• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARA QIVURIT TE MBRETËRESHËS

July 7, 2022 by s p

Nga EUGJEN MERLIKA

( Sikur të kishte mbretëruar… )

Këto ditë shqiptarët kanë rastin të mendojnë pak më gjatë për të shkuarën e tyre e, në një farë mënyre, të pajtohen e të paqtohen me të. Këtë rast ja u jep një qivur që mban trupin pa jetë të një zonje 87 vjeçare, e lindur me emrin Geraldina Aponi në Budapestin e vitit të dytë të luftës së parë botërore. Ajo vajzë, e dalë nga një familje e lashtë fisnikësh maxharë, në moshën njëzet e tre vjeçe u kurorëzua si bashkëshorte e Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu i parë  e, për pasojë, si Mbretëreshë e Shqipërisë.

Në fronin e Mbretërisë më të re të Evropës qëndroi vetëm një vit, mbasi deliri musolinian për të “ringjallur” Perandorinë e lashtë të Romës në kohët moderne solli në Shqipëri ushtritë italiane. Mbreti Zog së bashku me Mbretëreshën lehonë, që dy ditë më parë i kishte dhënë Vendit të adoptuar princin e tij trashëgimtar, u larguan nga froni e nga Shqipëria.

Ajo ditë shënonte fillimin e tragjedisë së madhe që shqiptarët do t’a provonin në shpinën e tyre për më shumë se gjysëm qindvjete. Ajo ditë shënonte për Mbretëreshën e re fillimin e odisesë së gjatë të mërgimit, kësaj plage të lashtë që shpesh ka shoqëruar të mundurit. Shqipëria dhe Familja e saj mbretërore u ndanë për të ecur në drejtime të kundërta, por që të dyja patën në shpirt një brengë të madhe që i shoqëroi në udhët e tyre të gjata. Shqipëria, në të cilën çdo ditë që vinte i kishte zilinë asaj që kalonte, largohej nga rruga e dritës, e lirisë, e përparimit. Mbreti i saj me familjen do të vërtiteshin  nëpër botë, të dënuar pa atdhe e me lëngimin e fatit të tij në zemër.

Duke qëndruar në heshtje, qoftë dhe idealisht para atij qivuri, për të nderuar kujtimin e së ndjerës Mbretëreshë, një zinxhir i gjatë arsyetimesh e hamëndjesh më pushtojnë mëndjen. Përfytyrimi më çon larg, në atë 7 prillin e vitit 1939, një datë e një ngjarje që shënuan një kthesë të fortë në jetën e shqiptarëve e të Vendit të tyre. Sikur ajo kthesë  të mos ishte kryer, sikur Shqipëria të vazhdonte të ecte në drejtimin që kish marrë… si do të ishte tani?          

Duke patur parasysh mirë konceptin se historia nuk shkruhet me sikur dhe nëse, le t’i nënështrohemi një sforcimi të imagjinatës dhe të logjikës historike mbi ngjarje te pandodhura, por potencialisht të mundëshme, sikur Shqipëria e mbretit Zog të vazhdonte normalisht jetën e saj pa traumën e 7 prillit. 

Shqipëria e asaj kohe ishte një Vend me shumë probleme por dhe me shumë perspektiva. Politikisht ajo ishte një Mbretëri e drejtuar nga një klasë politike, në pjesën e saj më të madhe, e formuar në Perandorinë Turke. Si e tillë ajo pasqyronte të gjitha kufizimet e mundëshme, por e drejtuar nga një person në lartësinë e detyrës, nuk ngrinte mure  në mbrojtje të identitetit të saj dhe ishte e hapur ndaj modernizimit dhe liberalizimit të ideve. Si pasojë e ashpërsisë së luftës politike të viteve njëzet, një pjesë e mirë e klasës politike të asaj kohe jetonte në mërgim, në Vende te ndryshme, ku kishte vajtur mbas dështsprovës majtiste të Qeverisë së Nolit. Mbreti Zog kishte shpallur një amnisti, nga e cila përfituan mjaft të mërguar për t’u kthyer. Me kalimin e kohës i gjithë ai kontigjent njerëzish të politikës do të ishte në  Vendin e tij, në shërbim të një dialektike normale, që do të jepte ndihmesën në demokratizimin e plotë të jetës së Vendit.

Sistemi i partive do të funksjononte normalisht, duke pasqyruar rrymat e ndryshme të mendimit politik, por ai nuk paraqiste rrezikun e degjenerimit ekstremist, mbasi istitucioni i mbretërisë garantonte drejtpeshimin dhe pjerrjet fashiste e komuniste nuk gjenin terren lulëzimi. Për vetë formimin shpirtëror të shqiptarëve, të lidhur fort me disa koncepte si atdheu, besa, familja, respekti ndaj pronës, besimit fetar dhe autoritetit, qoftë fisnor e qoftë shtetëror, idetë komuniste do të mbeteshin pronë e pak të rijve, ndikimi i të cilëve do t’ishte i papërfillshëm në shoqërinë shqiptare.

Ky kuadër politik do të bënte të mundur evolucjonin e Vendit drejt modeleve Perëndimore të demokracisë dhe njëkohësisht do të garantonte ripërtëritjen e pandërprerë të sistemit e të klasës së tij drejtuese. Kjo presupozonte një funksjonim normal të istitucioneve të Shtetit, që duke kaluar nga amullia e viteve të para të Pavarësisë e të luftës së pare botërore, kishin bërë një hop cilësor të madh në vitet e fundit të Mbretërisë. Struktura e Shtetit ishte ndërtuar dhe funksjononte, sigurisht jo në formë të përsosur, por në raport me stadin e zhvillimit të Vendit, ishte e qëndrueshme dhe efikase. Me kohë ajo do të pësonte ndryshimet e duhura në përputhje me kërkesat e kohës, do të ripërtërihej me kuadro të reja e të pregatitura në universitetet Perëndimore, që do të garantonin modernizimin e vazhdueshëm, cilësinë dhe qëndrueshmërinë e një aparati administrativ, që nuk do t’ishte instrument vartës i politikës por shërbyes i përhershëm i shoqërisë, i Shtetit, i Kombit. Jo vetëm lidhja me tokën mëmë, por edhe stimujt materialë që Shteti i asaj kohe vinte në dispozicion të të diplomuave jashtë bënin që shumica dërmuese e tyre të kthehej e të shërbente në atdhe, duke rritur kështu numurin e intelektualëve, aqë të domosdoshëm në një Vend që kishte probleme serioze të analfabetizmit.

Në këtë mënyrë vitet dymijë do e gjenin Shqipërinë politikisht një Shtet normal e me autoritet, me zyrtarë të aftë profesionalisht, të shpërblyer në atë masë sa të mos i a kishin zilinë kolegëve të Vendeve të zhvilluara, të ndershëm e të përkushtuar ndaj detyrës, tepër larg modeleve të ngjajshëm të këtij Vendi sot.

E gjithë kjo superstrukturë shtetërore, që në tërësinë e saj do të përfshinte jo vetëm administratën publike por dhe institucionet e drejtësisë, të rendit, të arsimit, të mbrojtjes, të shëndetësisë, të marredhënieve me botën, që në kohën e Mbretërisë kishte krijuar zanafillën e saj, në Shqipërinë pa revolucion e përmbysje me dhunë do të vazhdonte ecjen e përsosjen mbi parime meritash e cilësije. Ajo do të ishte shprehje e një shoqërije të hapur, në garë me shoqëri të tjera fqinje apo më të largëta, do të merrte e do të bënte të sajën përvojën e të tjerëve, pa u kushtëzuar nga delire “madhështije” apo komplekse përulësije.

Kjo shoqëri do të kishte dhe bazën e saj ekonomike, themeli mbi  të cilin do të ngrihej perspektiva e zhvillimit. Shqipëria e dhjetëvjeçarëve të parë të qindvjetës së  njëzetë ishte një Vend i prapambetur ekonomikisht. Perandoria Turke në pesë shekuj sundimi nuk bëri investime prodhuese me karakter industrial në këtë vend, por stimuloi tregëtinë pa kufizime. Me kapitalet e pakta, të fituara nga ky aktivitet, filluan të lindin punishtet e vogla. Një zhvillim të mirë kishte në shoqërinë e asaj kohe dhe zejtariaa. Mbretëria i dha një hov të madh ndërtimit të fabrikave të para të materialeve të ndërtimit apo të industrisë së lehtë dhe ushqimore.

Strategjia ekonomike e Qeverive të Mbretërise synonte shfrytëzimin sa më të arsyeshëm të pasurive potenciale të Vendit, nëpërmjet konçesioneve kapitalit të huaj dhe stimulimin e kapitalit vendas nëpërmjet ligjeve, që garantonin pronën private dhe lehtësonin aktivitetin ekonomik. Përsa i përket pronësisë së tokës, që në një pjesë të konsiderueshme ishte në dorë të pak familjesh bejlerësh, ishte hartuar projekti i një reforme agrare që do t’u jepte mundësi bujqëve argatë pa tokë të kishin mundësinë e pronës së tyre.  

Këshilltarë të kualifikuar të huaj, të thirrur për të dhënë mendimin e tyre mbi rrugët dhe përparësitë e ndryshme të mundësive të zhvillimit, vinin para Qeverisë dhe Mbretit projektet e tyre. Kreditë afatgjata nga Shtetet e huaja, kryesisht Italia dhe forca e monedhës garantonin nga ana financiare këto projekte.

Rendi publik i siguruar më së miri, stabiliteti politik dhe kuadri ligjor i favorshëm për investimet e huaja do të kishin thithur kapitale që do t’a kthenin Shqipërinë në një kantjer të madh ku ritmet e rritjes do të arrinin në   dy shifra. Do të ishin ndërtuar infrastruktura bashkëkohore, qytete me plane rregulluese të studjuara e të respektuara, qendra turistike që do të shfrytëzonin bukuritë e spikatura të natyrës, qoftë alpine ose bregdetare, që do të sillnin në Shqipëri çdo vit qindra mijra e ndofta miliona turistë të huaj.

Ky zhvillim i gjithanshëm i ekonomisë do të kërkonte një masë njerëzish të kualifikuar,të dalë nga rinia shqiptare e pregatitur në shkollat e profileve të ndryshme në Shqipëri e jashtë saj. Ritmet e zhvillimit ishin plotësisht të mundëshme në sajë të kushteve të përgjithëshme të Shqipërisë si një Vend me një nëntokë të pasur, me një reliev natyror të harmonizuar që premtonte një zhvillim  paralel të bujqësisë e të blegtorisë, me një klimë mesdhetare që i vinte në ndihmë atyre dhe bënte të mundur praninë e një pemëtarie shumëllojëshe e prodhimtare, me pyje shekullore e të pafund, me lumenj të shumtë që ishin burime natyrore energjie etj. Të gjitha këto dhurata të natyrës, të administruara nga një sistem shoqëror demokratik, i lirë dhe i hapur, në të cilin njeriu që fëmijë do të edukohej me respektimin e ligjit, të pronës e të punës së ndershme do t’a bënin Shqipërinë e viteve dymijë një Vend normal të zhvilluar, një Zvicër të Ballkanit, siç e ëndërronin ata që u munduan t’i venë themelet.

Shqiptarët sot do të ishin një popull që do të ballafaqohej me problemet normale të një shoqërie të përparuar, si popujt e zhvilluar të Kontinentit. Nuk do të kishin patur asnjë arsye të merrnin rrugët e Evropës e të botës për t’u bërë shërbëtorë, trafikantë e prostituta, do të ruanin krenarinë e fisnikërinë e rracës së tyre në Vendin e tyre, që do t’i siguronte secilit , simbas aftësive, një të ardhme të sigurtë…Në truallin e lirë të tyre do të lulëzonte kulti i një kulture autoktone e në ballafaqim me atë të popujve të tjerë, kulturë e një shoqërie të lirë, pa kufizime, dogma, ideologjira e paragjykime, kulturë që do të respektonte e do të çonte më tej traditat më të mira të së shkuarës së këtij populli.

Në gjithë këtë kuadër do të kishte dhënë ndihmesën e Saj Mbretëresha Gjeraldinë me kulturën e Saj, me mendësinë e përparuar Perëndimore, me frymën liberale të koncepteve të Sajë për shoqërinë e për Shtetin.

Trupi i Nënës Mbretëreshë do të prehet në tokën shqiptare, kjo qe dëshira e Saj e kjo na gëzon pa masë. Ajo do të përcillet për në banesën e fundit tokësore me nderimet e duhura. I meriton ata nderime, pse në një jetë të vështirë mërgimi u end si gjethja në furtunë, duke patur në zemër fatet e Vendit të burrit të Saj, që u bë vendi i Saj e për të cilin u shpreh: “Jeta ime ka qenë e Shqipërisë.” Por mendoj se ata nderime i përkasin më shumë asaj që Ajo do të kishte bërë për Shqipërinë sikur fati dhe ngjarjet historike t’a kishin lënë në fron.

Sot Shqipëria varros zyrtarisht ish Mbretëreshën e vetme të Shtetit të saj. Eshtë një fakt inkurajues, i pa marrë me mend deri dhjetë vite më parë, një provë se kemi filluar të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë e në ç’udhë duhet të ecim. Shpresojmë e urojmë që të mos jetë i vetmi hap në drejtimin e duhur.

                                                                                                         Tetor 2002                                                                                                     

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

NJË ҀERTIFIKATË PËR POLITIKANËT

July 6, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Para disa ditëve, një shok i imi, më tregoi se kishte qenë tek mjeku specialist i syve (oftamologu), për të marrë një raport mjekësor që të ripërtërijë lejen e vozitjes. Pra, të pajisesh me raport mjekësor që të vozisësh një mjet motorik. Në fakt, kjo, më nxiti të mendoj më thellësisht lidhur me politikanët tanë; dhe më lindi pyetja a do duhej të pajiseshin me raport mjekësor psikiatrik apo neurologjik, politikanët tanë para se të ulen në karrigen drejtuese e merrnin udhëheqje ekzekutive?, disa mund të thonin PO e disa të tjerë JO!.

Kaluan mbi dy dekada vite, që nga paslufta, dhe ne vazhdojmë të sakrifikojmë për JU, duke pritur se po ndryshoni e po e bëni më të mirën për vendin e qytetarët, por jo, ju të papërgjegjëshmit, vazhduat t’a shkatronit ardhëmërinë e vendit për shkak të barkut tuaj të urritur e mendjeve tuaja joracionale e edhe të sëmura. Vitet nëpër të cilat kemi kaluar, kemi parë, dëgjuar e përjetuar lloj-lloj skandalesh si rezultat i paaftësive profesionale dhe vendim-marrjeve kriminale, të këtij apo atij kryetari, të këtij apo atij udhëheqësi institucional. Të gjithë neve, n’a kujtohen mega skandalet që lidheshin me privatizimet; infrastrukturën rrugore; hidrocentralet; vjedhjet në institucione publike; tenderomaninë e deri tek idetë mbi territoret!. E, për të vazhduar me fjalorin ofendues e deningrues, egocentrik e emocional, të përgjithësuar e paragjykues, që e dëgjonim dhe dëgjojmë ҁdo ditë. Për rrjedhojë, në mungesë të një jete normale qytetarët tanë ҁdo ditë ikin nga vendlindjet e tyre sepse pasojat janë afatgjate e nga më të ndryshmet…stagnim ekonomik, ngadalësim reformash në të gjitha dikasteret, për një jetë normale për gjithë, sepse, në politikë hyni gjithëkush e shumëkush, e siҁ thoshte shkrimtari Ali Asllani “hanin e pinin, rëmbenin, mbushnin xhepa e arka, të pabrekë i gjeti dreka, e milioner i zuni darka”!. Ata, që të vetmin profesion kishin “politikën”, me barkun e urritur dhe mendjen e sëmurë, të gjendur në karrigen vendim-marrëse si politikanë, i bënë dëmin vendit. Prandaj, për t’a shpëtuar vendin dhe ardhëmërinë, kryetarë e udhëheqës institucional, para marrjes së detyrës duhet t’i kryejnë kontrollet mjekësore, që të konstatohet, që ata, janë mirë e të aftë, mendërisht e emocionalisht, për të udhëheq me shtetin. Ti politikan, përmes vendim-marrjes tënde, që bënë normativën për një shofer veture t’a bëj kontrollën mjekësore me detyrim; po ti, ti pse nuk kontrollohesh përderisa mban në dorë fatet tona?!

Është shkruar për Adorlf Hitler se kishte patur probleme shëndetësore mendore, i cili niste fronte lufte, e dëmtoheshin fate miliona njerëzish. Poashtu, është shkruar edhe për Slobodan Milosevic e Radovan Karagjic të cilët kishin probleme shëndetësore mendore, të cilët shkaktuan krime kundër njerëzimit e gjenocid. Madje, kur lexon histori politike botërore, has në diktatorë e sundimtarë që kanë sunduar nëpër botë, e që kanë patur probleme shëndetësore mendore që e kanë zhytur botën në gjak.

Kudo e kurdo, që flitet për pluralizmin e demokracinë, për reforma tek pushteti ekzekutiv e gjyqësor si nevojë e kohës; për dekriminalizim tek cilindo dikaster, ajo ҁfarë poashtu duhet, është që mjekët specialist të psikiatrisë e neurologjisë t’u krijohet status ligjor, që me detyrim krerët partiakë e institucional, t’i kontrollojnë e reduktojnë ata me insinuata keqbërëse apo plangprishësat, që po i’a marrin frymën kombit e shtetit. Meqë, e normuar kërkesa për raport mjekësor për lejen e vozitjes, pse të mos e normojmë edhe kërkesën për kontroll mjekësor për krerët institucional e vendim-marrës, të cilët vendosin për fatet e qytetarëve. Tek ne, e në mes nesh, duhet të kultivohet kultura e të bërit politikë me ndjesinë e atdhedashurisë e vetkorigjimit.

Filed Under: ESSE Tagged With: shqiprim pula

NATO, KRYEMINISTRI RAMA DHE LIRIA E SHTYPIT NË SHQIPËRI

July 4, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli 
A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Vetëm pak më shumë se një javë më parë, me një shkrim modest u jam drejtuar ambasadorëve perëndimorë në Tiranë – si një kritikë dhe një parlajamërim të radhës  – sa i përket përkeqësimit të lirisë së medias në Shqipëri, Frank Shkreli: Tepër vonë dhe shumë pak, të nderuar Ambasador në Tiranë    | Gazeta Telegraf – Ja, ditët e fundit, na u shfaq një dukuri tjetër që justifikon edhe një herë shfaqjen e shqetësimeve të mia serioze dhe të gjithë atyre që besojnë në lirinë e shtypit, si një vlerë bazë perëndimore e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut, në një shoqëri siç është Shqipëria, një vend i NATO-s dhe një vend që e quan veten aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e NATO-S që sa po mori fund në Madrid të Spanjës, u morën vendime me rëndësi për transformimin dhe forcimin e Aleancës atlantiko-veriore, vendime të cilat u përmblodhën me këto fjalë nga Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens Stoltenberg: “Vendimet që kemi marrë në Madrid do të sigurojnë që Aleanca jonë të vazhdojë të ruaj paqën, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullin tonë dhe vlerat tona. Evropa dhe Amerika e Veriut, qëndrojnë së bashku në NATO”, u shpreh ai.  NATO – News: Madrid Summit ends with far-reaching decisions to transform NATO, 30-Jun.-2022

Të gjithë e dijmë se në grupin e “vlerave tona”, çdo shtet i vërtetë demokratik dhe anëtar i NATO-s, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës — dhe sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës – konsiderojnë lirinë e shtypit, si bazën e të gjitha të drejtave dhe lirive të tjera themelore të njeriut.  

Liria e shtypit nuk është se konsiderohet vetëm nga vendet perëndimore si një vlerë  bazë e të gjitha drejtave të tjera të tjera të njeriut – por konsiderohet si e tillë edhe në dokumente me rëndësi ndërkombëtare, siç është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut — Universal Declaration of Human Rights | United Nations —  dhe shumë të tjera.  Ia vlen të lexohet rishtas ky dokument nga përfaqsues dhe udhëheqës të vendeve anëtare të OKB-s, për angazhimet që kanë marrë përsipër, secili shtet, për mbrojtjen dhe zbatimin e këtyre të drejtave bazë të njeriut, në vendet e tyre dhe në mbarë botën – sidomos Shqipëria, që me të drejtë trumpeton antarësimin e përkohëshëm aktual në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. 

I freskët nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Madrid ku u morën vendime me rëndësi strategjike dhe ushtarako-politike në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë në Evropë dhe në botë, por edhe në mbështetje të “vlerave të përbashkëta”, Kryeministri i Shqipërisë, mezi priti që me të këthyer në furrikun e tij, larg vëmendjes së medias ndërkombëtare, të shprehte urrejtjen ndaj lirisë së medias në vendin e tij – duke penalizuar një gazetar me tre muaj ri-edukim – vetëm e vetëm se Kryeministrit nuk i pëlqeu pyetja që gazetari Klevi Muka idrejtoi një ministrejeje të kabinetit Rama: “Do futesh në riedukim, për 60 ditët e ardhëshme nuk ke të drejtën të më pyesësh…”, citohet t’i ketë thënë Z. Rama, gazetarit Klevi Muka. Vërtetë, “riedukim”! Ka kampe “riedukimi” për gazetarët në Shqipëri? Është hera e dytë që Kryeministri Rama dërgon një gazetar, në atë që marrim me mend se duhet të jetë “kamp riedukimi”, si dikurë në kampet e komunizmit të Enver Hoxhës, ose në kampet kineze të riedukimit, ku edhe sot sipas organizatave private dhe qeveritare, regjimi komunist kinez ka dërguar mbi 1 milion myslimanë dhe vazhdon të dërgojë gjithnjë në kampe të tilla riedukimi.

Po, ku fillon e drejta e lirisë së të shprehurit (si një e drejtë universale e të drejtave të njeriut) e gazetarit Muka? Sipas ish-Kryetares së komisionit që ka përpiluar dikur Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut, Eleanor Roosevelt, ajo e drejtë për të gjithë njerëzit fillon, ndër të tjera, edhe në vendin e punës…Fatkeqsisht, për gazetarin Muka, kjo e drejtë mund të ketë filluar në vendin e tij të punës – pra në konferencën për shtyp të Kryeministrit Rama —  por sipas Kryeministrit, e drejta e lirisë së fjalës për gazetarin shqiptar Muka duhet të marrë fund në, “një ri-edukim për 60-ditët e ardhëshme…”, sepse bëri një pyetje që nuk i pëlqeu Kryeministrit. Është ky një rast ose një fenomen shqiptar që nuk e kam hasur më përpara, megjithëse mund të ketë ndodhur në ndonjë vend autoritar, diktatorial ose gjysëm të lirë. Por që të ndodhë në një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për antarësim në Bashkimin Evropian, madje 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, është pak si e çuditëshme. Se si dhe pse tolerohet një kryeministër i Evropës post-komuniste të kërcënojë gazetarët me penalizim “ri-edukimi”, si në kohën e komunizmit, vetëm e vetëm se bëjnë pyetje legjitime drejtuar një zyrtari të lartë qeveritar, veç një Zot e di?! See the source image

 “Konkurenca midis demokracisë dhe autoritarizmit është në rritje e sipër”, paralajmëroi në një konferencë shtypi në Madrid, Sekretari i Përgjithëshëm i NATOs, Jens Stoltenberg. Duke njoftuar një numër masash strategjike që ai i quajti “historike”, e që u miratuan në takimin e mbajtur në Madrid, udhëheqsi i NATO-s shtoi se strategjia e re e kësaj organizate e bën më “të fortë NATO-n, është jetike për ruajtjen e paqës, për parandalimin e konflikit dhe për mbrotjen e popujve dhe vlerave tona të përbashkëta, tani dhe në të ardhmen.”  Ju garantoj se Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Jens Stoltenberg nuk kishte në mend, si vlerë të përbashkët, dërgimin e një gazetari në kamp “riedukimi”, sepse pyetja e tij nuk i pëlqente kryetarit të qeverisë shqiptare.

Në këtë ndërkohë, Turqia – gjithashtu vend anëtar i NATO-s dhe vend strategjik i Shqipërisë — ditët e fundit bllokoi qasjen tek informacionet e shërbimit në gjuhën turke të Zërit të Amerikës dhe Deutsche Welle-s. Ky është një rast ndryshe nga rasti tipik shqiptar për të cilin po flasim – por përfundimi është i njëjti për një shtet autoritar si Turqia, për të cilin liria e fjalës nuk ka asnjë rëndësi për qeverinë autoritare të atij vendi — as për individin as për shtypin vendas: kufizimi dhe shkelja e të drejtës së lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit, siç pasqyrohet në shumë raporte të organizatave ndërkombëtare, mbështetse të lirisë së fjalës.  Reagimi i Zërit të Amerikës ndaj vendimit të qeverisë turke ishte i shpejt duke e cilësuar atë si një shkelje të vlerave demokratike: “Zëri i Amerikës beson se çdo përpjekje e qeverisë për të mbyllur gojën e mediave është një shkelje e lirisë së shtypit, që është një vlerë thelbësore e të gjitha shoqërive demokratike,” tha zëdhënësja, Bridget Serchak, sipas një raporti të shërbimit shqip të VOA-s. E përmend këtë fakt se autoritarët dhe regjime diktatoriale nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri. Në të vërtetë, luftën e tyre kundër të drejtave të qytetatëve të vet e fillojnë me luftën kundër lirisë së shtypit. Kur ta fitojnë luftën kundër lirisë së shtypit, është kollaj të shkelen të drejtat e tjera abazë të njeriut. Historikisht, gjithmonë, liria e shtypit është e para që sulmohet dhe që zhduket nga autoritarët. Të njëjtën gjë kishte bërë Rusia e Putinit, muaj më parë, duke bllokuar Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë.

Duke pasur parasyshë përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri – siç pasqyrohet edhe nga rasti tipik i fundit midis Kryeministrit Rama dhe gazetarit Muka, që nuk është i pari I këtij lloji – por edhe nga paralajmërimi, kohët e fundit, i ambasadorëve perëndimorë në Tiranë se, “Një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për demokracinë”, lindë pyetja: Cilës botë dëshiron t’i bashkohet Shqipëria e Edi Ramës — sot dhe nesër  – asaj të NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbrojnë dhe luftojnë për të drejtën e lirisë së shtypit, si një ndër të drejtat thelbësore të demokracive perëndimore,  a po me botën e autoritarëve botërorë, Putinit, Erdoganit dhe Vuçiqit, të cilët sulmojnë e shtypin fjalën e lirë kurdo dhe kudo, e sa herë u teket për qëllime të veta personale autoritare. “Fati i të drejtave të njeriut është në duart e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve tona”, ka thënë Eleanor Roosevelt. Jo në duartë e ndonjë diktatori, pra!

Në një takim me përfaqsues të medias në Tiranë pas u këthye nga takimi i NATO-s në Madrid, Kryeministri Rama akuzoi gazetarin Klevi Muka se pyetja e tij drejtuar Ministres së Punëve të Jashtme, Xhacka, nuk ishte etike.  Me sa pashë unë, askush nuk foli. Asnjë nuk kundërshtoi ndërhyrjen e Kryeministrit Rama. Ai moment m’u duk si ato gjyqet komuniste ku dënoheshin kundërshtarët e Enverit. Me të dëgjuar pyetjen krejt legjitime të gazetarait Muka nëse ajo e ka zbatuar Kodin e ri Etik për Këshillin e Ministrave për të mos u takuar me biznesmenët pa praninë e dy punonjësve të administratës, shkelja e të cilit ka pasoja deri në largimin e saj nga detyra, Zonja Xhaçka i drejtoi sytë kah Kryeministri, i cili me qëllim të qartë për të intimiduar gazetarët e tjerë në sallë shpërtheu duke thenë se pyetja nuk ishte etike.  Kush e vendos etikën gazetareske, Z. Kryeministër? Ju përcaktoni se cilat pyetje duhet të bëhen dhe si të bëhen ato? 

Nëqoftse etika gazetareske si dhe fati i të drejtave të njeriut, përfshir fjalën e lirë të gazetarëve, mbeten në duar të një personi ose një qeverie, cilado qoftë ajo, e majtë e djathtë, e lirë apo gjysëm e lirë, siç është cilësuar Shqipëria, atëherë vaj medet për atë vend. Rasti i fundit i shkëmbimit midis Kryeministrit Rama dhe gazetarit Klevi Muka e pasqyron këtë fakt, qartë dhe vendosmërisht se në çfarë gjëndje të mjerueshme është sot liria e medias në Shqipëri. Nga këndveshtrimi im, duke ditur sjelljet dhe fjalët e Z. Rama gjatë viteve kundër lirisë së fjalës dhe të drejtave të gazetarëve në veçanti, nuk u habita për qëndrimin e tij të fundit. Ajo që më çudit është se si në një sallë plot gazetarë, nuk reagon asnjë.  Gazetarët në atë sallë do duhej të fiknin mikrofonat, t’i sillnin shpinën Kryeministrit dhe të dilnin nga salla në protestë.  Kjo, për t’i treguar Z. Rama se sjellja e tij karshi profesionit të gazetarëve dhe lirisë së fjalës në Shqipëri është e papranueshme dhe se nuk do të tolerohet. Fatkeqsisht, gazetarët shqiptarë të pranishëm në atë konferencë shtypi, treguan se janë OK me vendimin e Kryeminsitrit Rama që të dërgojë një prej kolegëve të tyre në kampin e ri-edukimit. Sa e turpshme!  Gjatë karrierës së tij, Kryeministri i Shqipërisë ka treguar, si udhëheqës dhe si individ, se urrenë lirinë e fjalës dhe sidomos të drejtat dhe lirinë e gazetarëve në një shoqëri të lirë. Fati i lirisë së fjalës dhe i të drejtave të gazetarëve duhet të mbrohet në rradhë të parë nga vet gazetarët dhe nga shoqëria më e gjerë. Nëqoftse shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në një vend vërtetë demokratik, atëherë ata vet duhet të marrin në dorë fatin e lirisë dhe të demokracisë në vend. Nuk mund të kini demokraci pa liri të vërtetë të medias!  Unë besoj atë që ka thenë dikur Eleanor Roosevelt se të drejtat dhe liritë e njeriut — sidomos liria e fjalës që këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohet si e drejta më themelore e të gjitha të drejtave të njeriut – nuk duhet të jenë në duar të një personi, qoftë ai edhe kryeministër – por në duar të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve vendase. Të nënshkruash një dokument të NATO-s në Madrid duke u angazhuar solemnisht me të gjitha vendet anëtare të Aleancës, “për të mbrojtur popujt dhe vlerat tona”, ndërsa me të zbritur në Tiranë sulmon lirinë e fjalës të një gazetari shqiptar – tregon një hipokrizi të nivelit më të lartë!

Frank Shkreli

View of the room

Nga takimi i NATO-s në Madrid të Spanjës javën që kaloi

See the source image

Eleanor Roosevelt, Delegatja e parë e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe Kryetarja e Komisionit që përpiloi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

Federata Vatra: Amerikë Gëzuar 4 Korrikun, 246 Vjetorin e Pavarësisë

July 4, 2022 by s p

Federata Pan Shqiptare e Amerikës Vatra me rastin e 246 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës uron të gjithë popullin amerikan, shqiptaro-amerikanët e vatranët: Gëzuar 4 Korrikun. Në këtë ditë të rëndësishme për mbarë popullin e shtetin Amerikan, Vatra nderon e kujton heronjtë e lirisë së shtetit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në historinë, lirinë, zhvillimin e demokracinë e Amerikës. Ne ndihemi me fat që jemi pjesë e këtij shteti e kombi të lavdishëm, të lirë, të fortë, të begatë e të dashur nga e gjithë bota. Kombi shqiptar i detyrohet përjetë shtetit amerikan, popullit e kësaj toke të bekuar për gjithçka që Amerika ka bërë për Shqipërinë, Kosovën e kombin tonë. Le të festojmë këtë ditë të veçantë me miqtë tanë amerikanë e komunitetin shqiptar kudo në Amerikë, familjet dhe të afërmit në këtë Shekull të Lavdishëm të marrëdhënieve të shkëlqyera diplomatike mes Shqipërisë dhe Amerikës.

Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti i bekoftë shqiptarët e Amerikës. Zoti i bekoftë të gjithë bashkëkombasit tanë.

Gëzuar 4 Korrikun. Gëzuar Amerikë.

Mirënjohës përjetë

Me vlerësim të veçantë

Kryetari i Federates Pan Shqiptare të Amerikës VATRA

Elmi Berisha

Filed Under: ESSE Tagged With: 4 korrik, Elmi Berisha

Një këndvështrim shqiptar mbi Amerikën, shtetin e njerëzve të lirë!

July 4, 2022 by s p

Dr Bledar Kurti

Lektor i Historisë së SHBA,

Studiues vizitor në New York University, Nju Jork, SHBA/

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një. Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Po, vërtetë, mbi 56 mijë! Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta! Një realitet magjepsës për çdo vend tjetër, por jo për SHBA-në, ku diversiteti dhe madhësia është bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur!

“Nga shumë, një” është një markë unike amerikane! Një realitet ndërshekullor që nuk gjendet askund tjetër! Emigrantë nga e gjithë bota kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në tokën e lirisë dhe të bollëkut, por pavarësisht diversitetit gjuhësor, kulturor dhe racor, ata janë një. Ata janë amerikanë! Ata jetojnë ëndrrën amerikane dhe përpiqen të jenë “amerikanë të mirë”, një koncept tjetër që i përket vetëm Amerikës.

“Nga shumë, një” dallohet edhe në shoqërinë amerikane, një shoqëri që ka arritur një harmoni të jashtëzakonshme të marrëdhënies midis individualizmit dhe bashkësisë. Dy binome të kundërta që shkrihen në mënyrë të përsosur dhe të natyrshme në një. Individi rezervon plotësisht të drejtat e tij/saj personale e megjithatë është i lirë dhe i përgjegjshëm në komunitet, dhe pjesë e një përkatësie më të gjerë kombëtare.

“Amerikanët janë aq të dashuruar pas barazisë, sa që ata do të preferonin të ishin të barabartë në skllavëri sesa të pabarabartë në liri,” shkroi Alexis de Tocqueville në vitin 1835 në librin e tij klasik Demokracia në Amerikë. Edhe sot, pa dallim prejardhjeje dhe përkatësie, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit! Dhe çdo individi i ofrohet mundësia të jetë kushdo që ai ose ajo dëshiron të jetë. Çdo individ trajtohet si i denjë dhe i vlefshëm për shoqërinë.

SHBA është progresive në zbatimin e ideve dhe avangardë në të drejtat e njeriut, gjinitë dhe mundësitë e barabarta, të përkushtuara në luftën kundër racizmit, paragjykimeve dhe diskriminimit në çdo hallkë të zinxhirit të shoqërisë!

SHBA ka gjithashtu sistemin më unik të qeverisjes në botë. Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes u hartuan pikërisht për të mos lejuar që një individ të bëhet mbret apo tiran.

Ashtu siç ka dinamikë në jetën e amerikanëve, po ashtu ka dinamikë në qeverisje. Kjo është evidente në ekuacionin e rotacionit të kongresmenëve, senatorëve, kolegjeve zgjedhore dhe mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme. Hartuesit e Kushtetutës përcaktuan se pushteti legjislativ, pra Kongresi, përbëhet nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Çdo shtet dërgon një numër përfaqësuesish në Dhomën e Përfaqësuesve sipas popullsisë së secilit shtet. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga secili shtet, pavarësisht nga madhësia e popullsisë. Qëllimi është të ruhet ekuilibri ndërmjet përfaqësimit të drejtpërdrejtë dhe udhëheqjes së elitave.

Për më tepër, Kushtetuta parashikon që zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të mbahen çdo dy vjet, për Presidentin çdo katër vjet, për Senatin çdo gjashtë vjet dhe që mandati i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të jetë i përhershëm, me qëllim që gjyqtarët të mos ndikohen nga rotacionet politike. Kështu Kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo Presidentit kalon në një proces rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Paragrafi 3, i Kushtetutës së SHBA-së thotë se: “(Senati) do të ndahet në tri kategori. Vendet e senatorëve të kategorisë së parë lirohen në mbarimin e vitit të dytë, të kategorisë së dytë në skadimin e vitit të katërt dhe të kategorisë së tretë në skadimin e vitit të gjashtë, në mënyrë që një e treta të mund të zgjidhet çdo dy vjet.” Ndërsa Presidenti, me një mandat katërvjeçar, nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli por nga një grup përfaqësuesish nga çdo shtet, i njohur si Kolegji Zgjedhor.

Amerika është Republikë e njëkohësisht Demokraci! Edhe kjo një vlerë dalluese amerikane!

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është krejtësisht e ndryshme nga vendet e tjera. Asnjë vend tjetër nuk është aq i fiksuar pas ndarjes së pushteteve sa në Amerikë. Në sistemet presidenciale dhe parlamentare, për sa i përket ndarjes horizontale të pushteteve, apo trias politica, është Presidenti, Kuvendi apo Kryeministri që kanë më shumë pushtet mbi degët e tjera. Edhe një institucion kolegjial ​​si Kuvendi mund të shndërrohet në absolutizëm pasi kryeministri dhe ministrat e qeverisë zgjidhen në Kuvend me shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare në asnjë vend tjetër nuk përballet me aq vështirësi sa presidentët amerikanë për t’i kthyer projekt-propozimet e tyre në ligje. Zakonisht qeveria e paraqet legjislaturën e saj drejtpërdrejt në Kuvend. Është qeveria ajo që kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative.

Kjo është krejtësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga Presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë kryesisht produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit, sesa midis Kongresit dhe Presidentit.

Ky sistem balancash në çdo nivel e ka bërë SHBA-në vendin më transparent, më demokratik, më të zhvilluar dhe më lider në botë.

Po Kushtetuta?

Eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane.

Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan.

Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Si një Republikë e ndërtuar mbi sundimin e ligjit dhe një demokraci e konsoliduar dhe frymëzuese, Amerika ka shërbyer si një fener drite dhe shprese në mbarë botën. Shqipëria, një vend i pushtuar dhe i shtypur në histori për shumë shekuj, deri në rënien e regjimit diktatorial në vitin 1990, por edhe gjatë tre dekadave të fundit të tranzicionit demokratik, e ka parë gjithmonë Amerikën si simbol të lirisë. Shqiptarët, si një popull liberator me vokacion perëndimor, janë ndër popujt më proamerikanë në botë. Ata kanë një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një lidhje që daton që nga themelimi i shtetit shqiptar.

Gjatë Konferencës së Paqes në Paris të vitit 1919, Shtetet e Bashkuara ishin vendimtare në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë. Presidenti i SHBA-ve Woodrow Wilson e kundërshtoi ndarjen e saj, prandaj ai konsiderohet miku i madh i Shqipërisë. Fan Noli, një figurë e shquar e shtetit shqiptar, e vlerësoi atë si “një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare”, ndërsa një tjetër figurë e rëndësishme, Faik Konica theksoi se “Të gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë në zemrat e tyre një monument të pavdekshëm Presidentit Wilson.”

Shqiptarët vuajtën për gati gjysmë shekulli nën diktaturën e Enver Hoxhës, regjimit më mizor në Evropë. Në vitin 1955 Shqipëria iu bashkua Traktatit të Varshavës, një aleancë e vendeve komuniste që qëndronin kundër NATO-s, por falë mbështetjes së SHBA-së, në vitin 2009 Shqipëria u bashkua me Traktatin e Atlantikut të Veriut, duke hyrë në një epokë të re dhe duke u pozicioniar krah vendeve perëndimore në mbrojtje të paqes dhe lirinë.

Ka një diasporë të madhe shqiptare në Shtetet e Bashkuara, me kontribut të madh në shoqërinë, kulturën, politikën dhe sipërmarrjen amerikane. Këta njerëz të talentuar dhe punëtorë e forcojnë edhe më shumë lidhjen mes dy popujve.

Me siguri mund të thuhet se “Ëndrra Amerikane” është bërë ëndrra e shqiptarëve, në vendlindjen e tyre apo kudo që ata jetojnë jashtë vendit, është një ideal që në fakt ka frymëzuar të gjitha kombet!

Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë, qyteti mbi kodër, ëndrra e gjallë!

Korrik 2022, Nju Jork, SHBA.

Filed Under: ESSE Tagged With: bledar kurti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT