Mbasi kreu lufta regjimi i ri e shpërbleu veteranin e patriotizmës dhe kulturës shqiptare tue nxjerrë me ceremoni prej gropës së zezë të shtëpisë së tij nji pushkë turkut të ndryshkun e tue ia varë në krah e mandej e shetitën nëpër Shkodër gjoja për ta demaskue. Ishte plak 81 vjeçar. S’mjaftoi kjo por bani burg ku edhe vdiq.

Tue qenë se ishte romancieri i parë dhe emni i tij dilte kudo në 50 vjet aktivitet patriotik e letrar, nuk mundën me e shlye prej historisë së letërsisë, por kurrkush s’e pranoi asnjiherë se qe nji faj i madh me i ra kot në qafë nji personaliteti si ai.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ardian Ndreca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT